Rënia e regjimit diktatorial dhe trashëgimia negative politike e tij kanë ndikuar negativisht edhe mbi historinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar. Me justifikimin e dekomunistizimit dhe të denoncimit të krimeve të komunizmit, është zhvilluar një fushatë e gjithanshme politike e pseudoshkencore, e cila ka për qëllim rehabilitimin e figurave dhe forcave politike kolaboracioniste nëpërmjet nënvlerësimit, banalizimit, shpifjeve, përçmimit dhe zhvlerësimit të vlerave të LANÇ, figurave të saj drejtuese dhe luftëtarëve të UNÇSH. Kjo fushatë duke se ka fizionominë e një gjyqi të njëanshëm politik, i cili ka për qëllim të ngrejë akuza të sajuara pa marrë parasysh faktet, me qëllim të vetëm fajësimin dhe dënimin e të akuzuarit.
Për pasojë, një pjesë e brezit të ri nuk ka asnjë vlerësim pozitiv për UNÇSH dhe LANÇ, ose nuk i njeh fare ato. Madje shpesh herë, sakrifica e dhjetëra mijëra të rinjve e të rejave për çlirimin e atdheut dhe jeta e mijëra dëshmorëve të rënë në beteja nëpërkëmbet ose bëhet subjekt humori e përbuzjeje, në vend që të shërbejë si objekt frymëzimi a shembull praktik.
E njëjta situatë paraqitet edhe në rrafshin ndërkombëtar. Edhe sot e kësaj dite, jo rrallë herë, si burime kryesore për historinë e LANÇ, përdoren botime të mangëta e sipërfaqësore të shkruara nga sharlatanë të pakualifikuar e me njohuri të cekëta në këtë fushë ose të njëanshëm, ndërsa burimet e drejtpërdrejta të LANÇ nuk përdoren pothuajse asnjëherë. Si rrjedhojë LANÇ identifikohet vetëm me ngjyrat e propagandës antikomuniste, të diktaturës së pas luftës dhe influencës jugosllave. Kontributi i LANÇ të popullit shqiptar minimizohet dhe sakrificat e tij banalizohen ose mohohen krejt.
Në këtë mënyrë argumentet antishqiptare të neo-helenistëve, serbomëdhenjve e të tjerëve se "shqiptarët kanë qenë kolaboracionistë dhe se nuk kanë luftuar nazifashizmin" zënë vend mirë pasi intelektualët e rinj shqiptarë nuk kanë njohuritë e duhura për t'ju kundërvënë atyre me argumente, duke pranuar kështu një gënjeshtër që lë një njollë të zezë në ndërgjegjen kombëtare dhe imazhin ndërkombëtar të shqiptarëve si dhe kontribuon në rritjen e kulturës së vetëpërçmimit.
Aq më e madhe bëhet kjo njollë kur të rinj shqiptarë, kryesisht nga Kosova e Maqedonia e veriut, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite t'i mëshojnë mbështetjes së aktivitetit kriminal të forcave kolaboracioniste duke mos qenë të ndërgjegjshëm që i hedhin benzinë zjarrit të propagandës antishqiptare.
Prandaj, bëhet i domosdoshme krijimi i këtij arkivi , në të cilin paraqiten të gjitha aspektet e LANÇ, pa filtrat e njëanshmërisë politike. Ky arkiv ka si qëllim pasqyrimin e veprimtarisë politike e luftarake të popullit shqiptar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në përmbajtjen e këtij arkivi do të shtjellohen vetëm aspektet teknike të organizimit dhe veprimtarisë së LANÇ, pa hyrë në vlerësime e opinione politike për çështje të ndryshme që kanë ngjallur debat publik. Në këtë mënyrë, vlerësimet e konkluzionet do t'i nxjerrë vetë lexuesi pasi të njihet me faktet.
Nëse në të ardhmen do të ketë vlerësime politike, ato do të vendosen në një seksion më vete.
Nëse keni ndonjë sugjerim apo vërejtje për përmbajtjen e arkivit, ju lutem më kontaktoni në adresën: ariesmp@gmail.com
Faleminderit
Ardi
Nëpër fusha, male e kodra
Divizioni drejt po shkon
Atje tutje na pret Shkodra
Për çlirim'n e vendit tonë.
Krisin pushkët, flakë llogoret
Ndizet lufta në çdo anë
Janë brigadat, batalionet
Janë trimat partizanë
Gjithë armiqtë ne i mposhtëm
Shpartalluam tradhëtinë
U bashkuam me gjithë botën
E çliruam Shqipërinë
Do rrëfejnë, do tregojnë
Për legjenda e histori
Për beteja do këndojnë
Për heronjtë e ushtrisë
Lavdi trimave dëshmorë
Që dhanë jetën për liri
Do të jenë përgjithmonë
Bijtë e nënës Shqipëri.
*Përshtatur nga "Kënga e Partizanëve" e Ushtrisë së Kuqe