Konferenca e parë e vendit e PKSH-së (17 - 22 mars 1943) i kushtoi vëmendje të veçantë vënies në jetë të një prej detyrave të strategjisë së Partisë Komuniste, krijimit të UNÇSH-së, si kusht i domosdoshëm për kalimin në kryengritjen e përgjithshme të armatosur. Ndërtimi i një ushtrie të rregullt e të organizuar në shkallë kombëtare, me drejtim të përqendruar, kishte dalë në plan të parë. Për këtë Konferenca orientoi:“Të krijojmë prej njësive partizane e vullnetare Ushtrinë Nacionalçlirimtare të rregullt, e cila do të jetë fuqia e tmerrshme kundër okupatorit dhe garancia e sigurt dhe e fuqishme për çlirimin e popullit.”*
Në verën e vitit 1943, me përmasat e gjera që kishte marrë Lufta Nacionalçlirimtare, ishin pjekur të gjitha kushtet për zbatimin e kësaj detyre. Forcat partizane ishin rritur së tepërmi. Në formacionet e rregullta ishin rreth 10.000 luftëtarë të organizuar në 22 batalione e në një numër të madh çetash. Jo më pak se 20.000 luftëtarë të tjerë të armatosur përbënin çetat vullnetare territoriale të zonave të lira dhe njësitet guerile të qyteteve e të krahinave të pushtuara.
Në zonat e lira si Peza, Kurveleshi, Mesapliku, Mallakastra, Skrapari, Gora, Opari, Shpiragu, Çermenika, Shëngjergji, Martaneshi, Dibra. Tropoja, Mbishkodra, etj., ishte vendosur pushteti politik i këshillave nacionalçlirimtare. Këto zona, që përbënin rreth gjysmën e sipërfaqes së vendit, ishin kthyer në baza të fuqishme e shumë të rëndësishme për mbështetjen dhe zgjerimin e mëtejshëm të Luftës Nacionalçlirimtare.
Komiteti Qendror i Partisë, pas një analize dhe vlerësimi që i bëri gjendjes politiko-ushtarake, përpunuan planin dhe morën masat për formimin e Shtabit të Përgjithshëm, si një hap tepër të rëndësishëm për organizimin e ushtrisë së rregullt dhe zgjerimin e Luftës Nacionalçlirimtare.
Enver Hoxha duke mbajtur fjalim para batalionit "Hakmarrja".
Shtabi i Përgjithshëm u themelua në 4 Korrik 1943 gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Ai kishte 12 anëtarë. Komandant u zgjodh Major Spiro Moisiu, Komisar Politik Enver Hoxha. Komandanti dhe Komisari Politik përbënin komandën eprore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin: Myslim Peza (Babë Myslymi), Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi), Dali Ndreu, Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica dhe Sejfulla Malëshova.
Organizimi dhe drejtimi i Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare shtroi para Shtabit të Përgjithshëm detyrën e udhëheqjes strategjike dhe operative të kryengritjes së përgjithshme të armatosur; detyrën për zbatimin në shkallë me të gjerë e me të organizuar të parimeve e të rregullave të luftës së armatosur popullore partizane si parimi i përcaktimit të goditjes kryesore, i përqendrimit të forcave dhe të mjeteve në vendin dhe kohën e duhur, i organizimit e i bashkëveprimit ndërmjet reparteve e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe ndërmjet tyre e forcave vullnetare territoriale për të kryer veprime të shkallës operativo-strategjike, etj.
Shtabi i Përgjithshëm përcaktoi rrugët, format e metodat që duheshin përdorur për zgjerimin e mëtejshëm të Luftës së armatosur dhe për rritjen e shtimin e bazave partizane. Ai përcaktoi objektivat strategjikë të ndërmjetëm që duheshin arritur për të plotësuar qëllimin strategjik të luftës, çlirimin e Atdheut.
Sipas karakterit e përpjesëtimeve të Luftës partizane, të mundësive materialo-teknike, të terrenit, të mundësive për përdorimin luftarak e për drejtim, Shtabi i Përgjithshëm, si formacionin (njësi) më të përshtatshme për organizimin e UNÇSH-së dhe shndërrimin shkallëzor të saj në ushtri të rregullt, zgjodhi Brigadën Sulmuese.
Brigada sulmuese ishte njësi luftarake operative në dorë të Shtabit të Përgjithshëm. Ajo plotësohej me luftëtarë të zgjedhur nga disa krahina të vendit ose të qarkut, të cilët sipas porosive që jepte Shtabi i Përgjithshëm, duhej të kishin qenë anëtarë të çetave sulmuese dhe territoriale, të vendosur qind për qind për Luftën Nacional çlirimtare, luftëtarë të palodhur dhe trima, të kishin marrë pjesë në aksione dhe të ishin të bindur e të disiplinuar.*
Brigada, si rregull, përbëhej nga 4 batalione, por ndonjëherë ajo kishte 5 ose 3 batalione. Fillimisht brigadat përbëheshin nga rreth 400 - 600 luftëtarë, por me vonë ky numër arriti në rreth 800 -1000.
Batalioni, si rregull, përbëhej nga 3 kompani me rreth 150 - 250 luftëtarë.
Kompania përbehej prej 4 - 5 skuadrave me rreth 50 - 70 luftëtarë.
Forcën sulmuese të brigadës e përbënin luftëtarët e pajisur me pushkë, automatikë dhe me mitraloza të lehtë e të rëndë te modeleve të ndryshme. Në çdo skuadër pushkatare kishte një mitraloz të lehtë dhe në kompani një mitraloz të rëndë. Në përbërje të brigadave sulmuese kishte, zakonisht, nënreparte artilerie të pajisura me mortaja, pushkë kundërtanke ose topa malorë dhe nënreparte të vogla zbulimi, ndërlidhjeje e prapavije.
Si formacioni më i madh gjate fazës së dytë të luftës, brigada kishte force goditëse dhe mëvetësi veprimi. Ajo, duke qenë e përbërë kryesisht prej forcash këmbësore dhe me një sasi të kufizuar artilerie të transportueshme me krahë e me kafshë, ishte e lehtë, e manovrueshme dhe i përshtatej terrenit malor. Këto cilësi në organizim, gjendja moralo-politike dhe aftësitë e partizanëve, i jepnin brigadës mundësi të plotësonte detyra të rëndësishme luftarake edhe pse vepronte me taktikën e luftës partizane. Duke bërë sintezën e fizionomisë së brigadës sulmuese të UNÇSH-së, Enver Hoxha do të orientonte se: “Formimi i brigadave, duhet të jetë preokupacioni me i madh në çështjen ushtarake... Brigada është formacioni i vërtetë i Ushtrisë sonë Popullore, formacion që do të thëthijë pak nga pak gjithë elementët e vendosur të çetave ose të batalioneve sulmuese për me mbërrit kësisoj në një ushtri të vërtetë dhe me shpirt luftarak, ashtu si e duam ne..."*
Zbatimi i planit të Shtabit të Përgjithshëm për organizimin e UNÇSH-së, filloi me formimin e Brigadës 1 Sulmuese me 15 gusht të vitit 1943, në Vithkuq të Korçës. Detyrën e komandantit të Brigadës e mori Mehmet Shehu. Si formacioni i pare i madh i Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare, ajo do të shërbente si shembull për njësitë e tjera partizane shqiptare që do të krijoheshin më vonë.
Në vjeshtën e vitit 1943, në vijim të zbatimit të masave për organizimin e UNÇSH-së. u krijuan edhe tre brigada të reja sulmuese (II, III, V). Ky proces vazhdoi pandërprere edhe në muajt e vështirë të luftës e të dimrit të viteve 1943-1944 dhe gjate pranverës se vitit 1944 me krijimin e pesë brigadave të tjera (IV, VI, VII, VIII, XII) dhe me përmirësimet organizative që u bënë në ecurinë e luftës e te rritjes së vetë brigadave, të cilat forcuan kompaktësinë luftarake dhe forcën vepruese.
Grupi partizan, fillimisht, u krijua në shkallë qarku. Përbëhej nga batalionet dhe çetat e qarkut dhe drejtohej nga shtabi i grupit (i qarkut) ose i zonës. Ai vepronte brenda qarkut ose në një qark fqinj. Më vonë, me rritjen e numrit të batalioneve partizane, për drejtimin më me lehtësi të tyre, përbërja e grupeve u zvogëlua. Kështu, në një qark u krijuan disa grupe, të cilat kishin në varësi nga 2-3 batalione. Në Shqipërinë e Veriut, në vend të grupit partizan u krijua aradhja, në përbërjen e së cilës hyri batalioni partizan “Perlat Rexhepi” i Shkodrës dhe batalioni partizan “Bajram Curri” i Tropojës. Grupet krijonin kushte që e gjithë UNÇSH-ja të kalonte në brigada. Një rol të madh në organizimin e fuqizimin e tyre luajti rregullorja e përpunuar nga Shtabi i Përgjithshëm në gusht te vitit 1943 “Mbi grupet partizane vullnetare të UNÇSH.“
Batalioni partizan kishte 3 - 4 çeta me rreth 90 - 150 veta dhe organizohej në shkallë krahine. Si rregull, plotësonte detyra të shkallës taktike dhe vepronte brenda qarkut. Batalioneve partizane u viheshin emra të rilindësve, të dëshmorëve etj. Çeta përbëhej nga 3 - 4 skuadra dhe kishte rreth 30 - 40 veta.
Kërkesë e rëndësishme për formacionet e UNÇSH-se, të cilat duhej të bënin manovrime të shumta e të shpejta, ishte që ato të ishin të lehta. Lidhur me këtë Shtabi i Përgjithshëm porosiste komandat partizane që ta ruanin ketë rregull e t’i pakësonin efektivat e batalioneve që kishin 200 e më shumë veta.
Ndër problemet më të rëndësishme të organizimit ushtarak ishte ndërtimi i organeve të diktimit. Çdo formacion i UNÇSH-së (brigadë, grup, batalion) drejtohej nga komanda ose, siç quhej shpesh, nga shtabi, që përbëhej nga komandanti, komisari politik dhe zëvendësit e tyre. Një grup kishte dhe adjutant, i cili përgjigjej për problemet administrative ushtarake. Komanda vendoste dhe mbante përgjegjësi për të gjitha problemet e rëndësishme politike dhe ushtarake e zbatonte urdhrat e komandës eprore.
Vendosja e funksionit të komisarit dhe e zëvendës komisarit në organet e drejtimit të formacioneve partizane ishte një ndër tiparet me karakter parimor, që e dallonte rrënjësisht Ushtrinë Nacionalçlirimtare nga ushtritë e mëparshme popullore shqiptare, duke i dhënë asaj karakter politik. Si përfaqësues të Partisë Komuniste, ata përçonin në ushtri vijën politike dhe ushtarake të saj dhe luanin një rol veçanërisht të rëndësishëm për ta zbatuar atë me vendosmëri, për edukimin ideopolitik të efektivave, për të mbajtur lart frymën moralo-luftarake. Rol të rëndësishëm komisarët e luanin veçanërisht në kuadrin e ruajtjes së disiplinës dhe shmangien e konflikteve me civilët, sidomos veprimet me karakter kriminal si vjedhjet, abuzimet, hakmarrjet, dhuna, etj, fenomene të cilat kishin pllakosur gjerësisht njësitë e Balli Kombëtar.
Për organizimin, planëzimin dhe drejtimin e forcave partizane e vullnetare të një qarku ose zone, u krijuan shtabet e grupeve dhe shtabi i qarkut,* ndërsa në qarkun e Gjirokastrës e të Vlorës u formua një shtab i përbashkët - Shtabi i Zonës 1 Operative. Shtabi i grupit ose i qarkut varej nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH-së dhe nga komitetet qarkore të Partisë Komuniste. Zona Operative varej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe bashkëvepronte ngushtë me komitetet qarkore të Partisë ku ajo shtrihej. Në përbërjen e shtabit të grupit, të qarkut ose të Zonës 1 Operative, përveç komandës drejtuese, merrnin pjesë edhe nacionalistë, atdhetarë dhe komandantë e komisarë të dalluar të reparteve partizane të qarkut ose të zonës, të cilët caktoheshin me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së.
Rol vendimtar për rritjen dhe forcimin organizativ të UNÇSH-së, për ruajtjen e karakterit revolucionar popullor të saj, për plotësimin me sukses të detyrave luftarake, luanin organet dhe organizatat e Partisë Komuniste. Ja pse ndërtimit organizativ të Partisë në ushtri dhe formimit të jetës se brendshme të saj iu kushtua vëmendje e madhe. “... pa organizatë të Partisë në ushtri, - theksonte Komiteti Qendror i PKSH-së - ne nuk mund të kemi një ushtri ashtu si e dëshirojmë ne, ushtri që të kryejë misionin e madh dhe delikat."*
Celulat e Partisë u krijuan edhe në shtabin e batalionit, të grupit e të brigadës. Në batalione u formuan byrotë e Partisë, të cilat përbëheshin nga komisari politik dhe zëvendës komisari i batalionit, sekretarët e organizatave baze (celulave) të kompanive (çetave) dhe përgjegjësi i rinisë i batalionit. Si ndihmës i komisarit politik dhe përgjegjës për punën e organizatave të Partisë, duke kryer funksionin e sekretarit të celulës ose të byrosë së Partisë, u caktua zëvendës komisari politik. Ai mbante lidhje me zëvendës komisarin e brigadës ose me komitetin qarkor të Partisë kur batalioni vepronte i pavarur. Edhe në brigade punën e Partisë e drejtonte zëvendës komisari politik. Më vonë në brigada u ngritën edhe seksionet politike.
Celulat dhe byrotë e Partisë Komuniste ishin në udhëheqje të gjithë jetës dhe veprimtarisë në formacionet e UNÇSH-së. Kjo udhëheqje ishte një faktor me peshë për rritjen e aftësisë së komandave dhe të shtabeve për kryerjen e detyrave që u ishin ngarkuar, për zhvillimin në një shkallë më të lartë të nismës së tyre. Organet e Partisë, komisarët dhe zëvendës komisarët mbanin lidhje të ngushta me organizatat e Partisë dhe me këshillat nacionalçlirimtare në terrenin ku vepronin. Rol të madh në ushtri do të luanin edhe organizatat e Rinisë Komuniste, të cilat kishin organizimin dhe detyrat e tyre të veçanta.
Shërbimeve. Organizimi dhe fuqizimi i UNÇSH-së, që u zhvillua gjerësisht gjatë fazës së dytë të luftës, gjen shprehjen e vet edhe me krijimin e organizmave të llojeve të armëve e të shërbimeve, të cilat shënojnë lindjen e llojeve të armëve si ajo e artilerisë dhe krijimin e disa shërbimeve të domosdoshme si i zbulimit, i ndërlidhjes, i xhenios, i intendencës dhe ai shëndetësor.
Artileria hyri në ndërtimin organik të formacioneve partizane që gjate fazës së parë, sepse një pjesë e çetave dhe e batalioneve u pajisen me mortaja të lehta, por me organizimin e reparteve e të njësive të ushtrisë së rregullt, u formuan edhe nënrepartet e para të artilerisë.
Pranë brigadave dhe Zonës 1 Operative u krijuan bateritë e topave e të mortajave, të pajisura me topa 75/13 mm e 47/32 mm dhe mortaja 81 mm. Me armë të rënda u pajisën edhe një pjesë e grupeve dhe e batalioneve partizane. Nënrepartet e artilerisë do të përdoreshin kryesisht në luftimet më të rëndësishme.
Shiko më poshtë tabelën e llojeve të artilerisë dhe sasitë që brigadat sulmuese kishin në dispozicion gjatë fazës së dytë.
Kjo shifër përbënte rreth 40-50 % të sasisë së përgjithshme të artilerisë së UNÇSH-ë, pasi me artileri u armatosën edhe mjaft grupe e batalione partizane të qarqeve. Mbështetur në këto llogari, UNÇSH-ja gjatë fazës së dytë të luftës kishte rreth 170-180 gryka zjarri. Megjithëse mjaft më e paktë në krahasim me artilerinë që zotëronte armiku, ajo kreu me sukses disa detyra luftarake.
Ndërkohë lindi domosdoshmëria e marrjes së masave organizativo-teknike dhe e përpunimit të mendimit për përdorimin luftarak të saj. Nënrepartet e artilerisë u përdorën kryesisht në luftimet më të rëndësishme dhe, si rregull, në mënyrë të shpërqendruar. Nisur nga kjo, sasia më e madhe e grykave të zjarrit ndodhej në batalione. Edhe bateria e topave dhe ajo e mortajave të brigadës gjatë veprimeve luftarake u jepeshin në mbështetje batalioneve me gryka zjarri
Shërbimi i zbulimit (informativ), si një shërbim i domosdoshëm për çdo veprimtari luftarake, kishte fituar një përvojë të mirë qysh gjatë fazës së parë të luftës, megjithëse në pikëpamje organizative ishte në format fillestare.
Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me organizimin e UNÇSH-së, shërbimi informativ u vu në baza më të mira organizative. Pranë Shtabit të Përgjithshëm u krijua Shërbimi Qendror Informativ, i cili mbante lidhje me zyrat e informacionit të krijuara pranë komiteteve qarkore të Partisë.
Në Shtabin e Zonës 1 Operative dhe në shtabet e qarqeve, sipas udhëzimit të Shtabit të Përgjithshëm të shtatorit të vitit 1943, filloi organizimi i seksionit informativ ushtarak dhe i rrjetit informativ i drejtuar nga një oficer.
Shtabet e qarqeve dhe komandat e vendit krijuan nyjat dhe qendrat e informacionit në disa qendra të banuara, në pikat kyçe e gjatë rrugëve të komunikacionit.
Në brigada e batalione u organizua seksioni informativ, zakonisht me një oficer. Shërbimi informativ drejtohej nga komisari ose zëvendës komisari, shpesh edhe nga komandanti. Për kryerjen e detyrave të zbulimit ngarkoheshin gjithë partizanët, por më shpesh caktoheshin luftëtarë të zgjedhur, me të cilët krijoheshin patrulla e grupe zbulimi me përbërje 3-4 veta deri skuadër partizane.
Një burim me vlerë informacioni ishte edhe bashkëveprimi i drejtpërdrejtë i komandave partizane me organizatat e Partisë, të gruas e të rinise në terren, me këshillat nacionalçlirimtare dhe me komandat e vendit. Në kuadrin e këtij bashkëveprimi, ngarkoheshin me detyra zbulimi të rinj, gra e vajza, fshatarë etj. Në këtë mënyre zbulimi i armikut u be masiv, popullor, si tipar i rëndësishëm i vetë luftës. Në shërbim të zbulimit strategjik vepronte një rrjet i tërë informatorësh, i futur e i organizuar në administratën e armikut, deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme e në komandaturën gjermane.
Ky organizim e drejtim i përqendruar në shkallë strategjike ishte një nga faktorët e rëndësishëm për zbulimin në kohë e mirë të armikut, për të ndërmarrë veprime të suksesshme luftarake, për të përballuar operacionet e pushtuesve.
Organizimi i UNÇSH-së dhe shtrirja e veprimtarisë luftarake të saj kërkonte një ndërlidhjè të shpejte e të qëndrueshme nga qendra në bazë, brenda vetë formacioneve partizane dhe krahinave të ndryshme të vendit.
Mungesa e mjeteve teknike kushtëzoi që edhe gjate fazës së dytë të përdorej ndërlidhja me lajmëtarë, me sinjale dhe me takime personale. Në një shkallë më të vogël u përdor edhe ndërlidhja me telefon, duke shfrytëzuar rrjetin telefonik krahinor. Në shtabet e qarqeve, të zonës, në grupe e në brigada kishte përgjegjës të posaçëm për këtë shërbim.
Forma kryesore dhe me e sigurt ishte ndërlidhja me lajmëtarë. Për këtë, në formacionet e UNÇSH-së u caktua një numër lajmëtarësh. Si rregull, pranë shtabit të brigadës kishte 3 - 4 lajmëtarë, pranë batalionit 2 - 3, në kompani. Ata zgjidheshin nga luftëtaret më të vendosur, më trima, më të aftë fizikisht dhe që e njihnin mirë terrenin. Nëpërmjet lajmëtarëve dërgoheshin urdhra, raporte e informacione me shkrim. Ne raste të veçanta, në varësi nga gjendja, njoftimet dhe urdhrat transmetoheshin edhe me gojë.
Me kalimin ne veprime luftarake në hapësira të mëdha dhe me ndryshimin e shpejtë të situatave, në disa raste, ndërlidhja me lajmëtarë sillte edhe vonesë në vënien në kohë të detyrave dhe në njoftimin e ndërsjellë. Për të mënjanuar këto raste, Shtabi i Përgjithshëm krijoi në vende të caktuara pikat e përparuara për grumbullimin e informatave dhe dhënien e udhëzimeve, masë kjo që e lehtësoi dhe e shpejtoi lidhjen e tij me shtabet e njësive dhe të reparteve. Veç kësaj, Shtabi i Përgjithshëm i kushtoi kujdes funksionimit të ndërlidhjes telefonike.
Në kushtet e luftës partizane, kur njësitë e repartet e UNÇSH-së manovronin e vepronin në zona të gjera dhe në mungesë të bazës materiale, ndërlidhja telefonike nuk mund të organizohej brendapërbrenda reparteve e njësive. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm këtë detyrë ua ngarkoi shtabeve të qarqeve dhe pushtetit ushtarak të prapavijave, të cilët do ta shfrytëzonin ndërlidhjen telefonike për vete dhe në të mirë të formacioneve të UNÇSH-së.
Kështu, filloi të organizohej e të vihej në përdorim një sistem i thjeshtë i ndërlidhjes telefonike në disa zona të vendit, sidomos në zonat e lira. Qendra të rrjetit telefonik kishte në Ballhaxhias të Pezës, në afërsi të Voskopojës, në pyllin e Bakullit e në çezme të Vogël të qarkut të Korçës, në Çorovodë, në Kuç, në Gusmar e Poliçan të Zonës 1 Operative etj. Ky sistem u ngrit kryesisht duke përshtatur rrjetin telefonik ekzistues, por edhe me shtrirjen e pjesshme të disa linjave të reja me materiale që i ziheshin armikut. Me gjithë mangësitë e natyrshme që pati ndërlidhja telefonike në këtë i fazë fillestare, në ato krahina ku u ngrit, dha mundësi për komunikim të dyanshëm, duke sjellë përmirësime të ndjeshme në drejtimin e veprimeve luftarake.
Përdorim të gjerë gjeti edhe ndërlidhja me sinjale. Kjo formë u përdor brenda reparteve për njoftimin e vënien në gatishmëri luftarake të forcave vullnetare territoriale, për mbledhjen e forcave në një pike të caktuar etj. Zgjedhja dhe caktimi i sinjalistëve, si në repartet e nënrepartet e UNÇSH-së, ashtu edhe në forcat vullnetare territoriale, e rriti më tej efektivitetin e kësaj forme. Sinjalet ishin zanore (me shkrepje armësh, me bomba, me borie, me bilbila me transmetim komandash me zë të ulët etj.) dhe vizuale (me ndezje zjarresh, me tymra, me lëvizje të dorës e të trupit në drejtimet e duhura etj.).
Shërbimi xhenier filloi të merrte formë si organizëm i posaçëm me organizimin e UNÇSH-së. Në fillim në organikat e formacioneve të UNÇSH-së nuk kishte nënreparte xheniere dhe detyrat e sigurimit xhenier si kryerjen e punimeve të thjeshta, shkatërrimet dhe minimet, marrjen e masave për maskim, kalimin e pengesave ujore, të atyre me mina etj, i kryenin vetë partizanët. Sipas rastit, për plotësimin e këtyre detyrave, caktoheshin edhe luftëtarë të zgjedhur, me të cilët bëhej një përgatitje paraprake.
Përdorim të gjerë morën shkatërrimet dhe minimet. Për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi, Shtabi i Përgjithshëm me 10 prill të vitit 1944 nxori urdhrin për krijimin e nënreparteve minatore, datë që shënon krijimin e armës së xhenios. ”Është nevojë e domosdoshme, — theksohet ne urdhër, — që shtabet e qarkut dhe të brigadave të kenë nga një skuadër minatore, të cilat të jenë të specializuara në përdorimin e hedhjeve të urave e të prishjes së rrugëve.*
Shërbimi i prapavijës gjatë LANÇ-it përfshinte shërbimin e intendencës dhe atë shëndetësor. Pas organizimit të UNCSH-së, Shtabi i Përgjithshëm në një varg dokumentesh, që zënë fill me “Rregulloren mbi grupet partizane vullnetare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare” (17gusht 1943) e vuri shërbimin e prapavijës mbi baza më të shëndosha organizative. Në to përcaktohen struktura dhe detyrat e intendencës dhe të shërbimit shëndetësor të formacioneve partizane.
Për drejtimin e shërbimeve të prapavijave, pranë Shtabit të Përgjithshëm ishin organizuar komisariati ekonomik dhe seksioni i shëndetësisë. Shtabi i Zonës I Operative, shtabet e qarqeve dhe formacionet partizane kishin intendencën dhe shërbimin shëndetësor të tyre. Intendenca përbëhej nga intendenti, zëvendësi i tij dhe një numër i nevojshëm njerëzish, kafshësh dhe mjetesh të tjera transporti. Për shërbimin shëndetësor, përveç mjekut, caktoheshin disa infermierë. Në varësi të shtabeve të qarqeve u krijuan shkallë-shkallë një varg deposh, punëtorish e spitale. Komplekse të tilla u krijuan sidomos në Zagori të Gjirokastrës, në Lavdar të Korçës, në Pezë etj.
Detyrat kryesore të shërbimit të prapavijës në UNÇSH ishin: sigurimi me mjete të ndryshme materiale (armatim, municion, ushqim dhe veshmbathje), shërbimi shëndetësor për partizanët e plagosure të sëmurë, transportimi i mjeteve materiale etj. Për plotësimin e këtyre detyrave komandat e formacioneve partizane bashkëvepronin ngushtë me pushtetin ushtarak të prapavijave dhe me këshillat nacionalçlirimtare. Për tërheqjen e ndihmave nga qyteti për në fshatrat e afërt, u krijuan pika grumbullimi. Ky organizim bëri të mundur të përballoheshin detyrat e shërbimit të prapavijës edhe në kushtet e vështira të fazës së dytë të luftës.
Veç shërbimeve të mësipërme, pranë brigadave dhe grupeve u krijuan edhe gjyqet ushtarake. Ato përbëheshin nga komandanti, komisari politik dhe hetuesi. Gjykatat ushtarake kishin për detyrë të gjykonin me drejtësinë më të madhe dhe me ndërgjegje të pastër të gjithë ata që akuzoheshin për tradhti ndaj atdheut, popullit dhe Luftës Nacionalçlirimtare.
Në kushtet e luftës dhe tensionit të madh politik, gjykatat partizane shpesh karakterizoheshin nga vrazhdësia dhe dënimet e ashpra. Drejtuesit e njësive partizane përpiqeshin që përgjithësisht problemet e konfliktet të zgjidheshin me mirëkuptim e duke shmangur përplasjet. Gjykata ngrihej përgjithësisht në ato raste kur të gjitha tentativat e tjera për të zgjidhur problemin kishin shteruar dhe konflikti kish arritur në vepra kriminale që cenonin rregullin, disiplinën dhe jetën e luftëtarëve të UNÇSH dhe civilëve, dhe pronën e tyre. (AK)
Forcat vullnetare territoriale ishin një masë e madhe e popullit të armatosur, të cilët të rreshtuar në formacione vullnetare, përbënin një rezervë të fuqishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Tërheqja e këtyre forcave në veprime luftarake të përbashkëta me forcat e ushtrisë së rregullt i dha luftës së armatosur karakter të thellë popullor. Ato do të luanin një rol të rëndësishëm në ecurinë e luftës, në ndihmë të UNÇSH-së.
Pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, organizimi i forcave territoriale u përsos më tej. Nga çetat vullnetare të një fshati u kalua në krijimin e batalioneve territoriale të një krahine. Batalioni përbëhej nga disa çeta. Çdo luftëtar, burrë ose grua, e siguronte armën e vetë në luftë e sipër. Cdo çetë e batalion kishte komandantin dhe zëvendëskomandantin, të cilët zgjidheshin nga luftëtarët e çetës (batalionit) dhe, në raste të veçanta, emëroheshin edhe nga lart. Çeta mbante emrin e fshatit, ndërsa batalioni emrin e krahinës. Forcat territoriale administrativisht vareshin nga komandat e vendit, ndërsa ushtarakisht vareshin drejtpërdrejt nga shtabet e qarqeve (të zonës).
Forcat vullnetare territoriale vepronin duke bashkëvepruar me formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ato mblidheshin kur rreziku nga armiku ishte i afërt dhe kur forcat e UNÇ-së kërkonin ndihmën e tyre. Ato, sipas gjendjes luftarake dhe në varësi nga terreni, vepronin brenda krahinës së tyre, por edhe në krahinat e afërt/a. Zakonisht forcave territoriale u caktohej një sektor ndihmues. Në disa raste brenda sektorit të një batalioni territorial vepronte edhe një kompani e ushtrisë së rregullt. Për bashkërendimin më të mirë të veprimeve luftarake, komanda e çetës vendosej në një vend me komandantin e skuadrës së ushtrisë së rregullt, ndërsa komanda e batalionit formonte një komandë ose shtab të përbashkët me komandën e kompanisë për aq kohë sa do të zhvilloheshin veprimet luftarake.
Kur forcat territoriale grumbulloheshin për të plotësuar detyra luftarake, ato u nënshtroheshin të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare, ndërsa kur ishin të shpërndara zbatonin rregulloret e komandës së vendit.
Organizimi i pushtetit ushtarak. Në fazën e parë të kryengritjes së armatosur detyrat për vendosjen dhe matjen e rendit në zonat e çliruara i kryenin forcat partizane së bashkëveprim me këshillat nacionalçlirimtare. Pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, me zgjerimin e këtyre zonave dhe me kalimin në kryengritjes së përgjithshme të armatosur, sigurimi i bazave mbështetëse të luftës, vendosja dhe ruajtja e rendit, lufta kundër kriminalitetit dhe plotësimi gjithnjë në rritje i nevojave materiale e njerëzore të UNÇSH-së nuk mund të kryheshin më nga vetë repartet e njësitë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, meqenëse detyra kryesore e tyre do të ishte tashmë lufta në përmasa më të gjera kundër forcave pushtuese. Këto detyra nuk mund t’i kryenin plotësisht këshillat nacionalçlirimtare pa ndihmën e një organi tjetër të posaçëm ushtarak. Pikërisht për këtë, në zonat e lira u krijuan organet e pushtetit ushtarak të prapavijave, ai pjesë përbërëse e forcave të armatosura të revolucionit. Në organizimin e pushtetit ushtarak të prapavijave bënin pjesë komandat e qarkut, komandat e vendit, rojat partizane dhe ato vullnetare fshatare.
Komandat e qarqeve u krijuan në krahina që përfshinin një a më shumë nënprefektura, popullsia e të cilave mund të nxirrte më tepër se një batalion partizan. Ato përbëheshin nga komandanti, që emërohej nga Shtabi i Përgjithshëm, dy zëvendës (një për seksionin politik dhe tjetri për atë ekonomik), gjyqi i përhershëm i qarkut (ku bënte pjesë njëri nga zëvendëskomandantët e qarkut, një komandant vendi dhe zëvendësi i tij dhe një gjykatës i marrë nga njësitë e UNÇ-së) dhe personeli tekniko--ndihmues. Komanda e qarkut varej nga shtabi i qarkut (i zonës).
Komandat e vendit krijoheshin në qendra të mëdha, në pika kryesore ose në nyja të rëndësishme komunikacioni, të cilat mbulonin një numër të caktuar fshatrash të zonës së lirë. Këto caktoheshin nga komandat e Qarkut dhe vareshin prej tyre.
Komandat e qarqeve dhe të vendit kryenin dy detyra kryesore, ndihmonin Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe mbronin rendin. Ato merreshin me mbrojtjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, me ruajtjen e qetësisë në zonat e çliruara, me plotësimin e reparteve partizane me vullnetarë të rinj, me furnizimin e tyre me ushqim e veshmbathje, me grumbullimin e informatave për armikun etj.
Rojat partizane ishin organe zbatimi të urdhrave e udhëzimeve të komandës së vendit dhe të shtabeve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ato përbëheshin nga komandanti dhe partizanët vullnetarë në numrin e nevojshëm për të kryer shërbimin. Rojat partizane vendoseshin në pika të përparuara të zonës së lirë, për të zbuluar lëvizjet e armikut dhe për të kontrolluar hyrjet e daljet e elementeve të dyshimtë, kundërshtarët e Luftës Nacionalçlirimtare.
Roja vullnetare fshatare ishin roja civile të armatosura, të ngarkuara me detyrën e mbrojtjes së rendit në çdo fshat të çliruar. Ato zbatonin urdhrat e pushtetit ushtarak dhe vendimet e këshillave nacionalçlirimtare.
Zgjidhja e problemeve të kuadrit, armatimit e furnizimit. Organizimi i UNÇSH-së dhe kalimi në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, shtroi para Shtabit të Përgjithshëm nevojën e zgjidhjes së mjaft problemeve si të kuadrit, armatimit, furnizimit etj.
Gjatë fazës së dytë të kryengritjes së armatosur, kur u organizua UNÇSH-ja dhe po ecej në rrugën e rritjes e të shndërrimit të saj në ushtri të rregullt, nevojat për kuadro erdhën duke u shtuar. Në kushtet e vështira të luftës nuk mund të hapeshin shkolla e kurse të gjata për përgatitjen e kuadrove politike e ushtarake. Shkolla e vetme nga do të dilnin këto kuadro mbetej lufta, në zjarrin e së cilës do të dalloheshin njerëzit me vullnet të fortë, të aftë e organizatorë, që duhej të merrnin drejtimin politik dhe ushtarak të batalioneve, të grupeve e të brigadave.
Komiteti Qendror i PKSH-së dhe Shtabi i Përgjithshëm kritikonin atë kuptim të ceket që shfaqën disa komanda repartesh, të cilat kërkonin t’u dërgoheshin komandantë e komisarë nga terreni ose nga repartet e tjera partizane. “Na duket se nuk e keni kuptuar hala - i tërhiqte vërejtjen Shtabi i Përgjithshëm komandës së batalionit të Dumresë - që batalionet e çetat janë burimet e vërteta të komandantëve, të nënkomandantëve dhe të drejtuesve politikë, si komisarë dhe zëvendëskomisarë. Kush mund të nxjerrë udhëheqës më të mirë politikë se grumbullimet në batalione e në çeta që janë kurdoherë në luftë e në përpjekje.”* Kjo vijë politike e drejtë dhe e guximshme, bëri që të ngriheshin e të caktoheshin në përgjegjësi me qindra kuadro nga radhët e partizanëve të thjeshtë, nga punëtorët, zejtarët, fshatarët e varfër e të mesëm dhe nga intelektualët patriotë etj. Kështu formacionet e UNÇSH-së u plotësuan me komandantë e komisarë që drejtuan me zotësi repartet e njësitë në fushën e luftës. Forcimi i UNCSH-së si ushtri e rregullt popullore dhe zhvillimi me sukses i veprimeve luftarake prej saj lidhej edhe me sigurimin materialo--teknik, që përbënte një ndër detyrat e rëndësishme të strategjisë. Si edhe më parë, burimet kryesore për plotësimin e kësaj detyre ishin populli dhe armiku. Në themel të kësaj detyre u vu parimi i mbështetjes në mundësitë e brendshme.
Shtabi i Përgjithshëm porosiste që në fillim - Duhet shtënë mirë në mend dhe duhet kujtuar që ne e kemi filluar luftën pa pas ndihma të tjera veç atyre të popullit dhe duhet të dimë se do ta vazhdojmë atë deri në fund duke qenë të bazuar vetëm në këto ndihma.*
Komiteti Qendror dhe Shtabi i Përgjithshëm u kujtonin organeve të Partisë dhe komandave të formacioneve partizane se bazën kryesore për ushqimin, veshmbathjen, mjekimin dhe strehimin e partizanëve e përbënte populli. Në kushtet e varfërisë së popullit tonë, edhe furnizimi i formacioneve partizane bëhej në sasi minimale, të përafërta me nivelin e jetesës së popullit, që rrezikohej të pakësohej gjatë operacioneve të armikut. Me zgjerimin e luftës dhe me forcimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, filluan të shfrytëzoheshin më gjerësisht edhe rrugë të tjera si blerjet me të holla dhe konfiskimet e pasurive të tradhtarëve dhe të bashkëpunëtorëve të armikut.
Për një përdorim dhe administrim më të mirë të materialeve të grumbulluara, për të përballuar situatat e vështira, filloi edhe krijimi i rezervave në depo, të cilat do të ishin të kufizuara e s'mund të plotësonin nevojat gjithnjë në rritje të UNÇSH-së. Prandaj u udhëzua që ato të përdoreshin për rastet më të domosdoshme e me kursim të madh. Duke nisur zbatimin e kësaj forme organizimi të sigurimit material, Shtabi i Përgjithshëm, në letrën që i dërgonte komandës së batalionit të Dumresë, urdhëronte: “... duhet të formoni një ose dy depo në Dumre ku të depozitoni një sasi drithi të mjaftueshme për batalionin tuaj dhe për brigadat. Ky depozitim i fundit... të jetë në dispozicion të Shtabit tonë dhe në asnjë mënyrë të mos preket, përveçse prej një urdhri prej nesh. Depozita e rezervuar për batalionin e Dumresë gjithashtu të mos përdoret përveçse për raste shumë kritike.”* Depo të tilla u krijuan në Zonën 1 Operative, në qarkun e Korçës, të Elbasanit, në zonën e Pezës etj.
Ndeshjet me armikun, përveç humbjeve të ndjeshme që i shkaktonin atij në forca e mjete, u bënë edhe një burim i rëndësishëm për sigurimin material të forcave partizane në shumë drejtime. Depot dhe forcat e tij përbënin një mjet plotësues, për sa i përket furnizimit me ushqim e vesh-mbathje, ndërsa për furnizimin me armatim e municione armiku përbënte burimin kryesor.
Kushte të përshtatshme për zgjidhjen e problemit të armatimit e të municionit në muajt e parë të fazës së dytë të kryengritjes së armatosur, u krijuan me kapitullimin e Italisë fashiste. U pajisën plotësisht me armatime e municione jo vetëm efektivat e formacioneve ekzistuese, por u bë e mundur të krijohej edhe një rezervë. Shtabi i Përgjithshëm udhëzonte që kjo të depozitohej në vende ma sigurta, me zonat e lira, në vendet e thella malore, që nuk përshkoheshin nga rrugë automobilistike. Mbartja e armatimit dhe e municionit në këto zona, paraqiste mjaft vështirësi, por me ndihmën e popullit, ato u tërhoqën nga qytetet e u depozituan nëpër depo.
Në këto rrethana u përmirësua armatosja e UNÇSH-së. Armatimi i këmbësorisë, megjithëse ishte ai i mëparshmi, u shtua në sasi dhe në njëfarë mase u njësua kryesisht me armatim italian. Përmirësime pati sidomos në armatimin e artilerisë. Batalionet partizane u pajisën me mortaja. Në brigada u krijuan kompanitë e mortajave dhe bateritë e topave malorë 47/32 dhe 75/13 mm, që mbarteshin me mushka. Me topa malorë u pajisën edhe grupet partizane. U futën në armatim dhe filluan të përdoreshin për herë të parë pushkët kundërtanke 20 mm. Këto përmirësime nuk mund ta zgjidhnin përfundimisht problemin. Në kushtet e luftës partizane, të lëvizjeve të vazhdueshme të formacioneve tona nga një zonë në tjetrën. Ishte e vështirë të tërhiqej pas një sasi e madhe municioni dhe materiali luftarak. Ndërkohë rezerva e krijuar me municion nuk mund të përballonte për një kohë të gjatë luftimet e përditshme me armikun. Prandaj komandat e formacioneve partizane tregonin kujdes të veçantë që në luftime, përveç asgjësimit dhe dëmtimit të forcave dhe mjeteve të armikut, të përmbushej edhe detyra tjetër e rëndësishme, rrëmbimi i bazës materiale.
Duke zbatuar me konsekuencë parimin e mbështetjes në forcat e veta, PKSH-ja nuk e përjashtonte ndihmën materiale të aleatëve, të cilët ishin të detyruar të ndihmonin popullin tonë dhe UNÇSH-në në kuadrin e koalicionit antifashist. Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat e formacioneve partizane, pranë të cilave kishte misione angleze, u munduan të tërhiqnin ndihmat e premtuara.*
Përgatitja politiko-luftarake në formacionet e UNCSH-së. Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me organizimin e UNCSH-së, përgatitja politike e ushtarake u vendos mbi baza të shëndosha organizative. Ajo përbënte një faktor mjaft të rëndësishëm, pasi nga shkalla e cilësisë formimit politik dhe e aftësive ushtarake varej efektiviteti i detyrave politiko-luftarake të UNCSH-së.
Duke synuar që Ushtria Nacionalçlirimtare të ishte një ushtri politike e revolucionare, detyra kryesore e punë së celulave të Partisë në formacionet partizane ishte puna ideopolitike, edukimi i luftëtarëve dhe i kuadrove me ideologjinë marksiste-leniniste. Partia Komuniste duke vlerësuar rolin e faktorit moralo-politik për fitoren në luftë, tregoi kujdes të madh që puna politike të kishte përparësi në Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Efektivitetin e saj e rriste shumë qenia në formacionet e UNÇSH-së e komisarëve dhe e zëvendës komisarëve, puna e të cilëve u bë faktor i rëndësishëm për të kalitur ndërgjegjen dhe disiplinën e fortë në formacionet partizane, për të brumosur në radhët e luftëtarëve dhe te kuadrove cilësi të larta morale si disiplina, trimëria, dashuria shoqërore, nisma, vetëmohimi, qëndrueshmëria, konspiracioni etj., si kusht vendimtar për të rritur frytshmërinë e veprimeve luftarake në fushën e luftës. “Në qoftë se partizanët i formojnë të gjitha këto cilësi në luftë, - theksonte Shtabi i Përgjithshëm, - atëherë mund të presim rezultate të mira, pse me pasjen e këtyre virtyteve fuqitë e vërteta të njësive bëhen shumë më të mëdha. Virtytet gjithashtu janë elementi i fuqisë së vërtetë të njësisë, siç janë dhe numri i njerëzve e armatimi, e lirisht mund të thuhet se rëndësia e tyre është më e madhe se rëndësia e armatimit dhe e madhësisë së numrit.”*
Edukimi ideopolitik kryhej me të gjitha format e metodat e mundshme: me biseda, me konferenca, nëpërmjet mësimeve të ndryshme, punës kulturore-artistike e arsimore, nëpërmjet gazetave të xhepit, buletineve si dhe të organeve të posaçme të shtypit. Më shumë përdoreshin konferencat e bisedat, sidomos puna kokë më kokë me njerëzit. Rëndësi e veçantë i kushtohej luftës kundër analfabetizmit. Për edukimin ideo-politik të kuadrove përdoreshin me pikësynim përhapja dhe studimi i literaturës marksiste-leniniste, i artikujve dhe i proklamatave të Partisë, shumica e të cilave janë shkruar nga vetë Enver Hoxha, zhvillimi i seminareve teorikë etj.
Shtabi i Përgjithshëm i kushtoi kujdes përgatitjes luftarake, sepse nëpërmjet saj synohej që të zhdukeshin disnivelet që ekzistonin ndërmjet partizanëve në njohuritë ushtarake dhe ata, brenda një kohe sa më të shkurtër, të përvetësonin ato njohuri teorike dhe të fitonin ato shprehi praktike, që ishin të nevojshme për luftë. Për t‘u futur në luftë të mësuar, Shtabi i Përgjithshëm kritikonte ato mendime që shfaqeshin nga persona të veçantë, se nuk kishin kohë për t’u stërvitur dhe se përvoja e fituar në luftime ishte e mjaftueshme, “Koha do të gjendet, - theksonte Shtabi i Përgjithshëm, - dikur pak e dikur shumë, dhe në qoftë se mënyra e ushtrimit u përshtatet kushteve të disponuara do të ketë përfitim e përfundimet më të mira që mund të mbërrihen.”*
Gjatë fazës së dytë të kryengritjes së armatosur rrethi i lëndëve të përgatitjes luftarake u zgjerua dhe përfshinte: përgatitjen rreshtore, taktike, të zjarrit, shërbimin e garnizonit, të ndërlidhjes, fortifikimin fushor, si dhe studimin e karakterit dhe të veprimit të armëve të ndryshme. Ndër to, u jepej përparësi përgatitjes taktike dhe asaj të zjarrit. Për përgatitjen ushtarake të kuadrove, përveç stërvitjeve e mësimeve të përbashkëta me partizanët, organizoheshin seminare e kurse të veçanta me kuadro të rangjeve dhe të specialiteteve të ndryshme. "Nëpër të gjitha këto kurse dhe në luftime, - theksonte Shtabi i Përgjithshëm, - është e nevojshme me ushtrue veçanërisht kuadrin ushtarak, për të cilin mund të krijohen, sipas zhvillimit të luftës, kurse speciale ushtarake.”*
Një nga format e përgatitjes luftarake, që u ngrit më lart në pikëpamje cilësore dhe që përdorej me efektivitet, ishte përgatitja paraprake për një detyrë të caktuar luftarake dhe analiza pas plotësimit të saj. Përgatitja paraprake bëhej sipas disa varianteve, me qëllim që partizanët të kishin një përfytyrim sa më të plotë për luftimet që do të kryheshin dhe përfundimet e tyre të ishin sa më të mira. Në analizën e veprimit luftarak, vëmendja përqendrohej në disa probleme si e kishte vlerësuar komanda situatën, sa të bazuara ishin vendimet e marra, urdhrat dhe udhëzimet e dhëna dhe si ishin zbatuar ato nga vartësit, si e kishte drejtuar luftimin, cili ishte qëndrimi i partizanëve në luftim dhe çfarë përfundimesh e detyrash dilnin nga veprimi luftarak që ishte kryer etj. I kushtohej kujdes zbulimit të mangësive dhe gabimeve të komandës që më shpesh ndodhnin gjatë situatave të paparashikuara, të cilat janë të shpeshta në luftën partizane. Në taste të tilla, komanda merrte mbi vete peshën më të madhe të gabimeve të bëra, “Pohimi i gabimeve të veta - udhëzonte Shtabi i Përgjithshëm - do ta bëjë të mundur fitimin e eksperiencës më të madhe dhe do të lartësojë autoritetin e komandës. Vetëm kritika e thellë, e gjithanshme dhe autokritika do ta bëjnë të mundur përparimin e shpejtë.”*
Autokritika e hapur e komandës i ndihmonte dhe i nxiste partizanët që edhe ata të bënin autokritikë të sinqertë. Analiza e shëndoshë dhe parimore e veprimeve luftarake ishte një ndër format më frytdhënëse të zhvillimit në rrugë të drejtë të edukimit politik dhe ushtarak të kuadrove e partizanëve.
Në fund të fazës së dytë të kryengritjes së armatosur UNÇSH-ja kishte në gjirin e saj rreth 35.000 luftëtarë të rreshtuar në nëntë brigada sulmuese, përveç shumë grupeve e batalioneve partizane. Kështu PKSH-ja, zgjidhi gjatë fazës së dytë të luftës, një nga detyrat më të rëndësishme të strategjisë, krijimin e ushtrisë së rregullt, popullore, të organizuar dhe të drejtuar nga komandat e shtabet, të cilat, nën udhëheqjen e organeve dhe të celulave të Partisë, vepronin në bazë të një plani të caktuar operativo-strategjik, si domosdoshmëri për të luftuar e fituar kundër një ushtrie të rregullt e të fuqishme në pikëpamje ushtarake, siç ishin ushtritë armike që kishin pushtuar vendin tonë. ”Krijimi i Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, - ka deklaruar Enver Hoxha në Kongresin e Përmetit, - në kondita kaq të vështira në një periudhë lufte të tmerrshme, është një shembull i rrallë në histori.”*
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.