LANÇ - Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte tërësia e veprimeve politike, organizative, ushtarake e logjistike të kryera në kuadrin e luftës kundër pushtuesve fashistë e nazistë.
LANÇ - Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte një lëvizje politko-ushtarake, e cila organizoi FNÇ dhe zhvilloi zhvilloi luftën antifashiste nacional-çlirimtare.
FNÇ - Fronti (antifashist) Nacional Çlirimtar ishte krahu politik i LANÇ. FNÇ u formua si rezultat i Konferencës së Pezës në 16 shtator të vitit 1942 në të cilën morën pjesë delegatë nga e gjithë Shqipëria. FNÇ do të ishte përgjegjëse për organizimin dhe udhëheqjen e LANÇ deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, çlirimin e plotë të vendit.
KANÇ - Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar ishte organi më i lartë drejtues i FNÇ dhe u zgjodh në konferencën e Pezës.
UNÇSH - Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare ishte emri që mori tërësia e njësive partizane që ndodheshin nën udhëheqjen e FNÇ pas formimit të Shtabi të Përgjithshëm në 10 korrik të vitit 1943 në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ në Labinot.
SHP - Shtabi i Përgjithshëm ishte organi më i lartë drejtues ushtarak i UNÇSH dhe ishte përgjegjës për hartimin e planeve dhe drejtimin operativo-strategjik të veprimeve luftarake.
PKSH - Partia Komuniste Shqiptare u themelua në 8 nëntor të vitit 1941.
KQ i PKSH - Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare ishte organi më i lartë drejtues i PKSH.
BK, Balli - Balli Kombëtar ishte një organizatë politike e ushtarake në opozitë me FNÇ, e cila u themelua në vitin 1 nëntor të vitit 1942.
Legaliteti - Lëvizja e Legalitetit ishte një organizatë politike e ushtarake në opozitë me FNÇ, e cila u themelua në shtator të vitit 1943.
Kuisling - morën qeveritë kukulla që bashkëpunuan me forcat e Aksit. Emërtimi vjen prej Vidkun Quisling, kryeministrit të qeverisë së Norvegjisë gjatë pushtimit nazist.
Kolaboracionist - bashkëpunëtor. Kryesisht bashkëpunëtor i forcave pushtuese.
Reaksionar - është term që nënkupton ndërmarrjen e veprimeve politike e ushtarake nga një forcë si reagim (reaksion) i një force tjetër politike e ushtarake. Forcat reaksionare quheshin ato forca të cilat u angazhuan në luftime vetëm si reagim ndaj veprimeve luftarake të njësive partizane, por jo kundër pushtuesit.
SOE - Special Operations Executive (Ekzekutivi i Operacioneve Speciale) ishte një organizatë e fshehtë ushtarake britanike që veproi gjatë luftës së dytë botërore. SOE dërgoi misione dhe në Shqipëri.
OSS - The Office of Strategic Services (Zyra e Shërbimeve Strategjike) ishte një organizatë e fshehtë ushtarake amerikane që veproi gjatë luftës së dytë botërore. OSS dërgoi mision edhe në Shqipëri.
PKJ - Partia Komuniste Jugosllave.
UNÇJ - Ushtria Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë.
Vermahti (Whermacht) - Forcat e bashkuara të armatosura të Gjermanisë naziste në vitet 1935-1945.
Luftë - quhet tërësia e të gjitha veprimeve luftarake e politike të të gjitha palëve, gjatë gjithë kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur. Në disa raste, për efekt estetik letrar, është përdorur termi luftë për të treguar në fakt një betejë apo një operacion, ndërkohë që këto janë koncepte të ndryshme.
Operacion - quhet tërësia e veprimeve strategjike luftarake me qëllim asgjësimin e armikut dhe aftësisë së tij për të vepruar në një territor të gjerë dhe në disa drejtime njëherësh.
Betejë - quhet akti konkret i zhvillimit të veprimeve luftarake mes palëve ndërluftuese. Në këtë arkivë në disa raste është përdorur termi "betejë" në vend të termit "operacion", siç është p.sh. rasti për "Betejën e Tiranës". Kjo është bërë për qëllim estetik, letrar. Në të vërtetë beteja për Tiranën është një operacion që përbëhet nga shuma beteja.
Luftime - është një term që përdoret kur bëhet fjalë për disa operacione e beteja bashkë, pa hyrë në detaje specifike për asnjërën prej tyre.
Mësymje - është veprimi i hedhjes në sulm të forcave luftarake me qëllim arritjen e objektivave luftarakë, si p.sh. çlirimin e një territori të caktuar. Koncepti i mësymjes është i ngjashëm me operacionin dhe ndonjëherë mund të përdoren në vend të njëra tjetrës. Në këtë arkivë termi mësymje është përdorur kryesisht për operacionet e UNÇSH.
Pritë partizane - quhet veprimi i vendosjes së njësive partizane në pozicione fikse strategjike përgjatë rrugës automobilistike dhe goditja prej këtyre pozicioneve e autokolonave të armikut me qëllim shpartallimin ose asgjësimin e tyre. Pritat ishin një nga format më të përhapura të goditjes së forcave të armikut dhe pajisjes me armatim e municione. Distanca e vendosjes së partizanëve nga objektivi luftarak ishte zakonisht rreth 100 m. Në ndonjë rast distanca nga armiku ka qenë edhe 40-50 m.
Rrethim - me këtë term nënkuptohet rrethimi strategjik i forcave të kundërshtarit, duke i mbyllur atij drejtimet kryesore të lëvizjes dhe tërheqjes. Ky term nuk duhet marrë ad litteram edhe pse në ndonjë rast të veçantë rrethimi është bërë pothuajse si gardh.
Shpartallim - quhet nxjerrja e njësive luftarake armike përkohësisht jashtë luftimi duke e detyruar atë të tërhiqet pa rregull dhe në panik. Megjithatë, forcat mund të rigrupohen dhe të hidhen sërish në sulm.
Asgjësim - nxjerrja e njësive luftarake armike jashtë luftimit në mënyrë përhershme duke i shkaktuar dëme të pariparueshme në njerëz e teknikë luftarake. Asgjësim p.sh. quhet kur pjesa më e madhe e forcave të armikut vriten gjatë betejës.
Çlirim - Vendosja e pushtetit të FNÇ dhe këshillave nacional-çlirimtare në një territor të caktuar të mbajtur më parë nën kontroll nga forcat pushtuese dhe bashkëpunëtorët e tyre si rezultat i veprimeve luftarake. Çlirimi nuk nënkupton domosdoshmërisht dëbimin e të gjitha njësive të armikut me veprime konkrete luftarake. Ndonjëherë termi "çlirim" përdoret edhe kur forcat e UNÇSH kanë hyrë në një qytet apo fshat pas tërheqjes së forcave pushtuese. Çlirimi nuk përcaktohet nga veprimi i largimit të armikut, por nga vendosja e pushtetit të çlirimtarit. Pra, e cakton çlirimtari se kur është bërë çlirimi, jo ai që largohet ose mundet.