Në bazë të urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm u vendos dhe u morën masat përkatëse për formimin e dy brigadave të reja në Shqipërinë e mesme: Brigadës II dhe III Sulmuese.
Brigada II Sulmuese u formua në Çermenikë. Kjo zonë karakterizohej nga veçori e faktorë të kundërt. Nga njëra anë krijimi i një njësie të madhe partizane në këtë krahinë ishte i domosdoshëm për shkak se ajo është një pikë nevralgjike që lidhte jugun me veriun e Shqipërisë, mbikqyrte një nga akset kryesore të lëvizjes së autokolonave gjermane dhe ndodhet fare pranë afër kryeqytetit. Nga ana tjetër Çermenika ishte krahinë tejet e varfër dhe përgjithësisht jo miqësore ndaj lëvizjes nacionalçlirimtare. Edhe pse në Çermenikë kishte mjaft banorë të cilët mbështesnin LANÇ, një pjesë e konsiderueshme e krahinës, sidomos ajo që quhet Çermanika e Zezë, ishte nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Ballit Kombëtar, veçanërisht bajraktarët Isak Alla e Aziz Biçaku.
Krahina e Çermenikës ka natyrë dhe klimë të ashpër. Në dimër temperaturat janë shumë të ulta, ndër më të ulëtat në krejt vendin. Terreni i thyer malor, i mbushur me pyje të dendura paraqiste sfida të shumta në kryerjen e veprimeve luftarake. Formimi i Brigadës II Sulmuese në Çermenikë siguronte veprimet luftarake dhe manovrimin e njësive partizane në drejtimin e Tiranës, Elbasanit, Librazhdit dhe Dibrës, të gjitha këto pika me interes të veçantë për sigurinë dhe lëvizjen e forcave gjermane në Shqipëri. Megjithatë, duke qenë se përshkohet nga disa anë prej rrugëve automobilistike, armiku e kishte shumë të thjeshtë ta rrethonte e ta izolonte me forca të shumta për veprime në shkallë të gjerë.
Jo vetëm kaq, por Çermenika ndodhet midis qyteteve të mëdha si Tirana dhe Elbasani, që ishin kthyer në atë periudhë në garnizone të fortifikuara, ku ndodheshin reparte gjermane nga më të zgjedhurat, përpos reparteve ndihmëse në vendbanimet e tjera. Në Tiranë ndodheshin si komanda gjermane ashtu edhe qeveria kuislinge dhe udhëheqja e Ballit Kombëtar, e cila në atë kohë ishte hedhur në bashkëpunim të hapur me gjermanët. Nga ana e LANÇ, rreth Tiranës vepronin batalionet e Grupit të Pezës, Batalioni Krujë-Ishëm dhe Batalioni “Dajti”. Njëkohësisht, në afërsi të Tiranës, në fshatin Arbanë, sapo ishte formuar Brigada III Sulmeues, kurse në zonat verilindore të Elbasanit vepronin batalionet partizane të Çermenikës, Martaneshit, Bërzeshtës si dhe çeta partizane e Shëngjergjit.
Në Krahinën e Çermenikës, përveç Çermenikës së Zezë, ishin ngritur këshilla nacionalçlirimatare. Një punë të madhe kishin bërë në këtë drejtim celula e partisë së çetës dhe, më vonë, ajo e batalionit të Çermenikës si dhe shokë të ndryshëm që vinin nga qyteti dhe punonin në këtë zonë. Këshillat nacionaçlirimtare ishin krijuar në Labinot, Shmil, Gurakuq, Orenjë, Shëngjergj, etj. Ato, përveç të tjerave ndihmuan shumë për strehimin dhe furnizimin me ushqim të forcave partizane në këtë zonë. Ndërsa në Çermenikën e Zezë sundonte kryesisht pushteti i vjetër, i kryesuar nga mbështetësit e Ballit.
Organizatës së partisë për qarkun e Elbasanit iu ngarkuan detyra të rëndësishme jo vetëm për të mbushur radhët e brigadës me partizanë, por edhe për dërgimin e komunistëve e kuadrove drejtuese dhe armatimit. Ky qark i dha brigadës rreth 150 partizanë e partizane, ndër të cilët 22 komunistë, një pjesë e mirë e tyre kuadro drejtuese. Gjithashtu, i gjithë materiali që iu zu ushtrisë italiane në aksionin e madh të Pishkashit më 12 shtator 1943, nga forcat partizane të qarqeve, u rezervua për Brigadën II Sulmuese së bashku me materialet e tjera që ishin depozituar më përpara për këtë brigadës nga grupi i Elbasanit.
Qysh në shtator të vitit 1943, Shtabi i Përgjithshëm lëshoi një urdhër të posaçëm në adresë të disa njësive partizane, ku u caktonte detyrë që të nisnin për në Çermenikë partizanë me cilësi nga më të mirat. Në urdhrin e datës 8 shtator 1943 drejtuar komandave të ndryshme të grupeve në qarqe, ku janë përcaktuar hollësisht karakteristikat që duhet të kishin partizanët që do të dërgoheshin për brigadën: “Partizanët e destinuar për brigadën duhet të kenë këto cilësira:
Të kenë qenë anëtarë të çetave sulmuese dhe territoriale.
Të jenë të vendosur një qin për qind për Luftën Nacionaçlirimtare.
Të jenë luftëtarë të palodhur e trima.
Të kenë marrë pjesë në aksione.
Të jenë të bindur e të disiplinuar.
Të jenë të armatosur të paktën me një pushkë.
Të jenë të veshur.
Grupi juaj u destinuar për Brigadën II Sulmuese duhet të jetë i pajisur me të paktën katër mitraloza italianë në gjendje të mirë, me një komandant dhe nënkomandant me kualitete që nevojitetn, si dhe komisar dhe nënkomisar, të zgjedhur për punën e rëndë dhe me rëndësi që do të kryejnë…”*
* Dokumentat të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, vëll.1, f.71-72.
Mirëpo për shkak të vështirësive, kërkesat e Shtabit të Përgjithshëm nuk u plotësuan si duhet nga të gjitha komandat e grupeve. Kështu, me përjashtim të komandave të grupeve të Gjirokastrës, Mallakastrës dhe të Elbasanit, të cilat dërguan në përgjithësi partizanë të vjetër, komandat e grupeve të tjera nisën për në brigadë partizanë të rinj, të pasprovuar në luftë, ose ndonjë pre tyre, si komanda e grupit të Shkodrës nuk dërgoi fare, duke arsyetuar se nuk kishte mundësi në atë kohë të siguronte kontigjentin e partizanëve që i kërkoheshin. Ndërsa një kompani e partizanëve të Grupit të Vlorës, që ishte caktuar të bënte pjesë në efektivin e brigadës, nuk mund të futej në radhët e saj, sepse në ditët kur ata u nisën për në Çermenikë filloi operacioni gjerman i dimrit. Edhe udhëzimi për dërgimin e kuadrove mbeti gjerësisht i pa zbatuar. Përveç kësaj edhe paraqitja me vonesë e partizanëve bëri që data e formimit të brigadës të shtyhej.
Deri më 5 tetor 1943, në Çermenikë erdhën nga grupet e ndryshme këta partizane: nga qarku i Gjirokastrës 59, nga Mallakastra 28, nga Berati 35 dhe nga Dumreja 30. Me këta, më 15 tetor 1943, te Guri i Muzhaqit të Orenjës, u formua batalioni I i Brigadës II Sulmuese.
Në fillim të nëntorit erdhën nga qarku i Beratit edhe 180 partizanë të tjerë të mobilizuar rishtas nga komanda e grupit të këtij qarku. Këta partizanë nuk plotësonin kërkesat e urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm sepse shumica dërrmuese e tyre nuk kishin qenë pjesëtarë të formacioneve partizane, nuk kishin marrë pjesë në aksione kundër armikut dhe se në përbërjen e tyre kishte vetëm një komunist, i cili, në të njëjtën kohë, ishte kuadri i vetëm në krejt këtë masë luftëtarësh.
Për plotësimin e Brigadës II Sulmuese deri në fund të nëntorit, vazhduan të vinin edhe partizanë të tjerë nga qyteti i Elbasanit dhe i Tiranës. Si përfundim, më tepër se gjysma e efektivit, ishin kuadro dhe partizanë të rinj, të pasprovuar në luftë. Kuptohet se kjo gjendje e partizanëve dhe e një pjese të mirë të kuadrove nuk i përgjigjeshin qëllimit për të cilin po formohej brigada, sidomos në kushtet e vështira politiko-ushtarake të Shqipërisë së Mesme në atë kohë.
Por plotësimi me partizanë ishte vetëm njëra anë; ana tjetër, kryesorja e kësaj çështjeje ishte plotësimi me komunistë dhe krijimi i organizatës së partisë, që do të përbënte forcën frymëzuese dhe udhëheqëse në brigadë. Në direktivat e Shtabit të Përgjithshëm të 3 nëntorit 1943, drejtuar gjithë komiteteve qarkore të Partisë Komuniste, lidhur me këtë, midis të tjerash thuhej: “...Që të mund të kemi një ushtri të fortë, duhet patjetër që ju të interesoheni, të formoni Partinë në ushtri dhe shokët të jenë udhëheqësit dhe ata që do t’i japin zjarr e gjallëri kësaj ushtrie… Shokët tanë në ushtri duhet të jenë model për të tjerët… Prandaj duhen dërguar shokët më të mirë në ushtri, e sidomos në brigada. Përgjithësisht ushtria jonë ka nevojë për komisarë, zëvendëskomisarë e shokë të zgjedhur që ta ngrrenë ushtrinë, t’i shumojnë celulat në radhët e saja, dhe t’i çelnikosin…”*
* Enver Hoxha, Vepra, vëll.2, f.69.
Megjithëse në kushte të vështira, me elementë, shumica e të cilëve nuk kishin kalitjen e nevojshme për veprime luftarak në terren të rëndë atmosferik, ekonomi dhe politik, u punua me kujdes të madh që efektivi të kompaktësohej në kohë sa më të shkurtër, të mësohej e të përshtatej me rrethanat konkrete, të farkëtohej moralisht, fizikisht dhe ushtarakisht dhe të ngrihej në lartësinë e detyrave që e prisnin. Për këtë u intensifikuan shumë puna idep-politike e praktike, sidomos puna individuale dhe me grupe të vogla nëpër nënreparte.
Ndërkohë që në zonën e Çermenikës vazhdonte organizimi i brigadës dhe plotësimi i saj me partizanë zë rinj, në qarkun e Dibrës ishte krijuar një situatë shumë e ndërlikuar. Forcat reaksionare të Fiqri Dines, Ali Maliqit, Uk Canit, Xhem Gostivarit, në bashkëpunim me pushtuesit gjermanë, përgatitnin operacione të reja kundër forcave partizane në qarkun e Dibrës me qëllim që t’i asgjësonin ato dhe të krijonin një bazë të sigurt për të ndërmarrë veprime të gjera kundër lëvizjes partizane në Shqipërinë e Mesme. Për t’i ardhur në ndihmë forcave partizane të qarkut të Dibrës, batalioni I i Brigadës II Sulmuese, menjëherë pas formimit të tij, pikërisht në datën 17 tetor 1943, në bazë të urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, u nis për në Dibër. Por, meqenëse e gjeti të çliruar qytetin nga forcat partizane, efektivi i këtij batalioni u kthye sërish në krahinën e Çermenikës. Gjatë rrugës ai kreu operacione spastrimi kundër elementëve kolaboracionistë, ngriti edhe forcoi këshillat nacionalçlirimtare dhe bëri një punë të gjerë politike me popullsinë civile.
Ditët e para të muajit nëntor të vitit 1943 u krijua përsëri situatë e nderë, si pasojë e përgatitjeve që vazhdonin të bënin forcat e kolaboracioniste vendase në bashkëpunim me atë të pushtuesve gjermanë për të sulmuar, kapur e mbajtur qytetin e Dibrës.
Lidhur me këtë situatë, Shtabi i Përgjithshëm, në letrën e tij të datës 2 nëntor 1943, drejtuar Haxhi Lleshit, midis të tjerash i shkruante: “Sa po marrim letrën tënde më datë 31 tetor ku na shkruan për sulmin që ju ka bërë juve Xhem Gostivari tok me gjermanët. Ne po nisim sa më parë në ndihmën tuaj batalionin e Çermenikës dhe një pjesë të efektivave të Brigadës II që jemi duke e formuar tashti e që jemi duke pritur efektiva të tjera, por meqenëse ti i kërkon me urgjencë, çështjen e Brigadës II e lëmë kur të kthehen që andej.”*
* “Dokumenta të Shtabit të Përgjithshëm dhe të KOmandës së Përgjithshme të UNÇSH Shqiptare”, vëll.1, f.131.
Për zbatimin e këtij urdhri, batalioni I i Brigadës II Sulmuese së bashkë me batalionin e Çermenikës u nisën për në Dibër. Prej datës 3 deri 15 nëntor, këto forca zhvilluan punë politike dhe stërvitje, ndërsa kuadrot kryesore të batalioneve u njohën me planin e mbrojtjes së qytetit të Dibrës.
Sipas planit të mbrojtjes së qytetit, batalionit I të Brigadës II Sulmuese dhe batalionit të Çermenikës iu dha detyra luftarake mbrojtja e pjesës lindore të qytetit, rajonin ku përfshiheshin: lagja “Varosh” - “Kishat” - “Kulla e Liman Beut” - Lagja “Tikvarec”, si dhe pjesa lindore e kazermave.
Forcat gjermane dhe ato të Xhem Gostivarit sulmuan qytetin. Luftimet për mbrojtjen e qytetit të Dibrës vazhduan deri natën vonë. Të mëngjesin e datës 17 nëntor në frontin e luftës erdhën përforcime të mëdha gjermane. Në këto rrethana komanda partizane mori vendimin dhe urdhëroi efektivat e veta që të dilnin nga qyteti me luftim.
Më 28 nëntor, forcat e brigadës zbritën në Shëngjergj, vendi ku do të zhvillohej inaugurimi i saj. Në ceremoni morën pjesë: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe të Këshillit Nacionalçlirimtar, shumë banorë të krahinës së Çermenikës, nxënësit e shkollës dhe Çeta e Shëngjergjit.
Në fillim fjalën e mori Enver Hoxha dhe pas tij Spiro Moisiu, i cili i dorëzoi komandantit të brigadës, Beqir Ballukut, flamurin luftarak. Komisar i brigadës u zgjodh Vasil Konomi.
Luftëtarët e brigadës u organizuan në 3 batalione, dy skuadra autonome për secilin batalion, një skuadër sulmi e pajisur me armë automatike të lehta dhe një skuadër e armëve të rënda, e pajisur me mitralozë të rëndë dhe armë antitanke.
Seksioni do të plotësohet në vazhdim. Na vizitoni sërish...
Veprimtaria politike e luftarake pas inaugurimit
Puna politike në krahinën e Çermenikës e Martaneshit
Mbledhja e parë e prëgjithshme e komunistëve të brigadës
Operacioni për spastrimin e Çermenikës së Zezë nga forcat reaksionare
Veprimet luftarake gjatë Operacionit të Dimrit nëntor 1943
Përballja e operacionit “1828”
Kundërmësymja partizane
Veprimet luftarake në Tiranë e në Krujë
Përpjekja në Mauri të Tiranës
Goditje brenda në kryeqytet
Lufta e Brarit
Depërtimi në Kurbin
Kalimi dhe luftimet në krahinën e Pezës
Kalimi i brigadës në Shqipërinë e Jugut
Kalimi i lumit Shkumbin
Veprimet në krahinën e Dumresë
Nga Dumreja në Panarit
Mbledhja e dytë e përgjithshme e komunistëve të brigadës
Përballja e Operacionit të Qershorit (maj-qershor 1944)
Spastrimi i krahinës së Dangëllisë
Veprimet në qarkun e Korçës
Sulmi në Bozhigrad
Veprime luftarake gjatë muajit gusht
Nga Alevica (Greqi) në Helmës
Shpartallimi i mbrojtjes armike në Bozhigrad
Lufta e Dëshnicës
Lufta për çlirimin e qytetit të Korçës
Në ndjekje të armikut gjatë rrugës Strugë-Elbasan
Luftimet në rrugën Strugë-Qukës
Brigada e II Sulmuese luftoi në kushte e rrethana jashtëzakonisht të vështira si gjeografike ashtu edhe politike. Ajo jo vetëm që pësoi goditjen më të rëndë të forcave gjermane gjatë operacionit armik të dimrit, por terreni në të cilin veproi kishte edhe shumë elementë vendas armiqësor ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Edhe pse brigada organzoi shumë prita e dha shumë goditje kundër kolonave e autokolonave gjermano-ballisto-bajraktare, gjatë operacionit të dimrit ajo u rrethua plotësisht dhe përkohësisht doli jashtë luftimit si njësi e madhe.
Brigada II Sulmuese veproi në krahina të ndryshme të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, në Qarkun e Dibrës, në krahinën e Matit, të Martaneshit, Çermenikës, në rajonin e Qarrishtës, Shëngjergjit, Zaranikës, Dajtit, në rajonin fushor të Tiranës, në rajonin e Fushë-Krujës, Ishmit, Pezës, Darsisë së Peqinit, Dumresë, Gramshit, Gorë-Oparit, Përmetit, në krahinat e Dangëllisë e Vithkuqit, në fushën e Korçës e të Devollit, në krahinën e Kolonjës, të Leskovikut, në rajonin e Pogradecit, Strugës dhe Prrenjasit.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Brigadë e lindur në stuhi. Jeta dhe veprimtaria e Brigadës II Sulmuese – Tiranë, 1973. Autorët: Irakli Bozo (përgjegjës), Enver Begeja, Ernest Jakova, Gani Goxhi, Kozma Gjeçi.