Luftëtarë të Brigadës V Sulmuese në marshim
Formacionet që do të hidhnin themelet e shëndosha të organizimit të UNÇSH e që do të siguronin shndërrimin e saj në ushtri të rregullt ishin brigadat sulmuese. Në dallim nga çetat e batalionet partizane që, si rregull, vepronin brenda një krahine apo qarku të caktuar, brigada sulmuese ishte njësi luftarake operative në dorë të Shtabit të Përgjithshëm, e destinuar për të manovruar në varësi të situatave e për të plotësuar detyra luftarake në të gjithë vendin. Zgjedhja e brigadës si formacion më i madh e më i përshtatshëm gjatë fazës së dytë të luftës mbante parasysh disa faktorë: përpjesëtimet që kishte marrë lufta e armatosur, mundësitë materialo-teknike të UNÇSH e karakterin e terrenit, por edhe epërsinë që vazhdonin të kishin pushtuesit në forca e mjete. E përbërë kryesisht prej forcash këmbësorie dhe një sasi e kufizuar artilerie të transportueshme me krahë e me kafshë, brigada kishte lëvizshmëri të lartë dhe i përshtatej terrenit malor. Njëherazi ajo zotëronte forcë goditëse e mëvetësi veprimi. Të gjitha këto cilësi i jepnin mundësi brigadës të plotësonte detyra të rëndësishme luftarake edhe pse vepronte me taktikën e luftës partizane. Aftësitë luftarake të brigadës ishin të ndërvarura nga cilësitë morale, fizike dhe përvoja e efektivave të saj. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm porosiste që “...luftëtarët duhej të kishin qenë anëtarë të çetave sulmuese dhe territoriale, të vendosur qind për qind për Luftën Nacional çlirimtare, luftëtarë të palodhur dhe trima, të kishin marrë pjesë në aksione dhe të ishin të bindur e të disiplinuar.”*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, bot.2, Tiranë, 1976, f.75.
Shtabi i Përgjithshëm tregoi kujdes të veçantë për të gjitha problemet e organizimi të UNÇSH e veçanërisht për krijimin e brigadave. Një tërësi masa u morën në prag të krijimit të Brigadës I Sulmuese, që do të inaugurohej në 15 gusht 1943 në Vithkuq. Formacioneve partizane të qarkut të Korçës iu vunë detyra të mos lejojnë depërtimin e forcave italiane në zonën e Vithkuqit, duke siguruar të gjitha drejtimet e mundshme që të afrojnë në drejtimin e tij.*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, Tiranë, 1976, f.36-37.
Menjëherë pas krijimit të Brigadës I Sulmuese vijoi zbatimi i planit për krijimin e njëra mbas tjetrës të disa brigadave sulmuese dhe forcimin organizativ, politik dhe ushtarak të tyre. Në 9 tetor u krijua në Arbanë Brigada III Sulmuese ndërsa nga fundi i nëntorit u krijua në Shëngjergj, rreth 30 km në lindje të Tiranës, Brigada II Sulmuese. Të dyja këto brigada u kompletuan me luftëtarë nga zonat e Shqipërisë së mesme. Për këtë Shtabi i Përgjithshëm u dërgoi disa urdhra komandave partizane të qarkut të Elbasanit si dhe komandave të grupit të Pezës, batalionit të Ishmit dhe batalionit të Dajtit për të dërguar partizanë të vendosur, të aftë e me të dhëna të mira fizike, si dhe të bënin propozimet për ata luftëtarë që mund të emëroheshin në funksione komanduese në kompani e batalione.*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, Tiranë, 1976, f.45, 111-112, 128.
Krijimi i një brigade në qarkun e Korçës ishte parashikuar që në muajin tetor. Në 28 dhjetor 1943 u krijua në Voskopojë Brigada IV Sulmuese. Krijimi i brigadave nuk u ndërpre as gjatë dimrit të ashpër të vitit 1944 në kulmin e operacionit gjerman të dimrit që kishte si synim asgjësimin e UNÇSH. Gjatë muajve janar-mars u bë inaugurimi i tre brigadave të reja, Brigada V, VI dhe VII Sulmuese. Rrethanat luftarake bënë që procesi i krijimit dhe i plotësimit të Brigadës V Sulmuese të kalonte nëpërmjet një periudhë afër dy mujore. Nga fundi i tetorit ishte dërguar në qarkun e Vlorës anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Ramadan Çitaku, i cili në emër të Shtabit, u vuri detyrë komandave të formacioneve të qarkut të krijojnë Brigadën V Sulmuese. Në zbatim të kësaj detyre, më 27 nëntor ishin grumbulluar në fshatin Gumenicë rreth 500 luftëtarë. Të nesërmen, me këta luftëtarë u organizuan batalionet e para të brigadës. Me tu organizuar, forcat e brigadës u ndeshën në luftime të ashpra me forcat gjermane dhe më 2 dhjetor ra në fushën e betejës mbi kodrat e fshatit Gjorm, komandanti i brigadës që sapo kishte marrë detyrën, Abaz Shehu. Gjatë muajit dhjetor, dy batalionet e brigadës, në bashkëveprim edhe me forca të tjera të UNÇSH, u përfshinë në luftime me forcat gjermane, të cilat po kryenin në luginën e Mesaplikut operacionin “Bergkessel”* Krahas luftimeve, gjatë muajit dhjetor dhe dy javëve të para të janarit, në brigadë u inkuadrua batalioni “Halim Xhelo”, si dhe u organizuan dhe dy batalione të tjerë. Tashmë brigada V Sulmuese kishte arritur përbërje të plotë, me pesë batalione, me një efektiv rreth 1000 luftëtarë.
* Kazani malor
Më 20 janar 1944, në Tërbaç të Vlorës u bë përurimi i brigadës. Në përshëndetjen që Shtabi i Përgjithshëm brigadës me rastin e formimit theksohej: “Urojmë që kjo brigadë të jetë brigada e flakës, e zjarrit, e luftës dhe e sulmit. Si bij të denjë të Vlorës kreshnike, shkatërroni armikun dhe tradhtarët!”*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, Tiranë, 1976, f.222.
Për organizimin e brigadës së VI Sulmuese, një rol veçanërisht të rëndësishëm ka luajtur komanda e zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, nën drejtimin e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm e komisarit politik të zonës, Bedri Spahiu. Përurimi i saj do të bëhej në 26 janar 1944 në qytetin e çliruar të Përmetit. Në kohën kur gjithë batalionet që do të formonin brigadën kishin mbërritur dhe ishin bërë organizimet e nevojshme, gjermanët filluan operacionin “Horridoh 2”* në luginën e Përmetit. Komanda e brigadës u vuri me shpejtësi reparteve detyrat luftarake. Në këto rrethana, përurimi i brigadës u bë në fushën e betejës.
* Thirrje për të nxjerrë gjahun nga stroka.
Në kushte relativisht më të qeta, kur vargu i operacioneve armik të dimrit kishte përfunduar dhe UNÇSH kishte kaluar në kundërmësymje, u krijua në 17 mars 1944, në Vlushë të Skraparit Brigada VII Sulmuese me luftëtarë nga qarqet Berat e Korçë de nga Zona I Operative Vlorë-Gjirokastër. Krijimi i kësaj brigade, si theksohet në udhëzimin që Shtabit të Përgjithshëm i kishte dërguar më 20 shkurt shtabit të grupit të Beratit, lidhur me formimin e Brigadës VII Sulmuese, përkonte me idenë e zgjerimit të luftës dhe zhvillimi me sukses të kundërmësymjes.*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, Tiranë, 1976, f.238.
Duke vlerësuar me realizëm kushtet e favorshme që ishin krijuar në Shqipërinë e jugut në pranverën e vitit 1944 dhe perspektivat që i hapeshin UNÇSH gjatë mësymjes pranverore, Shtabi i Përgjithshëm urdhëroi komandën e Zonës I Operative të krijonte me luftëtarë nga formacionet e saj edhe dy brigada të tjera.
Në zbatim të këtyre urdhrave, më 25 prill u përurua në Sheper të Zagorisë Brigada VIII Sulmuese, ndërsa një muaj më vonë, më 20 maj u përurua në Sukë të Përmetit Brigada XII Sulmuese. Me këto dy brigada u mbyll cikli i krijimit të tyre për fazën e dytë të luftës.
Në fillim të shkurtit, efektivi i Brigadës I qe rritur me 314 vullnetarë të rinj. Nga fundi i marsit Brigada IV kishte arritur rreth 850 luftëtarë. Këto rritje diktuan riorganizimin, brenda formacioneve të brigadave, të cilat forcuan kompaktësinë luftarake të njësive.
Një tërësi masash mori Shtabi i Përgjithshëm për riorganizimin dhe plotësimin e efektivave të Brigadave II dhe III Sulmuese, të cilat kishin pësuar dëme të mëdha gjatë operacionit të dimrit 1943-1944. Këto brigada u urdhëruan të lëvizin nga Shqipëria e mesme drejtë jugut dhe të përqendroheshin në Panarit të Korçës. Shtabet e qarkut të Korçës dhe të Zonës I Operative morën urdhër të dërgojnë luftëtarë me përvojë për plotësimin e tyre.*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, Tiranë, 1976, f.373-375.
Pas një pune intensive përgatitore e organizative, të dy brigadat në dyjavëshin e dytë të majit, ishin të riorganizuara e në gatishmëri të plotë luftarake për të plotësuar detyrat që do tu ngarkonte Shtabi i Përgjithshëm.
Krijimi dhe veprimtaria e brigadave ushtroi një ndikim të madh politik e moral tek popullsia civile. Ajo tregoi vitalitetin dhe forcën luftarake të brigadave, të cilat jo vetëm bënë të dështojnë operacionet armike për shpartallimin e UNÇSH, por bënë të mundur që ajo të fillojë të zhvillojë me sukses mësymjen pranverore. “Ringjallja e partizanëve, - pohohet në dokumentet e Foren Ofisit* - është rrjedhim i shkathtësisë dhe i elasticitetit të brigadave të LNÇ për të cilat një muaj më parë ishte raportuar që qenë shkatërruar nga operacionet gjermane Forca e partizanëve duket se qëndron në disiplinën e tyre, në energjinë dhe në qartësinë e qëllimit të tyre, cilësi që ju mundon për çudi kundërshtarëve të tyre nacionalistë”**
** Foreign Office - Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Britanike.
** Dokumente sekrete të Ministrisë së Punëve të jashtme të Jashtme Britanike. Shqipëria 8 mars, 1944, FO. 371/43550.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH - Tiranë 1998. Autor: Dr. Shahin Leka.
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.