Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Pas çlirimit të Mirditës, Divizioni II Sulmues dhe njësitë e tjera të Korparmatës I Sulmues, që vepronin në Shqipërinë e Veriut, morën urdhër t’u jepnin grushtet e fundit forcave gjermane dhe mbeturinave kolaboracioniste vendase. Komanda e Përgjithshme e UNÇSH urdhëronte: “Të çohen forca të tjera mbi rrugën Tiranë - Shkodër, përveç atyre që janë dhe të ndalohet dalja e forcave gjermane Shkodër - Podgoricë. Aty të goditen gjatë gjithë rrugës parreshtur.”* dhe “Detyra jonë është që të mos lëmë të dalë i gjallë asnjë gjerman nga tokat tona.”**
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll. II, bot. II, Tiranë, 1976 f. 273.
** Po aty, f. 317.
Forcat e Divizioni 181 të Korparmatës XXI dhe ato reaksionare organizuan një mbrojtje të fortë në rrugën Lezhë - Shkodër - Pukë - Fushë Arrëz - Kukës, my synim që të mos lejonin forcat e UNÇSH të dilnin në veriperëndim të saj. Qysh nga 20 tetori më se 1200 mercenarë të përqendruar rreth Pukës kishin marrë për detyrë të siguronin Va-Spasin, kurse me një pjesë tjetër të zinin rrugën dhe shtigjet që gjendeshin nga Mirdita në Pukë. Në fillim të nëntorit drejt Pukës u dërguan forca nga garnizoni i Shkodrës dhe nga krahina të tjera për të forcuar pikat kyçe. Në këto pozicione të përforcuara me betonarme armiku kishte vendosur mitraloza e topa të lidhur në një sistem zjarri. Në urat dhe vendet sunduese mbi rrugën automobilistike u shtuan postërojet. Rruga patrullohej me autoblinda dhe disa herë me tanke. Masat më të forta ishin marrë për përforcimin Rrapës dhe të Lagjes së Peshkëve. Krerët e reaksionit përpiqeshin për të dalë si forcë e organizuar politike dhe ushtarake përpara britanikëve. Më 12 tetor, në Iballë, u krijua “Lidhja e Maleve”, ku këto forca ranë në ujdi të organizonin njësi luftarake në bazë fisi.
Në këtë gjendje shtabi i Divizionit II Sulmues u dha detyra plotësuese brigadave sipas drejtimeve të mësipërme.
“Brigada VI do të kalojë në sektorin e Pukës, përtej rrugës automobilistike, me objektiv kryesor goditjen e forcave të reaksionit… e autokolonave dhe grumbullimeve të mundshme të armikut gjatë rrugës Qafa e Malit - Gomsiqe. Të shkatërrohet rruga automobilistike me mina dhe mjete të tjera të rastit në mënyrë që të bëhet e vështirë tërheqja e gjermanëve prej Shqipërisë.”*
* AQP, Fondi 203, Dosja 9, datë. 22.10.1944
“Brigada VIII do të veprojë në sektorin Milot - Shkodër.”* Në Shupal do të qëndronte një batalion, i cili do të spastronte mbeturinat e reaksionit dhe do të prforconte këshilat nacionalçlirimtare.
* AQP, Fondi 203, Dosja 9, datë. 26.10.1944
Brigada XXII do të vepronte në sektorin e Pukës, në veri të rrugës duke u shtrirë prej Puke deri në Fushë Arrëz, me objektiv kryesor “...goditjen e autokolonave armike gjatë rrugës Pukë - Kukës, goditjen e grumbullimeve armike gjatë rrugës Shkodër - Shënmëri dhe çlirimin e Pukës.”* Një batalion do të zhvendosej në Iballë për të ndihmuar ngritjen e pushtetit nacionalçlirimtar.
* AQP, Fondi 203, Dosja 9, datë. 26.11.1944
Ditët e para të nëntorit forcat e Brigadës XXII zhvilluan veprime luftarake në prita dhe kundër garnizoneve të armikut gjatë rrugës Pukë - Kukës (skema 57). Ndër veprimet më të rëndësishme ishin prita në Rrapë kundër një autokolone gjermane prej 300 makinash, të shoqëruara me tanke e autoblinda, dhe sulmi kundër pikëmbështetjes së fortifikuar në Lagjen e Peshkëve.
Në pritën e Rrapës, me gjerësi 5 km, u vendosën dy batalione në të dyja anët e rrugës në largësi 50 - 70 m. Armiku nuk e zbuloi dot grackën e ngritur, befasia taktike u arrit plotësisht. Kur kreu i kolonës hyri në sektorin e pritës, ushtarët gjermanë zbritën nga makinat për të pushuar. Ky ishte një veprim i parashikuar nga partizanët. Ndeshja u bë me zjarr të dendur e me luftim trup me trup. Efektshmëria e zjarrit, e mbi të gjitha, shpejtësia e guximi partizan, bënë që brenda disa minutash të asgjësoheshin 40 gjermanë, të kapeshin 10 robër dhe të digjeshin 20 makina të kreut të kolonës. Luftimet zgjatën gjatë gjithë ditës me sulme e kundërsulme të rrepta nga të dyja palët, duke u shtrirë edhe në lartësitë përreth. Vetëm pasi u dëmtuan rëndë, forcat kryesore të autokolonës gjermane mundën të çanin drejt Shkodrës.
Veprimet luftarake në pikëmbështetjen e fortifikuar të Lagjes së Peshkëve vijuan dy ditë e net rresht. Ato u karakterizuan nga sulmi i befasishëm, nga luftimet e ashpra trup me trup, nga manovra e shkathët, duke shfrytëzuar sidomos natën dhe kohën e keqe për të shmangur zjarrin e artilerisë. Sulmi me grupe kundër mbrojtjes së fortifikuar, në vend malor të veshur me pyje, tregonte se partizanët e Brigadës XXII kishin fituar përvojë për luftimin e afërt. Për asgjësimin e qendrave të zjarrit shfrytëzoheshin kënde e vdekura, ndërthurja me zotësi e zjarrit me lëvizjen në fushën e luftës, të nismës me këmbëngulje, të cilat shpunë arritjen e suksesit.
Forcat e Brigadës XXII Sulmuese, pasi i spastruan të gjitha çerdhet e zjarrit të armikut gjatë rrugës Kukës - Pukë i përdorën ato si pikëmbështetje për goditjen e tij gjatë pritave. Komanda e Korparmatës XXI Sulmuese malore raportonte: “Rruga komunikuese Kukës - Shkodër në lindje të Pukës, pas ardhjes së forcave të shumta të bandave komuniste, është bllokuar”* Dalja e Brigadës XXII dhe VI Sulmuese në veri të rrugës Kukës - Shkodër e detyroi Komandën e Divizioni 181 gjerman të dërgonte përforcime të tjera në garnizonin e Pukës dhe në pikëmbështetjet e tjera si në Fushë Arrëz, ura e Gomsiqes, etj.
*”Dokumente gjermane”, T-311-184,000 683 dt.3/11/1944.
Dalja e forcave të Brigadës VI Sulmuese në Qerret, Iballë, Mali i Kurrës, Vau i Spasit lehtësuan mësymjen e forcave të Brigadës XXII Sulmuese për çlirimin e Pukës. Më 20 nëntor batalioni 2 dhe një kompani e batalionit 4 në orët e para të natës sulmuan garnizonin e Pukës, ku ndodheshin rreth 500 gjermanë e mercenarë. Partizanët, duke kaluar nëpër shtigje dhe rrugë, të ndihmuar edhe nga fshatarët vendës, iu afruan pozicioneve të fortifikuara të armikut. Nga lindja dhe jugu partizanët hapën zjarr të menjëhershëm dhe, pas një luftimi të shkurtër, i kapën këto pozicione. Zjarri i armëve u drejtua në qytet, te kazermat ku mbroheshin forcat kryesore të armikut. Pas ngushtimit të rrethimit, armiku bëri një qëndresë të shkurtër dhe u tërhoq i shpartalluar drejt urës së Gomsiqes. Më 20 nëntor Puka dhe fshatrat e saj ishin çliruar plotësisht nga forcat e Brigadës XXII Sulmuese. Tri batalionet e saj u vunë në ndjekje të armikut drejtë Shkodrës.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Brigada VIII Sulmuese me forcat kryesore zbriti në Zadrimë për të bërë spastrimin e fundit të bandave mercenare dhe të godiste në prita autokolonat gjermane në rrugët automobilistike. Batalionit 2 dhe 4 iu ngarkua detyrë të çlironin Zadrimën dhe Lezhën, kurse batalionit 3 të priste rrugën automobilistike Milot - Lezhë (skema 58).
Në drejtimin Milot - Lezhë - Shkodër forcat gjermane ishin vendosur në mbrojtje me nënreparte. Pikëmbështetjet më të forta ishin kodrat më të larta në veriperëndim të urës së Matit, kodrat mbi fshatin Zejmen dhe Uji i Ftohtë. Ato kontrollonin jo vetëm rrugën automobilistike, por edhe një pjesë të bregut të Matit deri në Lezhë. Gjermanët nuk mund t’u qëndronin dot sulmeve nga disa drejtime dhe goditjeve të autokolonave në prita. Kështu batalioni 4, pasi shpartalloi 700-800 mercenarë në pritën në sektorin Hajmel - Mali i Nënshatit, në 11 nëntor me goditje të befasishme mori kalanë e Lezhës. Pas kësaj, sektori Zejmen - Lezhë u bë vendi i një vargu pritash që i dëmtuan rëndë autokolonat e armikut prej 150-200 makinash. Terreni me varg kodrash në krahun lindor të rrugës dhe fushë nga ana perëndimore e saj, kushtëzonte pritën e njëanshme, por kthesat gjatë rrugës automobilistike, me luginat e vogla, lejonin që kolonat e armikut të futeshin në xhepa zjarri e të dëmtoheshin rëndë. Në këtë mënyrë në rrugën Spiten - Manati gjermanët patën më se 150 të vrarë, shumë të plagosur, më tepër se 100 kamionë e karro të djeguar dhe disa kamionë me municione e armatime u zunë nga partizanët.
Më 20 nëntor batalionet e Brigadës VII Sulmuese sulmuan nga tri drejtime dhe çliruan përfundimisht qytetin e Lezhës. Po atë ditë, me ndihmën e forcave territoriale vullnetare, forcat kaluan me varka lumin dhe u vunë në ndjekje të armikut. Me një pjesë të forcave të një batalioni shpartalloi forcat mercenare në malin e Kakariqit, kurse me forcat kryesore doli në Shëngjin. Krahas veprimeve luftarake, partizanët e Brigadës VII Sulmuese në Zadrimë bënë punë politike për organizimin e këshillave nacioinal-çlirimtare dhe demaskuan krerët reaksionarë e bajraktarët. Shumë fshatarë të Zadrimës, të Lezhës, etj, u rreshtuan vullnetarë në njësitë partizane. Ata formuan batalionin 5 të kësaj brigade.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Pas çlirimit të Iballës, Brigada VI Sulmuese u nis për në krahinën e Tropojës për të dalë në Nikaj - Mërtur. Në urdhrin e operacionit të komandës së Divizionit II Sulmues kësaj njësie i vihej detyra “...të kalojë Drinin për t’iu afruar qytetit të Shkodrës me objektiv kryesor çlirimin e qytetit.”* Manovra e thellë e Brigadës VI Sulmuese dhe veprimet e saj luftarake dhe veprimet e saj luftarake, në bashkëveprim me forcat e Brigadës XXV Sulmuese, synonin të shpartalloheshin ose të kapnin rob forcat mercenare në Nikaj - Mërtur dhe në Dukagjin**, të shkatërroheshin bazat e mbështetjes së forcave britanike, të siguronin shpinën e forcave të Divizioni II Sulmues në rrethinat e qytetit të Shkodrës dhe të ndalonin forcat gjermane të dilnin në drejtimin Shkodër - Podgoricë. Për zbatimin e urdhrit, marshimi dhe veprimet luftarake mësymëse për të rrethuar e asgjësuar armikun në vatrat e qëndresës duhet të zhvilloheshin me shpejtësi dhe, me qëllim që armiku të mos kishte mundësi të kundërvepronte dhe, më kryesorja, forcat partizane të dilnin në kohë në rrugën Shkodër - Podgoricë. Manovra larg forcave kryesore të divizionit kërkonte që komanda e brigadës dhe komandat e batalioneve të vepronin me nismë.
*AQP, Fondi 203, DOsja Nr. 9.
**Bëhet fjalë për forcat e Gani Kryeziut, me të cilin Britanikët kishin përpunuar një plan kryengritës që në kohën e luftës italo-greke, në prapavijat e frontit italian. Ky plan u kundërshtua nga pala greke pasi ajo nuk donte kryengritje të përmasave të mëdha në Shqipëri, por mund të gjallërohej sërish tani që po afroheshin forcat partizane.
Më 7 nëntor Brigada filloi lëvizjen drejt Tropojës. Rendimi i marshimit përbëhej nga kolonat e marshimit të batalioneve, bateria e artilerisë, prapavija e brigadës dhe nga elementet e sigurimit të lëvizjes (pararoja, praparoja, grupet e zbulimit dhe të sigurimit të lëvizjes). Në mbrëmje pararoja, që ishin forcat e batalionit 4, arriti në fshatin Dardhë, bëri zbulimin e bregut të Drinit, kapi Vaun e Spasit dhe një skuadër partizane kaloi për të zënë pozicione zjarri në anën tjetër të lumit.
Me kalimin e Drinit në urën e Vaut të Spasit, forcat e Brigadës dolën në Malësinë e Tropojës, ku partizanët gjetën mikërpritjen e popullsisë lokale. Më 13 nëntor Brigada nisi marshimin në dy kolona: kolona e parë, e përbërë nga batalioni 1, 2 dhe 5 ndoqi rrugën këmbësore Rodokosh - Degë - Tplan dhe kaloi lumin Valbonë në afërsi të fshatit Selimaj për të arritur në rajonin Gegëhysenaj. Batalioni 5 u shkëput nga kjo kolonë në Tplan dhe lëvizi në drejtimin: Rajë - Markaj - Shëngjergj; kolona e dytë, e përbërë nga shtabi i brigadës, batalioni 3, 4 dhe prapavija ndoqi rrugën Rodokosh - Degë - Qafa e Gashit - Mollkuqe - Cernicë, kaloi Valbonën në afërsi të fshatit Kolgecaj (Bajram Curri), ku edhe u përqendrua në gatishmëri për të goditur armikun në vatrat e qëndresës në Nikaj - Mërtur dhe Dukagjin.
Reaksionarët, të udhëhequr nga oficerë gjermanë dhe britanikë, bënin të gjitha përpjekjet të organizonin një mbrojtje të fortë rrëzë malit të Jezercës, Qafës së Valbonës, malit të Moraçës, Qafës së Kolçit, Malit të Mërturit dhe lumit Drin. Në thellësi ishin përgatitur pozicione të tjera në Curraj i Sipërm, Curraj i Poshtëm, gjatë lumit Curraj - Nikaj, etj.
Brigada VI Sulmuese do të vepronte në një terren tepër të thyer dhe në disa vende të kalueshme me vështirësi (skema 59). Malet e thepisura dhe të pyllëzuara të alpeve, me lartësi rreth 2000 m, me lumenj e përrenj malorë të rrëmbyeshëm e të plotujshëm, të thellë dhe vende-vende të pakalueshëm nga dimri i ashpër me borë, erë dhe mjegull, e vështirësonin mjaft mësymjen e brigadës. Me përjashtim të dy rrugëve, që kalonin njëra drejt Qafës së Kolçit dhe tjetra drejt Qafës së Valbonës, rrugë të tjera nuk kishte. Ajo që e bënte më të vështirë mësymjen e forcave, ishte se partizanët dhe kuadrot e brigadës nuk i njihnin këto vende, kurse forcat mercenare mund të shfrytëzonin me mjeshtëri çdo shteg. Kjo krijonte rreziqe për Brigadën, për të rënë në kurthe, sidomos gjatë lëvizjes së detyruar në luginat e ngushta dhe qafat. Prandaj, për të siguruar suksesin, duheshin manovruar forcat me shpejtësi për ta rrethuar dhe asgjësuar armikun në vatrat e qëndresës dhe pastaj, në të gjithë zonën. Komanda e Brigadës, me gjithë pengesat që dilnin mori vendimin që forcat në ecje e sipër të rrethonin dhe të asgjësonin armikun në Nikaj - Mërtur dhe pastaj të vijonin mësymjen për të kaluar Qafën e Agrit e kodrat e Shëngjergjit. Prej aty, duke vijuar mësymjen, të dilnin në veri të qytetit të Shkodrës për të marrë pjesë në çlirimin e saj dhe për të mos lejuar tërheqjen e armikut në drejtimin Shkodër - Pogdoricë.
Kushtet e terrenit e të motit e vështirësonin zhvillimin e mësymjes. Forcat duhet të lëviznin me kujdes për t’u afruar dhe për t’u hapur nga rendime paraluftimi në ato luftimi, duke shfrytëzuar vetitë maskuses të vendit. Për të siguruar vijimësinë e mësymjes, komanda e Brigadës VI Sulmuese rendimin e luftimit e ndërtoi të thellë. Në vijën e parë vendosi batalionet 3 dhe 4, ndërsa në vijën e dytë batalionet 1, 2, dhe 5 dhe prapavijën e brigadës. Bateria e artilerisë u vendos në pozicione zjarri, në me të forcave të vijë së parë.
Pyjet dhe pjerrësitë e vendit u krijuan mundësi forcave partizane të zinin bazën e nisjes sa më afër armikut në mënyrë të maskuar. Me kalimin në sulm, pasi thyen qëndresën e armikut në Qafën e Kolçit, forcat partizane dolën në bregun e lumit Curraj e Nikaj dhe u urdhëruan të mësynin drejt Qafës së Agrit. Por batalionet 3 dhe 4 nuk kaluan dot lumin Curraj, pasi reaksionarët e prishën urën sapo dolën në bregun e tij jug-perëndimor. Luftimet e ashpra me sulme e kundërsulme e në terren të thyer i lodhën forcat që luftonin në vijën e parë, prandaj, shtabi i Brigadës VI Sulmuese futi në luftim dy batalione të vië së dytë. Edhe këto forca nuk arritën të kalonin lumin. Për të kaluar pengesën ujore, u morën masa për rregullimin e urës me mjete rrethanore.
Gjatë ndërprerjes së luftimeve, ndërkohë që forcat e brigadës përgatiteshin të kalonin në sulm, forca të shumta mercenare po përqendroheshin dhe po zinin pozicione përtej lumit, me qëllim që të mbronin me çdo kusht rrugët që çonin në Qafën e Agrit. Në shkëmbinjtë afër urës që ndërtuan partizanët vendosën mitraloza. Në pozicionet e nisjes për sulm shtabi i brigadës u dha udhëzime forcave që të mos me përdornin drita ose të mos ndiznin zjarret përballë pozicioneve të armikut për të ruajtur befasinë dhe të ruheshin nga çdo e papritur.
Me rifillimin e sulmit përpjekjet që bënë forcat e partizane gjatë gjithë ditës për të kaluar lumin nuk patën sukses. Armiku nga e majta e shkëmbinjve godiste me saktësi dhe pengonte forcat tona të kalonin urën. Me forcat të shumta armiqtë kaluan në kundërsulm, me qëllim që të kapnin lartësinë 1859 dhe të dilnin në Qafën e Kolçit, Komanda e Brigadës e përforcoi atë drejtim duke futur në luftim forcat e vijës së dytë, batalionin 4 dhe 5 dhe kundërsulmi i armikut u thye. Por në përpjekjet për kalimin e lumit brigada po humbiste kohë për të dalë sa më parë mbi rrugën Shkodër- Pogdoricë. Vijimin e mësymjes në këtë drejtim u ndërlikua shumë. Grumbullimi i batalioneve te qafat, urat dhe vendkalimet e lumenjve u bë objekt goditjeje nga armiku.
Duke u orientuar nga gjendja e krijuar, komanda e brigadës vendosi të shkëpuste takimin me armikun, të kryente një manovër të madhe e të vështirë të forcave duke kaluar pengesat ujore në vende të tjera. Brigada VI Sulmuese, në bashkëveprim me batalionet e Brigadës XXV Sulmuese, do të marshonte në tri drejtime: Qafa e Valbonës - Theth, për të dalë në Gimaj - kodra e Shëngjergjit; shtegu i Dashit - Curraj i Epërm - Curraj i Poshtëm - Lekbibaj dhe qafa e Kolçit - Lekbibaj.
Forcat që marshonin drejt Shtegut të Dashit për të kapërcyer vështirësitë e terrenti të ashpër malor të motit, përdorën litarë, bajoneta, thika dhe lopata, me të cilat ndërtuan shkallë në akull. Për të drejtuar veprimet e kolonës, urdhrat jepeshin gojë më gojë. Në qafën mbi fshatin Curraj i Sipërm, që ishte i vetmi kalim për partizanët, forcat partizane goditën reaksionarët në befasi me grupe luftëtarësh që përbëheshin nga komunstë dhe partizanë të fortë fizikisht dhe me përvojë. Mercenarët të shpartalluar u larguan drejt fshatit Curraj i Poshtëm.
Kolona e krahut të djathtë u ngjit drejt alpeve për të goditur armikun në shpinë. Pas disa orësh këto forca çanë rrugën e kalimit në borë dhe akull, kapën qafën e Valbonës dhe përparuan me shpjetësi drejt fshatrave Theth e Lekaj. Batalioni 4 i Brigadës VI Sulmuese dhe batalioni 1 i Brigadës XXV Sulmuese hapën zjarr dhe sulmuan me shpejtësi drejtë shtëpive nga qëllonte armiku. Pas një luftimi të shkurtër Fshati Theth u çlirua. Ndërkohë batalioni 2 i Brigadës VI Sulmuese përparonte me shpejtësi drejt fshatit Lekaj për të mbyllur grykën e lumit të Thethit. Kjo kolonë përshkoi rreth 128 km për 32 orë, duke arritur një ritëm të lartë lëvizjeje rreth 4 km në orë në kushtet e terrenit malor tepër të thyer dhe të dimrit të ashpër. Gjatë marshimit u bënë pushime të shkurtra dhe pushime nate në qendra të banuara. Lëvizja bëhej në rrugë me ngrica të mëdha dhe reshje bore, prandaj shtabet e batalioneve dhe komandat e kompanive nuk i lejuan partizanët të qëndronin gjatë. Në këto raste morën masat për ruajtje. Efektivin e furnizan me ushqim banorët vendas.
Përparimi në thellësi i dy kolonave të para dhe goditjet që u dhanë ato forcave mercenare në krahë e në shpinë ndihmuan kolonën e tretë (batalioni 3, dy kompani të batlionit 1 dhe 3 të Brigadës VI Sulmuese dhe batalioni 2 i Brigads XXV Sulmuese) të thyente qëndresën e armikut në bregun e lumit Curraj. Kështu, në mbrëmje të datës 23 nëntor forcat e Brigadës VI dhe XXV Sulmuese arritën vijën: Lekbibaj, Theth, Lekaj. Brigada XXV Sulmuese mori urdhër të spastronte zonën nga mbeturinat e armikut dhe të forconte pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare. Tri batalionet e Brigadës VI Sulmuese (1, 3 dhe 5) përparuan drejtë Qafës së Agrit dhe në pasditen e 24 nëntorit dolën në Shalë e Shosh për të vijuar mësymjen në drejtim të Shkodrës.
Luftimet e Brigadës VI Sulmuese dhanë një përvojë të mirë për luftimet mësymëse në terren të ashpër malor e në kushte dimri, kur mbrojtja e armikut mbështetej në bllokimin e qafave, shtigjeve të kalimit, urave, etj. Mësymja u zhvillua në zonë të gjerë dhe me drejtime. Gjerësia e frontit të mësymjes të brigadës arriti 25-30 km. Batalionet vetëvepronin në përputhje me idenë e komandës së brigadës, duke pasur lidhje taktike ndërmjet forcave të çdo drejtimi. Përpjekjet për të kapur lartësitë zotëruese (qafa, shtigje malore, etj.) u dhanë luftimeve të brigadës karakterin e mësymjes në ecje në rendime paraluftimi, që realizohej në nënjë vijë të drejtë, por me krahëmarrje e shpinëmarrje të thellë gjatë kurrizeve zotëruese dhe siguruan zhbllokimin e qafave malore, rrugëve dhe luginave. Por në kushtet e dimrit të ashpër, në malet e mbuluar me borë e akull, ku temperatura arrinte minus 20 gradë, përpjekjet për të kapur lartësitë, qafat, shtigjet malore, etj, kërkonin sakrifica të mëdha. Në këto situata, në fillim brigada e sulmoi armikun përballë dhe gjatë rrugëve në lugina, me qëllim që të pushtonte qafat. Mirëpo ajo ndeshi në mbrojtjen e fortë të armikut dhe një varg pengesash natyrore, në rreshjet e shiut dhe të borës, përpara përrenjve e lumenjve të rrëmbyeshëm dhe ku armiku mundë të prishë urat. Prandaj Brigada u detyrua të anashkalonte pengesat, duke kryer manovër të thellë. Në situatat e ndërlikuara që u krijaun, partizanët e Brigadës VI dhe XXV Sulmuese treguan shembuj heroizmi dhe qëndrese përballë çdo vështirësie.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.