Zgjerimi i Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare të popullit shqiptar, si dhe përfundimet e arritura nga mësymja pranverore e UNÇSH, e detyruan komandën gjermane të ndërmerrte një mësymje tjetër me përmasa strategjike për asgjësimin e UNÇSH. Plotësimi me sukses i këtyre objektivave do të mundësonte që në Shqipëri të krijohej një zonë e qetë, ku forcat gjermane të manovronin me lehtësi nga thellësia e Ballkanit drejt bregdetit shqiptar dhe të lëviznin të sigurta në rrugëkalimet gjatë tërheqjes për në veri. Asgjësimi i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në këto zona ishte në interes të drejtpërdrejtë edhe të perandorisë britanike dhe reaksionit shqiptar, për të siguruar kryeurën e nevojshme për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri dhe për marrjen e pushtetit pas luftës.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Për realizimin e mësymjes, komanda gjermane i vlerësonte të pamjaftueshme forcat e pushtimit, prandaj i dha detyrë Divizionit I malor që gjendej në Jugosllavi të merrte pjesë në operacion.
Grupimi i mësymjes përbëhej nga: Divizioni I malor, Divizioni 297, Regjimenti II Brandenburg dhe reparte speciale të Korpusit XXI malor, Divizioni 104, Brigada 999 bregdetare, Reparti 48 i shpejtë dhe repartet speciale të Korpusit XXII malor, si dhe forca të xhandarmërisë shqiptare (shtetërore) e të organizatës së Ballit Kombëtar. Ky përqendrim siguronte rreth 50,000 trupa, 560 topa e mortaja, rreth 70 tanke dhe një numër aeroplanësh e anijesh, duke krijuar një raport forcash 2:1 në të mirë të tij, kurse në teknikë e armatim ishte plotësisht superior.
Për drejtimin e operacionit mësymës u ngarkua komanda e Korparmatës XXII malore. Kjo, duke i konsideruar të pamjaftueshme forcat, për të vepruar njëherësh në të gjithë Shqipërinë e jugut, planëzoi kryerjen e operacionit në dy etapa. Etapa e parë përfshinte veprimet luftarake mësymëse në hapësirën midis lumit Shkumbin e Vjosë kryesisht në zonën: Korçë, Elbasan, Berat e Përmet, në një sipërfaqe rreth 7000 km2. Kurse etapa e dytë në hapësirën midis lumit Vjosë e bregdetit Jon në zonën Mesaplik, Kurvelesh e bregdet në një sipërfaqe rreth 3500 km2. Metoda kryesore ishte “fshirja” e gërshetuar me goditje bashkëqendrore për t’i copëtuar dhe asgjësuar pjesë-pjesë forcat e UNÇSH.
Në etapën e parë të operacionit forcat do të vepronin sipas këtij plani: Divizioni I malor me forcat balliste të qarkut të Korçës, gjithsej 20,000 ushtarë, do të mësynte në brezin Pogradec - Korçë - ura e Peratit - Këlcyrë me gjerësi 30-40 km e gjatësi 75 km. Krahu i djathtë i këtij brezi kalonte: Pogradec - Lozhan - Mazrek - Qafa e Dëvrijës - Këlcyrë; ndërsa krahu i majtë përgjatë rrugës automobilistike Korçë - Ersekë - ura e Peratit, goditja kryesore do të jepej në drejtimin Maliq - Çorovodë - Përmet. Nga drejtimi i Elbasanit dhe Beratit, për të dalë në kufijtë e brezit të fshirjes, do të mësynin drejt jugut forcat e grupit “Burgermaister” (repartet e Regjimentit 523, 524, të Divizionit 297, një batalion i Regjimentit “Brandenburg” dhe Reparti i shpejtë 48), gjithsej 4000 ushtarë gjermanë dhe rreth 3000 xhandarë e ballistë, të cilët do të jepnin goditjen ndihmëse. Për të dalë në në kufirin e majtë të brezit të fshirjes, do të kalonin në mësymje nga Eleja (Greqi) forcat e grupit “Shtajrer” (Steirer) (Regjimenti 724 i Divizioni 104 me rreth 200 trupa gjermane). Detyra e forcave që mësynin nga krahët ishte të ngushtonin shkallë-shkallë zonën e veprimit të UNÇSH dhe të mbyllnin të gjitha rrugët, qafat e shtigjet e zonës qendrore të Shqipërisë së jugut për të mos lejuar kalimin e tyre në veri e në jug. Forcat e xhandarmërisë dhe të ballit do të përdoreshin për mbylljen e zbrazëtive midis kolonave gjermane të sulmit.
Etapa e dytë e operacionit do të fillonte pasi forcat gjermane do të dilnin në lumin e Vjosës. Këtu armiku synonte që forcat e UNÇSH të mbylleshin në një zonë të ngushtë në Kurvelesh e Bregdet, pastaj me forcat kryesore rreth 30,000 veta, duke dhënë një varg goditjesh bashkëqendrore nga drejtime të ndryshme të hidhej në mësymje për copëtimin dhe asgjësimin e tyre.
Komanda e operacionit i organizoi forcat e saj në grupe luftimi të përshtatshme për të zhvilluar luftime mësymëse në terren malor sipas metodave të luftës kundërpartizane të përbëra nga një batalion e deri një regjiment e më shumë, të përforcuara me artileri dhe në drejtime të kalueshme edhe me tanke e autoblinda. U parashikua edhe hedhja e një kompanie gjuetarësh parashutistë të Regjimentit “Brandenburg” në Lavdar të Oparit, ku mendohej se ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, për kapjen dhe shkatërrimin e tij.*
** Në të vërtetë Komanda e Përgjithshme e UNÇSH në qershor të vitit 1944 e kishte qendrën në Odriçan të Përmetit, ndërsa në Lavdar ndodhej shtabi i qarkut të Korçës.
Komanda gjermane llogariste që mësymja e dytë e përgjithshme të përfundonte brenda 10-15 ditësh. Ajo u planëzua të fillonte më 28 maj me veprimet e forcave bllokuese, kurse forcat e fshirjes do të hidheshin në mësymje vetëm pasi forcat bllokuese të kishin dalë në kufijtë e brezit të fshirjes. Plani i mësymjes parashikonte edhe kryerjen e veprimeve terroriste ndaj popullsisë në zonat e operacionit, “...trupat operuese të pushtimit, - theksohej në urdhrin e operacionit, - do të pushkatonin në vend gjithë partizanët e “të dy sekseve” që do të kapeshin; do të arrestoheshin e do të grumbulloheshin në pika të caktuara gjithë meshkujt nga popullsia, prej 15-60 vjeç; do të digjnin e shkatërronin shtëpitë e të gjitha fshatrave brenda në zonën e operacionit, do të rrëmbenin gjithë bagëtinë dhe do t’i çonin në pikat e furnizimit të trupave”*
* “Dokumente gjermane”, f.314*476, datë 26 mars 1944.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Komanda e Përgjithshme e UNÇSH, vijonte të merrte masa të shpejta për të vënë në jetë planin e saj strategjik të mësymjes së përgjithshme në Shqipërinë e mesme e të veriut. Rreshtimi operativo-strategjik i njësive të UNÇSH sipas këtij plani, qe bërë në mënyrë të atillë, që ato, nga rajonet e vendosjes së tyre, të zgjidhnin edhe dy detyra të tjera të rëndësishme: të mbronin Përmetin ku zhvillonte punimet Kongresi Antifashist Nacionalçlirimtar dhe të përballonin çdo mësymje që mund të ndërmerrte armiku. Zonat e vendosjes së njësive ishin: Brigada I Sulmuese me batalionet e Shpatit, të Dumresë, e “Tefik Lapani” në Sulovë, Vërçë, Tomoricë; Brigada IV Sulmuese me batalionet “Reshit Çollaku”, “Skënder Çaçi”, e “Fuat Babani”, në Voskopojë, Maliq, Pogradec, Prrenjas; Brigada V Sulmuese me batalionin “Hakmarrja” në Ersekë, Leskovik, ura e Peratit; Brigada VII me një pjesë të batalioneve të qarkut të Beratit në rrëzë të Shpiragut, Zhitom, Vërtop; Brigada VIII me dy batalione të Zonës I Operative, në grykën e Këlcyrës, të Çajupit, të Selckës e në qafën e Hllomos; Brigada II dhe III Sulmuese në Dangëlli; Brigada XII në Sukë; Brigada VI në Sarandë e në Delvinë. Forcat e tjera partizane të qarkut të Korçës, të Beratit e të Elbasanit vepronin në zonat e tyre përkatëse (skema nr. 38). Përhapja e forcave në front e në thellësi nuk u bë e njëllojtë, por në mënyrë të atillë, që të sigurohej mbyllja e drejtimeve më të rëndësishme, siç ishin drejtimet Berat - Këlcyrë, Elbasan - Gramsh, Korçë - Frashër - Përmet, Ersekë - Frashër - lugina e Vjosës, etj. Në një drejtim përgjithësisht u vendosën forcat e një brigade dhe 2-3 batalione partizane të qarqeve.
Njësitë e repartet e UNÇSH që vepronin në Shqipërinë e jugut kishin në radhët e tyre rreth 25,000 luftëtarë dhe rreth 40-50 gryka zjarri, kryesisht mortaja.
Me fillimin e mësymjes së dy gjermane Komanda e Përgjithshme përpunoi planin e ri për dështimin e saj dhe për shkatërrimin e planeve të komandës gjermane e të reaksionit, të cilin e konkretizoi me urdhra e udhëzime plotësuese.
Ideja kryesore e planit ishte: njësitë e repartet e UNÇSH nga rajonet e vendosje së tyre, të mbyllnin drejtimet e mësymjes së armikut dhe, duke u mbështetur në taktikën e mbrojtjes së manovruar e tepër aktive, të organizonin e të zhvillonin luftime sa më të frytshme me goditje të befasishme, sidomos me kundërsulme të dhëna nga vija të përshtatshme të terrenit, për të dëmtuar armikun dhe për të penguar përparmin e tij në thellësi të zonave të çliruara. "Ruajtja e rrugës Berat-Kiçok, - urdhëronte Komanda e Përgjithshme Brigadën VII Sulmuese, - nuk duhet të bëhet duke zënë pozicione pritjeje, por duke bërë presion të vazhdueshëm… duke goditur armikun edhe duke ruajtur iniciativën e veprimit.”*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, vëll.1, bot.2, Tiranë, 1976, f.357.
Në rast se armiku, për shkak të epërsisë në forca e në mjete, do të depërtonte në thellësi, forcat tona, duke ruajtur aftësitë dhe kompaktësinë luftarake, të shfrytëzonin me mjeshtëri masivet malore, të manovronin në krahë e në shpinë të tij, dhe në bashkëveprim me forcat territoriale, të goditnin pareshtur. Njësitë rezervë të Shtabit të Përgjithshëm do të përdoreshin në drejtimet më të rëndësishme, për ta kundërsulmuar e kundërgoditur armikun, për t’i shkaktuar humbje të konsiderueshme e për t’i prishur planet e mësymjes. Pas realizimit të këtij qëllimi, UNÇSH dhe forcat e tjera partizane në kushte të përshtatshme do të kalonin në kundërmësymje e në mësymje të përgjithshme për çlirimin e vendit. (skema nr. 39)
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Operacioni gjerman filloi më 28 maj me forcat që vepronin në krahun e djathtë të brezit të mësymjes të Divizionit I malor, duhet hedhur në mësymje tre grupe luftimi, prej të cilave I dhe II përgjatë luginës së Devollit dhe III në drejtimin Berat-Këlcyrë. Grupi I me rreth 3300 veta (1300 gjermanë dhe 2000 xhandarë e ballistë) do të përparonte në të djathtë të lumit Devoll për të dalë në Gramsh, në qafën e Shënepremtes për të kapur fshatin Moglicë. Grupi II me rreth 1500 veta, (1200 gjermanë dhe 300 xhandarë e balistë) do të sulmonte nga Sulova dhe, duke përparua në krah të majtë të lumit, do të dilte në Shëmbërdhenj, do të merrte përpjetë luginës së Tomorricës e do të kapte qafat në krye të kësaj lugine. Në drejtimin Berat - Këlcyrë ku, pasi të pushtonte rrugën dheluginën e Vjosës, do të merrte takim me forcat që jepnin goditjen në drejtimin Perta - Përmet e do të siguronte mbylljen e rrethimi të grupimit krysore të UNÇSH që vepronte në zonën e Oparit, të Tomorricës e të Dangëllisë.
Në drejtimin Elbasan - Gramsh, ku vepronin forcat e Brigadës I dhe dy batalione të qarkut të Elbasanit, armiku krijoi një raport forcash rreth 3.3 herë më të madh, kurse në drejtimin Berat - Këlcyrë, ku vepronte Brigada VII dhe dy batalionet të qarkut të Beratit rreth 2 herë më shumë në njerëz.
Brigada I Sulmuese i kishte përhapur batalionet në Vijës Shpat - Vërçë - Sulovë, që arrinte deri në 60 km. Kjo nuk i jepte mundësi që të organizonte një mbrojtje në disa vija, prandaj gjatë natës 27-28 maj komanda e brigadës bëri rigrupimin e batalioneve duke i vendosur në një front rreth 20 km, i cili kalonte në vijën Dragot - Sulovë - bregu jugor i përroit të Holtit - Cerunjë - Zavalinë; duke zënë krahët e lumit Devoll, ajo vendosi në vijë të parë 4 batalione dhe dy në thellësi në rezervë (skema nr. 40).
Luftimet u zhvilluan në vijat Dragot - Sulovë - Cerunjë - bregu jugor i përroit të Holtit - Kabash, Trevol - Shëmbërdhenj - Qafëdardhë - kodrat e Brasnikut - Dardhë, ura e Moglicës - mali i Dusharit - Shëmbërdhenj - Qafë Dardhë. Në çdo vijë u përdorën metoda të ndryshme luftimi si prita, kundërsulme të befasishme dhe luftime në pozicione. Ndër më të rëndësishmet ishin: prita në përroi e Holtit dhe në urën e Moglicës; luftimet në kalanë e Irmajt dhe në Shëmbërdhenj. Në çdo vit luftimi forcat partizane, pasi dëmtonin armikun me zjarr dhe duke dhënë kundërsulme të njëpasnjëshme tërhiqeshin me fshehtësi më në thellësi në largësi 3-5 km, ku i jepnin përsëri goditje armikut.
Në 3 qershor filloi veprimet luftarake edhe Divizioni I malor në zonën e Korçës. Me një pjesë forcash (rreth 1000 veta) dhe me një batalion xhandarësh, sulmi filloi nga Qukësi dhe në thellësi të Mokrës dhe nga Zvezda e Podgoria drejt Pogradecit. Përparimi i armikut dhe pushtimi i Mokrës, Gorës, Oparit dhe i krahut të djathtë të lumit Devoll, me qëllim që të mënjanohej rrethimi i tyre dhe të organizohej mbrojtja për mbylljen e shtigjeve të rëndësishme në Qafën e Gjarpërit, në Gurin e Prerë dhe në Shëmbërdhenj. Me daljen në këtë krah, forcat e Brigadës I dhe ato të batalioneve vendase qenë vendosur në malin e Dusharit, në urën e Moglicës, në Qafën e Gurit të Prerë, në Shëmbërdhenj dhe në Qafën e Dardhës, duke pasur pesë batalione në vijë të parë dhe batalionin “Antonio Gramshi” në rezervë në rajonin e Rrëmenjit.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Për mbrojtjen e drejtimit Berat-Përmet forcat e Brigadës VII Sulmuese ishin rreshtuar prej Shpiragut deri në Zhitom, në një front relativisht të gjerë, duke pasur një rezervë të vogël në Molisht. Grupi Partizan i Beratit me dy batalionet kishte zënë pozicione në krahun e djathtë për të mbyllur luginën e Osumit. Forcat më të shumta të brigadës mbyllnin rrugën Berat - Mali i Tërpanit. (skema nr. 41)
Armiku, duke pasur epërsi në forca e në mjete, gjatë tri ditëve të luftimit, pasi i përsëriti disa herë sulmet, mundi të përparonte gjatë rrugës dhe të depërtonte deri në afërsi të malit të Tërpanit. Këtu luftimet e forcave partizane morën karakter pozicional.
Me dy batalione partizane armiku u kundërsulmua gjatë natës dhe u detyrua jo vetëm të ndalej por edhe të tërhiqej nga pozicionet e kapura.
Trupat gjermane, duke mos çarë dot drejt xhadesë, ndërruan drejtimin e goditje kryesore nga e majta, për të dalë në Therepel, Vëndreshë e Vokopolë e për të zënë Tendën e Qypit. Plotësimi i kësaj detyre u siguronte atyre daljen në shpinë të forcave partizane dhe hapjen e rrugëkalimit për Këlcyrë. Për t’iu kundërvënë kësaj ideje, shtabi e Brigadës VII Sulmuese bëri menjëherë rigrupimin e forcave dhe i vendosi 3-4 km më prapa në vijën Therepel - Vokopolë - Qafëshkozë e në qafë të Selenicës, ku në majat sunduese dhe në qafat më të rëndësishme organizoi mbrojtje të fortë aktive.
Luftimet më të ashpra brigada i Brigada VII Sulmuese i zhvilloi në Qafëshkozë. Sulmet e njëpasnjëshme të forcave gjermane partizanët i përballuan dhe i thyen me luftime të afërta dhe me kundërsulme të shpeshta, që jepeshin natën dhe në krahë të armikut. Kodrat rreth saj u morën disa herë prej armiqve dhe disa herë këta shtrëngoheshin t’i lëshonin pas kundërsulmeve të forcave partizane. Vetëm kur komanda gjermane organizoi me forca të reja një sulm të përgjithshëm nga Qafëshkozës, në mëngjesin e qershorit mund të kapte dy kodrat sunduese pranë saj dhe tërë qafën.
Në këtë gjendje të vështirë Komanda e Përgjithshme e UNÇSH angazhoi forcat operativo-strategjike të rezervës në drejtimet më të kërcënuara. Brigada XII Sulmuese u zhvendos nga Suka drejt zonës së veprimeve të Brigadës VII Sulmuese, ndërsa Brigada V Sulmuese u zhvendos nga Erseka për në krahinën e Skraparit. Për bashkërendimin e veprimeve luftarake i krijua shtabi i përbashkët operativ.
Shtabi vendosi që me batalionet II dhe IV të Brigadës XII Sulmuese të mësyhej nga kodrat e Therepelit drejt Qafëshkozës dhe me tri kompani të Brigadës VII Sulmuese nga Vokopola drejt Paraspuarit, batalioni I i Brigadës XII Sulmuese të mbulonte krahët e tyre nga mali i Çoragjafit. Forcat e Brigadës XII do të futeshin në luftime në ecje e sipër nëpër rendimin e luftimit të Brigadës VII Sulmuese.
Luftimet filluan në mesditën e 3 qershorit dhe zgjatën deri natën vonë. Armiqtë lëshuan disa pozicione, por jo kodrat sunduese mbi Qafëshkozë. Kundërsulmi i ri i dhënë natën, i vuri nazistët në një gjysmë rrethim. Megjithatë, për shpejtimin e plotësimin e detyrës luftarake më 4 qershor u fut në luftim një batalion i Brigadës XII dhe batalioni “Riza Cerova”. Nazistët u goditën nga të dy krahët dhe u detyruan të tërhiqeshin në Paraspuar e Tërpan, ku kaluan përkohësisht në mbrojtje. Komanda e grupimit “Burgermaister” edhe në drejtimin e Beratit nuk arrit dot të plotësonte detyrën sipas planit të operacionit. Më 5 qershor ndodhej rreth 30 km (në vijë ajrore) larg Këlcyrës.
Në vijën e zënë armiku filloi të rigruponte forcat për të vazhduar mësymjen e mëtejshme për të siguruar daljen në shpinë të grupimit kryesor të UNÇSH, që vijonte veprimet luftarake në drejtimet e tjera. Për të dështuar plani i armikut, Shtabi i Përgjithshëm më 5 qershor i urdhëroi komadndat e të dyja brigadave: “...i pritni armikut rrugën që çon në Berat. Përpiquni të futni pyka në rreshtat e armikut.”*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll.1, bot.2, Tiranë, 1976, f.423.
Shtabi operativ, për të zbatuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm, duke shfrytëzuar ndalimin e veprimeve luftarake të armikut, organizoi një kundërsulm tjetër të fuqishëm me dy batalione të Brigadës VII Sulmuese, me një batalion e një kompani të Brigadës XII Sulmuese dhe me një pjesë të forcave partizane të qarkut. Për të mbështetur forcat që do të kundërsulmonin, u caktuar dy batalione të tjera, kurse në rezervë u mbajt një batalion. Natën e 7 qershorit forcat u hodhën të gjitha në kundërsulm duke goditur armikun në Paraspuar, Tërpan e Zhitom. Luftime u zhvilluan shumë të ashpra dhe vijuan gjatë gjithë ditës. Armikut iu morën disa pozicione, duke e detyruar të tërhiqej edhe më prapa.
Në mbrëmje gjendja ndryshoi përsëri. Armikut i erdhën përforcime të tjera, të cilat u hodhën menjëherë në kundërsulm. Në këto kushte forcat partizane mund të vijonin më tej një mbrojtje pozicionale. Brigada VII, duke luftuar nga vija në vijë dhe duke iu shmangur goditjes së forcave të armikut, manovroi e doli në krah e në spinë të tij. Brigada XII Sulmuese dhe batalioni III i Brigadës VII Sulmuese, që nuk mundën të shkëputnin takimin me armikun, duke vijuar luftime nga vija në vijë, u tërhoqën në drejtim të mësymjes së armikut dhe kaluan në zonën e Kurveleshit.
Veprimet luftarake të forcave partizane në drejtimin Berat - Këlcyrë ishin mjaft të suksesshme. Armiku nuk mundi të dilte në luginën e Vjosës në afatet e parashikuara, por me rreth një javë vonesë, duke pësuar humbje të konsiderueshme në forca e në mjete.
Në drejtimin Eleja (Greqi) - ura e Peratit, forcat e Grupit “Shtajrer” lëvizën dhe bllokuan luginën e Vjosës pa u ndeshur me forca të UNÇSH, duke mbyllur rrugët, shtigjet dhe qafat nga Leskoviku, ura e Peratit e më tej në jug gjatë kufirit greko-shqiptar. Përpjekjet e tij për të kryer zbulim drejt perëndimit dështuan, pas goditjeve që i dhanë forcat e Brigadës VIII.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Megjithëse forcat gjermane që vepronin në krahun e djathtë të brezit të mësymjes të Divizionit I malor i kishin realizuar pjesërisht detyrat e ngarkuara, komanda e operacionit filloi mësymjen me forcat kryesore, të cilat i kishte ndarë në katër grupe luftimit dhe u kishte përcaktuar drejtimet e mësymjes. Grupi “Hirshfild” (Hirchfield), që përbënte forcën kryesore goditëse, do të mësynte në qendër, nëd rejtimin Maliq - Lozhan - Nikollarës dhe, pasi të merrte lidhje me forcat e grupit “Burgermaister”, do të vijonte mësymjen në krahun e djathtë të divizionit në drejtimin Osojë -Mazrekë - Kapinovë - Këlcyrë; grupi “Malter” do të mësynte nga vija Çërravë - Prenisht - Guri i Kamjes me detyrë të përparonte në drejtimin Panarit - Frashër - Përmet; grupi “Vill” do të mësynte nga Korça drejt Voskopojës dhe Vithkuqit, mandej do të vazhdonte drejt jugperëndimit në krah të majtë të grupit “Malter”, derisa të dilte në Vjosë; grupi “Daumyler” (Daumüller) do të shtrihej nga Korça në Perat, me detyrë të mbyllte vijën e rrethimit të forcave partizane.
Për të lehtësuar veprimet e forcave që vepronin në krahun e djathtë të brezit të mësymjes, komanda e divizionit me një pjesë të grupit “Malter” dhe me një pjesë të forcave xhandarë e balliste ndërmori veprime luftarake në zonën e Malit i Thatë, Porgradec, Mokër. Luftimet më të ashpra me forcat e Brigadës IV u zhvilluan në qafën e Grabovicës, në Çërrave, në qafën e Plloçës dhe në Gurin e Kamjes. Pas këtyre luftimeve, forcat partizane, pasi i shkaktuan dëme armikut, u tërhoqën më në thellësi, për të zënë pozicione e vija mbrojtjeje më të përshtatshme. Në mbrëmjen e 4 qershorit grupet e luftimit kishin zënë bazën e nisjes për mësymje.
Njësitë e Divizionit I Sulmuese natën e 4-5 qershorit vepronin në drejtime të ndryshme: Brigada I Sulmuese zhvillonte luftime në vijën ura e Moglicës - Shëmbërdhenj - Qafëdardhë; Brigada V Sulmuese marshonte drejt Skraparit për në Potom; Brigada IV bënte rreshtimin e ri të forcave në vijën Goçë -Bosë, Tresovë - Moçan - Osnat - Guri i Kamjes - Qafa e Panjës, ku u vendos edhe batalioni “Reshit Çollaku”, për të mbyllur rrugët, qafat e shtigjet më të rëndësishme. Me forcat kryesore u mbyll lugina e Devollit, me një pjesë forcash drejtimi Guri i Kamjes - Strelcë dhe me një pjesë tjetër u siguruan krahët e forcave kryesore nga goditjet e armikut në drejtimin e Mokrës e të Moglicës. Në krahun e djathtë vepronin batalionet “Skënder Çaçi”, “Tomorri” dhe “Hakmarrja”. Për drejtimin më të sigurt të forcave u krijuan dy shtabe: një për krahun e djathtë (Batalioni II dhe IV) dhe një për krahun e majtë (Batalioni I dhe “Reshit Çollaku”). (skema nr. 42)
Për mbylljen e shtigjeve u përdorën edhe çeta vullnetare. Gjithësek në këto drejtime vepronin rreth 2500 partizanë kundrejt 20,000 gjermanëve e xhandaro-ballistëve. Kështu armiku kishte një epërsi në forca që i kalonte 7-8 herë më shumë. Në planin e përgjithshëm Divizioni I Sulmues po kompaktësonte veprimet luftarake të njësive të tij, nga të cilat dy i kishte në front me armikun, kurse një në marshim nga thellësia drejt frontit.
Në mëngjesin e 5 qershorit forcat e Divizionit I malor kaluan në mësymje në të gjitha drejtimet. Trupat e grupit “Malter” zbritën në lumin Devoll, ato të grupit “Vill”, pas ndeshjes së fortë me batalionin “Skënder Çaçi”, pushtuan Voskopojën dhe dolën në Lavdar të Oparit. Forcat kryesore të Brigadës IV Sulmuese thyen disa sulmet të grupit “Hirshfild”, në perëndimit të Maliqit, në Bode dhe në Shkëmbin e Osojës, por të ndodhur nën goditjen e forcave të shumta të armiku, për të shmangur rrethimin, me urdhër u tërhoqën. Dy batalione të brigadës dhe batalioni “Reshit Çollaku” shkëputën takimin me armikun dhe duke shfrytëzuar hapërsirat ndërmjet kolonave të tij kaluan në pyjet e malit të Gurit me Gjurmë dhe në të të Lenijes. Një kompani e Batalioni IV, pasi çau rrethimin në Bode, u tërhoq në drejtimin e mësymjes armike dhe shkoi deri në Kurvelesh; një tjetër, në pamundësi për të kaluar qafën e Beçit, u kthye në drejtim të kundërt dhe doli në Strelcë. Një kompani e Batalionit I manovroi nëpër zonën e shkelur nga armiku dhe doli në Dardhë. Dy kompani të tjera (një e Batalionit II dhe një e Batalionit IV) me shtabet e batalioneve dhe me komandën e Brigadës IV Sulmuese dolën në malin e Dusharit. Edhe batalioinet “Tomorri”, “Skënder Çaçi” dhe “Hakmarrja”, pas veprimesh të ashpra luftarake me forcat e armikut, u tërhoqën në thellësi të Maleve të Oparit dhe të Frashërit.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Në paraditen e 6 qershorit forcat e Divizionit I malor kishin depërtuar në thellësi të zonës së lirë, rreth 20-25 km dhe kishin dalë në vijën Dushar - Mazrekë - Vithkuq - Ersekë, me front nga jugperëndimi. (skema nr 43)
Grupi “Hirshfild”, pasi pushtoi fshatrat Dushar e Zerec bënte përpjekje për t’u lidhur me grupin për t’u lidhur me grupin 3 “Burgermaister”. Komanda gjermane kërkonte me çdo kushte të mbyllte shtigjet e qafat dhe të bllokonte luginën e Devollit, të Tomorrisës e të Osumit, kapja e të cilave do të rrezikonte seriozisht forcat partizane të Divizionit I Sulmues. Luftimet më të ashpra u zhvilluan me forcat e Brigadës I Sulmuese për kapjen e kurrizit Qafa e Gjarprit - Qafa e Gurit të Prerë. Disa sulme, me forca të shumta e të freskëta, të mbështetura me zjarrin e artilerisë, për të dalë në qafën e Gurit të Prerë për në Qafën e Gjaprit nuk patën sukses. Për të dalë me çdo kusht në krahinën e Tomorricës, armiku ndërroi drejtimin e goditjes kryesore nga Qafa e Gurit të Prerë për në Qafën e Gjarprit.
Forcat e Brigadës I Sulmuese, megjithëse të lodhura nga luftimet e pareshtura që prej 10 ditësh, si dhe duke qenë 4-5 herë më pak në numër, po mbanin me këmbëngulje vijën Qafa e Guri të Prerë - Qafa e Gjarprit. Sulmet gjermane zmbrapseshin vetëm me zjarr të saktë e të befasishëm, që hapej me regjimin të madh kursimi.
Gjendja në frontin e Brigadës I Sulmuese po ndërlikohej nga çasti në çast. Brigada V Sulmuese, e cila kishte marrë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për të sulmuar drejt Sulovës dhe, duke manovruar djathtas e majtas, të lehtësonte presionin mbi Brigadën I Sulmuese kishte arritur në Potom. Pas 20 orësh marshim në dy drejtime, në pasditen e 6 qershorit një pjesë e saj (Batalioni I, III dhe IV) arriti në Strafickë e Postenë dhe pjesa tjetër (Batalioni II dhe V) në Gjerbës e Pogradec.
Për të dështuar synimet e armikut në këtë drejtim, komanda e Divizionit I Sulmues vendosi që me forcat e të dyja brigadave të jepte një kundërsulm të fuqishëm mbi forcat e grupit “Hirshfild”. Kundërsulmin u caktuan ta bëjnë dy batalione të Brigadës V Sulmuese dhe një kompani e Brigadës I Sulmuese, ndërsa për të mbështetur u caktuan një batalion i Brigadës V Sulmuese dhe dy batalione të Brigadës I Sulmuese. Forcat do të sulmonin duke pasur rendim luftimi në një vijë me rezervë për të ruajtur krahun e djathtë nga drejtimi i Mazrekës. Çdo batalioni iu caktua një front sulmi. Prej 700-1000 m, kompanive 200-300 m dhe skuadrave 50-70 m. Thellësia e detyrës së batalionit arrinte 2000-2500 m, gjithsej merrnin pjesë rreth 1000 luftëtarë (500 në mbështetje) kundrejt 2000 gjermanëve të përforcuar me rreth 45 gryka zjarri. Raporti i përgjithshëm i forcave ishte gati 2:1 në dobi të armikut, por në sektonin e sulmit ai ishte më i vogël.
Komandantët e batalioneve njohën me shpejtësi terrenin, caktuan vendndodhjen e armikut dhe vijën që do të zihej për sulm. Detyrat luftarake u dhanë në ecje e sipër. Vija e sulmit u zu në errësirë dhe në takim të drejtpërdrejtë me armikun. Për disa nënreparte u treguan vetëm drejtimi dhe objekti i sulmit. Për drejtimin e luftimit, shokët e komandës dhe anëtarët e shtabeve u shpërndanë nëpër kompani
Kundërsulmi filloi pa bërë asnjë përgatitje me zjarrin e mortajave e të mitralozave. Vetëm në kohën kur luftëtarët nisën sulmin ndaj ushtarëve gjermanë që ndodheshin poshtë, hapën zjarr mitralozat e caktuar për mbështetje kundër armëve të rënda të armikut që demaskoheshin nga flakët e të shtënave, si dhe në drejtimet nga dëgjoheshin zërat e ushtarëve gjermanë.
Forca gjermane nuk e përballuan dot vrullin e forcave sulmuese dhe u tërhoqën me luftime deri afër fshatit Dushar, ku kishin forca të shumta dhe një vijë mbrojtjeje. Luftimet vijuan të ashpra deri në ndeshje trup më trup. Nisma e veprimeve luftarake kalonte sa nga njëra anë në tjetrën. Pas 5 orësh luftimesh gjermanët u thyen dhe u zmbrapsën në një thellësi rreth 2 km. Me plotësimin e detyrës nënrepartet u tërhoqën pjesë-pjesë dhe me kërcime bazë skuadre e grupi duke mbështetur njëri-tjetrin. Batalioni I i Brigadës I Sulmuese dhe një kompani e po kësaj brigade qëndruan në pozicionet e Qafës së Gjarprit e të Gurit të Prerë për të kryer detyrën e praparojës. Këto forca, pasi u shkaktuan humbje gjermanëve, që u hodhën në sulm për të marrë Qafën e Gjarprit, u tërhoqën në thellësi drejt Sulovës.
Forcat e Divizionit I Sulmues në kundërsulmin e Qafës së Gjarprit e të Gurit të Prerë i dhanë goditje grupit “Hirshfild”. Komanda e Divizionit I malor hoqi dorë nga plani për të rrethuar e shkatërruar forcat partizane në pellgun e Tomorricës. Sipas pohimeve të armikut “...që prej Harkovi**, nuk është zhvilluar asnjë luftim i tillë natën dhe nuk është vërejtur një pamje e tillë shkatërrimi sa i përket të vrarëve”*
* “Dokumente gjermane”, f.314-670, datë 12.6.1944.
**Harkov (Kharkov/Kharkiv), qytet në Ukrainën veriore ku janë zhvilluar luftime të ashpra midis ushtrisë naziste dhe asaj të kuqe.
Kundërsulmi natën i Divizionit I Sulmues në Qafën e Gjarprit dhe në Gurin e Prerë ishte i pari ku morën pjesë shumë forca, rreth 5 batalione. Ai u organizua në kohë shumë të kufizuar dhe u krye në kushte të errësirës së plotë. Luftime zgjatën gati 10 orë. Në këtë kundërsulm rendimi i luftimit përbëhej nga forcat kundërsulmuese, ato mbështetëse dhe rezerva.
Kundërsulme të suksesshme zhvilluan forcat e Brigadës I e asaj V Sulmuese edhe në drejtim të Shëmbërdhenjit e të Qafëdardhës. Pas kapjes së Qafës së Gjarprit dhe Qafës së Gurit të Prerë, forcat e Divizionit I malor kishin dalë në shpinë të forcave që mbronin drejtimin e Tomorricës. Në këto rrethana Komanda e Divizionit I Sulmuese urdhëroi që të mbahej me këmbëngulje Qafëdardha, ndërsa batalionet e Brigadës I e asaj V Sulmuese të linin Shëmbërdhenjin dhe të zhvendoseshin rrëzës së Tomorrit. Ideja e shkëputjes së takimit me armikun dhe e tërheqjes së forcave kryesore ishte që brigadat e Divizionit të mbështeteshin në malin e Tomorrit. Kjo do t’u jepte mundësi atyre që me përpjekje të gjithanshme të çanin rrethimin në pikën më të dobët të armikut dhe të ruanin gatishmërinë luftarake.
Me kalimin e forcave të Divizionit I malor gjerman drejt jugperëndimit, forcat e UNÇSH ndërmorën veprime luftarake aktive në Kolonjë, në Dangëlli, në Skrapar, në Përmet e në Tepelenë. Këto luftime patën karakter pengues e manovrues, për të ndaluar përparimin e mëtejshëm të armikut. Tipare dalluese të tyre ishin dhënia e kundërsulmeve nga krahët me forca të përqendruara nga dy drejtimet, duke përdorur me mjeshtëri befasinë e zjarrit e të veprimit, organizimin e mbrojtjes me pozicione luftimi në lartësi zotëruese, tërheqjen e organizuar të forcave dhe nxjerrjen e tyre në shpinë të armikut, duke manovruar nëpër pyje e rrugë pa rrugë, organizimin e zbulimit të hollësishëm ndaj çdo lëvizjeje të armikut dhe bashkëveprimin e ngushtë e të pandërprerë ndërmjet brigadave, batalioneve territoriale dhe popullatës vendase.
Luftimet më të rëndësishme u zhvilluan në drejtimet: Orgockë - Frashër - Përmet nga Brigada III Sulmuese dhe batalionet partizane “Tomorri” e “Hakmarrja” kundër grupit “Malter”, “Vill”, e “Daumyler”; në grykën e Vjosës - Perat - Përmet nga Brigada VIII Sulmuese dhe një pjesë e Brigadës II Sulmues kundër grupit “Shtajrer”. Pas këtyre luftimeve pjesa më e madhe e tyre dolën në shpinë të forcave gjermane, ndërsa disa nënreparte e reparte të veçuara të Brigadave II, III, IV u futën në zonën e Kurveleshit.
Në përfundimin e etapës së parë të mësymjes, forcat e Divizionit I malor bllokuan të gjithë luginën e Vjosës, megjithëse përshkuan të të brezin e fshirjes, detyrën kryesore, shkatërrimin e UNÇSH, nuk e kishin plotësuar. Njësitë e repartet e UNÇSH dhe batalionet e qarkut të Korçës, të Beratit, të Elbasanit, ruajtën ndërtimin organizativ dhe aftësitë e tyre të veprimit. Popullsia e larguar dhe e strehuar nëpër pyje e male u kthye përsëri në fshatrat e saj.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Veprimet luftarake të UNÇSH në etapën e dytë të mësymjes së përgjithshme gjermane u zhvilluan në zonën e Mesaplikut, Kurvelesh, Bregdet (skema 44). Forcat gjermane do të mësynin në formë bashkëqendrore: nga vija Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë Divizioni I malor dhe grupi “Shtajrer” me 22,000 trupa: nga vija Memaliaj, Mavrovë, Dukat, Divizioni 297 me gjithësj 8000 trupa.
Komanda e Divizionit I malor i rreshtoi forcat për të kaluar në mësymje në drejtimet: Gryka e Bënçës - Progonat; Fushë Bardhë - Kapariel; Sarandë - Borsh; lugina e Kalasës - Kuç; Salari - Gusmar; Vajzë - Gjorm; Kuç dhe Dukat - Mali i Çikës - Qafa e Shëngjergjit.
Në zonën Mesaplik, Kurvelesh, Bregdet vepronte Brigada VI Sulmuese (me dy batalione në Mesaplik de dy të tjerë në Bregdet); Grupi I i Zonës I Operative i vendosur në Salari, Veliqot, Picar e Tatzat dhe forcat e tjera të UNÇSH të ardhura si pasojë e trysnisë së forcave të shumta të armikut (Br XIIS, b3 i Br IIIS, b3 i Br VIIS, një kompani e Br IVS). Numri i përgjithshëm i forcave arrinte 3000 partizanë dhe rreth 2000 luftëtarë të batalioneve vullnetare territoriale. Raporti i forcave ishte 6:1 në të mirë të armikut, ndërsa në disa drejtime ai arrinte 8-10 me 1.
Komanda gjermane para se të fillonte në shkallë të gjerë veprimet luftarake, u orvat të nxirrte forcat e saj në vijë më të përshtatshme, me qëllim që t’i grumbullonte forcat e UNÇSH në një zonë më të kufizuar. Kundër tyre forcat e UNÇSH zhvilluan luftime të shkurtra, duke përdorur gjerësisht pritat, të gërshetuara me sulme e kundërsulme të shpeshta. Ndër më kryesoret prej tyre u zhvilluan në Zagori midis lumenjve Vjosë e Drinos nga Brigada VIII kundër trupave gjermane të grupit “Vill”, “Malter” dhe “Shtajrer”; në grykën e Salarisë nga Batalioni III i Brigadës XII Sulmuese kundër batalioneve të regjimenteve 523 e 524 të Divizionit 297; në Mesaplik nga Batalioni III dhe IV të Brigadës VI Sulmuese kundër një batalioni të Regjimentit 523. Në këto luftime forcat e UNÇSH, duke bashkëvepruar me forcat territoriale vendase i shkaktuan dëme armikut.
Luftimet në rrethim dhe dalja nga ai, që u zhvilluan prej 15-23 qershorit, ishin nga më të ashprat dhe më heroiket. Forcat partizane, megjithëse më të pakta në numër, por më të lehta e më të shkathta se forcat gjermane dhe duke përdorur gjerësisht sulmin, u mbrojtën me sukses në të gjitha drejtimet.
Grupi “Hirshfild” dhe forcat e Divizionit 297 nuk e thyen dot qëndresën e Brigadës XII Sulmuese e të Batalionit II të Brigadës VII Sulmuese në Qafën e Kreshtës dhe në lartësinë sunduese mbi Bënçë. Forcat e grupit “Shtajrer” me humbje të mëdha mundën të pykëzoheshin disa kilometra në thellësi të grykës së Kardhiqit. Luftime të ashpra u zhvilluan në Tatzat e sidomos në kalanë e Borshit nga forcat e Brigadës VI Sulmuese. Në luginën e Shushicës sulmet e 4000 ushtarëve gjermanë u thyen disa herë. Forcat e Brigadës VI Sulmuese u zhvendosën më në thellësi vetëm atëherë, kur trupat e tjera gjermane u dolën në krah dhe kishin zënë të gjitha shtigjet nga ana e Dukatit dhe Llogarasë, ashtu edhe nga ana e malit të Gribës. Vetëm pas tri ditësh luftime të rrepta e të përgjakshme me trupat e shumta gjermane forcat e UNÇSH që vepronin në Kurvelesh, në Mesaplik e në Bregdet, u detyruan të zhvendoseshin e të futeshin në një zonë të ngushtë rrethimi, vija e së cilës kalonte në Fterrë - Kapariel - Lekdush - Nivicë - Qafë Shkallë - Ramicë - Vranisht.
Rajoni i manovrimit të forcave të UNÇSH u kufizua së tepërmi. Në Vranisht e në Ramicë ndeshja me armiqtë u ashpërsua më shumë. Kodrat rreth Vranishtit u morën tre herë nga gjermanët dhe tre herë u rimorën nga forcat e Batalionit IV të Brigadës VI Sulmuese. Për ndalimin e mësymjes së forcave të mëdha gjermane në drejtim të Ramicës u fut në luftim dhe Batalioni V. Ky veprim i detyroi armiqtë të ndaleshin. Megjitatë të mbuluar nga zjarri i artilerisë, trupat gjermane dendësuan sulmet e tyre për të çarë drejt Kuçit e Kurveleshit. Më 19 qershor ata u futën në Kurvelesh nga të gjitha drejtimet dhe u kishte mbetur pa shkelur një rajon prej 70 km2, kryesisht vargmali në lindje të Bolenës (Çipini i Bolenës), Çipin i Kunjovës dhe mali i Këndrevicës.
Në këtë gjendje tepër të vështirë komandat e brigadave u vunë detyrë batalioneve të shkëpusnin takimin me armikun dhe me mënyra të ndryshme të çahej rrethimi në pikat më të dobëta të tij. Komdana e Brigadës VI Sulmuese orientoi forcat që, pas daljes nga rrethimi, të përqëndroheshin me batalionet në malet e Koçunit, Babrushtit, Kaparielit, Golëmit e Zhulatit. Forcat e Brigadës XII Sulmuese do të manovronin në rrugëkalime të ndryshme drejt verilindjes e të dilnin në rajonet e malit të Golëmit e të Cepos. Nga këto rajone forcat partizane do të ndërmerrnin veprime sulmuese në shpinë të kolonave gjermane që ishin pykëzuar në brendësi të zonës.
Shkëputja e plotë e takimit me forcat gjermane u bë në pasditen e 19 qershorit. Batalioni i Brigadës III manovroi midis zbrazëtive të forcave gjermane nga mali mbi Picar, në afërsi të Fushë-Bardhës, në malin e Gjerë, në Prongji dhe pas 24 orësh u përqendrua në stanet e Kardhiqit pa u ndeshur me armiqtë. Forcat kryesore të Brigadës VI, XII Sulmuese, batalioni i Brigadës VII Sulmuese dhe ato të Zonës I Operative manovruan gjatë natës 20-21 qershor në zonën e rrethimit për të gjetur shtigje daljeje. Tre batalionet e Brigadës XII Sulmuese dhe një pjesë e batalioneve të Zonës I Operative, duke mos çarë dot rrethimin drejt Golëmit, u kthyen prapa dhe u futën në Shurin e Kuçit. Edhe batalionet e Brigadës VI Sulmuese nuk mundën të çanin drejtimet e caktuara. Ata, pasi bënë edhe përpjekjet e fundit për të çarë drejt maleve të Golëmit, u detyruan të tërhiqeshin e të hynin në grykën e Kuçit. Në këtë grykë, rreth 8 km2, mbetën të rrethuar afro 1500 partizanë e vullnetarë, dhe shumë gra, pleq e fëmijë. Gjendja paraqitej tepër e vështirë. Mungonin municionet e ushqimi. Gjermanët e tradhtarët kishin zënë pozitat sunduese duke mbyllur të gjitha qafat e shtigjet në malin e Papadhisë, në malin e Gjatë, në Qafën e Buzë Gomares, në Rad e në Kuç.
Në këtë gjendje komanda partizane hodhi poshtë propozimin e oficerëve britanikë për t’u dorëzuar te gjermanët.
Komanda gjermane, për copëtimin dhe asgjësimin e forcave të rrethuara në grykën e Shurit, sulmoi drejt qendrës nga dy drejtime: nga Radi dhe nga Kuçi. Për të penguar sulmin gjerman u vendosën katër kompai në pozicione luftimi tek shkëmbinjtë që ndodheshin në të dyja anët e grykës, ndërsa forcat e tjera morën detyrë të çanin rrethimin përmes formacioneve të ushtrisë naziste, qoftë edhe me luftim. Shumica e këtyre forcave gjarpëruan nëpër shtigje më të vështira, drejt veriperëndimit, për të dalë në pyjet e Kunjovës dhe në malin e Çipinit të Bolenës, ndërsa pjesa tjetër drejt verilindjes. Qëndresa e fortë dhe zjarri i befasishëm i forcave të UNÇSH në shkëmbinjë e Radit i çorientoi forcat gjermane. Ata, duke menduar se nga këta shkëmbinj ishte drejtimi i tërheqjes së partizanëve, manovruan dhe sollën këtu forcat që kishin në drejtimet e tjera. Me këtë veprim komanda gjermane u mashtrua, pasi liroi drejtimet, nga ku çanë rrethimin forcat e UNÇSH.
Duke shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin, shiun e rrëmbyeshëm dhe mjegullën e dendur, forcat partizane çanë rrethimin me kompani e njësit të vogla, të cilat pas dy-tre ditësh u bashkuan në batalione.
Grumbullimi i brigadave u bë në kohë dhe në vende të ndryshme: Brigada VI Sulmuese në Kuç më 25 qershor dhe Brigada XII Sulmuese në Gusmar ditët e para të korrikut. Forcat e Zonës I Operative manovruan në malet e Kurveleshit dhe dolën përsëri në zonën e mëparshme të veprimit, ndërsa repartet e njësive të tjera morën drejtimet Tepelenë-Këlcyrë për tu bashkuar me brigatat e tyre.
Armiku u largua nga kjo zonë me humbje të rënda dhe pa i realizua objektivat e tij.
Luftimet në rrethim dhe dalja nga ai i forcave të deri dy brigadave e të një pjese të batalioneve të Zonës I Operative ishte tipari themelor i veprimeve luftarake të UNÇSH gjatë përballimit të etapës së dytë të mësymjes së armikut. Përballimi i mësymjes bashkëqendrore në disa drejtime të forcave të armikut u bë duke organizuar mbrojtjen nga vija në vijë, duke thyer disa herë sulmet e forcave shumë superiore të armikut.
Në çastet kur perimetri i rrethimit u ngushtua së tepërmi dhe zona e rrethimit arriti në rreth 8 km2, forcat partizane, duke shfrytëzuar terrenin malor, kushte atmosferike, shiun e mjegullën, me nënreparte të vogla arritën të çanin rrethimin e të dilnin prej tij. Në themel të këtij veprimi ishte mashtrimi i armikut, qëndresa me zjarr në një drejtim dhe depërtimi nëpër ndërhapsirat në drejtimet e tjera. Një rol të rëndësishëm në këtë veprim luajtën heroizmi e trimëria, disiplina e partizanëve dhe qartësia e komandave për të marrë vendime të drejta, si dhe manovra e shpejtë dhe e fshehtë nga një drejtim në drejtimin tjetër. Dalja me sukses nga rrethimi dëshmon, se edhe në kushte shumë të vëshira të situatës, mund të gjenden rrugët e mënyrë për ta çarë atë.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.