Partizanët e batalionit "Hakmarrje" bëjnë betimin para Enver Hoxhës
Nga fundi i vitit 1942 dhe fillimi i vitit 1943, çetat partizane e territoriale si dhe njësitet guerile në qytet shënuan një rritje të ndjeshme sasiore. Numri i çetave partizane në të gjithë vendin arrinte në 40 dhe shkonte gjithmonë drejt rritjes. Pikërisht në këtë periudhë të këtyre ndryshimeve të vrullshme në fushën e kryengritjes së armatosur, u mblodh Konferenca e Parë e Vendit, e cila dha orientimet bazë për krijimin e Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare. Orientimet themelore të Konferencës në fushën e organizimit ushtarak i zbërtheu Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare në Qarkoren e 10 prillit të vitit 1943.
“Përpara nesh - theksohej në këtë qarkore, - po hapen perspektiva të mëdha për organizimin e njësive më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane dhe Vullnetare Shqiptare (UNÇPVSH); tani s’na paraqiten vetëm aksione të vogla, por na paraqitet çështja e çlirimit të Shqipërisë, dhe kjo gjë nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë çetave, por ka nevojë për një ushtri të rregullt. Që mund të bëjmë këtë gjë, duhet të bëhet mobilizimi i gjerë dhe krijimi i çetave, batalioneve, aradheve dhe njësive më të mëdha.”* Ishin pjekur kushtet për të bërë një hap cilësor në organizimin ushtarak të formacioneve partizane, duke kaluar së pari në batalione.
* Enver Hoxha, “Vepra”, vëll. 1, bot 2, Tiranë, 1983, f.345.
Formimi i batalioneve partizane filloi menjëherë pas Konferencës së Parë të Vendit, e, sipas kushte, brenda dy muajve u shtri në të gjithë vendin. Në fillimi u krijuar batalioni i Pezës në mars të vitit 1943, i cili përfshinte 4 çeta partizane me 250 luftëtarë. Pas kësaj në fillim të majit të vitit 1943 u krijuan në qarkun e Korçës batalionet partizane “Ali Kelmendi”, “Themistokli Gërmenji”, “Fuat Babani”, “Çlirimi”, “Hakmarrja”, “Tomorri”, “Mokra”, në qarkun e Gjirokastrës batalioni “Çamëria”, në qarkun e Elbasanit batalioni partizan e Çermenikës dhe i Dumresë.
Në muajin qershor të vitit 1943 u krijuan batalionet partizane “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” në Qarkun e Vlorës, “Riza Cerova” në qarkun e Beratit, “Naim Frashëri” në qarkun e Gjirokastrës, batalioni partizan i Martaneshit në qarkun e Elbasanit, etj. Sipas porosive të Komitetit Qendror të PKSH, përurimi i batalioneve partizane u bë me mitingje të gjera popullore. Këto mitingje, ku merrte pjesë gjerësisht popullsia e krahinës, kishin rëndësi politike, se tregonin forcën e LANÇ dhe shërbenin edhe si forma të punës propagandistike të Partisë Komuniste për të tërhequr gjerësisht popullsinë civile në batalionet partizane që po krijoheshin. Çdo batalioni partizan i dorëzohej flamuri luftarak nga i deleguari i Komitetit të Partisë të qarkut.
Për krijimin e batalioneve partizane u ndoqën dy rrugë; nëpërmjet bashkimit të 3-4 çetave partizane dhe mbi bazën e zgjerimit të një çete partizane. Numri i partizanëve në një batalion shkonte nga 200 deri në 270 luftëtarë, armatimi i tyre varej nga përmirësimet që ishin bërë në armatimin e çetave partizane. Në fillim të vitit 1943 çetat partizane, në sajë të aksioneve mbi armiqtë, kishin siguruar kryesisht pushkë italiane, numri i të cilave në batalion ishte mbi 200. Përmirësime parti në armët automatike dhe mitraloza të lehtë e të rëndë. Kështu, p.sh. Në luftën e Leskovikut një çetë partizane, veç armatimit vetjak, kishte 3-5 mitraloza të lehtë. Çdo partizan kishte 50-70 fishekë për pushkë, ndërsa çdo mitraloz kishte 300-500 fishekë dhe çdo mortajë 15-20 predha. Një batalion partizan zakonisht vep 9-10 mitralozave të lehtë kishte edhe 3-4 mitraloza të rëndë. Interesimi i Komitetit Qendror të PKSH ishte i vazhdueshëm për të siguruar sidomos armë automatike të rënda dhe mortajat e vogla. Nga aksionet e ndryshme luftarake KQ i PKSH kishte krijuar një rezervë të armëve të rënda dhe një pjesë i shpërndau në qershor të vitit 1943. “8 mitraloza të rëndë italianë “Breda” iu dhanë forcave partizane të Korçës, 8 në Vlorë, 8 në Gjirokastër dhe 6 në Pezë. Për secilin mitraloz u dhanë nga 1000 fishekë”* Me gjithë rezervën e krijuar, problemi i armatimit dhe i municionit mbetej gjithnjë i mprehtë. Rruga kryesore për sigurimin e tyre nga batalionet partizane ishin veprimet luftarake me armikun.
* AQP, fondi 17, dosja 1, fleta 6/1, 12 Qershor, 1943
Nga vetë rritja e përmirësimi i armatimeve të rënda në batalionet partizane u shfaqën dis dukuri të reja si krijimi i skuadrave mitraliere dhe i mortajave. Krijimi i këtyre skuadrave përbënte një hap të rëndësishëm drejt krijimit të armës së artilerisë. Kjo ishte e lidhur me organizimin e ri ushtarak dhe me vetë detyrat që kryenin batalionet partizane. Për herë të parë skuadrave e mortajave u shfaq në luftën e Leskovikut në maj 1943 dhe e përligji veten. Krijimi i skuadrave të mortajave u ndje si domosdoshmëri dhe ishte një provë e nevojshme për ta zhvilluar atë më tej. Në përbërje të batalioneve u krijuan edhe skuadrat minatore e xheniere, të cilat hodhën bazën e armës së xhenios. Në përbërjen e tyre ishin 5-7 deri në 10 partizanë, të cilët kishin njohuri për llojet e minave dhe për përdorimin e tyre. Këto skuadra vepruan me sukses në luftën e Leskovikut e sidomos atë të Përmetit, kryesisht gjatë organizimit të pritave për minimin e rrugëve dhe për prishjen e tyre.
Krahas elementëve bazë të llojeve të armëve në këtë fazë të luftës u zhvilluan disa lloj shërbimesh të batalioneve partizane, por edhe në shkallë zone. I rëndësishëm është sidomos zhvillimi i shërbimit të ndërlidhjes. Përsëri baza e shërbimit të saj mbetën korrierët, veçse numri i tyre u rrit. Pranë komandës së batalioneve u krijua skuadra e korrierëve me 5-7 partizanë. Ndërsa çdo çetë partizane në përbërje të batalionit kishte 1-2 partizanë korrierë të përhershëm. Megjithëse korrierët kishin detyrë kryesore ndërlidhjen midis çetës e batalionit ose edhe me shtabet e qarkut, ata merrnin pjesë në luftime. Shërbimit të ndërlidhjes iu kushtua e veçantë për vetë karakterin e luftës që bënin batalionet partizane Në qarkoren e 10 prillit të vitit 1943 porositej: “Ajo (aradhja) duhet të ketë lidhjen e gjallë me anë të dy korrierëve shumë të vendosur dhe antarë partie, të cilët do të bëjnë postën e shtabit të zonës, prej të cilit do të merren udhëzimet e planet e luftës. Derisa të krijohen aradhet, po këtë gjë duhet të bëjnë çetat e batalioinet.”*
* Enver Hoxha, “Vepra”, vëll. 1, bot 2, Tiranë, 1983, f.346.
Një dukuri e re në shërbim të ndërlidhjes ishte përdorimi nga batalionet e linjës telefonike kryesisht në zonat e çliruara. Për kryerjen e këtij shërbimi ngarkoheshin partizanët nga forcat territoriale dhe simpatizantë që punonin më parë në këto centrale telefonike.
Në llojet e shërbimeve zhvillim të dukshëm mori shërbimi i intendencës (prapavijës). Në këtë shërbim marrin trajta të veçanta shërbimi i furnizimit me municione e armatim, shërbimi për ushqim e veshmbathje, ai shëndetësor, etj. Shërbimi i furnizimit me armatim e municion ishte i mpleksur me atë të ushqimit e veshmbathjes. Megjithatë në luftën e Leskovikut e në Përmet gjatë luftimit u ngarkuan partizanë të veçantë me detyrën e furnizuesit me municion dhe me ushqim. Në batalionet partizane ndihej mjaft nevoja e këtyre shërbimeve, duke pasur parasysh sasinë e armatimit dhe shtimin numerik të batalioneve. Për këtë arsye pranë komandës së batalioneve u krijuar shërbimi i intendencës, po ashtu edhe pranë shtabeve të qarqeve. Krijimi i intendencës së batalionit tregon për ngritjen e nivelit të shërbimit të prapavijës. Intendenca e batalioneve organizoi furnizimin e tyre si para, gjatë dhe pas luftimeve. Pranë çdo batalioni partizan caktoheshin kuzhinierë madhe edhe furrtarë, si në zonën e Pezës. Në këtë fazë të kryengritjes së armatosur u vunë re disa dukuri të reja në shërbimin e prapapvijës. Shtimi i përmasave të aksioneve e luftimeve e rriti në mënyrë të ndjeshme sasinë e armatimeve e municioneve të zëna armikut. Nga ana tjetër, nëpërmjet aksioneve të njësive guerile në qytete u siguruan sasi të mëdha guri, mielli e produkte të tjera ushqimore. Kështu që intendenca e çdo batalioni partizan filloi të krijonte rezervat e veta në armatim, sidomos në municion dhe ushqime. Në shkurt të vitit 1943 porositeshin komitetet e Partisë Komuniste të qarqeve: “Mbasi paraqitet nevoja ushqimore për çetat tona, shokët duhet të veprojnë në këtë mënyrë: kur hapen depot, duhet të mbledhin katundarët e popullin e një konferencë t’i bindin ata se duhet t’u lënë shokëve një sasi misri ose gruri, sepse nevoja do të jetë shumë e madhe. Mundësisht duhet të përgatiten depot tona.”* Sipas këtyre porosive në bazat partizane të qarkut të Tiranës, të Vlorës, të Beratit, të Korçës, të Gjirokastrës, etj, u krijuan depo të fshehta për ruajtjen e këtyre materialeve. Një pjesë Një pjesë e këtyre rezervave ishte në dorën të batalionit partizan, tjetra ishte në dorë të shtabit të qarkut. Ndërsa një pjesë përbënte rezervën strategjike, që ishte në dorë të Komitetit Qendror, i cili me perspektivë do ta përdorte për krijimin në të ardhmen të brigadave partizane. Në shërbimin e prapavijës në shkallë qarku filluan të ngriheshin punëtoritë e para partizane për riparimin e armëve dhe veshmbathjeve. Këto punëtori u ngritën në zonat e lira si në Lavdar të Korçës, në Zagori të Gjirokastrës, në Pezë, në Kurvelesh, etj.
* Enver Hoxha, “Vepra”, vëll. 1, bot 2, Tiranë, 1983, f.316.
Një element i rëndësishëm i shërbimit të prapavijës ishte ai shëndetësor. Në batalionet partizane në këtë kohë mjekët ishin të rrallë, por kishte partizanë infermierë, që mbanin disa materiale shëndetësore më të domosdoshme në çantat sanitare. Gjatë luftës së Përmetit u morën masa dhe u hapën dy vendmjekime për të plagosurit rëndë, ku shërbenin skuadra sanitare e infermierë, që kishin bërë kurse për këtë qëllim. Në disa udhëzime të Komitetit Qendror të PKSH në 6 mujorin e parë të vitit 1943 kërkohej me këmbëngulje që në qytet dhe në fshat të ngriheshin kurset e infermierëve me vajza të reja dhe gra. Tani kishte ardhur koha që të krijoheshin edhe spitalet partizane për të plagosurit rëndë. Kështu, në zonën e Korçës, në qershor të vitit 1943, filloi puna për ngritjen e spitalit partizan me 15-20 shtretër dhe tre-katër mjekë e disa infermierë. Në shërbimin shëndetësor përhapje të gjerë kishin metodat popullore të mjekimit nga armët e zjarrit. Megjithatë në raste të veçanta partizanë të plagosur rëndë u futën dhe u mjekuan ilegalisht në spitalet e qyteteve ose në bazat ilegale në qytete.
Krijimi i skuadrave të llojeve të armëve dhe shërbimeve në batalionet partizane përbën një ndryshim të dukshëm në organizimin ushtarak të formacioneve partizane në këtë periudhë.
Drejtimi i batalionit bëhej nga komanda e tij, në përbërje të të cilit bënte pjesë komandanti, komisari, zëvendësit e tyre dhe intendenti i batalionit. Komanda dhe shtabi i batalionit ende ishin një organ, por krijimi i funksionit të intendentit shënon premisën e parë për krijimin e shtabit të batalionit, i cili do të kishte përmirësime strukturore në fazat e tjera të LANÇ.
Përpara komandave të batalioneve partizane shtroheshin detyra më të gjera e më komplekse për edukimin dhe stërvitjen e partizanëve. Nuk shtrohej më vetëm çështje e mësimit dhe e përvetësimit të armës vetjake, por kërkohej që çdo partizan të arrinte të mësonte e të përdorte mitralozin e lehtë ose të rëndë.
Në stërvitje jepeshin njohuri më të gjera taktike dhe merrte rëndësi bashkëveprimi në luftim. Me komandat e çetave partizane, komanda e batalionit herë pas here organizonte dhënie njohurish për bashkëveprimin, organizimin dhe zhvillimin e luftimeve për marrjen e qendrave të banuara dhe fortifikatave. Rëndësi merrte njohja e terrenit. Ndryshe nga periudhe kur veprohej me çeta partizane, kur njohja e terrenit bëhej në vendin e aksionit, pak kohë para se ai të fillonte, tani ajo bëhet më e gjerë. Kështu, disa ditë para se të fillonte lufta e Përmetit, shtabi operativ organizoi me disa komanda të batalioneve partizane njohjen e terrenit, sidomos për objektin e fortifikuar të Kuqarit. Pas saj u dha urdhri i luftimit.
Ndryshimet strukturore që ndodhën me organizimin e batalioneve bënë të mundur që gjatë luftimeve të krijohej rezervë në dorë të komandës. Në ndonjë rast, si në Pezë, kjo rezervë ishte një çetë partizane e përhershme pranë shtabit të batalionit. Rezerva, tashmë, dalëngadalë, mori formë si pjesë e strukturës organizative të batalionit partizan.
Veprimtaria e batalioneve partizane në fillim udhëhiqej drejtpërdrejtë nga komitetet e partisë komuniste të qarqeve. Me krijimin e shtabeve të qarqeve drejtimi i tyre u përsos më tej. Ideja e Komitetit Qendror të PKSH ishte të krijoheshin shtabe në disa zona, ku të përfshiheshin dy ose tri qarqe. “Nga çështja teknike dhe praktike, udhëzonte KQ i PKSH është parë që ekzistenca e çetave dhe veprimtaria e tyre nuk mund të drejtohet vetëm nga ana e udhëheqësve të çetës, por duhet që të krijohet shtabi i zonës së operacionit.”* Shtabet e qarqeve kishin detyrë të organizonin e të mbanin bashkëveprimin brenda zonës e qarkut, por ndërmjet qarqeve.
* Enver Hoxha, “Vepra”, vëll. 1, bot 2, Tiranë, 1983, f.345.
Ashtu si në çetat partizane edhe në batalione u forcua roli udhëheqës i Partisë Komuniste. Sipas vendimeve të Konferencës së Parë të Vendit të PKSH, në batalione u dërguan mjaft komunistë nga qyteti. U forcuan celulat e partisë të çetave dhe u krijuan atë pranë shtabeve të batalioneve, të cilat drejtonin e kontrollonin gjithë veprimtarinë e komandave dhe të shtabeve të batalioneve. Për udhëheqjen ë të mirë të të gjithë punës, në batalion u krijuan byrotë (zyrat) e partisë të batalionit. Detyra e organeve e celulave të partisë tani ishin më të mëdha. Lëvizshmëria e madhe e batalioneve, nga një zonë në tjetrën, kërkonte lidhje e bashkërendim më të mirë me celulat e partisë dhe këshillat nacionalçlirimtarë të terrenit.
Kalimi dhe ngritja e batalioneve partizane në të gjithë vendin shënon shkallën më të lartë të organizimi ushtarak për gazën e parë të kryengritjes së armatosur. Gjithnjë e më shumë ishin pjekur kushtet për të kaluar në njësi më të mëdha ushtarake e fillimisht në krijimin e brigadave partizane.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.