Trupat britanike marshojnë drejt pozicioneve të zjarrit në kodrat e Spillesë
Operacioni "Healing II”* ose i quajtur ndryshe “Operacioni i Spillesë”, ishte një operacion ushtarak me karakter sulmues i realizuar nga njësitë Komando të ushtrisë britanike në zonën e Himarës në datat 28-29 korrik 1944. Ky operacion u organizua nga komanda aleate e mesdheut me qendër në Bari të Italisë, në bashkëpunim me agjentët e SOE (Special Operations Executive - Ekzekutivi i operacioneve speciale) të vendosur në Shqipëri dhe me miratimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Ky ishte operacioni i parë uhtarak britanik në Shqipëri, i cili do të pasohej nga operacioni i dytë, ai i çlirimit të qytetit të Sarandës.
*Ang - Shërimi.
Komandanti i misionit britanik në Shqipëri, Kolonel Lejtnant Alan Palmer i kërkoi Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH Enver Hoxha, në emër të Komandës Aleate të Mesdheut, lejen për organizimin e një operacioni në Himarë. Shtabi i Përgjithshëm e miratoi lejen por me kusht që trupat britanike të tërhiqeshin pas realizimi të operacinit. Enver Hoxha u propozoi britanikëve që operacioni të kryhej në bashkëpunim me forcat e UNÇSH, por ata refuzuan. Operacioni dështoi dhe trupat britanike u detyruan të tërhiqen duke ia lënë kështu vazhdimin e tij forcave partizane që ishin në pritje. Më poshtë do të paraqiten veprimet, këndvështrimet dhe intepretimet e ngjarjeve nga dyja palët.
Gjiri i Spillesë në Himarë
Disa nga ushtarët e njësisë komando që morën pjesë në luftimet e Spillesë
…Vështirësitë e zhvillimit me sukses të një operacioni në terrenin shkëmbor të Shqipërisë dhe të marrëdhënieve me një popullsi që shpesh i jepte Gjermanëve informacion mund të vlerësohet nga citimet për Urdhërin e Shërbimeve të Shquara të Alan Palmerit që ndodhet në Shtojcën 1 më poshtë.* Citimet marrin vlerë për shkak se përshkruajnë ngjarjet që shpunë tek vendimi për të zbarkuar në bregdetin shqiptar forcat No. 2 Komando.
*Autori parashtron që në hyrje argumentet për justifikimin e disfatës së njësive britanike duke fajësuar përveç terrenit të ashpër shkëmbor edhe popullsinë civile.
Objektivi i operacionit "Healing II" ishte hapja e bregut të detit në zonën e Himarës, në mënyrë që aty të shkarkoheshin furnizimet britanike për partizanët shqiptarë. Nevojiteshin armë, municione, paisje, veshmbathje dhe këpucë për shkak se forcat partizane furnizimin kryesor e merrnin nga popullsia e varfër civile ndërsa për armatim bazoheshin tek sulmet kundër armikut. Në mënyrë që të sigurohej bregu i detit, duhej më parë të asgjësohej garnizoni gjerman i Spillesë, në veri perëndim të Himarës. Për zhvillimin e këtij operacioni u caktua një periudhë kohore prej 5 orësh - në rast se kjo ishte një afat kohor i pamjaftueshëm. Komandot duhet të gjendeshin në breg të detit më pak se 24 orë dhe pastaj parashikohej që armiku do të hynte sërish në këtë zonë dhe do të thyhej nga forcat partizane.
*Kjo është hyrja e artikullit për operacionin e Spillesë dhe me shumë gjasa është interpretimi i autorit.
Forca që do të sulmonte përbëhej prej diçka më shumë se 700 vetëve të organizuar në këto njësi:
No. Komando - 250 vetë të të gjitha gradave, nën komandën e Kolonel Lejtnant E. Fynn.
40 vetë të No. 9 Komando, të cilët vepronin si trasnportues.
Një detashment mjekësor nga No. 40 Komando të Marinës Mbretërore.
180 vetë nga Regjimenti në Mbështetje të Mësymjeve të armatosur me 4 pushkë anti tank 47mm, 6 mitralozë të lehtë, 6 mortaja ML 3inch dhe No. 1 Njësia e Mbrojtjes së Lëvizshme.
Kompania “C” e Batalionit 2 “Këmbësoria malore e lehtë”.
Në brendësi të terrenit oficerët britanikë të Forcës 266 (të riemëruar në Forca 399) dhe partizanët e tyre,* të shoqëruar nga 20 ushtarë të LRDG, do të organizonin zbulim paraprak dhe do të merrnin kontakt me komandot pas zbarkimit.
Marina Mbretërore do të ofronte LCI-të e nevojshme (Landing Craft Infrantry - Barkat e zbarkimit të këmbësorisë) dhe dy anije destrojerë (shkatërrues) me detyrë mbështetjen me zjarr artielerie.
Nëse kushtet e motit do të lejonin, do të kishte edhe mbështetje ajrore gjatë orëve të ditës, veçanërisht gjatë tërheqjes.
Si plani i sulmit ashtu edhe rrjeti i komunikimit, veçanërisht kërkesa për mbështetjen me artileri, që ishin pjesë integrale të mësymjes, u komplikuan më shumë seç duhet: edhe pse zbarkuan 95 operatorë radioje dhe 64 radio transmetues, operacioni u mallkua me komunikim të dobët ose krejt të munguar.
Besohej se gjermanët kishin organizuar katër pikëmbështetje me gjithësej 150 ushtarë, ndërkohë që rreth 2000 ushtarë ndodheshin në qytetin e Vlorës, disa milje më larg*. Formacioni gjerman në atë zonë ishte Divizioni 297 i këmbësorisë dhe ushtarët e tij ishin të një cilësie të lartë, shpesh të përgatitur për të luftuar deri në vdekje për mbrojtjen e pozicioneve të tyre. Fakti që partizanët nuk ia kishin ngenë robërve të luftës pasi i kishin zhveshur nga çizmet, rrobat dhe armët, ishte një faktor i rëndësishëm në mendjen e shumë ushtarëve gjermanë.**
*Distanca midis Himarës dhe Vlorës është sot 76 km me rrugën e re. Rruga e vjetër ka qenë edhe më e gjatë.
**Autori aludon që partizanët i vrisnin robërit e luftës pasi u merrnin plaçkat. Ndërkohë që shkëmbimi i robërve u zbatua disa herë si praktikë mes dy ushtrive, ishin forcat gjermane ato që i ekzekutonin partizanët e kapur rob në mënyrat më çnjerëzore, pa i trajtuar fare si robër lufte. Në këtë artikull do të vihen re tek-tuk komente të holla që tregojnë nënçmim për forcat partizane.
Kuislingët (kolaboracionistët) shqiptarë e dinin që do të zhvillohej operacion dhe paralajmëruan gjermanët, të cilët përforcuan garnizonet e tyre në Spille.
Njësitë komando nën hijen e ullinjve në Spille
Prej datës 24-25 korrik 1944, Shtabi i Përgjithshëm porosiste në mënyrë të posaçme për kujdesin që duhej bërë nën zonën bregdetare e sidomos në rajonin e Himarës. Ai porositi që të ripunoheshin edhe një herë me kujdes të gjitha udhëzimet e qarkoret e Komitetit Qendror të PKSH e të Shtabit të Përgjithshëm, që flisnin mbi qendrimin që duhej të mbahej ndaj aleatëve anglo-amerikanë, si korrektësinë dhe vigjilencën e lartë për të mos bërë asnjë lëshim kundrejt qëllimeve të tyre në vendin tonë. Ishte bërë një punë e mirë përgatitore me të gjitha forcat e Brigadës XII Sulmuese, e në mënyrë të veçantë me partizanët e batalioni 4 që do të vepronte në rajonin e Himarës. Edhe me popullin e këtyre fshatrave ishte folur më shkoqur për të kuptuar drejt politikën e FNÇ lidhur me qëndrimin ndaj anglo-amerikanëve, të cilët kishin qëllime të fshehta përtej operacionit ushtarak. “Asnjë këmbë anglezi në tokën tonë!” Kjo porosi e qartë dhe e prerë që na jepte vazhdimisht Shtabi i Përgjithshëm, ishte bërë për të gjithë partizanët e Brigadës XII Sulmuese një urdhër suprem.
Siç del nga një sërë dokumentash të ushtrisë gjermane, në këtë kohë, vetë komanda e Vermahtit në Shqipëri i vinte një rëndësi të madhe mbrojtjes së hapësirës së bregdetit nga Saranda deri tek ura e Mifolit. Për këtë arsye ajo kishte marrë një sërë masash të forta mbrojtëse për të siguruar e për të mbajtur hapur rrugën automobilistike Sarandë - Himarë - Llogara - Vlorë - Fier, me qëllim që të siguronte tërheqjen e forcave që kishte në Korfuz, në krahinat veriperëndimore të Greqisë, në rajonin e Gjirokastrës, Jorgucat, Delvinës e Sarandës. Forcat gjermane ishin vendosur në një varg pikbmështetjesh të fortifikuara mirë dhe dislokonin herë pas here disa njësi për luftën anti partizane e patrlluese, që nga Qafa e Llogarasë deri në Brosh që ishin nën sferën jugore të Korpusit XXI. Në këtë rajon kishin ngarkuar regjimentin 523, që të siguronte mbrojtjen e kësaj pjese të zonës bregdetare. Ky regjiment kishte krijuar një pikë mbështejtjej të fortifikuar mirë në Spille të HImarës dhe një tjetër në Qafën e Llogarasë. Kurse zona bregdetare që nga Borshi e deri në Sarandë ishte nën sferën veriore të Korpusit XXII, komanda e të cilit kishte ngarkuar një batalion të këmbësorirë së fortifikuar XX/999 me qendër në Sarandë,i cili kishte vendosur një grup luftimi të fortifikuara shumë mirë në Kalanë e Borshit. Pikëmbështetjet e Spillesë kishin marrë urdhër nga komanda gjermane “...tri herë në javë nëpërmjet një toge patrullimi…”, “...të mbani lidhje me njëra tjetrën”* Kjo gjë i ekspozonte këto forca ndaj goditjeve të vazhdueshme partizane.
*Dokumente gjermane T-314-664, 00597, T-314-182, 000482.
Për kushtet shumë të vështira që kishin krijuar forcat gjermane nga veprimtaria gjithë në rritje e forcave partizane të Brigadës XII Sulmuese, dhe e forcave të tjera partizane territoriale, që bashkëvepronin me to, si dhe nga frika e ndonjë zbarkimi të mundshëm anglo-amerikan nga ana e detit, komdana gjermane kishte marrë e vazhdonte të merrte masa shumë të forta mbrojtëse. Në mënyrë të veçantë ajo e shikonte “...pikën nevrlagjike… (Vlorë-Sazan-Karaburun), për rëndësinë e portit dhe për shkak të përqendrimit të vazhdueshëm në frontin tokësor nga ana e bandave…”* Për mbrojtjen e këtyre, komanda gjermane kishte urdhëruar “përforcimin e fortifikimeve, veçanërisht për mbrojtjen tokësore si dhe fuqizimin e artilerisë bregdetare.”**
*Dokumente gjermane, T-414-664, 00597.
**Po aty.
Komanda gjermane mori edhe një sërë masash të tjera përforcuese e mobilizuese të të gjitha forcave të tjera reaksionare të Qarkut të Vlorës edhe të një numri ballistësh tzë disa krahinave të tjera të Kurveleshit, Tepelenës e Delvinës, që ishin dëbuar që andej sëbashku me pushtuesit gjermanë dhe ishin grumbulluar në Vlorë. Gjithsej këta bëheshin 1300 vetë* si edhe një numër i mirë forcash të xhandarmërisë kuislinge. TË gjitha këto forca ishin vendosur kryesisht në qytetin e Vlorës, në zonën e Dukatit, Drashovisë, Mavrovës dhe në disa fshatra të krahinës së Topalltisë. Këto forca, nazistët i përdornin veçnaërisht për të bërë akte terroriste kundër popullsisë, me qëllim që të shtinin ndjenjën e frikës e të panikut, kudo që shkonin e operonin.
*A.Q.SH. Fondi 692 - 13 812, Raporti i Prefektit të Vlorës data 30/09/1944.
Gjithashtu nazistët gjermanë, sëbashku me shërbëtorët e tyre vendas, bënë një orvatje të kotë për të krijuar një zonë të qetë për garnizonet gjermane në zonat e Vlorës, Sarandaës dhe Tepelenës, kishin organizuar prej kohësh terrot të egër, me vrasje, burgime e sidomos me internime masive nëpër kampet gjermane të përqendrimit, të shumë patriotëve, veprimtarëve e përkrahëseve të LANÇ si në qytetin e Vlorës, ashtu edhe në disa fshatra që ishin nën kontrollin e tyre. Në disa fshatra, që ndodheshin buzë detit, duke filluar nga Grykpisha e deri në këmbët e Karaburunit dhe nga ana e jugut të Vlorës deri në Vuno, komanda gjermane kishte urdhëruar shpërnguljen e popullsisë. Në një raport të datës 5 gusht 1944 të gjeneralit gjerman të plotfuqishëm në Shqipëri thuhet se shpërngulja bëhej “vetëm nga gjendja e çetave, jo për shkaqe politike e taktike”*
*Dokumente gjermane, T-311-189
…Misioni britanik kërkoi me insistim të bënin një zbarkim “të vogël simbolik” të një komandoje në Spille të Himarës dhe ta çlironin këtë qendër pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të forcave partizane. Ja si e përshkruan Enver Hoxha këtë rast në librin e tij “Rreziku Angloamerikan për Shqipërinë”: “...Bisedova me shokët dhe vendosëm t’u jepnim këtë herë anglezëve një sadisfaksion të parrezikshëm për ne. Urdhërova forcat tona të bregut të zinin pozitat në Pilur, Nivicë-Bubar, Llogara dhe në qoftë se anglezët, gjatë sulmit mbi garnizonin gjerman në Spille, do të ndodheshin në rrezik, t’u vinin në ndihmë.”
“...E thirra palmerin dhe e lajmërova se pranonim. E paralajmërova gjithashtu se operacioni duhej të kishte si objektiv vetëm garnizonin gjerman në Spille, pastaj mbai të mbaronte, forcat britanike duhej të hipinin varkat dhe të shkonin nga erdhën. Nuk do të lejoheshin të hallakateshin dhe të shtronin postet. Ky është urdhër kategorik. “Ta bëjmë sabashku këtë aksion, - i propozova Palmerit. Ju faleminderit, - tha ai. - E bëjmë vetë. Sidoqoftë, - i thashë, - tanët do të jenë rreth e përqark dhe do të ruajnë rrugët që asnjë nazist mos të dalë nga Llokani, të asgjësojmë miun brenda. Ne do të jemi atje për t’ju mbrojtur zbarkimin tuaj dhe për t’ju mbrojtur largimin pas veprimit, - shtova, - për t’i treguar se duhet t’i vinte gishtin kokës s të mendonte se nuk bënim shaka me urdhërat.”*
*Enver Hoxha, “Rreziku Anglo-amerikan për Shqipërinë”, faqe 326.
Mbas këtyre bisedimeve, Shtabi i Përjgithsëm i dha udhëzime të hollësishme shtabit të Brigadës XII Sulmuese për të marrë të gjitha masat e nevojshme për likuidimin me çdo kusht të garnizonit gjerman në Spille-HIimarë, i cili ishte një nga garnizonet e fuqishme e më të fortifikuar në të gjithë zonën bregdetare nga Saranda në Llogara dhe njëkohësisht të vepronin me shpejtësi, zgjuarsi e vendosmëri për të mos lënë këmbë anglezi në tokën tonë, me të mbaruar aksioni.
Në zbatim të këtij urdhri, shtabi i brigadës XII Sulmuese përcaktoi një sërë masash për shabin e batalionit 4 që do të vepronte në këtë krahinë me forcat e tij në mbështetje të aksionit të britanikëve në Spille. Në bazë të detyrave të përcaktuara nga shtabi i brigadës, shtabi i batalioni bërio një plan të hollësishëm dhe filloi menjëherë nga zbatimi i masave përgatitore për sulmin që do të fillonte natën e 27 korrikut.
Shtabi i brigadës u lidh me komitetin Qarkor të PKSH të Vlorës dhe komitetin e rajonit të Kurvelesh-Tepelenë-Kardhiq, që vareshin nga Komiteti i PKSH të Gjirokastrës. Pasi u bisedua lidhur me zbatimin sa më mirë të urdhërit e të udhëzimeve që u ishin dhënë si dhe për masat kryesore që kishte përcaktuar shtabi i brigadës, u shfaqën të gjithë të një mendimi që bashkë me sulmin e fuqishëm kundër garnizonit gjerman në Spille-Himarë, të organizoheshin edhe dy goditje të tjera në stil të gjerë. Njëra goditje të bëhej kundër forcave gjermane e xhandaro-balliste në zonën e Drashovicës, Mavrovës e përreth nga forcat e batalionit 2 e 3 të Brigadës XII dhe të batalionit “Perlat Rexhepi” të Grupit II të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër. Kurse goditjen tjetër do ta organizonte shtabi i batalionit 1 në drejtim të garnizonit gjerman në Kalanë e Borshit dhe gjatë rrugës automobilistike Sarandë-Borsh. Shokët e Komitetit të PKSH të rajonit Kurvelesh-Tepelenë-Kardhiq morën masa për grumbullimin e organizimin sa më të mirë të batalionit territorial të Kurveleshit të Poshtëm dhe u nisën menjëherë në Pilur, në ndihmë të batalionit 4 dhe të luftonin së bashku gjer në shpartallimin e plotë të garnizonit gjerman, të vendosur në Spille-Himarë.
Për zbatimin sa më të mirë të detyrave, pjesa më e madhe e shtabit të Brigadës XII Sulmuese u shpërnda tek batalionet 2, 3 dhe 4 që do të vepronin në bregdet.
Në bazë të planit të hartuar nga shtabi i batalionit 4, natën 27 korrikut 1944 u bë rrethimi në formë patkoi i të gjitha forcave të garnizonit gjerman në Spille-Himarë. Harku i rrethimit filloi duke zënë pozicione të përshtatshme nga rruga automobilistike Porto Palermo - Himarë, mbi kodrat afër Llamanit e pastaj gjithë kodrat përreth zonës Spille-Himarë, nga Shën Mëhilli e deri brenda në lagjet e sipërmet të fshatit Himarë, duke zënë pozicione edhe gjatë rrugës së komunikacionit Himarë - Vuno. Këstu mbeti vetëm ana perëndimore e saj që ishte pjesa e bregdetit.
Nga maja e kodrës së dytë të zonës së Spillesë, në drejtim të verilindjes së saj, mitralozat e rëndë e të lehtë si edhe mortajat partizane të batalioni 4, që ishin vendosur në pikat sunduese përreth zonës Spille-Himarë, bënin që të mos mund të kalonte asgjë në drejtim të tyre. Kurse masa dërrmuese e partizanëve të tjerë të batalionit 4 dhe e vullnetarëve u ishin afruar kodrave të fortifikuara me bunkera betonarme e të rrethuara me tela me gjëmba në zonën Spille-Himarë. Kujdes u bë edhe për zënien e pritave të fuqishme në grykat midis Himarës e Vunoit dhe midisa Himarës e Porto Palermos, me qëllim që tëmos lihej mundësia e ardhjes së ndonjë ndihme forcave të garnizonit gjerman në Spille nga ana e Vlorë ose nga ana e Sarandës.
Ushtar gjerman i kapur rob gjatë operacionit të Spillesë
Forcat e Kolonelit Fin lundruan nga Monopoli në jugperëndim të Barit, gjatë natës 28-29 qershor 1944 dhe bënë një zbarkim pa opozitë afër Himarës (në gjirin e Llamanit), 4 milje në jug të Spillesë. Trupat marshuan natën drejt vijës së frontit të shoqëruar nga lehjet e qenve në fshat. Mësymja filloi ditën dhe problemi i parë u has kur oficeri i ndërlidhjes me artilerinë detare ra nga një shkëmb dhe dëmtoi radio transmetuesin. Predhat e destrojerit filluan të bien fare pranë komandove, duke goditur njerëz e radio transmetues bashkë, por zjarrin e topave s'po e kontrollonin dot.
Edhe radio transmetueset e tjera nuk po punonin për shkak se antenat e tyre nuk arrinin të dilnin mbi degët e dendura të ullinjve.
Skuadrat e mortajave ML 3inch të Regjimentit të Mbështetjes së Mësymjes u gjendën nën trysninë e madhe të mitralozave gjermanë teksa përpiqeshin të përparonin duke bërë që ato të braktisnin pajisjet dhe të kërkonin vend për t’u fshehur.
Më poshtë janë vlerësimet që kanë marrë disa oficerë të grupit mësymës për marrjen e medaljeve dhe dekoratave.
Kapiteni Majkëll Uilliam Stilluell (Michael William Stilwell) No. 2 Komando, lëvizi me shpejtësi për kapjen e objektivit dhe trimëria që tregoi në luftime edhe pse i plagosur i dhuroi atij dekoratën e Kryqit Ushtarak.
“Kapiteni Stilluell komandonte një forcë prej dy skuadrash, të cilat morën detyrë të sulmonin pozicionet armike të vendosura në terren të lartë me shpate të thepisura. Kapiteni Stilluell udhëhoqi vetë sulmin dhe në sajë të guximit dhe lidershipit të tij u bë përparim i vendosur nën zjarrin e mitralozave, deri në kapjen e pozicioneve të armikut. Atje afër majës, ai u plagos keq në prapanicë, megjithatë vazhdoi sulmin deri në konsolidimin e pozitave të reja.
Pastaj ai organizoi shfrytëzimin e kreshtës, por nuk arriti të shoqëronte njësinë mësymëse pasi për shkak të plagës nuk nxitonte dot. Ai refuzoi evakuimin me justifikimin se bartësit e barelave ishin tejet të zënë me të plagosur rëndë. Edhe pse me dhimbje të madhe, ai insistoi që më parë të merrnin ndihmën e parë të tjerët pranë tij, dhe të organizohej evakuimi i tyre.”
Kapiteni Llorens Erik Mekallëm (Laurence Eric MacCallum), No. 2 Komando, u dekorua me dekoratën Kryqit të Ushtarak për shkak se udhëhoqi me vendosmëri sulmin kundër pozicioneve të armikut.
“Kapiteni Mekallëm komandonte një skuadër e cila duhet të pastronte dy kreshta në krahun e majtë të sulmit kryesor. Që në fillim, njësia e tij u përball krejt papritur me një rezistencë të rëndë e të egër. Guximi personal i kapitenit Mekallëm gjatë udhëheqjes së sulmit dhe vendosmëria e tij për të shtypur çdo pengesë në drejtim të objektivit të tij ishin të shkëlqyera. Ai vetë personalisht udhëhoqi çdo sulm, dhe kur skuadra e tij u pengua të përparonte për shkak të viktimave të shkaktuara nga zjarri i mitralozave, ai rigrupoi forcat dhe i udhëhoqi drejt një sulmi të suksesshëm mbi objektiv. Një një moment, i armatosur vetëm me një pistoletë dhe në shoqërinë e një ushtari tjetër, ai sulmoi një pozicion të fortë të armikut dhe e shkatërroi duke kapur 10 robër lufte.
Në fazat e tjera, kur praktikisht gjysma e skuadrës së tij ishte vrarë apo plagosur, ai e udhëhoqi skuadrën e tij drejt një sulmi tjetër të organizuar nga një skuadër tjetër kundër një shtëpie të mbrojtur. Kur sulmi u bllokua, ai organizoi dhe udhëhoqi menjëherë një sulm krahëmarrës që çliroi drejtimin kryesor të sulmit. Gjatë momenteve të vështira të tërheqjes dhe shkëputjes së kontaktit me armikun, Kapiteni Mekallëm tregoi një zell të jashtëzakonshëm për evakuimin e të plagosurve, madje në ty raste u turr vetë drejt frontit për të tërhequr të rënët. Udhëheqja gjakftohte dhe e vendosur e kapitenit Mekallëm kontribuoi në suksesin e operacionit, ndërsa përkushtimi dhe energjia e tij gjatë evakuimit shpëtoi padyshim jetët e disa ushtarëve të plagosur.”
Kapitenit Majkëll Hinton Ueb MC (Michael Hinton Webb MC), me forcat e Afrikës së Jugut që i ishin bashkangjitur forcave No. 2 Komando, iu shtua një shirit në dekoratën e Kryqit Ushtarak, të cilën ai e kishte fituar më parë gjatë operacioneve në Afrikën e Veriut.
“Kapiteni Ueb ishte komandant i dy skuadrave, të cilat kishin marrë për detyrë sulmin kundër disa shtëpive të mbrojtura dhe foleve të mitralozave. Përgjatë gjithë aksionit lidershipi gjakftohtë dhe i shkëlqyer i kapitenit, indiferenca e tij totale për jetën e vet dhe shpirti i tij grishës agresiv u bënë shembull frymëzimi për të gjitha gradat. Ai udhëhoqi vetë disa sulme, duke nxitur vazhdimisht e inkurajuar ushtarët e tij dhe duke dhënë vetë shembullin më të spikatur, duke shkatërruar armikun kudo që ishte e mundur. Në kulmin e sulmit ai personalisht mblodhi ushtarët e tij dhe i udhëhoqi drejt sulmit përfundimtar. Suksesi i këtij sulmi u arrit gjerësisht falë vendosmërisë së tij të vrullshme.
Më vonë forcat e Kapitenit Ueb u thirrën që të asistonin skuadra të tjera, të cilat ishin bllokuar, dhe sërish, pavarësisht rritjes së numrit të snajperëve të fshehur nëpër vreshta, mospërfillja e tij ndaj rrezikut ishte e shquar. Gjatë shkëputjes së kontaktit me armikun dhe tërheqjes, Kapiteni Ueb u bë shtyllë fuqie, duke organizuar dhe dhënë personalisht çdo asistencë të mundshme për evakuimin e një numri të madh të të vrarëve e të plagosurve drejt bregut të detit. Trimëria dhe energjia e tij e pashtershme padyshim shpëtoi jetët e disa ushtarëve. Kapiteni Ueb ka treguar trimëri të vazhdueshme dhe kapacitet për udhëheqje në aksionet e kryera në bregun Dalmat, veçanërisht në BRAC, ku dhe u rekomandua.”
Në fronte të tjera të betejës, Këmbësoria Malore e Lehtë luftoi mirë dhe udhëheqësit e gradave më të ulëta të komandove mbajtën vrullin e sulmeve të tyre përgjatë tre fazave të planifikuara të aksionit.
Shumë prej prej këtyre oficerëve të No. 2 Komando luftuan edhe pasi morën plagë, dhe për fat të mirë, vlerësimet e tyre për dekorata që kanë marrë nga japin shumë detaje, që na ndihmojnë të kuptojmë arsyen pse Koloneli Fin i dha fund operacionit ende pa u arritur të gjitha objektivat luftarake.
Rreshteri i skuadrës Majori Pitër Dagllas Morlland (Peter Douglas Morland) No. 2 Komando, u vlerësua me medaljen e Veprimeve të Shquara.
“Ky kapter i parë shkoi në aksion si oficer seksioni. Gjatë gjithë aksionit Morllandi tregoi mospërfillje për sigurinë e jetës së tij, tregoi iniciativë dhe dhunti udhëheqjeje. Gjatë sulmit të parë, seksioni i tij ra nën zjarrin e fuqishëm të mitralozave dhe pësoi shumë të vrarë e të plagosur. Ai i mblodhi ushtarët e tij dhe udhëhoqi një sulm duke spastruar kreshtën. Gjatë sulmit të dytë, seksioni i tij sërish ra nën zjarrin e mitralozave duke pësuar humbje sërish të vrarë e të plagosur, por i armatosur vetëm me një pistoletë, me udhëheqjen dhe trimërinë e tij vazhdoi sulmin dhe arriti objektivin. Ai, pastaj, u dha menjëherë ndihmën e shpejtë të plagosurve, organizoi evakuimin e tyre dhe bëri dy tentativa për të pushtuar pjesën tjetër të kreshtës, dhe të shpëtonte dy ushtarë pasi më parë tre tentativa të tjera kishin rezultuar të pasuksesshme.
Në fazat e mëvonshme të sulmit, seksioni i tij u katandis në vetëm disa burra. Duke parë që seksioni tjetër gjendej në vështirësi, ai mblodhi ushtarët nga skuadra të tjera dhe një regjimenti tjetër, organizoi një sulm dhe i dha mundësi seksionit tjetër që të tërhiqej.
Në fazën e fundit të betejës, duke mos pasur më asnjë ushtar, nën zjarrin e rëndë të mortajave dhe mitralozave, ai ndihmoi në evakuimin e të plagosurve drejt pikës së ndihmës së regjimentit që kishte ngritur e mandej drejtë bregut të detit. Shembulli i tij dhe energjia e tij e pashtershme gjatë gjithë luftimeve u bë shembull frymëzimi për të gjithë. Ky rreshter i parë ka treguar vazhdimisht guxim të madh në aksionet e mëparshme në Norvegji, Scaletta dhe Salerno, dhe në sulme të tjera të Komandove në ishujt jugosllavë.”
Tetari Xhon Robert Enkër (John Robert Anchor), No. 2 Komando, ka marrë Medaljen Ushtarake pasi tregoi se ç'mund të arrijë një mitraljer me Bren (mitraloz i lehtë) mund të arrijë.
“Tetari Enkër komandonte një mitraloz bren. Në agim skuadra e tij udhëhoqi sulmin kundër pozicioneve armike, të cilat ishin të fortifikuara e të mbrojtura mirë. Në momentet e para të përparimit Tetari Enkër përparoi me mitralozin e tij Bren në terren të hapur nën zjarrin e mitralozave të armikut. Që nga ky moment ai jo vetëm mbështeti skuadrën e tij dhe përparimin e mëtejshëm të tyre me zjarrin e mitralozit, por edhe angazhoi pikëmbështetjet e forta të armiku me zjarr të orientuar e të përpiktë, pa pasur asnjë shqetësim për jetën e tij.
Gjatë sulmit të fundit, Tetari Enkër, piketoi një grup gjermanësh përpara tij dhe me iniciativë e guxim hodhi një granatë mes tyre, gjatë kohës që ata po bënin një përpjekje të fundit të dëshpëruar për të mbajtur pozicionin.
Gjatë gjithë aksionit, ky oficer pa gradë drejtuesi tregoi jo vetëm guxim dhe vendosmëri, por edhe iniciativë të madhe gjatë gjithë kohës. Përpjekjet e tij kontribuuan gjerësisht në suksesin e sulmit dhe në shkuljen e Gjermanëve nga pozicionet, të cilat donin t’i mbanin me çdo kusht.”
Shoferi Xhorxh Dejvid Dransfilld (George David Dransfield), No. 2 Komando, u dekoruar me Medaljen Ushtarake duke treguar se çfarë mund të arrihet me një pushkë dhe një bajonetë kur përdoren me guxim dhe përpikëri.
“Ky njeri tregoi guxim të madh dhe vendosmëri gjatë gjithë aksionit. Në momentet e para të sulmit ai spikati me sulmet me bajonetë. Në fazën e fundit të sulmit, gjatë një sulmi në një shtëpi të fortifikuar, seksioni i Dransfilldit sulmoi por u bllokua nga zjarri i dendur i mitralozave armik në terren të hapur. Dransfilldi, duke treguar mospërfillje për rreziqet, u turr drejt zjarrit, përmes një terreni të zbuluar, mbi telat me gjemba dhe përmes një fushe të mendohej se ishte me mina për të zënë pozicion pas një muri në krah të armikut. Sapo mbërriti ai menjëherë filloi të qëllonte në drejtim të armikut. Ky veprim bëri që zjarri i mitralozit të zhvendosej nga forcat kryesore të seksionit në drejtim të tij, duke u dhënë atyre mundësinë që të rigrupoheshin për të organizuar një sulm të dytë. Si pasojë e zjarrit të dendur, Dransfildi mori një plagë të rëndë në këmbë. Pavarësisht kësaj, ai vazhdoi të përgjigjes me zjarr, dhe kur sulmi i dytë nisi, ai menjëherë iu bashkëngjit atij, ku u plagos për herë të dytë në këmbën tjetër. Edhe pse kishte dhimbje të madhe dhe po humbte gjak, ai u zvarrit për rreth 20 metra dhe u shemb përdhe. Shpirti sulmues i këtij ushtari dhe guximi i tij i madh u bënë shembuj të shkëlqyer frymëzimi për të gjithë.”
Tetari i artilerisë Xhon Uillis Gelldër (John Willis Gelder), No. 2 Komando. Vlerësimet e tij për Medaljen Ushtarake përshkruajnë si planin luftarak të Komandove ashtu edhe mbrojtjen tokësore të armikut.
“Ky oficer pa gradë tregoi një guxim të madh, aftësi udhëheqëse dhe inciativë. Sulmi në të cilin ai mori pjesë, u zhvillua në tre faza. Sulmi i parë u bë në një kreshtë të mbushur me pozicione mitralozësh. Rreshteri i Seksionit dhe Tetari u goditën që në valën e parë të zjarrit, kështu që Gledëri mori menjëherë situatën në dorë duke udhëhequr forcat me vrull dhe pa marrë parasysh rreziqet personale. Ai pa që një seksion tjetër kishte pësuar 11 të vrarë e të plagosur prej zjarrit të një mitralozi, i cili drejtohej nga një oficer gjerman. Gelldëri iu qep pozicionit të mitralozit, pavarësisht rreziqeve dhe e vrau oficerin me automatikun e tij Tompson. Në fazën e dytë, Gelldëri mblodhi ato forca që kishin mbetur dhe organizoi një sulm tjetër në një pozicion tjetër mitralozi, të cilin e asgjësoi me sukses. Në fazën e tretë, objektivi ishte një shtëpi e fortifikuar mirë. Sulmi i parë u thye dhe Gelldëri u plagos. Ai refuzoi tërheqjen dhe u hodh sërish në sulm. Kësaj radhe ai u plagos në fytyrë nga një granatë që i shpërtheu tek këmbët. Plagët ishin të rënda. Megjithatë ai vazhdoi të qëllonte deri sa i mbaroi karikatori; nxiste të tjerët, që ishin nën zjarrin e mortajave dhe mitralozave, dhe u përpoq të nxirrte jashtë rrezikut një të plagosur, deri sa më në fund u shemb përdhe. Geldëri, i cili kish treguar guxim në Scaletta, Salerno dhe Hvar, veproi si rreshter gjatë gjithë aksionit dhe shërbeu si shembull frymëzimi për të gjithë ushtarët e tij. Trimëria e tij në aksione të mëparshme i siguroi atij një rekomandim në Salerno.”
Rreshteri i artilerisë Xhozef Xherard Enthëni Roxhërs (Joseph Gerard Anthony Rogers), No. 2 Komando, meritoi Medaljen Ushtarake për shkak se tregoi dhunti prej udhëheqësi gjatë kohës që ishte i plagosur dhe nën zjarrin e fuqishëm të armikut.
"Rreshteri i artilerisë Roxhërs udhëhoqi personalisht nënskesionin e tij me trimëri të spikatur. Ai vazhdoi përparimin drejt objektivit të tij edhe pse në zjarrin ballor të dy mitralozëve Spandau (mitralozat MG42). Edhe pse i plagosur dhe me dhimbje të mëdha, ai i udhëhoqi ushtarët e tij në pozicione fare afër armikut dhe asgjësoi skuadrat mitraljerë. Si rezultat i këtij veprimi, forcat në krahun e majtë, që ishin bllokuar për shkak të zjarrit të mitralozit patën mundësi të përparonin.
Rreshteri i artilerisë Roxhërs tregoi një mospërfillje për rrezikun gjatë gjithë aksionit dhe refuzoi që plaga të pengonte kryerjen e detyrës deri sa objektivi të arrihej dhe të mbarohej më parë puna me të plagosurit e tjerë.”
Tetari i artilerisë Xhon Denis Hauard (John Denis Howard) Korpusi Mbretëror i Mjekësisë dhe No. 2 Komando, u dekorua me Medaljen Ushtarake për këmbëngulje dhe trimëri në detyrë jo luftarake por nën zjarrin e fuqishëm të armikut.
“Ky oficer pa gradë tregoi trimëri dhe përkushtim ndaj detyrës dhe u bë shembull frymëzimi për të gjithë. Ai tregoi gjakftohtësi dhe mospërfilljes për sigurinë e tij kur nën zjarrin e predhave të artilerisë armike u kujdes për të plagosurit dhe mori masa që të evakuoheshin. Më pas, gjatë sulmit ai qëndroi gjithnjë pranë forcave mësymëse në funksionin e mjekut duke treguar mospërfillje për zjarrin e dendur të armikut gjatë kohës që trajtonte të plagosurit. Ai u treguar aktiv duke trajtuar plagët dhe duke ndihmuar evakuimin e të plagosurve. Ai u nis disa herë drejtë vijës së zjarrit për të transportuar të plagosurit edhe pse ishte vazhdimisht nën zjarrit e snajperave dhe dheu fshikullohej nga plumbat e mitralozave të armikut. Ai vazhdoi të qëndronte aktiv edhe nën zjarrin e predhave armike të artilerisë për t’i larguar të plagosurit drejt një pozicioni të sigurt. Gjakftohtësia dhe guximi i tij u bënë shembull frymëzimi për të gjithë ata që u gjendën pranë tij. Edhe në aksionet e tjera ai ka treguar të njëjtin përkushtim nga detyrës."
Tetar i artilerisë Tomas Xhozef Mallkahi (Thomas Joseph Mulcahy,) No. 2 Komando. Vlerësimi për Medaljen e tij të gjashtë Ushtarake për trimëri gjatë aksionit në Spille nga personeli i No. 2 Komando përshkruan se si Mallkahi mori rol udhëheqës në fushën e betejës pasi komandantët e skuadrës ishin plagosur ose vrarë.
“Ky oficer pa gradë tregoi guxim të madh dhe shpirt udhëheqës gjatë gjithë aksionit. NË fazat e para të sulmit, kur Rreshteri i Seksionit mungonte dhe tetari kishte marrë plagë, Mallkahi mori menjëherë situatën në dorë. Ai udhëhoqi ushtarët e tij në sulm duke treguar mospërfiqllje për sigurinë e vet dhe e shpuri sulmin deri në shkatërrimin e dy pozicioneve me mitralozë dhe pikave të tjera të mbrojtjes. Pastaj, kur seksioni i tij u bllokua si rezultat i zjarrit të dendur, ai zhvilloi veprime zbulimi, gjë që i dha atij mundësinë t’i merrte krahët armikut. Në fazat e fundit të betejës, sulmi i seksionit kundër një pike të fortifikuar u thye. Mirëpo Mallkahi nuk u dorëzua po rigrupoi forcat e tij për të organizuar një sulm të dytë, gjatë të cilit ai u plagos më rëndë. Edhe pse i shtrirë përdhe, ai inkurajonte shokët e tij dhe insistoi që të ishte i fundit për tu evakuuar. Gjatë gjithë aksionit, a tregoi trimëri, vendosmëri dhe përkushtim ndaj detyrës, veti këto, që në mënyrë të padiskutueshme ndikuan në suksesin e përgjithshëm të çdo sulmi. Ky oficer pa grada ka spikatur në aksion dhe ka marrë rekomandim në Salerno.”
Një oficer nga misioni i Kolonelit Palmer tek partizanët më vonë do të tregonte në lidhje me shembullin të forcat britanike kishin treguar në fushëbetejë:
“Mënyra se si britanikë arritën të kapnin pozicionet natën aq afër armikut dhe papritur t’i shfaqen atij në agim ishte e re dhe deri në momentin që e panë me sytë e tyre, konsiderohej i pamundur nga partizanët. Trimëria, disiplina dhe kontrolli i situatës që treguan britanikët solli admirim, dhe në fakt ashtu duhej. Partizanët u habitën me mënyrën se si britanikët përparuan në linjë të drejtë, duke ndenjur shtatlartë dhe me mospërfillje ndaj zjarrit. Ata e konsideruan operacionin si shprehje të mjeshtërisë së luftës… Rezultati qe ngritja e moralit partizan dhe një përmirësim në metodat e tyre të luftimit”*
*Shiko seksionin "Përgjithësime" në fund të faqes.
Kur pesë orët e caktuara për operacionin skaduan, Koloneli Fin e kishte pranuar se forcat e tij nuk ishin të mjaftueshme për t’i kapur të katërta pikëmbështetjet e fortifikuara gjermane mbi Spille, kryesisht për shkak se gjermanët kishin përfituar nga paralajmërimet për ardhjen e një sulmi britanik. 20 ushtarë britanikë kishin rënë gjatë aksionit ose ishin zhdukur ndërsa të tjerët që nuk ishin plagosur ishin të rraskapitur. Për këtë arsye u dha urdhëri për tërheqje drejt bregut të detit me prioritet evakuimin e 60 ushtarëve të plagosur. Forcat e vijë së parë të zjarrit shkëputën kontaktin me armikun dhe u tërhoqën me luftë, të maskuar me tym taktik ndërkohë që bartësit e barrelave rrëshqisnin tëposhtë kreshtave që u ishin kapur armikut më herët gjatë ditës. U kapën 25 robër gjermanë, të cilët gjithashtu ndihmuan me evakuimin e të plagosurve.
U vranë rreth 40 gjermanë dhe u plagosën 30. Ndërsa ata që vazhdonin të qëndronin në pikat e fortifikuara u tronditën nga egërsia e sulmit britanik; shumë prej tyre u arratisën gjatë natës pasardhëse dhe pjesa tjetër u tërhoq nëpër pyje ku partizanët i ndoqën dhe i vranë. Qëllimi i shkatërrimit të garnizonit gjerman ishte realizuar. Tre tentativa gjermane për tu rifutur në zonën e Himarës u thyen nga partizanët. Në tentativën e katër gjermanët arritën sukses por forcat e përfshira shumë shpejt u detyruan të tërhiqen për shkak të një force të motivuar partizane.
Marina Mbretërore evakuoi grupin luftarak të operacionit Healin II drejt Monopolit në Itali, përveç tre burrave të No. 2 Komando (Rreshteri Dagllas Dink Uebster, artiljeri A. Pellet dhe Shoferit Roi Xhon*), të cilët u lanë pas gjatë tërheqjes. Këta të tre u bashkuan me partizanët dhe u evakuuan më vonë.
*Douglas “Dink” Webster, A. Pallet, Roy John.
Në Monopoli Koloneli Flin mori një letër përgëzuese dhe vlerësuese nga komandanti i Forcës Tokësore të Adriatikut Brigadier G.M.O Davey, i cili shkroi:
"Ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që bëtë ju dhe forcat tuaja nën komandën tuaj në operacionin e Himarës. Falë planifikimit tuaj dhe luftës me trimëri të ushtarëve tuaj kundër një armiku të vendosur dhe disa kuislingëve shqiptarë të dënueshëm (disa prej të cilëve u vranë) operacioni përfundoi me sukses të plotë. Objekti i operacionit ishte shkatërrimi i garnizoni gjerman. Ne e dimë që përbëhej nga forca gjermane të stërvitura mirë. Ju i keni mbajtur llogari shumicën e këtyre, ndërsa pjesa e mbetur e gjermanëve u kapën nga partizanët, të cilët tashmë kanë atë pjesë të bregdetit nën kontroll.
Viktimat e betejës nuk ishin të pakta, por kundrejt tyre ju duhet të matni pengesat dhe dëmin moral e material që i keni shkaktuar armikut në Shqipëri. Kështu ju do të kuptoni nivelin e arritjes suaj. Njësia juaj No. 2 Komando ka mbajtur dhe përmirësuar reputacioni e mirë që ka, dhe unë do jua di për nder nëse ju i transmetoni personalisht falenderimet e mia çdo pjestari të njësisë për kontributin e tij individual dhe kolektiv në arritjen e suksesit në fushëbetejë, rezultatet e të cilit janë krejt jashtë proporcionit të madhësisë së forcës me të cilën u përball."
Nuk kaluan vetëm disa javë kur No. 2 Komando u dërguan edhe një herë drejt bregut shqiptar për të marrë pjesë në një betejë në ndihmë të partizanëve.*
*Bëhet fjalë për betejën për çlirimin e Sarandës.
Momente nga evakuimi i të plagosurve
Pas mesnatës, duke gdhirë 28 korriku 1944, forcat e marinsave të një komandoje britanike zbarkuan në gjirin e vogël të Llamanit dhe u nisën drejt pozicioneve gjermane të vendosura në dy kodrat afër detit në zonën e Spillesë deri në lagjen e poshtme të fshatit Himarë. Një bateri me mortaja ata e vendosën në një kodër afër xhadesë nën zonën e Llamanit. Forcat britanike, rreth 1000 veta, iu afruan pozicioneve gjermane pa u diktuar prej tyre. Pas pak, rreth orës 5 të mëngjesit filloi bombardimi i pozicioneve gjermane nga artileria e dy destrojerëve britanikë që ishin në det të hapur. Në këtë çast filloi të godasë të njëjtat pozicione edhe bateria e mortajave. Kështu filloi sulmi i komandos britanike nga deti dhe nga toka. Lufta midis tyre vazhdoi deri në orën 13.00, kur ende pa mbaruar lufta, forcat britanike filluan të tërhiqeshin me shpejtësi duke marrë me vete shumë ushtarë e oficerë të tyre të plagosur e të vrarë. Ata kishin dështuar plotësisht. Nga nxitimi 20 ushtarë të vrarë të tyre i lanë afër zonës së Llamanit, të cilët më vonë i varrosën fshatarët e Himarës.
Shokët e shtabit të brigadës dhe të batalionit 4 që i ndiqnin këto luftime me shumë kujdes, kur panë se britanikët po tërhiqeshin me shpejtësi për të hipur në anijet e tyre e për të shpëtuar nga asgjësimi, i dhanë menjëherë urdhër forcave partizane me sinjalin e caktuar, duke hedhur në ajër dy raketa të kuqe, të hidheshin në një sulm të furishëm nga shumë drejtime, në formë harku, duke u mbështetur nga një zjarr i dendur i mitralozave të rëndë dhe mortajave të batalionit 4. Partizanët e këtij batalioni dhe forcat vullnetare territoriale të Kurveleshit të Poshtëm arritën të shkatërronin rrethimin e fortifikuar me tela me gjëmba. Aty nga ora 17.00 u përleshën me bomba dore e me automatikë brenda në llogoret e fortifikuara të nazistëve. Luftimet u bënë të përgjakshme dhe me gjithë qëndresën e fuqishme që u përpoqën të bënin gjermanët, si në qëndrën e kodrës së parë nga ana e detit, në pazarin e Spillesë, ashtu edhe nga krahu i djathtë, afër fshatit të Himarës, ata u shpartalluan plotësisht. Kështu i gjithë garnizoni gjerman i vendosur në Spille-Himarë u asgjësua plotësisht.
Në këtë betejë u vranë 20 ushtarë gjermanë, u zunë 15 robër të tjerë, midisi tyre ishte edhe komandanti i garnizonit gjerman me gradën kapiten (i plagosur) si dhe adjutanti i tij me gradën toger. Afër mbrëmjes gjatë zhvillimit të luftimeve brenda në pazarin e Spillesë, mund të largohej në panik, nga ana e detit, një skuadër gjermane në drejtim të fshatit Vuno. Menjëherë në ndjekje të tyre u vunë 3-4 skuadra partizane me në krye një nga antarët e shtabit të batalionit. Të nesërmen në mëngjes herë këta gjermanë u diktuan nga një grup grash që venin për të punuar në vreshtat e tyre. Pasi piketuan gjermanët ato njoftuan shpejt disa nga shokët e celulës së PKSH të fshatit Vuno, të cilët njoftuan forcat partizane të batalionit të 4 që ishin në ndjekje të tyre, edhe njësitin e fshatit, të cilët bashkërisht i rrethuan në vreshta, ku ishin fshehur, dhe i asgjësuan. U vranë 7 ushtarë dhe u zunë 3 robër, midi tyre një toger.
I gjithë materiali që forcat gjermane kishin në Spille mbeti në duart e partizanëve të batalionit 4. Menjëherë u organizua transportimi i tyre në fshatin Pilur. U zunë një top i kalibrit 75/13; 2 mortaja të rënda dhe 1 e lehtë; 12 mitraloza; disa armë automatike si dhe një sasi e mirë municion. Po kështu u zunë ushqime e veshmbathje; 2-3 automjete, etj.
Enver Hoxha në librin e tij “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë” kur flet lidhur me përfundimin e sulmit mbi garnizonin gjerman në Spille-Himarë, midis të tjerave shkruan: “Aksioni u zhvillua, gjermanët zunë 9 anglezë robër dhe mënd e likuiduan krej komandën angleze. Por ndërhyri Brigada e jonë e XII që i sulmoi, shpartalloi garnizonin gjerman, çliroi Himarën dhe liroi robërit. Ç’mbeti nga komanda angleze ju a hypi varkave dhe u larguan për në vendin nga ishte nisur”*
*Enver Hoxha, “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”, faqe 32.
Në mbrëmjen e datës 28 korrik qyteti i Himarës u çlirua dhe u pastrua nga forcat gjermane. Ndërkohë u morën masat për organizimin e pritave të fuqishme si nga ana veriore e Himarës, në zonën afër fshatit Vuno, ashtu edhe nga jugu në Zonën e Porto Palermos, me qëllim që të zmbrapsnin çdo forcë gjermane që të mund të vinte në ndihmë të garnizonit të Himarës nga Vlora në Sarandë.
Në mëngjesin e 29 korrikut forcat partizane të batalioni të 4 së bashku me vullnetarët territorialë të Kurveleshit, që sapo ishin vendosur në prita në lartësitë rreth rrugës Vuno-Himarë në pritje të ardhjes së forcave të tjera gjermane nga ana e Vlorës, goditën me zjarr dhe shkatërruan plotësisht në të tatëpjetën e Vishës 3 automjete të njësitit pararojë të forcave të furnizimit e të përforcimit të nisura nga Qafa e Llogarasë për në Spille. U vranë 5 ushtarë gjermanë, kurse dy oficerë mundën të shkëputen dhe morën grykat e Skutarës për të dalë në anë të detit e për të shpëtuar duke u fshehur nëpër shkurre. Partizanët i ndoqën edhe këta këmba-këmbës. Në këtë përpjekje nga ana e partizanëve ra dëshmor vullnetar i batalionit territorial të Kurveleshit Ferik Gjolleshi, nga fshati Kallarat.*
*A.Q.P Brigada XII Sulmuese V.1944, faqe 41, D. 93. Komunikatë e shtabit të brigadës.
Nga dokumentet gjermane del se Komanda e Regjimentit 532, me të marrë sinjalin nga garnizoni gjerman në Spille-Himarë, nisi me ngut në mesnatën e 28-29 korrikut nga Llogaraja një forcë të furnizimit e të përforcimit të përbërë nga 35 ushtarë e oficerë. Këta udhëtuan me shpejtësi me 3 kamiona deri në rrepet e Përroit të Milasë, midis Iliasit e Vunoit.
Një pjesë e kësaj force u nis drejt rrugës automobilistike për zbulim, e cila ra nën zjarrin e fuqishëm të pritës partizane dhe u shpartallua plotësisht, kurse pjesa tjetër e kësaj autokolone pasi qëndroi disa orë e maskuar nën rrepet e përroit të Milasë, u nis për t’u kthyer në qafën e Llogarasë, por u godit disa herë në disa prita nga partizanët e vullnetarët, sa një kamion u rrëzua dhe shkaktoi plagosjen e 16 ushtarëve gjermanë.*
*A.Q.P Brigada XII Sulmuese V.1944, faqe 41, D. 93. Komunikatë e shtabit të brigadës.
Në pasditen e 29 korrikut forca të konsiderueshme gjermane, të shoqëruara me mjete të blinduara, me artileri e mortaja të rënda, të nisur nga Vlora dhe nga Saranda, synonin të ripushtonin Spillenë me qëllim që të mbanin hapur me çdo kusht rrugën automobilistike Sarandë-Vlorë, pa marrë parasysh humbjet e rënda që pësonin çdo ditë.
Në datat 30 e 32 korrik 1944, forcat partizane të batalioni 4 dhe vullnetarët e batalioni territorial të Kurveleshit të Poshtëm e të njësitit partizan të fshatit Vuno kishin zënë pozicione mjaft të përshtatshme në rajonin e fshatrave Vuno - Ilias - Dhërmi dhe organizuan atje një pritë të fortë. Këtu u zhvilluan luftime shumë të ashpra me forcat naziste të grupit të luftimit “Poileke”, me dy kompani të përforcuara (njëra ishte e regjimentit 523 dhe tjetra e regjimentit 522) si dhe me baterinë e artilerisë malore të regjimentit të artilerisë 297. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të këtyre forcave gjermane për të çarë në drejtim të Himarës e Spillesë si edhe në rrahjet e pandërprera me breshëri predhash të artilerisë mbi pozicionet e partizanëve, ata u gozhduan në vend dhe në ndonjë drejtim mundën të përparonin shumë ngadalë. Në mëngjesin e 31 korrikut shtabi i brigadës dhe i bataliont 4 e panë të nevojshme që të fusnin në luftimet e vijës Vuno - Iliasit edhe kompaninë që kishin lënë rezervë në Spille për shkak se kjo ishte zona më e gjerë dhe forcat armike ishin edhe më të mëdha se sa në rajonin e Porto Palermos.
Në Spille lanë vetëm një skuadër, që të merrej me transportin e materialeve e shërbimeve të tjera.
Edhe autokolona tjetër e forcave gjermane e nisur nga Saranda më 30 korrik, e përbërë nga një grup luftimi i Korpusit XXII, ku bënin pjesë 2 kompani të përforcuara të batalionit të motorizuar të xhenierëve 41 të dërguar me ngut nga Elea e Greqisë për të sulmuar në drejtimin e Borshit-Himarës, u ndal në vend në zonën e Porto Palermos, 2-3 km në jug të Spillesë, nga forcat partizane të batalionit 4 dhe nga vullnetarët territorial të Kurveleshit. Të dyja kolonat u mbajtën nën goditjen e vazhdueshme të forcave partizane dhe iu shkaktuan dëme të konsiderueshme për shkak të pozicioneve të përshtatshme dhe shfrytëzimit me mjeshtëri të terrenit. Mbrëmjen e 31 korrikut forcat gjermane u detyruan të tërhiqen në drejtim të fshatit Qeparo.
Forcat gjermane të nisura nga Vlora e Llogaraja, të cilët kishin marrë detyrë që “...të përparonin me çdo kusht drejt Spillesë…ta pushtonin e ta mbanin atë…”*, duke parë se nuk çanin dot në drejtim të rrugës automobilistike Llogara - Himarë, nisën një pjesë të këtyre forcave në fshehtësi, në mbrëmjen e datës 31 korrik, nga ana e bregut të detit të fshatit Dhërmi, me drejtim për Spille, dhe duke kapërcyer natën vonë nga brinjët e malit të Skutarës mbërritën afër Spillesë. Në mëngjes herët të datës 1 gusht këto forca armike u ndeshën me një skuadër partizane të batalionit 4, që ishte lënë në Spille në shërbim. Pas një përpjekje të ashpër në të hyrë të Spillesë, nga bregu i detit skuadra me shpejtësi zuri pozicion në kodrën e parë në juglindje të Spillesë, kurse një pjesë e materialit që kishte mbetur pa u tërhequr si edhe dy-tri mjete transporti i vuri zjarrin që të mos binin në duart e armikut. Gjithashtu mundën të shkatërronin edhe disa nga fortifikimet.
*Dokumente gjermane T-314-686-000664-000388-99.
Me këtë manovër shpinëmarrëse gjermanët vunë në rrezik forcat partizane në veri e në jug të Himarës pasi mund t’i godisnin pas shpine. Kështu natën vonë të 31 korrikut, duke parë zhvillimet e luftimeve në të dy krahët e Spille-Himarës, forcat partizane e panë të panevojshme qëndrimin e mëtejshëm në ato pozicione dhe gradualisht zunë pozicione të reja në rrugën automobilistike Porto Palermo-Himarë, duke pasur shpinën e tyre nga zona e fshatit Pilur si edhe mbi rrugën automobilistike Vuno - Himarë, me shpinë të siguruar nga ana e malit. Pas tre ditësh luftime dhe shumë humbjeve në material e një njerëz, forcat gjermane arritën më në fund të hynin sërish në Spille mesditën e 1 gushtit.
Komanda e forcave gjermane, duke parë asgjësimin e plotë të garnizonit të saj në Spille-Himarë si edhe goditjet e fuqishme që i dhanë forcat partizane gjatë këtyre 3-4 ditëve, si dhe humbjet e ndjeshme në njerëz, u detyruan që ta braktisnin përfundimisht këtë pikëmbështetje nga frika se mos pësonin përsëri të njëjtin fat.
Për këtë arsye, forcat gjermane qëndruan në Spille-Himarë vetëm një ditë dhe u larguan me shpejtësi në drejtim të Qafës së Llogarasë e Vlorës, duke vendosur një pjesë të forcave të tyre në majën e malit të Skutarës, ku bënë edhe fortifikime të tjera. Por edhe në këto pika sunduese të këtyre zonave ata nuk mundën të qëndronin gjatë, pasi ishin nën presionin e përditshëm të partizanëve të batalionit 4, të cilat i detyruan të largoheshin mëngjesin e datës 9 shtator 1944 në drejtim të Qafës së Llogarasë e Vlorës.
Në të njëjtën ditë kur po zhvilloheshin luftimet e ashpra për asgjësimin e garnizonit gjerman të vendosur në Spille-Himarë nga partizanët e batalionit 4 të Brigadës XII Sulmuese dhe vullnetarët territorialë të Kurveleshit të Poshtëm, forcat e batalioneve 2 dhe 3 të po kësaj brigade, në bashkëveprim edhe me forcat e batalionit “Perlat Rexhepi” të grupit II të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, organizuan një sulm me shkallë të gjerë kundër garnizonit gjerman dhe forcave kolaboracioniste në zonën e fortifikuar prej tyre të Mavrovës - Vodicës dhe Kropisht - Treblovës. Më 28 korrik 1944 duke u gdhirë data 29, shokët e shtabit të brigadës e të komandës së qarkut të Vlorës së bashku me shokët e shtabeve të këtyre batalioneve partizane organizuan planin e mësymjes dhe rreth orës 15.00 goditën fuqishëm e në befasi të plotë forcat armike të vendosura në pozicione të fortifikuara nga të gjitha drejtimet. Luftimet u bënë të ashpra, deri brenda në llogoret e armikut, me bomba dore dhe automatikë, duke i shkaktuar atij dëme në të vrarë e të plagosur. Kjo goditje solli, njëkohësisht, edhe një demoralizim të mëtejshëm në radhët e armikut.*
*A.Q.P Brigada XII Sulmuese V.1944, faqe 41, D. 93. Komunikatë e shtabit të brigadës.
Gjithashtu, po në këto ditë, shtabi i batalionit 1 të Brigadës XII Sulmuese organizoi një sërë goditjesh më të fuqishme e më intensive se më parë kundër forcave gjermane të vendosura në Kalanë e Borshit e deri në fshatin Borsh si edhe në pritat gjatë rrugës automobilistike nga Borshi në Sarandë. Kështu në datën 29 korrik, herët në mëngjes, sulmuan me forca e mjete më të mëdha, nga shumë pika të afërta, forcat gjermane në Kalanë e Borshit dhe në të njëjtën kohë i bënë një pritë të fuqishme një autokolone të armikut që po kthehej nga Borshi për në Sarandë, duke i shkaktuar humbje të ndjeshme në njerëz, automjete e materiale. Më 31 korrik përsëri forcat e batalionit 1 organizuan një pritë tjetër kundër 3 automjeteve të armikut, të cilat ishin nisur nga Borshi për në Sarandë. Forcat e batalionit i goditën ato duke i shkaktuar 2 të vrarë dhe i detyruan mjetet të ktheheshin përsëri në Borsh. Po këtë ditë organizuan edhe një goditje tjetër në afërsi të fshatit Borsh ku sulmuan përsëri dy automjete gjermane, të cilat i shkatërruan, vrarë disa ushtarë gjermanë dhe zunë një rob. Edhe në afërsi të fshatit Qeparo disa skuadra partizane po të këtij batalioni së bashku me disa forca partizane të Zonës I Operative i bënë pritë 2 automjeteve të tjera të armikut, që po ktheheshin nga Porto Palermo për në Borsh. Forcat partizane shkatërruan automjetet, vranë disa gjermanë dhe kapën 1 rob.*
*A.Q.P Brigada XII Sulmuese V.1944, faqe 41, D. 93. Komunikatë e shtabit të brigadës.
Partizanë të Brigadës XII Sulmuese
(nga Ardi Kule)
Sipas të dhënave të të dyja palëve, rezulton se garnizoni gjerman kishte në përbërjen e tij një efektiv prej jo më shumë se 120 ushtarësh. Po sipas këtyre të dhënave, prej sulmit britanik u nxorën jashtë luftimit rreth 70 ushtarë gjermanë, ndërsa prej sulmit partizan u nxorën jashtë luftimit rreth 45 ushtarë gjermanë. Duke marrë parasysh zhvillimin e sulmit britanik dhe humbjet e tyre në njerëz, mund të arsyetojmë se artileria navale duhet të ketë shkaktuar një numër të konsiderueshëm viktimash ndër ushtarët gjermanë.
Ushtrisë britanike nuk i kanë munguar as trimat, as heronjtë e as udhëheqësit e talentuar e të përgatitur ushtarakë. Përndryshe ajo nuk do kish si të përballonte aq shumë beteja e fushata madhështore ushtarake kundër nazifashizmit në të gjithë botën. Megjithatë, është fare e qartë që operacioni "Healing II" nga ana operative e strategjike ishte një dështim i plotë. Këtë konkluzion nuk është nevoja që ta nxjerrim nga opinionet dhe vlerësimet e shqiptarëve por nga vetë burimet britanike.
Për dështimin e këtij operacioni flasin jo vetëm të dhënat për veprimet luftarake, të cilat përfunduan me tërheqjen e plotë të britanikëve me humbje të shumta dhe ikjen e tyre nën zjarrin e predhave gjermane, por edhe veprimet e komentet e mëpasme, të cilat janë të parashtruara mësipër e që do t’i analizoj këtu.
Së pari, është qesharake që për dështimin e tyre në fushëbetejë komanda aleate fajëson kuislingët (kolaboracionistët shqiptarë), të cilin më vonë autori i shkrimit e intepreton sikur bëhet fjala për të gjithë popullsinë civile të zonës. Gjermanët nuk ishin budallenj. Komanda Aleate e Mesdheut ishte në Bari, vetëm 70 km larg me anije. Nuk kishte njeri në të gjithë Shqipërinë, i madh apo i vogël, që nuk e dinte se ushtritë Aleate ishin matanë detit dhe mund të organizonin operacione zbarkimi në çdo kohë. E gjithë bota ziente nga lufta dhe armiku kryesor ishte pikërisht ushtria gjermane. Është afërmendsh të mendosh që me vendosjen e ushtrive aleate në Itali, bregu shqiptar ishte shumë më i rrezikuar dhe për këtë gjermanët do të mernin masat përkatëse. Ata nuk kishin pse prisnin spiunllëqet e kolaboracionistëve shqiptarë që të kthjelloheshin për situatën dhe rreziqet që vinin nga deti.
Pastaj, edhe nëse diçka e tillë do të kishte ndodhur me të vërtetë, lind pyetja, si vajti lajmi më parë tek kolaboracionistët se sa tek gjermanët dhe kush ua tha këtyre gjithë këto plane sekrete!? Balli kombëtar nuk kishte asnjë lidhje me këtë operacion pasi, jo vetëm që nuk kishte forca në këtë zonë dhe ishte drejt shpartallimit, por edhe leja ishte marrë në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH dhe aty rrotull kishte vetëm forca partizane. A nuk tingëllon ky si një justifikim i pastër?
Së dyti, letra që Komandanti i Forcës Tokësore të Adriatikut Brigadier Dejvi i dërgon Kolonelit Flin është qartësisht një tentativë për ta marrë kolonelin me të mirë sikur të ishte një fëmijë e vogël që është rrëzuar dhe ka gërvishtur gjunjët. Ai gënjen kur thotë se operacioni ishe “një sukses i plotë”, sepse më sipër thuhet që Koloneli Flin e pa që nuk kishte forca të mjaftueshme për t’i kapur të gjitha pikat e fortifikuara mbi kodra dhe prandaj u tërhoq. Forcat britanike jo vetëm që nuk arritën ta shkatërronin garnizonin gjerman por edhe pësuan shumë humbje në njerëz, siç dëshmohet edhe nga dëshmitë e mësipërme.
Më tutje Dejvi i shkruan Flinit se “...pjesa e mbetur e gjermanëve u kapën nga partizanët”. Po me çfarë autoriteti flet Dejvi për veprimet e partizanëve kur këta as nuk ishin llogaritur si pjesë e operacionit dhe as nuk u ftuan të marrin pjesë!? Si mund të llogarisë ai suksesin e operacionit të ushtrisë britanike duke u bazuar tek veprimet e paplanifikuara të partizanëve shqiptarë!?
Për më tepër, në fillim të artikullit autori shkruan se qëllimi i këtij operacioni ishte krijimi i një zone të çliruar nëpërmjet të cilës të zbarkonin furnizimet britanike. Si humbi rrugës ky qëllim dhe pse nuk përmendet më asnjëherë!?
Dështimi i këtij operacioni kuptohet fare qartë tek paragrafi i dytë ku Brigadier Deivi i thotë Flinit se “Viktimat e betejës ishin të shumta, por kundrejt tyre ju duhet të matni pengesat dhe dëmin moral e material që i keni shkaktuar armikut në Shqipëri. Kështu ju do të kuptoni nivelin e arritjes suaj.” Pra, kaloi objektivi nga “asgjësim i garnizonit gjerman dhe hapja e një rruge furnizimi nga deti” në “pengesa dhe dëme morale e materiale”. Ky paragraf është në fakt një mesazh për t’i thënë flinit që mbyll gojën, lëpij plagët dhe bëj sikur arrite sukses sepse na duhen fitore. Fakti që ai i përmend viktimat e shumta do të thotë se kishte më shumë viktima se ç’duhet të kishte por ky fakt nuk duhej nënvizuar shumë.
Shqiptarët, veçanërisht pala partizane, janë akuzuar shpesh se nuk kanë qenë objektivë dhe se kanë bërë propagandë. Ndërkohë shohim të shkruar të zezë mbi të bardhë se si komandanti i të gjitha forcave tokësore Aleate, për të mbuluar dështimin katastrofik të operacionit, i jep udhëzime kolonelit se si duhet t’i intepretojë rezultatet e betejës. Këtu del qartë se kur ua do puna britanikët dinë të propagandojnë e të manipulojnë opinionin e lexuesit sipas qefit të tyre.
Aftësia për të gënjyer e manipuluar e britanikëve del edhe në një vend tjetër, tek Apendiksi 1 i këtij shkrimi, ku flitet për vlerësimet që i bëhen Kolonelit Palmer për ta dekoruar me Urdhrin të Shërbimeve të Dalluara. Ndër të tjera atje thuhet: “Koloneli Palmer, që në atë kohë kishte marrë komandën e pothuajse të gjitha forcave partizane në zonën e Borshit…” e më tutje “...vetëm në sajë të guximit dhe iniciativës Koloneli Palmer arriti të merrte kontakt me Shtabin e Përgjithshëm dhe të mblidhte e të organizonte forcat partizane për të vazhduar luftën dhe dëmtimin e rrugëve të komunikimit.”
Ky është një pretendim tjetër qesharak. Vetë oficeri britanik Xhulian Emeri (Julian Emery) e thotë qartë në librin e tij “Fitorja e Hidhur” që oficerët e misioneve britanike mbaheshin relativisht të izoluar dhe nën kontroll të rreptë nga Shtabi i Përgjithshëm, ndërsa partizanët instruktoheshin që të qëndronin korrekt por ftohtë ndaj tyre. Forcat e zonës që përmenden këtu do kenë qenë, me shumë gjasa, ndonjë njësit apo çetë partizane që Shtabi i Përgjithshëm ia ka vënë në dispozicion misionit britanik si ndihmës ose shoqërues për të realizuar tek tuk ndonjë operacion sabotazhi me eksploziv. Por kjo s’do të thotë se Palmeri i kishte nën komandë. Asnjë oficer britanik nuk ka pasur ndonjëherë nën komandën e vet forca partizane. Kjo binte absolutisht në kundërshtim me të gjitha parimet e UNÇSH dhe FNÇ.
Por hipokrizia nuk mbaron me kaq. Autori i shkrimit shkon më tutje duke shkëputur fragmente të ndryshme në të cilat tregohet qartazi një nënvlerësim për forcat partizane. I tillë është p.sh. komenti i një oficeri të Palmerit, komandantit të misionit britanik pranë Shtabit të Përgjithshëm, i cili na paskësh qenë shprehur kështu: “Mënyra se si britanikët arritën të kapnin pozicionet natën aq afër armikut dhe papritur t’i shfaqen atij në agim ishte e re dhe deri në momentin që e panë me sytë e tyre, konsiderohej i pamundur nga partizanët. Trimëria, disiplina dhe kontrolli i situatës që treguan britanikët solli admirim, dhe në fakt ashtu duhej. Partizanët u habitën me mënyrën se si britanikët përparuan në linjë të drejtë, duke ndenjur shtatlartë dhe me mospërfillje ndaj zjarrit. Ata e konsideruan operacionin si shprehje të mjeshtërisë së luftës… Rezultati qe ngritja e moralit partizan dhe një përmirësim në metodat e tyre të luftimit.”
Këto janë të gjitha përralla me mbret që tingëllojnë sa qesharake aq edhe dashakeqe. Së pari, operacioni "Healing II" u zhvillua në fund të korrikut 1944. Në këtë kohë UNÇSH kishte përballuar dy operacione madhore të ushtrisë gjermane, që shtriheshin në të gjithë Shqipërinë e mesme dhe të jugut, e që do të thotë se partizanët nuk kishin pse të prisnin ushtarët britanikë që “të shihnin me sytë e tyre se si luftohej”, sepse ishin përballur vetë me ushtrinë gjermane në disa dhjetëra beteja të përgjakshme, ushtarët e të cilës, siç e panë edhe vetë britanikët, luftonin si bisha, duke shkelur, madje, edhe mbi shokët e vrarë.
Së dyti, pas çdo operacioni gjerman forcat partizane ishin hedhur në kundërsulm të përgjithshëm dhe kishin rifituar të gjithë territorin e humbur brenda një kohe shumë të shkurtër. Madje, ndërkohë që ushtria gjermane zhvillonte operacionin e qershorit në jug të vendit, Divizioni I Sulmues ishte hedhur në mësymje të përgjithshme për çlirimin e Shqipërisë së veriut. Pra, forcave partizane jo vetëm që nuk u mungonte morali luftarak, por për vetë kushtet e luftës guerrile duhet të shërbenin si shembulli më i lartë i vetmohimit për ushtarët britanikë
Së treti, s’mund të kishte kurrësesi mundësi që rezultatet e operacionit britanik të ngjallnin admirim dhe frymëzim tek partizanët shqiptarë. Metoda e luftimit që bënin ushtritë e rregullta ishte armiku kryesor i luftës guerrile partizane. Po të luftonin partizanët siç luftonin britanikët, “duke ndenjur shtatlartë e duke mospërfillur zjarrin” dhe të pësonin humbje të tilla, deri në fund të luftës nuk do mbetej më asnjë partizan gjallë. Një nga direktivat kryesore të Shtabit të Përgjithshëm ishte që të evitohej lufta frontale me çdo kusht dhe të ruheshin forcat e gjalla. Kjo nuk ishte një këshillë por direkivë e qartë dhe e prerë.
Kur mbaroi operacioni, ushtarët britanikë u kthyen në Itali dhe vendin e tyre do ta zinin të tjerë ushtarë deri sa këta të merrnin veten. Po partizanët ku do shkonin pas një beteje? Tek beteja e radhës. Ushtritë e mëdha i dërgonin ushtarët e tyre për të vdekur si morrat, taktikë që ushtria partizane shqiptare nuk mund t’ia lejonte vetes kurrë. Në këtë periudhë UNÇSH nuk kishte më shumë se 35 000 luftëtarë, nga këta gjysma ishin nëpër batalionet vullnetare territoriale që nuk lëviznin nga fshatrat e tyre. UNÇSH nuk kishte njerëz pët t’i çuar mish për top. Një i vrarë ishte tragjedia e gjithë fshatit. Jeta e çdo partizani ishte e vyer dhe këtë komandantët e njësive e dinin mirë, duke planifikuar operacione që rrezikonin sa më pak jetë partizanësh.
Kështu shpjegohet edhe një rast kur një oficer britanik tregonte me shpoti se si Mehmet Sheshu anulloi zhvillimin e një prite për shkak se ishin diktuar nga një postrojë me 20 gjermanë, duke aluduar se partizanët paskëshin qenë frikacakë. Mirëpo oficeri britanik me sa duket nuk e kuptonte se një pritë e zbuluar nuk ishte më pritë por luftë frontale, dhe komandantët partizanë, qoftë edhe një i zellshëm si Mehmet Shehu, nuk mund të sakrifikonin jetët e partizanëve për disa kamiona me ushtarë e materiale.
Së katërti, metoda e nisjes së sulmit herët nëmëngjes, pa dalë mirë dielli ishte një taktikë e përdorur rëndom nga forcat partizane. Kur u zhvillua operacioni "Healing II" partizanët kishin gati 3 vjet që luftonin kundër ushtrive pushtuese. Ç’kishin bërë deri në atë moment partizanët? I kishin zhvilluar sulmet në piskun e vapës? U kishin trokitur forcave gjermane në derë? Ky oficeri, me shumë gjasa që i referohet ndonjë grupi fshatarësh, të cilët nuk lëviznin nga fshati i tyre por angazhoheshin vetëm në rast aksionesh të veçanta. Këto mufka nuk mund t’i thoshte kurrësesi një partizan i sprovuar në njësitë sulmuese të UNÇSH. Ose këtij oficerit thjeshtë i kanë bërë qefin duke i thënë fjalën e mirë, siç e kanë zakon shqiptarët gjatë një bisede miqësore.
Çështja është që britanikët me këtë operacion dështuan dhe dështuan keqas, dhe ky përbënte një problem, jo aq për aspektin ushtarak e strategjik, pasi të tilla operacione britanikët kishin bërë dhe do të bënin ndoshta me mijëra, por për faktin që ky operacion kishte qëllim politik, dhe si prezantim i parë i ushtrisë britanike në Shqipëri që ishte, duhej me patjetër të kishte një impakt pozitiv në reputacionin e saj. Nëpërmjet këtij operacioni britanikët donin, në njëfarë mënyre, t’i tregonin dhëmbët Shtabi të Përgjithshëm të UNÇSH, të bënin një shfaqje të arsenalit ushtarak e të potencialit njerëzor dhe t’i imponoheshin udhëheqësve politikë shqiptarë duke i kërcënuar me fuqinë e tyre ushtarake. Pra britanikët donin që ky operacion t’i linte shqiptarët me gojë hapur dhe mundësisht të gjunjëzuar para madhështisë së kurorës britanike. Mesazhi do të ishte i qartë: “Ne mund t’ju shtypim me një zbarkim të shpejtë”.
Çfarë ndodhi në të vërtetë ishte që grupi britanik i luftimit la kokrrën e namit. Ata vërtetë dhanë një shfaqje, vetëm se jo të fuqisë së tyre ushtarake, por të keqmenaxhimit dhe shpërdorimit, sidomos të forcës së gjallë. Kjo nuk do të thotë se ushtria britanike ishte e paaftë në përgjithësi, por se për fatin e tyre të keq, në këtë prezantim të parë ata u fëlliqën krejt, si në sytë e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, ashtu edhe të të gjithë partizanëve që ishin aty atë ditë. Forcat partizane ishin vendosur në gjysmë rrethi si në një amfiteatër dhe po shihnin si në shfaqje teatrale bëmat e ushtrisë së famshme britanike, prej të cilës ata prisnin shumë.
Britanikët erdhën në Shqipëri me pompozitet të madh. Kundër një garnizoni prej më pak se 120 vetash ata zbarkuan një forcë ushtarake prej 700 ushtarësh të ushqyer, të veshur e të armatosur mirë, 6 mortaja, plot 64 radiotransmetues, municione pa hesap, një njësi mjekësh të furnizuar me të gjithë arsenalin mjekësor të luftës, barka furnizimi e evakuimi dhe padyshim artilerinë e fuqishme navale të dy destrojerëve. Gjithë këtë arsenal partizanët vetëm nëpër ëndrra mund ta shihnin. Aq municione sa shpenzuan britanikët për tetë orë luftime, partizanet e kishin furnizimin e ndoshta një muaji a më shumë. Fundja, çdo partizan nuk kishte më shumë se 30-40 fishekë për betejë e në ndonjë rast të rrallë 50-60. Gjashtë mortaja bashkë, deri atëherë, partizanët as nuk i kishin parë ndonjëherë. Furnizime mjekësore të rregullta nuk ekzistonin fare. Ndërsa për artileri navale as që bëhej fjalë. Britanikët i kishin të gjitha këto në dispozicion për një operacion simbolik kundër një garnizoni të vetëm gjerman dhe nuk qullën gjë. Kështu mesazhi që u dha ishte krejt i kundërt me atë të planifikuar: "Me pak organizim dhe shumë vendosmëri, ju mund të na hidhni neve në det."
Edhe pse kishin plot 64 radio transmetues në dispozicion, ata prapë së prapë nuk arritën të merren vesh e të koordinohen me artilerinë navale. Ndërkohë që gjatë gjithë luftës, në Shqipëri britanikët nuk sollën më shumë se 5-6 radio transmetues, të cilat ishin rreptësisht të kontrolluara prej tyre dhe jo gjithmonë mund të përdoreshin nga njësitë e UNÇSH.
Si do ta justifikonin britanikët këtë paçavure përpara Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH? Që u spiunuan nga kolaboracionistët? Që operatori i radios ra nga shkëmbi dhe theu radion? Apo që degët e ullinjve ishin shumë të dendura? Këto përralla nuk mund t’ia shisje një ushtrie që kishte tre vjet që luftonte duke ia kapur armët armikut nëpër prita. Ky dështim nuk kishte si të justifikohej. Misioni politik i britanikëve dështoi dhe kësaj here u u detyruan të largohen me bisht ndër shalë, siç vërteton edhe letra e Brigaderit Dejvi.
Një gjë çështje tjetër interesante është edhe fakti që britanikët zgjodhën pikërisht Himarën për të realizuar operacionin e tyre. Nuk është çudi që përzgjedhja e këtij vendi të jetë bërë me nxitjen e qeverisë greke dhe Shtabi i Përgjithshëm kishte dyshime pët këtë. Duke i analizuar ngjarjet historike në retrospektivë, si p.sh. njohjen e qeverisë britanike të tokave të pushtuara shqiptare nga Greqia gjatë luftës italo-greke si e drejtë e drejtë e Greqisë për t’i aneksuar, kërkesën për t’u kthyer në Greqi nga territori i krahinës së Dropullit pas operacionit të Sarandës, incidenti i Korfuzit në vitin 1946 apo edhe provokacionet e gushtit në vitin 1949, na bën të mendojmë se skenari i mëposhtëm nuk përbënte ndonjë çudi. Nëse operacioni i Spillesë do kish qenë i suksesshëm, britanikët fare thjeshtë mund të bënin një tentativë për të ngritur një bazë ushtarake permanente duke sajuar ndonjë incident ndëretnik, për të ngritur pretendimin që popullsia lokale ishte greke dhe ajo po kërkonte mbrojtjen e ushtrisë britanike nga “bandat komuniste shqiptare” të UNÇSH. Kësisoj, duke qenë vend që arrihej me vështirësi nga toka, ushtria britanike do ta kishte të lehtë mbrojtjen e saj dhe do të mund ta përdorte si bazë për nxitjen e inkursioneve në brendësi të vendit. Ndoshta kjo është një ndër arsyet pse batalioni 4 i Brigadës XII Sulmuese, bashkë me batalionet vullnetare territoriale, u pozicionuan mbri kodrat e Himarës, në gatishmëri të situatës. Prania e tyre do të kryente edhe funksionin që kryen, atë të ardhjes në ndihmë të britanikëve, por edhe si kërcënim, që UNÇSH ishte e gatshme t’i godiste britanikët nëse nuk tërhiqeshin pas operacionit. Dështimi britanik ua bëri partizanëve punën shumë të lehtë dhe shmangu një përplasje të armatosur, skenari i së cilës do të tentohej sërish pas operacionit për çlirimin e Sarandës.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historiku i Brigadës XII Sulmuese të UNÇSH – Tiranë, 2002. Komisioni i hartimit të historikut: Veis Gjebero (kryetar), Qemal Klosi, Luftar Bolena, Vangjelo Sotiriadhi, Burhan Baqari, Xhemal Orhani, Qemal Shehu, Cane Teslimi. (Tiranë, gusht 1987)
Commandoveterans.org - Spilje Bay - Operation Healing II. Autor: Harry Fecitt MBE, TD.
Materiali u përgatit nga Ardi Kule