Komanda e Lartë italiane e vlerësoi Shqipërinë si një vend, i cili për nga terreni i thyer malor “gëlltit” divizione, prandaj ajo organizoi forca të shumta për pushtimin e saj. Për këtë qëllim Italia hodhi në sulm rreth 20,000 trupa, 400 avionë, 2 luftanije, 3 kryqëzorë të rëndë, 3 kryqëzorë të lehtë, 9 destrojerë, 14 silurues, 1 dragaminë, 10 anije ndihmëse, 9 anije transportuese. Këto forca u pritën me armë nga xhepa rezistence të organizuara prej ushtrisë shqiptare, siç qe ajo e organizuar nga Abaz Kupi në portin e Durrësit. Pas pushtimit, në Shqipëri u vendosën mbi 100,000 trupa tokësore, ajrore e detare, të organizuara në 6 divizione dhe në reparte të llojeve e të armëve të ndryshme (skema nr.1). Gjatë luftës italo-greke (1940-1941) ky numër u rrit në rreth 600.000 forca të organizuara në 32 divizione në përbërje të Armatës II dhe IX të Gruparmatës “Lindja” me qendër në Tiranë. Trupat italiane të pushtimi u përhapën në të gjithë territorin shqiptar për të shtypur çdo kundërshtim e lëvizje popullore, por forcat kryesore u rreshtuan sidomos përgjatë dhe në afërsi të kufirit shtetëror në jug, për t’u futur sa më shpejt në frontet e reja të luftës.
Komanda e trupave të pushtimit në Shqipëri përqendroi në duart e veta, që në ditët e para, tërë veprimtarinë e administratës shtetërore edhe për çështjet ushtarake. Ajo, sipas koncepteve ideologjike dhe strategjisë ushtarake fashiste, riorganizoi, armatosi e përgatit ushtrinë, policinë, xhandarmërinë, rojet e kufirit, policinë pyjore, dhe organizoi milicinë fashiste shqiptare, duke i integruar (shkrirë) ato në Forcat e Armatosura italiane, si mbështetëse e tyre në planin e brendshëm dhe si mish për top në planin e jashtëm për luftën imperialiste. Në komandë dhe si “këshilltarë” kudo u vunë ushtarakë italianë. Për të mënjanuar çdo të papritur, ushtria shqiptare u organizua deri në hallkën batalion dhe këto u rreshtuan në çdo divizion italian. Në përgatitjet për sulmet e ardhshme kundër Greqisë, u morën masa për fortifikimin e vendit duke ndërtuar objekte, në radhë të parë, për veprimet mësymëse, si porte, aerodrome, ura, rrugë, pozicione zjarri, vende drejtimi, depo, strehime, etj.
Në kuadrin e militarizimit të të gjithë jetës së vendit dhe forcimit të regjimit të pushtimit, komanda italiane në Shqipëri nxori mjaft ligje, vendime, urdhra dhe rregulla ku, “Toka e zaptueshme nga Fuqitë Armatë italiane është e konsiderueshme me të gjitha efektet e Ligjit të Luftës… e Ligjit Penal të Luftës në gjendje lufte e zonë operacioni.”*
* ARKIVI QENDROR I SHTETIT, viti 1939, f.252, Dosja 149, f.90.
Bazën e gjithë akteve juridike e përbënte ligji i luftës. Sipas tyre, hyri në veprim mobilizimi i përgjithshëm civil prej 14-60 vjeç, administrata shtetërore civile u vu në varësi të Komandës së Lartë Ushtarake, shumë prefektura u shpallën zona në gjendje lufte, nisi shpronësimi i tokave për qëllime ushtarake, u vunë kufizime dhe kontrolle të rrepta në jetën dhe veprimtarinë e qytetarëve për luftë, si dhe për të ndaluar lindjen dhe zhvillimin e çdo veprimtarie politike dhe lëvizjeje të armatosur popullore anti italiane.
Riorganizimi i aparatit shtetëror, veçanërisht i “forcave të armatosura shqiptare”, propaganda për mbjelljen e ideologjisë fashiste në popull, sistemi i ri në fushën ekonomike dhe përgatitjet e shpejta ushtarake për sulmin kundër Greqisë e kthyen Shqipërinë e vogël, brenda 1-2 vjetësh, në një teatër lufte me tërë pasojat që do të rridhnin. Kjo gjendje e rëndë e shumëfishtë shtypjeje, shfrytëzimi dhe diskriminimi gradualisht nxiti më tej urrejtjen dhe bëri të pashmangshme qëndresën dhe revoltën popullore. Kjo urrejtje filloi të marrë formë e të konkretizohet me manifestime politike, greva, demonstrata, sabotime, veprime të armatosura, solidaritet ndaj viktimave të fashizmit, etj.
Qytetarët protestojnë pushtimin italian të Shqipërisë
Qëndresa në formën e luftës politike u shpreh me manifestime dhe parullat antifashiste nëpër mure, me trakte, me mospranimin për të marrë pjesë në festimet fashiste, me refuzimin e nderimit fashist me krahun lart, me refuzimin për të veshur uniformën fashiste, me refuzimin për të mësuar italishten, me heqjen ose grisjen e flamurit fashist dhe të fotografive të krerëve fashistë, me veprimtaritë kulturore-sportive me karakter atdhetar, etj. Demonstratat ishin shprehja më masive e kundërshtimit ndaj pushtuesit fashist. Ata morën një hov veçanërisht të madh e të organizuar në prag të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Të tilla ishin p.sh. Demonstrata e 28 tetorit të vitit 1941 në Tiranë, e organizuar nga grupet komuniste dhe ajo që u zhvillua në 8 nëntor të vitit 1944 në Korçë. Këto demonstrata u zhvilluan sipas një plani të menduar ku prashikoheshin qëllimi, forcat pjesëmarrëse, mënyra e grumbullimit, drejtimi i lëvizjeve, parrullat që do të hidheshin, mënyra e përballimit të forcave të rendit fashist, etj. Ato ishin të fuqishme, u shndërruan në përleshje me karabinierët e milicët dhe patën jehonë në të gjithë vendin.
Qëndresa popullore me karakter politik u shfaq edhe në kundërshtimin për të dorëzuar armët e për t’u rekrutuar ushtar. Autoritetet fashiste e kishte shqetësim të madh çështjen e armëve pasi në Shqipëri ndodhej një sasi mjaft e madhe armësh në duart e popullsisë. Këto sasi u ruajtën të fshehura dhe u përdorën më vonë për luftën e armatosur, pavarësisht nga ligjet, paralajmërimet dhe dënimet që bënin autoritetet ushtarako-shtetërore. Shumë shqiptarë nuk u entuziasmuan as nga propaganda për t’i futur “vullnetarisht” e me shpërblim në forcat e armatosura italiane dhe shumë të rinj i shmangeshin me të gjitha mënyrat shërbimit të detyrueshëm. Ky kundërshtim me karakter nacionalist dhe dezertimi në masë i ushtarëve shqiptarë prej ushtrisë italiane, sidomos gjatë luftës italo-greke, përbënin një ndihmesë të popullit shqiptar në luftën antifashiste të popujve fqinjë, sidomos atij grek. Ato u shndërruan në një problem shqetësues, që arriti deri në sferat më të larta politike e ushtarake italiane. Mjaft domethënie politike kishte atentati i 18 majit të vitit 1941 i të riut Vasil Laçi* kundër perandorit të Italisë Viktor Emanuelit III.
*Vasil Laçi veproi i vetëm. Ai nuk ishte i lidhur me asnjë organizatë.
Vasil Laçi - atentatori i perandorit Viktor Emanuel III. Vasil Laçi u arrestua nga forcat fashiste
dhe pasi u torturua, pas dhjetë ditësh u ekzekutua me varje.
Lufta ekonomike ishte, gjithashtu e ashpër, për shkak të shfrytëzimit të pamëshirshëm e të dyfishtë që i bëhej shqiptarëve, Ajo u shpreh me braktisjen e punës nga punëtorët, protestat ndaj mohimit të të drejtave të tyre, me sabotimet e ndryshme që u bënë në qendra industriale e kantiere pune, në kundërshtimin ndaj taksave e detyrimeve të rënda që iu vunë fshatarësisë, kundër dëbimit e shpronësimit të tokave të tyre, në për tokën (reformën agrare), e cila arriti deri në marrjen e saj me forcën e armës, etj.
Lufta politike e ekonomike filloi, në radhë të parë, në qytetet e mëdha, në qendrat punëtore e në shkolla. Prek këtej me punën e komunistëve, ato u shtrinë në qytetet e tjera të vendit dhe mandej u përhapën në fshatra. Qëndresa në këto forma e të tjera krijoi bazat e përgatitjes për luftën e ardhshme të armatosur.
Çeta e Pezës. Në qendër ndodhet Myslim Peza.
Grupet e para kryengritëse të armatosura filluan që në vitin 1941. Numri i kryengritësve u shtua edhe me ushtarë shqiptarë që kishin dezertuar nga ushtria fashiste. Për ti bërë ballë këtij fenomeni komanda italiane mori masa gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e tyre. Vetëm në maj të vitit 1941 u arrestuan e u burgosën 217 atdhetarë.
Shqetësuese u bë për pushtuesin dhe qeverinë kuislinge çeta e Pezës në drejtimin e Myslim Pezës, e cila në këtë periudhë nuk ishte bërë ende çetë partizane. Bërthama e kësaj çete prej 4-5 vetash u krijua në vitin 1939 dhe aksionet i filloi pas takimit të parë me përfaqësuesit e Partisë Komuniste. Gjatë gjithë vitit 1940 çeta kreu veprime kundër postave dhe objekteve ushtarake, por veprimtaria e çetës u rrit më tepër pas takimit të dytë në janar 1941. Në këtë kohë çeta numëronte 72 vetë. Ajo ndërmori disa aksione gjatë muajve mars-prill. Në 4 mars sulmoi një autokolonë ushtarake në rrugën iranë-Durrës afër Ndroqit, në një pjesë rruge që e kishte prishur më parë. Më 13 mars, një njësit prej 7 vetash i armatosur me pushkë, bomba e revolverë dhe i pajisur me litarë, sharra e sëpata, në Pezë të Vogël preu në 2-3 vende telin e trashë të telefonit që lidhte Tiranën me Romën e me krahinat e vendit. Në qafën e Çeljes njësiti goditi 250 m larg urës mbi përroin e Pezës 2 vetura me oficerë fashistë, duke plagosur 2 prej tyre. Çeta kreu edhe disa atentate kundër spiunëve në kryeqytet, etj. Kjo veprimtari në rritje e një formacioni të armatosur në afërsi të kryeqytetit dhe Durrësit, portit më të madh të vendit, e vuri komandën italiane para detyrimit të madh për ta asgjësuar sa më parë. Për këtë qëllim fashistët ndërmorën operacionin e parë ndëshkimor në shkallë të gjerë me rreth 700 forca, duke sulmuar nga disa drejtime dhe disa herë gjatë rreth 100 ditëve (mars-qershor 1941), që zgjati ky operacion. Ai u shtri kryesisht në tonën e Pezës, në një hapësirë prej rreth 600 km2 dhe u zhvillua në disa faza.
Faza e parë e tij filloi natën e 15 marsit. Armiku u përpoq të afrohej në befasi, duke i lëvizur forcat në dy kolona para dhe prapa. Raporti i forcave ishte 1:10 në dobi të forcave italiane, kurse në armatim e teknikë ai kishte epërsi të plotë. Çeta, pas aksionit që kishte ndërmarrë e për t’i shpëtuar çdo rreziku, ishte ndarë në tri pjesë: në Pajan dhe në Lagjen Bec të Pezës ishin 15 veta, në Pezën e Madhe ndodhej Myslim Peza me një grup luftëtarësh. Për qëllimin e operacionit dhe lëvizjen e trupave italiane, Myslim Peza ishte lajmëruar nga Tirana. Në shtigjet që të çonin në bazë, u vendosën grupe fshatarësh vullnetarë të armatosur, të cilët dhanë kushtrimin sapo diktuan armikun.
Kolonat armike u hapën në rendim luftimi dhe rrethuan Pezën e Madhe. Çeta u vu në gatishmëri dhe zuri pozicione në tri vende. Luftëtarët e saj hapën zjarr në befasi, kur italianët kujtonin se e kishin rrethuar çetën. Kjo befasi e zjarrit nga disa anët, i detyroi forcat italiane të tërhiqeshin drejt krahut të djathtë të përroit të Pezës. Pas goditjeve me artileri, armiku u hodh përsëri në sulm duke e ngushtuar rrethimin e njësitit në Pezën e Madhe, i cili me kërcime e manovra doli në kodrën e Postës. Dy njësitet e tjera, që kishin mbetur jashtë rrethimit, e sulmuan armikun nga shpina, e vunë midis dy zjarreve dhe e detyruan të dilte në fushë të hapër e të tërhiqej përsëri pas 6-7 orësh luftë. Nga ky luftim ranë dëshmorë 5 luftëtarë të çetës. Ndërsa armiku la 84 karabinierë, milicë e ushtarë të vrarë.
Ndër luftimet më të ashpra në fazën e dytë të operacionit ishin ato që u zhvilluan në Shahinaj dhe në Ramush. Ndërsa fashistët e mbanin në ndjekje, çeta manovronte nga një fshat në tjetrin e pritur dhe e përcjellë nga fshatarët vendas të Pezës, Shijakut e Peqinit. Më 4 maj çeta u ndesh përsëri afër Shijakut, në fshatin Shahinaj, me një repart karabinierësh. Raporti ishte i pabarabartë, por çeta arriti ta mbërthente armikun mes dy zjarreve dhe e shpartalloi. Megjithatë çeta ishte vazhdimisht në ikje dhe shpesh herë e gjeti veten në rrethime. Rasti më i spikatur ishte rasti i rrethimit në Ramush, fshati Shpat i Peqinit. Ky luftim u zhvillua ml 21 qershor. Çeta kishte vendosur të kthehej përsëri në zonën e Pezës për aksione të tjera. Gjatë lëvizjes ajo u përqendrua në një pyll dhe për siguri u nda në dy pjesë: një njësit u vendos në një shtëpi dykatëshe, kurse tjetri në pyllin afër saj. Pa zbardhur mirë dita, njësiti që u vendos në shtëpi u gjend papritur i rrethuar nga forca të shumta, që lëviznin me shpejtësi dhe iu afruan petës rreth 200 m. Në këtë përpjekje prej 13 orësh çeta arriti ta çante rrethimin, sepse u bashkërenduan veprimet e zjarrit të njësitit që luftonte nga shtëpia me zjarrin e befasishëm në shpinë të karabinierëve që hapën luftëtarët e njësitit nga pylli. Çeta përdori me mjeshtëri sidomos bombat e dorës, të cilat krijuan tym dhe ndihmuan tërheqjen e njësitit nga shtëpia, ndërsa për t’i shpëtuar rrethimit shërbeu errësira e natës dhe terreni i thyer.
Operacioni i trupave italiane dështoi, kurse çeta e Pezës u rrit dhe fitoi një përvojë të mirë për luftën e mëtejshme. Mjeshtëria e të luftimit që përdori çeta ishte tregues i mirë i vlerave të taktikës së luftës partizane, e cila ndërkohë që dëmtonte armikun, ruante dhe forcat e veta. Lëvizjet e shpejta dhe manovrimet, guximi e këmbëngulja për përballimin e situatave të vështira, kurthet dhe goditjet e papritura, lidhjet e ngushta me fshatarët, njohja dhe shfrytëzimi i terrenit, përdorimi i armëve dhe hapje e zjarrit nga largësi të afërta, etj, ishin nga elementët e taktikës që çeta e vogël në numër u shpëtoi ndjekjeve dhe përballoi forca të shumta e të zgjedhura fashiste. Luftimet e kësaj çete shënojnë ndeshje e parë të organizuar me armë të çetave partizane shqiptare kundër pushtuesit dhe e bën atë simbol të luftës për liri. Rëndësia e krijimit dhe e veprimtarisë së kësaj çete qëndronte në atë fakt domethënës se ajo e shqetësonte dhe e godiste pushtuesin mu në strofkën e tij në kryeqytet. Në këtë mënyrë pushtuesit i bëhej një sfidë e madhe dhe popullit i ngjallej besimi se lufta e armatosur filloi sidomos rreth kryeqytetit.
Komunistët shqiptarë e vlerësuan aktivitetin e çetës së Pezës dhe nëpërmjet komunikimit e vunë atë nën ndikimin e ideve të komuniste, ndërsa Pezën bazën kryesore për stërvitjen e partizanëve të ardhshëm. Në të u futën komunistë nga qyteti dhe për herë të parë në fushën e organizimit ushtarak të LNÇ u krijua funksioni i komisarit politik, në të cilin u caktua punëtori Vasil Shanto. Sekretar i celulës së parë të Partisë Komuniste të çetës së parë partizane shqiptare u caktua Mihal Duri. Çeta u organizua në tre skuadra. Në të filloi leximi i broshurave komuniste nga Qemal Stafa, praktika për përvetësimin e armëve e të taktikës partizane dhe lufta kundër analfabetizmit. Baza e çetës ishin familjet e bashkëpunëtorëve në fshatrat përreth dhe në qytet. Në këtë mënyrë: “Komunistët, punëtorët, studentët, do t’i jepnin luftës sonë një përmbajtje të re. Në kryengritjen e madhe që po përgatitej, - kujton Myslim Peza, - ne tashmë do të ishim një njësi luftarake partizane e organizuar me një program të qartë politik, taktik e strategjik.”* Kthimi i Pezës “...në një qendër luftarake me rëndësi për ne dhe shumë e rrezikshme për pushtuesin dhe për kuislingun Vërlaci”*, u ndikua mjaft nga ndihma, puna e lufta ilegale e komunistëve në kryeqytet ashti sikurse dhe Peza u bë qendra e parë e madhe e ilegalëve, e njësive luftarake dhe e kuvendeve të Partisë Komuniste. Në këto kushte autoritetet pushtuese u detyruan të merrnin masa të tjera më të forta ushtarake, siç ishte bllokimi i zonës së Pezës në tri drejtime duke vendosur tri batalione: një midis Peqinit e Rrogozhinës, një midis Ndroqit dhe Shijaku dhe një në Fushë-Krujë.
* Myslim Peza, “Kur dhashë besën”, kujtime, Tiranë 1987, f.113
** Enver Hoxha, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, Tiranë, 1982, f.173.
Lufta me armë nisi edhe në krahinat e tjera të vendit dhe jo vetëm në Shqipërinë e Mesme. Në verilindje, në prill të vitit 1941 grupe antifashistësh sulmuan trupat dhe postat ushtarake në kufirin me Jugosllavinë. Luftëtarët dibranë nën komandën e Haxhi Lleshit organizuan prita përgjatë kufirit, prej Viçishtit në Kllobçisht dhe me zjarr të befasishëm nga pozicione të përshtatshme penguan lëvizjen e kolonave italiane drejt Kosovës, kur u sulmua Jugosllavia*. Ato u detyruan të tërhiqeshin vetëm kur u vunë në mes dy zjarreve, sepse në shpinë u dolëm reparte tankiste gjermane që kishin çarë frontin jugosllav nga ana e Bullgarisë. Luftëtarët tropojanë i detyruan trupat fashiste që të hidheshin përtej Drinit dhe krahina mbeti e çliruar rreth një muaj. Pas kësaj sfide, fill pas kapitullimi të ushtrisë mbretërore jugosllave, komanda e pushtimit ndërmori me forca të shumta ushtarësh e milicësh fashistë** një operacion ndëshkimor në Malësinë e Gjakovës për t’u hakmarrë kundër luftëtarëve që kishin sulmuar trupa italiane më parë. Në jug ushtarët shqiptarë që dezertuan nga fronti italo-grek, dolën në mal dhe prej andej goditnin trupat italiane. Kështu, afër malit Trebeshinë luftonin rreth 200 veta, kurse një grup tjetër vepronte në Tomoricë.
* Logjika thotë që ky sulm do ketë qenë i financuar nga agjentët britanikë në bashkëpunim me Mbretërinë Jugosllave. (A.K.)
** Në këtë operacion u përdorën për herë të parë forcat mercenare shqiptare.
Qëndresa popullore u shfaq edhe në radhët e ushtrisë fashiste. Batalionet shqiptare si “Taraboshi”, “Tomorri”, “Dajti”, “Korata”, u shthurën dhe shumë ushtarë nga batalionet e grupet e tjera R19A, nga rojat e financës, etj, braktisën frontin ose u larguan nga kazermat. Një pjesë e tyre kaloi në anën e ushtrisë greke për të luftuar së bashku kundër të njëjtit armik. Forma të tjera ndihmuese ishin demonstratat, sabotimet, grevat, prishja e rrugëve, urave, linjave telefonike, djegia e depove, sulmet nga prita e në befasi kundër trupave italiane që lëviznin në rrugët e Durrësit, të Tiranë, të Gjirokastrës, etj, nga antifashistët dhe ushtarët e dezertuar shqiptar si dhe dështimi i planit për të mobilizuar ushtarë shqiptarë e për t’i çuar në front. Më 22 nëntor 1940, Musolini i shkruante Hitlerit se ndër tre faktorët që kishin ndaluan përparimin e ushtrisë italiane në Greqi dhe forcat greke kishin mundur të merrnin nismën, më themelori ishte prej “defeksionit (dezertimit) gati të plotë të forcave shqiptare, të cilat ngrinin krye kundër njësive tona.”* Për të ndalua shthurjen në radhët e ushtrisë dhe për të frenuar lëvizjen me armë, Komanda Italiane çarmatosi e internoi ushtarë shqiptarë, ndoqi e burgosi njerëzit, shpërnguli popullsinë, dënoi e gjobiti.
* AQU, Kutia nr.1, viti 1940, Dosja nr.3.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.