Luftëtarë të batalionit italian "Antonio Gramshi" me Mehmet Shehun në krye
dhe Spiro Moisiun para flamurit italian. Fushë-Krujë. Prill 1945.
Në 8 shtator 1943 Italia bëri deklaratën publike të kapitullimit. Forcat e divizioneve të ndryshme italiane që gjendeshin në thellësi të territorit shiqptar filluan marshimin drejt detit me qëllim për tu evakuuar drejt Italisë. Në këtë periudhë divizioni italian “Firence” gjendej në rrethinat e Dibrës.
Në 10 shtator 1943 forcat gjermane që gjendeshin në Jugosllavi filluan operacionin për pushtimin e Shqipërisë. Ndër të tjera ato kishin si qëllim që të pengonin largimin e forcave italiane dhe materialit ushtarak drej Italisë, e cila ishte tashmë e pushtuar nga forcat Aleate. Pas 20 ditësh udhëtim drejt Tiranës dhe pas një shkëmbimi zjarri me forcat gjermane dhe “këmishëzinjve”* në Krujë, pjesa më e madhe e forcave të Divizionit “Firence” mbërritën në Tiranë. Po aty u grumbulluan edhe forca të tjera italiane nga Divizionet e tjera.
*Paramilitarët Vullnetarë të Sigurisë Kombëtare, të quajtur ndryshe “Këmishat e zeza” për shkak të uniformës me këshima të zeza, ishte krahu i armatosur i Partisë Fashiste italiane.
Më 8 tetor 1943, u organizua nga forcat partizane një takim me oficerët e të gjitha trupave italiane që gjendeshin në Tiranë. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH fliste komandanti i Brigadës I Sulmuese Mehmet Shehu. Ai u foli ushtarëve italianë për disfatën e Krujës, për faktin që ushtarët italianë ishin abandonuar në tokë të huaj nga udhëheqësit e tyre, etj. Më tej Mehmet Shehu u tregoi për mundësitë që paraqiteshin në rrethanat e krijuara: ushtarët italianë mund t’i bashkoheshin ushtrisë partizane shqiptare dhe të vazhdonin luftën kundër armikut të përbashkët gjerman; t’ua dorëzonin armët partizanëve dhe të shpërndaheshin në familje shqiptare për të punuar tokën; të dorëzonin armët tek forcat partizane dhe pastaj t’u dorëzoheshin gjermanëve. Për këtë italianët kishin 24 orë për tu menduar.
Të gjithë oficerët madhorë dhe shumë ushtarë vendosën që të luftojnë gjermanët për hesap të tyre. Në komandën e nënkolonelit Rosito (Rossito) dhe të majorit Martino formuan një repart italian, me shpresën për të çarë rrugën drejt Durrësit e për të evakuuar drejt Italisë. Pas pak ditësh ky repart u sulmua nga forcat gjermane, balliste e këmishzinjtë dhe u asgjësua. Pati shumë të vdekur e të kapur rob, të cilët më pas u pushkatuan nga gjermanët.
Shumë të tjerë preferuan që të shkojnë të punojnë tokat në familjet shqiptare nëpër fshatra. Tek forcat gjermane nuk pati dorëzime në masë. 73 ushtarë italianë iu bashkuan Brigadës së I Sulmuese. Asnjë oficer madhor nuk kishte vendosur të luftonte me partizanët shqiptarë. Të gjithë qëndruan me formacionin italian. Ndër ata që iu bashkuan forcave partizane ishte një nënoficer (maresciallo), dy rreshterë të parë dhe një rreshter. Të tjerët ishin ushtarë të thjeshtë. Këto forca u përshëndetën nga Mehmet Shehu. Autori i librit kujton: “Kur erdhi Mehmeti, ai iu përgjigj përshëndetjes time ushtarake dhe më tha: - Unë të njoh ty, të kam parë, ti ishe ai që më dogje shtëpinë. - Unë u shtanga. S’dija ç’të thoja. Por aty për aty u kthjellova dhe iu përgjigja se nuk e mohoja që kisha marrë pjesë në shumë luftime dhe se i isha përgjigjur zjarrit me zjarr, por se nuk kisha marrë kurrë pjesë në aksione që më neverisnin, aq më pak t’u vija zjarrin shtëpive. - U duk se përgjigja ime e kënaqi. Na ftoi të uleshim rreth tij dhe filluam të diskutojmë për situatën në të cilën ndodheshim. Na falenderoi shumë për zgjedhjen që kishim bërë. Na tha se me ne do të formonte një repart krejt italian për tu patur zili. Gjithashtu na tha se komandantë të repartit do ishim vetë ne, në parim ata që kishin pasur grada në ushtrinë italiane dhe se, nëse ndonjë nga këta nuk do të tregonte aftësi udhëheqëse, atëherë do të zëvendësohej me një më të mirë. Në parim do t’i bashkoheshim brigadës së tij (Brigada I Sulmuese) dhe në vazhdim, pasi të fitonim aftësitë e duhura, do të vepronim të pavarur, por duke iu përmbajtur gjithmonë urdhrave të Komandës së Përgjithshme shqiptare (Shtabit të Përgjithshëm). Pastaj na tregoi për displinën e rreptë partizane dhe na bëri t’i premtojmë se edhe në njësinë tonë do të ishte po njësoj. Komandantët duhet të shërbenin si shembull. Na udhëzoi që të vepronim drejtë dhe të shërbenim si frymëzim për të gjithë italianët e shpërndarë në territorin shqiptar.”
Pas disa propozimesh e vendos që njësia e re të merrte emrin e komunistit italian me origjinë arbëreshe Antonio Gramshi (Antonio Gramsci), i cili kishte vdekur në burgjet e fashizmit. Propozime të tjera ishin “Garibaldi” dhe “Italia”. Ishte data 10 tetor 1943, data zyrtare e formimit të themelimit të batalionit “Antonio Gramshi”. 73 partizanët e njësisë së re u organizuan në tre kompani me 23 partizanë secila. Ata që mbeteshin ishin komandanti i batalionit, komisari, intedenti dhe korrieri. Komandant i batalionit u caktua Tercilio Kardinali (Terzillio Cardinali) nga San Giovani Valdarno, një officer me eksperiencë që kishte luftuar në Afrikë; komisar u caktua një ushtar i Divizionit “Arezzo” me mbiemër Del Ponte, i cili pas një muaji dezertoi nga batalionit dhe humbi gjurmët; indedent u caktua Ermano Vasari (Ermanno Vasari) nga Montevarchi, një oficer i rangut “graduato” i Divizionit “Arezzo”; dhe korrier u caktua Oskar Nepi (Oscar Nepi), ushtar i thjesht nga Lastra a Signa. Komandant i kompanisë së parë u caktua mareshali Romeo Karnieluti (Romeo Carnielutti) nga Mantova; komandant i kompanisë së dytë u caktua Xhuzepe Monti (Giuseppe Monti) nga Montecatini Terme; komandant i kompanisë së tretë u caktua Batista Kavaloto (Battista Cavallotto - autori i librit) nga Alba e Cuneos.
Terzilio Cardinali, komandati i batalionit "Antonio Gramshi"
Partizanët e rinj morën vendim që në njësinë e re të mos lejoheshin asnjë nga komandët madhorë të ushtrisë së vjetër. Ata i kishin lënë ushtarët në mëshirë të fatit në momentin më të vështirë dhe asnjë prej tyre nuk denjoi të bëhej pjesë e repartit të ri partizan italian, kështu që ata do të vepronin që tash e tutje me forcat e tyre. Gjithashtu partizanët italianë u betuan se lufta e tyre do të ishte e plotë dhe pa lëkundje, se askush nuk do të tërhiqej përballë rrezikut, dhe se do të duronin me vetëmohim kushtet e rënda të jetës së re.
Si fillim, për t’u orientuar me terrenin dhe për të mësuar taktikën partizane, çdo kompani shoqërohej nga partizanë shqiptarë. Në parim luftimet e para u zhvilluan kundër ballistëve dhe xhandarmërisë shqiptare, për shkak se, sipas autorit të librit, njësitë balliste e ato të xhandarmërisë nuk kishin aftësi të mëdha luftarake dhe thyheshin shpejt. Detyrat ishin veprime tipike të luftës guerile. Afrimi pranë kazermave apo postë rojave, asgjësimi i rojave, kapja rob e personelit ushtarak, marrja e materialit ushtarak dhe bërja e propagandës për t’i bindur ushtarët ose ballistët që t’u bashkoheshin njësive partizane. Sulme të tilla batalioni realizoi shumë.
Pas realizimit me sukses të këtyre sulmeve stërvitëse, batalionit iu dha detyra e ngritjes së pritave kundër autokolonave gjermane. Prita e parë u organizua në bashkëpunim me njësitë të tjera të Brigadës I Sulmuese në rrugën Peqin-Elbasan kundër një autokolone merreth 20 kamionë të shoqëruar nga një autoblind. Kompania e parë dhe a dytë u vendosën në pozicione sulmit, ndërsa kompania e tretë u la në rezervë dhe me detyrë që të futej në aksion vetëm gjatë tërheqjes së forcave kryesore. Gjatë luftimeve u fut në luftim edhe bateria e Brigadës I Sulmuese (në atë kohë kishte vetëm një hovicer 75/13mm) e komanduar nga kapiteni Kota (Cotta) i Divizionit “Arezzo”.
Prita u realizua me sukses dhe autokolona gjermane u shkatërrua. I gjithë materiali që mund të ngarkohej u hoq prej aty, ndërsa kamionëve që kishin shpëtuar nga plumbat iu vu zjarri. Brenda pak kohe çdo gjë ishte shkatërruar.
Çdo gjë kish vajtur mirë dhe komandanti i batalionit Kardinali mori lëvdata nga komandanti i brigadës Mehmet Shehu. Tashmë batalioni “Antonio Gramshi” ishte pothuajse gati për të organizuar aksione në mënyrë të pavarur. Mirëpo kjo nuk ishte dhe aq e lehtë sepse ushtarët italianë ishin mësuar që të merrnin urdhra nga oficerët, ndërsa tani duhej të vepronin me iniciativën e tyre dhe të merrnin vendime rrufe. "Megithatë, shkruan autori, jeta në batalion funksiononte si sahat. Të gjithë bënin detyrën pa qenë nevoja që të nxitej nga kush. Komandanti udhëhiqte dhe partizanët e ndiqnin me sy mbyllur. Gjatë kësaj periudhe edhe çështja e ushqimit ishte rregulluar disi dhe uria nuk përbënte më problemin kryesor. Gjithashtu edhe numri i efektivit ishte rritur me mjaft ushtarë italianë që ishin lodhur duke punuar tokën në familje shqiptare dhe tani donin të bëheshin partizanë. Numri i partizanëve kishte vajtur në 150 vetë. Veç një kompani kishte 75 vetë."
Pas nja një muaji aksionesh kundër kazermave, postrojave dhe autokolonave batalioni “Antonio Gramshi” la pozicionet e tij në zonën e Tiranës dhe u nis pas Brigadës I Sulmuese në drejtim të Beratit. Me të mbërritur në qytet, batalioni u has me pritjen e ngrohtë të qytetarëve. Partizanët u vendosën në ambientet e një kishte të abandonuar. Detyra e batalionit ishte që të qëndronte në Berat dhe të ruante qytetin nga ndonjë sulm i ushtrisë gjermane, e cila ndodhej vetëm pak kilometra më në veri në qytetin e Kuçovës, ndërsa Brigada I Sulmuese vazhdoi rrugëtimin për në zona të tjera.
Batalioni "Antonio Gramshi" në Berat
Vendroja e partizanëve batalionit ishte vetëm 500m larg kampit gjerman. Natën e 14 nëntorit 1943, një patrullë e kompanisë së 3 të batalionit “Antonio Gramshi” kapi një oficer gjerman të dehur që vinte nga qyteti i Beratit me drejtim për tek kampi gjerman.* Nga qefi që komandanti i kompanisë i fali jetën dhe e la të lirë, ushtari gjerman e njoftoi se të nesërmen ushtria gjermane do të sulmonte Beratin.
*Komanda e grupit partizan të Beratit kish bërë marrëveshje marrëveshje armëpushimi me gjermanët dhe kish lejuar kalimin e lirë të ushtarëve gjermanë në qytet të paarmatosur.
Në orën 5 fiks të mëngjesit të datës 15 nëntor 1943, në qytetin e Beratit ranë këmbanat që paralajmëronin se forcat gjermane, të shoqëruara nga forcat balliste, ishin hedhur në sulm.* Për këtë sulm gjermanët kishin organizuar forca të mëdha. Në ballë të tyre ata kishin vendosur tanket dhe autoblindad, ndërkohë që nga ajri qëllonin tre gjuajtës Stuka. Në këto kushte, duke qenë të papërgatitur dhe pa eksperiencë për t’u tërhequr me rregull përballë një force të madhe mësymëse, njësitë partizane italiane e humbën toruan shpejt dhe u tërhoqën në rrëmujë duke humbur krejt aftësinë luftarake. Ndër ta pati shumë të vrarë, të plagosur e të humbur. Pas një luftimi të shkurtër batalioni “Antonio Gramshi” u shpartallua.
*Ky sulm u zhvillua në kuadër të operacionit gjerman të dimrit 1943-1944. Forcat gjermane sulmuan Beratin me qëllim që të pengoheshin forcat partizane për t’u ardhur në ndihmë forcave partizane në zonën e Dibrës e të Çermenikës, ku gjendej Shtabi i Përgjithshëm.
Megjithatë, nuk ishte e thënë që ky të qe fundi i këtij batalioni. Prej sulmit kishin shpëtuar komandanti i kompanisë së dytë Xhuzepe Monti, komandanti i kompanisë 3 Batista Kavaloto dhe nja 15 partizanë, të cilët ruajtën bërthamën e njësisë për të vazhduar më tej rrugëtimin e saj. Për njëfarë kohe kjo bërthamë iu bashkangjit një batalioni tjetër partizan, të cilit autori nuk ia përmend emrin.
Ndalesën e parë bërthama e mbetur e batalionit “Antonio Gramshi” e bëri në fshatin Dardhë rrëzë malit të Tomorrit për të pushuar e për të ngrënë diçka. Teksa përpiqeshin të merrnin veten, forcat e batalionit u sulmuan nga forcat balliste. Njësia kishte në dispozicion vetëm pushkët e automatikët dhe një mitraloz të lehtë. Për rreth 15 ditë me radhë, partizanët e batalionit “Antonio Gramshi”, tashmë bashkangjitur forcave të zonës së Beratit, luftuan kundër armikut rrëzë Tomorrit në fshatrat Dardhë, Tomorr i Vogël, Lybesh, Kapinovë, Bargullas, Novaj, Sirak (?) dhe Dobrushë.
Pak më vonë bërthamës së batalionit arriti t’i bashkohej edhe komandanti i saj Tercilio Kardinali dhe korrieri Nepi bashkë me disa partizanë të tjerë italianë që i kishin mbijetuar sulmit gjerman në Berat. Tani bërthama e batalionit kishte rreth 20 partizanë, nga 160 që kishte patur para sulmit gjerman në Berat. Luftimet kundër armiku vazhduan në fshatrat Dobrushë, Sirak (?), Novaj, Bargullas, Kapinovë, Lybesh, Dardhë. Në dardhë partizanët pushuan.
Të nesërmen forca balliste të ardhura nga Berati sulmuan sërish. Gjatë luftimeve, në 7 dhjetor 1943 komandanti i kompanisë së dytë Xhuzepe Monti u plagos në mushkëri dhe u detyrua të shkojë për mjekim në një spital partizan në afërsi të Korçës, ku vepronte mjeku italian me emrin Piero Dele Sedie (Piero Delle Sedie) nga Piza. Zhuzepe Monti u kthye në radhët a batalionit andej nga muaji maj i vitit 1944. Edhe pse i dobësuar për shkak të dëmtimit të mushkërisë, atij nuk i mungonte vullneti për të vazhduar rrugën bashkë me shokët e tij partizanë.
Për shkak të rezervave të pakta të municioneve, komanda e batalionit “Antonio Gramshi” vendosi të largohej nga zona e Tomorricës me drejtim Kurveleshin, edhe me shpresën për të gjetur rrugës ndonjë italian që donte t’i bashkohej njësisë. Autori i librit tregon që të gjithë partizanët vendosën të bëhen propagandistë dhe të përiqen t’u mbushin mendjen të gjithë atyre italianëve që do të takonin për t’u bërë pjesë e batalionit “Antonio Gramshi”. Ishin të shumta ata që lanë shata e lopata dhe iu bashkangjitën batalionit, për shkak të kushteve të rënda në të cilat punonin në familjet shqiptare, të cilat shpesh herë i trajtonin si skllevër. Dhe kur kishte luftime, shumica e tyre liheshin në mëshirë të fatit.
Batalioni “Antonio Gramshi” mori pjesë në shumë luftime gjatë gjithë periudhës së operacionit të dimrit 1943-1944, kryesisht kundër forcave balliste. Andej nga fundi muajit janar 1944 batalioni ra në kontakt me Brigadën I Sulmuese dhe shoqëroi atë në luftime. Autori nuk është në gjendje që ta specifikojë por duket se batalioni bashkë me Brigadën I Sulmuese u gjendën në zonën e operacionit gjerman të koduar me emrin “Horridoh” në zonën Vlorë-Gjirokastër, që zhvillohej në kuadër të operacionit gjerman të dimrit. Pas disa manovrave të suksesshme, forcat partizane arritën të çajnë rrethimin. Autori shprehet se çarja e rrethimit ishte meritë e partizanëve shqiptarë, të cilët në luftë guerile ishin të paarritshëm. Për më tepër një pjesë e tyre vepronin në krahinat ku jetonin e për këtë ata njihnin çdo shteg.
Pas çarjes së rrethimit, batalioni “Antonio Gramshi” u nis për një drejtim, ndërsa Brigada I Sulmuese* në një drejtim tjetër. Gjatë rrugës batalioni hasi në komandën e lartë të divizionit “Firenze”, e cila vinte sa andej këndej për t’i shpëtuar forcave gjermane e balliste, mirëpo nuk komanda e batalionit nuk arriti të merrte dot kontakt me të. Pak më vonë partizanët italianë gjetën rrugës një komandant të lartë të ushtrisë italiane në Shqipëri. Atë e kishin vënë të ruante lopët, por ai mbante veshur ende pallton ushtarake bashkë me gjithë gradat. Nga inati partizanët e zhveshën dhe e lanë vetëm me të brendshme dhe rrobat e tij ua shpërndanë atyre që kishin nevojë.
*Bëhet fjala për komandën e brigadës. Batalionet e brigadave vepronin në autonomi dhe të veçuar nga njëri tjetri.
Gjatë rrugës, komisari i batalionit Alfredo Danxhelo mori lajm se në fshatin Dunicë ishin përqendruar forca balliste, kështu që komanda e batalionit vendosi të bënte një sulm mbi fshat. Pas pak luftimesh, në duart e partizanëve italianë ranë rob rreth 400 ballistë. Këta u shoqëruan drejt Brigadës I Sulmuese, ndërsa materiali luftarak u shpërnda tek partizanët. Në këtë aksion mbeti i plagosur vetëm komisari i batalionit Alfredo Danxhelo.
Batalioni “Antonio Gramshi” vazhdoi rrugëtimin në drejtim Tepelenë - Gjirokastër - Këlcyrë ku vepronin një numër i madh forcash balliste që kishin zënë vendin pas operacionit gjerman. Pas kësaj batalioni vazhdoi itenerarin Këlcyrë - Përmet - Gjirokastër - Delvinë - Libohovë, Poliçan, pastaj sërish në Përmet e pastaj në Miçan - Treskë - Panarit - Opar - Voskopojë - Moçan. Këtu forcat e batalionit u takuan me forcat e Brigadës I dhe Brigadës IV Sulmuese, bashkë me të cilat u nisën drejt Pogradecit, ku luftuan kundër forcave balliste e kosovare (ndoshta të Maqedonisë). Në këtë aksion batalioni pati dy të plagosur.
Më pas batalioni mori detyrë të vihej në ndjekje të focave balliste, me qëllim shpartallimin e tyre. Autori shprehet se partizanët dhe ballistët digjnin shtëpitë e njëri tjetrit, por pa dhënë informacion të saktë e konkret. Ai thotë se kjo luftë shkaktoi shumë viktima nëpër fshatra dhe se çdo fshat kishte shtëpi të djegura, përfshi dhe nga atë to djegura prej forcave gjermane. Autori shprehet edhe për kushtet e rënda të jetës partizane dhe për popullsinë shqiptare, e cila, ia hiqte bukën fëmijëve të tyre për t’ua dhënë partizanëve. Një nga frazat që partizanët italianë përdornin më shpesh ishte “Nane, a ka pak bukë e qepë?” (Nane cha pak buk e cep?). Më pas autori tregon se si partizanët shqiptarë propagandonin veprimtarinë e partizanëve italianë duke i thënë popullit “-Shihni si luftojnë partizanët italianë për çështjen tonë pa kërkuar asgjë në këmbim. Prandaj, ndihmojini ata me aq sa mundeni-. Kështu fshatarët nxitonin të na ndihmonin me ushqim apo diçka tjetër që na mungonte. Na strehonin në shëpitë e tyre, madje në shumë prej tyre gratë vinin e na lanin këmbët si shenjë mikpritjeje (për shkak të zakonit). Na jepnin raki dhe pastaj na dhuronin ç’kishin mundësi. Në shtëpitë e pasura rrihej mirë dhe kishte ushqim të bollshëm, ndërsa në shtëpitë më të varfra partizanët duhej të mjaftoheshin me bukë misri dhe qepë."
Partizanë të batalionit "Antonio Gramshi"
Më poshtë autori tregon për atmosferën shoqërore që ekzistonte mes partizanëve shqiptarë. Veçanërisht vajzat partizane i kishin vënë vetes detyrë që të mbanin lart moralin partizan me buzëqeshjet e tyre, mirësjelljen, këngët, etj. Marrëdhëniet intime mes partizanëve ishin kategorikisht të ndaluara. Ata që kapeshin duke ngacmuar një partizane femër apo anasjelltas e kishin punën pisk. Autori tregon se duke ndenjur shpesh herë me partizanët shqiptarë edhe në batalionin “Antonio Gramshi” u zhvillua një atmosferë shoqërore që në kohë të tjera nuk kishte ekzistuar kurrë. "Ne u detyruam që të linim mënjanë egoizmin tonë personal dhe të ndanim me shokët çdo gjë. Mes nesh sundonte parimi “Të gjithë për një dhe një për të gjithë”".
Gjatë ndalesave nëpër fshatra bëheshin mbledhje ku diskutohej situata politike (detyrë kjo e komisarëve) dhe ushtarake, dhe ku diskutoheshin lajmet që vinin prej komandës së Brigadës I Sulmuese. Disa herë batalioni "Antonio Gramshi" mori për detyrë shoqërimin e partizaneve femra me detyra të rëndësishme kur ato duhet të kalonin nëpër zona të rrezikshme për kryerjen e misionit të tyre. Detyra jonë ishte që t’i shoqëronim drejt destinacionit të tyre dhe në kthim. Disa prej këtyre partizaneve femra kanë qenë Nexhmije Hoxha, Fiqret Sanxhaktari, Liri Gega, Mita Jakova, etj. Autori tregon “Ato ishin partizane përveçse vajza të shkëlqyera. Flisnin të gjitha nga pak italisht dhe kishin një sjelljes prej shoqesh komuniste në kuptimin e vërtetë të fjalës. Askujt prej nesh nuk i vajti ndonjëherë ndër mend që të mos i respektonte. Përkundrazi, bënim gara kush e kush t’u vinte më shpejt në ndihmë, nga i pari tek i fundit.”
Aty rreth muajit maj 1944, komanda e Brigadës I Sulmuese vendosi që të dërgonte një partizan shqiptar pranë batalionit “Antonio Gramshi”, i cili e fliste gjuhën italiane rrjedhshëm. Ky veprim u bë me qëllim që komunikimi mes batalionit dhe popullsisë vendase të ishte më i lehtë. Partizani ishte Sami Kotherja, student universitar nga Elbasani. Samiu qëndroi me batalionin deri në nëntor të viti 1945 dhe më pas u kthye sërish në njësinë e tij.
Gjatë operacionit gjerman të qershorit 1944, batalioni “Antonio Gramshi” ra në rrethim bashkë me Brigadën I Sulmuese, mirëpo e përballoi operacionin pa pësuar humbje.
Rrugës për në drejtim të Elbasanit, komanda e batalionit mësoi se në Belsh ndodhej një kamp gjerman ku mbaheshin të burgosur ushtarët italianë dhe me aprovimin e komandës së Brigadës I Sulmuese vendosi që të mësyhej kampi me qëllim lirimin e të burgosurve. Kjo mësymje duhe të kryhej vetëm me forcat e batalionit dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi ishte parashikuar që batalioni do të merrte pjesë në një operacion tjetër më të madh pak kohë më pas. Sulmi do të kryhej nga kompania 1 dhe 2, ndërsa kompania 3 do të qëndronte rezervë. Forcat gjermane në kamp nuk i bënë dot ballë zjarrit të furishëm partizan dhe për këtë ata kërkuar bisedime. Delegacioni partizan përbëhej prej komandanti Kardinali, komisarit Bruneti dhe korrierit Nepi. Mirëpo bisedimet u zvarritën shumë me qëllim pasi prisnin të vinin përforcime, të cilat ata i kishin njoftuar më parë me telefon. Fatmirësisht forcat rrethuese të batalionit “Antonio Gramshi” u njoftuan nga partizanët shqiptarë për ardhjen e një autokolone gjermane dhe arritën t’i shpëtojnë rënies në kurth duke shkëputur kontaktin me armikun. Në luftime u fut kompania 3, e cila ndihmoi tërheqjen e forcave të tjera. Në këtë operacion, ndër të tjerë u palgos edhe komandanti i komapnisë 1 Karnjeluti (Cargnelutti). Autori tregon se mes partizanëve shqiptarë u diskutua gjatë sulmi i dështuar dhe shpëtimi për qime nga asgjësimi i plotë.
Pranë Brigadës I Sulmuese u atashua një mision ushtarak britanik dhe me ardhjen e tyre filluan furnizimet me aeroplanë. Nga këto furnizime përfituan edhe parizanët e batalionit “Antonio Gramshi”, veçanërisht me veshmbathje. Çdo partizan mori të paktën një veshje. "Megjithatë, - tregon autori, - pak pasi iu gëzova këmishës së re, edhe ajo u mbush me çimka, të cilat nuk na u ndanë deri në prag të kthimit në atdhe edhe pse u përpoqëm shumë t’i shfarosnim."
Në fillim të korrikut pranë batalionit u kthye edhe ish komandanti i saj Xhuzepe Monti, i cili ishte plagosur në dhjetor 1943. Kësaj here ai u caktua zv/komandant i batalionit “Antonio Gramshi”. Edhe pse në gjendje jo fort të mirë, ai qendroi me vendosmëri deri në fund të luftës dhe mori pjesë në të gjitha aksionet e batalionit. Në këtë periudhë batalioni “Antonio Grmashi” ishte zhvendosur në krahinën e Dibrës, me detyrë dëbimin e forcave balliste nga fshatrat përgjatë rrugës automobilistike Peshkpi - Dibër dhe ngritjen e pritave kundër përforcimeve gjermane që mund të vinin në drejtim të Dibrës pasi kjo ishte rrethuar nga Brigada I Sulmuese. Gjatë një sulmi kundër forcave balliste në datë 7 korrik 1944 ra në luftime komandanti i batalionit Tercilio Kardinali. Kardinali ishte vënë në krye të kompanive 1 dhe 2 dhe në përpjekje për t’ju marrë krahun forcave balliste mori një plumb në ballë. Në këtë betejë, bashkë me komandantin Kardinali ranë edhe italianë të tjerë, ndër ta Roko Konsilio (Rocco Consiglio) dhe Renato Donini, të cilët morën nga një plumb duke u pëpjekur t’i vinin në ndihmë komandantit Kardinali. Ballistët u shpartalluan. Beteja u fitua por me çmim të lartë. Komandanti Tercilio Kardinali u dekorua pas vdekjes me medaljen “Ylli partizan e klasit të parë” dhe mori titullin “Hero i Popullit” nga qeveri a shqiptare. Në ditën e vdekjes së tij ai komandanti Kardinali mbushi 31 vjeç.
Me të marrë vesh lajmin për vdekjen e Kardinalit, komanda e Brigadës I Sulmuese vendosi që ta largonte përkohësisht batalionin “Antonio Gramshi” nga fronti, me qëllim që të merrte veten e të riorganizohej. Deri në korrik 1944 efektivi i batalionit kishte arritur në 276 partizanë të organizuar në 3 kompani. Komandan e batalionit 26 partizanë, kompania 1, 86 partizanë, kompania 2, 93 partizanë, kompania 3, 71 partizanë. Vendin e komandantit e mori sërish Xhuzepe Monti.
Shtabi i batalionit pas rënies në betejë e komandantit Tercilio Kardinali. Priskë, tetor 1944.
Nga e majta: Battista Cavalloto - zv/komandat, Giuseppe Monti - komandant, Bruno Brunetti - komisar, Domenico Bogatai - zv/komisar.
Pas pushimit batalioni “Antonio Gramshi” filloi sërish veprimet luftarake. Itenerari që ndoqi ishte Zerqan - Dëllinjas - Gurabardh - Shëngjergj dhe të gjitha fshatrat përgjatë rrugës Elbasan - Tiranë me qëllim goditjen e autokolonave gjermane që kalonin andej. Gjatë kësaj periudhe, edhe në sajë të furnizimeve britanike, gjendja e armatimit ishte përmirësuar mjaft. Partizanët e batalionit kishin armë automatike Bren dhe Sten, një granatahedhës Piat, një numër të madh mortajash 2 inch dhe municion të bollshëm. Edhe furnizimi me ushqime tashmë ishte i rregullt. Duke qenë që kishin arritur një farë kompaktësimi por edhe për të lehtësuar lëvizjen, kompanitë tashmë vepronin të ndara nga njëra tjetra, secila e vendosur në një fshat, bashkë me një person përgjegjës, që mund të ishte zv/komandanti, komisari ose zv/komisari.
Pas veprimeve në Elbasan, batalioni “Antonio Gramshi” u nis drejt Tiranës. Fshatrat në të cilat vepri batalioni ishin Sharrë - Lalm - Kus - Gropaj - Yrshek - Kashar - Mazrek - Gjokaj. Në këtë zonë batalioni kreu operacione për spastrimin e forcave balliste. Në fillim të nëntorit 1944, batalioni “Antonio Gramshi” u caktua të merrte pozicione në rrugën Elbasan - Tiranë. Kishte mbërritur lajmi se forcat gjermane po përgatiteshin për t’u tërhequr përfundimisht nga Greqia dhe për këtë shumë forca partizane u pozicionuan përgjatë rrugës automobilistike Qafë-Thanë - Elbasan - Tiranë. Ndërkohë vazhdonte operacioni i UNÇSH për çlirimin e Tiranës*. Kompania 1 dhe 1 e batalionit “Antonio Gramshi” u vendosën tek kodrat në afërsi të Tiranës, ndërsa kompania 2 u vendos në kodrën e Farkës, nga e cila dukej qartë rruga automobilistike dhe ura e Farkës, e cila ishte hedhur në erë nga forcat partizane, por që ruhej me forca të shumta gjermane. Urdhri ishte që duhej të pengohej me çdo kusht hyrja në Tiranë e forcave gjermane që mund të vinin nga Elbasani.
*Autori nuk është në dijeni të emërtimit të betejës së Mushqetasë pasi nuk ka pasur asnjë kontakt me historiografinë shqiptare dhe nuk i njeh fazat e ndryshme të gjithë operacionit.
Autori tregon se me të ardhur forcat e motorizuara gjermane atje shpërtheu një zjarr pa pushim dhe u bë një masakër e vërtetë. Ishin të paktë ata gjermanë që arritën të mbijetojnë. Vetëm ata që ishin të shoqëruar me atoblinda e tanke arritën të hyjnë në Tiranë e t’i bashkoheshin forcave që ishin aty. Luftimet vazhduan disa ditë dhe ata që nuk u dorëzuan u vranë. Autori tregon se në betejën për Tiranën mori pjesë edhe aviacioni, i cili, sipas autorit, përbëhej nga aviona italianë.* "Aeroplanët luftarakë, - tregon autori, - bombarduan disa disa nga kazermat gjermane që ndodheshin rreth e përqark Tiranës."
*Këtu ka një kontradiktë, pasi në dokumente figuron aviacioni britanik dhe jo ai italian.
Një repart i batalionit "Antonio Gramshi" rrugës drejtë betejës për kryeqytetin.
Pas betejës së Mushqetasë, Kompania 1 dhe 2 e batalionit “Antonio Gramshi” morën pjesë në sulmin përfundimtar mbi Tiranë. Luftime u kryen shtëpi më shtëpi deri sa forcat e mbetura gjermane arritën që nëpërmjet një manovre dhe me ndihmën e tankeve e autoblindave të largoheshin nga kryeqyteti në drejtim të Shkodrës e më pas drejt Jugosllavisë. Pati mjaftë të vrarë e të plagosur. Ishte data 17 nëntor 1944. Kjo autokolonë pësoi goditje të tjera nga njësitë e tjera partizane që kishin zënë pozicione përgjatë rrugës Tiranë - Shkodër.
Pas çlirimit të kryeqytetit batalioni “Antonio Gramshi” u vendos në kazermat Shkumbini, të cilat më parë ishin ndërtuar nga ushtria fashiste italiane. Në ikje e sipër gjermanët kishin shkatërruar magazinat, vrisnin këdo që u dilte përpara dhe u vinin zjarrin godinave. Ata gjithashtu kishin helmuar ushqimet që nuk kishin pasur mundësi t’i merrnin me vete. Një nga partizanët që ishte caktuar për të kontrolluar ambientet e infermierisë, Alfredo Sebastiani nga Lucca, gjeti një kuti me qumësht të konservuar. E hapi me vrik dhe e piu. Mirëpo pask pak filloi të ndihej keq. Ra përtokë dhe u nxi krejt. Mjeku deklaroi se kishte ngrënë ushqim të helmuar.
Pas çlirimit të Shkodrës më 29 nëntor 1944, partizanët e batalionit “Antonio Gramshi” morën pjesë në paradën partizane në Tiranë. Ata parakaluan menjëherë pas Brigadës I Sulmuese. Në ceremoni mori pjesë i gjithë populli i Tiranës.
Batalioni "Antonio Gramshi" parakalon në Tiranën e çliruar, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para Hotel Dajtit. 29 nëntor 1944.
Nga fundi i muajit batalioni “Antonio Gramshi” u nis përsëri në marshim drejt Shkodrës. Autori tregon se të gjithëa njësitë partizane u shpërndanë nëpër drejtime të ndryshem të vendit. Lufta për partizanët italianë kish mbaruar ndërsa për shqiptarët vazhdonte ende. Ata duhet të spastronin të gjithë vendin nga forcat e mbetura reaksionare e kolaboracioniste. Në shkodër komanda e batalionit u takua me peshkopin katolik, i cili i bekoi dhe i falenderoi për veprimtarinë e tyre. Në Shkodër partizanët e batalionit u takuan edhe me baterinë e artilerisë së Brigadës IV Sulmuese, e cila përbëhej nga kapiteni Menegaci (Menegazzi) dhe togeri Modestini. Kjo kish qenë bateria e artilerisë së divizionit “Arezzo”. Këta kishin ardhur bashkë me brigadën e tyre në mbështetje të operacionit spastrues nga mbetjet e forcave kolaboracioniste. Operacioni zgjati pak ditë dhe autori tregon se ata që u kapën u çuan në kampe përqendrimi.
Batalioni “Antonio Gramshi” qëndroi në Shkodër deri nga mesi i muajit dhe pastaj u nis për në Milot. Ushtria Nacional Çlirimtare filloi çmobilizimin e partizanëve, kështu që të gjithë partizanët italianë iu bashkuan batalionit “Antonio Gramshi” në Milot. Çdo italiani të ardhur i bëhej intervistë për të zbuluar nëse kishte nga ata që nuk kishin qenë pjesë e njësive partizane por që mund të hiqeshin si partizanë. Efektivi i batalionit arrit në rreth 1200 vetë. Autori tregon se me të marrë vesh për prezencën e Mehmet Shehut në Shkodër u nis menjëherë për ta takuar dhe për të marrë autorizim për shndërrimin e batalionit në brigadë. Mehmet Shehu e aprovoi kërkesën dhe dha autorizimin. Pastaj autori tregon se shkoi në spitalin e Tiranës për të marrë autorizimin e komandantit të batalionit Xhuzepe Monti.
Me tu kthyer në Milot, u bë ceremonia e themelimit të Brigadës “Antonio Gramshi”: komandanti i brigadës qëndroi Xhuzepe Monti, zv/komandant Batista Kavaloto, komisar Bruno Bruneti, zv/komisar Domeniko Bogatai, Intendent Ermano Vasari, zv/intendent Xhovani Baso (Giovanni Basso), officer operativ Mario Fantaçi, officer në gatishmëri Renato Bianki (Renato Bianchi). Komandanti i batalionit 1 u caktua Ilio Karrai, zv/komandant Amadeo Konte (Amadeo Conte), komisar Oliviero Bonaventura, zv/komisar Domeniko Bonoto (Domenico Bonotto). Komandanti i batalionit 2 u caktua Antonio Kontadini (Antonio Contadini), zv/komandant Xhuzepe Marki (Giuzeppe Marchi), komisar Alfredo Danxhelo, zv/komisar Emidio Marconi (Emidio Marchoni). Komandant i batalioni 3 u caktua Antonio Nikolai (Antonio Nicholai), zv/komandant Xhovani Fani (Giovanni Fani), komisar Loreto Miluçi (Loretto Millucci), zv/komisar Xhejms Bonora (James Bonora).
Në janar 1945, qeveria shqiptare i dorëzoi komandës së brigadës “Antonio Gramshi” gradat ushtarake, përkatësisht: komdantit dhe komisarit të brigadës gradën Major, zv/komandantit dhe zv/komisarit gradën Kapiten i parë, komandantit dhe komisarit të batalionit gradën Kapiten, zv/komandantit dhe zv/komisarit të batalionit gradën Toger i parë, komandantit dhe oficerit operativ gradën Kapiten, zv/intendentit, oficerit në gatishmëri dhe komandantit të kompanisë gradën Toger, zv/komisarit të kompanisë, zv/komisarit dhe komandantit të togës gradën Nëntoger, komandantit të skuadrës gradën Rreshter major.
Andej nga mesi i muajit shkurt 1945 Brigada “Antonio Gramshi” u zhvendos sërish drejt Krujës. Në muajin mars 1954, në Shqipëri mbërriti zv/ministri i luftës së Republikës Italiane Mario Palermo për të diskutuar me qeverinë shqiptare riatdhesimin e italianëve që ndodheshin në Shqipëri. Gjatë vizitës së tij, Palermo u takua edhe me partizanët e Brigadës “Antonio Gramshi” në Krujë. Ai i falenderoi partizanët italianë në emër të popullit italian. Me rastin e kësaj vizite, qeveria shqiptare dekoroi disa nga partizanët italinë, të cilët ishin dalluar për veprimtarinë e tyre luftarake. Komadantit të batalionit “Antonio Gramshi” Tercilio Kardinali iu dha medalje e artë dhe titulli “Hero i Popullit Shqiptar”. Të tjerëve iu dha Ylli Partizan i klasit të II dhe të III, ekuivalent të medaljes së argjendtë dhe të bronxtë, bashkë me dëshminë dhe shiritin.
Në muajin prill, të gjithë italianët që për arsye të ndryshme kishin qendruar pranë brigadave partizane shqiptare u mblodhën në Krujë pranë Brigadës “Antonio Gramshi”. Efektivi i brigadës arriti në 2500 vetë. Edhe një herë, me aprovimin e qeverisë shqiptare, brigada u transformua në divizion por pa ndryshuar emrin. Divizioni “Antonio Gramshi” kishte dy brigada, Brigada “Tercilio Kardinali” për nder të komandantit të parë të batalionit “Antonio Gramshi” rënë në Dibër në luftime kundër armikut dhe Brigada “G. Pinjataro” (Pignataro) për nder të një partizani tjetër italian që kishte luftuar në Brigadën IV Sulmuese rënë gjithashtu në luftime kundër armikut. Në brigadën “Tercilio Kardinali” kishte edhe katër ushtarë gjermanë, të cilët kishin braktisur ushtrinë e tyre dhe ishin bërë partizanë. Këta ishin Hanc Rar (Hanz Rar) dhe Luis Braer nga Mynihu, Jozef Morric (Josef Moritz) nga Graci i Austrisë, Alfonso Nol (Alfonso Noll) nga Frankfurti, Vincenc Toifol (Vincez Toifol) dhe Xhakomo Kloc (Giacomo Klotz) nga Coltrano (ose Cardano) në Bolzano të Italisë.
Divizioni “Antonio Gramshi u zhvendos sërish në Durrës si masë përgatitore për riatdhesimin e partizanëve italianë. Autori tregon se si në një nga takimet e shumta që pati me Mehmet Shehun u diskutua çështja e armëve. Mehmet Shehu i tha autorit: “I dashur Kavaloto, pas disa ditësh ju do të niseni për në Itali dhe armët që keni në dispozicion nuk do t’u nevojiten më. Kështu që do ishte mirë sikur të na i linit neve që kemi aq shumë nevojë”. U mendova, - shprehet autori, - dhe duke e pritur një kërkesë të tillë iu përgjigja: “I dashur shok, këto armë që kemi i kemi fituar me gjakun e të rënëve tanë. Çfarë do ndodhte me ne nëse do të riatdhesoheshim të paarmatosur? Do të qëndronim në një rang me ata që bashkëpunuan me armikun ose që punuan për 20 muaj si argatë tek familjet shqiptare. Nëse ne zbarkojmë të paarmatosur, populli italian do të thoshte “Këta na qënkan të famshit partizanët e Gramshit që kanë luftuar kundër armikut? Me çfarë armësh kanë luftuar!?” Kur mbarova Mehmeti u ngrit në këmbë dhe më zgjati dorën: “Faleminderit, Kavaloto! Kjo ishte përgjigja që prisja prej teje. Do të riatdhesoheni me gjithë armët dhe municionet”.
Në ditët e para të majit 1945, divizionin “Antonio Gramshi” e vizitoi qeveria shqiptare me Enver Hoxhën në krye. Në mbledhje ishin të pranishëm të gjithë italianë të ndoheshin në Shqipëri, edhe oficerët e lartë që ishin grumbulluar tek Qarku Garibladi.* Këtë rast qeveria e shfrytëzoi për t’u dhënë partizanëve italianë deoartën e “Partizanit të Orëve të Para” bashkë me dëshminë dhe shiritin.
*Qarku Garibaldi ishte një strukturë rreth së cilës u mblodhën të gjithë civilët italianë dhe ushtarakët që nuk kishin marrë pjesë në luftime kundër ushtrisë gjermane.
Pastaj Enver Hoxha iu drejtua partizanëve italianë me një fjalim:
"Divizionit “Antonio Gramshi”.
Komandantë, komisarë e partizanë:
Divizioni juaj po largohet nga toka shqiptare, në të cilën lindi, luftoi, u rrit dhe u përfocua. Kanë kaluar 20 muaj që kur Italia fashiste kapitulloi dhe ju, ushtarët italianë, u gjendët të abandonuar në tokë të huaj, ku fashistët ju sollën kundër vullnetit tuaj, për të shtypur popullin, për të shpërndarë sklalvërinë. Fashitmi, ky armik i egër i popujve u bë edhe armiku juaj. Fashizmi nuk kish vdekur; italianëve nuk e mbetej veçse të hynin në rrugën e popujve; në mbrojtje të lirië, për të vazhduar luftën kundër fashizmit.
Një numër i madh italianësh që panë katastrofën, drejtë së cilës i shpunë udhëheqësit e tyre, të nxitur nga dëshira për luftë shpaguese kundër fashizmit, hynë në njësitë partizane shqiptare.
Në krah të Brigadës I Sulmuese u krijua batalioni me partizanë italianë, i cili u pagëzua me emrin “Antonio Gramshi”. Që nga ajo ditë, me besim të plotë në udhëheqjen e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, batalioni filloi luftën kundër gjermanëve. Krah për krah me partizanët tanë u sakrifikuan në luftime një numër i madh partizanësh italianë. I frymëzuar nga ideali i shëndoshë i lirirë dhe urrejtjes për fashizmin, gjatë një sulmi të ashpër kundër tradhtarëve, ra në luftë komandanti trim Tercilio Kardinali.
Në krah të partizanëve shqiptarë në Berat, Skrapar, Tomoricë, Gorë Opar, Mokër, DUmre, Çermenikë, Mat dhe Tiranë, partizanët e batalionit “Antonio Gramshi” dhanë prova vendimtare për luftën e tyre kundër fashizmit. Me luftën dhe gjakun e tyre u krijua vëllazëria mes partizanëve dhe shqiptarëve. Kujtimi i batalionit “Antonio Gramshi” do të mbetet i përjetshëm në historinë e popullit italian, ashtu siç do të mbetet në zemrat e shokëve shqiptarë të luftës. Kjo duhet të jetë kujtesë për ju dhe për e për vëllazërinë e vërtetë mes dy popujve, një vëllazëri e lindur në luftën kundër fashizmit. Nga grumbullimi i të gjithë partizanëve italianë që luftuan në krah të luftëtarëve shqiptarë, btalioni “Antonio Gramshi” u bë divizioni “Antonio Gramshi”.
Komandantë, komisarë e partizanë!
Ju do të ktheheni në atdheun tuaj, ku do të vadzhdoni luftën krah për krah me Brigadat Garibaldine, në ushtrinë e re italiane. Ju duhet të jeni kudo shembullin e sakrificës dhe të vendosmërisë. Ju duhet të mbani gjallë ngjenjën e lirisë së vërtetë të popullit italian.
Të jeni krenar dhe të ruani me nder emrin që kujton sakrificat dhe gjakun e derdhu; kryeni me përkushtim detyrat, me të cilat iu garkon populli italian; në kujtim të shokëve tuaj që dhanë jetën, vazhdoni deri në fun luftën kundër mbeturinave të fashizmit. Ju duhet të jeni në vijën e parë për të mbrojtur interesat e popullit italian. Mbaheni lart emrin e divizionit tuaj “Antonio Gramshi”."
Të nesërmen filloi riatdhesimi i partizanëve italianë. Njësitë e para hipën me radhë në anijet ushtarake britanike bashkë me armatimin e tyre dhe u nisën drejt Italisë.
Gjeneral Major Spiro Moisiu i vendos komandantit të brigadës "Antonio Gramshi" Battista Cavallotto, njërit prej themeluesve të njësisë, medaljen "Partizan i Orëve të Para". Maj 1945.
Battista Cavallotto, zv/komandant i batalionit "Antonio Gramshi" dhe pas lufte komandant i brigadës me të njëjtin emër. Autor i librit që kemi sjellë këtu.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Come divenni Partigiano. Diario - Verbania 2012. Publikimi u mundësua nga Shoqata e Shtëpisë së Rezistencës Verbania Fondotoce. Autor: Battista Cavallotto.
Materiali në shqip u përgatit nga Ardi Kule