Marrëdhëniet me fqinjët
Marrëdhëniet me fqinjët
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare krijoi solidaritet mes lëvizjeve antifashiste të vendeve fqinje. Në kuadër të këtij solidariteti mund të shpjegohej manovrimi i dy spitaleve partizane në Shqipërinë e Jugut në kohën e operacioneve armike në kufirin shqiptaro-grek, të cilat u përkrahën edhe nga forcat e lëvizjes çlirimtare greke (ELAS). Po ashtu, vlen të përmendet dërgimi i të plagosurve tanë, sidomos nga zona e Leskovikut (afër Konicës), dhe i disa të tjerëve në Spitalin Qendror të EAM-it në Zhupan, në tetor të vitit 1943, për ndërhyrje kirurgjikale të mëdha. I rëndësishëm qe edhe konsultimi që u bë në një fshat kufitar të Bilishtit midis mjekëve të të dy palëve për trajtimin e një rasti me encefalit letargjik, si dhe për masat që duheshin marrë për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje e rëndë.
Gjithashtu, duhet përmendur mjekimi i disa partizanëve grekë në spitalet partizane të Zimnecit, Theologos, Kucakës dhe Nikollarës. Kjo mënyrë veprimi jo vetëm që ndihmonte partizanët e sëmurë dhe të plagosur, por forconte lidhjet midis luftëtarëve të thjeshtë, gjë që ishte mjaft pozitive për lindjen e miqësisë luftarake dhe shkëmbimin e përvojës. Me partizanët grekë u arrit edhe një marrëveshje ndihme, gjë që bëhet e qartë në dokumentin e Shtabit të Përgjithshëm dërguar Komandës së Qarkut të Korçës, ku midis të tjerash thuhet:
“Sipas një marrëveshjeje të bërë midis dikasterit të ekonomisë dhe komisionit të ardhur nga EAM-i, u arrit që të nxirren nga Shqipëria, midis të tjerash, barna mjekësore, kininë e shiringa.”*
*Arkivi Qendror i PPSH, Fondi 41, dosja 52, nr. 265, 2/8/1944 (viti i dokumentit).
“Partizanët shqiptarë takoheshin shpesh në zonat kufitare me partizanët maqedonas, malazezë dhe grekë. Bisedonin me ta në mënyrë vëllazërore, shkëmbenin përvojën e luftës kundër armikut të përbashkët, fashizmit pushtues. Në këtë luftë po hidheshin themelet e një aleance të vërtetë ballkanike…”* Por vlejnë të përmenden edhe pengesat e shumta që nxirrnin udhëheqësit e njësive partizane jugosllave, me qëllim që të sabotonin marrëdhëniet miqësore të dy popujve, si në çdo fushë, ashtu edhe në mjekësi.
Kështu, rreth 20 partizanë të plagosur të Brigadës I Sulmuese, që u lanë për t’u mjekuar në një spital partizan në Maqedoni, u trajtuan keq dhe nuk u mjekuan fare. U desh ndërhyrja e komandës së Divizionit I Sulmues, që i tërhoqi këta partizanë për t’i mjekuar në spitalet tona partizane. Shembuj të tillë ka pasur edhe gjatë luftimeve të mëvonshme të divizioneve tona në Jugosllavi, sidomos në periudhën e epidemisë së tifos ekzantematike.
Nga ana tjetër, spitali partizan i Tropojës vazhdimisht mjekonte partizanë malazezë dhe serbë të Kosovës. Po kështu ndodhte edhe me spitalet e tjera partizane në Tudas, Kucakë, Krushovë, Milovë dhe Peshkopi, ku janë mjekuar shumë partizanë maqedonas dhe serbë. Bile, në spitalet tona partizane janë mjekuar edhe partizanë bullgarë. Me kalimin e divizioneve dhe të brigadave tona për çlirimin e Malësisë së Madhe dhe Sanxhakut, u krijuan gjatë rrugës spitalet tona partizane krahas spitaleve partizane jugosllave. Kurse në Prizren u krijua një spital i madh i përbashkët, që drejtohej nga mjekët tanë të Divizionit V Sulmues.
*Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, Vëll. I, f. 304.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.