Më 12 shtator të vitit 1944, Komanda e Përgjithshme e UNÇSH urdhëroi të përgatiteshin dhe të niseshin menjëherë për në Kosovë dy brigada. Ky urdhër u dha sipas kërkesës së Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave (UNÇJ).* Për të bashkërenduar veprimet nga fundi i gushtit të vitit 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇJ dërgoi në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH një mision ushtarak.
* Ushtria Nacionaçlirimtare Jugosllave
Në vjeshtë të vitit 1944 treva e Kosovës merrte rëndësi ushtarake për ushtrinë gjermane. Kosova, duke qenë në qendër të Ballkanit, kishte rrugët më të shkurtra që të çonin drejt Evropës. Nëpër Kosovë kalonin rrugë kryesore, që shërbenin për të tërhequr forcat gjermane nga Greqi, Maqedonia, për të dalë në Bosnjë e në Kroaci. Dalja e Ushtrisë së Kuqe me krahun e saj jugor në Ballkan, si dhe grushtet që i jepnin Vermahtit partizanët shqiptarë, jugosllavë e grekë, vunë në rrezik rrethimin dhe asgjësimin e rreth 300 mijë ushtarëve gjermanë. Rrugët e Kosovës e pasta ato të Malit të Zi, që kryqëzoheshin në pllajën e Sanxhakut, të krahinës së Hercegovinës (Bosnja jugore), kishin mbetur i vetmi drejtim operativo - strategjik për tërheqjen e trupave gjermane të Forcave të Juglindjes drejt Gjermanisë. Një pjesë e tyre lëvizte në luginën e Vardarit, Mitrovicë - Novipazar - Krajlevo - Vishegrad - Sarajevë, kurse pjesa tjetër në drejtimin Ferizaj - Prizren - Kukës - Shkodër - Podgoricë - Mostar. Trupa gjermane tërhiqeshin edhe në rrugën e ndërmjetme Prizren - Gjakovë - Pejë - Andrejevicë - Beranje - Priepolje.
Komanda e Gruparmatës “E”, pas tërheqjes nga Selaniku, ishte vendosur në Stari Tërg, afër Mitrovicës dhe përpiqej të organizonte një qëndresë të fortë në Vijën Lezhë -Tetovë, për të mos lejuar mbylljen e rrugës Shkodër - Prizren - Gjakovë - ura e Shenjtë - ura e Ujanikut - Junik - Deçan - Pejë. Mbrojtja e armikut në qytete, në rrethinat dhe rrugët e komunikacionit mbështetje edhe në punimet fortifikuese të pajisura me qendra zjarri të betonizuara, pengesa xheniere, etj. Veç forcave të shumta gjermane që mbroheshin në Prizren, Gjakovë, Junik, Deçan dhe Pejë, armiku kishte mjaft forca të tjera të lëvizshme, me të cilat parashikonte të kryente kundërsulme dhe kundërgoditje. Në rrugën automobilistike Deçan - Gjakovë - Prizren ishin vendosur postëroja të përhershme.
Shtabi i Gruparmatës “E” krijoi tre grupe luftarake: grupin “Langer”, i cili kishte për objektiv të mbante Kurshumlinë dhe të mbyllte drejtimin e Podujevës; grupin “Bredo”, i cili do të mbyllte drejtimin Bujanovc - Gjilan - Prishtinë. Afro 6000 mercenarë vendas u vendosën në mes të këtyre dy grupeve, në rajone mbrojtjeje, për të mbyllur vijën Bujanovc -Kitka - Maja e Mazukut - Merdar - Prepolloc - Kërshi i Ulgarit. Grupi luftarak “Sholc” bënte sigurimin nga drejtimi i lindjes.
Trupat gjermane, të vendosura në qytete dhe në rajone të tjera të Kosovës, arrinin deri në një regjiment, të cilat bënin pjesë në forcat e Divizionit XXI gjerman. Këto forca kishin marrë detyrë të siguronin krahun e majtë të Gruparmatës “E”.
Gjatë tetorit të vitit 1944 Divizioni II Sulmues partizan, së bashku me forcat e Brigadës XVIII Sulmuese dhe me forcat vullnetare partizane territoriale, kishin bllokuar rrugët e tërheqjen Shkodër - Pukë - Kukës - Prizren. Ndërkohë Brigada V Sulmuese, që vepronte në rajonin e Kukësit dhe Brigada III Sulmuese, në atë të Tropojës, i jepnin goditje armikut në një front të gjerë, duke i bënë në gjendje shqetësimi trupat gjermane në Junik, Deçan, Gjakovë, Prizren dhe në krejt Kosovën. Në këtë kohë në Kosovë ishin krijuar tre brigada, të cilat së bashku me Batalionin “Kosova”* arrini rreth 2000 luftëtarë, por këto forca nuk vepronin brenda në Kosovë. Për rrjedhojë Kosova kishte mbetur pa forca për t’i dhënë goditje armikut.
* Kështu u quajt batalioni “Bajram Curri” në gusht të vitit 1944.
Kjo gjendje e ndërlikuar në Kosovë ishte pasojë e një sërë faktorëve politikë, të cilët ishin rezultat i politikave antishqiptare të të gjitha rrymave politike serbe, përfshi edhe Partinë Komuniste Jugosllave. Ato kishin krijuar një frymë të tillë armiqësie mes dy etnive, që nuk krijonte terren të përshtatshëm për përqafimin në masë të lëvizjes nacionalçlirimtare nga popullsia shqiptare. “Ardhja e brigadave shqiptare në këtë terren kishte me i përmbysë planet e okupatorit e të reaksionit tue e kthye këtë terren nga bazë të reaksionit, në bazë liridashëse,”* i shkruante Shtabi Kryesor i UNÇ të Kosmetit** Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
* AQP, Letër Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosmetit dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH më 26 qershor 1944.
** Emërtimi zyrtar Jugosllav e Serb i Kosovës (dhe Rrafshit të Dukagjinit) është Kosovo i Metohije (Kosmet).
Përpara se të kalonin në Kosovë, Komanda e Përgjithshëm i UNÇSH u dha dy brigadave të UNÇSH udhëzime shumë të rëndësishme: “Në Kosovë sjellja duhet të jetë shembullore, disiplina e fortë. Të bëhet mobilizimi i kosovarëve në radhët e ushtrisë pa diferencë. Të formohen njësitë nën komandën tonë ose të jugosllavëve.”* Shtabet Partizane të UNÇSH u porositën të respektonin me rreptësi pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare dhe të komandave të vendit, si dhe të propagandonin vëllazërimin e popullit shqiptar e të popujve të Jugosllavisë në luftë kundër pushtuesve dhe kundër çdo lloj shtypjeje kombëtare e shoqërore, etj.
* AQP, Urdhër operacioni, 18 shtator 1944.
Shtabi i Korparmatës I në urdhrin e operacionit dërguar “shtabit operativ”* për Brigadën III dhe V Sulmuese theksonte: “Kalimi i forcave tona në Kosovë, ka për qëllim t’i shkatërrojë këto plane të armikut dhe të reaksionit, të demaskojë tradhtarët dhe të hedhë poshtë gjithë parrullat e tyre e të okupatorit, të mobilizojë popullin në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe Jugosllave, ta hedhë në luftë kundër armiku të përbashkët, okupatorit dhe tradhtarëve…”**
* Brigadat III dhe V Sulmuese vepronin nën drejtimin e Komandës së Korpusit I, por për një drejtim të përsosur të tyre, me urdhër të Komandës së Përgjithshme, u krijua shtabi i përbashkët operativ, ku merrnin pjesë udhëheqës ushtarakë e politikë nga brigadat e UNÇSH dhe ato kosovare.
** AQP, Radiogram drejtuar Shtabit të Korparmatës I, 12 shtator 1944.
Detyrat luftarake që Shtabi i Korparmatës u caktoi Brigadës III dhe asaj V Sulmuese ishin të goditnin trupat gjermane e të çlironin tokat përtej Drinit të Bardhë, të shkatërronin grupimet ballisto - zogiste dhe të forcat kundërshtare kosovare (të quajtura reaksionare), ndërsa si detyrë politike vihej ngritja e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare në të gjitha krahinat që do të çliroheshin. Për zbatimin e detyrave të ngarkuara do të bashkëpunohej ngushtë me Shtabin Kryesor, me këshillat dhe me repartet partizane të Kosovës.
Grupimi i forcave që do të merrnin pjesë në operacion, arriti në katër brigada me afro 3200 partizanë (Brigada III dhe V Sulmuese të UNÇSH, Brigadat I dhe IV kosovare*) (skema nr 61)
* Brigada I partizane e Kosovës kishte rreth 700-800 luftëtarë që erdhi nga Maqedonia më 28 shtator 1944; Brigada IV partizane kosovare u krijua në Krumë të Kukësit më 13.10.1944 me rreth 400 luftëtarë.
Operacioni mësymës do të kryhej në dy faza. Në fazën e parë brigadat do të kalonin përtej kufijve shtetërorë në Kosovë, me objekti mësymjeje çlirimin e Rrafshit të Dukagjinit dhe të qyteteve kryesore të kësaj treve. Në fillim do të spastroheshin nga armiku zona të Dragashit, Zymit, Damjanit, Junikut, si dhe zona të tjera rreth Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës. Pas kësaj brigadat do të kalonin në veprime aktive për bllokimin e garnizoneve të armikut, duke goditur armikun në rrugët e komunikacionit dhe duke shkatërruar urat. Vetëm pas plotësimit të këtyre detyrave, duke ngushtuar rrethimin e armikut, do të kalohej në çlirimin e qyteteve Gjakovë, Prizren, Pejë. Brigadat III Sulmuese e UNÇSH, së bashku me Brigadën I kosovare, do të vepronin në në zonën e Deçanit dhe të Pejës kurse Brigada V Sulmuese e UNÇSH dhe Brigada IV kosovare në zonën e Gjakovës e të Prizrenit. Brigada III Sulmuese, pasi të çlironte Tropojën, të mësynte në drejtimin Tropojë - Junik, të godiste kolonat e armikut në rrugën Gjakovë - Pejë dhe më pas, në bashkëveprim me Brigadën I kosovare, të ndante nga njëri-tjetri garnizonet e armikut në qendrat e banuara. Pas kësaj brigada do të kalonte në mësymje vendimtare për çlirimin e Junikut, të Deçiçit e të Pejës.
Brigada V Sulmuese mori detyrë të çlironte krahinën e Dragashit, të kalonte Drinin e Bardhë dhe, pasi të krijonte kryeurë në bregun lindor, në bashkëveprim me Brigadën IV kosovare, të vijonte mësymjen për çlirimin e qyteteve Gjakovë e Prizren.
Në fazën e dytë brigadat e UNÇSH do të depërtonin në thellësi të territorit për çlirimin e krahinave, të qyteteve të tjera e të krejt Kosovës. Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH urdhëronte që gjatë plotësimit të detyrës në thellësi të Kosovës të bashkëveprohej me forcat e Korparmatës II të UNÇJ në drejtimin Plavë - Andrievicë.
Pasi doli në Kosovë, në krahinën e Dragashit, Brigada V Sulmuese në bashkëveprim me një batalion të Brigadës I kosovare dhe me Batalionin “Kosova”, prej 5-14 tetorit kreu një varg veprimesh luftare në rajonet e fshatrat Zymë, Rogovë, Damjan, Smaç, Lipovec, etj. Këto veprime, që përfshinin sulme të shpejta e të fuqishme kundër pikëmbështetjeve të armikut të përhapura në fron të gjerë e në thellësi, me kalime pengesash ujore dhe thyerje kundërsulmesh e kundërgoditjesh, i nxorrën forcat tona në afërsi të Gjakovës. Kalimi i pengesave ujore u bë natën dhe pa luftim, në vendet më të përshtatshme dhe pak të ruatura, atje ku armiku nuk e prishte. Duke dalë në fshehtësi dhe pa zhurmë, forcat e Brigadës V Sulmuese e kaluan Drinin e Bardhë në dy pika. Suksesi u arrit duke hedhur një pjesë të forcave për të kapur objekte të pështatshme në bregun tjetër për sigurimin e kalimi të forcave kryesore të brigadës.
Brigada III Sulmuese u fut në territorin e Kosovës, pasi çliroi më 16 tetor qytetin e Tropojës. Më 19 tetor Batailioni I i Br IIIS u nis drejt Junikut, me detyrë të zbulonte mbrojtjen e armikut dhe të pengonte me prita manovrën e forcave gjermane nga Peja në Gjakovë. Duke marshuar në kushte të vështira meterologjike dhe në terren malor, për 12 orë rresht përshkoi një rrugë më se 30 km me shpejtësi deri në 3 km/orë. Në mëngjesin e së nesërmes ky batalion ndodhej përreth Junikut së bahkë me forcat e Br I kosovoare. Ndërkaq Shtabi Operativ dha urdhër për spastrimin e Junikut nga forcat mercenare.
Juniku ishte ndër pikëbmështetjet më të rëndësishme të mbrojtjes së armikut në pozicion kyç në Rrafshin e Dukagjinit. Marrja e tij do të shkëpuse forcat gjermane të garnizoni të Pejës nga ato të Gjakovës, duke dikurar kushte për rrethimin dhe asgjësimin pjesë-pjesë të forcave të shumta armike. Në Junik armiku ishte futut në kulla të gurta. Duke iu afruar armikut, forvat partizane kaluan me shpejtësi nga rendimi i paraluftimit në atë të luftimit. Sulim u krye nga aja jugperëndimore e fshatit. Në qendër sulmonte Bt I i Br IIIS, kurse në të dy krahët e tij dy batalione të Br I kosovare. Në kodrat e Junikut armiku nuk i qëndroi dot sulmit të befasishëm e të furishëm të forcave partizane. Rreth 600 gjermanë dhe mercenarë lanë pozicionet. Batalioni i Br IIIS, duke ndjekur këto forca, u fut në luftime në qendrën e banuar. Këtu forcat partizane synonin copëtimin dhe asgjësimin pjesë-pjesë të armikut në fortifikatat, dnërsa mësymja e forcave të Brigadës I kosovare ishte gozhduar në vend. Për rrejdhojë ishte krijuar kështu një pykëzim forcash me krahët e zbuluar para zjarrit të fuqishëm të armikut.
Në fshat qëndresa e armikut ishte e ashpër. Zjarri i hapur nga frengjitë e kullave përbënte një mbrojtje rrethore. Këtë vështirësi tipike partizanët e zgjidhën duke sulmuar dyert e kullave, megjithëse ato ishin të mbrojtura mirë. Nëpërmjet sulmit të guximshëm e të realizuar me mjeshtëri, ata u futën në kullë, i kapën ato njëra-pas tjetrës, me përjashtim të lagjes në anën verior të Junikut, ku armiku vijonte të bënte qëndresë. Për këtë u krye krahëmarrje e ndërthurur me sulmin e fuqishëm përballlë, që i detyroi armiqtë të lëshonin pozicionet dhe të tërhiqeshin me luftim drejt Vokshit. Në kodrat midis Vokshit dhe Junikut armiqtë e ndaluan tërheqjen, u hodhën në kundërsulm por u thyen.
Juniku u çlirua, por të nesërmen më se 1500 ushtarë gjermanë dhe një shumicë mercenarësh, pas një përgatitjeje të gjatë me artileri mbi kodrat e Junikut, hyri në fshat. Atak kapën edhe fshatrat Batushë dhe Mulliq. Komanda e Br IIIS urdhëroi tërheqjen e batalionit të saj për të mos rënë në rrethim. Me arritjen e dy batalioneve të tjera të brigadës, Shtabi Operativ dha urdhër që të sulmohej përsëri armiku, të shpartallohej pa i lënë kohë të përforcohej në vijat dhe objektet e zëna. Tashmë kjo mësymje paraqiste një veprim luftarak më kompleks, që kërkonte të merreshin më parë kodrat që siguronin Junikun. Për marrjen e një qendre në rrethana të tillam, u caktuan forcat e pesë batalioneve: tre të Br IIIS, një i Br VS dhe një i Br I kosovare, me rreth 900 luftëtarë.
Goditja kryesore do të jepej me tre batlione të Br IIIS në drejtimin Koshare - Junik, për të marrë sistemin e kodrave të fortifikuara që mbronin Junikun nga ana perëndimore e mandej për të vijuar mësymjen drejt Junkut. Në krahun e djathtë të drejtimit kryesor, përgjatë fushës, n lindje të së cilës kalonte rruga Gjakovë - Pejë, mësynte Bataioni IV i Br VS, ndërsa në krahun e majtë batalioni kosovar. Forcat që mësynin në drejtim të goditjes kryesore Koshare - Junik, të cilat bënë krahëmarrje të dyanshme, krijuan një raport 2:1 në t ë mirë të tyre. Kjo mundësoi shpartallimin e rajonit të fortifikuar të armikut të përbërë nga dy vija mbrojtjeje që përfaqësonte objektin më të fuqishëm në sistemin e mbrojtjes së tij. Shpërthimi i këtij rajoni u dha dorë sulmeve të vrullshme në të gjitha drejtimet, të cilat çuan në tërheqjen e çorganizuar të armiqëve dhe ua hoqën mundësinë atyre të organizonin vijën e tretë të mbrojtje në shtëpitë e Junikut. Ky i fundit u çlirua më 23 tetor të vitit 1944. Pas çlirimit të Junikut, Brigadës III Sulmuese iu ngarkua të shkatërronte nyjen e rëndësishme në Deçan dhe të ndërpriste përfundimisht lëvizjen e armikut në rrugën automobilistike Gjakovë - Pejë. Deçani, 13 km në jug të Pejës, përbënte për gjermanët pikëmbështetjen ë të rëndësishme për mbrojtjen e saj dhe për sigurimin e rrugës Gjakovë - Pejë. Rënia e Deçanit prishte tërë planin e tërheqjes së trupave gjermane gjatë kësaj rruge. Aty armiqë ksihin përqendruar më se 1000 ushtarë (300 gjermanë dhe 700-800 mercenarë). Forca të tjera mercenarësh ndodheshin në fshatrat përreth tij. Fllimisht mbi Deçan do të vepronte Batalioni II i Br IIIS, i cili, pasi të siguronte të dhënat e nevojshme me zbulim e me luftim, do të sulmonte për të asgjësuar forcat e gjalla dhe për të shkatërruar fortifikatat e armikut. Forcat kryesore të Br IIIS dhe një batalion i Br I kosovoare do të vepronin rreth Deçanit për të spastruar zonën nga mercenarët dhe për të sulmuar kolonat gjermane në rrugën Deçan - Gjakovë. Këto forca duhet të ishin në gatishmëri që, në varësi nga situata, të rritnin grupimin goditës mbi Deçan.
Nëpërmjet zbulimit me luftim, të realizuar me goditjet me mortaja dhe me dërgimin e dy grupeve zbuluese në brendësi të Deçanit, u siguruan të dhëna të sakta për qendrat e zjarrit dhe pozicionet e armikut. Mësymja për çlirimin e Deçanit dhe të rrethinave të tij u zhvillua me një densësi sulmesh e kundërsulmesh, ditën dhe natën, në rrethinat e në qendrën e banuar për çdo objekt, pozicion dhe vijë të mbrojtje së armikut, duket përballuar përdorimin e gjerë të artilerisë armike dhe të mjeteve të blinduara të tij. Partizanët iu afruan shumë pozicioneve të artilerisë gjermane, dhe me zjarrin e granatave të dorës dëmtuan një pjesë të topave dhe të moratajave. Tipar dallues ishte thyerja e disa kundërsulmeve radhazi që ndërmori armiku për të rivendosur gjendjen. Kjo u arrit edhe me rigrupimin e forcave kryesore të përbërë prej perë batalionesh, të cilët, të ndihmuar nga fshatarë të armatosur, në mbrëmjen e 30 tetorit kaluan në mësymje të fuqishme. Ndërsa në mëngjesin e 31 tetorit çliruan Deçanin dhe zunë urën mbi lumin Bistrica. Duke prerë çdo mundësi tërheqjeje të trupave gjermane në rrugën Gakovë - Pejë. Në luftimet për çlirimin e Deçanit mësymja u gëshetuar me pritat, duke goditur në befasi autokolonat e armikut që lëviznin në rrugën e komunikacionit.
Sukseset që kishte arritur Brigada III Sulmuese e UNÇSH së bashku me Brigadën I kosovare hapën perspektivën e plotësimit të objektivit kryesor të tyre, çlirimin e Pejës.
Në luftimet për çlirimin e Junikut e të Deçanit u gërshetuan elemente të taktikës partizane me elemente të taktikës së luftës ballore. Kështu, për sulmin dhe kapjen e qendrave të zjarrit e të objketeve të tjera të fortifikuara të armikut u krijuan grupe sulmi me përbërje deri skudër partizane për të përforcuar, të pajirus me mitraloza, me granata dhe me lënë plasëse. Grupi i sulmit i afrohej fortifikatës në befasi, deri në vijën e sulmit dhe hapte zjarr të përpiktë në frëngjitë e qendrave të zjarrit. Kur objekti do të shkatërrohej, partizanët, nën mbulimin e zjarrit dhe duke shfrytëzuar vendin, i afroheshin fortifikatës dhe vendosnin lëndën plasëse. Pas shpërthimit, i gjithë grupi hidhej në sulm duke e krahëmarrë objektin e fortifikuar për ta asgjësuar armikun.
Veprimet për çlirimin e Junikut dhe Deçanit, zakonisht filluan natën, pa përgatitje artilerie. Batalionet i afroheshin pozicioneve të armikut pa u diktuar, duke shfrytëzuar kryesisht errësirën dhe kohën e keqe. Forcat nuk qëndronin gjatë në vijën e sulmit. Duke kaluar natën drejtpëdrejt në ndeshje për asgjësimin e armikut, forcat partizane siguronin befasinë e goditjes dhe ruanin forcat e gjalla nga zjarri i kundërshtarit. Natën u krye manovra e forcave nga njëri objekt në tjetrin, afrimi, rënia e vijave të sulmit, sulmi për çlirimin e qendrave të banuara, afrimi dhe sulmi pë rshkatërrimin e fortifikatave, etj. Natën zakonisht, bëhej edhe kapja e robërve dhe goditja ndaj autokolanve gjermane në prita, etj. Reparteve u caktoheshin detyra të kufizuara dhe u jepej drejtimi më i sigurt për të dalë në objektin e sulmut. Lëbizja e forcave drejt vijës së sulmit u krye me kolona kompanish. Natën kompani ose batalioni mësynte në një vijë me rezervë. Kompanitë partizane, duke marrë masa për maskim, në përshtatje me vendin dhe duke lëvizuar pa zhurmë, u afroheshin pozicioneve të armiku dhe kalonin drejtpërdrejtë në sulm. Mësymja kryhej me drejtime dhe largësi ndërmjet nënreparteve e reparteve. Kompania sulmonte në një front 700-900 m, batalioni 2-3 km kurse brigada 8-10 km.
Në ato rajone ku armiku nuk bënte qqëndresë të organizuar, forcat partizane vijonin mësymjen me shpejtësi duke lëbizuar në rendim para luftimi ose kolonë marshimi. Grupet e vogla të armikut, që mbeteshin të rethuara në zonat e çliruara, shpartalloheshin me forcat që vinin pas. Kur ndesheshin me qëndresën e organizuar të armikut, kompanitë ose batalionet partizane hapeshin në rendim luftimi, e rrethonin armikun dhe e sulmonin atë me vrull nga disa drejtime. Kundërsulmet e armikut thyheshin me zjarr nga vendi dhe pastaj forcat partizane kalonin përsëri në sulm.
Luftimet për çlirimin e Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës u zhvilluan në fron të gjerë, kundër armikut që mbrohej në rajone të fortifikuara. Betejat për çlirimin e këtyre qyteteve u karakterizuan nga përleshje të ashpra, në luftime me front të rregullt, ku përfundimin e tyre me sukses e zgjidhën veprimet me nismën e komandave të reparteve dhe të nënreparteve, qoftë edhe të nënreparteve të vogla, skuadrave partizane ose të luftëtarëve të thjeshtë.
Në mësymjen për çlirimin e qyteteve kryesore, komandat e forcave partizane përpiqeshin të siguronin të dhëna për madhësinë e qendrës së banuar, gjerësinë e rrugëve, karakterin e ndërtesave, numrin e forca armike që mbronin atë, fortifikimet në periferi dhe brenda saj, sistemin e mbrojtjes dhe të zjarrit, përforcimet që mund të vinin në ndihmë dhe drejtimet e afrimit të tyre, etj. Mbi bazën e këtyre të dhënave komandat përcaktonin forcat e nevojshme për mësymje drejt qendrës së banuar, rajonet e nisjes dhe drejtimet e tyre të mësymjes, vendosjen e trupave të mbrojtjes së krahëve dhe të shpinës së forcave mësymëse, vendosjen e mjeteve të zjarrit që siguronin shtigje e afrimit drejt qendrës së banuar dhe depërtimin e forcave partizane brenda në qytet. Rëndësi e veçantë iu kushtua përcaktimit të objektit kryesor të sulmit, ndërtesave dhe objekteve të fortifikuara.
Përpjekjen e parë për çlirimin Gjakovës Brigada V Sulmuese, në bashkëveprim me Brigadën IV kosovare, e ndërmori që më 16 tetor. Çlirimi i saj do t’i hiqte mundësinë armikut për të lëvizur në rrugën Prizren - Gjakovë - Pejë. Në Gjakovë ndodheshin rreth 3000 gjermanë dhe 700 mercenare, të vendosur në pozicione të fortifikuara. Shtëpi të shumta ishin kthyer në fortifikata dhe çdo rrugë rrihej nga zjarri i mitralozave.
Sipas planit të mësymjes, Batalioni II i Br VS dhe një batalion i Br IV kosovare do të sulmonin mbi qytet; një batalion i Br VS u vendos në përreth Gjakovës për të mbuluar krahët e sulmuesve dhe për të asgjësuar forcat që do të mund të dilnin nga qyteti: dy batalionet e tjera të kësaj brigade kishin detyrë: njëri të priste rrugën Gjakovë - Prizren, tjetri rrugën Gjakovë - Pejë.
Partizanët sulmuan qytetin e Gjakovës nga tre drejtime dhe, pas luftimesh të rrepta, mundën të shtinin në dorë pothuajse gjithë qytetin, me përjashtim të rajonit të fortifikuar të kazermave, i cili mbeti i rrethuar. Dy batalionet e vendosura në pritë zhvilluan luftime me trupat armike, që përpiqeshin t’i vinin në ndihmë garnizonit të rrethuar. Në mbrëmje komanda gjermane futi në luftim forca të motorizuara, të cilat, duke kaluar pritat, vunë në rrezik forcat partizane që ndodheshin në qytet. Për t’iu shmangur kësaj, partizanët tërhoqën dhe u përqendruan në rrethinat e qytetit. Pas kësaj, Shtabi Operativ i ngarkoi detyrë Br VS të mbante nën goditje armiqtë në qytet dhe të priste rrugën Gjakovë - Prizren.
Forcat e të dyja brigada u detyruan të tërhiqeshin pa e çliruar qytetin. Sulmi për çlirimin e Gjakovës ishte i parakohshëm, pasi nuk ishin spastruar plotësisht nga armiqtë rrethinat e qytetit, sidomos ato të krahut të majtë. Sistemi i mbrojtjes së armiku në lagjet, në ndërtesat kryesore, në kazermat, në rrugët dhe në rrugicat e qytetit, etj, nuk ishte zbuluar me hollësi. Batalionet e caktuara për të mos lejuar ardhjen e përforcimeve, ishin të pamjaftueshme përballë forcave të shumta që dërgoi armiku nga drejtimet Prizren - Gjakovë dhe Pejë - Gjakovë. Sulmin e forcave partizane e vështirësoi edhe mungesa e topave me qitje të drejtpërdrejtë dhe e mortajave për të paaftësuar qendrat e zjarrit dhe mbështetjen e grupeve të sulmit. Disa vështirësi rrodhën edhe nga mungesa e përvojës së pamjaftueshme të luftës në qytete dhe njohjes së terrenit. Ndonëse Gjakova nuk u çlirua, hyrja e Partizanëve në qytet bëri jehonë të madhe në të gjithë Kosovën. Ndërkohë nisën përgatitjet për mësymjen e dytë.
Përgatitjet e Brigadës VS dhe të Brigadës IV kosovare përfunduan në javën e parë të nëntorit. Sipas planit fillimisht u goditën pikëmbështetjet e fortifikuara të armikut, si në Urën e Shenjtë (mbi Drinin e Bardhë) dhe në urën e Terzive (mbi lumin Erenik), në rrugën Gjakovë-Prizren. Bllokimi i gjermanëve në fortifikata dhe shkatërrimi i disa pjesëve, e veçoi garnizonin gjerman të Gjakovës nga ndihma që mund t’i vinte nga Prizreni. Rruga Gjakovë - Pejë që bllokuar nga Br IIIS dhe Brigada I kosovare. Krahët e forcave që do të sulmonin mbi Gjakovë ishin siguruar.
Krahas goditjeve gjatë rrugëve të komunikacionit partizanët e Brigadës V Sulmuese u futën disa herë në qytet, ata e njohën mirë atë dhe rrethinat e tij, si dhe gjendjen e armikut.
Për asgjësimin përfundimtar të armiqve nëqytet, natën e 9-10 nëntorit u hodhën në sulm forcat e Batalionit II të Br VS. Veprimet luftarake mësymëse u shtrinë në tërë qytetin. Nazistët edhe këtë herë zunë pozicione luftimi në fortifikat pranë kazermave, kurse mercenarët u vendosën në shtëpitë- fortifikata të qytetit. Duke mbajtur rrethuara forcat e armikut në kazerma, me manovër dhe zjarr të përpiktë, forcat partizane u futën thellë nëëpër rrugicat e qytetit, i dolën në krahë e në shpinë armikut dhe e mbyllën nëpër blloqe ndërtesash të shkëputura nga njëri-tjetri. Armiku bëri qëndresë të egër në këto vatra, po, duke mos pasur aktivitet dhe lidhje taktike e zjarri, nuk qëndroi dot gjatë. Pasi kishin shkatërruar të gjitha vatrat e zjarrit të armikut, forcat partizane u hodhën në sulmin vendimtar për të asgjësuar gjermanë në pikëmbështetjen më të fortë, te kazermat. Pas disa disa orësh luftime të ashpra, forcat e batalioni shpërthyen mbrojtjen. Trupat gjermane, për t’i shpëtuar asgjësimit, ishin larguar me shpejtësi. Më 10 nëntor të vitit 1944 Gjakova u çliruar. Këshilli Nacionalçlirimtar i qytetit i shpalli qytetarë nderi partizanët e Brigadës VS.
Suksesi i luftimeve, ndër të tjera, u arrit duke vepruar me nismë dhe grupe të vogla, të cilat, nën mbulimin e zjarrit, sulmonin me vrull ndërtesat dhe asgjësonin armiqtë me granata, me zjarr nga afër dhe ndeshje trup me trup. Brenda në ndërtesa luftimet zhvilloheshin për asgjësimin e armikut në çdo dhomë, kat dhe nëpër shkallë. Mungesa e armëve të artilerisë u zëvendësua me granatat e dorës dhe lëndët plasëse. Mësymja u zhvillua pa ndërprerje, nga lagjet e jashtme e jashtme drejt qendrës së qytetit për të asgjësuar armikun pjesë-pjesë. Grupet e sulmit përparuan duke kaluar nëpër oborre, kopshte, rrugica dhe nëpër të çarat e mureve të shtëpive. Qytetarët e Gjakovës i dhanë një ndihmë të madhe partizanëve, i udhëhoqën për t’i dalë armikut ku ai nuk e priste, u dha ndihmë mjekësore, u çonte në pozicionet e luftimit municione, ushqime, etj.
Marrja e Gjakovës krijoi kushte për çlirimin e Prizrenit. Rruga midis këtyre qyteteve ndodhej në duart e partizanëve. Për këtë qëllim Brigada III Sulmuese dhe Brigada I kosovare morën për detyrë të çlironin Pejën. Kurse Brigada V Sulmuese Prizrenin. Por meqë nga Peja komanda gjermane tërhoqi me ngutje garnizonin e bllokuar, nën peshën e goditjeve të forca partizane për të mos rënë në rrethim. Prizreni mbetej si nyje me rëndësi të veçantë në sistemin e tërheqjes së trupave gjermane. Prandaj komanda e Gruparmatës “E” kishte urdhër të mbahej me çdo kusht kjo qendër derisa të tërhiqeshin të gjitha forcat e saj nga Greqia dhe Maqedonia nëpër rrugën Ferizaj - Prizren - Kukës, Mali i Zi.
Në Prizren mbrohej një garnizon i fuqishëm i përbërë nga kuadrot gjermane të Divizionit SS “Skanderbej”. Trupat gjermane prisnin grupin e luftimit “Beker” që do të vinte nga Ferizaj, dhe së bashku do të tërhiqeshin drejt Kukësit e Shkodrës. Në qytet ishte përqendruar edhe një numër mjaft i madh reaksionarësh nga Kosova dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë. Këto forca kishin organizuar një mbrojtje të parapërgatitur me sistem fortifikatash, si në rrethinat e Prizrenit dhe brenda tij. Kalaja në veri të qytetit dhe kodra në jug të tij ishin pikëmbështetjet më të forta të armikut, kurse ndërtesat e qytetit ishin kthyer në një sistem të dendur qendrash zjarri. Kjo mënyrë e organizimit të mbrojtjes së armiku vështirësonte depërtimin e grupeve të zbulimit dhe sidomos sulmin për çlirimin e qytetit.
Në këtë gjendje ideja e vendimit të komandës së Brigadës V Sulmuese ishte të vinte qytetin në një rrethim në formë dare, nga lindja, veriu e perëndimit, dhe pastaj të kalohej në sulm për të asgjësuar sa më parë armikun. Për arritjen e objektivave të mësymjes, Brigada V Sulmuese do të bashkëvepronte me Brigadën XVIII Sulmuese të UNÇSH, që vepronte në zonën e Kukësit. Forcat e kësaj njësie kishin marrë detyrë të prisnin rrugën Prizren - Kukës, të mbyllnin rrethimin e forcave armike në kodrat në jug të Prizrenit dhe të goditnin pikëmbështetjet e tij në atë drejtim. Përpara mësymjes së Prizrenit Br VS asgjësoi pikëmbështetjen gjermane në Piranë (10 km në veriperëndim të qytetit) dhe bllokoi rrugën Prizren - Suharekë - Ferizaj. Ndërkohë forcat e Br VIIIS prenë rrugën Prizren - Kukës dhe një pjesë e forcave të saj, duke marshuar drejt Prizrenit, kaloi nëpër Shishtavec, Dragash, bëri spastrimin e tyre nga mbeturinat e forcave mercenare dhe më 15 nëntor u përqendrua në katundin Leskovec, në periferi të qytetit.
Një natë përpara se të fillonte mësymja, komanda e Brigadës V Sulmuese zbuloi me luftim sistemin e mbrojtjes së armikut. Dy kompani partizane të ndara në grupe, depërtuan nga drejtime të ndryshme deri në qendër të qytetit, asgjësuan truprojat në postblloqet, zunë robër një grup ushtarësh dhe, pasi kishin mbledhur të dhëna mbi armikun, u kthyen në bazën e nisjes. Po këtë natë Batalioni IV i Br XVIII kapi fshatin Leskovec dhe përparoi drejt qytetit. Në mesnatën e 15-16 nëntorit ky batalion me grupe të vogla zbuloi pozicionet e armikut e dha disa goditje në afërsi të qytetit. Afër mëngjesit edhe forcat e Br XVIIIS u tërhoqën për të filluan në mbrëmje sulmin vendimtar.
Sipas planit, forcat partizane u hodhën në mësymje të përgjithshme për çlirimin e Prizrenit në orën 21 të datës 16 nëntor. Nga ana veriore e qytetit dhe në drejtimin e goditjes kryesore mësynë Batalioni IV e ai V i Br VS, nga jugu Batalioni IV i Br XVIII. Ndërkohë Batalioni I e ai III të Br VS kishin bllokuar rrugët në perëndim dhe në veri të qytetit, kurse Batalioni II u përqendrua në Londovicë për t’u përdorur si rezervë.
Trupat gjermane, duke ndjerë rrezikun e asgjësimit, u vunë në gatishmëri për t’u tërhequr aspo të arrinin forcat e grupimit “Beker”. Por goditjet e fuqishme të forcave partizane i detyruan të tërhiqeshin me ngut, pa pritur të arrinte kolona “Beker”. Ndërkohë kolona që vinte nga Ferizaj u godit rëndë nga Batalioni I i Br VS që kishte bllokuar rrugën Prizren - Ferizaj. Edhe kolona që marshonte gjatë rrugës nga Prizreni për në Kukës ra, gjithashtu në pritat e Batalionit III të Br VS në fshatin Vlashnjë (6 km nga Prizreni). Kjo kolon ra në pritë për herë të dytë midis fshatit Morinë e Bardhoç (10 km nga Kukësi) dhe u dëmtua rëndë nga forcat e Br XVIII. Ndonëse pësuan humbje të mëdha, trupat gjermane, që ishin të shumta, mundën të zhbllokonin rrugët. Prizreni u çlirua më 17 nëntor të vitit 1944. Aty u zunë robër më shumë se 300 mercenarë, nga të cilët 185 oficerë. Në duart e luftëtarëve të UNÇSH ranë pa u dëmtuar depot me armë e materiale të tjera ushtarake, tre bateri artilerie 75, 16 mm, etj. Me materiale të zëna në Prizren, Brigada V Sulmuese u pajis dhe krijoi rezervë të rëndësishme municioni, veshmbathjeje dhe ushqimesh.
Pas çlirimit të Pejës e të Prizrenit, forcat e Brigadës III dhe V Sulmuese, duke vijuar zbatimin e detyrave të fazës së dytë, kryen një varg sulmesh e pritash për asgjësimin e grupeve të vogla të ushtarëve gjermanë në tërheqje ose të bandave çetnike e të kriminelëve të luftës. Brigada V Sulmuese, duke ndjellë armikun drejt Prishtinës s Mitrovicës, çliroi Suharekën dhe më 20 nëntor u përqendrua në Lipjan, kurse forcat e Brigadës III Sulmuese filluan marshimin në drejtimin Drenicë - Istok - Mitrovicë. Disa ditë më vonë trupat gjermane u tërhoqën edhe nga Prishtina e nga qytetet e tjera të Kosovës dhe u përforcuan në veri të saj, gjatë vargmaleve të Sanxhakut. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit ishin çliruar përfundimisht.
Forcat partizane shqiptare parakalojnë në Pejën e çliruar
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.