Pjesëtarë të çetave partizane para formimit të Shtabit të Përgjithshëm
Çetat partizane u ngritën sipas direktivave të Partisë Komuniste. Nga qyteti u dërguan në fshatra komunistë ilegalë që kishin përvojën e luftës guerile. Këta u bënë bërthama rreth së cilëve u grumbulluan fshatarët, nacionalistët, studentët, intelektualët, etj. Çdo çetë kishte celulën komuniste, e cila ishte truri i saj. Në qershor të vitit 1942, në direktivën e Komitetit Qendror të PKSH theksohej: “Duhet që në çdo çetë partizane të formohen celulat; celulat duhet të jenë foleja e njerëzve më të mirë e më trima në çetë.”* Komunistët duhet të ishin në krye dhe me shembullin që jepnin tërhiqnin jo vetëm masën e partizanëve në çetë, por edhe popullsinë civile, e cila do të mbështeste veprimtarinë e çetave. Në përbërjen e komandës së çetave, krahas komandantit, u caktuar edhe komisari politik, i cili ishte përfaqësuesi i Partisë Komuniste. Ai përgjigjej për zbatimin e vijës së politike të Partisë në çetën partizane dhe në krahinat ku vepronte çeta. Komisari politik u shpjegonte partizanëve gjendjen politike të brendshme e të jashtme, kujdesej për jetën politike e kulturore të çetës dhe përpiqej që çdo veprim i saj të kishte karakter politik sipas direktivave të Partisë Komuniste.
* “PPSH, dokumente kryesore”, Tiranë, 1971, vëll.1, f.31.
Roli i celulave të Partisë dhe i komisarëve politikë ishte vendimtar për sukseset ushtarake që u arritën në fazën e parë të luftës së armatosur. Ato ishin përgjegjëse për rritjen e edukatës politike e ideologjike të partizanëve dhe nxitnin vetitë e larta morale të tyre, gjë që krijoi epërsi ndaj të gjitha forcave kundërshtare në terren.
E gjithë veprimtaria politike e ushtarake e çetave partizane varej e udhëhiqej nga Komiteti i Partisë së qarkut ku vepronte, sipas orientimeve të Komitetit Qendror të PKSH. Ky emëronte komandantin e komisarin, caktonte aksionet që do të kryheshin. KQ i PKSH fillimisht (6 mujori i parë i vitit 1942) udhëzonte që në çdo çetë të caktohej një komunist që do të mbante lidhjet me komitetin qarkor. Ai raportonte për punën, gjendjen dhe nevojat e çetës, dhe merrte prej tij librat, broshurat, proklamatat dhe çdo material tjetër që vinte nga Partia Komuniste. Lidhjet ushtarake komiteti qarkor (sekretari politik dhe përgjegjësi ushtarak) i mbante me komandën e çetës.
Në çetat partizane u krijuan aktivet e rinisë komuniste si ndihmëse dhe krahu i djathtë i celulave të Partisë. Për punën me rininë në celulë u ngarkua zëvendës komisari i çetës, ndërsa përgjegjësi i aktivit të rinisë ishte një nga anëtarët më veprues të celulës.
Në Direktivën e KQ të PKSH në mars të vitit 1942 thuhej: “Çetat janë të përbëra prej njerëzve që duan të luftojnë kundër fashizmit (d.m.th. duhet ta shtrojmë çështjen në mënyrë të gjerë). Njerëzit që marrin pjesë në çeta duhet ta kenë një të kaluar të papërlyer dhe jo të errët.”* Duke vënë një kriter të tillë në bazë të platformës së Konferencës së Pezës, çetat partizane u bënë qendra të grumbullimit të të gjithë elementëve të vendosur antifashistë, që dëshironin të luftonin me armë pushtuesin. Nga ana tjetër, u mbyllej dera të gjithë elementëve që nuk gëzonin simpatinë dhe përkrahjen e popullit. Tërheqja e njerëzve të ndershëm në çetat partizane, sipas kriterit pa dallim feje, krahine dhe ideje u sanksionua në platformën e Konferencës së Pezës. Dukuri e re ishte pjesëmarrja e gjerë e grave dhe të rinjve që do të bëheshin një forcë e rëndësishme e UNÇSH.
* “PPSH, dokumente kryesore”, Tiranë, 1971, vëll.1, f.49.
Një kriter i rëndësishëm në organizimin e çetave partizane ishte vullnetarizmi. Partia komuniste zhvilloi një punë të gjerë bindëse e sqaruese me popullsinë civile, veçanërisht me fshatarësinë. Për këtë u shfrytëzuan gjerësisht konferencat popullore, në të cilat komunistët u shpjegonin njerëzve rëndësinë e luftës së armatosur dhe pjesëmarrjen në çetat partizane për arritjen qëllimeve të saj.
Orientimi për zhvillimin e luftës së armatosur gjatë fazës së parë ishte: “Njësia themelore është çeta, e cila është e përbërë prej detashmenteve (në kuptimin njësi më e vogël se çeta). Kur futet në aksion, çeta duhet të ketë në radhët e saj 50-60 njerëz. Mund të ketë edhe më pak, mund të ketë edhe në deri në 100 vetë, edhe më tepër. Njerëzit prej të njëjtit vend ose fshat përbëjnë një çetë të përbashkët.”* Këto ishin në varësi të mundësive të kohës. Çetat partizane që u ngritën në këtë periudhë kishin nga 20-70 partizanë, por kurdoherë në aksione ato bashkëvepronin me njësitet e fshatrave ose edhe më njësitet guerile të qyteteve, duke rritur kështu numrin e tyre. Elementi bazë i ndërtimit organizativ të çetave partizane ishte skuadra, e cila kishte 10-15 e më shumë veta. Çeta, si rregull kishte 3-4 skuadra. Drejtimi ushtarak i çetës bëhej nga komanda e çetës, në të cilën bënin pjesë komandanti, komisari dhe zëvendësit e tyre. Komandanti, në disa raste nuk ishte anëtar partie por zgjidhej një nga elementët e vendosur antifashistë, që kishte aftësi të mira ushtarake.
* “PPSH, dokumente kryesore”, Tiranë, 1971, vëll.1, f.50.
Kolegjialiteti u bë një parim i rëndësishëm i drejtimit e i organizimit ushtarak në fazën e çetave partizane. Krahas me të u rrit e u forcua kërkesa për disiplinë të fortë ushtarake. Çështja e disiplinës u bë një nga çështjet kryesore të punës celulës e të komandave të çetave partizane. “...në radhët tona duhet dhe do të ekzistojë, - thuhet në dokumentet e PKSH, - një disiplinë, por jo një disiplinë ushtarake e ngurtë, tek ne është e nevojshme një disiplinë që ekziston tek njerëz që luftojnë për një çështje të drejtë.”*
* “PPSH, dokumente kryesore”, Tiranë, 1971, vëll.1, f.50.
Karakteri thellësisht popullor i çetave partizane u shfaq sidomos në marrëdhëniet me fshatarësinë. Partia Komuniste kishte bërë një punë mjaftë të gjerë për propagandimin e luftës dhe domosdoshmërinë e një mbështetjeje sa më të gjerë popullore. Pa krijuar bazat në fshat, nuk mund të zhvillohej lufta partizane. Baza kryesore mbështetëse ishte fshatarësia. Detyrat e furnizimit me veshmbathje, ushqim, armë e municion u zgjidhën sipas parimit të mbështetjes tërësisht tek popullsia fshatare.
Fshatarësia u bë prapavija kryesore e çetave partizane, pasi ajo jo vetëm që i përgatiste, por edhe i transportonte materialet për nevojat e çetave. Shtëpitë e fshatarëve u bënë baza për mjekimin e partizanëve të plagosur. “Sjellja me popullin - porosiste Partia Komuniste, - duhet të jetë e mirë dhe e mbështetur në baza të shëndosha. Ç’do shmangie në këtë kuptim, si p.sh. vjedhja, hyrja në shtëpi pa leje, shnderimi i grave, vrasja e njerëzve pa arsye e çdo hakmarrje tjetër personale e çdo lloji, dënohen në vend”* Me udhëzim të Partisë Komuniste, pothuajse të gjitha materialet që u zunë nga hapja e depove të të dhjetave iu shpërndanë falas popullatës dhe vetëm një pjesë e vogël u mbajt për nevojat e çetave partizane. Këto veprim bëheshin me qëllim politik, për të bindur popullatën, veçanërisht fshatarësinë, se çdo veprim e aksion i çetave partizane bëhej në interes të popullit.
* “PPSH, dokumente kryesore”, Tiranë, 1971, vëll.1, f.52.
Përveç çetave të rregullta partizane, pas Konferencës së Pezës u formuan, gjithashtu, mbi baza vullnetare, çetat territoriale të fshatrave. Ato u ngritën mbi bazën e një ose dy-tre fshatrave dhe kishin vetëm komandant e zëvendëskomandant. Efektivi i tyre ishte më i madh se i çetave partizane dhe ato merrnin pjesë në aksione sipas kërkesave të çetave partizane. Në çetat territoriale partizane futeshin burrat e djemtë pa dallim moshe e prejardhje familjare. Çetat territoriale dalloheshin nga ato partizane, sepse pas përfundimit të aksionit luftëtarët ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre. Çetat territoriale shërbenin si rezervë e fuqishme e çetave partizane dhe njëkohësisht përbënin edhe një burim për furnizimin e tyre me njerëz.
Armatimi dhe stërvitja e çetave partizane ishte një nga problemet kryesore të fazës së parë të LANÇ. Rrëmbimi i armëve me luftë mbetej rruga kryesore e sigurimit të tyre. Fillimisht u shfrytëzuan armët personale që zotëronte popullsia fshatare. Çdo familje ruante armë të lehta zjarri të kalibrave dhe prodhimeve të ndryshme, siç ishin armët austriake, jugosllave, greke, turke, etj, prodhime të fillimit të shekullit të XX. Municioni i këtyre armëve ishte shumë i kufizuar. Një burim tjetër i sigurimit të armatimit u bënë më vonë trofetë e luftës italo-greke, veçanërisht në zonat ku u zhvilluan luftimet. Popullsia fshatare kishte shfrytëzuar kaosin e frontit të luftës dhe kishte mbledhur e fshehur një sasi armësh e municionesh të lëna pas betejave. Gjatë krizës ekonomike të viteve 1942-1943, një pjesë e këtyre armëve u shkëmbyen me drithë dhe me to u bë armatosja e çetave në disa zona të qarkut të Vlorës, Beratit, Korçës e të Gjirokastrës.
Kërkesat e kryengritjes për armë ishin të mëdha, sidomos mitraloza, armë automatike, kalibra të vegjël të artilerisë, etj. Për t’i siguruar këto u ndoqën të gjitha rrugët e mundshme. Kështu në disa raste u organizua edhe blerja e tyre me para në dorë. Por rruga kryesore mbetën aksionet për rrëmbimin tyre nga ushtria dhe depot e ushtrisë italiane. Aksionet e ndryshme dhanë rezultate pozitive. U arrit që çdo partizan në një luftim kishte 50-60 fishekë dhe 1-2 bomba dore. Ndërsa në fillim të vitit 1943 në disa çeta u futën edhe mortajat italiane 45 mm. Në këtë mënyrë forca goditëse e çetave u rrit mjaft. Armët e reja ndikuan edhe në përsosjen e rendimit të luftimit. U bë e mundur që brenda një skuadre të organizoheshin grupe me nga 3-4 veta, të cilët sipas detyrave që kryente çeta, mund të ndaheshin në grupe sulmi, mbështetjeje dhe bllokimi.
Një pjesë e partizanëve që merrnin pjesë në çeta kishin fituar eksperiencën e njësiteve guerile, gjatë së cilës kishin mësuar jo vetëm përdorimin e armëve të lehta dhe lëndëve plasëse, por edhe elementët kryesore të luftës guerile në qytet. Ndërsa me daljen në mal duheshin përvetësuar edhe taktikat e luftës partizane në vende malore e tepër malore, larg qendrave të banuara. Për këtë të gjithë partizanët e ardhur rishtas në çeta duhet t'u nënshtroheshin stërvitjes në fushën e artit ushtarak dhe mësimit të përdorimit të armëve të ndryshme.
Kuadrot partizane që drejtonin stërvitjen ishin të kategorive të ndryshme: disa kishin qenë pjesëmarrës në çeta në luftërat e mëparshme dhe kishin përvojë të pasur në taktikën partizane; të tjerët, siç u tha më sipër, kishin bërë shkollën e guerileve; ndërsa një pjesë kishin mbarua shkolla ushtarake në Itali ku dhe kishin mësuar rregullat e ushtrisë së rregullt italiane dhe taktikat kundër partizane. Ndër këta ushtarakë karriere shquhen Bedri Spahiu, Dali Ndreu, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Mustafa Matohiti, Tahir Kadareja, Qazim Kondi, Reshit Çollaku, Mehmet Mulosmani, Pano Xhamballo, Asim Zeneli, Islam Radovicka, Et'hem Burhani, Qazim Kapizyzi, Spiro Shalësi Vangjel Priftanji, Xhemal Punavia, Abdi Mati, etj. Stërvitja ishte një aktivitet i domosdoshëm që bëhej para çdo aksioni. Mendimet që nënvlerësonin stërvitjen cilësoheshin si të dëmshme. Kështu, përpara se të sulmohej Voskopoja në janar të vitit 1943, komanda e përbashkët e çetave partizane organizoi mësim me komandantët e çetave dhe të skuadrave për mënyrën e sulmit kundër qendrave të banuara. Stërvitja dhe njohja e terrenit në mjaft raste zhvillohej drejtpërdrejtë në vende ku do të bëhej aksioni.
Format kryesore të veprimit të çetave ishin sulmi dhe prita. Kushtet e relievit malor, tepër malor, me thyerje e lugina, me një rrjet komunikacioni të kufizuar, mundësonin zhvillimin me sukses të sulmit dhe pritës. Veprimet sulmuese të çetave partizane u shtuan veçanërisht pas Konferencës së Pezës. Që nga shtatori i vitit 1942 deri në shkurt të vitit 1943 çetat partizane spastruan mëse 35 posta të karabinierisë, të policisë dhe të Rojave të Financës, të cilat kishin nga 25-30 vetë. Brenda qarkut postat asgjësoheshin një nga një, ndërsa në shkallë kombëtare këto goditje u dhanë të bashkërenduara sipas orientimeve të PKSH.
Në periudhën shtator 1942 - mars 1943 u organizuan një varg pritash të rëndësishme në të gjithë vendin kundër kolonave, makinave të veçuara dhe autokolonave të armikut. Pritat në fillim ngriheshin me forcat e një çete partizane, në thellësi të zonave, larg qendrave të banuara. Kjo jo vetëm për të mos i dhënë kohë armikut të dërgonte përforcime, por edhe për të shmangur raprezaljet e pushtuesve në fshatrat pranë rrugëve. Kohëzgjatja në pritë lidhej me fuqinë goditëse dhe shkonte nga disa minuta deri 1-2 orë. Më vonë, kur pritat u zunë me më shumë se një çetë, kohëzgjatja u rrit dhe, në rendimin e luftimit të tyre, u rritën edhe grupet për mbrojtjen e krahëve dhe të shpinës së forcave pritës. Këtë detyrë e kryenin forca nga çetat ose forca vullnetare territoriale.
Pritat e çetave, si rregull, organizoheshin me kohë. Karakteristikë në këtë fazë të luftës ishin pritat e njëanshme, të cilat ishin të varura nga terreni dhe sasia e forcave partizane vullnetare. Pritë e njëanshme ishte, p.sh. ajo e Qafë Murrës në shtator të vitit 1943, që u organizua nga çeta partizane e Matit, e cila përgatiti pozicione 50-60 m mbi kthesën e rrugës, ndërsa rrugën e bllokoi me gurë. Kur u futën dy makina në pritë, në fillim u godit makina e parë, pastaj tjetra. Për asgjësimin e karabinierëve u përdor zjarri nga vendi pa kaluar në sulm.
Në raste të caktuara janë përdorur edhe pritat e dyanshme. Një nga më të frytshmet në këtë periudhë ishte ajo e Selenicës. Komanda e karabinierisë së Vlorës synonte që me një komani, të përforcuar me dy toga mitraljere, me rreth 200 veta, të sulmonte në befasi dhe të ripushtonte Selenicën. Çeta Plakë e Vlorës organizoi pritë në xhepin e kodrave në lindje e perëndim të minierës, ndërsa çeta Plakë e Mallakastrës ishte në lëvizje për të mbyllur krahun në bregun verior të lumit të Vjosës. Partizanët u vendosën në rajonin e pritës natën në fshehtësi, që e ruajtën edhe ditën në sajë të bimësisë së terrenit. Largësia e pozicioneve të pritës nga rruga ishte rreth 100 m. Zjarri i mitralozave do të godiste kreun dhe fundin e kolonës. Prita sigurohej nga forcat vullnetare territoriale që do të pengonin përforcimet e forcave armike nga drejtimi i Llakatundit, Vlorës dhe Drashovicës. Kolona italiane, me gjatësi 150-200 m, hyri plotësisht në pritë në mesditë, e shkujdesur. Ajo u godit me zjarr të befasishëm në krye, në mes dhe në fund të saj dhe pësoi humbje të rënda. Për të thyer qëndresën e armikut u kalua në sulm nga të dy krahët. U kapën rob 80 veta dhe u vanë 50 të tjerë. Në arritjen e suksesit rol të veçantë luajtën masa e zbulimit. Komiteti i Partisë për qarkun e Vlorës kishte zbuluar planin e komandës së karabinierisë dhe, bashkë me komandën e çetës hartoi planin e pritës. Ndërkohë edhe komanda e çetës nxori një njësi zbulimi, që e shoqëronte nga larg kolonën armike dhe njoftonte forcat në pritë. Nxjerrja e njësive zbuluese u bë e zakonshme nga fillimi i vitit 1943.
Pritat u përdorën si veprim ndihmës për të siguruar krahët dhe shpinën e forcave që sulmonin objektin, siç ndodhi në Voskopojë, në Snosëm, në Rrogozhinë, në Libohovë. Në Snosëm e në Voskopojë pritat nga një veprim ndihmues, në rrjedhën e luftimit, u kthyen në përballimin e goditjes kryesore të forcave armike. Si rrjedhojë e pritave të shumta përgjatë rrugëve, armiku u detyrua të merrte masa të forta sigurimi. Komanda italiane udhëzonte që gjatë marshimeve të kishte pararoja e reparte anësore të forta, të pajisura me mortaja e me artileri për të kapur lartësitë e rrugëkalimet.
Në veprimet luftarake të kësaj kohe filluan të marrin trajtë elementet kryesore të taktikës së luftës partizane, të cilat ishin shpirti sulmues dhe ruajtja e inicativës luftarake. Çetat partizane ishin gjithmonë në sulm. Në këtë mënyrë mbahej lart morali i luftëtarëve dhe garantohej suksesi. Tregues të shpirtit sulmues dhe ruajtjes së iniciativës luftarake ishin dendësia e lartë e aksioneve luftarake, sidomos në periudhën dhjetor 1942 - mars 1943. Çeta e dytë e Skraparit gjatë katër ditëve asgjësoi postën e Konakut, të Potomit dhe të Çepanit, të cilat ishin 8-10 km larg njëra-tjetrës dhe përbënin një vijë sigurimi të shkëputur të jashtme në jug të garnizonit të Çorovodës. Ajo nuk e lëshoi iniciativën, megjithëse armiku vuri në përdorim aviacionin dhe hodhi në veprim 5 batalione milicësh. Çeta partizane dhe vullnetarët e Skraparit organizuan edhe sulme të tjera të njëpasnjëshme, duke e mbajtur armikun nën presion të vazhdueshëm. Njëra nga çetat goditi milicët në Vërtop (11 km në jug të Beratit), të nesërmen çeta tjetër organizoi pritë në Strovë (10 km në veriperëndim të Çorovodës) kundër një kolonë ushtarësh. Këto veprime e detyruan armikun që të tërhiqej përsëri nga kjo zonë. Me gjithë masat e përpjekjet e shumta që bënë italianët për të rrëmbyer iniciativën, ajo mbeti në duart e forcave partizane. “Sulmet në kantieret e zonës naftëmbajtëse të Devollit, - deklaronte udhëheqja e lartë fashite, - goditjet kundër garnizonit të Përmetit, të Ujit të Ftohtë e gjetë, vrasjet e italianë nëpër rrugët i kanë mbërthyer repartet tona në mbrojtje të bazave të tyre dhe në tërë territorin po merr përpjetë kryengritja e përgjithshme.”*
* AQSH, “Comando sup.FF. AA. Albania”, Notiziario mensile Nr.3 mese di marzo, 1943.
Një element tjetër i rëndësishëm i taktikës partizane u bë përdorimi me efektivitet i zjarrit në afërsi me armë të lehte, bomba dore, lënde plasëse, ndezëse, etj. Në disa raste u përdorën e mortajat e lehta. Në sulmet kundër postave të armikut zjarri hapej në largësi deri në 50 m dhe më afër, duke shfrytëzuar errësirën e natës. Ai hapej i befasishëm, me të gjitha llojet e armëve dhe për një kohë të shkurtër 5-10 minuta, për t’i futur panikun armikut e për ta detyruar atë të dorëzohej. Për marrjen e postës së karabinierisë të Kovaçishtit, çeta partizane, pasi e rrethoi atë nga afër, hapi zjarr të dendur dhe e detyroi armikun të dorëzohej pa hedhur asnjë pushkë. Në këtë mënyrë u morën disa posta në qarkun e Korçës, Elbasanit, Gjirokastrës, etj. Kur armiku organizonte qëndresë, zjarri bëhej me ndërprerje për një kohë relativisht më të gjatë, nga 1-3 orë e më tepër, duke i kushtuar kujdes saktësisë së qitjes. Partizanëve u vihej detyra që zjarri të përqendrohej në pikat më të dobëta të ndërtesave. Në disa aksione saktësia e zjarrit gërshetohej me dendësinë e tij. Kështu u veprua për marrjen e postës së Barmashit në dhjetor të vitit 1942 nga çeta partizane e Kolonjës dhe ajo e Skraparit, të cilat duke hasur qëndresën e rojës, hapën zjarr të dendur e të saktë dy herë me ndërprerje disaminutëshe dhe vetëm pasi bashkërenduan zjarrin e armëve me hedhjen e bombave ndezëse, e detyruan armikun të dorëzohej.
Për organizimin me sukses të sistemit të zjarrit në prita ndikonte mjaft reliefi i terrenit, që jepte mundësi për të bërë zjarr me kate dhe të kryqëzuar. Në pritën e Bulçarit (skema nr.5), 8 km në juglindje të Gramshit, u organizua zjarri në të dy krahët e lartësive të përroit. Në të dyja anët e tij, në largësinë 100-150 m, kishin zënë pozicion partizanët dhe vullnetarët, ndërsa në bregun e majtë të Devollit zjarri i vullnetarëve të tjerë nuk e lejonte armikun të kalonte lumin. Mitralozat u vendosën 200-250 m larg. Vendi para pritës ishte rrafsh, mjaft i përshtatshëm për qitje të dobishme. E ndodhur para një zjarri të tillë asgjësues, kompania e Regjimentit 343, me një efektiv 200 veta, pas disa orësh luftimi, u dorëzua.
Befasia u bë ndër elementët më të rëndësishëm të veprimeve luftarake të çetave partizane. Ajo u rrit nëpërmjet organizimit të mirë të zbulimit, ruajtjes së sekretit të detyrës luftarake, sidomos kur veprimet luftarake kryheshin natën, në agim ose në kushte të këqija atmosferike, nëpërmjet shfrytëzimit të terrenit, të objekteve, etj. Komanda italiane e njohu këtë veçori të taktikës partizane dhe udhëzonte repartet të merrnin masa për t’iu shmangur efektet e saj. Në mjaft raste befasia dhe suksesi i veprimeve luftarake u përcaktuan edhe nga lëvizjet e shpejta e të shkathta. Në aksionin e Voskopojës (skema nr.6) çetat partizane, të përqendruara 14 km larg armikut, marshuan natën në 1 m trashësi borë dhe temperaturë -15°C, në vend të thyer e të pyllëzuar, me shpejtësi rreth 3 km në orë. Ato lëvizën në njësh kolonë deri në afërsi të Voskopojës, e rrethuan atë dhe me një pjesë forcash zunë pritë te kodrat mbi urën e Kovaçit, për të siguruar krahët e forcave që sulmonin. Pas kryerjes së aksionit, në Voskopojë u dha sinjali për arritjen e një kolone armike, e cila ishte 1-2 km afër Urës së Kovaçit, ndërsa forcat partizane ndodheshin 4 km larg. Forcat partizane vepruan me shpejtësi dhe zunë më parë lartësitë zotëruese në të majtë të urës, gjë që vulosi suksesin e luftimit. Veprimet e shpejta e të befasishme brenda pak minutash shpesh penguan armikun të kundërvepronte.
Dukuri e taktikës së çetave, ndonëse jo në përpjestime të gjera, ishin edhe sulmet kundër qendrave të fortifikuara. Me gjithë vështirësitë që paraqiteshin për marrjen e tyre, për mungesë të mjeteve, u përdorën forma për të depërtuar në brendësi të tyre. Përvojë të mirë për këtë solli aksioni i Patosit (skema nr.7) ku morën pjesë çeta Plakë e Vlorës, ajo e Mallakastrës dhe vullnetarët popullorë. Raporti i forcave ishte 1:1, por armiku kishte epërsi në mjete dhe forcat e tij mbroheshin në një pikëmbështetje të fortifikuar me qendra zjarri prej betonarmeje, e rrethuar me tela me gjemba. Për asgjësimin e tyre u ngarkua një grup partizanësh. Ata u afruan në fshehtësi me zvarritje duke shfrytëzuar gropa, kanalet e drurët e ullinjve. Ndërkohë nga ana e majtë u sulmua për tërhequr vëmendjen e mitralozave të armikut, ndërsa pushkatarët e zgjedhur bënë zjarr të përpiktë mbi frëngjitë. Nën një mbulim të tillë, tre partizanë mundën të afroheshin, asgjësuan armiqtë me bomba dore, duke u dhënë mundësi forcave të tjera të kalonin në sulm e të arrinin suksesin e plotë të aksionit. Kështu u veprua edhe për marrjen e postbllokut të Borshit në janar të vitit 1943. Me një sulm të shpejtë nga afër e me bomba dore, fortifikata e armikut u asgjësua. Më 26 dhjetor të vitit 1942, çeta plakë e Vlorës, në bashkëpunim me tre njësitë territoriale të fshatrave, bëri një sulm për asgjësimin e qendrës së fortifikuar të Radhimës, por për shkak të humbjes së befasisë në çastin e sulmit dhe të ardhjes së përforcimeve nga Vlora, nuk u arrit të shkatërroheshin fortifikatat.
Nga shtatori deri në dhjetor të vitit 1942 fashistët zhvilluan operacione kundër bazave partizane në Skrapar, në Pezë, në Martanesh, në Kurvelesh, në zonën e Vlorës, etj, me qëllim që të asgjësoheshin çetat partizane, të shkatërronin bazat e tyre dhe të ndëshkonin popullsinë civile për mbështetjen që i jepte luftës qëndresës së armatosur. Në këto operacione autoritetet fashiste përdorën kryesisht forca të milicisë e të karabinierisë, të cilat i përforcuan me tanke, autoblinda, artileri dhe disa i shoqëruan edhe me aviacion për zbulim mitralim e bombardim. Për t’u futur në brendësi të bazave partizane, armiku veproi me kolona nga disa drejtime. Kështu, në krahinën e Skraparit (shtator 1942) ata vepruan nga drejtimet: Therepel - Çorovodë, Berat - Çorovodë, Gramsh - Çorovodë, Opar - Çorovodë. Në krahinën e Martaneshit (tetor 1942) sulmuan nga tre drejtime: Burrel - Klos - Martanesh, Tiranë - Shëngjergj - Martanesh, Maqellarë - Batër - Martanesh. Në krahinën e Kurveleshit (dhjetor 1942) u afruan nga tre drejtime; Tepelenë - Bënçë - Nivicë, Golëm - Progonat - Nivicë, Dukaj - Mali i Trestenikut - Nivicë dhe Salari - Nivicë.
Për të përballuar këto operacione, forcat partizane përdorën taktikën e dhënies së disa goditjeve të befasishme, në formë pritash, gjatë afrimit dhe në hyrje të bazës, me qëllim që të prishnin planet e armikut. Mandej, pa u angazhuar në luftime të gjata, ato manovruan në krahë e në shpinë të forcave armiku duke goditur në një vend tjetër për ta çorientuar atë. Armiku e njohu këtë taktikë por nuk qe në gjendje ta përballonte e aq më pak ta mposhtte. Dobësitë e taktikës së tij pushtuesi i provoi në zonën e Pezës.
Në shtator të vitit 1942, në mëngjes, ai hodhi 6 batalione me rreth 3000 veta të mbështetur edhe nga aviacioni. Qëllimi dhe ideja e operacionit armik kundër Pezës ishin: “Të rrethohet çeta me kolona koncentrike, që do të arrijnë në zonë në mënyrë të befasishme; të shkatërrohet çeta dhe të ndëshkohet popullsia kryengritëse duke djegur çdo fshat pranë të cilit janë zhvilluar aksione luftarake dhe t’u merret bagëtia.”* Për arritjen e këtyre qëllimeve, komanda italiane e operacionit hartoi këtë plan veprimesh: batalioni 7 i MFSH** do të ndahej në tre kolona: “A”, “B”, “C”, duke vepruar në drejtimet: e para, Picallë - Ballhaxhias - Grecë; e dyta, Fortuzaj - pylli i Damjanit - Grorë; e treta, Pezë Helmës - Maknor - Kodrat e Zgurjes. Kolona “E” me dy kompani të batalionit 5 të MFSH do të vepronte në drejtimin Ndroq - Varosh - Kolaj. Kolona “F” me dy kompani të batalioneve 5 e 13 e përforcuar me një kompani të RMF*** do të sulmonte në drejtimin Kavajë - Kazaz - Kodra e Gjatë. Po në zonën e kësaj kolone do të vepronte edhe batalioni 15 i RMF. Kolona “G” me tre kompani, një togë mitralozash dhe një togë mortajash do të lëvizte në drejtimin Peqin - Gjysulkonjë - Pajan. Goditja kryesore do të jepej me kolonën “D”, që e përbënin forcart e batalionit 17 të karabinierëve, të përforcuar me një togë tankesh në drejtimin lugina e Pezës - Brakaj - Çiflik - Pezë e Madhe. Kolonat “E”, “C”, “F”, do të krijonin frontin e jashtëm, me detyrë të pengonin përpjekjet e partizanëve për të shpëtuar sidomos nga lindja dhe nga perëndimi. Dora-dorës do t’i afroheshin objektivit, do të zgjeroheshin në formë erashke, duke bërë më të dendur rrjetën rreth zonës së Pezës së Madhe.
* AQSH, “Comando delle forze per la sicurezza publica nel regno, ordine d’operazione, Nr. 1,26, 1942.
** Milicia Fashiste Shqiptare.
*** Roja Mbretërore e Financës.
Çeta partizane e Pezës, së bashku me vullnetarët arrinte në 250 - 300 luftëtarë. Në gjendjen e krijuar me raport forcash 10:1 në të mirë të armikut, ideja e komandës së çetës ishte: të organizonte luftime në formë pritash në drejtimin e goditjes krysore të armikut, për të ndaluar mësymjen deri në mbrëmbje dhe mandej të manovronte nëpër zbrazëtitë e rendimit të tij për t’i dalë në shpinë. Sipas kësaj ideje, forcat partizane zunë prita në rajonin e Zhurjes dhe të Vrapit. Ditën që filloi operacioni kuestura dhe krabinieria e Tiranës morën masa për bllokimin e hyrjeve të qytetit, që të ndalohej çdo përpjekje e forcave partizane për diversion në qytetin e Tiranës ose për daljen e gueriljeve partizane nga Tirana. Ditën e parë të operacionit kolonat armike dolën në vijën: Barakaj, Dorëz, Belbe, Çollakaj, Ramush, Kushnik, Cikallesh, Lis - Fatros, Kolaj. Ndërkohë forcat e karabinierisë, që vepronin midis formacioneve të luftimit të kolonave, mbyllnin shtigjet prej ku mund të dilnin kryengritësit. Gjendja u bë tepër e vështirë për forcat partizane dhe popullsinë, sepse, me përjashtim të një daljeje në juglindje të Pezës, të gjitha daljet nga kjo krahinë ishin mbyllur. Në të tilla kushte komanda e çetës e gjykoi të arsyeshme të mos mbërthehej në luftime të gjata me armikun, por të goditej ai në dy-tre drejtime, sa për t’i prerë hovin, pastaj forcat partizane të manovronin me shkathtësi e shpejtësi në zonën e thyer kodrinore e pyjore dhe të dilnin jashtë rajonit që synonin ta rrethonin trupat fashiste.
Në drejti të Zhyrjes, një pjesë e çetës, me rreth 100 veta, goditi pararojën (një kompani milicësh) e kolonës kryesore dhe e gozhdoi për disa orë. Në drejtim të Vrapit çeta bëri një qëndresë të shkurtër, por u detyrua të tërhiqej përballë epërsisë së armikut në rajonin e Grorit, pas së cilës më vonë u tërhoq edhe pjesa tjetër e saj. Përparimi me shpejtë si i kolonave armike edhe nga drejtimet e tjera e vuri çetën në gjendje tepër të vështirë. Vendimi i komandës së çetës për daljen nga rrethimi ishte i drejtë. Gjakftohtësia e guximi ndikuan në mbajtjen e moralit të luftëtarëve. Duke shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin që e njihnin në pëllëmbë të dorës. Gjatë natës, partizanët depërtuan me fshehtësi nëpër zbrazëtitë e vogla të rendimit të armikut në drejtimin Grecë - Arbanë dhe u përqendruan në pyllin e Kërçukës, 2-4 km në jugperëndim të Ndroqit. Dalja nga rrethimi u bë me disa grupe në rrugëkalimet të veçanta. Çeta doli nga rrethimi e organizuar e në gatishmëri për të kryer aksione të tjera. Daljen e saj jashtë rrethimit e ndihmuan edhe veprimet luftarake të çetave vullnetare në shpinë të formacioneve të armikut, të cilat shkaktuan frikë e hutim dhe krijuan të çara e boshllëqe në radhët e armikut. Dalja nga rrethimi u shoqëruar edhe me veprime diversioniste jashtë zonës së operacionit. Kështu u godit një automjet me ushtarë armiq në Pezë - Helmës dhe pas kësaj u sulmua një repart i milicisë fashiste në fshatin Hardhishtë të Shijakut.
Pothuajse me një taktikë të tillë vepruan çetat partizane në Skrapar, Kurvelesh, Martanesh, etj.
Përvojë të re fituan forcat partizane gjatë thyerjes së operacionit armik në krahinën e Vlorës. Në fun të dhjetorit të vitit 1942 Komanda e Përgjithshme e forcave të sigurimit publik hartoi planin e operacionit policor për disa zona në Shqipërinë e jugut. Operacioni ndahej në dy faza. Në fazën e parë një repart me rreth 1000 milicë do të vepronte në zonën e Mesaplikut; një repart tjetër me rreth 750 veta do të vepronte në Kurvelesh, Gjirokastër, Libohovë dhe në Përmet dhe një batalion do të vepronte në zonën e Konispolit, të Delvinës e të Sarandës. Në fazën e dytë forcat operuese të Vlorës do të lëviznin nëpërmjet Mallakastrës për të vepruar në krahinën e Beratit. Reparti prej 730 milicësh nga Përmeti do të kalonte në Leskovik. Në këtë fazë do të futej në veprim një repart tjetër prej 700 milicësh në zonën e Elbasanit. Të gjitha forcat do të dilnin në Korçë. Në këtë kuadër u zhvillua edhe operacioni i fashistëve italianë në krahinën e Vlorës, i cili përfshinte veprimet spastruese brenda në qytet dhe pastaj në rrethina për të shkatërruar bazat ilegale dhe ato partizane, të asgjësonte çetën partizane dhe të bënte përndjekje të popullsisë civile. Në operacion armiku hodhi rreth 3500 forca: një legjion (regjiment) milicie, dy batalione këmbësories, një grup karabinierie e dy banda mercenarësh (rreth 100 veta) të përforcuar me nënreparte autoblindash, mortajash dhe të mbështetura nga një grup artilerie. (skema 8)
Nga 26 deri 29 dhjetor armiqtë kryen operacioni e tyre në qytetin e Vlorës, duke bërë goditje e shkatërrime e duke përndjekur familjarët e partizanëve dhe atdhetarëve. Në mëngjesin e 30 dhjetorit ata filluan operacionin në zonat e çliruara të qarkut, duke nisur në drejtim të Tragjasit në tre kolona (Vlorë - Kaninë - Tragjas, Vlorë - Tragjas, Vlorë - Dukat) bandat e mercenarëve të përforcuar me një togë mitraljere dhe një togë mortajash, për të goditur në befasi e për të asgjësuar Çetën Plakë. Me dështimin e kësaj përpjekjeje, armiku me forcat e një batalioni të përforcuar me artileri e autoblinda, kaloi në mësymje në shkallë të gjerë nga drejtimet Tragjas - Gjorm dhe Vlorë - Drashovicë - Gjorm, ku jepte goditjen kryesore.
Në këtë gjendje Komiteti i Partisë Komuniste të qarkut të Vlorës mobilizoi vullnetarë të armatosur nga zona e Mesaplikut dhe u vunë në lëvizje vullnetarë të tjera nga Kurveleshi i poshtëm, etj, duke rritur numrin e forcave partizane në 1500 veta. Një pjesë e forcave partizane e vullnetare u vendosën në drejtimin Gjorm - Lepenicë*, me detyrë të ndalonin mësymjen e armikut në drejtimin e goditjes kryesore: një pjesë u vendosën në malin e Gjormit për të mbrojtur shpinën e forcave partizane e vullnetare dhe me forcat e tjera u organizua prita në rajonin e Sevasterit, për të penguar armikun që mund të vinte nga drejtim i Tepelenës.
* Lufta e Gjormit ishte një bashkëpunim mes çetave partizane dhe atyre të Ballit Kombëtar nën udhëheqjen e Hysni Lepenicës . (A.K.)
Më 1 janar të vitit 1943 armiku sulmoi nga mali i Tragjasit për të dalë në Gjorm, por u ndal nga kundërsulmi i forcave partizane në qafën e Plloçiçave. Ndërkohë armiku futi pjesën tjetër të forcave dhe me autoblinda çau e u fut në Gjorm. Forcat partizane nuk lejuan bashkimin e dy kolonave armike dhe ky ishte parakushti që të merrnin nismën për të kaluar në një kundërsulm të përgjithshëm në mëngjesin e ditës së nesërme. Për kundërsulmin forcat partizane u vendosën në gjysmërreth: Qafë - Plloçë - Vajzë - Velçë -Kodrat mbi Lepenicë e Gjorm - Gumenicë. Forcat kryesore u vendosën në jugperëndim të Gjormit, Kundërsulmi u realizua në një kohë dhe çoi në rrethimin e plotë të armikut. Për zhbllokimin e të rrethuarve, komanda italiane futi në veprim një batalion këmbësorie. Në mbrëmje forcat partizane u tërhoqën, pasi kishin prishur krejt planin e operacionit armik.
Taktika e forcave partizane ishte menduar mirë, ajo u karakterizua nga manovra, zhdërvjelltësia dhe shpejtësia. Në fillim, për shkak të epërsisë së madhe të armikut, çeta partizane dhe vullnetare zhvilluan luftime jashtë fshatit Tragjas, për të penguar armikun dhe për të fituar kohë për mobilizimin e popullsisë së fhsatrave. Kolonat e armikut u goditën që në hyrje të bazës partizane dhe pastaj, nëpërmjet veprimeve sulmuese e të vijueshme, u mos nisma, u kundërsulmua në brendësi të bazës dhe nuk u lejua të shkelej ajo, duke e detyruar armikun të tërhiqej në Vlorë me disfatë të plotë Për mbrojtjen e bazës partizane rol të rëndësishëm luajti bashkërendimi i ngushtë i veprimeve luftarake të çetës partizane me forcat vullnetare territoriale, me gjithë popullin e zonës, veçanërisht në luftën guerile në qytet.
Në sukseset e arritura nga forcat partizane në këtë fazë, një vend të rëndësishëm zë drejtimi i luftimeve nga komandat partizane. Në fillim, kur luftimi bëhej me një çetë partizane, organizimi dhe drejtimi i luftimit ose i aksionit qe më i thjeshtë. Në pritë ose në sulm kundër postave, çeta rreshtohej në një vijë 150-2– m. Largësitë ndërmjet partizanëve dhe grupeve caktoheshin sipas terrenit, në mënyrë që të vrojtonin njëri -tjetrin me sy, të lidheshin e të drejtoheshin me zë dhe me sinjale të thjeshta. Komanda e çetës e bënte në vend organizimin e luftimit, pothuajse me çdo partizan, pavarësisht nga detyrat që u jepte komandantëve të skuadrave. Komanda qëndronte gjithnjë në mes të çetës dhe, si rregull, sinjali i fillimit të luftimit ishte hapja e zjarrit nga komandanti ose komisari. Pra, komanda e çetës merrte pjesë drejtpërdrejtë në luftim e njëkohësisht drejtonte. Bashkëveprimi bëhej me zë dhe me lajmëtarë, të cilët qëndronin pranë komandës. Nga vetë natyra e detyrave që zgjidhnin çetat partizane, përcaktohej edhe forma e mënyra e drejtimit të tyre. Kështu p.sh. objekte sulmi në zonat malore zgjidheshin posta të veçanta, me pak ushtarë dhe larg qendrave të mëdha të banuara. Kësisoj drejtimi qe disi më i thjeshtë. Vendimi i komandës, i cili merrej në përputhje me detyrat e Komitetit të Partisë të qarkut, kishte pak detyra. Ai jepej me gojë në bazën e nisjes për në aksion. Detyra të veçanta komanda e çetës u vinte mitralozit të rëndë ose të lehtë dhe grupeve të sulmit e të mbështetjes. Komandat e çetave kishin njëfarë përvoje në përdorimin e taktikës partizane, por përvojën më të madhe ata e filluan gjatë aksioneve e luftimeve që zhvilluan me pushtuesit duke rritur aftësinë organizuese e drejtuese në përdorimin me frytshmëri të elementëve të taktikës partizane.
Me rritjen e përmasave të luftimeve, u rrit edhe vëllimi i detyrave dhe i punëve organizative e drejtuese. Lindi nevoja për organizimin e bashkërendimin dhe drejtimin e veprimeve të disa çetave si në aksionin e Voskopojës, të Libohovës, në Snosëm - Bulçarit, etj. Në luftim merrnin pjesë 2-3 e më tepër çeta me 300-400 luftëtarë partizanë e deri 1500 partizanë e vullnetarët, si në luftën e Gjormit. Zgjerimi i kryengritjes së armatosur, rritja e vrullshme e numrit të çetave partizane e vullnetare, krijoi kushte për shtimin e aksioneve e të veprimeve luftarake. Tashmë veprimet e çetave dhe drejtimi i tyre synonin për realizimin e objektivave më të rëndësishëm, sulmet kundër garnizoneve të fortifikuara të armikut, të cilat në mjaft raste ndodheshin në afërsi të qyteteve kryesore vendit. Duheshin siguruar të dhëna më të shumta për armikun, si për forcat e vendosura në garnizone, ashtu edhe për ato që ndërmerrnin operacione kundër bazave partizane. Si rezultat i një veprimtarie të dendur dhe i një drejtimi efektiv, në periudhën janar- mars të vitit 1943, nisma ka qenë pothuaj në duart e forcave partizane.
Grumbullimi i të dhënave për armikun u bë i mundur nëpërmjet rrjetit informativ që kishin krijuar komitet e Partisë Komuniste në qytete, dhe vetë zbulimit të vijueshëm që kryenin komandat partizane. Informacioni ishte objekt i rëndësishëm i vlerësimit për marrjen e vendimit. Krijimi i komandave të përbashkëta të çetave partizane ishte një domosdoshmëri objektive. Ato gjykonin kolegjialisht për marrjen e vendimit dhe për përcaktimin e masave të zbatimin e tij, duke përdorur edhe skicat e një harte topografike. Kjo ishte e domosdoshme për të arritur në një vendim sa më të drejtë. Kështu, përpara se të sulmohej Voskopoja, një natë më parë, Teki Kolaneci, në komandën e përbashkët të çetave partizane, në prani të të deleguarit të komitetit të Partisë të qarkut dhe të komandave të çetave, diskutoi e miratoi vendimin e aksionit. Në kushtet kur për këtë sulm ishin grumbulluar 6 çeta partizane, veç çetave territoriale, detyrat luftarake duheshin saktësuar mirë për çdo çetë. Ndërmjet tyre duhet organizuar një bashkëveprim i saktë, sepse veprohej për herë të parë. Në detyrat luftarake përcaktoheshin rajoni i nisjes, rrugëkalimet për në objektin e sulmit të çdo çete, koha dhe sinjali i fillimit të sulmit. Duke parë rezultatet. Që u arritën në aksion, del se komanda e çetave partizane kishte marrë masa të mira dhe kishte vlerësuar drejt gjendjen e të dyja anëve. Komanda e përbashkët e çetave, në disa raste, nuk ishte tashmë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në luftim. Ajo vendosej në afërsi të grupeve të sulmit (goditjes kryesore), duke iu përshtatur veçorive të relievit, në kodrat mbizotëruese me bimësi, etj. Drejtimi i luftimit bëhej me mjete të thjeshta ndërlidhjeje si me fishekë gjurmëlënës, me breshëri automatiku ose bomba dore, me zë me lajmëtarë, etj. Gjatë drejtimit kishte edhe disa vështirësi, pasi komandat që krijoheshin nuk njiheshin mirë, nuk përbënin një organizim ushtarak të përhershëm dhe çetat partizane vepronin si formacion të mëvetësuara. Luftime dhe taktika që përdorej tregonin se duhej kaluar në një shkallë të re veprim, organizimi e drejtimi ushtarak.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.
Epopeja e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - foto album