Mjekësia partizane gjatë
kundërmësymjes partizane pranverore 1944
Mjekësia partizane gjatë
kundërmësymjes partizane pranverore 1944
“Në mars 1944, iniciativa operative kishte kaluar në përgjithësi në duart e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kjo gjendje qe fare e papritur për pushtuesit e për kolaboracionistët. Komanda e trupave gjermane të Juglindjes priste një periudhë qetësie pas operacioneve të mëdha ushtarake në Shqipëri.”*
Armiku, i ndodhur përpara kësaj situate, filloi rishtas organizimin e forcave të veta, duke vendosur reparte të tëra në Shqipëri dhe duke mobilizuar gjithë forcat reaksionare kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Komiteti Qendror i PKSH-së dhe Shtabi i Përgjithshëm, më 5 prill 1944, dhanë urdhrin për t’u hedhur në mësymje të gjitha repartet dhe njësitë partizane. Në këto kushte të mësymjes pranverore dhe të shtimit numerik të UNÇSH-së, duhej riorganizuar patjetër edhe shërbimi shëndetësor. PKSH-ja e zgjidhi këtë problem duke përgatitur me ngut kuadro të ulëta mjekësore pranë spitaleve partizane, për t’i vënë ato në shërbim të batalioneve e të çetave. Nga spitalet partizane u tërhoqën disa mjekë dhe infermierë të zonës dhe u vunë në formacionet e mëdha, duke i zëvendësuar këta me kuadro mjekësore të ardhur rishtas nga qytetet.
*Historia e Luftës Nazifashiste Nacionalçlirimtare, Vëll. II, maket; Tiranë 1975, f. 353.
Gjatë Operacionit të Dimrit, pranë spitaleve partizane ishin stërvitur si sanitarë shoqe dhe shokë partizanë, të cilët u shpërndanë nëpër nënreparte për të dhënë ndihmën e parë. Krahas tyre, nëpër qytete u përgatitën edhe shumë shoqe të tjera. Me rekomandim të komiteteve qarkore të PKSH-së, iu bë thirrje disa kuadrove të mjekësisë për të dalë në mal. Të gjitha këto masa bënë që repartet partizane të kompletoheshin deri diku me personelin e nevojshëm.
Rëndësi e dorës së parë iu kushtua organizimit dhe funksionimit të mirë të shërbimit shëndetësor të reparteve. Njësitë e mëdha, si brigadat, u kompletuan me mjekë, ndërsa në disa prej tyre u caktuan infermierë të aftë dhe të sprovuar. Pranë çdo brigade, referenti shëndetësor ishte i urdhëruar të ngrinte kurse infermierie. Në këtë periudhë u shqyrtua edhe çështja e bartësve të të plagosurve: në çdo kompani u caktuan dy vetë, të cilët u stërvitën posaçërisht për këtë punë.
Komandat e njësive partizane studiuan përvojën e deriatëhershme, sidomos atë të luftimeve të Operacionit të Dimrit, për vendmjekimet, infermieritë dhe spitalet partizane. Shtabi i Përgjithshëm, më 21 shkurt 1944, udhëzonte të tregohej kujdes që spitalet e partizanëve të vendoseshin në bazat më të sigurta dhe më të përshtatshme. Udhëzohej gjithashtu që këto spitale të pajiseshin me shtretër, me barnat e nevojshme, me personelin e duhur dhe me ushqimin më të mirë që mund të gjendej.
Riorganizimi i spitaleve partizane u vu në qendër të vëmendjes së komandave dhe të këshillave nacionalçlirimtarë. Ata u munduan t'i pajisnin spitalet sa më mirë me shtroje e orendi, i furnizuan me veshmbathje e ushqime, ndërsa kompletimi me medikamente — meqë këto ishin të pakta — bëhej me autorizim të Shtabit të Përgjithshëm.
Në këtë kohë, shqetësuese mbeti gjendja shëndetësore e partizanëve. Lufta kishte hyrë në vitin e katërt dhe dimri i ashpër i viteve 1943-1944 kishte lënë gjurmë te luftëtarët. Prandaj, në udhëzimet që Shtabi i Përgjithshëm u dërgonte njësive, kërkohej informacion i veçantë mbi gjendjen e tyre fizike. Shëndeti i tyre kërcënohej edhe nga sëmundjet infektive që ishin përhapur në vend gjatë pushtimit nazi-fashist. Në maj të vitit 1944, Shtabi i Përgjithshëm njoftoi gjithë komandat e brigadave mbi masat parambrojtëse kundër tifos abdominale dhe sëmundjeve të tjera.
Para Operacionit armik të Qershorit, në pranverën e vitit 1944, UNÇSH-ja, duke zbatuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të datës 5 prill 1944, kaloi kudo në mësymje. Gjatë kësaj kohe, luftimet morën përpjesëtime të gjera. Radhët partizane u shtuan dhe efektivi i UNÇSH-së u rrit në 35 mijë luftëtarë. Më 28 maj 1944, u formua Divizioni i I Sulmues. Kudo forcat partizane po jepnin kundërgoditje të fuqishme. Në këto kushte, edhe shërbimi shëndetësor merrte përpjesëtime më të gjera. Partia dhe Shtabi i Përgjithshëm, si kurdoherë, ndiqnin me kujdes e vëmendje të madhe këtë çështje me kaq rëndësi, duke dhënë vazhdimisht porosi, udhëzime e urdhra.
Në Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar të Përmetit, që u mblodh më 24 maj 1944 dhe ku u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar të demokracisë popullore, u ngrit Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar. Një nga 13 anëtarët e këtij komiteti u ngarkua si përgjegjës i sektorit të shëndetësisë. “Shërbimi i shëndetësisë, - thuhet në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, - të plotësohet me mjetet që ka divizioni në dispozicion. Divizioni të studiojë dhe të organizojë vendmjekime e spitale në zonat e lira. Të plagosurit që në kohën e parë nuk mund të mjekohen në ato zona, të përcillen në spitalin e Vlushës në Berat.”*
*Dokumente të Shtabit e të Komandës së Përgjithshme, Vëll. I, Nr. 181, f. 419.
Plotësimit dhe organizimit të shërbimit shëndetësor në këtë kohë, në formacionet e ushtrisë sonë, iu dha rëndësi e veçantë në përshtatje me detyrat luftarake të këtyre njësive. Me kalimin e Shkumbinit nga Divizioni i I Sulmues, filloi mësymja e madhe përfundimtare për çlirimin e gjithë Shqipërisë. Këtij formacioni të madh i duhej një organizim shëndetësor që të zgjidhte me forcat e veta gjithë problemin e shëndetësisë së divizionit; prandaj, në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm ngulej këmbë për organizimin e vendmjekimeve dhe të spitaleve. Në këtë kohë, për këtë divizion, si prapavijë e thellë do të shërbenin zonat në jug të Shkumbinit.
Shtabi i Përgjithshëm, nëpërmjet seksionit të shëndetësisë, më 3 qershor 1944 lëshoi një qarkore për të gjitha spitalet mbi rolin dhe rëndësinë e shërbimit shëndetësor në UNÇSH, ku midis të tjerave thuhej: “Në këtë luftë të shenjtë që populli shqiptar, i shtypur nga okupatori, bën për lirinë e vet, merr pjesë edhe trupi shëndetësor i vendit tonë.”* Shërbimi shëndetësor gjatë luftës kreu detyrën e vet luftarake krahas popullit të armatosur, duke dhënë kështu ndihmën e tij të vlefshme për fitoren.
*Dokumente të Shtabit e të Komandës së Përgjithshme, Vëll. I, Nr. 181, f. 149.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.