Beteja e Leskovikut

Veprimet sulmuese në zonën e Leskovikut (Maj 1943)

Garnizoni fashist i Leskovikut qe vendosur në pozicion kyç për të siguruar rrugën strategjike që lidhte forcat e Armatës IX të Shqipërisë jugore me ato të Armatës XI në Greqinë veriore. Asgjësimi i këtij garnizoni prishte lidhjen ndërmjet dy armatave, zgjeronte bazat e LANÇ dhe lidhte në një të vetme bazat partizane të qarkut të Korçës e Gjirokastrës.

Në Leskovik autoritetet fashiste kishin përqendruar një kompani këmbësorie të divizioni “Arezzo”, një kompani të Rojës së Financës dhe një të karabinierisë me një efektiv prej 400 ushtarësh. Forcat ishin të pajisura me mortaja 81mm dhe me 40 mitraloza të rëndë e të lehtë. Kompanitë e armikut qenë 200-300m larg njëra-tjetrës. Garnizoni rrethohej me qendra zjarri dhe me pengesa xheniere, që rriste aftësinë e mbrojtjes së tij. Për veprimet luftarake në zonën e Leskovikut (skema nr.9) komiteti i Partisë Komuniste të qarkut të Korçës ngarkoi 12 çeta partizane, nga 14 që kishte i gjithë qarku. Bashkë me to do të vepronin edhe çetat partizane territoriale të fshatrave. Numri i përgjithshëm i forcave partizane e territoriale arrinte 600-700 luftëtarë, të armatosur me 40-50 mitraloza dhe me disa mortaja. Përpjekje të mira ishin bërë për të siguruar një sasi të madhe municioni. Për çdo pushkë kishte 50-70 fishekë, për çdo mitraloz 300-500 fishekë dhe për çdo mortajë 15-20 predha. Për të siguruar vijimësinë e luftimeve, ishte parashikuar furnizimi me municion nga disa rezerva të grumbulluara më parë.

Ide a luftimit ishte që me 10 çeta të sulmohej në befasi garnizoni, ndërsa me dy çeta të tjera së bashku me çetat territoriale, të organizoheshin prita në rrugët Janinë-Leskovik, Përmet-Leskovik dhe Ersekë-Leskovik. Përveç zbulimit të forcave kundërshtare u morën masa edhe për të siguruar befasinë e qëllimit të veprimeve. Ato u përqendruan në pyllin e Mollëzës së Gërmenjit 8-9 km larg Leskovikut. Gjatë natës u prenë linjat telefonike që lidhnin Leskovikun me qytetet e tjera. Grupe të caktuara prishën urat në rrugën Ersekë-Leskovik dhe Leskovik-Përmet.

Komandat e çetave morën detyrën luftarake në rajonin e përqendrimit. Tri çeta, e Gorës, e Oparit dhe e Devollit, do të sulmonin kazermën e karabinierisë; katër çeta, e Rrëzës, “Tomori”, e Kurorës dhe e Leskovikut do të sulmonin kazermat e ushtarëve të këmbësorisë. Veprimet do të mbështetshin nga nënreparti  që u krijua me mortajat e të gjitha çetave. Çeta e Vithkuqit do të zinte pritë te ura e Shalësit, 20 km larg nga Leskoviku, ndërsa ajo e Ostrovicës në afërsi të Glinës, në rrugën Leskovik-Përmet. Pas detyrës luftarake, u dhanë udhëzime për rrugët e afrimit, për bashkëveprimin ndërmjet çetave, për furnizimin dhe shëndetësinë, duke krijuar për këtë qëllim skuadrat përkatëse. Me marrjen e detyrës luftarake, komisarët dhe komunistët, nëpërmjet bisedave të shkurtra, ua bënë të qartë partizanëve rëndësinë e detyrës dhe vështirësitë për t’u afruar në objektin e sulmit e sidomos për të çarë mbrojtjen e garnizonit. E gjithë kjo punë e gjallë e frymëzuar e ngriti lart moralin e partizanëve.

Lëvizja nga rajoni i përqendrimit për në vijat e sulmit dhe në rajonet e pritave filloi natën, pas orës 21:00. Çetat lëvizën në disa rrugë paralele dhe në kohën e caktuar dolën në objektet e sulmit. Me të arritur në Leskovik, komandantët e çetave organizuan bashkëveprimin. Sulmi filloi pa gdhirë, në orën 03:00.

Partizanët, me grupe sulmuan nga të gjitha drejtime dhe ngushtuan unazën e rrethimit, duke detyruar armikun të mbrohej në kazerma dhe në fortifikata. Mitralozat u përdorën për t’u dhënë mundësi grupeve të sulmit t’u afroheshin qendrave të zjarrit të armikut deri në hedhjen e bombave të dorës. Në gjendjen e krijuar komanda italiane futi në veprim aviacionin që, sipas pikëpamjes së tyre, përdorej vetëm në rastet më të domosdoshme. Grupi prej 5 aeroplanësh kreu 36 fluturime, duke bombarduar e mitraluar si forcat partizane ashtu edhe shtëpitë e banimit pa dallim, në Leskovik e nëpër prita. Forcat partizane, pa e hequr vëmendjen nga sulmi, morën masa për t’u mbrojtur nga zjarri i aeroplanëve duke shfrytëzuar terrenin shkëmbor. Në disa drejtime u organizua zjarri i pushkëve e i mitralozave kundër aeroplanëve dhe u arrit të rrëzohej një aeroplan në pritën e urës së Shalësit.

Sulmet kundër kazermave vazhduan për rreth 15 orë. Për këtë ndikoi edhe vijimësia e furnizimit me municione. Për t’i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar, ishin vënë në lëvizje dy batalione të përforcuara me autoblinda: njëri nga Erseka dhe tjetri nga Tepelena. Në kulmin e luftimeve në Leskovik autokolnat ranë nën zjarrin e befasishëm të pritave tek ura e Shalësit, ajo e Çarshovës dhe në afërsi të Glinës. Luftimet në prita u bënë për të dëmtuar e për ta penguar armikun. Të dyja autokolonat pas luftimesh të ashpra mudën të çanin pritat dhe të futeshin në Leskovik. Ndërkohë forcat partizane pa hequr dorë nga qëllim i luftimit u zhvendosën në prita përgjatë rrugës Leskovik-Ersekë në zonën Shalës-Sanjollas-Barmash. Ky manovrim iu përgjigj gjendjes së krijuar, kur raporti i forcave kaloi dukshëm në anën e armikut. Manovrimi i forcave nga Leskoviku në urën e Shalësit dhe një pjesë në Barmash u bë brenda natës.

Shfrytëzimi i mirë i terrenit dhe numri i forcave dhanë mundësi të ndërtoheshin disa prita të njëpasnjëshme në një gjatësi prej 9 km. Në pritën e urës së Shalësit forcat u vendosën në të dy krahët e rrugës.  Kjo u ndërthur me veprime xheniere si prishja e rrugëve dhe bllokimi i tyre me gurë. Prita në Sanjollas e në Barmash u bë e njëanshme. Forcat italiane të divizionit “Arezzo”, pasi zhbllokuan garnizonin e Leskovikut gjatë kthimit, ranë në goditje të befasishme në pritën e urës së Shalësit. Pas dy orësh luftime, autokolona u ndal në pritën e Sanjollasit, ku luftimet u zhvilluan natën dhe zgjatën më shumë se 10 orë. Me frytshmëri u përdorën sulmet me bomba dore e luftimit trup me trup.

Detyrat që kryen pritat ishin komplekse. Zjarri u bashkërendua me sulmin dhe pastaj me një pjesë forcash u kalua në ndjekje. Trysnia e vijueshme e goditjeve përgjatë rrugëve e detyroi armikun pas disa ditësh të tërhiqte përfundimisht trupat nga garnizoni i Leskovikut. Pas kësaj, lidhja ndërmjet dy armatave të ushtrisë italiane bëhen kryesisht nga ajri.

Për herë të parë në Leskovik mbi objektin e sulmit u bë përqendrim i madh forcash, me rreth 600-700 veta, që siguroi një raport forcash 1,5:1 në të mira të partizanëve. Vendimi për zhvendosjen e goditjes kryesore nga Leskoviku në prita iu përgjigj në kohë gjendjes së krijuar. Për realizimin e saj ndikoi manovra e shpejtë dhe e fshehtë, që u bë kryesisht natën. Brenda dy ditësh u kryen veprime në një sipërfaqe më se 100 km2. Nga rajone e tyre të zakonshme, çetat partizane marshuan me shpejtësinë mesatare 3,5-4 km në orë në terren malor të thyer për në pyllin e Mollëzës. Prej këtej lëvizën për në Leskovik, ku luftuan gjithë ditën. Natën marshuan sipas detyrës për në rajonet e pritave në largësi 10-16 km, ku zhvilluan luftime për disa orë. Në Leskovik u zhvilluan më shumë 15 orë luftime, në prita 10 orë luftime, ndërsa për manovër u deshën 6-7 orë. Në objektin e goditjes kryesore, në Leskovik, u përqendruan rreth 4-5 e forcave partizane, ndërsa në prita u vendos ⅕ e këtyre forcave të ndihmuara edhe nga forcat vullnetare territoriale.

Një përvojë e mirë u përfitua në përdorimin e grupeve të sulmit mbi garnizonin e Leskovikut. Ato u armatosën  me automatikë, bomba dore dhe mitraloza të lehtë. Në përbërje të tyre u futën luftëtarë me përvojë, si dhe komandantë e komisarë të çetave partizane, të cilët dhanë shembullin vetjak në udhëheqjen e grupeve të sulmit.

Në luftimet e Leskovikut për herë të parë u përdor zjarri i përqendruar i mortajave, i cili dëmtoi dhe pengoi forcat që ndodheshin në kazermë për të kapur pozicionet e mbrojtjes rreth kazermës. Zjarri i mitralozave, nga pozicion të zgjedhura, u përdor mirë jo vetëm për mbështetjen e grupeve të sulmit, por edhe për goditjen dhe dëmtimin e autokolonave. Megjithëse mitralozat po gjenin përdorim të gjerë, bazë e sistemit të zjarrit mbeteshin kryesisht pushkët. Pjesëmarrja e gjerë e forcave dhe detyrat që ato plotësuan ndikuan në zhvillimin e rendimit të luftimit.

Luftimet në Leskovik treguan se në veprimet me përmasa të tilla duhet përmirësuar drejtimi me anë të shtabeve, siç do të veprohej në luftën e Përmetit.

Aeroplani i rrëzuar italian gjatë luftimeve në Leskovik

Burime

Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:

Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.

Epopeja e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - foto album