Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. Nga e majta në të djathtë (lart) Haxhi Lleshi (ndoshta), Enver Hoxha, Abaz Kupi, Mustafa Xhani, Spiro Moisiu, Bedri Spahiu ose Mustafa Gjinishi, Dali Ndreu (ndoshta), Ramadan Çitaku, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Myslim Peza.
Krijimin e një qendre organizative, politike dhe operative të të gjitha forcave të armatosura antifashiste në Shqipëri e kërkonin si rrethanat e brendshme, ashtu dhe ato të jashtme. Ishin krijuar kushtet që lufta partizane të kalonte nga veprimet e lokalizuara taktike në ato operative me ndikim të gjerë. Për këtë kërkohej përsosja e organizimit ushtarak, kalimi nga çetat e batalionet në brigada e divizione të drejtuara me plane të gjera e të bashkërenduara strategjike. “Për të luftuar me sukses armikun, për të drejtuar kryengritjen e përgjithshme popullore duhen organizuar njësi të mëdha ushtarake (brigada e divizione), duhet organizuar medoemos një ushtri kombëtare me një qendër të vetme - Shtabin e Përgjithshëm.”*
* AQP, procesverbal i mbledhjes të Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar, 4 korrik 1943.
Shtabi i Përgjithshëm do të bënte të mundur që, në rrafshin ndërkombëtar, fati i Shqipërisë të zgjidhej me armë nga vetë populli shqiptar, e njëkohësisht veprimet luftarake të bashkërendoheshin më mirë e në mënyrë me të plotë me veprimet e koalicionit antifashist, sidomos me luftën e popujve fqinj të Ballkanit.
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm u shqyrtua dhe u vendos në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, që u mbajt në Labinot me 4 -10 korrik të vitit 1943 dhe u shpall me 10 korrik të atij viti. Ai kishte 12 anëtarë. Komandant u zgjodh Major Spiro Moisiu, Komisar Politik Enver Hoxha. Komandanti dhe Komisari Politik përbënin komandën eprore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Qenia e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë edhe si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm siguronte udhëheqjen e Partisë Komuniste në UNÇSH dhe bënte të mundur që çdo veprim ushtarak të udhëhiqej nga vija politike e saj.
Anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin: Myslim Peza (Babë Myslymi), Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi), Dali Ndreu, Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica dhe Sejfulla Malëshova.
Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm lufta e armatosur hyri në një etapë të re zhvillimi. Shtabi i Përgjithshëm ishte organi me i lartë ushtarak udhëheqës i luftës dhe i ushtrisë. Detyrat kryesore të tij ishin që, sipas vijës politike të Frontit Nacional Çlirimtar, të organizonte Ushtrinë Nacionalçlirimtare, të realizonte udhëheqjen strategjiko-operative të luftës së armatosur dhe të përpunonte njëkohësisht edhe taktikën e kësaj luftë.
Shtabi i Përgjithshëm, që në fillim mori një sërë masash për organizimin e Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare. Ai nxori:
urdhra, udhëzime e rregullore që përcaktonin ndërtimin organizativ të formacioneve të ndryshme të ushtrisë,
rrugët dhe format që do të ndiqeshin për formimin e tyre,
përbërjen e detyrat e çdo reparti, njësie, komande e shtabi,
pajisjen me armatime dhe furnizimin me municione e veshmbathje,
format e metodat e përgatitjes politiko - luftarake të kuadrove e të partizanëve,
ndërtimin organizativ të pushtetit ushtarak të prapavijave,
organizimin e popullit të armatosur në ushtrinë rezervë nacionalçlirimtare vullnetare territoriale etj.
Për organizimin e UNÇSH-së Shtabi i Përgjithshëm ndoqi nga afër dhe mori pjesë drejtpërdrejtë në krijimin e reparteve e të njësive të rregullta të ushtrisë, pra në bashkimin shkallë-shkallë të çetave e të batalioneve partizane dhe në formimin e grupeve e të brigadave sulmuese.
Organizimi dhe drejtimi i Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare shtroi para Shtabit të Përgjithshëm detyrën e udhëheqjes strategjike dhe operative të kryengritjes së përgjithshme të armatosur; detyrën për zbatimin në shkallë me të gjerë e me të organizuar të parimeve e të rregullave të luftës së armatosur popullore partizane si parimi i përcaktimit të goditjes kryesore, i përqendrimit të forcave dhe të mjeteve në vendin dhe kohën e duhur, i organizimit e i bashkëveprimit ndërmjet reparteve e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe ndërmjet tyre e forcave vullnetare territoriale për të kryer veprime të shkallës operativo-strategjike, etj.
Shtabi i Përgjithshëm përcaktoi rrugët, format e metodat që duheshin përdorur për zgjerimin e mëtejshëm të Luftës së armatosur dhe për rritjen e shtimin e bazave partizane. Ai përcaktoi objektivat strategjikë të ndërmjetëm që duheshin arritur për të plotësuar qëllimin strategjik të luftës, çlirimin e atdheut.
Detyrat luftarake me karakter strategjik do të zgjidheshin jo vetëm nëpërmjet luftimeve të shkallës taktike, por edhe me anë të operacioneve, me pjesëmarrjen e formacioneve të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për thyerjen e operacioneve mësymëse të armikut, Shtabi i Përgjithshëm orientoi që të përdorej mbrojtja e manovruar, goditja e tij në krahë e në prapavijë dhe në dhënien e kundërgoditjeve, për ta detyruar atë të mbyllej në qytete. Zgjidhja me sukses e hap pas hapi e këtyre detyrave krijonte kushte për marrjen e nismës operativo-strategjike, për kalimin në kundërmësymje e mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të vendit.
Shtabi i Përgjithshëm e përqendroi vëmendjen sidomos në taktiken e luftës partizane, duke përpunuar e përsosur me tej parimet e rregullat e saj. Zhvillimi i taktikës bëhej krahas forcimit organizativ, pajisjes me armatim e teknikë luftarake të formacioneve partizane dhe nëpërmjet grumbullimit dhe përgjithësimit të përvojës luftarake.
Në themel të taktikës së luftës partizane ishin veprimet me karakter sulmues. Për këtë Shtabi i Përgjithshëm udhëzonte: “Mos me pritë në asnjë mënyrë që ai të na godasë ne, por duhet të jemi çdo ditë në ofensivë, në rrugë, në kazerma, në depo me material ushtarak, dhe kudo ku ka grumbullime ushtarake, karabinierë italianë dhe gjermanë... Në asnjë mënyrë dhe asnjë ditë batalionet, çetat e njësitet të mos rrinë duarkryq në fshatrat, këto duhet të jenë kurdoherë në prita për të goditur armikun.” *
* Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëllimi 1, bot. 2, Tiranë, 1976, f. 32.
Tiparet kryesore të taktikës se luftës partizanë u bënë shpejtësia, befasia, vrulli, shfrytëzimi i terrenit, i natës e i motit të keq, manovra, guximi, ruajtja e konspiracionit, etj. Metoda kryesore e kësaj taktike do të mbetej asgjësimi pjesë-pjesë i armikut.
Drejtimi strategjik e operativ vihej në jetë nëpërmjet urdhrave, udhëzimeve, qarkoreve, raporteve e relacioneve. Në shumë raste drejtimi bëhej me takime të drejtpërdrejta të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm ose të përfaqësuesve të tij me komandat dhe kuadrot gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake.
Shtabi i Përgjithshëm, duke vlerësuar drejtimin si një kusht të domosdoshëm për arritjen e suksesit në çdo veprim luftarak, porosiste komandat dhe shtabet që të siguronin një drejtim të pjekur operativ, të pandërprerë e me shpirt krijues, duke përdorur të gjitha format, mënyrat e mjetet e mundshme. "Kjo kërkon nga drejtuesit, - udhëzonte ai, - që të mos merren me vogëlsira, por të njohin mirë gjendjen si të forcave të tyre, ashtu dhe të armikut, natyrën e terrenit dhe kërkesat e luftës në përgjithësi. Me qëndrimin e tyre udhëheqësit duhet të inspirojnë besim dhe guxim edhe në situatat më kritike.”*
* Po aty, f, 481.
Shtabi i Përgjithshëm, organizoi forcat e armatosura popullore të përbëra nga repartet dhe njësitë e UNÇSH-së, nga forcat vullnetare territoriale dhe nga forcat e organeve të pushtetit ushtarak të prapavijave.
Pas 24 majit 1944, me unifikimin e Komandës në Komandë të Përgjithshme, me një Komandant të Përgjithshëm në Krye, Shef i Shtatmadhorisë u emërua gjeneral-major Spiro Moisiu. Shtabi i Përgjithshëm vijoi të mbetej si një organ i specializuar ushtarak, që kryente detyra të ngjashme si dhe më parë. Me çlirimin e vendit, në dhjetor 1944, ashtu si gjithë UNÇSH-ja, edhe Shtabi i Përgjithshëm iu nënshtrua shndërrimeve të domosdoshme për një ushtri të rregullt të kohës së paqes.
Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm mund të grupohen si më poshtë: ushtarakët e karrierës - Spiro Moisiu, Dali Ndreu, Ramadan Çitaku, Bedri Spahiu, Abaz Kupi; intelektualët - Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Mustafa Gjinishi; udhëheqësit popullorë - Myslim Peza, Mustafa Xhani, Haxhi Lleshi, Abaz Kupi.
Më poshtë janë biografitë e shkrutra të secilit anëtar deri në formimin e Shtabit të Përgjithshëm. Nëse keni ndonjë informacion interesant që mungon, ju lutem ma dërgoni që ta vendos këtu:
Spiro Mosiu. Aktiviteti i Spiro Moisiut fillon në vitin 1920 kur angazhohet në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, ku zë fill edhe karriera ushtarake e tij. Katër vjet më vonë ai merr pjesë në Revolucionin e Qershorit. Në kohën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Spiro Moisiu mbante gradën major në ushtrinë e Zogut, pasi kishte kryer një kurs për oficerë madhorë, me detyrë komandant batalioni në zonën e kufirit Shkodër-Shëngjin. Kur Italia sulmoi Greqinë në vitin 1941, Spiro Moisiu braktisi frontin bashkë me batalionin që komandonte. Për këtë ai u arrestua dhe u dërgua në kamp përqendrimi në Shijak. Pasi doli nga kampi ai u angazhua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare duke organizuar e drejtuar formacionet partizane në rrethin e Lushnjës. Spiro Mosiu ishte një ndër hartuesit kryesorë të urdhrave, udhëzimeve e instruksioneve luftarake që nxirrte Shtabi i Përgjithshëm.
Enver Hoxha. E filloi aktivitetin politik në kuadrin e grupeve komuniste në Korçë. Në vitin 1939 Enver Hoxha u zhvendos në Tiranë si përfaqësues i grupit të Korçës dhe aty hapi dyqanin Flora, i cili shërbente edhe si bazë komuniste. Në Tiranë ai ra në kontakt me grupe të tjera komuniste, sidomos atë të Shkodrës dhe grupin e Të Rinjve të Korçës.
Enver Hoxha ishte një ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1941. Në mbledhjen e themelimit ai u zgjodh një ndër 7 anëtarët e Komitetit Qendror të Përkohshëm. Në muajt në vazhdim, Partia Komuniste organizoi shumë protesta e aktivitete antifashiste, punoi për ngritjen e njësiteve guerile dhe për ngritjen dhe organizimin e çetave, batalioneve e brigadave partizane, deri në formimin e Frontit Nacionalçlirimtar dhe ushtrisë së tij. Enver Hoxha, ndër të tjerë, ishte në qendër të gjithë këtij aktiviteti disa vjeçar. Ai u dënua me vdekje nga gjykata fashiste dhe të gjithë luftën e kaloi në ilegalitet.
Në Shtator të vitit 1942 Partia Komuniste organizoi Konferencën e Pezës (në shtëpinë e Myslim Pezës) dhe në bashkëpunim me patriotë nga e gjithë Shqipëria (përfshi dhe Abaz Kupin e Mehdi Frashërin) organizoi Frontin Nacional Çlirimtar (FNÇ). Enver Hoxha u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ. Konferenca gjithashtu formoi Lëvizjen Nacional Çlirimtare ku Enver Hoxha u zgjodh anëtar i këshillit të përkohshëm të saj.
Enver Hoxha ishte një ndër ideatorët kryesorë të organizimit dhe zhvillimit pa kompromis të luftës së armatosur kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre. Autor i shumë artikujve, urdhrave e udhëzimeve, ai pati një ndikim të madh në fuqizimin dhe rritjen e luftës së armatosur të UNÇSH.
Myslim Peza, i quajtur gjithashtu edhe si Babë Myslymi, e filloi aktivitetin e tij politik në moshë të re, në vitet 1920-1924 me pjesëmarrjen në Revolucionin e Qershorit. Në vitet 1926-1930 vijoi qëndresën e armatosur kundër Zogut e mandej u detyrua të mërgojë në Jugosllavi. Me t’u kthyer në Shqipëri, me nxitjen e britanikëve* dhe mbështetjen autoriteteve të mbretërisë së Jugosllavisë**, organizoi çetën e Pezës, një ndër njësitë e para që u ngrit në luftë kundër pushtuesit fashist. Peza u bë bazë e fuqishme e rezistencës antifashiste. Në bashkëpunim me partinë komuniste, në shtëpinë e tij u mbajt Konferenca e Pezës, gjatë së cilës u formua Fronti Nacionalçlirimtar. Myslim Peza ishte një ndër mbështetësit kryesorë dhe themeluesit e LANÇ.
* Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi ranë në kontakt me SOE britanike, të cilët në këtë periudhë po bënin përpjekje për të organizuar kryengritje lokale në Shqipëri, në prapavijën e ushtrisë italiane, gjatë luftës italo-greke. Qëllim i britanikëve ishte ndihma ndaj Greqisë dhe asgjë më shumë. Nga ana e saj, qeveria greke nuk pranoi që në Shqipëri të organizohej një kryengritje e përgjithshme për shkak se rrezikoheshin interesat e saj politike në Shqipëri.
** Mbretëria e Jugosllavisë nuk kishte lidhje me Partinë Komuniste të Jugosllavisë që veproi më vonë pas pushtimit të Jugosllavisë nga ushtria gjermane. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë lidhjet e Myslim Pezës dhe Haxhi Lleshit me Mbretërinë e Jugosllavisë u prenë.
Haxhi Lleshi, gjithashtu anti-zogist, u kthye në Shqipëri bashkë me Myslim Pezën pas pushtimit fashist italian dhe filloi luftën antifashiste në zonën e Dibrës, në fillim si komandant i çetës, e më tej i batalionit të Dibrës. Për shkak të influencës që kishte në zonën e Dibrës së Madhe, ai i dha një shtysë shumë të madhe luftës antifashiste në atë krahinë. Haxhi Lleshi dha një ndihmesë të madhe në arritjen e bashkëpunimit mes Divizionit italian “Firence” dhe LANÇ pas kapitullimit të Italisë fashiste. Haxhi Lleshi ishte një ndër mbështetësit kryesorë dhe themeluesit e LANÇ.
Mustafa Xhani, ose ndryshe Baba Faja Martaneshi, në moshën 30 vjeçare organizoi rezistencën e armatosur antifashiste në krahinën e Martaneshit. Mustafa Xhani ishte klerik (Baba) i sektit bektashian. Ai e shndërroi teqenë e Martaneshit në bazë të LANÇ dhe të propagandës antifashiste. Prania e Baba Fajës në krye të formacioneve partizane, në fillim të çetës e pastaj të batalionit, i dha një hov luftës së armatosur në krahinën e Martaneshit. Ashtu si Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani ishte një ndër mbështetësit kryesorë dhe themeluesit e LANÇ.
Abaz Kupi, ndryshe i quajtur si Bazi i Canës, 52 vjeç, ishte anëtari më i moshuar i Shtabit të Përgjithshëm. Mori pjesë në luftën e Koplikut në vitin 1920, kundër ushtrisë Jugosllave. Në fillim ishte anti Zogist por më vonë filloi karrierën ushtarake në ushtrinë e Zogut me gradën toger. Falë talentit dhe dhuntisë së tij natyrale arriti deri në gradën major, edhe pse pa bërë shkollë ushtarake.
Abaz Kupi ishte organizator i qëndresës në portin e Durrësit kundër agresionit fashist të 7 Prillit 1939. Pas pushtimit u detyrua të emigrojë në Turqi, por shumë shpejt u kthye në atdhe. U bë përkrahës i luftës së armatosur kundër pushtuesve, pranoi platformën e Konferencës së Pezës dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar.
Abaz Kupi ishte edhe ushtarak karriere por edhe udhëheqës popullor. Deri në shtator të vitit 1943, bashkë me 300-400 luftëtarët e tij nga Krahina e Krujës dhe në bashkëveprim me formacione të tjera të UNÇSH, mori pjesë në disa luftime të suksesshme kundër pushtuesit italian, si në Qafë Shtamë e në Krujë.
Gradualisht Abaz Kupi u bë mbështetës i Zogut, u shkëput nga LANÇ dhe formoi partinë politike e ushtarake Lëvizja e Legalitetit me qendër në Krujë, e cila pati si qëllim rikthimin e Zogut në krye të shtetit shqiptar, duke i dhënë kështu fund luftës antifashiste e madje duke hyrë në bashkëpunim të hapur me pushtuesin gjerman.
Ramadan Çitaku, ose i quajtur ndryshe edhe si Baca, me origjinë nga Mitrovica, e filloi aktivitetin e tij politik në vitet 1930-1940 si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen antizogiste e komuniste. Çitaku ishte një ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në Konferencën e Labinotit u zgjodh anëtar i Këshillit të LANÇ. Ramadan Çitaku shpesh është dërguar si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm pranë formacioneve të LANÇ, në zona të vështira të operacioneve luftarake.
Sejfulla Malëshova, ose siç njihej me emrin letrar Lame Kodra, ishte aktivist i LANÇ dhe është autor i shumë shkrimeve, analizave, proklamatave e poezive që propagandojnë ngritjen e rinisë dhe popullit në luftë kundër pushtuesit.
Ymer Dishnica u kthye nga Franca me diplomën e mjekut, por pushtimi i Shqipërisë bëri që ai të lidhej menjëherë me LANÇ duke u bërë një ndër drejtuesit kryesor të saj në qarkun e Korçës. Ashtu si edhe Sjefulla Malëshova, Ymer Dishnica ka një aktivitet të gjerë propagandistik për rritjen dhe zhvillimin e LANÇ, nëpërmjet punës në terren, me shkrime, analiza, etj. Ai ishte kryetari i delegacionit të FNÇ në mbledhjen e Mukjes.
Dali Ndreu ishte ushtarak karriere. Ai përfundoi shkollën plotësimit në Tiranë, në degën e artilerisë, në vitin 1931 dhe mori gradën nëntoger. Daliu e filloi aktivitetin e tij politik si pjesëmarrës në lëvizjen antizogiste të Fierit. Pas dështimit të saj ai u arrestua dhe e humbi të drejtën e gradës. Më pas vazhdoi studimet në Firence të Italisë, në degën e shkencave ekonomike, mirëpo pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste bëri që t’i linte studimet përgjysmë e të kthehej në atdhe ku u angazhua menjëherë me Lëvizjen Antifashiste. Në pranverën e vitit 1942 u zgjodh komandant i çetës partizane të Sllovës në Dibër dhe që atje vazhdoi karrierën ushtarake në ushtrinë partizane.
Bedri Spahiu përfundoi shkollën ushtarake në Tiranë në degën e artilerisë dhe mori gradën oficer. Në vitet 1930-1940 mori pjesë aktive në lëvizjen komuniste antizogiste, por u arrestua dhe u burgos në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Pas pushtimit fashist, Bedriu u angazhua menjëherë me lëvizjen antifashiste dhe u radhit ndër udhëheqësit më të spikatur të LANÇ.
Mustafa Gjinishi. Menjëherë pasi përfundoi shkollën Teknike Harri Fullc në Tiranë, në vitet 30-të, iu përkushtua punës në dobi të përhapjes së kulturës e të ideve përparimtare. Kjo veprimtari ndikoi në rritjen e autoritetit e të respektit ndaj tij në sferat intelektuale të kryeqytetit, por njëkohësisht e vuri në shënjestër të goditjeve politike të regjimit të Zogut, e cili e burgosi disa herë.
Në vitet 1940-1941 u angazhua me SOE (Special Operations Executive) britanike, me qendër në Beograd, për organizimin e një kryengritjeje në prapavijat e ushtrisë italiane, e cila dështoi.
Mustafa Gjinishi dha një ndihmesë të madhe për tërheqjen e nacionalistëve e intelektualëve në radhët e LANÇ, sidomos në Shqipërinë e Mesme, duke bashkëpunuar ngushtë me Myslim Pezën.
Në mbledhjen e datës 10 Korrik, pasi shqyrtoi projektin e përgatitur nga një komision i ngritur prej tij, vendosi të miratojë strukturën:
Shtabi Operativ
Komisariati politik
Komisariati ekonomik
Seksioni brendshëm
Seksioni i shëndetësisë
Gradualisht në strukturën e Shtabit u shtuan edhe disa elementë të tjerë, të nevojshëm për veprimtarinë e tij, si:
seksioni i informacionit
grupi i specialistëve të ndërlidhjes e të xhenios
njësiti i sigurimit të Shtabit
Shtabi i Përgjithshëm e udhëhiqte luftën e armatosur dhe UNÇSH si organ kolegjial. Ky kriter gjen shprehjen e vet edhe në urdhrin mbi strukturën organizative të UNÇSH të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm më 17 Gusht 1943 ku theksohej "Ushtria Nacionalçlirimtare Partizane dhe Vullnetare vihet nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm"*
* Dokumente të SHP, vëll.1, f.10
Komanda e Shtabit të Përgjithshëm, si organi më i lartë i tij, kishte kompetenca të gjera lidhur me përpunimin e planeve strategjike e operative, si dhe merrte vendime të rëndësishme për problemet kryesore të luftës së armatosur e të përsosjes organizative të UNÇSH. Për plotësimin e këtyre detyrave, komanda bashkëvepronte me disa anëtarë të tjerë të Shtabit që qëndronin pranë tij.
Në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm, Shtabi Operativ luante rol tepër të rëndësishëm Ai përbëhej nga komandanti e komisari, dhe dy specialistë ushtarakë. Këta specialistë ndiqnin situata luftarake, i raportonin Shtabit e në bazë të planeve e ideve të tij hartonin urdhra operacionesh e udhëzime. Nëpërmjet Shtabit Operativ bëhej i mundur drejtimi operativo-strategjik i UNÇSH dhe i formacioneve të saj.
Komisariati ekonomik, seksioni i brendshëm dhe ai ai shëndetësisë drejtoheshin gjithashtu nga një anëtar Shtabi. Disa nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kryenin dhe funksione komanduese në formacionet e UNÇSH.
Shtab i Përgjithshëm nuk kishte strukturë të rënduar por i përshtatej lehtë terrenit malor të vendit tonë dhe luftës partizane, i gatshëm për lëvizje e manovrime të shpeshta sa herë që e lypte situata. Në vendqëndrimin e Shtabit ndodhej komanda dhe e shumta 2-3 anëtarë të tij. Edhe anëtarët e tjerë të Shtabit që nuk kryenin funksione komanduese, shpesh ndodheshin pranë formacioneve të mëdha të UNÇSH si të deleguar të tij, sidomos gjatë operacioneve luftarake. Kjo mënyrë veprimi i jepte Shtabit tipar të theksuar operativ dhe e rriste efektivitetin e veprimit të tij.
Qysh në dokumentet e para të Shtabit të Përgjithshëm theksohej se: “Ndër këto cirkomstanca (rrethana - shënim i redaktorit) dhe momente, kur duhet me i dhënë grushtin e vdekjes zaptuesit dhe veglave të tij dhe me i shporrë këta nga toka e atdheut tonë të dashur, Shtabi i Përgjithshëm urdhëron formimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane Vullnetare Shqiptare në të cilën populli ynë ka vënë shpresat dhe pret çlirimin e shpejtë të Shqipërisë nga thonjtë e zaptuesit."* Ushtria e re, duke vijuar traditën e formacioneve partizane, do të ngrihej mbi parimin e vullnetarizmit.]
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.41.
Menjëherë pas Shtabit të Përgjithshëm u organizuan shtabet e grupeve dhe të qarqeve, mbështetur në urdhrin lëshuar prej tij në 17 Gusht 1943.* Shtabi i qarkut të Korçës qe krijuar që në Qershor 1943, ndërsa qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës u bashkuan duke formuar Zonë e Parë Operative, shtabi i së cilës u formua në 4 Gusht 1943, në Kuç të Kurveleshit. Me krijimin e organeve drejtuese në qarqe, Shtabi i Përgjithshëm bëri të mundur organizimin e formacioneve partizane të qarku, çeta e batalione, në grupe partizane. Gjatë fazës së dytë të luftës u krijuan e vepruan 14 grupe partizane. Për organizimin, përgatitjen dhe veprimtarinë luftarake të grupeve partizane, Shtabi i Përgjithshëm nxori në gusht të vitit 1943 një rregullore të veçantë.**
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.44. Shënim: Në Korçë, Shtabi i qarkut ishte krijuar që në Qershor 1943.
** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.46-62.
Formacionet që do të hidhnin themelet e shëndosha të organizimit të UNÇSH e që do të siguronin shndërrimin e saj në ushtri ishin brigadat sulmuese. Në dallim nga çetat e batalionet që, si rregull, vepronin brenda një krahine apo qarku të caktuar, brigada sulmuese ishe njësi luftarake operative në dorë të Shtabit të Përgjithshëm, e krijuar për të manovruar në varësi të situatave e për të plotësuar detyrat luftarake në të gjithë territorin e vendit. Në 15 Gusht 1943 u themelua Brigada I Sulmuese.
Gjatë fazës së dytë të luftës, UNÇSH përbëhej nga 9 brigada, 14 grupe partizane dhe një numër batalionesh të mëvetësuar me një efektiv të përgjithshëm rreth 35,000 veta. Në përfundim të luftës UNÇSH përbëhej nga 24 brigada, 8 Divizione dhe 3 Korparmata me një efektiv të përgjithshëm prej 70,000 vetash ose 7% e popullsisë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë.
Deri andej nga pranvera e vitit 1944 UNÇSH kishte çliruar gjysmën e territorit të vendit, duke krijuar zona të lira me vija kufizuese të stabilizuara, brenda të cilave armiqtë e kishin të vështirë të ndërmerrnin operacione mësymëse. Në planin ndërkombëtar, si pasojë e disfatave të njëpasnjëshme, ushtria gjermane kishte filluar tërheqjen strategjike. Nisur nga këto rrethana, Shtabi i Përgjithshëm gjykonte të arsyeshme se kishte ardhur momenti të realizohej shndërrimi i plotë i UNÇSH në ushtri të rregullt.
Shndërrimi në ushtri të rregullt u shoqërua me një varg masash të tjera të rëndësishme që krijuan baza të shëndosha për realizimin me sukses të këtij hapi. Në bazë të propozimeve të Shtabit të Përgjithshëm, Kongresi i Përmetit mori vendimet përkatëse për krijimin e institucionit të Komandës së Përgjithshme dhe dhënies së gradave në ushtri, për mobilizimin ushtarak, etj. Me vendim të kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionaçlirimtare u emërua Enver Hoxha, të cilit iu dha grada gjeneral-kolonel. Ndërsa Shtabi i Përgjithshëm mori emërtimin Shtatmadhori. Në Shtatmadhori bëhej gjithë veprimtaria përgatitore dhe realizohej udhëheqja operativo-strategjike e operacioneve kryesore të UNÇSH. Shef i Shtatmadhorisë u emërua Spiro Moisiu me gradën gjeneral-major.
Pranë Shtatmadhorisë u krijuan e vepronin drejtoria ekonomike, shtabi operativ, komisariati politik, seksioni i brendshëm, shërbimi qendror informativ, seksioni i shëndetësisë, grupi i specialistëve dhe kompania e sigurimit. Ky organizimi mbante parasysh parimin që komandave të forcave të mëdha t’u lihej më shumë nismë për organizimin dhe drejtimin e operacioneve luftarake.
Organizimi dhe drejtimi i veprimeve luftarake gjatë luftës, krahas problemeve të tjera, shtroi edhe çështjen e nxjerrjes e të përpunimit të dokumentacionit të nevojshëm.
Gjatë fazës së parë të luftës, organizimi e drejtimi i veprimeve luftarake bëhej në mënyrë gojore, pa dokumentacion të shkruar. Planet e luftimit komandat e çetave e të batalioneve i përcaktonin pas diskutimeve që bënin për gjendjen e mundësitë e forcave partizane e të armiku, pa i pasqyruar këto plane në dokumente të veçanta si harta, skema, etj, rrallëherë mbanin për to shënime të shkurtra ose bënin ndonjë skemë të thjeshtë.
Në bazë të këtyre planeve, komandat e çetave e të batalioneve u vinin detyra luftarake vartësve të tyre, apo të gjithë efektivit, me gojë e drejtpërdrejtë në terren. Kur çetat e një batalioni ndodheshin disa kilometra larg komandës së një batalioni, ato, si rregull, vepronin me nismë në bazë të detyrës së përgjithshme që kishin marrë gojarisht. Por në raste të tilla ka ndodhur që, për ndonjë detyrë të thjeshtë plotësuese, formacioni të ketë marrë edhe urdhër me shkrim, letra që dërgoheshin me korrier.
Letra janë përdorur gjithashtu, si mjet komunikimi për bashkërendimin e veprimeve luftarake ndërmjet formacioneve partizane të një qarku apo edhe të qarqeve fqinjë.
Ndeshemi gjatë kësaj periudhe edhe me mjaft informacione e raporte me shkrim, nëpërmjet të cilave jepen të dhëna mbi gjendjen dhe veprimtaritë e armikut si dhe raporte mbi rezultatet e një aksioni apo mbi gjendjen dhe veprimtarinë luftarake të formacioneve partizane gjatë një periudhe të caktuar.
Dokumentacioni luftarak filloi të përpunohet e të pasurohet me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm e organizimin e UNÇSH. Ai u zhvillua krahas forcimit të njësive të UNÇSH dhe rritje së veprimtarisë luftarake të tyre. Një dokumentacion të pasur e të shumëllojshëm ka nxjerrë Shtabi i Përgjithshëm, por dokumente të rëndësishme kanë nxjerrë e përpunuar edhe shtabet e njësive, brigadave, divizioneve dhe korparmatave. Ky dokumentacion përbëhet nga urdhra veprimi (operacioni), raporte periodike, raporte e informacione për gjendjen luftarake, komunikata, letra, qarkore e instruksione.
Udhëzimet. Veç urdhrave luftarakë, shtabet e të gjitha shkallëve kanë përdorur gjerësisht udhëzimet. Ndryshe nga urdhrat që shtronin zgjidhjen e një detyra luftarake, udhëzimet synonin të qartësonin më tej masat më të përshtatshme e rrugët më efektive që duheshin përdorur për plotësimin e detyrave luftarake, si dhe qëndrimin që duhej të mbanin shtabet vartës ndaj problemeve të ndryshëm që lidheshin me organizimin e veprimeve luftarake të reparteve e njësive. Për rrjedhojë problematika për të cilat jepeshin udhëzimet ka qenë shumë e gjerë.
Që nga krijimi i Shtabit të Përgjithshëm në tetor të vitit 1943 e deri në çlirimin e vendit në nëntor të vitit 1944, numërohen plot 97 udhëzime të nxjerra prej tij*, pa llogaritur mjaft letra, të cilat gjithashtu kanë karakterin e udhëzimeve. Në to përfshihen udhëzime për çështje nga më të ndryshme, si për veprimtarinë luftarake, për përdorimin e llojeve të armëve e të shërbimeve, për organizimin ushtarak, marrëdhëniet e formacioneve partizane me popullin, terrenin e këshillat nacionalçlirimtare, qëndrimin e marrëdhëniet me aleatët, trajtimin e çështjeve të kuadrit, trajtimin e robërve të luftës e të materialeve të kapura, etj.
* Të botuara në “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1 dhe 2.
Raportet e informacionit ishin dokumente të rëndësishme të përdorura gjerësisht nga të gjitha hallkat e strukturës organizative të UNÇSH me qëllim që të informohej komanda eprore mbi gjendjen e forcave të veta e të armikut, për mjedisin e zonën e veprimtarisë së repartit apo njësisë dhe për kryerjen e detyrave luftarake. Fillimisht raportet kanë pasur më tepër karakter periodik, domethënë përfshinin raportimin për gjendjen dhe veprimtarinë luftarake gjatë një periudhe kohe. Ndërkohë janë dhënë informacione e raporte edhe për një luftim të caktuar, të cilat marrin karakter më të rregullt gjatë fazës së tretë të luftës. Në urdhrin e datës 20 shkurt 1944, për herë të parë Shtabi i Përgjithshëm, përveç detyrave që u vë shtabeve të brigadave për të siguruar ku të përshkruhet e gjithë veprimtaria luftarake e njësisë nga dita e krijimit të saj, kërkon nga ato që të dërgojnë raporte të rregullta 15 ditore, në të cilat të informohet për gjendjen politike të krahinës, përshkrimin e luftimeve, mobilizimin e bërë, gjendjen morale e disiplinore të luftëtarëve, gjendjen shëndetësore të tyre dhe të dhëna mbi armikun.*
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.236-237.
Komunikatat ishin dokumente me të cilat njoftoheshin të dhëna mbi veprimtarinë luftarake, për një aksion, operacion apo edhe për një periudhë të caktuar. Komunikata nxirrnin shtabet e brigadave, divizioneve e deri Shtabi i Përgjithshëm. Ato kanë pasur kryesisht karakter propagandistik, duke synuar të bënin të njohur tek efektivat dhe masat e popullit rezultatet e arritura. Vëmendje i kushtohej pasqyrimit në komunikatë të partizanëve të rënë në fushën e luftës dhe të plagosurve.*
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.329.
Krahas vlerave propagandistike, komunikatat kishin për shtabet eprore edhe vlera njohëse dhe informuese, duke luajtur në këtë mënyrë rolin e raporteve. Ky funksion u rrit sidomos krahas rritjes së cilësisë së përmbajtjes e shpërndarjes së tyre. Shtabi i Përgjithshëm, në qarkoren e datës 16 Korrik 1944, dërguar shtabeve të Zonës I Operative të qarqeve dhe të brigadave, u vinte detyra për përgatitjen e komunikatave për të gjithë aksionet dhe jepte udhëzime për të siguruar riprodhimin e tyre.*
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.328-329.
Krahas dokumenteve operative, gjatë LANÇ hasim edhe dokumente të tilla si qarkore, instruksione e në pak raste edhe rregullore. Me këto dokumente synohej të vendoseshin disa rregulla themelore për të njësuar, instruktuar e ligjëruar veprimtaritë kryesore jetësore, luftarake e politike të reparteve e njësive. Këto dokumente kishin vlera të mëdha praktike, pasi ndikonin në forcimin e rregullit e të disiplinës, të jetës së brendshme, të përgatitjes luftarake, në përcaktimin e rrugëve e qëndrimeve ndaj problemeve të ndryshme taktike e politike, si dhe rritjen e njohurive të shtabeve për organizimin dhe drejtimin e operacioneve.
Por qarkoret, instruksionet dhe rregulloret i kanë shërbyer njëherazi edhe përpunimit të mendimit ushtarak, duke parashtruar një bazë teorike qoftë edhe të kufizuar për ta vënë ushtrinë mbi baza të shëndosha instruktivo-metodike e për të siguruar rritjen e fuqizimin e saj si një ushtri e rregullt. Nxjerrja e këtyre dokumenteve ka qenë si rregull atribut i Shtabit të Përgjithshëm. Në raste të rralla ka nxjerrë qarkore e rregullore edhe shtabi i korparmatës.
Qarkoret përmbanin njoftime e udhëzime të rëndësishme që Shtabi i Përgjithshëm urdhëronte gjithë formacioneve të UNÇSH apo organeve vartëse të një shërbimi të caktuar. Gjatë veprimtarisë së tij, deri në çlirimin e vendit, Shtabi i Përgjithshëm ka nxjerrë 32 qarkore, pjesën më të madhe gjatë fazë së tretë të luftës, çka shpreh përsosjen e strukturës organizative dhe forcimit të rregullit ushtarak gjatë kësaj faze. Kështu, nëse gjatë 11 muajve të fazës së dytë kanë dalë 10 qarkore, gjatë 6 muajve të fazës së tretë kanë dalë 22. Për vetëm problematikën e gjerë, qarkoret mund të klasifikohen në disa lloje:
Grupin më të madh e përbëjnë qarkoret e karakterit administrativ e të organizimit ushtarak, në të cilat jepen udhëzime për dorëzimin, grumbullimin e mirëmbajtjen e armëve e të materialeve ushtarake të ushtrisë italiane pas kapitullimit*, për çështjet e administrimit financiar**, e shëndetësor***, për çështje të organizimit të batalioneve, të pushtetit ushtarak, të prapavijave e të shërbimit të informacionit****
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.113, 117-118.
** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.2, f.217.
*** Pa aty, f.142-144.
**** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.314, Vëll.2, f.118, 288.
Qarkore të cilat jepen udhëzime që lidhen drejtpërsëdrejti me veprimtarinë e plotësimin e detyrave luftarake. Të tilla janë qarkoret për ruajtjen e vendeve të minuara, për organizimin e rrjetit telefonik dhe mbledhjen e informatave mbi armikun*, si dhe qarkorja me të cilën analizohet dhe nxirren detyra nga përvoja e luftimeve të zhvilluara për dështimin e mësymjes së përgjithshme të armikut në Qershorin e vitit 1944**
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.119, Vëll.2, f.241, 275.
** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.475-484.
Në një grup qarkoresh trajtohen e rregullohen çështje të kuadrit, si qarkorja që përcakton kriteret e emërimit të kuadrove të batalioneve e kompanive; qarkore që trajtojnë çështje të gradave e shenjave dalluese, të kritereve të gradimit të nënoficerëve*
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.316, Vëll.2, f.22-23, 25-26.
Një grup tjetër mund të klasifikohen qarkoret që japin udhëzime për qëndrimet që duhen mbajtur në marrëdhëniet me popullin, me Këshillin Nacionalçlirimtar, me aleatët.* Kështu, në qarkoren e datës 1 Janar 1944, pasi kritikohen rëndë sjelljet e padrejta që janë mbajtur në ndonjë rast nga partizanët e drejtuesit ndaj popullit e këshillave, urdhërohen shtabet e reparteve të punojnë me efektivitet për qëndrimin që duhet mbajtur karshi popullit dhe theksohet se “partizanët dhe udhëheqësit duhet të jenë simbol i drejtësisë e i sjelljeve të mira dhe të tregojnë me qëndrimin e tyre shembullor se janë anëtarë të denjë të forcës së armatosur të popullit tonë”**.
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.461-462, 381-387, Vëll.2, f.48.
Disa qarkore shtrojnë detyra e përcaktojnë kriteret që duhen mbajtur parasysh për hartimin e disa dokumenteve, si për hartimin e historisë së brigadave sulmuese*, për nxjerrjen e komunikatave**, për përgatitjen e raportit***.
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.324-326.
** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.328-329.
*** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.2, f.15-17.
Qarkore që rregullojnë çështje të organizimit e të funksionimit të shërbimit shëndetësor, si për aktivizimin e detyrat e mjekut e të personelit shëndetësor të UNÇSH, për ndihmën mjekësore që u duhej dhënë të sëmurëve e të plagosurve në fushën e luftës, për sigurimin dhe administrimin e materialeve mjekësore.*
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.419-421, Vëll.2, f.50-52, 71-72, 142-144, 178-179.
Në ndonjë rast Shtabi i Përgjithshëm ka nxjerrë edhe qarkore për rregullimin e aspekteve të veçanta, si për shërbimin e rojës, për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj partizanëve të shkëputur gjatë operacionit armik të qershorit, etj.
Nëpërmjet instruksioneve Shtabi i Përgjithshëm ka synuar të japë shpjegimet dhe udhëzimet e nevojshme që duhen zbatuar si për çështjet e punës së shtabeve, ashtu edhe për aspektet të ndryshme të jetës e të veprimtarisë së formacioneve të UNÇSH. Gjithsej deri në çlirimin e vendit Shtabi i Përgjithshëm ka nxjerrë pesë instruksione. Ato i kanë ndihmuar komandat për të organizuar më mirë punën e tyre, për të forcuar rregullin e disiplinën në repart. Kështu në dy instruksionet e nxjerra për shërbimin e rojës*, pasi evidentohet vlera dhe domosdoshmëria e këtij shërbimi, përcaktohen një varg rregullash për objektet që duhen ruajtur, përbërjen e njësiteve të rojës, rregullat e kryerjes së shërbimit, etj.
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.368-370, Vëll.2, f.138-141.
Rregulloret. Edhe pse në kushtet e vështira të luftës, nuk ngeli jashtë vëmendjes nxjerrja e disa rregulloreve si rregullorja mbi grupet partizane vullnetare të UNÇSH e 17 Gushtit 1943*, urdhri dhe rregullorja për organizimin e pushtetit ushtarak në prapavijat e UNÇSH në Gusht 1943**, rregullat mbi përcaktimin e partizanëve, grupeve dhe reparteve të shkëputura, të reparteve të detashuara, dhe mbi bashkëpunimin e njësiteve të ushtrisë*** në Qershor 1944, dhe rregullorja mbi gjykatat ushtarake****. Të gjitha këto rregullore, duke përcaktuar një tërësi rregullash e normash për objektin e tyre të shqyrtimit, kanë qen hallka të rëndësishme për fuqizimin disiplinor, organizativ, stërvitor, taktik të formacioneve të UNÇSH.
* “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.46-42.
** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.68-73.
*** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.458-461.
**** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.2, f.293-308.
Veç dokumenteve të mësipërme, ndeshim edhe dokumente të tilla si letra e ditare. Letrat janë përdorur gjerësisht në të gjitha shkallët, që nga Shtabi i Përgjithshëm, deri tek komandat e kuadrot e të gjitha niveleve. Ato në vetvete kanë qenë mjet komunikimi, duke plotësuar boshllëkun që krijohej nga mungesa e mjeteve të tilla si telefonit e radios. SI dokumentet luftarake, letrat kanë luajtur funksione të ndryshme, shpesh kanë qenë raporte e informacione, në mjaft raste kanë pasur trajtën e një udhëzimi a të një urdhri luftarak. Letrat kanë shërbyer edhe për informimin e ndërsjellë ndërmjet anëtarëve të shtabeve apo të komandave të njësive, për të njohur respektivisht gjendjen në zonën e repartin ku ato vepronin e për të koordinuar zbërthimin e mëtejshëm të veprimeve luftarake. Në ditarë, të cilat kryesisht janë mbajtur në batalione e brigada, por në disa raste edhe nga shtabet e divizioneve, fiksoheshin shënime nga rrjedha e veprimtarisë luftarako-politike të përditshme të repartit apo njësisë. Në mënyrë të përmbledhur në to hidheshin informacion e raportime të reparteve vartëse dhe detyra të vëna nga komandat eprore.
Marrëdhëniet e UNÇSH me aleatët gradualisht u vunë mbi baza organizative nëpërmjet misioneve e përfaqësuesve ushtarakë të vendeve aleate të ardhur në Shqipëri, si dhe të bashkëveprimit të organizuar me ushtritë nacionalçlirimtare të vendeve fqinje për koordinimin e veprimeve dhe detyrave të caktuara luftarake. Pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe disa njësive të saj u atashuan misione ushtarake britanike dhe përfaqësues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Greqisë (ELAS).
Në pranverën e vitit 1944 erdhën pranë Shtabit të Përgjithshëm edhe misione ushtarake nga SHBA e Bashkimi Sovietik, ndërsa në Korrik, një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, nën drejtimin e Bedri Spahiut, vajti pranë Shtabit Aleat të Mesdheut, në Bari.
Anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH me anëtarë të misionit britanik në Shqipëri.
Në 17 Dhjetor 1942 Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Britanike bëri një deklaratë në favor të pavarësisë së Shqipërisë. Në qershor të vitit 1943 erdhi për herë të parë në Shqipëri një mision ushtarak britanik, i cili u atashua pranë Shtabit të Përgjithshëm. Më vonë misionet ushtarake britanik u shtuan, duke u vendosur jo vetëm pranë Shtabit të Përgjithshëm, por edhe në komanda të disa njësive të mëdha të UNÇSH.
Misionet britanike që kanë vepruar pranë Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë misioni “Consensus* 2”, i drejtuar nga Ficroi Meklin (Fitzroy McLean); misioni i Kuartierit i drejtuar nga gjeneral-brigadier Edmund Dejvis (Edmund Davis), që ishte edhe misioni më i lartë britanik në Shqipëri; dhe gjatë periudhës së fundit të luftës, misioni i drejtuar nga koloneli Pallmër (Palmer). Në formacionet e UNÇSH kanë vepruar misionet “Sculptor”** në Zonën I Operative, “Swifter”*** në zonën e Korçës dhe “Slender”**** në zonën e Dibrës.
* Mirëkuptimi
** Skulptori
*** I shkathti
**** I holli
Mënyra kryesore e bashkëveprimit të Shtabit të Përgjithshëm me misionet britanike ishte furnizimi i UNÇSH me materiale luftarake. Pas ardhjes së misioni “Consensus” Shqipëria u fut në planet e furnizimit të formacioneve partizane me armatim dhe veshmbathje nga aleatët. Sipas llogaritjeve që jepen nga oficeri britanik Rexhinald Hibert (Reginald Hibbert) në librin e tij “The bitter victory”*, tonazhi i materialeve të hedhura paraqitet si vijon: për muajt qershor-dhjetor 1943 - 73 ton; për 6 muajt e parë të vitit 1944 arrin në shifrën 202 ton; për 5 mujorin e fundit të luftës, korrik-nëntor 1944 - 485 ton; duke arritur një tonazh të përgjithshëm prej 760 ton, 75% e së cilës, d.m.th. rreth 570 ton, në dobi të formacioneve të UNÇSH. UNÇSH mori gjithashtu ndihmë financiare prej 31.900 stërlinash floriri. Edhe pse këto ndihma ndihmuan në zhvillimin e veprimeve luftarake, si për thyerjen e mësymjes së përgjithshme gjermane në dimrin e viteve 1943-1944, ashtu edhe gjatë mësymjes pranverore e mësymjes së përgjithshme për lirimin e plotë të vendit, të gjitha palët bien dakord, edhe vetë Hiberti, se ato ishin të pamjaftueshme për të plotësuar kërkesat e UNÇSH dhe shumë të vogla në krahasim me ndihmat që merrte Ushtria Nacionalçlirimtare Jugosllave.
*Fitorja e hidhur.
Misionarët britanikë dhanë ndihmën e tyre për stërvitjen luftarake të disa formacioneve partizane. Një punë të organizuar bënë sidomos gjatë përgatitjes së efektivave të grumbulluara për krijimin e Brigadës I Sulmuese në zonën e Vithkuqit gjatë muajve korrik-gusht 1943. Atyre u mësohej përdorim i armëve britanike, si mitraloza 20mm e 47mm, mortaja 81mm, armë kundërtanke, etj. Grupe luftëtarësh në formacione të ndryshme u stërvitën për përdorimin e minave për shkatërrimin e rrugëve, urave e ndërtesave.
Misionet britanike, duke pasur në efektivat e tyre xhenierë, si dhe duke disponuar mjete eksplozive, kanë zhvilluar, me nismën e tyre, nganjëherë edhe duke bashkëvepruar me grupime të vogla partizanësh, një varg aksionesh e veprimesh diversioniste e shkatërruese gjatë rrugëve të komunikacionit, çka ka dëmtuar e vështirësuar lëvizjet e autokolonave gjermane. Gjithashtu aviacioni aleat ka realizuar disa sulme ajrore në teatrin shqiptar të veprimeve luftarake kundër forcave gjermane, kryesisht kundër autokolonave, por në raste të caktuara, edhe kundër garnizoneve të fortifikuara të tij, si në rastin e Dibrës e Tiranës.
Në Mars të vitit 1944, Shtabi i Përgjithshëm i propozon Shtabit Aleat në Bari që të dërgojë një delegacion atje. Duke e parë këtë vizitë jo vetëm si një mundësi për të zgjidhur disa probleme në kushtet e vështirësive me të cilat përballej UNÇSH që sapo kishte dalë nga operacioni armik i dimrit, por edhe si kartë kredibiliteti. Por Komanda Aleate, duke kujtuar se UNÇSH ishte shpartalluar e duke menduar se të tjerët mund të shihnin në një vizitë të tillë ndërlikime politike*, nuk e kishin pranuar propozimin.
* AJSH, “Dokumene britanike”. FO 371/43555
Si rrugë e ndërmjetme u zgjodh mundësia e një vizite të një përfaqësuesi nga Shtabi Aleat në Shtabin e Përgjithshëm në Shqipëri. Për këtë qëllim, në fillim të muajit erdhi pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH shefi i seksionit të Shqipërisë në forcën 133 nënkoloneli Filip Lik (Philip Leak). Në verën e vitit 1944, si rrjedhojë rritjes së forcës luftarake, autoritetit dhe rezultateve të arritura nga UNÇSH, Komanda Aleate e gjeti të arsyeshme të pranonte një delegacion të vogël me kusht që të diskutoheshin vetëm çështje të karakterit ushtarak. Në mesazhin që gjenerali Uillson (Wilson) i dërgonte Enver Hoxhës në 16 Korrik krahas përsëritjes së presioneve për të mos goditur forcat e Abaz Kupit e për të gjetur rrugën e marrëveshjes e të bashkëpunimit me të, bën ftesë për të dërguar “...në Bari tre përfaqësues për të diskutuar gjendjen në Shqipëri me komandantin e forcave ajrore të Ballkanit, i cili do të bisedojë me ju duke pasur autoritetin tim të plotë në këtë çështje”*.
* AQSH, Fondi 41, Dosja 148.
Delegacioni përbëhej nga tre anëtarë: dy prej të cilëve ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bedri Spahiu (kryetar), nënkolonel Ramadan Çitaku dhe Major Frederik Nosi. Frederik Nosi ishte njeri i shkolluar dhe njohës i mirë i anglishtes, kishte shërbyer si oficer ndërlidhës dhe përkthyes i Shtabit të Përgjithshëm pranë misionit ushtarak britanik. Bisedimet filluan nga fundi i Korrikut dhe zgjatën rreth një muaj. Në axhendën e bisedimeve përfshiheshin çështje të tilla si njohja e Frontit Nacionalçlirimtar dhe UNÇSH si e vetmja forcë që luftonte pushtuesin gjerman në Shqipëri; njohja e UNÇSH si ushtri aleate dhe pranimi i një delegacioni të përhershëm të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH pranë Shtabit Aleat të Mesdheut; kërkesa për tërheqjen e misioneve aleate pranë organizatave të tjera; çështjet e furnizimit të UNÇSH me materiale luftarake*. Sipas udhëzimeve të marra, delegacioni shtroi edhe një çështje me karakter thjesht politik si njohjen e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar me funksionet e një qeverie të përkohshme. Diskutimet u futën në një rrjedhë të zgjatur, shpesh të ashpër e me kundërshtime. Debat të zgjatur pati edhe për kriteret e shpërndarjes së furnizimeve.
* AJSH, "Dokumente britanike", 26 Gusht,1944, FO 371/43553 PRO
Përfaqësuesit e Komandës Aleate këmbëngulnin që shpërndarja e armëve dhe hartimi i planeve të bëhej me konsultë me kryetarin e misionit britanik, kolonelit Pallmër, gjë që delegacioni shqiptar nuk ishte i gatshëm t’a pranonte. Më 24 Gusht u arrit në marrëveshje kompromisi, e cila parashikonte rritjen e kuotave të furnizimit mujor për UNÇSH, ndërkohë që shpërndarjen e tyre Shtabi i Përgjithshëm duhej ta bënte në konsultë me kryetarin e misionit ushtarak britanik; pranimin e një delgacioni ushtarak të përkohshëm të Shtabit të Përgjithshëm të përbërë prej dy vetësh pranë Shtabit Aleat të Mesdheut; zotimin e palës britanike për të pranuar se UNÇSH është e vetma ushtri që lufton forcat e aksit në Shqipëri*. Disa nga çështjet e diskutuara u lanë për shqyrtim të mëtejshëm, ndërsa njohja e Komitetit Antifashist me funksionet e Qeverisë së Përkohshme u “kundërshtua nga Komanda Supreme Aleate”. Në zbatim të marrëveshjes, më 18 Shtator 1944 një delegacion i përhershëm i Shtabit të Përgjithshëm prej dy vetash nën drejtimin e nënkolonel Kadri Hoxhës, u atashua pranë Shtabit Aleat të Mesdheut në Bari. Kadriu përfaqësonte një intelektual të formuar, me horizont kulturor e me shkollë ushtarake.
* AJSH, "Dokumente britanike", 26 Gusht,1944, FO 371/43553 PRO
Përmasa më të gjera e më të organizuara morën marrëdhëniet ndërmjet Shtabeve të Përgjithshëm të UNÇSH dhe UNÇJ si dhe koordinimi i veprimeve luftarake ndërmjet formacioneve luftarake të të dy palëve. Në Gusht 1944 erdhi pranë Shtabit të Përgjithshëm një mision i posaçëm i drejtuar nga koloneli Velimir Stoiniç, në përbërje të të cilit ishte edhe Nijaz Dizdareviç.
Qënia e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, brenda kufijve të shtetit jugosllav, u bë një faktor i fuqishëm për zhvillimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet formacioneve të dy palëve. Gjallërimit të luftës në këto treva, udhëheqja e luftës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH i kushtuan kujdes të veçantë. Aktivistë të shquar, të dërguar nga Shqipëria, zhvilluan veprimtari efektive për organizimin e formacioneve partizane dhe zhvillimin e aksioneve luftarake. Mjaft formacione partizane gjatë brezit kufitar u krijuan me luftëtarë nga të dy palët. Kështu ndodhi me disa çeta që vepronin në krahinën e Tropojës e Rrafshit të Dukagjinit (Kosovë), me Grupin Partizan “Curri-Rexhepi”, etj, këto formacione zhvilluan gjatë vitit 1943 luftime të suksesshme, në Tropojë e Gjakovë, në krahinat e Bytyçit e të Plavës, goditjen në rrugën Ferizaj - Prizren - Kukës, prerjen e linjave telefonike gjatë rrugëve Gjakovë - Pejë e Gjakovë - Prizren, etj, kjo veprimtari e dendur luftarake e shndërroi Tropojën në “...një prapavijë të sigurtë për forcat partizane në Kosovë”* dhe krjoi kushte të përshtatshme që në 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944 të mbahet në fshatin Bujan të Tropojës Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Në Tropojë pati bazën e vet edhe shtabi kryesor që drejtonte veprimtarinë luftarake për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit.
Një ndihmesë të rëndësishme ka dhënë çeta e më pas batalioni partizan i Dibrës për gjallërimin e lëvizjes dhe zhvillimin e luftës partizane në disa krahina të Maqedonisë, si në Dibër të Madhe, Gostivar, Tetovë, Strugë, etj. Shquhet sidomos veprimtaria energjike dhe kontributi i veçantë i anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Haxhi Lleshi. Me luftime të përbashkëta të forcave partizane shqiptare e maqedonase u bë e mundur të çlirohen në vjeshtën e vitit 1943 edhe pse përkohësisht, qytetet e Dibrës, Gostivarit, Kërçovës e të Radostushës, të mbahen nën goditje të vazhdueshme rrugët Dibër-Gostivar e Dibër-Strugë, etj. UNÇSH, me gjithë mungesat që kishte në armatime e materiale luftarake, dha një ndihmë të ndjeshme të armatosjen e Brigadës së I maqedono-kosovare e krijuar në Dibër në tetor 1943.
Pati raste që bashkëveprimi ndërmjet formacioneve partizane të të dy palëve nuk qe aq i konsoliduar. Kështu, gjatë operacionit “Edelweis”, në Dhjetor 1943, me gjithë përpjekjet që bëri komanda e grupit partizan të Dibrës për të marrë takim me Shtabin e Brigadës I maqedono-kosovare, që mendohej se ishte diku në zonën e Karaormanit, nuk arriti asnjë rezultat. Bashkëveprimi ndërmjet dy formacioneve në situatën e vështirë që ishte krijuar, mund të ndihmonte në përmirësimin e gjendjes.
Duke iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të shtabit kryesor maqedonas për një bashkëveprim më të organizuar, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH shprehet se “ …veprimet tona ushtarake në sektorët e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës, të bëhen të kombinuara dhe të përcaktohen nga një shtab i përbashkët operativ i përbërë prej delegatëve të shtabit tuaj dhe Divizionit tonë I Sulmues… për këtë gjë i kemi dhënë urdhër Shtabit të Divizionit I Sulmues të marrë kontakt me ju dhe të hartoni plane veprimi të përbashkëta në zonat e lartpërmendura”*. Kjo mënyrë bashkëveprimi dha rezultatet e veta në operacionin mësymës për çlirimin e Dibrës më 31 korrik deri më 1 gusht 1944, ku në drejtimin e shtabit operativ të përbashkët, të kryesuar nga Mehmet Shehu, u vunë forca e tre brigadave, Brigada I Sulmuese të UNÇSH, Brigada I Maqedonase dhe Brigada I Kosovare. Edhe pse nuk u arrit të çlirohej qyteti, operacioni, sikurse pranon edhe vetë komanda gjermane, përfaqësonte një mësymje të organizuar e të fuqishme kundër një qendre të fortifikuar dhe të mbrojtur mirë.
* Tre brigada me partizanë kosovarë shqiptarë Komanda e Përgjithshme e UNÇJ i kishte larguar nga Kosova për qëllime politike dhe i kishte dërguar në zona të tjera.
Pasi kishte zbrazur trevën e Kosovës nga formacionet partizane kosovare*, Komanda e Përgjithshme e UNÇJ Jugosllave mendoi ta plotësojë këtë boshllëk, duke kërkuara ndihmën e formacioneve të UNÇSH. Për këtë qëllim Komandanti i Përgjithshëm i UNÇJ Josif Broz Tito, që në verën e vitit 1944, i kishte kërkuar Komandës së Përgjithshme të UNÇSH të dërgonte në Kosovë dy brigada partizane. Kjo ishte edhe dëshirë e shtabit kryesor të UNÇ të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit e shprehur në një letër dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Duke vlerësuar drejtë plotësimin e kësaj kërkese, Komanda e Përgjithshme e UNÇSH vendosi të dërgonte në Kosovë Brigadën III dhe V Sulmuese. Për organizimin e bashkëveprimit punonte edhe Misioni Ushtarak jugosllav pranë Shtabit të Përgjithshëm.
* “Historia e LANÇ të popullit shqiptar”, Vëll.3, Tiranë 1988, f.684.
Forcat partizane shqiptare hynë në Kosovë në ditët e para të tetorit. Më 28 shtator kishte mbërritur në trevat e Kosovës nga Maqedonia Brigada I Kosovare ndërsa në 14 tetor u krijua në Krumë të Hasit edhe Brigada IV kosovare. Për drejtimin e këtij grupimi prej katër brigadash, me urdhër të Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, u krijua një shtab i përbashkët operativ me përfaqësues nga të gjitha brigadat, i kryesuar nga Shefqet Peçi, komandant i Brigadës V.
Nga fundi i Nëntorit, kur Shqipëria ishte në vigjilje të çlirimit, Komanda e Përgjithshme e UNÇSH, duke pasur parasysh edhe një kërkesë të Komandës së Përgjithshme të UNÇJ, për të dërguar disa njësi të UNÇSH në ndjekje të ushtrisë gjermane në tokat e Jugosllavisë, vendosi që këtë detyrë ta plotësonin Divizioni V dhe VI Sulmues, që sapo ishin formuar. Këto divizione do të vareshin drejtpërdrejtë nga Komanda e Përgjithshme e UNÇSH, ndërkohë që do të mbanin lidhje të ngushta me shtabin e Korparmatës III e komanduar nga Shefqet Peçi me qendër në Shkodër. Ndjekja e armikut do të bëhej në dy drejtime të rëndësishme operative: Senicë - Prijepolje - Vishegrad dhe Podgoricë - Prijepolje -Vishegrad*. Divizioni VI mori për detyrë “...të kalonte kufirin shtetëror, të futej në krahinat e Mali të Zi dhe në bashkëveprim me UNÇJ të vijonte luftimet për çlirimin e këtyre krahinave, mandej të ndiqte armikun më tej drejt Bosnjës jugore, kurse Divizioni V mori detyrë të kryente marshimin nga Kosova në drejtim të Sanxhakut dhe pasi të merrte takim me armikun të vijonte veprimet luftarake për çlirimin e atyre krahinave”**.
* Krahina e Malësisë së Madhe dhe Sanxhaku në territorin e Malit të Zi dhe të Serbisë.
** AQSH, Fondi i Shtabit të Përgjithshëm, K3.
Në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar të Greqisë (EAM), në territoret ku kishte minoritarë të të dyja etnive u dërguan përfaqësues nga të dyja palët për të propaganduar tek popullsia e zonës qëllimet dhe drejtësinë e luftës kundër pushtuesve për t’i mobilizuar ato të rrjeshtohen në formacionet partizane të UNÇSH dhe ELAS, sipas territoreve përkatës. Shtabi i Përgjithshëm mori masat për të siguruar një bashkëveprim efektiv ndërmjet formacioneve partizane të qarkut të Gjirokastrës dhe regjimentit të XV grek, që vepronte në zonat e Janinës e të Çamërisë së jashtme*. “Çamëria e jashtme mund të bëhet një thikë në kurrizin tonë, - theksohej në një urdhër dërguar shtabit të Zonës së Parë Operative. Ajo mund të bëhej një urë bashkimi midis popujve ose një faktor që të sabotojë bashkëpunimin e dy popujve fqinjë. Në Çamërinë e jashtme, ju në lidhje me regjimentin e XV grek, mund të futeni ushtarakisht për propagandë dhe agjitacion, të ngrini popullatat shqiptare në luftë kundër armikut të njëjtë, që është gjermani okupator dhe, luftëtarët çamër të organizojnë çetat e tyre, të cilat të vihen nën komandën e Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke”*. Më tej në urdhër nënvizohej se lirinë çamët do ta fitonin vetëm duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve.
* Përtej kufijve shtetëror, në Greqi.
** “Dok. të Shtabit të Përgjithshëm”, Vëll.1, f.260-261.
Shqetësime krijoi për udhëheqjen e luftës dhe Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH krijimi në mënyrë konspirative nga zervistët* i një dege të tyre në minoritetin grek në Shqipëri emëruar “MAVI” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit). Sipas platformës së kësaj organizate, e cila fillimisht u pranua edhe përfaqësuesit e EAM në marrëveshjen e arritur në 10 gusht 1943, që njihet me emrin “Protokolli i Konispolit”, kërkohej që “...minoriteti të formonte një organizatë politike më vete… që do të drejtohej nga një komitet qendror… do të krijonte Shtabin e Minoritetit, i cili do të organizonte dhe komandonte forcat e armatosura të kësaj organizate”**. Shtabi u krijua dhe e vendosi qendrën e vet në fshatin Theollogo. Me masa të shpejta dhe të efektshme MAVI dhe shtabi i saj u shpërndanë.
* Pjesëtarët e organizatës Liga Greke Nacionale Republikane (EDES) e themeluar nga Napoelon Zerva, ideatori i dëbimeve të civilëve myslimanë çamë nga trojet e tyre në Çamëri.
** “Historia e LANÇ të popullit shqiptar”, Vëll.3, Tiranë 1988, f.684.
Ndër veprimet luftarake të përbashkëta të zhvilluara nga formacionet e UNÇSH e të ELAS tërheqin vëmendjen luftimet e zhvilluara nga forcat e Grupit IV të Zonës I Operative me ato të Regjimentit të XV të ELAS në prill 1944 për të përballuar operacionin e pushtuesve gjermanë në drejtimin Konispol-Vurg-Dropull; luftimet e zhvilluara në qershor 1944, në trekëndëshin Kakavijë-Elea-Ura e Peratit, ku një batalion i Brigadës së VIII Sulmuese që kishte depërtuar në territorin grek, në bashkëveprim me forca të Regjimentit XV me goditje të befasishme kundër përqendrimeve armike, u shkaktoi atyre dëme të konsiderueshme si dhe shkatërroi rrjetin telefonik në atë zonë.
Forma të tjera bashkëpunimi kanë qenë shkëmbime ndihmash materiale, mjekimi i të plagosurve shqiptarë në spitalet e ELAS-it, etj. Megjithatë, i parë në tërësinë e vet, bashkëveprimi luftarak i UNÇSH me ELAS qe i kufizuar; bashkëveprim më efektiv u arrit në krahun jugperëndimor të Shqipërisë, në kufi me zonat minoritare. Në pjesët e tjera të brezit kufitar ka patur me tepër karakter spontan.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët – Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.
Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH 1943-1945 - Tiranë 1998 (Botimi "Fllad"). Autor: Prof. Dr. Shahin Leka.