Një muaj para se të krijohej brigada, Komiteti Qarkor i Beratit bëri një mbledhje në shtëpinë e Kareman Yllit në Leshnje. Kjo mbledhje ju kushtua kryesisht analizës së punës së bërë për krijimin e brigadës. Atje u vendos se me cilat dhe me sa forca do të krijohej brigada, u hartua lista e kuadrove ushtarake e politike e batalioneve, kopanive e skuadrave që do të inkuadroheshin në brigadë. Krahas punës organizative, u bë edhe një punë e gjerë propagandistike. U orientuan banorët e asaj krahine për të marrë pjesë aktive në krijimin e brigadës, të ndihmonin duke filluar nga veshëmbathjet e deri tek fisheku e kokrra e misrit, për të vënë kështu në punë të gjitha burimet e energjitë për krijimin e brigadës.
Brigada VII Sulmuese u krijua më 17 mars të vitit 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit me 3 batalione. Partizanët e batalionit të parë vinin nga batalioni i Rinisë së Qarkut Berat. Në këtë batalion u rreshtua edhe një kompani e ardhur nga krahina e Devollit, e cila para se të vinte këtu, kishte bërë pjesë në batalionin “Fuat Babani”. Partizanët e batalionit të dytë vinin nga batalioni “Riza Cerova”, “Tefik Lapani” e “Ramis Aranitasi” të Skraparit. Batalioni i tretë përbëhej kryesisht nga partizanët e Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, nga batalioni “Dëshnica”, “Misto Mame” e “Thoma Lula”. Partizanët e këtyre batalioneve qenë zgjedhur si pjestarë të vjetër të LANÇ. Partizanëz e batalionit të parë “Margarita Tutulani” ishin nga radhët e rinisë së qytetit, të rinisë punëtore e shkollore që ishin hedhur në demonstrat kundër fashizmit italian, pjestarë të njësiteve guerile.
Kuadrot ushtarake e politike që u vunë në krye të brigadës, batalioneve e kompanive ishin të sprovuar në beteja. Për përurimin e brigadës u zgjodha Vlusha, një fshat që ndodhej në zemër të Skraparit. Në 16 mars, të gjitha përgatitjet për forminin e brigadës kishin marrë fund. Forcat që do të rreshtoheshin në brigadës ishin grumbulluar në kohë. Ato ishin pajisur me armë dhe municione sipas mundësis. Organizimi dhe ndarja në batalione, kompani dhe skuadra si dhe caktimi i kuadrove ushtarake dhe politike kishte përfunduar. Efektivi i brigadës kishte 450 partizanë. Një pjesë e kuadrove u zgjodhën nga masa e luftëtarëve të thjeshtë, të cilët me luftën dhe punën e deriatëhershme kishin dhënë prova se e meritonin këtë besim që u jepte Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH.
Përfaqësuesit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH: Medar Shtylla, Haxhi Lleshi, Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku, Ymer Dishnica dhe të tjerë, që kishin punuar për këtë ngjarje, kishin ardhur në VLushë për të marrë pjesë në inaugurimin e brigadës. Në Vlushë kishin ardhur edhe shumë banorë të zonës e të fshatrave përreth.
Në paraditen e 17 marsit, 3 batalionet e brigadës qenë rreshtuar në sheshi ku do të bëhej inaugurimi. Koha qe e ftohtë dhe binte shi. Një nga delegatët e KQ të Partisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm lexoi përshëndetje që i dërgohej brigadës nga Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH Enver Hoxha.
Një ditë pas formimit të brigadës, komanda e përgjithshme e xhandarmërisë i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Parashtrohet një telegraf nga komanda e Beratit më 18.03.1944 se në atë rajon gjendja paraqitet mjaft kritike. Çetat komuniste të Skraparit kanë mobilizuar krejt banorët e atij rrethi dhe kanë formuar brigadën e 7-të komuniste, kështu që fuqi e tyre arrin në 1000 veta - duke nënvizuar se fuqitë nacionaliste nuk janë të mjafta, jo të barabarta dhe nuk besohet se përballojnë gjendjen pa ndihmën e një fuqie ushtarake të rregullt.”
Komandant i brigadës u emëruar Tahir Kadareja, komisar Mustafa Matohiti, zëvendës komandant Neshat Hysi, zëvendës komisar Adil Çarçani.
Efektivi i batalionit të parë ishte 135 partizanë, kyrse i batalioneve të dytë e të tretë nga 150 partizanë secili. Çdo batlion përbëhej nga 3 kompani, të cilat kishin një efektiv prej 40-50 partizanësh. Armatimi i brigadës përbëhej kryesisht nga pushkët e tipit italian dhe grek si dhe nga 8 mitraloza të rëndë dhe 25 të lehtë.
Seksioni do të plotësohet në vazhdim. Na vizitoni sërish...
Luftimet për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit.
Përballimi i operacionit gjerman të qershorit 1944.
Luftimet për çlirimin e Myzeqesë, Sulovës, e qytetit të Beratit.
Luftimet për çlirimin e Mirditës, Lezhës dhe Shkodrës nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët vendas.
Luftimet në Gziq.
Luftimet për çlirimin e Malit të Zi dhe Sanxhakut.
Kthimi në atdhe.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historiku i Brigadës VII Sulmuese – Tiranë, 2002. Autorët: Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Hysni Daja, Orhan Frashëri, Sabri Sevrani, Aqif Ylli, Idriz Tahiri, Sulo Gradeci, Mitat Lupi, Namik Gaçe. Punuan për versionin e rishikuar: Nikollaq Sallabanda, Bilo Bregu, Guçe Stropani, Hatixhe Katro, Xhaferr Bregu, Mehdi Hoxha, Musa Hysi, Sulo Gradeci, Jani Gjeçi, Ahmet Muho, Ramiz Mebelli, Toli Dhaskali, etj.