Kryesia e Kongresit të Përmetit
Në 8-14 nëntor të vitit 1941 u mbajt në ilegalitet në qytetin e Tiranës konferenca e grupeve komuniste shqiptare: Grupi i Shkodrës i përfaqësuar nga Vasil Shanto, Qemal Stafa, Kristo Themelko, Sadi Bekteshi dhe Tuk Jakova; Grupi i Korçës i përfaqësuar nga Koço Tashko, Pilo Peristeri, Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani, Gjin Marku dhe Skënder Çaçi; Grupi i “Të rinjve” i përfaqësuar nga Anastal Lula, Sadik Premte, Ramadan Çitaku dhe Sinan Hasani (Kosovar)*. Si përfaqësues të Partisë Komuniste Jugosllave po pa të drejtë vote ishin Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha**. Gjatë Konferencës u morr vendimi unanim për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH). Pjesëmarrësit zgjodhën Komitetin Qendror të përkohshëm (KQP) të PKSH, i cili nuk do të kishte kryetar. Anëtarë të KQP u zgjodhën Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Kristo Themelko e Gjin Marku. Pas KQP u formuan komitetet qarkore në rrethe, të cilat do të ishin përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të KQP.
*Në një burim tjetër pretendohet se se antarët themelues ishin nga Grupi i Korçës: Koço Tashko, Enver Hoxha, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani, Sotir Lubonja; Grupi i Shkodrës: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Tuk Jakova; Grupi i "Të RInjve": Ramadan Çitaku, Anastas Lula, Sadik Premte, Elami Nimani, Perlat Rexhepi. Po sipas këtij burimi anëtarë të Komiteti Qendror u zgjodhën: Qemal Stafa, për drejtimin e rinisë antifashiste; Koçi Xoxe, sekretar organizativ për celulat;Tuk Jakova, sekretar organizativ për celulat; Gjin Marku, përgjegjës për organizimin e çetave; Ramadan Çitaku, përgjegjës për teknikën e partisë; Kristo Themelko, përgjegjës për organizimin e çetave; Enver Hoxha, përgjegjës për anën financiare.
**Miladin Popoviç ishte këshilltar për çështjet politike ndërsa Dushan Mugosha për çështjet ushtarake.
Kjo nismë u mor në kuadër të direktivave të Kominternit* për organizmin e partive komuniste, socialiste e forcave të tjera politike në “fronte popullore”, me qëllim luftën kundër Nazi-Fashizmit. Objektivi ishte që këto aleanca të luftonin përhapjen dhe rreziqet që vinin prej kësaj ideologjie dhe forcave në pushtet që i mbështesnin ato. Kështu, në mënyrë që grupet komuniste shqiptare të formonin “frontin popullor të rezistencës” ato duhet më parë të themelonin Partinë Komuniste Shqiptare.
*Komintern - Internacionalja komuniste, organizata ndërkombëtare e partive komuniste.
Në direktivat e kominternit parashtroheshin disa pika, që do të shërbenin si objektiva madhorë për të gjitha lëvizjet e partitë komuniste. Ndër to përmendim
parimin e unitetit kundër nazifashizmit, që nënkuptonte bashkimin e forcave me partitë e rrymave të tjera në përpjekje kundër ideologjisë nazifashiste;
organizimin dhe udhëheqjen e luftës guerile partizane kundër pushtuesve nazifashistë;
nxitjen e solidaritetit internacional dhe bashkëpunimit mes komunistëve në shtetet fqinje me qëllim dobësimin e makinerisë ushtarake nazifashiste;
dhe caktimin si qëllim kryesor çlirimin e vendeve që u gjendën nën çizmen e pushtuesve nazifashistë.
Disa nga këto direktiva kishin ardhur në Shqipëri që në vitin 1937. Mirëpo grupet komuniste shqiptare, për shkaqe të ndryshme, përfshi mungesën e eksperiencës, nuk i kishin marrë parasysh ato ose i kishin injoruar. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në 1939 rrethanat ndryshuan dhe grupet komuniste shqiptare filluan të bëhen më të vëmendshme ndaj zhvillimeve në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht direktivave që vinin prej Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye grupet komuniste shqiptare kërkuan ndihmën e Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ) që t’i ndihmonte në rrugën drejt përmbushjes së kushteve të parashtruara nga Kominterni, për shkak se kjo ishte e vjetër (ishte themeluar që në vitin 1919), kishte eksperiencë të gjerë organizative dhe mbante lidhje të drejtpërdrejtë me Kominternin si anëtare me të drejta të plota e organizatës. PKJ gjithashtu kishte dënuar publikisht politikat shoviniste serbomadhe të Mbretërisë Jugosllave. Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha ishin delegatët e PKJ pranë grupeve komuniste shqiptare. Ata ndihmuan në themelimin dhe organizimin e PKSH dhe luftës kundër pushtuesit fashist.
Pas themelimit PKSH filloi menjëherë punën për organizimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Fillimisht grupet komuniste përpiluan vijën politike dhe dolën me një rezolucion ku përcaktoheshin këto objektiva për PKSH:
"Të luftohet për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar dhe për qeverinë popullore demokratike në një Shqipëri të lirë prej fashizmit.
Të krijohet dhe të zgjerohet njësia luftarake në mes të masave punonjëse të qytetit dhe të fshatit.
Të bashkohemi me të gjithë nacionalistët që duan me të vërtetë Shqipërinë e lirë, me të gjithë shqiptarët e ndershëm që duan të luftojnë kundër fashizmit.
Të përgatitim politikisht dhe ushtarakisht popullin drejt kryengritjes së përgjithshme me armë, duke mbledhur në luftë të gjitha fuqitë patriotike dhe antifashiste.
Luftën tonë nacional-çlirimtare a lidhimi ngushtë me luftën heroike të Unionit Sovjektik, që gjendet në ballë të luftës kundër fashizmit."*
*Rezolucioni i Mbledhjes së grupeve komuniste. Dokumenta kryesore të PPSH, vëll.1, f.22-27.
Fillimisht të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror të Përkohshëm u shpërndanë nëpër qarqe për të ngritur celula të reja, për të organizuar konferenca të partisë dhe për të formuar komitetet qarkore. Në celula u futën 200 komunistë, të zgjedhur ndër anëtarët e ish-grupeve komuniste. U ngritën tetë komitete qarkore të partisë. Shumica e tyre dolën nga konferencat e partisë.
Gati të gjitha celulat e para u organizuan në qytete. Pranë çdo celule u ngritën grupet edukative që gjykohej se kish mundësi të bëheshin anëtarë partie. Gjithashtu u organizuan grupet e simpatizantëve. Organizimi i PKSH pothuajse mori fund në janar 1942.
Brenda kësaj kohe KQP mori masa edhe për krijimin e organizatës së Rinisë Komuniste Shqiptare, e cila u formua më 23 nëntor 1941 nga aktivi i të rinjve komunistë që kishin pranë tyre grupet komuniste. Sekretar politik i Rinisë Komuniste u zgjodh Qemal Stafa, anëtar i KQP.
Fill pas krijimit të partisë, Komteti Qendror i përkohshëm iu drejtua popullit shqiptar me një thirrje:
"U drejtohemi gjithë shqiptarëve të ndershëm që e duan me të vërtetë Shiqpërinë të bashkojmë forcat tona për t'i vënë në shërbim të luftës sonë për çlirimin kombëtar. Lufta e hapur është i vetmi qëndrim kundrejt zaptuesit. Çdo bir i këtij vendi të jetë një ushtar i Luftës nacional-çlirimtare. Për ta mposhtur armikun, lufta jonë duhet të jetë e organizuar, e bashkuar dhe e fuqishme... Të gjithë pra, në luftë të bashkuar! PËR ÇLIRIMIN KOMBËTAR KUNDËR ZAPTUESIT FASHIST"*
*Thirrja e parë e KQ të PKSH. Dokumente kryesore të PPSH, vëll.1, f.27-28.
KQP i drejtohej vazhdimisht me thirrje dhe trakte gjithë popullit shqiptar ose veças fshatarëve, ushtarakëve, grave, të rinjve. Thirrje dhe trakte lëshonin edhe komitetet qarkore të partisë. Që nga viti 1942 organizatat vendore të partisë nxorën gjithashtu komunikata e buletin periodike mbi ngjarjet e luftës antifashiste brenda e jashtë vendit.
Duke u mbështetur në vijë e përgjithshme të PKSH, KQP përpunoi parullat kryesore, të cilat përhapeshin nëpërmjet botimeve të saj, në demonstrata antifashiste dhe me anët të agjitacionit me gojë. Parullat "Vdekje fashizmit! Liri popullit!" u bë moto themelore e Luftës nacional-çlirimtare.
Si pasojë e punës propagandistike, të rinjtë komunistë arritën të shkatërronin shoqëritë sportive e kulturore që kishin ngritur fashistët italianë dhe të ngrinin organizata të reja të udhëhequra drejtpërdrejtë nga rinia komuniste.
Për të përhapur ndikimin e PKSH në fshat, KQP i udhëzonte komitetet qarkore të partisë të organizonin e të kryenin sa më shumë veprime politike e luftarake, demonstrata antifashiste, greva, sabotime, veprime me armë, etj, si mjete të rëndësishme për të përforcuar influencën e PKSH dhe për t'u lidhur me popullsinë civile.
Dhjetor 1941 dhe në fillim të vitit 1942 gati në gjitha qytetet u ngritën dhe vepronin njësitet guerile në udhëheqjen e drejtpërdrejtë të komiteteve qarkore të PKSH. Njësitet e para u organizuan nga komunistë dhe simpatizantë. Ato ishin grupe të vogla të armatosura prej 5-10 vetësh. Veprimet luftarake të njësie guerile kishin si qëllim jo vetëm t'i shkaktonin dëme armikut, por në radhë të parë t' sillnin përfitime politike lëvizjes nacional-çlirimtare, të ndikonin në rritjen e ndërgjegjes politike të masave.
Shkurt 1942 PKSH dha direktivën për ngritjen e këshillave nacional-çlirimtarë si mjete për organizimin dhe mobilizimin e popullit në luftën antifashiste dhe në të njëjtën kohë si "fillestaret e qeverisë sonë të ardhshme".* Këshillat nacional-çlirimtare ishin organi përfaqësues i LANÇ në të gjitha qendrat e banuara. Këshillat do të shërbenin si nyje e lidhjes së PKSH me popullsinë civile dhe hallka e bashkimit të tyre në frontin nacional-çlirimtar.
*Dokumente kryesore të PPSH, vëll.1. f.39.
Në kuadrin e punës me masat u organizuan edhe mbledhja e ndihmave materiale për partinë dhe për LANÇ. Fushatat e zhvilluara nga organizata e PKSH për mbledhjen ndihmash shërbyen edhe si mjet për të bërë punë të gjerë politike sqaruese me popullin. Një fushatë e tillë, për shembull, u organizua në janar të vitit 1942 në gjithë Shqipërinë me emrin "Java e Partisë Komuniste".
Mars 1942 PKSH dha një direktivë me disa pika drejtuar komiteteve qarkore dhe përgjegjësve të celulave, të gjitha forumeve të Rinisë Komuniste Shqiptare në të cilën jepen udhëzime të rëndësishme mbi organizimin e çetave, përzgjedhjen e partizanëve, funksionimin e strukturës drejtuese, organizimin e celulës së PKSH* në çetë dhe veprimtarinë e saj, furnizimin e çetave me material luftarak u veshmbathje dhe mbajtjen e lidhjeve me komitetet qarkore.
*Në çdo njësi partizane kishte një grup me antarë të PKSH, të cilët ishin përgjegjës për orientimin politik të veprimtarisë së njësisë dhe mbajtje lart të moralit politik të partizanëve.
8-12 prill të vitit 1942 u zhvillua Konsulta e Aktivit të PKSH, e cila kishte për qëllim që diskutonte çështjen e përgatitjes ideologjike të kuadrove me teorinë e marksizëm-leninizmit, disiplinës në parti, zgjerimit të lidhjes mes aktivitetit të partisë dhe popullsisë civile* si dhe t’i jepte zgjidhje problemit të formimit në parti të një rrymë fraksioniste që ishte trashëguar që nga koha e grupeve komuniste. Për formimin e kësaj rryme u akuzuan e u ulën në detyrë Anastas Lula dhe Sadik Premte.**
*Këto ishin të gjitha çështje për të cilat ishin evidentuar mangësi dhe që pengonin zgjerimin e LANÇ në fshat.
*Ish kryetarët e grupit komunist të “Të rinjve” dhe pjesëmarrës në themelimin e PKSH.
Konsulta e parë Aktivit të PKSH vërente se në Shqipëri "...po formohet dhe po forcohet ideaj për kryengritjene përgjithshme dhe populli fullon të kuptojë se vetëm me forcat e veta duhet dhe mund të fitojë çlirimin, duke lidhur luftën e vet me atë të Bashkimit Sovjetik, të Amerikës, Anglisë dhe Kinsë, si edhe me atë të viseve të robëruara."*
*Rezolucioni i Konsultës së parë të Aktivit të PKSH, 8 prill 1942. Dokumente kryesore të PPSH, vëll.1, f.56-57.
Aktivi i kushtoi vëmendje të posaçme punës për të bërë për vete masat e fshatarëve dhe për t'i mobilizuar në luftë. Aktivi gjithashtu çmoi të drejtë praktikën e ndjekur nga KQP për të vënë në plan të parë veprimet politike dhe luftarake. "Pa aksione s'ka parti komuniste... Ajo që rrit dhe forcon partinë është aksioni dhe lufta, nuk mund të lidhemi me popullin, po nuk i provuam atij se jemi të zotë ta udhëheqim."*
*Rezolucioni i Konsultës së parë të Aktivit të PKSH, 8 prill 1942. Dokumente kryesore të PPSH, vëll.1, f.62.
Në lidhje me pranimin e anëtarëve të rinj në parti kryesisht nga radhët e punëtorëve e fshatarëve të varfër, u dha udhëzim që të mos bëhej pengesë shkalla e ulët e njohurive të tyre teorike e politike. Këta njerëz do të zhvilloheshin dhe do të edukoheshin si luftëtarë të flaktë në radhët e partisë.
23 korrik 1942 sipas udhëzimit të Komitetit Qendror të PKSH, në mbarë Shqipërinë u prenë dhe u shkatërruan vijat telefonike e telegrafike.
28 korrik të vitit 1942 u zhvillua Konferenca e Jashtëzakonshme e PKSH, e cila shqyrtoi “çështjen e asgjësimit të rrymës fraksioniste likuidatore dhe vendosjen e unitetit në Parti”. Sadik Premtja dhe disa të tjerë u përjashtuan nga partia për një kohë të papërcaktuar.
25 gusht të vitit 1942 me vendim të Komitetit Qendror të Përkohshëm të PKSH u themelua dhe doli numri i parë i gazetës Zëri i Popullit. Në kryeartikullin e numrit të parë organi i PKSH i vinte vetes si qëllim: "...të bashkojë të gjithë popullin shqiptar rreth e përqark këtij organi, të bashkojë çdo gjë që është e ndershme dhe antifashiste, pa marrë parasysh besimin, grupet politike, korentet e ndryshme... për një Shqipëri indipendente, të lirë e demokratike."*
*"Zëri i Popullit", Nr.1, gusht 1942.
"Zëri i Popullit" propagandonte vijën politike të PKSH, luftën antifashiste, shpjegonte rrugën që duhej të ndiqej për çlirimin kombëtar, demaskonte politikën dhe veprimtarinë e pushtuesve fashistë dhe të tradhtarëve shqiptarë. Në të botoheshin artikuj e thirrje të PKSH, komente mbi gjendjen e brendshme dhe ndërkombëtare, kronika të ngjarjeve kryesore dhe korespondenca nga qarqet.
16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës. Në të morën pjesë, veç komunistëve, edhe nacionalistë të rrymave të ndryshme, ndër ta edhe Abaz Kupi. Partia Komuniste i bëri thirrje për pjesëmarrje në Konferencë edhe nacionalistëve të tjerë si Mithat Frashërit dhe disa të tjerëve, të cilët në atë periudhë nuk e kishin shprehur ende hapur qëndrimin e vet. Këta nacionalistë e bojkotuan Konferencën.
Në Konferencën Nacional-Çlirimtare u shtrua dhe u rrah problemi i bashkimit e organizimit të popullit shqiptar në luftën kundër pushtuesve fashistë.
Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar (të përkohshëm) dhe pranoi njëzëri platformën e Luftës Nacional-Çlirimtare (LANÇ). Objektivat e platformës ishin:
lufta pa kompromis ndaj pushtuesve fashistë;
ngritja e këshillave nacional-çlirimtare;
organizimit i një fronti të përbashkët i të gjithë shqiptarëve;
luftë e organizuar kundër Bankës bujqësore, shoqërive anonime italiane dhe gjithë shfrytëzuesve që nxjerrin fitime me ndërmjetësinë e pushtuesve.
Konferenca e Pezës hodhi themelet e Frontit Nacion-Çlirimtar.
Si bazë për ngritjen e këshillave nacional-çlirimtare u pranuan tezat e parashtruara nga Enver Hoxha në referatin: "Këshillat nacional-çlirimtare si organe bashkimi e lufte të popullit shqiptar", që u mbajt në Konferncën e Pezës.
Në krahinat e çliruara këshillat ishin organe luftarake që bashkonin të gjitha forcat popullore antifashiste. Ato sqaronin e hidhnin masat në luftë, i pregatisnin për kryengritjen e përgjithshme, mblidhnin ndihma materiale të nevojshme për luftën, grumbullonin njoftime mbi lëvizjet dhe numrin e forcave të armatosura armike, organizonin luftën ekonomike kundër shoqërive kapitaliste italian dhe sabotonin grumbullimin e prodhimeve bujqësore nga fashistët.
Në krahinat e çliruara këshillat kryenin detyrat e organeve të pushtetit. Ato mbanin rregullin e qetësinë, kujdeseshin për zhvillimin e ekonomisë, për sigurimin e ushqimeve, për tregtinë, për mbjelljet dhe mbledhjen e drithit, organizonin arsimin, shtypin dhe punën kulturore me popullsinë civile, zgjidhnin grindjet e pajtonin gjaqet, mbanin gjallë gatishmërinë e popullsisë për luftë, etj.
Nëntor 1942 PKSH lëshoi një qarkore drejtuar organizatave të PKSH të qarkut të Tiranës mbi rëndësinë e celulave dhe veprimtarisë që këto duhej të bënin për zgjerimin e rezistencës antifashiste dhe rritjen e ndikimit të LANÇ tek popullsia civile. Në këtë qarkore u bëhen shumë kritika celulave të partisë në qarkun e Tiranës.
Dhjetor 1942 PKSH mori me ndihmën e PKJ direktivat e Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Komuniste (në BRSS) mbi luftën nacional-çlirimtare. Tashmë PKSH ishte njohur zyrtarisht si pjesë e lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Në po këtë periudhë, Aleatët lëshuan deklarata ku njohën zyrtarisht luftën antifashiste të popullit shqiptar.
3 mars 1943 grupi komunist i “Zjarrit”, i cili ishte në aleancë me Ballin Kombëtar, u shpërbë. Shumë nga antarët e grupit iu bashkangjitën PKSH-së.*
*Grupi i Zjarrit u krijua në Athinë në vitin 1936 nga Andrea Zisi.
Shkurt 1943, në mbledhjen e KQ të PKSH Enver Hoxha mbajti referatin me titull “Roli udhëheqës në luftë e luan Partia Komuniste”. Në këtë referat Hoxha flet për rrugëtimin dhe rolin udhëheqës të PKSH në organizimin dhe drejtimin e luftës antifashiste nacional-çlirimtare sipas direktivave të Kominternit. Në referat parashtrohet edhe vizioni për zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të rezistencës.
17 mars 1943 u zhvillua në Labinot Konferenca e I-rë e Vendit të PKSH. Në konferencë merrnin pjesë 70 delegatë që përfaqësonin rreth 700 anëtarë partie. Në këtë konferencë theksi u vendos tek zgjerimi i luftës, mbajtja dhe forcimi i lidhjeve me fshatarësinë, puna me gratë dhe rininë si dhe marrëdhëniet me BK.
Konferenca e cilësoi aleancën e klasës punëtorë me fshatarësinë si armën më të sigurt në luftën nacional-çlirimtare. Ajo porositi komunistët të zgjeronin e të përmirësonin punën politike sqaruese dhe organizative në fshat. Në radhë të parë kërkohej të gjallëroheshin këshillat nacional-çlirimtare dhe të tërhiqeshin sa më shumë fshatarë në repartet partizane e në çetat territoriale. Në të njëjtën kohë duhej të ngriheshin fshatarët në luftë kundër çdo lloj takse, gjobe, spekulimi, grabitjeje dhe çdo forme tjetër shtypjeje e shfrytëzimi nga ana e fashizmit dhe veglave të tij në Shqipëri; të organizohej në fshat lufta kundër analfabetizmit dhe të përhapej kultura.
Në konferencë u kritikua sektarizmi, përqendrimi kryesisht i punës me rininë shkollore, puna e pakët me rininë fshatare dhe, në fund, disa prirje paralelizmi me PKSH që ishin dukur në udhëheqjen e Rinisë Komuniste.
Problemi i gruas u çmua si problem i dorës së parë dhe u shqyrtua në dy anët kryesore të tij: tërheqja e masave të grave në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe çlirimi shoqëror i tyre. Gratë mund dhe duhej të luanin një rol të rëndësishëm në luftën antifashiste dhe në jetën shoqërore. Komunistët u porositën në mënyrë të posaçme të mos ta kufizonin punën e tyre me gratë intelektuale, por të hynin në masat e grave fshatare si edhe në punëtoret e shtëpiaket e qytetit.
Në punën me rininë dhe gratë konferenca nxori në plan të parë organizimin e tyre. Ajo dha udhëzime për formimin e organizatës së rinisë antifashiste shqiptare dhe të frontit antifashist të gruas.
Një kujdes i madh iu kushtua qëndrimit ndaj nacionalistëve dhe bashkëpunimit me ta. Konferenca kritikoi mungesën e durimit dhe të taktit të disa komunistëve dhe organizatave me nacionalistë të lëkundshëm e asnjanës dhe me ata që bënin pjesë në "Ballin Kombëtar". Ajo udhëzoi të tregohej durim i madh dhe të arrihej bashkimi i sinqertë ose bashkëpunimi me nacionalistët. Komunistët ngarkoheshin të punonin pa u lodhur me të gjithë njerëzit që e urrenin pushtuesin dhe donin të luftonin kundër tij, edhe me ata që paraqiteshin kokëfortë, për t'i bindur dhe për t'i bërë aleatë, qoftë edhe të lëkundshëm.
Konferenca përcaktoi si detyrë të forcohej individualiteti dhe roli udhëheqës is PKSH në Frontin Nacional-Çlirimtar, të popullarizohej më shumë PKSH si flamurtare e luftës për çlirimin e popullit nga fashizmi dhe për të drejtat e shtresave të varfra.
Konferenca u ndal në mënyrë të posaçme në qëndrimin që do të mbahej ndaj "Ballit Kombëtar". Krerët e tij u cilësuan si thellësisht konservatorë e reaksionar, të gatshëm për çdo lloj bashkëpunimi me pushtuesit. Ata ishin kundërshtarë të LANÇ. Megjithatë konferenca udhëzonte që të të tërhiqeshin në luftë të gjithë ata simpatizantë të Ballit që donin të luftonin kundër pushtuesit. Për t'ia arritur këtij qëllimi duhet të përdoreshin të gjitha mjetet e mënyrat, duke përfshirë edhe bisedimet me përfaqësues të Ballit. U ritheksua që vendin kryesor ta zinte puna me njerëzit e thjeshtë e të ndershëm në radhët e Ballit për të krijuar lidhjet luftarake me ta dhe për t'i hedhur në veprim kundër fashizmit.
Për të zgjeruar dhe forcuar Frontin Nacional-Çlirimtar (FNÇ) dhe për të shkuar me hapa të sigurta drejt kryengritjes së përgjithshme, konferenca kërkoi nga organizatat e partisë në radhë të parë të mbanin vazhdimisht parasysh karakterin nacional-çlirimtar antifashist të luftës dhe të mos lejonin asnjë shtrembërim të politikës së PKSH në të gjitha fushat. "Ne, - vinte në dukje Enver Hoxha, - nuk jemi oportunistë, dhe nuk kemi harruar aspak detyrat tona më të largëta, por përpara se të arrijmë në atë fazë duhet të plotësojmë detyrat tona më të afërta: Luftën Nacional-Çlirimtare."
Si hallkë kryesore të kryengritjes së përgjithshme, konferenca përcaktoi organizimin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Kjo ushtri, si pasojë e zhvillimit të vrullshëm të luftës partizane, ndodhej në formim e sipër. Në këto rrethana u vendos: "Të krijojmë prej njësive partizane e vullnetare Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të rregullt, e cila do të jetë fuqia e tmerrshme kundër okupatorit dhe garancia e sigurt dhe e fuqishme për çlirimin e popullit."*
Lidhur me këtë u përpunuan problemet e organizimit të ushtrisë, të reparteve e njësive ushtarake, të shtabeve të qarqeve dhe Shtabit të Përgjithshëm, problemet e furnizimit të saj me armë, municione, veshmbathje e ushqime, çështjet e taktikës luftarake dhe të përgatitjes politike të luftëtarëve etj.
Duke theksuar nevojën e domosdoshme dhe rëndësinë vendimtare të organizimit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare (UNÇSH), për kryengritjen e përgjithshme dhe arritjen e fitores mbi armiqtë, konferenca kërkoi nga komunistët të kuptonin thellë se sektori kryesor i punës së PKSH në atë kohë ishte ushtria.
Në mbarim të saj konferenca zgjodhi Komitetin Qendror të PKSH prej 15 anëtarësh dhe 5 kandidatësh, ndër të cilët Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Mehmet Shehu, Vasil Shanto, Ramadan Çitaku, Krito Themelko, Petro Papi, Sadik Bekteshi. Konferenca zgjodhi gjithashtu Byronë Politike të KQ dhe Sekretar të Përgjithshëm të PKSH Enver Hoxhën.
7 prill 1943 KQ i PKSH lëshon një thirrje drejtuar popullit shqiptar: "Fati i vendit varet nga lufta që po bëjmë, dhe sa më e gjerë e më e ashpër të jetë kjo luftë kundër zaptuesit, aq më e shpejtë do të jetë dita e çlirimit."
Krahas veprimtarisë së gjerë politike me masat e popullit, komunistët shtuan punën e tyre ilegale në radhët e ushtarëve, të xhandarëve e të policëve shqiptarë, në radhët e gjithë njerëzve që ishin në shërbim të pushtuesit, si edhe në radhët e ushtarëve e të punëtorëve italianë që ndodheshin në Shqipëri. Ndërmjet këtyre të fundit shpërndaheshin trakte italisht.
Në përgjigje të thirrjes së PKSH dhe si pasojë e veprimtarisë së dendur të komunistëve me qindra luftëtarë të rinj mbushnin radhët e çetave partizane. Një pjesë e madhe e nxënësve të shkollave të mesme dolën në mal e u bashkuan me luftëtarë të lirisë. Me partizanët u bashkuan gjithashtu patriotët që dezertuan nga formacionet ushtarake armike. Brenda më pak se tre muajve numri i partizanëve u dyfishua. Në maj 1943 u formuan batalionet e para si dhe shtabet e para të qarqeve. Deri në korrik në Shqipëri kishte 20 batalione dhe 30 çeta partizane.
Gjatë kësaj periudhe në Vlorë u krijua grupi fraksionist i Sadik Premtes dhe Pali Tërovës, të cilët deklaruan se nuk e njihnin komitetin qarkor të PKSH të Vlorës. Ky fraksion gëzonte mbështetjen e komandës së çetës “Plakë” të Vlorës. Fraksioni hyri në bashkëpunim me BK të Vlorës dhe bëri përpjekje për të organizuar një lëvizje të armatosur kundër çetave partizane. Në letrat dërguar në qarqe të ndryshme të vendit, si arsye e revoltimit paraqiteshin vendimet e padrejta që kishte marrë PKSH kundër Anastas Lulës, Sadik Premtes dhe disa të tjerëve të akuzuar si fraksionistë.
Për zgjidhjen e kësaj çështjeje në Vlorë shkuan Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu. Ata arritën të kthejnë situatën në favor të PKSH, ndërsa Sadik Premtja u arratis në qytetin e Vlorës, i cili ishte ende nën sundimin italian. Në maj çdo gjë kish marrë fund.
4 korrik 1943 u mbajt në Labinot mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Aty u vendos njëzëri formimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Sekretari i Përgjithshëm i PKSH Enver Hoxha u zgjodh komisar politik i Shtabit të Përgjithshëm.
Udhëheqës të punës politike të partisë ishi komisarët e brigadave, grupeve, batalioneve e kompanive (çetave). Komisari ishte njëkohësisht anëtar i komandës së repartit partizan. Zëvendëskomisarët kryenin detyrën e sekretarëve të partisë. Për të zhvilluar punën politike në ushtri PKSH dërgoi aty një pjesë të madhe nga kuadrot e saj më të mirë.
Krahas organizatave të partisë në ushtri u krijuan organizatat e Rinisë Komuniste, si ndihmëse të organeve dhe celulave të partisë.
Komisarët, zëvendëkomisarët, organizatat e partisë e të rinisë zhvillonin një punë të madhe edukuese politike në repartet partizane, siguronin orlin pararojë të komunistëve dhe të rinjve komunistë në kryerjen e detyrave luftarake. Ata edukonin luftëtarët me frymën e patriotizmit e besnikërisë ndaj atdheut, ndaj popullit, ndaj PKSHm me traditat luftarake të popullit shqiptar, me idetë e marksizëm-leninizmit, me parimet e internacionalizmit proletar, me frymën e dashurisë për të gjithë popujt që luftonin kundër fashizmit. Ata rrënjosnin në mendjen e partizanëve dhe të popullit bindjen për fitoren, siguronin zbatimin e urdhërave të Shtabit të Përgjithshëm dhe të komandave partizane.
Problemi kryesor i luftës nacional-çlirimtare, prej të cilit varej sigurimi i pavarësisë kombëtare dhe vendosja e pushtetit popullor, mbetej forcimi i ushtrisë. Sipas udhëzimeve të KQ të PKSH në vjetën të vitit 1943, në UNÇSH hyri shumica e anëtarëve të partisë dhe e të rinjve komunistë. Thirrjes së PKSH iu përgjegjën me mijëra radhët e reparteve e të njësive partizane iu përgjegjën me mijëra të rinj e të reja nga radhët e fshatarëve, të punëtorëve e të nxënësve.
1 gusht 1943 u zhvillua në Mukje të Krujës* mbledhja mes Frontit Nacional-Çlirimtar të përfaqësuar nga Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Haki Stërmilli, Gogo Nushi dhe Ballit Kombëtar të përfaqësuar nga Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Raif Fratari, Nexhat Peshkëpija, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni, N.Kolonel Jahja Çaçi. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe oficeri britanik i SOE Majori Stephan.
*I paraprirë nga takimi i Tapizës në 26 korrik të vitit 1943.
Qëllimi i mbledhjes ishte që të dy forcat të gjenin gjuhën e përbashkët dhe të mundësonin bashkëpunimin në luftë kundër pushtuesve. Në këtë mbledhje u nënshkrua një marrëveshje me 5 pika:
Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin "Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë".
Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:
Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.
Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.
Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.
Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal.
Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore.
Menjëherë pas nënshkrimit Balli Kombëtar bëri një proklamatë publike ku propagandoi pikat e marrëveshjes. PKSH e hodhi poshtë marrëveshjen dhe i dënoi firmëtarët e saj.
Sa mori njoftimin e parë, Sekretari i Përgjithshëm i PSH, Enver Hoxha, i shkruante kryetarit të delegacionit të FNÇ Ymer Dishnicës: "...mos harro interesin e Partisë sonë, ajo duhet të jetë ashtu siç ka qenë: organizatorja dhe udhëheqësja e luftës nacional-çlirimtare dhe të mbetet e tillë e jo një fraksion në këtë luftë."*
*Enver Hoxha. Letër drejtuar Ymer Dishnicës, 6 gusht 1943. Vepra, vëll.1, f.334.
Kur u bë e qartë marrëveshja, Enver Hoxha e quajti atë "një kapitullim komplet përpara Ballit" dhe i shkruante Ymer Dishnicës: "Ti ke rënë kokë e këmbë në pozitat e Ballit...". Kjo marrëveshje që shkel kryekëput vijën tonë politike, dënohet nga Komiteti Qendror"*
*Enver Hoxha. Letër drejtuar Ymer Dishnicës, 6 gusht 1943. Vepra, vëll.1, f.340.
4-9 shtator 1943 u mblodh Konferenca II Nacional-Çlirimtare. Në konferencë u dënua zyrtarisht marrëveshja e Mukjes si një akt që cenonte parimet themelore të Konferencës së Pezës dhe ishte kundër interesave të luftës e të bashkimit të popullit shqiptar dhe u hodh parulla “Të njihen këshillat nacional-çlirimtare si i vetmi pushtet i popullit në Shqipëri”. Gjithashtu në Konferencë u vendos që të demaskohej politika e BK por ndërkohë të mbahej hapur mundësia për të bashkëpunuar me organizatën vetëm në bazë të platformës së Konferencës së Pezës.
Konferenca njohu organizatat e Bashkimit të Rinisë Antifashiste, të Bashkimit të Grave Antifashiste, të Bashkimit të Universitarëve Antifashistë si pjesë përbërëse të Fontit Nacional-Çlirimtar dhe porositi që t'u jepej atyre ndihmë e përkrahje sa më e madhe.
Duke mbështetur vendimet e Konferencës së Labinotit, Komiteti Qendror i PKSH i porosiste komitetet qarkore: "...ta paraqesim mirë në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar të vëllavrasjes, të bëjmë që populli ta shohë se politika e Ballit do të na shpjerë në përpjekje me armë, të bëjmë që populli i tëri të revoltohet për këtë gjë dhe kështu përgjegjësitë historike... të bien, siç është e vërteta,... mbi Ballin Kombëtar; të përgatitemi, të përgatisim të tërë ata të lëvizjes nacional-plirimtare, të përgatisim popullin për një përpjekje me Ballin; Balli po e përgatit këtë përpjekje dhe nuk duhet të na gjejë me duar lidhur..."*
Ditën e përfundimit të Konferencës erdhi në Shqipëri lajmi i kapitullimit të Italisë.
10 shtator 1943 forcat e ushtrisë gjermane hynë në Shqipëri dhe e pushtuan atë. Autoritet gjermane vunë në Shqipëri gjendje permanente shtetrrethimi dhe gjendje lufte.
1 tetor 1943, pas bërjes së marrëveshjes mes Ballit dhe gjermanëve për bashkëpunim, KQ i PKSH udhëzonte komitetet qarkore se "Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s'bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i Ballit Kombëtar."
5 nëntor 1943, KQ i PKSH i drejtonte Gjin Markut, komandantit të shtabit të qarkut të Beratit një letër në të cilën kritikohej për marrëveshjen e armëpushimit të përkohshëm me gjermanët në Berat dhe për lejimin e tyre që të hynin si civilë në qytet: "Mund të prisnim çdo gjë nga një komandë partizane, por për të ardhur në ujdi, qoftë edhe një minutë, me armikun më të madh të popullit tonë dhe të njerëzimit, këtë nuk na e merrte mendja kurrë... Sikur të gjithë ushtrinë tuaj ta humbisnit, sikur të gjithë punën e fruar ta rrezikonit, kurrën e kurrës nuk duhej të merreshit vesh me nazisët barbarë."
Kur Balli Kombëtar dhe Legaliteti filluan bashkëpunimin me gjermanët kundër FNÇ, misionet ushtarake britanike e amerikane as u larguan prej tyre as u prenë ndihmat. Komanda Aleate e Mesdheut filloi të ushtronte presion të madh mbi Shtabin e Përgjithshëm që të mos kryhej asnjë goditje kundër forcave reaksionare. Ajo kërkoi t'u njihej oficerëve britanikë e amerikanë roli i arbitrit në punët e brendshme të shqiptarëve.
PKSH e cilësoi ndërhyrjen britanike e amerikane një rrezik për fitoren e revolucionit dhe për pavarësinë kombëtare dhe mori një qëndrim të prerë kundër kësaj ndërhyrjeje. Nëpërmjet Shtabit të Përgjithshëm iu bë një paralajmërim i prerë misioneve aleatë për të hequr dorë nga përzierja në punët e brendshme politike e ushtarake të Shqipërisë dhe për të mos penguar zhvillimin e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve nazistë dhe shërbëtorëve të tyre. Të gjithë oficerët britanikë dhe amerikanë që do të vazhdonin të qëndronin pranë forcave reaksionare do të quheshin armiq.
3 nëntor 1943 KQ lëshoi një direktivë për komitetet qarkore në të cilën thuhej: "Misionet ushtarake aleate nuk duhen të përzihen në punët e brendshme, nuk duhet në asnjë mënyrë të merren si arbitër ndërmjet nesh dhe reaksionit. Në u pëlqeftë lufta jonë kundër reaksionit, mirë, ndryshe derën e kanë të hapur"
Çdo përfaqësues aleat që nuk respektonte parimin e mosndërhyrjes në punët e brendsme do të përcillej i shoqëruar në Shtabin e Përgjithshëm dhe pastaj do të dëbohej jashtë tokës shqiptare.
14 prill 1944 Komiteti Qendror i PKSH i dërgon një letër Hysni Kapos, i cili në atë kohë ishte komisar politik i Brigadës V Sulmuese, në të cilën e këshillon për rëndësinë që ka ruajtja e kuadrove kryesore politikë e ushtarakë për zgjerimin e LANÇ. Në letër jepen disa udhëra, të cilat ua ndalojnë kuadrove drejtues veprimet që rrezikojnë jetën e tyre vend e pa vend.
15 maj 1944 u mbajt në Helmës të Skraparit Plenumi I i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në të cilën u diskutua mbi rolin e Partisë Komuniste në organizimin dhe udhëheqjen e LANÇ.
Prill 1944 propozimi i KQ të PKSH për thirrjen e kongresit u diskutua dhe u pranua në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.
Në të njëjtën kohë Shtabi i Përgjithshëm, sipas direktivave të KQ, filloi hartimin e planit për shndërrimin e gjithë Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në ushtri të rregullt dhe të planit operativ-strategjik për çlirimin e mbarë tokës shqiptare nga nazistët gjermanë e kolaboracionistët.
Këto probleme të mëdha politike dhe ushtarake u morën në shqyrtim në mbledhjen e Plenumit të KQ të PKSH që u mbajt më 15 maj 1944 në Helmës të Skraparit. Plenumi pranoi vendimin e udhëheqjes së Komitetit Qendror dhe të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm për thirrjen e Kongresit Antifashist.
Për t'i dalë gjendjes përpara, duke pasur parasysh shfaqje pikëpamjesh jo të drejta që ishin dukur aty-këtu ose mund të dukeshin në të ardhmen në Parti, në Ushtri ose në Front, Plenumi tërhoqi vëmendjen në dy çështje të rëndësishme rreth vijë së PKSH. Ai paralajmëroi të mos bëhej asnjë ndryshim në parullat e PKSH, të ruhej deri në fund karakteri nacional-çlirimtar i luftës. U vu për detyrë të popullarizohej edhe më shumë PKSH si udhëheqëse, por gjithë drenda vijës së LANÇ. Komiteti Qendror e argumentoi këtë me faktin se etapa antifashiste, anti-imperialiste, demokratike e revolucionit nuk kishte mbaruar dhe nuk mund të mbaronte pa siguruar çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe demokratizimin e vendit. Nga ana tjetër, ai udhëzoi të luftohej çdo mendim se me mbarimin e luftës çdo merrte fund dhe se luftëtarët e UNÇSH me largimin e gjermanëve do të lëshonin armët dhe do të ktheheshin ëpër shtëpi. Plenumi kërkonte të bëhej e qartë mirë se populli shqiptar do t'i mbante armët në dorë edhe pas çlirimit të vendit për të siguruar liritë e plota, për të zhdukur çdo armik, pë të mbrojtur fitoret e arritura dhe për t'i zhvilluar ato më tej. Ai porositi PKSH të studionte me kujdes rrethanat e reja që do të krijoheshin, të parashikonte me kohë qëndrimet dhe masat e nevojshme.
Plenumi përjashtoi nga Komiteti Qendror Ymer Dishnicën për çështjen e Mukjes dhe Gjin Markun për çështjen e marrëveshjes në Berat.
Për shkak të rrethanave të luftës zgjedhjet e delegatëve të kongresit u bënë me votim të hapët. Në to morën pjesë edhe gratë, të cilat gëzonin për herë të parë në historinë evendit të drejtën e votës në zgjedhjet për pushtetin gjatë LANÇ. Për herë të parë përfaqësuesit nuk u zgjodhën në bazë të shkallës fisnore e të pasurisë, por në bazën të meritave.
24-28 maj 1944 u mbajt në qytezën e Përmetit Kongresi I Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë. Kongresi zgjodhi Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ) si trupin më të lartë legjislativ dhe ekzekutiv në Shqipëri, si përfaqësuesin e sovranitetit të populli dhe të shtetit shqiptar. Kongresi ngarkoi Këshillin të formonte Komitetin Antifashist Nacional-Çlirimtar me atributet e qeverisë së përkohshme. President i Komitetit u emëruar Sekretari i Përgjithshëm i PKSH, Enver Hoxha.
Kongresi i Përmetit mori këto vendime kryesore:
Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike popullore sipas vullnetit të popullit që sot e shpreh dolemnisht në KANÇ;
T’i ndalohet ish mbretit Zog kthimi në Shqipëri;
Të mos njihet asnjë qeveri tjetër që mund të krijohet brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit shqiptar;
Etj.
Këshilli Antifashist mori që në mbledhjen e parë një varg vendimesh, që u pranuan nga kongresi dhe që përbënin ligjet e para të shtetit shqiptar të "demokracisë popullore". Rëndësi të posaçme pati vendimi për të prishur të gjitha marrëveshjet politike dhe ekonomike që kishte lidhur qeveria e zogut me shtetet e huaja, si marrëveshje që vinin në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar. Këshilli krijoi një komision shtetëror të posaçëm për zbulimin dhe vërtetimin e kriminelëve të luftës dhe të krimeve të kryera nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët shqiptar.
Në kongres u vendos njësimi i komandës së lartë të UNÇSH dhe dhënia e gradave. Enver Hoxha u emërua Komandant i Përgjithshëm. Komanda e Përgjithshme shpalli formimin e Divizionit I Sulmues.
Kongresi nuk kërkoi ndihmën e asnjë fuqie të huaj për ndihmë në zgjidhjen e problemeve të vendosjen e fateve të Shqipërisë. Përkundrazi ai paralajmëroi fuqitë imperialiste se kishte kaluar përgjithmonë ajo kohë, kur Shqipëria përdorej si monedhë tregu dhe se populli shqiptar nuk lejonte më të bëheshin pazarllëqe në kurriz të tij. Kongresi dënoi botërisht orvatjet e aleatëve për t'u përzierë në punët e brendshme politike dhe ushtarake të Shqipërisë.
20-23 teor 1944 zhvilloi punimet në Berat mbledhja e dytë e Këshilit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Këshilli vendosi njëzëri shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike të Shqipërisë. Në programin e vet që u aprovua nga Mbledhja e Këshillit, Qeveria Demokratike zotohej se do të zbatonte me besnikëri vendimet e Kongresit të Përmetit. Ajo merrte përsipër të zhvillonte e të forconte më tej luftën për çlirimin e shpejtë e të plotë të Shqipërisë, të ruante pavarësinë e shtetit shqiptar, të forconte pushtetin e këshillave nacional-çlirimtare dhe të siguronte e të mbronte të drejtat e qytetarëve. Qeveria detyrohej të organizonte pas çlirimit të vendit zgjedhje demokratike për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të përcaktonte përfundimisht formën e regjimit dhe do të hartonte Kushtetutën e shtetit të ri shqiptar.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë. - Instituti i studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH.
Për Partinë. Vëll. 1 – Tiranë, 1985. Autor: Enver Hoxha
Epopeja e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - foto album
Materiali u përgatit nga Ardi Kule