Anëtarë të njësiteve guerile
Njësitet guerile, si formacionet e para të armatosura, u ngritën në fund të vitit 1941 dhe fillim të viti 1942 në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Kjo nuk ishte e rastit por lidhej me faktin që në fillim Partia Komuniste lidhjet më të forta i kishte në qytete. Njësitet e para u ngritën në Dhjetor të vitit 1941, kryesisht me komunistë. Në çdo celulë partie caktoheshin një ose dy komunistë me detyra ushtarake. Dalëngadalë në njësite u futën edhe të rinjtë komunistë dhe simpatizantët, të cilët kalonin disa prova për t’u pranuar si pjesëtarë të tyre. Fillimisht njësitet përbëheshin nga 5-6 veta. Në Tiranë, në fillim të vitit 1942 vepronin disa njësite, dhe pas riorganizimit, në qershor të po atij viti, u krijuan 7 njësite me mbi 40 veta. Në Vlorë në mars-prill të vitit 1942 u krijuan dy njësite guerile, i pari me 7 dhe i dyti me 8 veta. Në Korçë në prill të vitit 1942 u krijuan 3 njësite guerile. Në Shkodër nga vera e vitit 1942 u krijuan 4 njësite guerile, sipas lagjeve kryesore të qytetit. Në Elbasan në fillim njësitet guerile kishin mbi 20 veta, ndërsa në Durrës u krijua një njësit me 7 veta.
Në tremujorin e dytë e sidomos në të tretin e vitit 1942, ngritja e njësiteve guerile u shtri edhe në fshatrat rreth e rrotull qyteteve. Numri i njësiteve në fshatra ishte më i madh se ai i qyteteve. Një njësit gueril në fshat kishte 10-15 veta, kurse në qytet ky numër ishte më i kufizuar. Këto forma organizative vareshin nga kushtet e ndryshme në të cilat ndodhej qyteti dhe fshati. Në qytet sundonte përgjithësisht regjimi i egër ushtarak e policor. Aty ishin përqendruar forcat kryesore të ushtrisë, policisë, agjenturës fashiste, etj. Këto kushte bënin që njësiti gueril në qytet të formohej me pak luftëtarë të sprovuar, të cilët mund të bënin lëvizje të shpejta e të befasishme gjatë kryerjes së veprimeve luftarake. Njësitet guerile në qytetet kryesore të vendit ishin ngritur në mënyrë të tillë që mbulonin të gjithë sektorët e qyteteve.
Ndërtimi strukturor i njësiteve guerile i përgjigjej zhvillimit e ndryshimeve që sillte kryengritja në qytete. Nga fundi i vitit 1942, u vunë re disa dukuri përmirësimi strukturor të njësiteve guerile sipas detyrave që ato zgjidhnin. Kështu, në disa qytete si në Tiranë, Korçë, Durrës, etj, pati një llloj specializimi: njësite sulmuese, sabotazhi, transporti, informimi, etj. Një përmirësim të ndjeshëm e në forma të plota organizative morën njësitet guerile të Tiranës.
Në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 1943 njësitet guerile të Tiranës morën formën e një reparti ushtarak të madh me një komandë të vetme që vepronte në të gjithë Tiranën. Ato ishin ndarë në 4 grupe të mëdha dhe në disa nëngrupe dhe arrinin 600 veta. Çdo grup kishte detyrat e tij luftarake, objektet që do të sulmonte, rrugët që patrullonte, tradhtarët që do të arrestoheshin e do të ndëshkoheshin. Të gjitha grupet qëndronin në gatishmëri në rast të një sulmi të forcave të UNÇSH në kryeqytet. Ato i kishin të ndara zonat e veprimit.
Njësitet guerile përbëheshin nga njerëz të thjeshtë, të cilët i ishin përkushtuar luftës pa asnjë rezervë. Guerilasit zotëronin cilësitë më të mira moralo-politike, besnikërinë, trimërinë, dashurinë për atdheun, gatishmërinë për të dhënë jetën. Për zgjedhjen e anëtarëve të njësiteve guerile, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste orientonte: “...Njerëzit që pranojnë luftën mblidhen në një konferencë të veçantë dhe u shpjegohen mënyrat e veprimit. Përjashtohen prej njësiteve guerile kusarët profesionistë, alkoolistët dhe kumarxhinjtë, imoralët, gënjeshtarët dhe frikacakët”*. Në njësitet guerile u futën shumë anëtarë të partisë komuniste. Një ndihmesë të rëndësishme në veprimtarinë e tyre dhanë gratë dhe të rejat shqiptare.
* AQP, Fondi 14, dosja 121, viti 1942.
Parimi i bindjes dhe i vullnetarizmit për Luftën Nacionalçlirimtare ishte kriteri parësor për pranimin në njësitet guerile. Çdo anëtar i celulës së Partisë Komuniste grumbullonte rreth vetes veprimtarë të grupit edukativ, simpatizantë të Partisë, të luftës, etj. Organizatat e Rinisë Komuniste u bënë burimi krysor për shtimin e radhëve të guerilasve.
Partia Komuniste udhëzonte që çdo anëtar i njësitit të siguronte pushkë dhe revolver, të pajisej me bajoneta ose me thika, me bomba dore dhe materiale të tjera si dinamit, fitil, bomba të përgatitura vetë dhe lëndë plasëse. Armatosja e guerilasve u bë kryesisht gjatë aksioneve për rrëmbimin e armëve. Armatimi fillimisht ishte i modelve të vjertra.* Më vonë, nëpërmjet aksioneve, dalëngadalë u siguruan armë të kohës.
* Revolverë dhe pistoleta italiane “Glizenti” model 1889 e 1910, austrohungareze “Gustave Gasser”, “Steyr”, e “Roth - Steyr”, të modeleve 1889, 1907 e 1912, revolver francez i modelit 1892, “Nagant” belg i modelit 1889 e shumë lloje të tjera.
Sasia e armëve dhe e municioneve të grumbulluara fillimisht nuk ishte e pakët. Kështu, për shembull, në pranverën e vitit 1942, në dy baza guerile të Tiranës qenë grumbulluar: 1 mitraloz çek, 3 mitralozë të lehtë, 15 pushkë, 112 bomba dore, një sasi e madhe municioni për pushkë e pistoleta e material tjetër. Nevoja e luftës, zgjerimi i saj kërkonin përmirësimin e armatimeve të guerileve, sidomos me armë automatike. Më 1 gusht të vitit 1943, udhëheqja e Partisë Komuniste udhëzonte qarkorin e Partisë të Tiranës: “Të organizohen dhe të forcohen njësitet guerile të qytetit. Ato të bëhen me të vërtetë një ushtri e fortë dhe e përgatitur për luftën e qytetit. Këto njësite të armatosen me pushkë dhe me bomba. Kemi parasysh që këto t’i armatosim edhe me armë automatike.”* Sipas këtyre udhëzimeve, në shtator të vitit 1943 njësitet guerile të Tiranës, veç revolverëve e bombave të dorës, kishin edhe 120 pushkë automatike, 16 mitralozë të lehtë, 2 mitralozë të rëndë dhe municion të mjaftueshëm.
* Enver Hoxha “Vepra”, vëll.1, Tiranë, 1983, f.412.
Bashkë me armatimet e municionet e grumbulluara, njësitet guerile përgatitnin dhe vetë lloje të ndryshme minash, të cilat i përdornin gjatë aksioneve.
Drejtimi i veprimtarisë së njësive guerile bëhej i përqendruar nga Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste dhe nga komitetet e Partisë të qarqeve. Kjo ishte garanci që që lufta guerile të mos shmangej nga objektivat e veta politike, për të shmangur prirjet anarkiste e terroriste dhe për të futur në gjak rregullin dhe disiplinën.
Me organizimin e drejtimin e luftës guerile në Tiranë është marrë edhe Enver Hoxha. “Së bashkë me Vojon (Vojo Kushi), - shkruan Hoxha, - kam qëndruar në baza të ndryshme, deri natën vonë dhe, duke pasur përpara një plan të Tiranës, që shokët ua kishin rrëmbyer italianëve nga zyrat, hartonim planet e aksioneve, caktonim mënyrat e gjurmimit, të hetimeve, rrugët e tërheqjes, bazat ku do të fshiheshin shokët dhe materialet dë do t’i rrëmbeheshin armikut”*
Enver Hoxha “Mes njerëzve të thjeshtë” (kujtime), Tiranë, 1984, f.59.
Në qarqe të tjera të vendit me drejtimin e njësiteve guerile merrej sekretari politik i komiteti të Partisë Komuniste të qarkut. Nga ana ushtarake, drejtpërdrejtë njësitet guerile i drejtonte përgjegjësi ushtarak, njëri nga anëtarët e qarkorit.
Komiteti qarkor i PKSH përcaktonte objektet krysore të aksioneve në shkallë kombëtare dhe disa aksione të pjesshme, të cilat kishin rëndësi politike, si atentatet kundër kolaboracionistëve shqiptarë që i kishin sjellë dëme të ndjeshme Luftës dhe PKSH. Këto aksione bashkërendoheshin nga Komiteti Qëndror i PKSH nëpërmjet të deleguarve të tij. Një bashkërendim i përsorur u realizua në aksionin e 24 korrikut të vitit 1942.
Komitetet e Partisë Komuniste të qarqeve përcaktonin objektin e aksioneve dhe nëpërmjet komandatëve të njësiteve guerile mblidhnin informata për njohjen e vendit, të objektit, etj. Përgjegjësi ushtarak ishte i pranishëm në përpunimin e planeve të aksioneve, në marrjen dhe zbatimin e vendimit.
Rritja e njësive guerile, shtrirja dhe dendësimi i aksioneve të tyre në gjithë vendin, diktuan përsosjen e drejtimit ushtarak. Nga fundi i vitit 1942 dhe 6 mujori i parë i vitit 1943 morën trajtë të plotë organizmat të veçantë ushtarakë pranë komiteteve qarkore. Në Tiranë, në Korçë, në Shkodër, në Durrës, etj, këto u quajtën komanda të njësiteve guerile, në të cilat bënin pjesë përgjegjësit e njësiteve guerile. Ato merreshin me përpunimin e zbatimin e planeve të aksioneve. Drejtimi i aksionit bëhej nga komandantët e njësiteve guerile. Komandantët u vunë edhe individë që nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste, punëtorë, fshatarë të varfër dhe të rinj komunistë, besnikë dhe me aftësi organizative. Ata njihnin mirë gjendjen e anëtarëve dhe në përputhje me aftësitë, u caktonin atyre detyrat. Arti i drejtimit ushtarak ishte problem jo i lehtë.
Veprimet e njësiteve guerile kushtëzoheshin nga organizimi i zbulimit dhe konspiracioni. Shërbimi i fshehtë informativ i shtrirë në gjithë vendin e kishte bazën tek popullsia lokale. Nëpërmjet njerëzve të ndershëm e atdhetarë që punonin në administratën fashiste u bë e mundur të depërtohej deri në zyrat e shërbimit sekret të autoritetit pushtues italian, duke siguruar të dhëna të vlefshme për përpunimi dhe zbatimin me sukses të planeve të aksioneve. Të dhënat e grumbulluara nëpërmjet shërbimit informativ ishin nga më të ndryshmet. Në fazën e parë të luftës u siguruan të dhëna për lëvizjet dhe operacionet që organizonin armiqtë si në qytetet edhe kundër forcave partizane. Me rritjen e luftës u shtuan edhe detyrat e shërbimit informativ. Krahas shërbimit të veçantë informativ që organizonin e drejtonin drejtpërsëdrejti Qarkorët e Partisë, anëtarët e njësiteve guerile kishin për detyrë të zbulonin depot e benzinës, të municionit, të ushqimit, numrin e ushtarëve, të policëve, të xhandarëve, shtëpitë e spiunëve më të rrezikshëm, etj, për të cilat njoftonin drejtuesit e njësiteve guerila.
Konspiracioni u bë mjet i fuqishëm për të siguruar suksesin e aksioneve dhe për të mbrojtur nga goditjet e befasishme të armikut. Numrin e njësiteve e dinte vetëm qarkori i Partisë, ndërsa pjesëtarët, vetëm sekretari politik dhe përgjegjësi ushtarak. Anëtarët e njësitit njihnin vetëm njëri-tjetrin, por jo anëtarët e njësiteve të tjera. “Mbasi lufta guerile është një luftë e fshehtë, - udhëzonte KQ i PKSH, - duhet që njësiti të ketë konspiracion të madh. Gjithçka që bëjnë, gjithçka që vendoset duhet ta dijnë vetëm anëtarët e njësitit. Mbasi kanë kryer aksionin nuk duhet të kallëzojnë asgjë, të mos kallëzojnë anëtarët e gueriljes, të mos kallëzojnë bazën e materialin që kanë. Drejtuesit nuk duhet t’u kallëzojnë anëtarëve para por vetëm në kohën që do të kryhet aksioni.”* Aksionet i miratonte komiteti Qarkor. Ideja dhe qëllim i i aksionit u thuhej anëtarëve të njësitit pak kohë para kryerjes së tij. Zbatimi me rreptësi i këtij parimi bëri të mundur që të ruhej gjithmonë befasia e goditjeve të njësiteve guerile, por edhe shmangia e kundërgoditjeve të vazhdueshme që bënin autoritete pushtuese.
Në prill të vitit 1942, si rrjedhojë e shkeljes së rregullave të konspiracionit, në Tiranë u rrezikuan jo vetëm njësitet guerile, por edhe vetë udhëheqja e Partisë Komuniste. Në këtë gjendje tepër të rëndë e të rrezikshme, vendimtare ishte aksioni për t'i shpëtuar goditjes asgjësuese të armikut. Brenda një nate u njoftuan të gjithë komunistët dhe guerilasit të ndryshonin vendqëndrimin. U ndryshuan bazat guerile, parullat, pseudonimet. Këto masa të menjëhershme bënë të mundur që, përveç pjesëtarëve që u zunë në valën e parë të arrestimeve, të tjerët të shpëtonin.
Taktika e njësiteve guerile u përpunua në varësi të detyrave që shtroheshin, përbërjes së njësiteve, mjeteve në dispozicion, natyrës së aksioneve, si dhe metodat që përdorte armiku. Detyrat kryesore të njësiteve guerile ishin: asgjësimi i elementëve armiq më të rrezikshëm, si hierarkë të mëdhenj, spiunë, etj.; rrëmbimi i mjeteve propagandistike, i armëve, municioneve, materialeve të veshmbathjes, i ushqimeve, etj.; çarmatosja e ushtarëve, karabinierëve e milicëve; djegia dhe shkatërrimi i depove; prerja sistematike e vijave telegrafike; shpërndarja e trakteve dhe sabotimi i agjitacionit dhe propagandës fashiste; lirimi i të burgosurve politikë; organizimi dhe mbështetja e dezertimeve nga radhët e ushtrisë së armikut; mbrojtja e bazave ku zhvilloheshin mbledhjet e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste ose të Komiteteve qarkore.
Lufta guerile shtronte domosdoshmërinë e krijimit të bazave ilegale, të cilat shërbenin për veprimtari drejtuese dhe organizuese, për shtypin ilegal dhe për veprimtarinë propagandistike, për depozitimin e armatimit e të materialeve të ndryshme, për mjekimin e luftëtarëve, si vendqëndrim pë guerilasit dhe baza nisjeje për aksionet e tyre, etj. Karakteristikat e ndërtimeve të qyteteve tona krijonin parakushte të mira për krijimin e bazave ilegale e për luftë guerile: shtëpitë e ulëta afër njëra-tjetrës, muret rrethuese, kopshtet e rrugicat e ngushta, kthesat e dendura në largësi të vogla 30-50 m, etj, pengonin lëvizshmërinë e forcave e të mjeteve dhe veprimet e shpejta të armikut dhe u jepnin mundësi guerilasve që të largoheshin e të fshiheshin pas aksioneve (skema nr. 3).
Komiteti Qendror i PKSH udhëzonte: “Bazat e guerileve duhet të vendosen në vende të afërme, ku jetojnë anëtarët e njësitit…”* Sipas kësaj ideje, bazat ilegale u ngritën kryesisht në rrethina të qyteteve. Por ato u ngritën edhe në qendër të qyteteve, ku u zhvilluan veprimtari të rëndësishme. Brenda një kohe të shkurtër numri i bazave u shtua. Kështu, gjatë viteve 1942-1943, në qytetin e Korçës kishte rreth 150 të tilla, në qarkun e Vlorës rreth 300, etj. Ato ishin një tregues i shtrirjes dhe i zgjerimit të luftës së armatosur. Gjatë aksioneve, në baza u kthyen edhe shumë shtëpi të thjeshta të popullit, të cilat u hapnin portat guerilasve për t’u shpëtuar ndjekjeve të armikut. Çdo njësit gueril kishte baza ilegale në sektorin e veprimit të tij, kurse drejtuesit njihnin edhe disa baza rezervë. “Ne vumë si rregull - shkruan Enver Hoxha, - që sekretarët e celulave dhe udhëheqësit e grupeve të aksioneve të armatosura, përpara çdo aksioni, të dinin një numër të caktuar bazash në afërsi të vendit ku do të vepronin, në mënyrë që, në rast rreziku, të mund të fshiheshin ose të vendonin të plagosurit, po të kishte.”**
* “PPSH, dokumente kryesore”, vëll.1, bot.2, Tiranë, 1971, f.78-79.
** Enver Hoxha, “Mes njerëzve të thjeshtë”, Tiranë, 1984, f.52-53.
Në veprimtarinë luftarake të njësiteve guerile më karakteristike kanë qenë atentatet, sabotazhet, rrëmbimi i materialeve. Atentatet kishin rëndësi të veçantë politike dhe i përmbaheshin orientimit të PKSH që të asgjësonin elementët më të rrezikshëm, veprimtaria e të cilëve ishte bërë e problem serioz për qytetarët. Sinjalin e atentateve politike pas krijimit të PKSH e dha Kajo Karafili në Tiranë me ekzekutimin e B. Kazazit më 28 Dhjetor të vitit 1944, i cilësuar nga PKSH si spiun. Atentate të guximshme u kryen në Vlorë e në Tiranë në janar të vitit 1942 për asgjësimin e dy individëve të cilësuar armiq, autorë të terrorit të 8 Nëntorit të vitit 1941, në Korçë. Po kështu atentate u bënë në qytetet Korçë, Shkodër, Elbasan, Durrës, etj. Brenda 5 muajve në Tiranë u kryen 6 atentate kundër personave me funksione në administratën fashiste. Katër prej tyre dhanë përfundime të suksesshme. Vetëm në dy raste nuk u arrit dot asgjësimi i personit të shënjestruar. Atentatet bëheshin shpesh në çastin kur personat e shënjestruar dilnin nga shtëpitë, nga zyrat, nga lokalet publike. Megjithëse ato shpesh herë bëheshin në qendër të qyteteve, ku rreziku ishte më i madh, atentatorët shënonin me sukses dhe humbisnin gjurmët. Përvoja tregoi se atentatet e kryera në largësi dhe nga një atentator nuk kishin siguri. Kjo çoi në çiftimin e atentatorëve dhe në kryerjen e atentateve në afërsi të objektit. Për kryerjen e atentateve njësitet guerile krijonin grupet e sulmit dhe të mbështejtjes, të cilët ndërlidheshin me sinjale.
Pavarësisht nga variantet e ndryshme që u zhvilluan, atentatet pak a shumë kryheshin në këtë mënyrë: me t’u dhënë shenja, grupi i sulmit kryente aksionin, ndërsa ai i mbështetjes qëndronte në gatishmëri dhe përgatiste gjendjen për të çorientuar autoritetet. Për mashtrimin e armikut caktoheshin që më parë simpatizantë, që duhej të ndodheshin në mes të njerëzve në çastin e atentatit. Në taktikën guerile gjatë vitit 1943 zënë vend edhe metodat për kapjen gjallë të shënjestrës, për të siguruar informata të rëndësishme. Kjo metodë paraqiste vështirësi të ndryshme, sepse kërkonte më shumë përgatitje, njerëz, mjete e mjeshtëri dhe fshehtësi të madhe.
Në vargun e detyrave të njësiteve guerile aksionet e sabotimit zinin vend të rëndësishëm. Objekti i tyre u bënë depot e ushtrisë italiane. Ndër aksionet shquhet ai i djegies së depove në Labinot-Fushë, i depos së municionit në Mavrovë, ku shpërthyen më shumë se 6000 predha, etj. Kryerja e sabotimeve shtronte disa probleme si: mënyrat e metodat e afrimit dhe të hyrjes në objekte; përgatitjen e përdorimin e lëndëve plasëse, përgatitjen e përdorimin e mjeteve zjarrvënëse, gjetjen dhe përdorimin e lëndëve djegëse dhe mjeteve për hapjen e shtigjeve, etj. Në disa raste lëndët djegëse u përdorën së bashku me lëndë plasëse, me qëllim që armiku të mos mund të ndërhynte menjëherë për shuarjen e zjarreve. Me guerilasit bëheshin stërvitje të veçanta për t’i njohur e përdorur këto mjete. Për kryerjen e sabotimeve vepronin dy grupe; ai i sulmit dhe ai i mbështetjes. Një pjesë e grupit të sulmit hapte shtegun, pjesa tjetër me fshehtësi i afrohej objektit për të kryer sabotimin. Në aksionin për shkatërrimin e projektorit të fushës së aviacionit në Tiranë (shtator 1942), njësiti gueril, i drejtuar nga Vojo Kushi, mënjanoi zhurmën e zileve nëpër tela, i preu ato, u afrua me zvarritje dhe kreu aksionin me sukses.
Në aksionet për rrëmbimin e materialeve përdoreshin pothuajse të njëjtat metoda. Veçori e tyre është mënyra e transportimit, e cila bëhej kryesisht me krahë. Në raste të veçanta u përdorën karrocat, biçikletat, motoçikletat dhe makinat. Kështu, në mars të vitit 1942 njësiti gueril i Durrësit kreu aksionin në depon e dinamitit në Rrashbull. Ai u krye natën, në befasi të plotë, sepse vetë pozicioni i depos ishte i rrezikshëm. Ajo qe e rrethuar nga tri anë me ujë. E vetmja rrugë komunikimi qe ajo automobilistike, që mund të bllokohej me lehtësi nga armiku. Njësiti mbërriti te depoja me dy vetura. Ndërkohë një guerilas u paraqit si inxhinier, por roja kundërshtoi. Atëherë njësiti ndërhyri dhe roja u paaftësua. Brenda një kohe të shkurtër u ngarkuan 21 arka me barut, lëndë plasëse e fitila. Sasitë e mëdha të materialeve që i rrëmbeheshin armikut shpërndaheshin në disa baza. Disa herë materialet transportoheshin me kafshë jashtë qytetit, në pika të ndërmjetme, dhe prej andej në baza partizane, në fshatra. Në çdo qytet u krijuan disa pika të tilla.
Në veprimtarinë e njësiteve guerile u plotësuan edhe detyra për të siguruar bazat ku zhvilloheshin konferenca e mbledhje të ndryshme të Partisë Komuniste. Për këtë merreshin masa ruajtjeje dhe vëzhgimi. Kështu, për të ruajtur bazën ku u zhvilluan Konsulta e Parë e Aktivit të PKSH, u organizua mbrojtja e afërt dhe e largët. Njësitet guerile kishin detyrë jo vetëm të zbulonin armikun por edhe ta pengonin atë. Kjo u jepte mundësi pjesëmarrësve në mbledhje të largoheshin. Por në rast ndeshjeje me armikun ata ishin të përgatitur të çanin vetë, qoftë edhe duke përdorur armët. Në sajë të masave të forta të sigurimi që u morën, në të gjitha mbledhjet e rëndësishme të organeve të Partisë, nuk ndodhi asnjë incident.
Në disa raste guerilasit zhvilluan veprime luftarake edhe gjatë tërheqjes pas aksioneve, kur ndesheshin papritur me armikun. Të tilla ishin luftime në rrethinat e Tiranës (gusht-shtator 1942), etj. Në këto raste luftimet zgjatnin aq kohë sa njësiti të largohej pa u dëmtuar; tërheqja bëhej duke mbuluar njëri-tjetrin.
Gjatë vitit 1942 hasim edhe në disa raste të një natyre tjetër, kur njësitet guerile janë rrethuar nga forcat e armikut dhe kanë mundur të çajnë rrethimin. Të tilla ngjarje kanë ndodhur në Tiranë, në Shkodër, në Elbasan, në Vlorë, etj. Në këto raste bazat ilegale, janë rrethuar me pak forca nga armiku, deri togë karabinierie. Për çarjen e rrethimit guerilasit kanë vepruar me guxim e vendosmëri por edhe me zgjuarsi. Ata kanë shfrytëzuar daljet e fshehta të bazave e ndërkohë kanë mashtruar armikun duke bërë zjarr demonstrativ në drejtim të kundërt të daljes së rrethimit. Por në Shkodër, në një rast guerilasit dolën nga dera kryesore e bazës, duke sulmuar furishëm me bomba dore e duke i futur frikën forcave rrethuese. Në këto çaste vendimtare ishin dhe ndikuan së tepërmi gjakftohtësia dhe shpejtësia për të dalë nga rrethimi.
Guerilasit luftuan edhe në rrethim, siç qe rasti i Qemal Stafës në Tiranë (maj 1942) i Branko Kadisë, Perlat Rexhepit dhe Jordan Misjës në Shkodër (qershor 1942), Vojo Kushit, Sadik Stavilecit dhe Xhoxhi Martinit në Tiranë (tetor 1942), dhe i Hajredin Bylyshit, Mumin Selamit, Bajram Tushës dhe Hiqmet Buzit në Vlorë (tetor 1942). Në këto luftime armiku, duke shfrytëzuar befasinë, vendosi rrethimin e plotë, me dy-tri vija, me forca e mjete të shumta. Megjithëse në kushte shumë të rënda e me raport forcash 1:150-200, guerilasit zhvilluan veprime të shumta për të çarë rrethimin, deri në fishekun e fundit.
Zgjerimi dhe përmasat që kishte marrë lufta guerile dhe jehona e saj tek qytetarët, i detyroi pushtuesit të përsosnin më tej format e metodat e luftës kundërguerile. U shtuan kontrollet e befasishme dhe bastisjet. Masa më të format u morën sidomos në Tiranë, ku ishte udhëheqja krysore e Luftës. Që në shkurt të vitit 1942, u shtuan njësi të gatshme. Në gush-shtator Tirana u nda në dy sektorë, ku bënin patrullim makina me mitralozë dhe agjentë të policisë. Fashistët italianë u dhanë rëndësi edhe operacioneve policore natën. Fillimisht ato ishin të kufizuara dhe kryheshin duke bllokuar disa shtëpi ose lagje. Por nga fillimi i vitit 1943 këto operacion u zgjeruan dhe u bashkërenduan me veprimet e ushtrisë. Ato filluan t’i bënin njëkohësisht në disa qytete të Shqipërisë dhe kohëzgjatja e tyre u rrit. Në mars të vitit 1943 në qytetin e Korçës, për gati një javë rresht, trupa të zgjedhura të divizionit “Areco” (Arezzo), në bashkëveprim me forcat e grupit të karabinierisë, e bllokuan plotësisht qytetin, duke bërë kontrolle e bastisje masive. Veç operacioneve ndëshkimore e të pastrimit, armiku mori edhe masa ruajtjeje e mbrojtjeje për të përballuar sulmet e pandërprera të njësiteve guerile.
Në veprimtarinë e njësiteve guerile karakteristikë ka qenë konspiracioni para aksioneve dhe ruajtja e befasisë gjatë gjithë kohës së aksionit. Ajo u arrit jo vetëm me aksionet e vogla, e në një qytet, por edhe në shkallë kombëtare, siç ishte aksioni i 24 korrikut të vitit 1942 kur në të njëjtën kohë, në të gjithë vendin u prenë linjat telefonike. Më lehtë befasia arrihej natën. Veprimet natën zënë më se 90% të aksioneve. Kështu, p.sh. atentatet zakonisht kryheshin në mbrëmje (nga ora 18 deri 21), sepse në këtë kohë shfrytëzohej më mirë errësisa dhe lëvizja e elementëve armiq. Nëdrsa për sabotimet dhe rrëmbimet e materialeve koha më e përshtatshme ishte mesanata. Aksionet natën paraqitnin edhe vështirësi për mbajtjen e lidhjeve me njëri-tjetrin, për mënjanimin e zhurmave, etj. Prandaj, komandantët e njësiteve guerile i dhanë përparësi njohjes së hollësishme të vendit të aksionit, përpunimit të sinjaleve dëgjimore e pamore, etj.
Për ruajtjen e befasisë ndihmuan edhe veprimet si prerja e linjave telefonike që lidheshin me objektin e sulmit, asgjësimin ose paaftësimi i rojave, shfrytëzimi i vetive maskuese dhe errësimi i vendit të aksionit, etj. Guerilasit i kryenin aksionet edhe ditën, sepse rritnin moralin e popullit, tregonin forcën, vendosmërinë dhe zgjerimin e luftës guerile, si dhe tronditnin më tepër armikun. Për realizimin e befasisë u përdorën mjete të ndryshme maskimi, si veshje sipas shtresave e klasave të armikut, letërnjoftime e dokumente të rreme, grimi, etj. Mjeshtër të maskimit, që lanë gjurmë në veprimtarinë e njësiteve guerile ishin Vasil Shanto, Kajo Karafili, etj.
Suksesi në aksion mund të arrihej vetëm nëpërmjet gjakftohtësisë, shpejtësisë, guximit e shkathtësisë. Për atentatorët që asgjësuan kuestorin e Korçës në mars të vitit 1942, dokumentet italiane pohojnë se ai që kish kryer vrasjen “ishte i stërvitur, me gjak të ftohtë dhe shumë i zoti në përdorimin e armës.”* Djegia e centralit telefonit në Tiranë më 12 gusht të vitit 1942 u krye brenda 4 minutave. Ndërsa në aksionet për rrëmbimin e materialeve shpejtësia vendoste, sidomos tërheqjen e fshehtë dhe të menjëhershme të tyre.
* AQSHm, Fondi 617, dosja 62, fleta 5, datë15/3/1942
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.
Epopeja e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - foto album