Më 16 tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, të gjitha batalionet territoriale që vepronin në qarkun e Korçës - “Fuat Babani”, Reshit Çollaku”, “Skënder Çaçi”, “Tomorri” dhe “Hakmarrje”, - u inkuadruan në Brigadën IX Sulmuese, Inaugurimi i kësaj brigade u bë në katundin Lozhan.
Qysh në fillim brigada kishte një efektiv prej 1582 partizanësh të sprovuar dhe ish plotësuar me kuadro, armë e municione. Komandant u caktua Irakli Bozo dhe komisar Mihallaq Ziçishti, zv/komisar Petro Papi, përgjegjës i rinisë Meleq Babani, intendent Vangjel Marko. Kuadrot dhe partizanët kishin eksperiencë në luftime. 80% e partizanëve ishin nën moshën 25 vjeç.
Si zonë veprimi Brigada IX kishte Ersekën, Korçën dhe Bilishtin, në bashkërendim e bashkëveprim me Brigadën e II Sulmuese, me dy batalione të Brigadës XX Sulmuese dhe me 1000 forca të njësiteve. Për drejtimin e këtyre forcave me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm u ngarkua shtabi provizor i këtij qarku, i cili do të merrej me koordinimin e drejtimin e luftimeve. Shtabi përbëhej nga: komandant Beqir Balluku, komisar Vasil Konomi, zv/komandant Irakli Bozo, zv/komisar Petro Papi etj.
Forcat armike të Korparmatës së XXI Gjermane, kishin dislokuar Divizionin 104 në qarkun e Korçës; një regjiment të mekanizuar në Ersekë; një në Bilisht dhe një në Korçë. Në Korçë ushtria naziste kishte dhe Brigadën 869 të këmbësorisë me rreth 1000 vetë. Këtë formacion, armiku e përdorte për operacione ndëshkimore në zonat e thella të qarkut. Veç forcave të dislokuara, sipas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, ishin dhe 18-20 mijë forca të Armatës së XXII Gjermane që tërhiqeshin nga Janina-Leskoviku-Korça. Në ndihmë të nazistëve gjermanë ishin edhe 600-700 ballistë. Efektivi i të gjithë forcave partizane që drejtonte Shtabi Provizor ishte jo më shumë se 4100 vetë.
Batalionet e saj më 19 tetor morën në dorëzim sektorët dhe filluan menjëherë nga veprimet luftarake. Më 21 teori goditën autokolonat e nazistëve gjermanë në Qarr, përqendrimet e tyre në Dvoran, postbllokun e qytetit të Korçës nga ana e Pogradecit, etj.
Më 22 tetor forcat e batalionit 1 përsëritën goditjet e tyre kundër postbllokut nga ana e Pogradecit. Më 23 tetor batalioni 1 arriti pranë shtabit operativ, që ishte formuar për të drejtuar luftimet për çlirimin e Korçës, për t’u vënë në dispozicion të tij. Sipas detyrës, batalioni 2 sulmoi qytetin nga ana e Ravonikut (nga postblloku i rrugës së Boboshticës deri në atë të Turanit). Batalioni 3 vazhdoi rrugën për të arritur objektivin që i ishte caktuar nga komanda e brigadës.
Më 24 tetor forcat e batalionit 4 të brigadës prenë rrugën Korçë-Bilisht te gryka e Cangonjit dhe sulmuan forcat armike që ndodheshin në qytet nga ana e Dishnicës. Batalioni 2 filloi goditjet kundër postblloqeve dhe në mbrëmmje sulmoi qytetin nga ana e Ravonikut. Batalioni 3 arriti në objektivin e tij dhe ndau forcat për të sulmuar Bilishtin dhe për të prerë rrugën Bilisht-kufiri me Greqinë. Forcat e batalionit 3 hapën zjarr kundër gjemanëve që ndodheshin në Bilisht. Luftime në Bilisht vazhduan të ashpra. Gjermanët u përqendruan vetëm në disa fortifikata, ndërsa në Bilisht hynë forcat partizane. Në këtë kohë batalioni 4 po këtë ditë sulmoi Korçën nga ana e Turanit në rrugën e Pogradecit. Pas luftimesh të ashpra, bashkë me forcat e tjera operative, hyri në qytet.
Më 29 tetor forcat e batalioni 3 të brigadës goditën gjermanët që ishin grumbulluar në rrugën e Follorinës. Në mbrëmjen e kësaj dite partizanët rrethuan katundin Drenovë në kufirin me Greqinë. Pas një përpjekje të shkurtër, partizanët u futën në katund. Në fillim gjermanët nuk kundërvepruan, pasi kishin qëllim t’u merrnin krahët forcave partizane dhe t’i asgjësonin. Lufta u ndez e ashpër ndërmjet një pjese të partizanëve që ruante krahët dhe gjermanëve, që kërkuan të bënin rrethimin. Pas dy orë luftimesh, partizanët u tërhoqën duke lënë të vrarë partizanin Xhevat Poloska, i cili ra në përpjekje për të kapur mitralozin gjerman që pengonte lëvizjen e partizanëve. Armiku pati humbje, në të vrarë e të plagosur, sidomos në në krahun nga sulmoi për t’i rrethuar forcat partizane.*
Me tërheqjen e trupave gjermane nga qarku i Korçës, mori fund edhe historia e luftimeve të kësj brigade të re të UNÇSH. Pas çlirimit të Ersekës, Korçës dhe Bilishtit, Brigadës së 9-të, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare iu ngarkua detyra shumë e rëndësishme e ruajtjes së Kufirit: Bilisht - Ersekë - Leskovik. Kështu Brigada e 9-të partizane mund të quhet edhe reparti i parë kufitar i Qarkut të Korçës.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, fondi i Brigadës IX.
Brigada X Sulmuese u formua në katundin Karbunarë të Lushnjës më 6 nëntor të vitit 1944. Partizanët që mbushën radhët e saj ishin të batalioneve që vareshin nga shtabi i qarkut të Beratit, si dhe vullnetarë nga krahina e po këtij qarku. Komandant u caktua Niazi Çepani dhe Komisar Mane Nishova.
Menjëherë pas organizimit të saj, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, forcat partizane të brigadës u vunë në lëvizje për të dalë në rajonin e Pezës, me detyrë të merrnin kontakt me forcat armike që ishin dislokuar në rrethin e Tiranës dhe të Shijakut. Forcat e brigadës e kaluan lumin Shkumbin më 8 nëntor. Një batalion që ishte caktuar për ruajtjen e rrugës në afërsi të Peqinit, goditi një autokolonë fashite gjermane të përbërë nga 70 mjete transporti, 10 tanke e autoblinda dhe, pas tri orë luftimesh e detyroi të kthehesh pas.
Më 11 nëntor, një pjesë e forcave të brigadës u vendos në pozicione luftimi gjatë rrugës Yzberisht - Kashar - Gjokas - Vorë - Marikaj - Vlash. Nga këto pozicione, prej datave 11 deri 13 nëntor, ajo zhvilloi luftime të ashpra kundër forcave gjermano-balliste, duke u shkaktuar humbje të rënda.*
Më 14 nëntor forcat partizane të batalionit 3 dhe 4 zhvilluan në afërsi të Kasharit luftime me një autokolonë gjermane të përbër nga 100 automjete.
Më 15 nëntot forcat partizane të batalionit 2 të kësaj brigade, që vepronin në sektorin e Shijakut, sulmuan qytetin dhe, pas 24 orë luftimesh të ashpra dhe të përgjakshme kundër garnizonit armik, e çliruan** Por luftimet më të ashpra me armikun brigada i zhvilloi në Vorë. Orvajtjet e tij për t’u vënë zjarr depoeve me municion, nuk patën sukses. Sulmi i partizanëve ishte i rrufeshëm, kështu që armikut jo vetëm iu shkaktuan dëme, po iu zu edhe material i shumtë lutarak. Midis materialit të zënë kishte topa, mitralozë, mjete transporti, motoçikleta, etj.***
Pas largimit të gjermanëve, Brigada X Sulmuese partizane, vazhdoi luftimet për spastrimin e zonës nga forcat ballisto-zogiste të Abaz Kupit, të vendosura në Prezë – Bërxull, të komanduara nga Musa Picari dhe pas disa orë luftimesh të 200 ballisto-zogistët, u detyruan të dorëzoheshin. Veç materialeve këtu u kapën dhe shtatë robër ballistë dhe dy gjermanë të fshehur në këto fshatra.
Pas këtyre veprimeve, Brigada X parakaloi në Tiranën e çliruar më 29 nëntor 1944.
Më 20 dhjetor 1944, Brigada X Sulmuese partizane u inkuadrua në Divizionin e Mbrojtjes së popullit, në Gjirokastër, në roje të kufijve shtetërorë, nga Kakavija deri në afërsi të Leskovikut.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, nëntor 1944, seria A, dok. Nr. 3637.
**Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, nëntor 1944, seria A, dok. Nr.3555
***Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, nëntor 1943, seria A, dok. Nr. 3558
Partizanë të Brigadës XI Sulmuese.
Brigada XI SUlmuese e UNÇSH u formua në pragun e çlirimit të Shqipërisë në qytetin e Fierit, që porsa ishte çliruar nga forcat partizane me një efektiv prej 200 partizanësh. Në radhët e Brigadës XI hynë partizanët e Grupit III të Zonës I Operativ Vlorë-Gjirokastër, në të cilin bënin pjesë batalionet “Myzeqeja”, “Kafaraj”, “Semani” dhe Batalioni “Ismail Klosi”. Pjesa dërrmuese e partizanëve që hynë në këtë brigadë ishin luftëtarë të vjetër, të cilët kishin luftuar në batalionet territoriale. Komandant u caktua Dilaver Poci dhe komisar Mevlan Dervishi.
Brigada XI Sulmuese ka vetëm 29 ditë aktivitet me aksione e luftime për në çlirimin e Shqipërisë, më 29 nëntor 1944. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH i ngarkoi Brigadës XI Sulmuese detyrën për të marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës. Ajo nisi menjëherë marrshimin drejt Tiranës, për çlirimin e kryeqytetit.
Gjatë marshimit luftarak për në Tiranë ajo kreu disa aksione. Më 11 nëntor u bashkua me Brigadën e XII S dhe të dyja u vunë në ndjekje të armikut. Përmes luftimeve të ashpra dy brigadat çliruan qytetet e Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës e Durrësit. Në vazhdim Brigada XI Sulmuese u përqendrua në zonën e Vorës, në segmentin rrugor Durrës – Tiranë ku luftimet vazhdonin të ashpra në mbështetje të brigadave të tjera që luftonin për çlirimin e Tiranës.
Ndër aksionet më të rëndësishëm partizanët kujtojnë atë kundër një autokolonë gjermane që kalonte nga Durrësi për në Elbasan që ishte e përbërë nga një varg automjetesh, tankesh e autoblindash që bashkë me sasi të tjera armatimi e materiale ushtarake, u shpartallua.
Pas këtyre luftimeve brigadës iu ngarkua një detyrë e re tepër e rëndësishme, ajo e mbrojtjes bregdetare. Kështu që forcat e kësaj brigade u vendosën në vijën bregdetare Shijak-Durrës-Kavajë për të penguar çdo zbarkim të mundshëm ushtarak nga deti, qoftë edhe aleate, me pretendimin për çminimin e ujërave në detin Adriatik.
Por me çlirimin e atdheut, me urdhër të komandantit të përgjithshëm, në fillim të vitit 1945, pasi u inkuadrua në Divizionin IV, marshoi në drejtim të Shqipërisë së veriut, për të marrë pjesë në operacionet e spastrimit të këtyre krahinave nga bajraktarët reaksionarë, të cilët bashkë me grupime të tjera kishin nisur rezistencën kundër pushtetit të ri.
Në 17 gusht 1944 në fushën e Sheperit të Zagorisë u formua Brigada XIV Sulmuese. Në përbërjen e saj u përfshinë luftëtarë të Grupit I Partizan të Kurveleshit, të Grupit III Partizan të Mallkastrës dhe të Grupit IV Partizan të Çamërisë, që bënin pjesë në Zonën I Operative Vlorë - Gjirokastër. Komanadanti i brigadës u zgjodh Gjon Banushi, komisar Kareman Ylli.
Brigadës iu ngarkua një sektor i gjerë veprimi, që përfshinte Libohovën, Pogonin, Lunxhërinë dhe deri në Cepo e Rrëzomë.
Goditje të vazhdueshme të Brigadës XIV e detyruan armikun në qarkun e Gjirokastrës të mbyllej në vende të të fortifikuara, Por edhe në to, në bashkëveprime me forcat e tjera partizane, brigada nuk e la armikun të qetë. Kështu, më 18 shtator ajo sulmoi kalanë e Borshit dhe forcat armike në bregdetin e Sarandës. Pas luftimesh të ashpra, partizanët jo vetëm morën kalanë e Borshit, por futën nën kontroll pjesën më të madhe të bregdetit të Sarandës.
Më 19 shtator 1944 brigada e sulmoi armikun në Jorgucat e Gjirokastër, ku kishte një forcë prej më shumë se 1000 vetësh. Në luftimet që u zhvilluan në Jorgucat, u vranë më shumë se 15 nazistë, që ruanin qytetin e Gjirokastrës. Armiku la 250 robër dhe material të shumtë luftarak.*
Më 2 tetor 1943 batalioni “Asim Zeneli” e batalioni “Halim Xhelo” zhvilluan luftime në urën e Kardhiqit, në manastirin e Cepos dhe në katundin Gjon të Vlorës.
Më 9 tetor Brigada XIV Sulmuese, së bashku me Brigadën XII Sulmuese, mori pjesë në luftën kudër forcave naziste gjermane që ishin përqendruar në Sarandë. Në këtë luftë të ashpër, që zgjati tre ditë, armiku pësoi humbje të rënda në njerëz dhe teknikë luftarake.**
Lufta e fundit e Brigadës XIV ishte sulmi për çlirimin e qytetit të Delvinës, ku ndodheshin 800 nazistë gjermanë. Në bashkëveprim edhe me partizanët e Brigadës XIX Sulmuese, ajo i detyroi armiqtë të tërhiqeshin në panik nga qyteti, duke lënë në fushën e betejës mjaft të vrarë dhe material të shumtë.
Në tetor 1944 brigada u inkuadrua në Divizionin III Sulmues.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 2579.
**Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 2580.
Partizanë të Brigadës XV Sulmuese
Në një kohë kur në Shqipërinë e jugut kish shpërthyer operacioni armik i Qershorit dhe kur në shumë krahina të tjera zhvilloheshin luftime të rrepta, në malësinë e Oparit, në katundin Protopapë, më 29 qershor 1944 u inaugurua Brigada XV Sulmuese. Kjo brigadë e re nuk pati rastin të qendronte mjaft kohë në festën e madhe që ish organizuar për inaugurimin e saj. Katë-pesë orë mjaftuan për organizimin e saj dhe menjëherë u nis për luftë.
Brigada XV Sulmuese u formua nga kuadro e partizanë të batalioneve territoriale të qarkut të Korçës si “Fuat Babani”, “Hakmarrje”, “Skënder Çaçi”, “Reshit Çollaku”, “Tomorri”, “Batalioni i Rinisë” dhe partizanë e partizane të porsaardhur nga organizatat e terrenit me një efektiv prej 750 partizanësh, ndër ta 53 vajza. Komandant i brigadës u caktua Teki Kolaneci, komisar Shahin Ruka, zv/komisar Vaskë Koleci, përgjegjës i sektorit politik Myftar Tare, përgjegjës i propagandës Misto Treska, përgjegjës i rinisë, Minella Trebicka, itedent i Brigadës Gaqo Kollumbi, si dhe komandantë e komisarë batalionesh Hamdi Babani, Petraq Titani, Meço Starja, Kiço Kasapi, Nexhip Hyseni, Vangjel Vithkuqi, Kristo Mushi, Sabri Ruçi.
Në procedurë e sipër të inagurimit të saj, si njësi e re luftarake, befas vjen lajmi se forca balliste e naziste po bënin reprezalje mbi popullatën e fshatrave të Oparit e të Mokrës… Brigada, ashtu e rreshtuar për inaugurimi u nis vetëtimthi nga Protopapa direkt në frontin e luftimit, pa u mbaruar plotësisht organizimi organik i saj. Iu deshën kësaj njësie partizane plot 26 ditë e netë luftimesh të ashpra, që përbën një nga misionet më të rëndësishme të saj, për çlirimin e këtyre fshatrave. E pas këtij aksioni luftarak 26 ditor atje, në Qafën e Panjës, afër Gurit të Kamjes të Pogradecit, më 25 Korrik u bë organizimi i plotë i saj.
Në këto kushte Brigadës 15-të iu ngarkuan detyra të rëndësishme me përgjegjësi operative që në kuadrin e planit strategjik të Shtabit të Përgjithshëm ajo të vazhdonte kundërmësymjen që kishte filluar Brigada e lV Sulmuese dhe Brigada l Sulmuese , në qarkun e Korçës, të cilat , të inkuadruara e në përbërje të Divizionit të Parë Sulmues ishin larguar për në Veri të vendit në plotësim të detyrave luftarake, sipas Urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm.
Detyra e afërt dhe e menjëhershme e Brigadës XV Sulmuese ishte mbyllja e rrugës automobilistike Korçë - Pogradec - Qafë - Thanë, si dhe sulme të pandërprera në rrugën Strugë - Qafë Thanë - Qukës e kthim, detyra të cilat i realizoi plotësisht.
I pari luftim në shkallë të gjerë i brigadës ishte goditja e forcave naziste gjermane e balliste në Pogradec. Armiku, megjithëse i armatosur mirë dhe i mbrojtur në llogore e fortifikata të çimentuara, nuk mundi t’i rezistonte sulmit të shpejtë të partizanëve. Pozitat me rendësi, - kalaja dhe rajoni i Gështenjave, - u morën nga partizanët. Në këtë luftim armiku pati 38 të vrarë.
Më 24 gusht 1944, një autokolonë gjermane që kalonte nga Struga për në Elbasan, u sulmua mbi Qukës nga batalioni 4 i brigadës. Pas një përpjekjej të ashpër, që vazhdoi disa orë, arriti edhe një autokolonë tjetër, e cila qe nisur nga Elbasani për në Strug. Batalioni goditi edhe këtë, kështu që lufta u ashpërsua më tepër. Në këtë përpjekje partizanët dogjën 21 mjete transporti, vranë rreth 30 gjermanë dhe, në me të tjerave, kapën edhe postën gjermane me mjaft dokumenta.
Më 30 gusht, forcat e Brigadës XV Sulmuese hynë në Pogradec. Fshatra rrëzë rrugës automobilistike nga Lini deri në Podgorije u çliruan dhe u spastruan nga eksponentët t Ballit Kombëtar.
Natën e 24 shtatorit 1944, forcat e batalionit të 2 dhe të 3 të brigadës goditën një autokolonë prej 75 mjetesh transporti, që vinte nga drejtimi Strugë-Elbasan, duke i djegur e shkatërruar. Armikut iu kap edhe një sasi e madhe armësh dhe municioni. Në fushën e përleshjes mbetën të vrarë 30 nazistë.
Brigada XV, pasi kapërceu Shkumbinin, u vendos në rajonin e Elbasanit, ku bëri një seri goditjesh të ashpra kundër forcave gjermane. Pas këtyre goditjeve brigada filloi luftën pë rçlirimin e qytetit, ku ndodheshin të grumbulluar rreth 2500 ushtarë e oficerë armiq.
Forcat e Brigadës XV filluan mësymjen e tyre për çlirimin e qytetit. Objektivi i forcave ishte Ura e Zaranikës, lagja e Kishës dhe kazermat e KRastës, Batalioni 4 do të ruante krahët, duke sulmuar njëkohsish forcat armike në Zibrak dhe Labinot. Batalionit 2 iu ngarkua detyra të priste rrugën Elbasan-Tiranë. Mësymja filloi që më 5 nëntor. Pas dy ditësh luftimesh, batalioni i 4 mundi të zhdukë forcat armike të fortifikuara në Zibrakë dhe Labinot.
Në të njëjtën kohë, forcat e batalioni 1 dhe 3, duke përparuar me sukse në drejtimet e parashikuara, bënë që Elbasani të rrehohej plotësisht. Forcat e armikut u strukën në zonën e Shkollës Normale. Pas një sulmi të shpejtë, forcat partizane të brigadës e shpartalluan edhe qëndresën e fundit të armikut, duke e detyruar të largohej në mënyrë të çrregullt në drejtim të Tiranës. GJatë rrugës forcat armike iu nënshtruan goditjeve të tjera. Kështu më 12 nëntor 1944 Elbasani u çlirua.
Gjatë gjithë luftës së saj Brigada XV mundi të arrijë suksese të mëdha për çlirimin e vendit. Ajo shënoi në aktivin e vet një varg përpjekjesh të ashpra, duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha në njerëz e material: 523 gjermanë të vrarë dhe mbi 200 të zënë rob, mbi 2000 xhandarë e ballistë të çarmatosur, si dhe një sasi të madhe armësh dhe municioni të kapura, 132* mjete transporti e të blinduara të djegura, etj.*
Për çlirimin e atdheut ranë dëshmorë 50 partizanë, prej të cilëve 4 kuadro kompanish: Istref Maka, Kiço Boboshtica, Minosh Gjoka dhe Rrahman Beragishti. Dy shoqe: Thomida Laçka dhe Shaniko Starja; dhe u plagosën 73** partizanë e kuadro.
Veprimet luftarake të kësaj brigade u kryen në një territor rreth 4000 km2 dhe do të mbahet mënd si brigada që çliroi Pogradecin dhe Elbasanin dhe mori pjesë në çlirimin e Tiranës duke dhënë një kontribut të madh në Betejën e Mushqetasë.
*Në një burim tjetër figuron shifra 180.
**Në një burim tjetër figuron shifra 150.
Partizanë të rrethit të Fierit që hynë në përbërje të Brigadës së XVI Sulmuese
Brigada XVI Sulmuese u formau në 20 gusht 1944* në katundin Therepel të qarkut të Beratit me partizanë nga Grupi III i Skraparit, Grupit III i Mallakastrës, Grupi I i Kurveleshit, Grupi I i Myzeqesë si dhe nga mjaft partizanë të tjerë të rinj nga krahina e Skraparit dhe e Kurveleshit me një efektiv prej 465 luftëtarësh. Më shumë se 85% e partizanëve ishin të rinj e të reja me moshë 15-30 vjec, nga të cilët rreth 60 ishin femra.
Komandant i brigadës u cakua Rrahman Ruçi, komisar Avdyl Këllezi, zv.komandant Gjon Gjoni dhe zv. komisar Myzafer Trebeshina.
Pasi kreu një punë pregatitore për organizimin e saj, brigada u hodh në mësymje kundër forcave armike. Në ditët e fundit të muajit gusht 1944 forcat e saj organizuan një varg pritash kundër autokolonave armike në rrugën Berat-Lushnje. Më 2 shtator ato sulmuan nazistët gjermanë në Mbrostar dhe, pasi i shpartalluan, dogjën 5 depo ku mbahej municion e material tjetër ushtarak.** Pas këtyre aksioneve, forcat e brigadës filluan pastrimin e Myzeqesë nga nazistët gjermanë dhe kolaboracionistët vendas. Gjatë luftimeve këtu u zunën qindra pushkë, dhjetra mitralozë e municion i shumtë dhe radhët e brigadës u shtuan me qindra.
Më 8 shtator, një baalion i brigadës goditit një autokolonë prej 15 automjetesh me gjermanë në rrugën Fier-Lushnje. Në këtë pritë u vranë shumë nazistë dhe pjesa më e madhe e automjeteve u dogj. Të nesërmen ushtria gjermane kundërsulmoi me forca të shumta, por u detyruan të tërhiqen në panik, duke lënë në fushën e luftës shumë të vrarë, të plagosur, robërdhe material luftarak.
Më 13 shtator brigada i sulmoi në befasi gjermanët brenda në qytetin e Fierit dhe preu rrugën Lushnje-Fier-Vlorë. Pasi u shkaktoi dëme të mëdha, ajo u tërhoq në fshatrat përreth Fierit. Prej kësaj kohe dhe deri në dyjavëshin e parë të tetorit, forcat e brigadës, të vendosura në pozicione luftimi gjatë rrugës Fier-Vlorë dhe Fier-Lushnje, goditën pa rreshtur kolonat gjermane në tërheqje.*** Vetëm në 6 tetor, në kondrat e Fier-Sheganit forcat e brigadës zhvilluan një sulm kundër një autokolone prej 96 automjetesh të shoqëruara me 5 tanke, Në këtë luftim gjetën vdekjen 35 nazistë dhe shumë të tjerë u plagosën. Mbi 41 automjete u dogjën ose u shkatërruan.**” Në këtë luftë ranë dëshmorë 12 partizanë, ndërmjet të cilëve Rrapo Luçi, Niko Bozo, Liri Gero heroina e popullit dhe u plagosën 8.
Më 15 tetor 1944 forca e Brigadës XVI Sulmuese çliruan Fierin,**”’ ndërsa më 20 tetor një pjesë e tyre i ndihmoi Brigadën VIII Sulmuese për çlirimin e Lushnjes.
Në luftime për çlirimin e vendit, ajo i shkatoi armikut humbje të ndjeshme në njerëz, teknikë e material. Ajo plagosi 680 forca naziste, nga të cilët 310 të vrarë, zuri 65 gjermanë dhe 170 ballistë; dogji ose shkatërroi 180 automjete, 5 autoblinda, 9 tanke, 15 motoçikleta, 60 karro, etj. U zunë 400 pushkë, 20 mitraloza, 15 topa e mortaja e shumë material tjetër luftarak.
Nga brigada ranë në fushën e nderit 54 dëshmorë dhe u plagosën 35 të tjerë.
*Arkivi i Degës së HIstorisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 2687.
**Arkivi i Degës së HIstorisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 2687
***Arkivi i Degës së HIstorisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 3070
**”Arkivi i Degës së HIstorisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 3136
**”’Arkivi i Degës së HIstorisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, dok. Nr. 3137
Më 26 shtator 1944 në katundin Gjinar të krahinës së Shpatit në Elbasani, në vendin e quajtur Fushëkuqe, u krijua Brigada XVII Sulmuese, me një efektiv prej 1592 partizanësh nga batalionet e Dumre-Darsisë, batalionin e Shpatit “Naum Prenxhi”, batalionin e Vërçë- Sulovës, Bërzeshtës dhe Polisit, si dhe 94 të rinj nga qyteti i Elbasanit. Në efektivin e brigadës u rreshtuan 1012 partizanë nga rrethi i Elbasanit, 282 nga rrethi i Librazhdit, 119 nga rrethi i Gramshit dhe pjesa tjetër nga rrethe të tjera. Mbi 90% e partizanëve ishin nën moshën 25 vjeç. Komandant i brigadës u caktua Gjeli Argjiri, komisar Qamil Guranjaku, zv/komisar Ndreçi Plasari, zv/komandant Sefedin Meçe, përgjegjësi i rinisë Nebi Agolli, agjitprop (agjitacion dhe propagandë) Nexhdet Deveja, intendent Shaqir Tabaku.
Ne shtabet e batalioneve komandantë e komisarë ishin respektivisht: në batalionin 1 të Dumresë Petrit Hakani e Llambi Peçini; në batalionin 1 Sami Leka e Beqir Dervina; në batalionin 3 Veniamin Hazizi dhe Kadri Abdihoxha, në batalionin 4 Muharrem Çota (Hoxhë Çota) dhe Niko Dilo. Në radhët e Brigadës së XVII Sulmuese u rreshtuan edhe shoqe si Jolanda Xhuvani, Shegushe Hakani, Alipi Dedja, Burbuqe Gjergji, Emine Guranjaku, Ikbale Bylyku, Parashqevi Gjini, Afërdita Tërova, Hedije Tola, Diamante dilo, etj. Pjesa më e madhe e e këtyre shoqeve vininnga fronti I luftës ku kishin marrë pjesë në veprime luftarake e kishin zhvilluar veprimtari të dendur politike.
Në ditën e inaugurimit në orën 11.00 Komisari i Brigadës Qamil Guranjaku i paraqiti forcën Zihni Muçës, sekretar polirik i Qarkorit. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm përshëndeti i deleguari i tij Nexhip Vinçani, i cili i dorëzoi flamurin e Brigadës XVII Sulmuese komisarit Qamil Guranjaku.
Të nesërmen e krijimit të të Brigadës u formua edhe Divizioni IV Sulmues dhe ajo u bë pjesë e ketij formacioni të madh luftarak dhe në përbërje të tij kreu veprime luftarake te shumta.
Pas luftimesh të përgjakshme, brigada çliroi krahinën e Darsisë nga forcat mercernare të Hamit Matjanit dhe ndihmoi në ngritjen e këshillave nacional-çlirimtar. Në këto luftime të ashpra ra në fushën e betejës partizani Rrahman Lato dhe u plagos komandanti i batalionit Muharrem Çota.
Pas këtij suksesi, më 8 tetor 1944 forcat brigadës morën formacion luftarak në rrugën automobilistike Elbasan - Peqin, me qëllim që ta bënin të pakalushme rrugën për forcat naziste gjermane. Me goditjet e tyre të shpeshta dhe të rrufeshme, forcat e brigadës i shkaktuan armikut dëme të ndjeshme në njerëz e material. Vetëm në një ditë në afërsitë e Bishqemit forcat e brigadës sulmuan dy herë me radhë autokolona. Njëra pjre tyre prej 20 automjetesh, e shoqëruar me nga një autoblindë u asgjësua. Vetëm një pakicë shumë e vogël bazistësh mundët të shpëtonin, duke lënë pas automjetet që digjeshin dhe një shumicë materiali luftarak.
Në kohën kur në Tiranë zhvilloheshin luftime të ashpra, forcat e Brigadës XVII u vendosën gjatë rrugës Elbasan - Tiranë, për të goditur pa rreshtur autokolonat armike që kërkonin t’i vinin në ndihmë garnizonit naziste gjerman në Tiranë. Brenda 20 ditëve, duke sulmuar autokolonat armike në Dobresh - Bërzhitë, Mushqeta, Kaçalitë, Gracen, SKuterrë dhe Ibë, forcat e brigadës vranë më shumë se 200 nazistë dhe zunë 250 robër, pa llogaritur të plagosurit, autmjetet e tanket e shkatërruara dhe materialet luftarake që kapën.*
Por goditjen dërrmuese nga Brigada XVII Sulmuese dhe forcat e tjera të Divizionit I Sulmues nazistët e morën më 13-14 nëntor 1944 në rrugën Elbasan - Tiranë kundër kolonës së fundit gjermane të praparojës, që vinte nga Greqia, të quajtur “Steyrer” (sipas emrit të komandantit të saj), e që kishte në përbërjen e saj një efektiv prej 3000 ushtarësh, të cilën forcat e rrethuara në Tiranë e prisnin si shpëtimtare. Goditja e parë kundër kolonës u dha në sektorin e Mushqetasë nga forcat e Brigadës XVII, I dhe IV Sulmuese. Në këto luftime partizanët e Brigadës XVII Sulmuese, në bashkëpunim me ata të Brigadës I dhe IV Sulmuese, dhanë një kontribut të çmueshëm jo vetëm për shkatërrimin e kolonës, por shpejtuan edhe ditët për çlirimin e Tiranës.** Në këto luftime ra edhe heroi Kadri Abdihoxha.
Nga 24 tetori 1944 deri më 16 nëntor 1944, brigada ka bërë 23 goditje kundër kolonave gjermane, nga të cilat 9 janë bërë në rrugën Elbasan-Peqin dhe 14 në rrugën Elbasan–Tiranë.
Pas çlirimit të Tiranës, Brigada XVII Sulmuese kaloi në krahinën e Dibrës, ku spastroi forcat e Halil Halisë, ndërsa në janar të vitit 1945 kreu një seri operacionesh për të asgjësuar mbeturinat e reaksionit në krahinat Krujë, Ishëm, Mat e Mirditë. Më vonë brigada u inkuadrua në Divizionin VIII Sulmues.
Brigada XVII Sulmuese i dha atdheut 31 dëshmorë.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, nëntor 1944, seria A, dok. Nr. 3578.
**Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, nëntor 1944, seria A, dok. Nr. 3659/1.
Partizanë të Brigadës XVIII Sulmuese
Inaugurimi i Brigadës XVIII Sulmuese u bë më 20 gusht 1944 në Sllatinë të Dibrës. Radhës e saj u mbushën me partizanë nga batalionet e “Dibrës”, “Martaneshit” e “Çermenikës” dhe vullnetarë të rinj nga krahinat e Dibrës. Komandant u caktua Esat Ndreu, komisar Miço Kallamata. Më pas në shtabin e saj u bënë ndyshime: Komandant u zgjodh Zoi Themeli; zv/komandant Petrit Dume e Xhemal Petrela; komisar Ilmi Çausholli dhe zv/komisar Teme Sejko e Milo Qirko,
Luftimet e para i zhvilloi së bashku me Brigadën V Sulmuese në Malin e Korabit, kundër forcave gjermane dhe mercenarëve qe bashkëpunonin me ta. Luftime të ashpra zhvilloi edhe në Lumë, në Kukës e në afërsi të Prizrenit. Brigada gjithashtu përballoi me sukses operacionin gjerman “Fuchsjagd” (gjuetia e dhelprës).
Dy batalione të Brigadës së 18-të Sulmuese, se bashku me Brigadën e 5-të, me 2 shtator 1944, çliruan qytetin e Dibrës.
Një seri luftimesh kundër nazistëve gjermanë zhvilloi edhe në rrugën e tërheqjes së tyre nga Kosova për në Shkodër: Prizren-Kukës-Pukë dhe, bashkë me Brigadën V Sulmuese, mori pjesë në çlirimin e qytetit të Prizrenit me 17 nëntor 1944. Brigada sulmoi dhe shpartalloi kolonën e ushtrisë armike që po vinte nga Prizreni ne Kukës. Dhe më 18 nëntor 1944, në bashkëpunim edhe me forca të tjera partizane çliroi Kukësin.
Më 21 shtator, forca të brigadës i shkuan në ndihmë një brigade partizane jugosllave, e cila kishte rënë në luftë me forcat reaksionare të Xhem Gostivarit në Kërçovë. Në këto luftime ra dëshmore Ibe Palikuqi (Heroinë e Popullit).
Më vonë Brigada XVIII Sulmuese luftoi me forcat mercenare në Kalanë e Dodës, nën komandën e Muharrem Bajraktarit, Me veprimet luftarake që zhvilloi, ajo lehtësoi luftime e Brigadës V Sulmuese që vepronte në Lurë.
Pasi kreu këto detyra, Brigada XVIII nëdrmori një varg aksionesh të rëndësishme gjatë rrugës Kukës-Prizren. Këtu ajo zhvilloi luftime kundër forcave naziste gjermane në tërheqje. Luftimet më të mëdha kundër kolona armike forat e brigadës i zhvilluan më 27 shtator, dhe 16 e 29 tetor* si pjesë e Divizionit IV Sulmues të Korparmatës I. Kështu, më 29 tetor, në afërsi të katundeve Morinë e Bardhoc, pas luftimesh të ashpra, armiku la 130 ushtarë e oficerë të vrarë, si edhe shumë të plagosur. Në të tri këto goditjet mbetën gjithësej 239 armiq të vrarë, shumë automjete të shkatërruara dhe material tjetër luftarak.
I ashpër qe luftimi që zhvilloi brigada më 15 nëntor 1944 kundër forcave armike të dislokuara në qytetin e Prizrenit, luftim që vazhdoi nga mbrëmja deri në mëngjes, Partizanët u futën thellë në qytet. Në mëngjesin e 16 nëntorit, forcat partziane, në pamundësi për të mbrojtur pjesën e qytetit që kishin zënë, u tërhoqën në pozitat e tyre të mëparshme.
Brigada XVIII dha një kontribut të madh edhe për asgjësimin e forcave reaksionare dhe, si rrjedhim, për forcimin e pushtetit popullor. Ajo në këtë luftë të shenjtë dha 28 dëshmorë dhe qindra të plagosur.
Pas çlirimit të Shkodrës më 29 nëntor 1944 Brigada XVIII kreu detyra të reja që diktonte koha: mbrojtjen e kufirit në zonën e Kukësit e, më pas u inkuadrua në Korpusin I me qendër në Tiranë. Nga radhët e kësaj brigade ranë heroikisht, veç Heroinës së Popullit Hibe Palikuqi edhe Jashar Kola, Hamdi Lleshi e Ahmet Cami.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dosje e Brigadës XVIII Sulmuese.
Partizanë të Brigadës XIX Sulmuese
Më 30 gusht 1944 u formua në Theollogo (Cerkovicë) të Delvinës Brigada XIX Sulmuese, me një efektiv prej 800 vetësh, nga këta 65 femra, të organizuar në tre batalione, me partizanë të batalioneve “Thoma Lulo”, “Thanas Ziko”, “Pandeli Boçari”, “Lefter Talo” dhe “Mateoti” (me italianë), që bënin pjesë në Grupin IV Partizanë “Çamëria” të Zonës I Operative Vlorë - Gjirokastër. Tre të katërtat e kësaj brigade përbëhej nga partizanë të minoritetit grek, ndërsa një të katërtat nga partizanë shqiptarë dhe italianë. Përë këtë arsye kjo brigadë mori emrin simbolik “Brigada e vëllazërimit”. Komandant u caktua Andrea Nasi, komisar, në fillim Vangjo Mitrojorgji e me pas Thoma Xhixho, zv/komandant Mehmet Dusha, zv/komisar Lefter Kasneci.
Brigada XIX Sulmuese veproi në zonën e Konispolit, Dhrovjanit, Qafën e Muzinës e Delvinë.
Më 18 shtator 1944 forcat e Brigadës XIX Sulmuese bashkëvepruan me ato të Brigadës XIV Sulmuese dhe sulmuan garnizonin armik në qytetin e Gjirokastrës. Duke vepruar me shkathtësi, partizanët dhanë shembull të lartë guximi dhe trimërie gjatë zhvillimit të luftimeve në qytet. Në këto luftime të ashpra armiku la me dhjetëra të vrarë e robër, si dhe shumë material luftarak.*
Më 19 shator batalioni 1 i Brigadës XIX goditi në rrugën Konispol-Delvinë një autokolonë naziste gjermane prej 200 automjetesh, e cila transportonte trupa gjermane dhe shoqërohej me tanke e autoblinda. Komanda gjermane këto forca po i tërhiqte nga Greqia (krahinë e Çamërisë) në drejtim Konispol - Delvinë - Jorgucat - Janinë - Bitole. Pas luftimesh të ashpra u vranë shumë nazistë dhe u shkatërruan mjaft automjete. Në të njëjtën kohë, forca të tjera të brigadës goditën në befasi praparojën gjermane, vranë mjaft prej tyre dhe zunë 40 robër. Ndërsa batalioni 3, që ishte vendosur në rrugën Muzinë - Delvinë, sulmoi automjetet armike të ngarkuara me armatime, municione dhe ushqime, të shoqëruara me ushtarë, dhe zuri mjaft nga këto materiale.
Forcat partizane të Brigadës XIX Sulmuese, duke qenë gjithnjë në veprim, vazhduan goditjet kundër gjermanëve, duke i mbajtur në gjendje alarmi. Forcat e kësaj brigade, së bashku me forcat e tjera partizane, sulmuan garnizonin gjerman në qytetin e Delvinës, në të cilin ishin përqendruar 500 gjermanë dhe rreth 300 ballistë, dhe pas luftimesh të ashpra e çliruan qytetin. Në këtë luftë ranë 21 partizanë e kuadro dhe u plagosën 22 të tjerë.
Më 10 tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Brigada XIX Sulmuese hyri në përbërje të Divizionit III të mbrojtjes së popullit, bashkë me Brigadat XII dhe XIV Sulmuese. Që nga 10 tetori i vitit 1944, iu ngarkua detyra e sigurimit të kufirit bregdetar Vlorë-Konispol.
Në luftimet kundër nazistëve e bashkëpunëtorëve të tyre ranë heroikisht 73 partizanë e partizane dhe u plagosën 70 të tjerë, nga të cilët një pjese mbetën invalidë. Ndër dëshmorët e kësaj brigade shënohen edhe Polo Bezhani, Llambro Nika, Veliko Rexha, Lejla Malo, Selfo Abedini, Llambro Llambraqi, Petro Anagnosti, Urani Bari, Jani Papa, Theodhori Mastora, Lefter Talo, Qirjako Dhroso e shume të tjerë.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, shtator 1944, seria A, nr. 2732.
Në 9 shator 1944, u formua në fshatin Protopatë të Korçës Brigada XX Sulmuese me partizanët e batalioneve “Hakmarrje”, “Fuat Babani”, “Skënder Çaçi”, “Tomorri”, e “Reshit Çollaku”. Ditën e inaugurimit, Brigadës iu shtuan edhe mjaft të rinj e të reja, të ardhur nga Korça, Skrapari dhe Elbasani, të cilët u rreshtuan në formacionet e saj dhe luftuan me trimëri deri në fund. Komandant u caktua Brigade Riza Kodheli dhe komisar Misto Treska.
Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm më 10 shtator 1944, Brigadës XX Sulmuese iu caktua si zonë veprimi krahina e Mokrës, me detyrë që të godiste forcat armike gjatë rrugës kryesore nga Qukësi deri në Mirakë. Në të njëjtën kohë forcat partizane të Brigadës XX Sulmuese duhet të spastronin zonat e Mokrës, Pogradecit, Starovës dhe Malin e Thatë nga forcat armike. Kështu batalioni 1 dhe 3 u caktuan në rajonin: Pogradec - Qafë Thanë - Prrenjas - Mokër. Batalioni 2 vepronte në rajonin Zvezdë, Mali i Thatë - Grabovë. Batalioni 4, së bashku me forcat e Brigadës II Sulmuese u ndeshën me forcat e Korparmatës 22 gjermane, që vinin nga Janina - Tre urat - Kolonjë, Korçë - Manastir, duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz e teknikë. Batalioni 4 pati detyrë të pengonte forcat naziste që lëviznin në rrugën Bilisht - Korçë. Batalioni 1 dhe 3 u ndeshën me forcat gjermane që lëviznin nga Struga për të vajtur në ndihmë të forcave të tyre në garnizonin e Tiranës.
Me të kryer këto detyra, brigada filloi goditjet kundër autokolonave gjermane në tërheqje në Qukës, në afërsi të Korçës e gjetkë. Me goditjet e tyre forcat e brigadës bllokuan rrugën Korçë - Pogradec - Elbasan. Këto masa tregonin se Shtabi i Përgjithshëm po përgatiste luftën për çlirimin e Tiranës.
Kështu, më 16 tetor 1944, forcat e batalionit 1 të kësaj brigade, të vendosura në pozicione në afërsi të Zhyrës (Qukës), futën nën zjarrin e armëve një autokolonë të madhe automjetesh. Autokolona ishte e shoqëruar edhe nga autoblinda e tanke, por këto nuk e penguan sulmin. Në këtë luftë të ashpër armiku la 60 të vrarë dhe shumë të plagosur, 7 automjete që djegura dhe shumë të tjera të nxjerra jashtë përdorimit, ndërsa 20 nazistë u zunë rob. Gjithashtu, armikut iu kap material i shumtë luftarak.
Gjatë muajit tetor forcat e Brigadës XX Sulmuese goditën në befasi shpesh herë forcat naziste gjermane të vendosura në shkëmbin e fortifikuar të Guradhës, duke shkaktuar dëme të mëdha. Më 11 tetor, në afërsi të Qukësit, u sulmua një autokolonë armike prek 13 automjetesh. Pas katër orë luftimesh, nazistët lanë 20 të vrarë, 7 robër dhe disa automjete të shkatërruara.
Por goditjet më të rënda kundër armiku brigada i bëri në fund të muajit tetor dhe në fillimi të nëntorit. Më 8 nëntor forcat gjermane filluan lëvizjen nga Struga për në Qafë Thanë - Përrenjas - Elbasan - Tiranë. Batalioni i tretë, i vendosur në të dy anët e rrugës nën Prrenjas, futi në pritë disa herë autokolona gjermane që tërhiqeshin. Vetëm në një ditë luftimi armiku la mbi 64 të vrarë, përveç të plagosurve. Nga forcat e Brigadës së 20-të Sulmuese u vranë 20 luftëtarë dhe midis tyre, vajza nga Korça Heroina e Popullit, Qibra Sikoli.
Në luftimet që zhvilloi brigada, dhanë jetën përmbi dhjetë të vrarë dhe shumë të plagosur. Pas çlirimit të Shqipërisë, forcat e Brigadës XX Sulmuese morën detyrë spastrimin e zonave të Kavajës, Shijakut dhe Vlorës nga mbeturinat e reaksionit.
Çaste nga themelimi i Brigadës XXII Sulmuese
Më 18 shtator 1944 në Pezë u formua Brigada XXII Sulmuese me një fektiv prej 1127 partizanësh nga Grupit Partizan i Pezës, të organizuar në katër batalione. Komandant i brigadës u caktua Sali Verdha, komisar Tonin Jakova, i cili në Tuz të Malit të Zi u zëvendësua nga Nimet Ymeri, zv/komandant Shaban Rexha, zv/komisar Sadik Bocaj, përgjegjës i rinisë Iliaz Reka, intendent Rexhep Kollçaku. Në batalionin e parë u caktuan komandant Muharrem Kokomani dhe komisar Shim Kolli. Në batalionin e dytë u caktuan komandant Sotir Spiro, Xhevdet Petrela komisar. Në batalionin e tretë u caktuan komandant Ymer Hoxha, komisar Hysen Ballhysa. Në batalionin e katërt u caktuan komandant Rexhep Zuna, komisar Nimet Ymeri. 54% e efektivit të brigadës ishin partizanë të viteve 1941-1943. Brigada kishte në radhët e sa 75 komunistë dhe komitetin e PKSH të kryesuar nga Sadik Boci.
Në ceromoninë e inagurimit të brigadës ishin të pranishëm Myslim Peza, Kristo Themelko, komisar i Divizionit të Dytë dhe Naxhije Dume perfaqesuesja e Komitetit Qendror të PKSH. Kristo Themelko i dorzoi komandantit të brigadës Sali Verdha, flamurin e brigadës, cili bëri betimin.
Një ditë pas formimit të saj, Shtabi i Përgjithshëm i dha urdhër brigadës për të spastruar zonën e Shijakut nga forcat kolaboracioniste të komanduara nga Mustafa Deliallisi dhe Mustafa Picalli. Pa katër orë luftimesh të ashpra, forcat kundërshtare u tërhoqën në panik, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur, robër dhe material të shumtë luftarak.
Më 23 dhe 25 shtator forcat partizane të Brigadës XXII Sulmuese sulmuan forcat naziste gjermane në Leskaj, ku dogjën një depo me bomba aviacioni. Më vonë forcat e saj zhvilluan luftime gjatë rrugës Ndroq-Plazh i Durrësit dhe Kavajë - Rrogozhinë - Peqin. Partizanët depërtuan edhe në periferinë e Tiranës. Në rrugën Mamurras - Milot ata goditën pa ndërprere armikun dhe shpartalluan postat e tij.*
Më 1 tetor Brigada XXII Sulmuese u inkuadrua në Divizionin II Sulmues. Në këtë kohë ajo mori urdhër që të pregatitej për të kaluar në Shqipërinë e veriut, ku duhej të zhvillonte luftime kundër pushtuesit gjerman dhe kolaboracionistëve vendas.
Në mbrëmjen e 6 tetorit, brigada asgjësoi në ecje e sipër në Kashar e Kus forcat balliste të komanduara nga Musa Picari. Prej këtej marshoi në drejtimin e Valiasit, Topijasit e Byronjës. Më 1 tetor ajo u përqendrua në Lurë.
Prej datës 17-21 tetor brigada mori pjesë në luftimet për çlirimin e Shpalit, të Pukës e të Shkodrës dhe më 1 dhjetor 1944, sëbashku me forcat e tjera të Divizionit II Sulmues, kaloi kufirin me Malin e Zi për të vazhduar atje luftime të mëtejshme në ndjekje të ushtrisë naziste.
Ndonëse në kushte jashtëzakonisht të vështira, partizanët e Brigadës XXII Sulmuese prej 4 deri më 16 dhjetor luftuan për çlirimin e Tuzit. Në këto luftime ranë dëshmorë në fushën e betejës 14 partizanë.
Pas çlirimit të Tuzit, Brigada XXII Sulmuese mori pjesë në luftën për çlirimin e Podgoricës dhe Vishegradit. Podgorica u çlirua më 19 dhjetor 1944 ndërsa Vishegradi në 14 shkurt 1945. Me çlirimin e Vishegradit mbaron misioni luftarak i Brigadës XXII Sulmuese kundra nazisteve gjermanë.
Me urdher të Shtabit te Përgjithshem te UNÇSH Brigada u nis për në Kosovë dhe me 12 Mars 1945 arriti në Mitrovicë. Brigada qendroi në territorin e Kosovës deri më datën 30 Qershor 1945. Më pas kaloi në rrugën Tetovë, Gostivar, Dibër dhe më daten 3 dhjetor 1945nisi rrugën e kthimit për në Shqipëri.**
Brigada e XXII Sulmuese ka një bilanc pozitiv në luftime. Ajo i shkaktoi armikut qindra të vrarë, dëme të shumta në teknikë ushtarake. Në luftimet që zhvilloi Brigada XXII Sulmuese dhanë jetën 107 dëshmorë. Nga këta 82 u vranë jashte kufijve shtetëror. Nga efektivi i brigadës u vranë disa kuadro drejtues. Në mes tyre edhe komandanti i brigadës Rexhep Zyma, i cili kishte zevendesuar Sail Verdhën dhe Met Hasa, “Heroi i Popullit”, i cili tregoi aktin heroik në Kryezi të Pukës duke i vënë gjoksin mitralozit gjerman.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dok. .nr. 3070.
**Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, shkurt 1945, fondit i Divizionit VI Sulmuese të UNÇSH.
Çaste nga formimi i Brigadës XXIII Sulmuese
Më 21 shtator 1944 në Zall-Mner të rrethit të Tiranës u formua Brigada XXIII Sulmuese. Në ktë brigadë u inkuadruan Batalioni i Matit, ai Krujë-Ishëm dhe i Dajtit. Komandant u caktua Esat Ndreu, Zoi Themeli, Petrit Dume dhe Komisar Miço Kallamata. Në inugurimin e brigadës morën pjesë populli i kësaj krahine dhe të deleguar të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
Qysh ditën kur u krijua ajo mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH të vendosej në drejtimin kryesor të tërheqjes së nazistëve gjermanë, në rrugën Tiranë-Shkodër, me detyrë që të pengonte kalimin e forcave gjermane në këtë rrugë dhe të godiste postet edhe pëqendrimet e tjera armike në këtë sektor. Gjithashtu, ajo u ngarkua të pastronte nga forcat e reaksionare zonat e Ishmit, Krujës e Milotit.
Të shumta janë goditjet që bëri Brigada XXIII Sulmuese në rrugën Tiranë-Shkodër. Më 6 tetor 1944 forcat e saj, të vendosura në pozicion luftimi, goditën një autokolonë armike që vinte nga irana. Gjatë luftimeve mbërriti edhe një autokolonë tjetër nga Shkodra, e përbërë prej 80 automjetesh. Kur luftimet kishin arritur kulmin, nga irana u duk edhe një autokolonë e tretë. Sektori i reparteve partizane u zgjerua shumë. Ato luftonin tani kundër një armiku shumë më të madh në numër dhe superior në armë e teknikë. Gjermanët kishin vendosur të kalonin pa marrë parasysh humbjet. Dhe kaluan, por e paguan shtrenjtë. Ata lanë më shumë se 30 të vrarë dhe mjaft të plagosur, dhjetë automjete të shkatërruara dhe shumë material luftarak. Nga ana e partizanëve ranë dëshmorë 3 dhe 2 u plagosën.*
Më 8 tetor partizanët vunë në pritë një autokolonë prej 20 automjetesh, e cula u shkatërrua tërësisht dhe partizanët hynë në katundet Mamurras, Gjorm dhe Laç.
Nëdrsa një pjesë e brigadës gjatë dy javëshit të parë të nëntorit goditi pa pushim autokolonat armike,** batalioni 1 i saj u drejtua në Ishëm, për të spastruar këtë zonë nga rekasionarët. Këshu ishin grumbulluar forca të shumta balliste dhe të Legalitetit. Ato, nën komandën e Abaz Kupit, që ishte vënë në shërbim të gjermanëve dhe me ndihmën e tyre, ishin pregatitur për rezistencë të gjatë. Por partizanët sulmuan me guxim dhe pas luftimesh të ashpra, forcat armike u shpartalluan. Luftëtarët e lirisë hynë në Ishëm të pritur me përzemërsi nga populli.
Goditjen më të rënë nga Brigada XXIII Sulmuese armiku e mori në 17 nëntor 1944. Në këtë ditë forcat e saj goditën një autokolonë armike pranë Kodrës së Kuqe - Farukaj dhe në afërsi të Mollzës. Me gjithëse autokolona ishte e soqëruar prej tankesh dhe autoblindash, armiku pati shumë humbje. Qindra nazistë, midis të cilëve oficerë mbetën të vrarë në këto luftime. Dhjetëra automjete u dogjën ose u shkatërruan.***
Pas luftimit që batalioni i dytë zhvilloi në afërsi të Gjormit kundër nazistëve gjermanë dhe me çlirimin e Milotit nga batalioni i tretë, Brigada XXIII vazhdoi të ndiqte armikun këmba-këmbës drejt Shkodrës bashkë me brigadat VI, VII, XXII dhe XXIV Sulmuese, ku më 29 nëntor partizanët e brigadës vendosën të parët flamurin e lirisë në kalanë e qytetit. Me vendosmëri dhe trimëri luftuan ata edhe për likuidimin e mbeturinae të reaksionit në qarkun e Shkodrës, duke dhënë kështu një kontribut të madh në konsolidimin e pushtetit popullor.
Ndër luftrat që ka zhvilluar kjo Brigadë kanë rënë 21 dëshmorë. Në formacionet partizane kanë qenë edhe heronjtë e popullit Mustafa Kaçaçi, Bab Rexh Deliu. Por dhe heroina kosovare Shote Galica.
Lista e dëshmorëve të Brigadës XXIII Sulmuese:
Abaz Veseli
Adem Gjeli
Ali Metra
Avdi Kazani
Riza Beak
Bakushe Visha
Besim Beja
Gani Guxhiqi
Islam Shehi
Luigj Kurti
Njazi Meka
Llesh Spaçi
Mustafa Dervishi
Mustafa Mezini
Ibrahim Liçi
Ramazan Zambaku
Rexhep Shira
Shaban Lika
Turabi Dura
Vath Bushi
Vesel Brama
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dok. Nr. 3136.
**Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dok. Nr. 3542.
***Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dok. Nr. 3569.
Partizanë të Brigadës XXIII Sulmuese
Në 4 tetor u krijua në Bicaj të Lumës, specifikisht në Kodër Osmane, Brigada e XXIV Sulmuese, ndryshe e quajtur edhe Brigada Partizane e Lumës, me një efekti prej 650 partizanësh të ardhur nga çeta e lumës dhe vullnetarë të krahinave përreth. Numri i partizanëve të brigadës më vonë arriti deri në 1182 vetë. Komandant u caktua Ndreko Rino, komisar Abedin Shehu, ndërsa kuadri drejtues përfaëqsohej nga Abaz Arif Shehu, Muhedin Kërxhaliu, Rasim Guri, Hysni Dino, Hasan Myftari, Vehbi Shehu, Ismail Loka, Hasan Spahiu, Rrahman Palushi, Ahmet Onuzi, Nexhip Visha, Ymer Domi, Ahmet Ramallari, Hysni Shehu, Maliq Gashi, Sinan Hajdari, Haxhi Sinamati e Hazir Asllani.
Në këtë krahinë qysh në vjeshtë të vitit 1943 ishte krijuar çeta partizane e Lumës, por ajo mbeti të vogël dhe, nën goditjen e reaksionit dhe bajraktarëve, sidomos influencës së Gani kryeziut, nuk mund të rritej shumë. Kalimi i Brigadës V Sulmuese në Lumë dhe goditjet e njëpasnjëshme që i dha ajo reaksionit atje, krijoi kondita që populli i kësa krahine të njihte mirë luftën çlirimtare dhe qëllimet e saj. Më vonë, shumë djem e vajza të kësaj krahine mbushën vullnetarisht jo vetëm radhët e çetës, por mbi këtë bazë krijuan edhe Brigadën XXIV Sulmuese.
Fill pas krijimit të saj, si zonë veprimi brigada mori rrugën Kukës-Prizren. Atje për herë të parë, në bashkëpunim edhe me Brigadën XVIII Sulmuese, goditi një autokolonë të madhe gjermane dhe, pas lufitmesh të ashpra, i shkaktoi armikut një humbje të rënda në njerëz e materiale.
Më vonë Brigadës XXIV iu caktua si zonë veprimi qarku i Tiranës. Pasi kaloi nëpër Dibër, Mat e Zall Herr, mbërriti në afërsitë e Tiranës. Në këtë kohë ajo u vu në vartësi të shtabit të Korparmatës I Sulmuese dhe, së bashku me forcat e tjera partizane, të njëpasnjëshme autokolonave dhe përqendrimeve armike në rruën Tiranë-Vorë. Më 12 nëntor forca e Brigadës XXIV, të ngarkuara për të bërë pritë jashtë Tiranës, zunë vend në pozicione që shtrihen prej autorepartit deri në Kashar. Po në mbrëmbjen e 12 nëntorit këto forca sulmuan fuqitë dhe pozicionet armike në Kashar, tek Ura e Lanës dhe njëkohësisht i bënë pritë një autokolone. Lufta e ndez e rreptë, veçanërisht në sektorin e Urës së Lanës, dhe zgjati deri gjer në mes të natës. Humbjet e armikut kanë qenë të shumta. Nga ana brigadës u vranë 2 dhe u plagosën 9 veta. Lufta u ndez përsëri të nesërmen në mëngjes. Natën e 13 nëntorit forcat armike, të ndihmuara nga autoblinda dhe tanke, duke pësuar humbje, arrijtën të vendosen në afërsi të autorepartit. Nga ana e brigadës pati 5 të vrarë, ndër të cilët komandanti i kompanisë Vehbi Shehu. Më 16 nëntor në mbrëmbje, një përpjekje tjetër e ashpër u bë tek Ura e Lanës dhe tek Autoreparti. Lufta vazhdoi ede më 17 nëntor prej Kryqit të Kuq deri tek Autoreparti.*
Gjatë veprimeve luftarake në Tiranë nga Brigada XXIV Sulmuese ranë 15 dëshmorë nga Kukësi: Abaz Peposhi, Dan Shahu, Elmaz Ademi, Gani Duraku, Hakik Gjici, Idriz Gafurri, Maksut Rexhepi, Nuredin Braha, Osman Qenami, Ramadan Kotarja, Sabri Gjici, Sadik Palushi, Xheladin Mici Vehbi Shehu dhe Sherif Smana.
Në këtë mënyrë partizanët e Brigadës XXIV Sulmuese dhanë kontributin e tyre për çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit të kryeqytetit, ata ndodqën armikun këmba-këmbës drejt veriut dhe morën pjesë në çlirimin e qytetit të Shkodrës. Më datën 23 nëntor 1944 brigada u vu nën komandën e Ndreko Rinos, për të marrë detyrën luftarake dhe sqarimin e saj për asgjësimin e forcave gjermane duke kaluar edhe lumin e Matit dhe të Drinit për në Shkodër. Më datën 24 nëntor brigada mbërritu në Bërdicë e Beltojë luftime të përgjakshme ku ranë dëshmorë partizanët Emri Halilaj, Hasan Lika, Islam Xhahu, Isuf Seferi dhe Ymer Mata. Më datën 28 nëntor forcat e brigadës kapën Baçellëkun, kaluan Drinin dhe gjatë natës së 28-29 nëntorit zhvilluan një luftë vendimtare kundër forcave naziste. Mëngjesin e datës 29 nëntor Shkodra u çlirua.
Më datën 1 dhjetor 1944 Brigada u nis për në Mal të Zi, Ulqin e Tivar. Meqë nazistët gjermanë ishin larguar nga Tivari më 6 Dhjetor Brigada u kthye në Shkodër ku u inkuadrua në Divizionin II Sulmuese dhe veproi në Malësi të Madhe, Dukagjin, Kastrat, Kelmend, në operacionet e spastrimit kundër forcave reaksionare të Idriz Jazos, Llesh Marashit e Prek Calit. Ndjekja e shpartallimi i forcave reaksionare u bë në kushte të vështira dimri e terreni. Nga luftimet e batalionit të 4 të brigadës ranë dëshmorë: Gani Onuzi, Hysen Koka, Halil Hasa, Ibrahim Lleshi, Mahmut Neçi, Musli Halilaj, Ramadan Kaculi dhe Rustem Shehu.
Në pranverën e vitit 1945 brigada vazhdoi marshimin në drejtim të Tiranës dhe më 15 maj 1945 u shpërnda.
*Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, nëntor 1944, seria A, dok. Nr. 3569.
Kalimi i Divizionit I Sulmues në Shqipërinë e Mesme e të Veriut ishte një veprim shumë i rëndësishëm i Komandës së Përgjithshme të UNÇSH. Ai veprim i dha të tjera dimensione kryengritjes së përgjithshme të armatosur, duke rritur në një shkallë më të lartë forcën goditëse të UNÇSH kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve vendas.
Sipas urdhrit te Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, më 25 tetor 1944, pas çlirimit të Tropojës, u krijuan kushte për krijimin e një njësie të re të madhe partizane. Më 6 nëntor 1944 në fshatin Astë të Tropojës u formua Brigada XXV Sulmuese me një efektiv prej 900 partizanësh, 700 nga Tropoja dhe 200 nga Hasi, që vinin nga batalionet “Bajram Curri”, “Rinia” e ai territorial, si dhe vullnetarë nga Malësia e Gjakovës dhe e Hasit. Komandant i Brigadës XXV u caktua Veli Doçi, zv/komandant Çelo Arrëza- komisar Nuri Arapi, zv/komisar Spiro Pano, përgjegjës rinie Jovan Antoni, itendent Maxhun Nimani. Në 4 batalionet u caktuan këta komandantë: batalioni I komandant Idriz Mulosmani, batalioni II komandant Ali Brahimi, batalioni III komandant Mehmet Mulosmani dhe batalioni IV komandant Ismail Poga.
Brigada e 25-të S e pati jetën të shkurtër, vetëm 23 ditë në Luftë, deri në çlirimin e Plotë të Shqipërisë, por kontributi i saj ishte i madh. Qysh në formimin e saj, sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, brigada shkoi ndë ndihmë të Brigadës VI, e cila po zhvillonte luftime të ashpra kundër forcave gjermane dhe të bajrakatarëve reaksionarë në Nikaj-Mërtur, Theth, Shalë e Shosh. Batalioni 1 dhe 2 u nisën në drejtim të Plavës dhe Gucisë për çlirimin e tyre dhe, më pas, do të marshonin drejt Pejës.
Pas këtyre veprimeve, Brigada XXV Sulmuese u inkuadrua në Divizionin V Sulmues dhe mori pjesë në luftimet që zhvilluan forcat e tij në Kosvoë dhe në Sanxhak të Jugosllavisë. Më 28 nëntor 1944, çliruan qytetin e Gjakovës dhe festuan festën e madhe të pavarësisë. Në luftë e sipër efektivi i saj u rrit me rreth 550 partizane, nga këto 200 ishin hasianë dhe 350 kosovarë.
Më 28 - 30 nëntor, dy batalione të Brigadës XXV Sulmuese marshuan 80 km dhe i erdhën në ndihmë Brigadës II Kosovare, e cila, bashkë me shtabin e saj, ishte rrethuar në Ferizaj nga forca të shumta armike. Pas 3 orë luftimesh Brigada XXV Sulmuese i shpartalloi forcat rrethuese dhe e shpëtoi Brigadën II Kosovare nga asgjësimi i sigurt. Pasi e çliruan qytetin e Ferizajt, së bashku me brigadat e tjera të Divizionit të 5-të, marshuan drejt Sanxhakut e Bosnjes.
Bashkë me forcat e tjera të Divizionit V, Brigada XXV Sulmuese kaloi nëpër Sanxhak, duke zhvilluar luftime të ashpra kundër forcave gjermane deri në afërsi të qytetit Prijepolje. Brigada e 25 sulmuese zëvendësoi Brigadën e 3-të Sulmuese në luftimet në krahinën e Priepoljes dhe pas 12 ditë luftimesh në bashkëveprim edhe me forcat e Brigadës V Sulmuese, çliroi qytetin. Më von u kthye në Kosovë. Më 3 dhjetor 1944 brigada shkoi në Ferizaj, u gjend përballë një mynxyre: një natë me pare serbët kishin vrarë 360 veta të pafajshëm, 50 prej tyre në xhaminë e qytetit.
Gjatë luftimeve për çlirimin e atdheut dhe në Sanxhak ranë dëshmorë 36 partizanë të Brigadës XXV Sulmuese.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Kronikë e Ditëve të Stuhishme (bot. II) - Tiranë, 1972. (Botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore). Autorët: Lefter Kasneci, Raqi Janushi, Stiliano Sallabanda. Redaktimi dhe plotësimi i këtij botimi u bë nga Hysni Bendaj.
73 vjetori i krijimit të Brigadës IX Sulmuese Partizane. Postim i datës 20 tetor 2017 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Tomorr Asabella
72 vjet më parë krijohet Brigada X Sulmuese. Nesër përsëri në Karbunarë. Postim i datës 28 tetor 2016 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Kiu Myzeqari
Me rastin e 74-vjetorit të formimit të Brigadës XI Sulmuese. Brigada zjarr që u formua në flakët e Luftës. Postim i datës 2 nëntor 2018 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: K.Shtika
Brigada XIV Sulmuese Partizane në 75 vjetorin e formimit. Postim i datës 19 gusht 2019 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autorët: Zabit Ahmetaj
Brigada XV S Partizane në 72 vjetorin e krijimit. Postim i datës 24 qershor 2016 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autorët: Llazi Dimo, Jorgji Buda (ish-partizanë të Brigadës XV Sulmuese)
76-vjetori i Brigadës së 16-të Sulmuese. Brigada që çliroi fshatra e krahina të Myzeqesë dhe qytetet Fier e Lushnjë. Postim i datës 20 gusht 2020 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autorët: Nebi Hysi (Veteran i LANÇ)
Me rastin e 74 – vjetorit të formimit. Brigada XVII Sulmuese Partizane . Postim i datës 28 shtator 2018 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Spiro Bushi, Kadri Koçi
75-vjetori i Brigadës XVIII Sulmuese Partizane . Fryma patriotike e partizanëve të Brigadës XVIII Sulmuese do të mbahet përherë gjallë. Postim i datës 23 gusht 2019 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Korrespondenti i gazetës “Kushtrim brezash”
Me rastin 74-vjetorit të formimit të Brigadës XIX Sulmuese. Në një llogore kundër armiqve - shqiptarë e minoritarë. Postim i datës 31 gusht 2018 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Myslym Bisha (Oficer në lirim).
Historia e brigadës së XX S. në 75-vjetorin e krijimit. Postim i datës 7 shtator 2019 në faqen e Gazetës Telegraf. Autor: Telo Hoxha
74 vjetori i formimit të Brigadës së 22 S. Nga Peza në Vishegrad shkëlqeu heroizmi partizan. Postim i datës 14 shtator 2018 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Bashkim Shahini (Sekretar i Komitetit të Organizatës së veteranëve të LANÇ- Shijak)
Brigada XXIII Sulmuese Partizane në betejat për liri. Postim i datës 23 shtator 2016 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Sefer Boja, Veteran i LANÇ
72- vjetori i Brigadës XXIV Sulmuese Partizane. Djemtë e Lumës si petrita. Postim i datës 30 shtator 2016 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Sefer Boja (Veteran i LANÇ)
Brigada XXV Sulmuese - krenari e popullit të Tropojës. Postim i datës 9 nëntor 2018 në faqen zyrtare në Facebook të Organizatës së Veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ (Nderi i kombit). Autor: Riza Çelaj (pasardhës veterani - Tropojë)