Gjatë pushtimit fashist në Shqipëri kishte 14 qendra shëndetësore në qarkun e Gjirokastrës, 10 në qarkun e Korçës, 4 në atë të Tiranës dhe 5 në qarkun e Kukësit. Qendra shëndetësore përbëhej prej një mjeku, një infermieri e ndonjë qendër ambulante për vizita. Pajisja e qëndrave shëndetësore ishte e varfër. Mjeku shumicën e kohës e kalonte në qytet e jo në ambulanca fshati, shumica e të cilave ishin pa mjek. Në vitin 1940 numri i qendrave u pakësua në 47: 21 në Shqipërinë e Jugut, 14 në të Mesmen dhe po aq në të Veriut.*
*Arkivi qendror i shtetit - Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme. Dosja Nr. 3 viti 1930 Nr.13, dt. 19 gusht 1939, f. 1-6.
Në të gjithë Shqipërinë deri në vitin 1940 kishte gjithsej 9 spitale, aq sa kishte edhe para pushtimit. Në vitin 1942 u shtua një spital në Durrës dhe materniteti i Tiranës (1943) që u shërbente zonjave të të pasurve, të oficerëve dhe të pushtuesve. Spitalet ndaheshin në tre kategori: a) me më shumë se 250 shtretër, me 38 vetë personel mjekësor; b) me 50-250 shtretër dhe deri në 24 vetë personel mjeësor dhe c) nën 50 shtretër me 2 vetë personel mjekësor.* Rritja në shtretër u bë në favor të ushtrisë pushtuese, e cila në këtë kohë kishte filluar luftën italo-greke dhe të sëmurët e të plagosurit ishin të shumtë.
*Arkivi qendror i shtetit - Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme. Dosja Nr. 30 viti 1941.
Në vitin 1939 Shqipëria kishte 176 mjekë shqiptarë dhe 40 mjekë italianë të kontraktuar; kishte 107 farmacistë dhe 57 dentistë. Në këtë kohë kishte 13 kirurgë shqiptarë dhe 6 italianë.
Mjekët më të shumtë (108) ishin grumbulluar në katër qytete: Tiranë, SHkodër, Vlorë, Korçë. Po në këto qytete ishin gjysma e famracistëve (52) dhe shumica e dentistëve. Kështu krahina të tëra ishin pamjekë ose me 1-2 prej tyre.
“Në kohët e fundit - thuhet në një dokument të vitit 1943, - disponibiliteti i personelit mjekësor dhe farmaceutik është keqësuar mjaft, mbasi një pjesë e mjekëve italianë marrë me kontratë nuk e përdorin më kontratën, një pjesë ishte thirrur në armë dhe një pjesë nuk është kthyer nga loja. Në anën tjetër mjekët e rinj shqptarë tue përmbledh dhe ish bursistat e shtetit… refuzojnë me pranue shërbimin në vendet e caktuara…"*
*Arkivi qendror i shtetit - Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme. Dosja 100/2. 4 qershor 1943.
Në vitin 1943 për 9 spitale të vendit me 1275 shtretër punonin 349 prej tyre, gati 1 me 3 të sëmurë. Teknik dentist, farmacist, laborant nuk kishte veçse 29 gjatë gjithë kësaj kohe. Ndërsa infermierët mikroskopistë të prëgatitu nga Kryqi i Kuq Shqiptar nuk i kalonin 210 vetë.
Situatë më e rënduar u krijua në institucionet ekzistuese për personelin mjekësore, kur numri i të plagosurve dhe të sëmurëve u shtua ndërsa personali u pakësua në mënyrë të dukshme.
Përhapja e Luftës Nacional Çlirimtare dhe puna e madhe e aktivistëve të saj, bëri që mjekët të vënë në dispozicion të LANÇ punën e talentin e tyre. Kundër tyre pushtuesi vuri në përdorim dhunën, ndjekjet dhe persekutimet. “Siç dihet një pjesë e mirë e mjekëve të Vlorës është e internuar” - thuhet në një dokument të vitit 1944. Nga Spitali i Tiranës 49 veta kishin braktisur detyrën, më 1943 dhe më vonë 20 të tjerë kishin dalë partizanë.* Kjo gjendje ishte edhe në spitalet e tjera.
*Arkivi qendror i shtetit - Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme. Dosja 213/1, 165/3, 391/1, vitit 1943-1944 Dokumenti 485, 102/2.
Gjatë viteve 1943-1944 lëvizja e personelit mjekësor ishte e madhe. Shumica e tyre doli partizanë, një pjesë punonin në ilegalitet, një pjesë u vranë, u burgosën dhe u internuan, një pjesë e vogël u struk në qytete.
Veprimtaria e institucioneve shëndetësore gjatë pushtimi fashist ishte shumë e kufizuar në krahasim me gjendjen shëndetësore dhe vëllimin e madh të punës të shtuar nga lufta. Në këtë kohë mesatarja e jetesës së popullit shqiptar nuk i kalonte 38 vjetët.
Malaria, sifilizi dhe tuberkulozi ishin sëmundje të përhapura e të zakonshme. Nuk merrej asnjë masë mbrojtëse kundër këtyre sëmundjeve. Këto ishin sëmundje të rrezikshme, që preknin në masë popullatën dhe shkatonin vdekje të shumta. Regjimi në fuqi nuk mori asnjëherë masa për kufizimin e malaries. Me iniciativën e Kryqit të Kuq Shqiptar, në disa vende të Shqipërisëndahej një sasi e kufizuar kinine. Diaspnseritë antimalarike kishin veprimtari shumë të kufizuar dhe mjaftoheshin me nxjerrjen e masave kufizuese, duke spëkatur me sasi të pakta të pluhurit antilarvor kanalet, kënetat rreth qendrave të banuara dhe sidomos rreth kazermave ushtarake. Me këto veprime të pakta mbrojtëse nuk kishte se si të kufizohej përhapja e kësaj sëmundjeje. Ajo takohej kudo në Shqipëri, e bile dhe në zonat malore, dhe pasojat ishin të rënda.
Tuberkulozi ishte një sëmundje tjetër e rëndë që ishte e përhapur në të gjithë vendin dhe për të cilën nuk kishte ambiente trajtimi e kurimi. Ndërsa sifilizi ishte një sëmundje që u soll nga ushtritë pushtuese, të cilat përdornin gjerësisht prostitucionin me femra të sjella nga jashtë vendit. Sifilizi u përhap mjaft dhe për atë kohë mbeti i pamjekuar.
Edhe sëmundje të tjera u përhapën në vendin tonë gjatë pushtimit fashist. Tifoja abdominale dhe dizenteria vende-vende haseshin në formë epidemia dhe shuarja e tyre bëhej pa marrë masa izolimi dhe mbrojtjeje. Të përhapura kanë qenë edhe difteria, fruthi, skarlatina, etj.
Si bazë për përgatitjen e ushtrisë së rregullt çlirimtaer do të shërbente lëvizja partizane, krijimi i njësiteve guerile dhe i çetave të armatosura. Përpara Partisë Komuniste Shqiptare qëndronin një sërë detyrash të mëdha organizimi dhe taktike. Për të zhvilluar luftëne armatosur PKSH nuk ishte armë, mjete financiare, personeli dhe medikamentet. Të gjitha këto u siguruan hapa pas hap.
Në luftë e sipër u siguruan kudarot, u fitua përvoja dhe mjetet kryesore që i lypseshin luftës së armatosur. Në luftë e sipër lindi edhe shërbimi shëndetësor. Në një direktivë të PKSH të vitit 1942 gjejmë edhe udhëzimet për ngritjen dhe organizimin e shërbimit shëdentësor: “Detyra e njerëzve të rritur e të aftë është lufta, krijimi i çetave, forcimi i guerileve, për t’i dhënë grusht armikut deri në fitoren e plotë kundër tij. Gratë dhe rinia kanë për detyrë të sigurojnë lidhje të kujdesen për të plagosurit, t’u japin ndihmat e para…"* Po për këtë çështje në një direktivë tjetër të marsit të viti 1943 PKSH porosiste: “Për kryerjen e këtij shërbimi në luftë është i nevojshëm organizimi i përsosur dhe një funksionim i rregullt…"**
*PPSH. Dokumente kryesore, vëll. I, f. 39.
**Arkivi Qendror i Ushtrisë. Fondi i Shtabit të Përgjithshëm. Dosja 15/58 mars-prill 1943, f. 22, 34.
Në të fillim vitit 1942 PKSH kërkonte nga celulat e saj njerëz të sprovuar dhe të shëndetshëm, armë, ushqime dhe krahas tyre materiale sanitare. Për këtë në celulë përgjigjej shoku përgjegjës për vijën ushtarake, i cili në të njëjtën kohë organizonte dhe drejtonte njësitin gueril. Në një direktivë të atij viti PKSH udhëzonte “Baza e guerileve duhet të vendoset afër vendeve ku jetojnë atentatorët e njësitit. Në këtë bazë guerilja vendos mjetet e punës e të mjekimit…"* Mjetet e mjekimit duhet të ishin në të njëjtin vend ku ishin edhe mjetet e punës për shkak se antarët e njësitit kryenin veprime të ndryshme luftarake të shkallës së vogël, atentate kundër oficerëve dhe nënoficerëve fashistë italianë e gjermanë, sidomos ata të policisë e të karabinierisë dhe të milicisë fashiste, spiunë, digjinin e shkatërronin depot dhe objektet e tjera të armikut, rrëmbenin armë dhe materiale të dobishme për luftën çlirimtare, lironin të burgosurit politikë, etj.
*PPSH - Dokumente, vëll I, f. 45, Tiranë 1960.
Pajisja me materiale sanitare e bazave të njësiteve guerile ishte një domosdoshmëri, sepse mjekimi i shokëve të njësitit kërkonte konspiracion të madh. Prandaj komitetet qarkore nga vareshin njësitet dhe bazat herë pas here i shtonin dhe i pasuronin këto me pajisje dhe, kur e lypte nevoja, në këto baza vinin me fshehtësi edhe shokë të mjekësisë që bënin mjekime.
Në atë kohë komitetet qarkore në qytete, duke pasur parasysh orientimet e Konsultës së Parë të PKSH (prill 1942) i forcuan dhe i pajisën më mirë bazat e njësiteve guerile. Anëtarët e njësitit gueril të këtyre bazave filluan të mësonin elementët më të thjeshta të dhënies së ndihmës së parë mjekësore vetes dhe shokut, si edhe përdorimin e barnave që dispononte baza. Jo rrallë pranë shokëve të njësitit gueril vinin mjekë për të kuruar e mësuar luftëtarët si të jepnin ndihmën mjekësore, por shpesh këtë punë e bënin edhe vetë shokët enjësitit, të cilët kishin përvojë në këtë drejtim. Kur këto mundësi nuk ishin, atëherë anëtarët e njësitit që nuk ishin ilegalë, me arsyetime nga më të ndryshme, vinin në qendrat mjekësore ose në farmacitë dhe merrnin njohuritë e duhura për dhënien e ndihmë mjekësore.
Shpesh ndodhte që ndihmën e parë mjekësore e jepnin njerëz të thjeshtë simpatizantë të rezistencës, të cilët trashëgonin njohuri, brez pas brezi, për mënyrën e dhënies së ndihmës së parë.
Në vitin 1942 të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë kishin njësitet e tyre guerile. Kjo shtrirje bëri të mundshme krijimin e bazave në fshat dhe, si rrjedhim, edhe shtrirjen e ndihmës mjekësore në këto baza. Po këtu është karakteristikë më shumë dhënia e ndihmës mjekësore empirike nga fshatarët dhe kujdesja e tyre mjekësore. Për rastet e rënda dhe për ata që nuk shëroheshin me këtë ndihmë, nën kujdesin e me urdhër të komitetit qarkor të PKSH ata dërgoheshin në spitale, në klinka private ose në baza ilegale dhe, kur kjo gjë ishte e pamundur, po me vendim të komiteteve të qarkorëve dërgoheshin në fshat edhe mjekë për të kryer mjekimet e duhura.
Vështirësitë e dhënies së ndihmës mjekësore në vitin 1942 qenë shumë të mëdha. Vetëm një mjek kish dalë në mal, disa të tjerë punonin ilegalisht në qytete dhe herë-herë dilnin dhe në male për të mjekuar partizanët e plagosur.
Grumbullimi i të plagosurve në disa vende nuk mund të bëhej, sepse zona të çliruara nuk kishte dhe se armiku herë pas here bënte operacioni spastrimi. Po ashtu nuk kishe mundësi tërheqje e të plagosurve pas çetave partizane , sepse ato ishin në lëvizje të vazhdueshme. Prandaj u praktikua lënia e të plagosurve nëpër baza, nëpër shtëpitë e bashkpunëtorëve të LANÇ. Pas marrjes së mjekimit të parë në çetë ata rrethoheshn nga kujdesi i njerëzve të shtëpisë ku strehoheshn, mjekimi i tyre standard gërshetohej me mjekimin popullor. Kushtet e qetësisë dhe ushqimit të mirë ndihmonin në shërimin e shpejtë të plagëve. Në kohë operacioniesh luftarake ose reaksioni të madh, krahas kujdesit që nuk u mungonte për asnjë çast, të plagosurit fshiheshin nga fshatarët në pyje dhe në guva duke u ruajtur edhe me armë, për të mos i lënë në duart e armikut. Në të tilla rrethana, grumbullimi i shumë të plagosruve në një vend do të vështirësonte shumë më tepër manovrimin e tyre në grup se sa po të ishin të shpërndarë.
Një pjesë të vogël e të plagosurve ose të sëmurëve u dërguan ilegalisht në qytete për mjekim, ndërsa një pjesë tjetër u shëruan në sajë të dhënies së ndihmës nga mjekët patriotë, të cilët linin qytetin me urdhër të komiteteve qarkore të PKSH dhe mjekonin për një kohë këta të plagosur.
Gjatë vitit 1942, si rezultat i punës së vazhdueshme të komiteteve qarkore të PKSH nëpër qytete, ishin grumbulluar rreth celulave të PKSH shoqe e shokë komunistë të mjekësisë, të cilët kishin përgatitur një sërë shoqesh e shokës të tjerë simpatizantë të LANÇ, për dhënien e ndihmës së parë mjekësore. Thuajse i gjithë ky personel mjekësor si dhe një pjesë e infermierëve ekzistues, me krijimin e çetave partizane dolën në mal.
Në çetat që nuk kishin personel mjekësor, ndihmën e parë mjekësore e jepnin luftëtarët me përvojë.
Pas konferencës së Pezës (16 shtator 1942) u shtuan çetat dhe u rrit numri i partizanëve. Çështja e sigurimit shëndetësor të tyre, si me personel ashtu edhe me materiale mjekësore, u bë më e vështirë. Në këtë kohë pikësynimi i çetave ishte spastrimi nga forcat armike i zonave dhe fshatrave të thella malore për të krijuar baza të luftës partizane, të cilat ishin të domosdoshme. Krahas këtyre ato bënin edhe një sërë aksionesh kundër postave dhe garnizoneve, me qëllim që të zinin sa më shumë armatim, veshmbathje, materiale mjekësore, etj, që i duheshin luftës.
Pas aksioneve në shumë fshatra u vendos pushteti i këshillave nacional-çlirimtare, pajisën më mirë çetat me material luftarak, veshëmbathje dhe u siguruar një sasi e mirë materialesh mediko-sanitare të kapura nga armiku. Ndërkohë u përfitua një eksperiencë e madhe në luftë, u përsos organizimi dhe bashkëveprimi midis çetave partizane dhe atyre territoriale, lindën pikat e grumbullimit të të plagosurve dhe dërgimii tyre në zona të lira, u bë lidhja e këshiallve dhe njohja me problemin e madh të të plagosurve dhe të sëmurëve të luftës, etj.
Viti 1942 ka qenë viti i lindjes së një mjekësie të re militante, klandestine nëpër qytete, me një aktivitet të madh nën hundën e armikut dhe në kushtet e mungesës së përvojës dhe të medikamenteve në formacionet partizane. Gjatë këtij viti ka pasur rreth 500 të plagosur dhe puna me ta është përballuar nga jo më shumë se 20 punonjës të mjekësisë partizane, të disa punonjësve të shëndetësisë të ardhur në ndihmë nga qyteti, të spitaleve e të qendrave shëndetësore ekszistuese, të bazave të shumta ilegale dhe të ndihmës mjekësore të dhënë nga populli.
Fillimi i vitit 1943 e gjeti vendin tonë në kushte më të favorshme për luftën. Përgatitja e personelit dhe pajisja me medikamente për forcat partizane si dhe për të plagosurit ishte më e plotë. Në këtë vit u siguruan shumë mjete shëndetësore duke iu marrë armikut me dhunë. Çetat sulmonin edhe qendrat shëndetësore, dhe medikamentet i vinin në dispozicion të partizanëve.
Por ashpërsimi iluftës, shtimi i betejave, zgjerimi izonave të veprimit në luftë, rritja e çetave, organizimi dhe nëdmarrje e aksioneve sollën si pasojë edhe shtimin e numrit të të plagosurve dhe të sëmurëve partizanë. Diktohej si domosdoshmëri organizimi më i mirë i mjekimit të partizanëve.
Në fun të viit 1942 dhe në fillim të 1943-shit, në betejën e Gjormit lindi vendmjekimi i parë partizan. Ky formacion i mjekësisë ushtarake doli si domosdoshmëri e kushteve konkrete të diktuara nga lufta, ku duhej që krahas goditjeve që i jepeshin armikut të sigurohej jeta e njerëzve që plagoseshin e sëmureshin. Këtë e kërkonin pra kushtet kur numri i të plagosurve ishte i madh. Më vonë, lindën dhe vendmjekime të tjera. Partizanëve të plagosur u jepej ndihma e parë pastaj dërgoheshin nëpër shtëpi fshatarësh mbështetës së LANÇ. Në këto shtëpi partizanët e plagosur gjenin ngrohtësi, ushqim dhe kujdes të pandërprerë. Herë pas here te ata vinin, me urdhër të komiteteve qarkore të PKSH, mjekë ose infermierë partizanë të çetave, ose punonjës të mjekësisë, simpatizantë të luftës nga qytetet, për të mjekuar këta partizanë. Ndihmën mjekësore të pandërprerë ata e merrnin nga duart e grave fshatare.
Grumbullimi i të plagosurve në shtëpi kushtëzohej nga këta faktorë: si rezultat i ashpërsimit të luftës partizane numri i të plagosurve në fillim të vitit 1943 u rrit shumë dhe shpërndarja e tyre në shtëpi e pika individuale vështirësonte shumë shërbimin mjekësor nga aspekti operacional e logjistik. Nga ana tjetër, mundësia për të ndërtuar spitale të mirëfillta nuk ekzistonte sepse nuk kishte as personel mjekësor, as mjete të mjaftueshme dhe as territor të çliruar që mund të gjendej jashtë rrezikut nga një sulm i beftë i armikut. Edhe dërgimi i të sëmurëve fshehurazi në qytete ishte vështirësuar mjaft për shkak të kontrolleve të rrepta të armikut në rrugët e komunikacionit. Forcat gjermane e kolaboracioniste kontrollonin çdo hyrje e çdo institucion shtetëror të qytetit, gjurmonte kudo ku dyshonte se kishte të plagosur. Megjithatë në sajë të kujdesit të celulave të PKSH në qytete, kjo mundësi nuk u eliminua krejt por u shfrytëzua në mënyrë tejet të kufizuar. Krijimi i bazave ilegale të mjekimit në qytete për më shumë se 2-3 të plagosur ishte shumë i rrezikshëm për jetën e tyre. Kudo kishte spiunë dhe manovrimi ishte shumë i vështirë.
Prandaj, shëtpitë e fshatit të pliruar, grumbullimi i të plagosurve në këto shëtpi-infermieri, mbeti e vetmja mundësi për të përballuar mjekimin e partizanëve të plagosur në fillim të vitit 1943, krahas vendmjekimeve , të cilat nuk praktikoheshin shpesh në këtë kohë dhe qëndronin të hapura për pak kohë.
Krijimi i shtëpive infermieri, si dhe vajtja e mjekut ose e infermierit herë pas here në to, duke mos pasur personel tjetër mjekësor veç njerëzve të stërvitur nga aktivistët, ishte një veçanti dhe përbën një element të ri në eksperiencën e mjekësisë ushtarake, që pasuroi LANÇ, sepse, pavarësisht nga situata e krijuar si dhe niveli i dhënies së ndihmës mejkësore, në vetvete ajo përbënte origjinalitetin në zgjidhjen e dhënies së ndihmës mjekësore në luftë, dke pasur në bazë të saj elementë të përparuar.
Në këtë periudhë kishte edhe të sëmurë sepse partizanët luftonin në kushte shumë të vështira; me mungesë të theksuar ushqimesh e veshmbathjes dhe në kushte ekstreme atmosferike, sidomos gjatë dimrit, kur shpesh partizanëve u duhej të kalonin lumenjtë, të marshonin me orë të tëra në borë dhe kur shpesh flinin në qiell të hapur.
Pranvera e vitit 1943 paralajmëronte sfida të tjera. Lufta po merrte përpjestime të reja. Nga çetat partizane u kalua në krijimin e batalioneve. Batalionet territoriale të vetëmbrojtjes u forcuan, u shumuan dhe plotësonin formacionet e rregullta partizane. Në këtë situatë PKSH, në Konferencën I të saj (17-22 mars 1943) ngriti çështjen e krijimit të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare, mëyrën e organizimit dhe masat që do të merreshin. Në një direktivë të 10 prillit 1943, Komiteti Qendror i PKSH lëshoi udhëzimin mbi organizimin e UNÇSH, shtabeve të qarqeve e të zonave dhe krijimin e reparteve të mëdha partizane. Këtij organizimi të ri të ushtrisë duhej t’i përgjigjej edhe një formë e re e organizimit shëndetësor partizan, ai i mjekësisë ushtarake të kohës së luftës, i cili do të bënte sigurimin mjekësor të plotë të kryengritjes së armatosur. Nga këto direktiva mori full edhe dokumenti i rëndësishëm mbi organizimin shëndetësor në ushtrinë çlirimtare:
“Shërbimi shëndetësor në ushtri ka një rëndësi të dorës së parë, prandaj lypset kujdesja e të gjithë përgjegjësve dhe e partizanëve në këtë drejtim.
Për kryerjen e këtij shërbimi në luftë, është i nevojshëm një organizim i përsosur dhe një funksionim i rregullt. Që t’i mbahet këtij qëllimi, është planizue pranë ushtrisë dhe reparteve të ndryshme një personel i specializuar në shërbimin sëndetësor. Shërbimi shëndetësor i sanitetit në luftë kryhet nga mjekët, nga infermierët, ndihmësir dhe të plagos mbartësit.
Çdo batalion do të ketë një mjek me personlin e nevojshëm që do të kujdesen për mjekimin e të plagosurve. Natyrisht për të kryer shërbimin sanitar, siç dihet, personeli që kemi sot nuk është i mjaftueshëm. Çdo mjek i batalionit e ka për detyrë kryesore të bëjë kurse sanitare të vazhdueshme.
Mjeku i batalionit merr udhëzime nga shtabi i batalionit për vendet që do të caktohen për t’u bërë mjekimet e para të të plagosurve dhe për t’u kujdesur se ku do të dërgohen, në guva të sigurta dhe në spitale. Transferimi i të plagosurve nga vendi i parë i mjekimit duhet të bëhet nën përgjegjësinë dhe kujdesin e një infermieri, që caktohet prej mjekut. Për këtë qëllim, të përdorë kafshët e transportit që repartet kanë bënë në shërbim të tij dhe personelin që i është lënë në dispozicion. Në këtë rast ky personel është i zënë me kujdesjen dhe me transportimin e të plagosurve, prej vijës së parë në vendin e mjekimit, atëherë duhet të përdoren njerëz dhe kafshë prej katundit më të afërt.
Transportimi i të plagosurve prej vijës së luftës deri në atë të mjekimit kryhet prej plagosmbartësve. Për çdo kompani caktohen dy partizanë për këtë shërbim në vijat e luftimit dhe të tërheqje së të plagosurve për në vendin e mjekimit. Gjatë kohës së luftimit këta vihen në dispozicionin e mjekut përderisa të plagosurit të sigurohen dhe madje të kthehen pranë repartit përkatës. Shërbimi i transportit të të plagosurve bëhet edhe prej partizanëve, kur mungojnë përmasat e këtij shërbimi”*
*Arkivi Qendror i Ushtrisë. Fondi i Shtabit të Përgjithshëm. D.15/68, f. 22, 34/
Në të gjitha komitetet e PKSH të qarqeve dhe në celulat e njësive krahas masave të organizimit të ushtrisë u mendua dhe për shërbimin shëndetësor dhe kryesisht mbi krijimin e infermierëve dhe spitaleve partizane, këtyre enteve mjekësore të rregullta që do të kryenin kurimin e partizanëve. Problemi nuk ishte i thjeshtë. Mungonin personeli, mjetet, përvoja.
Në këtë kohë në zonat e thella të çliruara lindën infermieritë e para partizane, të cilat ishin vendmjekime stacionare që udhëhiqeshin nga një infermier. Këto do kishin kapacitet shtrimi 5-10 shtretër dhe ishin nën kujdesin e këshillave nacionalçlirimtare të atyre zonave. Në muajt shkurt-qershor në çdo zonë gjejmë të tilla infermieri. Kështu na bëhet e ditur për dy infermieritë e zonës së Korçës, atë të Shënprodhomit të Voskopojës dhe të Shipskës. Edhe në Kurvelesh, në Gusmar, në Kuç, në Mesaplik (Vranisht), në Krahës të Tepelenës, në Pezë, në Martanesh, në Tropojë, në Malësi të Madhe, në Dibër, në Përmet e Zagori kishte të tilla infermieri. Këtij infermieri ishin bërthama e spitaleve partizane dhe shumica e tyre u kthyen në të tilla pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 1943, krahas organizimit të shërbimit shëndetësor, në njësitë partizane të sëmurët e të plagosurit kuroheshin edhe në shtëpi e në baza të mjekimit ilegal ose të fshatit, në shtëpi-infermieri që mbanin 3-4 të tillë, në vendmjekimet e njësive dhe në infermieritë partizane. Pra ka në këtë kohë një gërshetim të të gjitha formave të mjekimit. Në njësitë partizane shërbimi shëndetësor në 6-mujorin e parë të 1943 kishte vetëm një personel, një infermier student në mjekësi dhe shumë rrallë një mjek. Kjo vinte për shkak të mungesës së tyre. Ky personel mjekësor, që më vonë u quajt referent i shëndetësisë, përgjigje për sigurimin shëndetësor të çetës ose të batalionit. Paisja me materiale ishte shumë e paktë: kishte vetëm një çantë sanitare me lidhëse pambuku, disa vegla të thjeshta mjekësore si dhe ilaçe të pakëta për pastrimin e plagëve dhe mjekimin e tyre. Në luftimet që kryente çeta ose batalioni, përgjegjësi i mjekësisë përkohësisht rrinte pranë shtabit dhe sipas lajmërimeve të shokëve shkonte deri në vijën e parë për t’u dhënë ndihmë të plagosurve. Transportimi i të plagosurve organizohej nga vetë komanda duke caktuar partizanë të shëndetshëm dhe duke i shoqëruar në vend të sigurt vetë përgjegjësi i shëndetësisë. Më vonë u praktikua dhënia e mësimit sanitar disa partizanëve për çdo kompani dhe njëkohësisht të plagosmbartësve. Vendi i parë i mjekimit nuk praktikohej, po ashtu të pakta ishin në këtë 6-mujor edhe vendmjekimet e njësive.
Rol me rëndësi në këtë periudhë ka luajtur përkrahja nga populli. Njerëz të ngarkuar nga këshillat nacionalçlirimtare interesoheshin për tërheqjen dhe mbartjen e të plagosurve nga vija e parë, për transportimin dhe sigurimin e tyre në thellësi të vendit të çliruar, për kurimin e ushqimin e partizanëve të plagosur dhe të sëmurëve.
Në mbledhjen e parë të Shtabit të Përgjithshëm (korrik 1943) në Labinot të Elbasanit u përcaktua edhe sesioni i shëndetësisë, forumi më i lartë i shërbimit shëndetësor ushtarak gjatë LANÇ. Njësitë e rregullta partizane në korrik numëronin rreth 10.000 luftëtarë, të organizuar në 22 batalione e me një numër të madh çetash. Jo më pak se 20.000 vetë të tjerë të armatosur përbënin çetat vullnetare territoriale të zonave të lira dhe njësitet guerile që qyteteve të krahinave të pushtuara. Zonat e çliruara përfshinin më shumë se gjysmën e sipërfaqes tokësore të vendit. Pushtuesit italianë e shpallën Shqipërinë zonë operacionesh.
Menjëherë pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm u ngritën shtabet e qarqeve. Në strukturën e tyre përfshiheshin edhe shërbimet e intendencës, të informacionit, të ndërlidhjes, të shëndetësisë, etj. Grupet partizane ishin formacionet më të mëdha të UNÇSH para krijimit të brigadave. Në krye të shërbimit shëndetësor të tyre ishte referenti i shëndetësisë, i cili duhej të ishte mjek. Ai ishte përgjigjes edhe për territorin e caktuar ku vepronte grupi. Në detyrat e shumta që ai kishte përfshiheshin dhënia dhe organizimi i ndihmës mjekësore në repartet vartëse dhe në popull, edukimi higjenik, marja e masave për ndalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, organizimi i spitaleve, kujdesja për transportimin dhe për rregullimin e të plagosurve, furnizimin me medikamente, personel, etj.*
*Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, vëll. 1, Nr.17, f.49.
Në çetat dhe batalionet partizane, shërbimi shëndetësor ishte i përbërë prej dy infermierëve dhe katër bartësve të plagosurish. Bartësit e të plagosurve ishin luftëtarë dhe këtë detyrë e kryenin sipas nevojës së çetës. Strukturë të ngjashme organizative për sa i përket shërbimit shëndetësor kishin edhe çetat e batalionet territoriale.
Shtabet e qarqeve dhe të grupeve partizane sipas nevojës së tyre dhe mundësive organizonin infermieri dhe spitale partizane, të cilat ishin në varësi të tyre dhe i shëbenin ushtrisë së rregullt partizane, çetave territoriale dhe popullit të territorit të vet, pra, deri në këtë kohë kemi vetëm një lloj shërbimi shëndetësor për ushtrinë e për popullin të centralizuar në shtabet e qarqeve dhe të grupeve.
Më 17 gusht 1943 Shtabi i Përgjithshëm lëshoi urdhërin për krijimin e spitaleve partizane, në të cilin thuhet: “Gjatë luftës që po zhvillojmë kemi mjaft të sëmurë e të plagosur, prë të cilët duhet të kemi kujdesin më të madh t’i shërojmë, që kështu të mundin të zënë përsëri vendin në radhët e luftës. Prandaj urdhërojmë që çdo grup të krijojë një spital ku të shërohen vetëm të plagosurit dhe të sëmurët rëndë. Ky spial të drejtohet mundësisht prej në doktori ose një infermieri të stërvitur. Të sëmurët lehtë të çohen në shtëpi miqsh ose në ndonjë ambulancë për shërim të shpejtë. Për shërbimin të spitaleve duhet t’u bëhet thirrje vullnetarëve gra të qyteteve ose të fshatrave, të cilat të kryejnë punën e infermiereve…"*
*Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, vëll. 1, Nr.18, f.661.
Me daljen e këtij urdhri u plotësua struktura shëndetësore e reparteve partizane duke krijuar kështu institucionin për mjekimin përfundimtar të partizanëve të plagosur e të sëmurë. Jo rastësisht ky udhër doli menjëherë pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm. Kjo gjë u kushtëzua nga këta faktorë: faza e re në të cilën hyri lufta kundër fashizmit dhe kolaboraconistëve; rritja e menjëhershme e numrit të luftëtarëve në njësitë e rregullta partizane dhe dyfishimi i forcave partizane në përgjithësi; rritja e aktiviteti luftarak me aksione të shumta, të befasishme, kundër qendrave të fortifikuara e qyteteve, me operacione në shkallë të gjerë dhe me marshime të gjata e të shpejta; shtimi dhe egërsimi i operacioneve antipartizane dhe masakrat kundër popullsisë civile; nevoja për të përsosur në të gjitha hallkat shërbimin shëndetësor në përputhje me taktikën dhe organizimin e njësive të ushtrisë së rregullt partizane. Të pesë faktorët e lartpërmendur bënë të domodoshëm riorganizimin e shërbimit shëndetësor.
Po në gusht të vitit 1943 PKSH krijoi pushtetin ushtarak të prapavijës, që kishte për detyrë të mbronte e të përkrahte këshillat antifashiste nacionalçlirimtare dhe të furnizonte njësitë partizane me vullnetarë të rinj, ushqime, veshmbathje, njoftime të vlefshme për armikun, etj. Krijimi i pushtetit ushtarak të prapavijës ishte një ngjarje e rëndësishme për LANÇ, sepse do të mbështeste luftën dhe forcat e armatosura dhe do të forconte punën në zonat e çliruara. Në këtë organizim bënin pjesë komandat e qarqeve, komandat e vendit dhe rojat partizane, të cilat vareshin nga shtabet e qarqeve. Ndër detyrat e shumta të pushtetit ushtarak të prapavijës ishte dhe “...krijimi i shërbimit sanitar në prapavija. Organizimi i institucioneve sanitare, përkujdesja dhe udhëheqja e tre…"* Ky lloj shërbimi mjekësor, u krijuar po në gusht 1943, për popullsinë civile të paangazhuar drejtpërdrejtë në luftë. Pra, në këtë kohë shohim lindjen e një organizate tjetër shëndetësore, e cila ndryshonte si në formë ashtu edhe në përmbajtje nga shërbimi mjekësor në zonat e paçliruara. Ky shërbim ofrohej falas. Në qëllimin e këij shërbimi ishte jo vetëm dhënia e ndihmës mjekësore, por edhe përmirësimi i kushteve të higjienës dhe parandalimi i epidemive. Shërbimi shëndetësor i prapavijës në Kongresin e Përmetit (24 maj 1944) dhe më vonë në Berat (23 dhjetor 1944) u përfshi në një dikaster të veçantë në ministrinë e shëndetësisë, e para në historinë e Shqipërisë.
*Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e komandës , vëll. 1, Nr.24, f.68.
Plotësim me personel mjekësor i njësive partizane të UNÇSH ka qenë një sfidë e vazhdueshme për vetë kushtet e mundësitë reale që kërkonin zgjidhje shumë të shpejta dhe në raport të drejtë me shtimin e vështirësive dhe me ashpërsimin e luftës.
Koha shtronte problemin e dhënies së ndihmës së shpejtë mjekësore të të plagosurve në fushën e luftës trajtimin mjekësor dhe kurimin. Për këtë nevojiteshin veç të tjerave njerëz të mësuar. Në kushtet që ishte mjekësia shqiptare ky problem i rëndësishëm nuk mund të zgjidhej sepse mjekët ishin shumë pak. PKSH që në fillim të organizimit të kryengritjes së armatosur futi njohuritë e veçanta me anë të kurseve. Kështu gjithë anëtarët e njësiteve guerile, krahas punës politike mësuan edhe përdorimin e armëve, të minave, dhënien e ndihmës së parë mjekësore vetvetes, shokut, etj.
Si rezultat i propagandës dhe punës këmbëngulëse sqaruese me persona të veçantë, shumë infermierë dhe disa mjekë patriotë u vunë që në fillim në dispozicion të lëvizjes së reszitencës. Me porosi të PKSH në fillim të itit 1942 në shumë qytete të vendit u çelën “...kurset e grave për ndihmat e para…”* Këto kurse organizoheshin me grupet simpatizante të lëvizjes antifashiste dhe me ato të rinisë komuniste. Në to merrnin pjesë 8-10 vajza të reja të cilat mblidheshin në ilegalitet të plotë një ose dy herë në javë dhe krahas punës politike që u zhvillonin shokët ose anëtarët e rinisë komuniste bënin edhe kursin e infermierisë, nën drejtimin e ndonjë infermieri ose mjeku me përvojë. Quheshin “kurse të infermierëve” sepse në to merreshin gjithë njohuritë e duhura për infermier dhe bëhej praktika përkatëse. Këto dalloheshin nga kurset e sanitetit. Ky kurs vazhdonte 5-6 muaj. Gjatë kësaj kohe mësoheshin pjesët përbërëse të trupit, sidomos kockat dhe enët e gjakut, mësoheshin elemente të thjeshta të funksionimit të organeve të trupit, të higjienës vetjake e kolektive, mësohej mënyra e dhënies së ndihmës së parë, ruajtja e plagëve nga infektimi, mjekimi i të plagosurve dhe kurimi i sëmundjeve të më të përhapura. Në këto kurse mësohej përdorimi i barnave, njohja e efektit të tyre si dhe detyrave të infermierit në kohë lufte.
*PPSH - Dokumente kryesore, vëll. I, 1960
Qëllimi i krijimit të këtyre kurseve ishte që kursantet që mbaronin kursin të dilnin partizane. Ato caktoheshin infermiere nëpër çetat partizane, prandaj edhe përgatitja e tyre ishte me përgjegjësi. Kursantet përgjithësisht kishin dëshirë të madhe për të mësuar. Shpeshherë në kurse u tregohej ndonjë tabelë anatomie e marrë nga librat ose u shpjegohej në praktikë mënyra e veprimit me të plagosurit e me të sëmurët dhe kishte raste që pas mësimit teorik i bënin shoqja-shoqes edhe ndonjë injeksion për të mësuar zbatimin e teorisë në praktikë. Shpesh anëtarët e veçantë të kursit, ndonjëherë dhe në grupe të vogla, në mënyrë të ndryshme shkonin në spitale dhe atje nga afër njiheshin me llojet e plagëve dhe me të sëmurët.
Këto vajza ishin ato që caktoheshin për t’u kujdesur në demonstrata për shokët e plagosur, të cilat bashkë me shokë të tjerë i tërhiqnin, i fshihnin dhe i mjekonin të plagosurit. Veç kësaj, këto i vinin në ndihmë popullit me dijet e tyre të pakta. Për këtë na informon një dokument i asaj kohe i autoriteteve bashkiake të qytetit të Shkodrës, të cilët të alarmuar njoftonin eprorët: “Një numër infermierësh dhe infermieresh të pashkolluar të mësuar vetë prej ndonjë mjeku bëjnë injeksione në shtëpi pa pas leje…"* Autoritetet kërkonin ndalimin e veprimtarisë së tyre dhe hetimin e imtë të këtyre personave.
*Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë. Dosja Nr. 344, vitit 1943, Nr. 137.
Fillimi i vitit 1942 karakterizohet nga përgatitja e shumë shoqeve në kurset e lartpërmendura në gjithë qytetet kryesore si Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Durrës, etj.
Gjysma e dytë e vitit 1942 i dha rezistencës dhjetëra vajza e gra infermiere me përgatitje të mirë politike dhe profesionale. Por kjo nuk ishte një punë e lehtë, sepse çdo gjë zhvillohej në fshehtësi, në ilegalitet të plotë dhe nën terrorin e egër fashist. Simpatizantët pjesëmarrës në këto kurse kishin vullnetin, por nuk kishin arsimin përkatës për të ndihmuar në problemet e mprehta të mjekësisë. Mungonte eksperienca e punës sepse ishin rrugë që çaheshin për herë të parë dhe mbi të gjitha haseshin vështirësi të mëdha në ruajtjen e të plagosurve, të cilët ndiqeshin nga reaksioni.
Me gjithë këto vështirësi, në fund të vitit 1942 u përgatitën rreth 50 vajza infermiere, të cilat ishin të gatshme nga çasti në çast sipas urdhrit të qarkorit të PKSH të dilnin në mal ose të punonin në ato detyra që do t’i caktonte qarkori. Kjo përgatitje e kuadrit u shtua më shumë në vitet pasuese, ndonëse në fillim qytetit ishte furnizuesi i njësive partizane me person infermierë, shohim më vonë që përgatitja e personelit shtrihet edhe pranë njësive partizane, sidomos pranë atyre njësit të mëdha dhe enteve mjekësore që u kirjuan pas Shtabit të Përgjithshëm.
Përgatitja e personelit mjekësor më vonë kishte karakteristikat e veta. Në radhë të parë ai zhvillohej në zonat e lira, ku ishin edhe kushtet më të favorshme. Së dyti, pjesëmarrësit zgjidheshin nga shokët e shoqet më të mira të njësive me një arsim së paku 3 vjeçar fillor dhe në bazë të vullnetit të tyre. Së treti, teoria dhe praktika e kursit bëhej e gjallë, konkrete, pranë të plagosurve dhe të sëmurëve partizanë, dhe së fundi kursantët shpërndaheshin në njësitë nga kishin ardhur.
Kurset për infermierë zhvilloheshin pranë spitaleve partizane dhe infermierive të brigadave, “Për shërbimin sanitar të brigadës, - urdhëronte Shtabi i Përgjithshëm Komandën e Brigadës VII Sulmuese, - dërgoni pranë spitalit të shtabit të qarkut të Beratit 20 partizanë dhe në rast se në atë spital nuk bëhet stërvitja e tyre, i dërgoni në Grabockë, pranë spitalit që është atje.”* Urdhra të tillë morën të gjitha njësitë e ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare dhe secila prej tyre nëpërmjet spitaleve që kishin në afërsi përgatiste personelin e infermierisë për nevojat e veta. Më vonë këto kurse filluan të vijnë jo vetëm partizanë nga njësitë e rregullta, por edhe njerëz nga terreni, të cilët prëgatiteshin për zonat e çliruara në shërbim të popullit.
*Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë. Dosja Nr. 3/6, dt. 5/3/1944, Dokument f.258.
Me krijimin e divizioneve dhe të korparmatave, këto kurse u bënë më të shumta dhe më të gjera. Shtabet e Divizionit I, II, OV u urdhëruan që të organizojnë pranë spitaleve të divizioneve kurse infermierie 30 ditore, kur të zgjidheshin edhe infermierë që kanë nevojë për kualifikim. Programi teroiko praktik i këtyre kurseve u hartua më 1944 nga forumi më i lartë i shëndetësisë dhe iu shpërnda spitaleve partizane dhe njësive partizane bashkë me urdhrat përkatëse. Në këtë program parashikohej vazhdimi 20-30 ditor i kursit (si ta mendonte drejtori teknik i spitalit, i cili ishte njëkohësisht edhe përgjegjës i kursit). Paradite parashikohej punë praktike pranë të sëmurit dhe në sallën e operacionit e të mjekimeve, pasdite bëhej mësim teorik. Lëndët e këtij programi përfshinin njohuri mbi trupin e njeriut, mbi sëmundjet dhe veçanërisht ato epidemiket; po ashtu edhe njohuritë kirurgjikale kryesisht për mjekimin e plagëve, bërjen e injeksioneve si dhe sterilizimin e veglave: përfshiheshin gjithashtu edhe elementet përbërëse kryesore të farmakologjisë.
Rëndësi ka të përmendet se një pjesë e mirë të programit e përbënin njohuritë mbi detyrat e infermierit në spital, në ushtri dhe në popullatën civile, kujdesi për të sëmurët, rregullat e spitalit, respektimi i dietave dhe disiplina profesionale. Në kursin teorik infermieri cilësohej si “pararoja” profesionale dhe më shumë rëndësi - si bazë e shëndetit të ushtarit dhe të popullit…” dhe duhet të dinte “rëndësinë e rolit të tij në edukimin politik dhe social të popullit tonë”* Në këto kurse infermieri brumosej jo vetëm nga ana profesionale, por edhe nga ajo ushtarake, humanitare, politike e shoqërore.
*Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë. Dosja Nr. 5/20, dt. 4/10/1944, f.213-216.
Në fund të çdo bisede urdhërohej që të bëhej një përmbledhje e shkurtër e materialit të mësuar, gjë që zëvendësonte tekstet që mungonin. Në mbarim të kursit teoriko-praktik infermierët pajiseshin me një dokument nga përgjegjësit e kursit ku vërtetohej aftësia e tij profesional. Në mbarim të kursit, infermierët pajiseshin me një çantë të ndihmës së shpejtë me medikamentet e nevojshme të marra nga spitali ose nga depot në afërsi me dokument të rregullt dhe me autorizim.
Gjatë vitit 1943, sidomos në gjashtëmujorin e dytë e tij, kurset e kualifikimit mjekësor që zhvilloheshin në mal u shtuan e ua kaluan atyre të qyteteve. Në nëntor të këtij viti numëroheshin rreth 10-12 kurse të tilla. Por hov të madh morën kurset në verën e vitit 1944 në prag të mësymjes së përgjithshme dhe sidomos në prag të çlirimit të Shqipërisë, hov i cili vazhdoi edhe pas çlirimit. Kështu në çdo qendër të çliruar pranë spitaleve zonale të qyteteve dhe atyre partizane njoftohet për fillimin ose mbarimin e këtyre kurseve, për numrin e partizanëve të kualifikuar, etj. Në kurset e infermierëve u përgatitën mbi 1000 partizanë dhe partizane në qytete dhe në mal. Këta ishin personeli që përballuan luftën nga ana mjekësore.
Krahas kurseve për infermierë gjatë luftës u përgatitën edhe shumë sanitarë. Këta stërviteshin pranë njësive të tyre luftarake nga shokët e tyre të mjekësisë, duke pasur si detyrë kryesore atë luftarake dhe si ndihmesë punën mjekësore. Këta sanitarë në disa njësi u shndërruan edhe në skuadra. Kursi i tyre ishte i shkurtër, jo më shumë se 10 ditë. Dituritë e marra ishin elementare e kryesisht synohej në përvetësimin e tërheqjes së të plagosurve nga vija e parë dhe në transportimin e tyre.
Si udhëheqës të punës, mësues dhe shokë të afërt të infermierëve dhe të sanitarëve të përgatitur gjatë luftës ishin shokët e tyre me profesionin e infermierit që kishin përkrahur lëvizjen e kishin dalë partizanë. Këta zakonisht viheshin në krye të shërbimit shëndetësor të çetë a batalionit. Kishte nga ata edhe përgjegjës shëndetësorë në brigadë. Ky kontingjent mjekësor me vlerë nuk i kalonte të 100 vetët deri në shtator të vitit 1944, por më vonë ky numër u shtua edhe më. Krahas tyre, studentët shqiptarë të mjekësisë, që studionin jashtë vendit, braktisën auditorët dhe të nxitur nga ndjenja e patriotizmit, nën ndikimin e elementëve përparimtarë u radhitën krah popullit të armatosur. Ky kontingjent kuadrosh të larta ishte i rëndësishë për mjekësinë partizane de luajti një rol të veçantë në mbarëvajtjen e ndihmës mjekësore.
Puna e madhe bindëse e PKSH, ndenja e atdhedashurisë e humanizmit bënë që mjekët të përqafonin lëvizjen çlirimtare dhe që nëpër institucionet ku punonin, nëpër baza ilegale brenda dhe jashtë qytetit, të mjekonin e të kuronin ilegalët në mënyrë shembullore pa dekonspiruar kurrë, disa prej tyre i kthyen shtëpitë në qendra mjekimi ilegalësh. Për aktivitetin e madh të mjekëve në dobi të LANÇ, dëshmojnë ndjekjet e mjekëve shqiptarë nga pushtuesit, pushimet nga puna, burgosjet dhe pushkatime. Kështu bëhet i ditur pushimi nga puna i 47 mjekëve gjatë vitit 1943, shumica e të cilëve dolën partizanë ose punuan ilegalisht.
Gjatë vitit 1942 vetëm tre mjekë ishin në mal. Këta u jepnin ndihmën e duhur partizanëve të plagosur e të sëmurë, por rreth 50 të tjerë ishin në dispozicion të lëvizjes nëpër qytete dhe punonin në ilegalitet të plotë nën hundën e armikut, në kushtet e terrorit të egër. Në fund të vitit 1943 numëroheshin rreth 30 mjekë në radhët e ushtrisë partizane. Ndërsa gjatë vitit 1944 thuajse të gjithë mjekët ndihmuan lëvizjen duke dalë shumica në mal në radhët partizane.
Më 8 shtator 1943 u shpall kapitullimi i Italisë fashiste. Ky kapitullim ishte përfundimi i arsyeshëm i të gjitha përpjekjeve dhe të luftës së madhe të bllokut antifashist, në të cilin merrte pjesë aktive edhe vendi ynë. Krahina të tëra të Shqipërisë ishin çliruar në luftë të ashpër kundër pushtuesve italianë. Pushtuesi i ri gjerman, i cili e priste kapitullimi e Italisë fashiste nuk vonoi as dy orë pas shpalljes me radio të këtij kapitullimi të marshonte në shumë drejtime me forcat e tij që i kishte afruar në kufirin tonë që më parë.
Nga trupat italiane të pushtimit prej afro 150 mijë vetash kaluan në anën e luftës që zhvillonte populli shqiptar gjithsej rreth 15 mijë ushtarë e oficerë* Nga këta vetëm rreth 2500 u angazhuan në luftë e midis tyre kishte edhe disa mjekë ushtarakë italianë dhe disa infermierë që bashkëpunuan ngushtë me shërbimin tonë shëndetësor duke mjekuar partizanët shqiptarë e italianë të plagosur dhe të sëmurë. Shumica e këtyre italianë që u vu në dispozicion të shërbimit shëndetësor të ushtrisë partizane nuk erdhën me vullnetin e tyre, por u dorëzuan pas betejash të ashpra ose dezertuan nga radhët e robërve gjermane. Kështu ndodhi në Maliq të Korçës, pas kapitullimi të Italisë, për të cilën Enver Hoxha shkruan në atë kohë: “...është bërë një luftë e rreptë në mes tanëve dhe italianë që s’donin të dorëzoheshin… Tre-katër doktorë italianë, tok me nja 300 italianë, kanë shkruar në mal me tanët, ku po organizojmë spitale, etj."**
*Historia e Luftës Nacionalçlirimtare, vëll I, f.545.
**Enver Hoxha, Veprat, vëll. I, f.454-455.
Mjekët dhe studentët tanë të mjekësisë bashkë me mjekët e dorëzuar italianë u shpërndanë me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm në të gjitha njësitë dhe repartet partizane. Ata organizuan spitale, infermieri dhe vendmjekime duke qenë në kushtet e luftës. Që të gjithë ushtruan në radhë të parë kirurgjinë me të gjithë gamën e saj. Edhe ata që në kushtet e paqes ushtronin profile të tjera, lufta i stërviti dhe i bëri të aftë në drejtim të kirurgjisë së luftës. Studentët në mjekësi u bënë kirurgë të dashur për të gjithë partizanët e sëmurë gjatë luftës dhe arrtën të bëjnë shumë amputacione në kushte shumë të vështira dhe me mungesa të mëdha materialesh. Qindra predha në kavitete dhe në trupin e të plagosruve që rreikonin jetën u hoqën nga duart e tyre, qindra plagë u përpunuan, gjithë llojet e frakturave u trajtuan me mjeshtëri. Edhe më tej në kushtet e spitaleve partizane, u bënë disa apendektomi (heqja e apendicitit), rezeksione të pjesëve të dëmtuara të organeve dhe deri ndërhyje të gjera të plagëve të shpuara të torkasit, të abdomenit, etj. Po kështu me respekt e dashuri mund të flitet dhe për mjekët të specialiteteve të tjera jokirurgjikale, të cilët kujtojnë shpesh rastet e ndërlikuara kirurgjikale të trajtuara prej tyre gjatë luftës.
Nuk ishin të paktë në vendin tonë edhe shëruesit popullorë, të cilët dinin shumë mirë teknikën e shërimit të plagëve e që në kushtet e luftës partizane, duke përdorur mjete të thjeshta dhe barëra rrethanore, mjekonin me sukses plagët e rënda. Në këtë kontingjent duhet përfshirë edhe qindra gra e vajza që dinin të mjekonin plagët.
Për qëllimet e veta misioni britanik kishte sjellë pranë shtabit të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër në fund të vitit 1943 një mjek. Mjeku që punonte me të shkruan kështu në kujtimet e tij: “Në shtabin e ZIOP Vlorë-Gjirokastër na vinte nëpër spitalet një farë mjeku, kirurg thoshte, por shumë mediokër, që quhej dr. Moulin (Mowlin). Ky, na thanë, ishte anglez. Nga emri nuk ngjante, mirreshim vesh frëngjisht, ishte i mbyllur, nuk tregonte ndonjë dashuri, nuk na ndihmonte konkretisht, na premtonte medikamente, por ne nuk kishim besim te ai dhe kot që të bënim kërkesa… Ky, me sa pamë ne, kërkonte të bënte mjekimin e mbyllur të frakturave duke i hedhur plagës një pluhur (penicilinë ose sulfamid)... Mirëpo si të sëmurët edhe neve nga qelbëzimi që bënin në përgjithësi këto plagë detyroheshim t’i hapnim prapë dhe ç’qe e vërteta hoqëm dorë nga mjekimi i mbyllur i këtyre plagëve, sepse jo vetëm nuk shihnim ndonjë rezultat me sukses, por edhe vetë të plagosurit nuk ishin të kënaqur nga ky mjekim”.
Lufta guerile nuk mund të mbështetej në një ekip kirurgjikal që mund të dërgonin britanikët, as në ndihmën mjekësore të mjekëve të ushtrisë italiane, të cilët në vitin e fundit të luftës dhanë kontributin e tyre. LANÇ kishte kuadrot e veta mjekësore, të cilët përballonin me sukses mjekimin e të sëmurëve aq sa lejonin kushtet e luftës dhe aq sa ishin arritjet mjekësore të kohës. Në korrik të vitit 1944 gati të gjitha njësitë partizane ishin plotësuar me nga një mjek, dhe kjo për vendin tonë nuk ishte gjë e vogël. Këta mjekë mundën të përballonin me sukses vëllimin e ndihmës mjekësore gjatë mësymjes së përgjithshme.
Demonstratat ishin një nga format e rezistencës antifashiste të popullit shqiptar. Gjatë demonstratave kishte edhe përleshje mes qytetarëve dhe milicisë fashiste. Ata demonstrues që plagoseshin ose vriteshin tërhiqeshin menjëherë nga vetë pjesëmarrësish në demonstrata për të mos rënë në dorë të armikut. Ky ishte një moment me shumë rëndësi, prandaj dhe veprohej me shpejtësi të madhe duke klauar derë më derë deri në ndonjë vend të mbrojtur dhe prej andej në ndonjë shtëpi. Këtu bëhej vlerësimi i plagosjes, jepej shpejt ndihma e parë.
Në dhënien e ndihmës mjekësore shokëve tëplagosur në demonstrata mbaheshin parasysh dy kushte: sa e njihte armiku veprimtarinë e të plagosurit dhe grada e dëmtimit lidhur me rrezikshmërinë e jetës së demonstruesit. Nëdse armiku njihte vperimtarinë ee të plagosurit dhe kishte të dhëna se ai kërkohej nga armiku, i plagosuri kalonte pas marrjes së ndihmë së parë në disa shtëpi derisa të humbiste gjurmët dhe pastaj dërgohej në bazën ilegale. Ndihmë më të madhe në këtë drejtim ka dhënë gjithë populli, por në drejtim të mjekimit, të strehimit sidomos për kujdesjen e vazhdueshme për këta të plagosur kanë dhënë gratë, të cilat rreshtoheshin dhe ato në demonstrata ose i mbanin të hapura dyert e shtëpive për të pritur demonstruesit e përgjakur me armikun, i pastronin këta, i mjekonin, u ndërronin teshat dhe për të mos i njohur, rrinin roje jashtë e brenda shtëpisë së tyre për t’i shpëtuar.
Formë tjetër e luftës në qytete ishte vprimtaria e madhe e njësiteve guerile. Si në çdo përleshje, edhe në këto patjetër që do të kishte humbje, vrasje, plagosje, sëmundje dhe torturime, prandaj PKSH mori masa për tërheqjen e të sëmurëve de të plagosurve, për shtrimin e tyre, mjekimin dhe ruajtjen nga gjurmimet e armikut, etj.
Nëpër qytete zhvillohej jë veprimtari e dendur ilegale, të cilën e udhëhiqnin komitetet qarkore të PKSH. Ato, si shtabe revolucionare të luftës çlirimtare, midis të tjerash, përgjigjeshin drejtpërdrejt për ruajtjen e shokëve, prandaj u krijuan shumë baza ilegale në shtëpi simpatizantësh, të cilët krahas të tjerave shërbenin dhe për mjekimin e shokëve të plagosur dhe të sëmurë. Spitalet ekzistuese, farmacitë dhe ambulancat në sajë të punës sqaruese të komunistëve ishin kthyer po ashtu në qendra ku mjekoheshin dhe ruheshin ilegalët. Shumica e htëpive të mjekëve dhe klinikave të tyre private ishin baza për mjekimin e ilegalëve. Veprimtaria ilegale mbështetej tek popullsia civile. Fshatrat në afërsi të qyteteve ishin kthyer në baza të sigurta që mbështesnin veprimtarinë ilegale dhe prisnin të plagosurit e të sëmurët. Kështu p.sh. Në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1943 kishte mbi 300 baza ilegale. Të tilla kishte edhe në Korçë, Elbasan, Bera, Durrës, Shkodrë, etj.
Bazat ilegale të mjekimi ishin shtëpi të sigurta simpatizantësh që nuk binin në sy të armikut dhe sidomos spiunëve. Caktoheshin baza të tilla ato shtëpi që ishin të futura në lagjet e varfra, me rrugica të shumta dhe me hyrje të fshehura. Shumica e tyre kanë qenë shtëpi përghese, disa kanë pasur bodrume, hajate. Këto shëtpi ishin të pajisura thjeshtë dhe të pastra. Të plagosurit transferoheshin nëpër baza në mënyrë të fshehtë. Ata i priste nëna e shtëpis, e cila ndihmonte në një farë mënyrë dhe shpesh i mjekonte me mejete popullore. Pjestarët e tjerë të shtëpisë bënin roje të vazhdueshme për të mos u kapur i plagosuri në befas nga ndonjë kontroll i milicëve. Pas stabilizimit të të plagosurit, shokët e PKSH dërgonin menjëherë ndonjë infermier apo mjek për mjekimin e tij. Krahas mekimit të plagëve, në këto shtëpi i kushtohej rëndësi edhe krijimit të ambientit të pështatshëm për rikuperimin e forcave. Atu u jepej ushqim i bollshëm dhe vitaminoz (edhe nëse mungonte në shtëpi, sigurohej nga të tjerët), u sigurohej shërbimi gjatë gjithë ditës dhe natës dhe për asnjë çast nuk liheshin vetëm.
Në bazat ilegale të mjekimi nuk bëhej thjesht një mjekim plage, por, kur e lypte puna, kryheshin edhe ndërhyrje kirurgjikale të rëndësishme, si heqja e plumbave, pastimi dhe reponimi i frakturave të hapura, vendosje allçie në ekstremitete, etj. Të gjitha këto kryheshin në kushte shtëpie, në fshehtësi të plgotë dhe shpeshherë pa narkozë, ose lëndë anestezie.
Në çdo bazë ilegale mjekimi, zakonisht vendoseshin jo më shumë se një ose dy të plagosur, sepse kjo jo vetëm që rrezikonte shumë jetën e tyre nga ndonjë zbulim i papritur i armikut, por pengonte dhe lëvizshmëinë e tyre të shpejtë nga njëra bazë në tjetrën, krijonte gjithashtu vështirësi ekonomike përkëto familje të varfra qytetare. Bazat ilegale të mjekimi u shtuan në pranverën e vitit 1942 dhe edhe më shumë në dimrin e vitit 1943.
Në kohë reaksioni të madh dhe gjatë kontrolleve masive të befasishme të armikut, në qytete shokët e plagosur nxirreshin jashtë qytetit. Enver Hoxha në kujtimet e tij për atë kohë shkruan: “Tirana ishte ndezur zjarr, goditeshim nëpër rrugë, terrori ishte i madh. Dhashë urdhër që një pjesë e shokëve të ekspozuar të sëmurë dhe të plagosur të dilnin në Pezë. Vetë, me gjithë terrorin e madh, qëndruam brenda…* Peza në atë kohë ishte një vend i çliruar dhe armiku nuk mund të shkelte pa angazhuar forca dhe mjete të shumta. Shokët e plagosur që nuk mund të largoheshin nga qyteti mbaheshin në fshehtësi të madhe ose dërgoheshin në ndonjë lagje ku nuk kishte bastisje.
*Enver Hoxha. Disa kujtime mbi Tefta Tashkon dhe vëllezërve të saj Gaqo dhe Aleko. Gazeta “Drita” 19 shkurt 1978, f.2.
Kur luftëtarëve të plagosur të njësive guerile, të çetave dhe të batalioneve, që ishin nëpër fshatra, u duhej dhënë një ndihmë e kualifikuar, ata dërgoheshin në baza ilegale të mjekimit të qytete dhe prej këtej, kur e lypte nevoja, shtroheshin ilegalisht në spitale me emra të tjerë dhe me pretekste nga më të ndryshmet. Në përgjithësi thuhej se ishin plagosur për gjakmarrje. Kur nuk kishte mundësi shtrimi atëherë organizohej me çdo kusht dërgimi i mjekut, i veglave mjeësore ose i barnave aty ku ndodhej i plagosuri. Ka pasur raste kur njësiti gueril përcillte fshehtas kirurg nga qyteti, për në bazën e fshatit ku ishte shtruar i plagosuri, dhe pasi mbaronte punë e kthente atë përsëri të shoqëruar në qytet.
Spitalet ekzistuese, duke përfshirë edhe spitalin qendror ushtarak, ishin bërë baza të rëndishme të kurimit ilegal të partizanëve të plagosur dhe të sëmurë. Puna e PKSH në këto spitale ishte që në fillim shumë e gjallë, ajo u përkrah nga masa e infermierëve, e sanitarëve dhe e punëtorëve të këtyre institucioneve, më vonë me ta u bashkua edhe një numër mjekësh. Në këto institucione zhvillohej veprimtari e madhe ilegale e gjithanshme. Bodrumet, depot dhe skutat që nuk binin në sy të këtyre spitaleve u kthyen në derpo ku grumbulloheshin armë, të cilat herë pas here dërgoheshin në çeta. Kështu mund të përmendet dhoma e errët e fotolaboratorit të kabinetit të rontgenit, tavani dhe dyshemeja e pavionit pediatrik dhe një depo anekse në spitalin civil të Tiranës. Nga këto spitale dërgoheshin periodikisht sasi të mëdha barnash dhe veglash mjekësore për çetat partizane. Për sa i përket kruimit të ilegalëve, mund të përmendim shumë të dhëna, por për të pasur një ide po përmendim një shembull: vetëmnë muajin gusht të vitit 1943 në spitalin civli të Tiranës kanë qenë shtruar dhe mjekuar 96 ilegalë*, shifër kjo e barabartë me ⅕ e gjithë kapaciteti të këtij spitali. Po kështu ka ndodhur edhe në spitalet e Vlorës, Gjirokastrës, Shkodrës, Korçës dhe Elbasanit.
Kjo veprimtari zhvillohej nën hundën e pushtuesit, i cili për të shtypur lëvizjen kishte angazhuar forca të shumta ushtarake, policore e spiunazhi. Deri në muajin tetor të vitit 1943 pranë spitaleve kishte një postë xhandarmërie, e cila kontrollonte gjithë të shtruarit, të plagosurit gjatë 24 orëve dhe për çdo rast lajmëronte me hollëso eprorët, të cilët identifikonin rrehtanat e plagsojes. Pas tetorit të vitit 1943 në këto spitale mund të strehoheshin vetëm ata të plagosur që shoqëroheshin ata të plagosur që shoqëroheshin nga vetë autoritetet e “sigurimit publik” dhe veç kësaj mjeku i rojeh duhet të lajmëronte për çdo rast prokuronin dhe xhandarmërinë.
Me gjithë këto masa të rrepta, veprimtaria ilegale që zhvillohej në këto institucione shëndetësore e udhëhequr nga komunistët asnjëherë nuk u kap në befasi dhe të gjithë ilegalët e shtruar, të cilët përbënin qindra vetë u mjekuan dhe nuk u rrezikuan. Po pati qindra akte të heroizmit dhe të sakrificës. Ja njëri prej tyre: Me dijeni të qarkorit të PKSH, celula e PKSH e spitalit civil në Tiranë bëri një aksion të guximshëm. Me urdhër të komandës së karabinierisë në janar 1943 pavioni i 8 i këtij spitali që përdorej për sëmundjet e fëmijëve ishte caktuar për shtrimin e të burgosurve*. Pasi studioi mirë gjithë veprimet dhe bëri një punë përgatitore në korrik të vitit 1944 celula e PKSH mori përsipër aksionin e lirimit dhe arratisjen e këtyre të burgosurve. Me anë të infermieres që punonte në këtë pavion u kopjuan gjithë çelësat e dyerve dhe çelësat që lidhnin me zinxhirë këmbët e të burgosurve me krevatin, gjithashtu u lajmëruan të burgosurit si edhe shokët e njësitit gueril që do t’i mbartnin të sëmurët për në spitalin partizan. Si ditë aksioni u caktua dita e Bajramit, më 28 korrik 1943. U përgatitën dy bakllava, në njërën që ishte më e madhe dhe më e mirë në dukje, u hodhën pluhur luminal dhe morfinë në sasi të mjaftueshme për të vënë në gjumë xhandarët, tjetrën ua çuan të burgosurve të shtruar. Pasi rojet ranë në gjumë të thellë, në ora tre të natës u çliruan të burgosurit nga prangat dhe u bartën jashtë spitalit për në zonën e lirë. Po këtë natë, si rezultat i punës sqaruese dhe bindëse të komunistëve, bashkë me të burgosurit e plagosur dhe të sëmurë u arratisën edhe 12 xhandarë em gjithë armatimet e tyre. Gjithësej 15 vetë. Aksioni përfundoi me sukses. Armiku u tërbua dhe shpërtheu më një varg arrestimesh e pushime nga puna.
*Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë. Dosja Nr. 213/1, Nr. 107, dt. 23 janar 1943.
Në një trakt të Ballit Kombëtar të janarit 1944 me titull “Spitali civili i Tiranës xhenemi i nacionalistëve”, midis të tjerash shkruhej “Tirana ka një spital civil modern. Por sot mjekimi dhe kudesi është rezervuar për komunistët… Për t’u afruar një doktor, për të pasur fatin e shërbimit të një infermiereje duhet të mos jesh nacionalist”* Administrata e spitalit traktit të Ballit iu përgjigj kështu në datën 14 shkurt 1944: “... Spitali i ka dyert e çelira për të gjithë pa dallim ideologjie ose partie.”**
*Arkivi Qendror i PKSH, Fondi 42. Dosja 13, Nr. 3, janar 1944.
**Arkivi Qendror i PKSH, Fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë. Dosja Nr. 414, Nr. 71/6, 1944.
Shqipëria në kohën e pushtimit fashist (1939-1944) u mbush me burgje dhe kampe përqendrimi na të tëra anët. Numri i të burgosurve ishte aq i madh, sa burgjet e Zogut dhe atë që shtuan pushtuesit fashistë nuk mjaftonin, kështu që për këtë qëllim fashistët shfrytëzonin edhe shkolla, ndërtesa publike, etj. Gjendja higjienike në këto burgje e kampe përqendrimi ishte shumë e keqe. Në një barakë që Qendrës Higjienike të Tiranës, në dy të ndara në madhësi jo më shumë se 3x4 metra u futën, për një kohë të gjatë në 1942, 31 të burgosur, që jetonin në kushte shumë të rënda higjienike. Në burgun kryesor të Tiranës ambienti ishte aq i ngushtë, sa u zunë edhe WC-të, ndërsa në një shkresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë mbi inspektimin e burgut të Elbasanit mësojmë se në një qeli 15x8 metra mbaheshin 80 të burgosur. Në këtë burg si dhe në të tjerët mungonte uji, dhomat ishin pa dysheme, të palyera, pa xhama, plot me plehra e ndyrësisë, WC-të shumë të këqija dhe të pa dezinfektuara, enët ngrënies të përbashkëta, të cilat laheshin në dhomë. Burgu kishte çimka, pleshta, morra, etj.
Në këtë gjendje sëmundje gjenin terren për t’u përhapur. Tifoja abdominale dhe paratifot ishin nga më të zakonshmet, dizenteria dhe infeksionet e tjera gastrointestinale bënin kërdinë ndër të burgosurit. Tuberkulozi u përhap në masa të papara, sëmundjet pulmonare të tjera po ashtu. Sëmundje të tjera të rralla si meningiti cerebrospinale epidemik, encefaliti, dhe në muajt e fundit të 1944 edhe tifoja ekzematike, u përhap nëpër të burgosurit dhe në kampet e përqendrimit. Përpara kësaj gjendjeje të vështirë të shokëve, që vuanin nëpër burgjet e kampet e përqendrimit fashist, PKSH organizoi ndihmën me anë të shokëve komunistë. Brenda nëpër burgje u krijuan aty celulat dhe komitetet e PKSH, të cilat dhëhiqnin të gjithë veprimtarinë ilegale të të burgosurve dhe të internuarve dhe, mbi të gjitha, vazhdimin e organizuar të rezistencës. “Në burgun e Tiranës, më 1942, kishte 15 celula me më shumë se 100 komunistë dhe një komitet të posaçëm partie për burgun.”* Komitetet e partisë jashtë mbanin lidhje të vazhdueshme me të burgosurit dhe jepnin udhëzime mbi situatat e krijuara. Në burgje e kampe përqendrimi dërgoheshin sasi të bollshme ushqimi, të cilat ndaheshin në mënyrë të barabartë nga të burgosurit; po ashtu futeshin shumë ilaçe për mjekimin e plagëve nga torturat çnjerëzore dhe shumë barna për kurimin e sëmundjeve. Jeta e të burgosurve përbën një shembull të lartë vvetëmohimi, si dhe dashurie pakufi për njeri-tjetrin. Qëndrimi i fortë, stoik nën parrulën “një për të gjithë dhe të gjithë për një” u bë laitmotiv i jetës nëpër qeli. Plagët e tyre të burgosurit i lidhnin me copat e grisura nga këmishët e njëri-tjetrit. Ditë e natë qëndronin mbi kokat e shokëve të sëmurë rëndë për t’i shpëtuar nga rreziku. Shokët i ushqenin ata dhe me fjalë të ngrohta e u ngrinin lartë moralin.
*Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar, V. I, f. 238-239
Shumë pre këtyre të burgosurve mundën të shpëtonin jetën nga sëmundjet, nga plagët e torturat në sajë të ndihmës e të kujdesit të shokëve të PKSH dhe të mbrojtjes që iu bë nga personeli mjekësor që shërbente në burgje. Në këtë veprimtari të gjithanshme një ndihmë të veçantë kanë dhënë mjaft infermierë e mjekë patriotë që futeshin nëpër burgje për inspektim, dhe që shpesh këmbëngulnin pranë autoriteteve përkatëse për krijimin e infermierive dhe vendeve të shtrimit për të plagosurit e sëmurë. Autoritetet përkatëse për interesin e tyre, të shtyrë edhe nga opinioni publik, krijuan disa infermieri të tilla dhe pranë spitaleve caktuan disa dhoma ose ndarje për kurimin e të plagosurve politik.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifahsite Nacionalçlirimtare urdhëronte më 17 gusht 1943 ngritjen e spitaleve partizane. Kjo ishte një masë e domosdoshme po të kemi parasysh se në 6 mujorin e parë të vitit 1943 numëroheshin rreth 7000 të plagosur të shpërndarë në spitalet e qyteteve, në bazat e shumta të qytetit e të fshatit, në shtëpi-infermieri dhe në infermieritë partizane. Krahas këtyre numri i të sëmurëve sa vinte e shtohej, sepse luftëtarët që jetonin e luftonin në kushte shumë të vështira, duke qenë gjithmonë jashtë dhe në aktivitet të pandërprerë kishin hyrë ndaj agjentëve dëmtues dhe ndaj infeksioneve kishte rënë.
Mbledhja, grumbullimi dhe mjekimi i partizanëve të plagosur dhe të sëmurë ishte detyrë si gjithë detyrat e tjera luftarake, ajo përbënte një problem organizativ të ndërlikuar dhe nuk ishte e lehtë të zgjidhej. Tani ishte grumbulluar një përvojë e madhe organizative. Që para daljes së urdhrit për ngritjen e spitaleve, komitetet qarkore të PKSH dhe shtabet e zonave dhe të grupeve, pranë depove, infermierive dhe vendmjekimeve kishin grumbulluar pajisje mjekësore të marra me aksione. Interesimi i PKSH për ngritjen e spitaleve ishte i madh. Komiteti Qendror i PKSH më 31 prill 1943 i dërgon një letër komitetit qarkor të PKSH në Korçë, ku ndër të tjera thuhet: “Ne jemi të mendimit se teshat që po shënojmë më poshtë mund të mblidhen në popull, natyrisht duke e organizuar në mënyrë që të mos i kërkohet njërit më shumë se tjetrit dhe shumë herë një personi… me bujari dhe me gëzim do t’ua japin kur t’u thoni se janë për luftëtarët e sëmurë… Këto sende për t’i mbledhur në popull ose për t’i blerë nuk duhet të vonohen me muaj, por brenda 5-6 ditëve. Komunikoni me doktorin për këtë çështje, na lajmëroni edhe neve për rezultatin.”* Për këtë u krijua nga qarkori i PKSH në Korçë një komision prej 5 vetësh dhe u bë një fushatë ndihme në popull. Vendosja e këtij spitali partizan në një zonë të çliruar u vështirësua shumë nga veprimet e herëpashershme të armikut, po ashtu u vonua pajisja me barna. Më 1 gush 1943 Enver Hoxha i dërgon një letër komitetit qendror të PKSH në Korçë: “Po ju çojmë një listë barnash, përpiquni të na i mblidhni si ndihma nga farmacitë e atjeshme, se na duhen për spitalin që po ngrihet. Besoj se keni aq miq farmacistë për të mbledhur këto sende të pakta…”*
*Arkivi Qendror i PKSH, Fondi 20. Dosja 2. Letë e Enver Hoxhës drejtuar Komitetit Qarkor të PKSH të Korçës, 13 prill 1943.
*Enver Hoxha. Vepra. Vëll. 1, f.321.
Komiteti qarkor i Tiranës gjatë viteve 1942-1943 në zonën e lirë të Pezës vazhdimisht dërgonte materiale mjekësore dhe kishte krijuar edhe një rezervë të tillë. Krahas tyre, nga materialet e kapura ushtrisë italiane nëpërmjet aksioneve, kishte grumbulluar edhe shumë batanie, çadra, pajisje e orendi të tjera, që i kishte vënë në dispozicion të infermierisë së Grupit ppartizan të Pezës. Në korrik 1943, me urdhër të komitetit qarkor të PKSH në Tiranë, në hyrje të fhsatit Pezë, në afërsi të përroi, në pyllin e Fjollës, u ngrit spitali i Grpit partizan të Pezës.
Në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër qendra shëndetësore e nënprefekturës së Gusmarit në filllim të vitit 1943, u kthye në infermieri partizane dhe në korrik të po këtij viti u krijua spitali partizan e Gusmarit. Me shtroja e me tesha të shëtpisë ku u vendos dhe ndihma e fshatarëve. Dy muaj më vonë, në fshatin Nivicë u ngrit një tjetër spital partizan. Më 24 gusht 1943 prefekti i Vlorës lajmëronte komandën e ushtrisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme: “Njoftohemi prej organeve vartëse se më datën 17 të vazhduesit ora 20-22 një çetë partizanësh komunistë ka sulmuar ambulancën që ndodhet në Sevaster, bri rrugës publike Vlorë-Tepelenë… Guximtarët kanë lidhur kujdestarin që ndodhej aty… dhe mandej kanë marrë me vete gjithaçka ndodhej në atë ambulancë”* Me materialet e marra nga kjo qendër shëndetësore, me ndihmat e popullit dhe me plotësimin nga njësitë partizane u ngrit në gusht të vitti 1943 spitali partizan i Ramicës, i vendosur në shpellën verilindore të këtij fshati dhe në shtëpitë rreth tij.
*Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi dr. PPS, viti 1943. Dosja 212/1. Njoftim i prefekturës së Vlorës, 24 gusht 1943.
Me materialet e marra nga aksionet në Borsh e në Fterrë, në fshatin Kuç të Kurveleshit, në muajin gusht 1943 u ngrit spitali partizan i Kuçit, në fillim me 15-20 të plagosur. Mbi bazën e infermierisë së krijuar që në shkurt të vitit 1943 dhe me materialet e marra në aksionin e Selenicës, në fshatin Vranisht në një shtëpi dykatëshe në muajin shtator të vitit 1943 u ngrit spitali tjetër partizan. Forcat partizane të Grupit të Mallakastrës me materialet mjekësore të marra në Fier e në Tepelnë kishin ngritur që në prill të vitit 1943 infermieri në ankeset e teqes të Krahësit dhe në korrik 1943, me ndihmën e popullit, u ngrit në shkollën e këtij fshati spitali partizan. Dy muaj më vonë u ngritën spitale partizane edhe në krahinën e Zagorisë, në fshatrat partizane në krahinën e Përmetit në Leshicë si dhe në krahinën e Delvinës. Grupi partizan i Beratit me materialet mjekësore të marra në Çorovodë, në zonën e lirë të Skraparit, ngriti spitalin partizan të Nikollarës. Pas spitalit partizan të Nikollarës në këtë zonë u ngri edhe spitali partizan i Grabockës, i Shipckës, etj.
Pranë shtabit të Përgjithshëm në Helmës, Labinot e Çermenikë ekszistonte spitali partizan. Ndërsa nën kujdesin e çetës së Martaneshit në teqenë e Baba Fajës (Mustafa Xhanit) në tetor 1943 u ngrit një tjetër spital partizane me pajisje nga Tirana. Në muajt gusht-shtator u ngrit edhe spitali partizan në manastirin e Shënmërenës, në krahinën e Mokrës, i cili u ngrit me materialet e marra nga qyteti i Pogradecit. Tropoja e çliruar që më 12 gusht 1943 nga forcat partizane ngriti spitalin e vet partizan mbi bazën e qendrës shëndetësore, ndërsa gjatë luftës së Peshkopisë në tetor të vitit 1943 u ngrit në bazë të spitalit ekzistues spitali partizan.
Brenda muajve korrik-tetor 1943 u ngritën spitale partizane: ndër ta më të hershmit janë ai i Pezës (Tiranë), i katundit (Korçë), i Gusmarit (Kurvelesh), i Krahësit (Tepelenë), i Ramicës (Mesaplik), i Nivanit dhe i Tropojës. Për sptitalet koha nga tetori deri në dhjetor të vitit 1943 shërbeu për forcimin organizativ dhe pajisjen sa më mirë me materiale mediko-sanitare dhe me pajisje të tjera, si veshmbathje, shtroje e material kazermimi.
Kapitullim i Italisë fashiste, çlirimi i përkohshëm i disa qyteteve dhe pushtimi shumë garnizoneve italiane dha mundës që të merreshin shumë materiale mediko-sanitare dhe pajisje të tjeraë të nevojshme për spitalet partizane. Krahas kompletimit të këtyre spitaleve dhe infermierive u kompletua edhe shërbimi shëndetësor i njësive partizane. Një pjesë e mirë e këtyre materialeve mjekësore u depozitua në vende të caktuara dhe sekrete, si në Kuç të Kurveleshit, në Sheper të Zagorisë, në Lavdar të Oparit, në Shipckë dhe në Nikollarë të Skraparit, në Shënmërenë të Mokrës dhe në Labinot të Elbasanit etj., duke ngritur këtu deport e para farmaceutike, të cilat u bënë më vonë të vetmet baza furnizimi me barna mjekësore. Ndërkohë, nëpërmjet komiteteve qarkore të PKSH, spitalet partizane forcuan lidhjet me qytetet dhe sidomos me spitalet ekzistuese e me farmacitë.
Gjatë kësaj periudhe u fitua eksperiencë lidhur me përballimin e vëllimit të punës në kushtet e luftës së këtyre spitaleve partizane. U përcaktua rregulli i brendshëm i tyre, u vunë lidhje të forcat midis tyre e njësive partizane, komandave të vendit dhe këshillave nacionalçlirimtare. Problemi i furnizimit me ushqime dhe biles nga më të mirat për partizanët e plagosur u bë problem qendror i këshilalve nacionalçlirimtare dhe i komandanve partizane. Qindra gra e vajza të qytetit e të fshatit u vunë në dispozicion të këtyre spitaleve, duke bërë triko, fanella, çorape e kokore për partizanët e plagosur rëndë. Dimri i vitit 1943-1944 i gjeti spitalet partizane të pajisura mirë.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.