Mjekësia partizane gjatë operacionit
gjerman të dimrit 1943-1944
Mjekësia partizane gjatë operacionit
gjerman të dimrit 1943-1944
"Dimri i vitit 1943-1944 ishte një nga dimrat më të egër të viteve të luftës. Çdo ditë luftë, lëvizje, ecje të gjata, dëborë dhe shi, llohë, të ftohtë të padurueshëm dhe prapë luftë. Veshjet të ngjitura me trupin dhe trupi bashkë me to, njësh me tokën e lagur dhe me motin e ftohtë. Temperatura e lartë e të sëmurëve i thante veshët, dhe prap i qullte nga djersët. Gjaku rridhte në borë nga këmbët e zbathura dhe nga plagët e shumta. Luftë dhe lëvizje nëpër maja malesh të mbuluara me borë, ditë dhe natë pa pushim. “Lufta Nacionalçlirimtare nuk ka njohur vështirë e rreziqe më të mëdha se në atë periudhë, ku u vendos edhe fati i kësaj lufte.”*
*Ndreçi Plasari - Bashkimi i popullit rreth Partisë Komuniste Shqiptare në Frontin Nacionalçlirimtar. Referat, nëntor 1974.
Partizanë të plagosur gjatë trajtimit në spitalin partizan
Në tetor të vitit 1943, në zonën ku vepronte Grupi partizan i Pezës, kishte dy spitale partizane. Ai i pyllit të Fjollës, që ishte më i madh, i vendosur në çadra buzë përroi dhe që kishte në atë kohë rreth 50 partizanë të plagosur, dhe spitali partizan i Kryeziut, në afërsi të Kavajës, i vendosur në shtëpi fshati dykatëshe me më pak se 20 të plagosur. Brigada III Sulmuese, e cila kishte zhvilluar luftën e Arbanës dhe përgatitej të nisej për Dibër, kishte rreth 20 të plagosur të vendosur në infermierinë e saj në afërsi të Grecës (6-7 kilometra në lindje të Pezës). Në këtë zonë në fund të muajit tetor kishte rreth 150 të plagosur, duke përfshirë edhe disa që ishin shpërndarë nëpër shtëpi të fshatarëve.
Operacioni armik në zonën e Pezës filloi më 5 tetor në drejtim Peqin-Vrap dhe më datën 6 u bë mësymja nga Peza e Vogël, Ndroqi e Kavaja. Fitorja e parë u arrit nga batalioni i parë partizan i Pezës në afërsi të Vrapit. Befasia e sulmit gjerman nuk pati sukses. Që më 5 nëntor filloi lëvizja e të palgosurve të spitalit partizan të Kryeziut, të cilët u ndanë në dy grupe nga 10 vetë secili, me përgjegjësinë e spitalit në njërin grup dhe një infermier në grupin tjetër. Të plagosurit lanë kryeziun dhe u drejtuan për në thellësi, zgjodhën një vend të fshehtë në pyll në drejtim të Ndroqit dhe qëndruan të fshehur në prapavijat e armikut për 4-5 ditë sa mbaroi operacioni. Këto ditë moti ishte shumë i keq. Binte shi dhe bënte shumë ftohtë, por të plagosurit ishin pajisur me batanije dhe me ushqime të mjaftueshme.
Të plagosurit e Brigadës III Sulmuese ditën e parë e të dytë të operacionit nuk lëvizën. Ditën e tretë u urdhëruan të nisen në drejtim të fshatit Shpat, ndërsa 3-4 të palgosur rëndë i drejtuan në qendër, në spitalin e Fjollës. Rrugës këta të fundit u takuan me fshatarë, të cilët po strehoeshin në një pyll të dendur, dhe nga ata morën vesh se po dislokohej spitali i forcave të Pezës, ndërsa tjetër qëndroi në pyll afër fshatit Shpat në lindje të Baldushkut dhe më vonë ndoqi brigadën.
Spitali partizan qendror i grupit të Pezës kishte marrë masat që më parë. Ai kishte depozituar ushqime, barna, etj, dhe kishte ngritur një tendë të madhe në pyll, larg zonës së veprimeve luftarake. Në ditën e dytë të operacionit, nën kujdesin e forcave partizane dhe me ndihmën e popullit, filloi evakuimi për në vendin e fshehtë pa u diktuar nga armiku, duke lënë në vendin e mëparshëm mjekun, një infermier dhe disa medikamente për të pritur të plagosurit që vinin nga të gjitha drejtimet. Në vendin e ri të dislokimit partizanët e plagosur u rrethuan nga kujdesi i madh i fshatarëve të evakuuar aty. Në kulmin e operacionit pylli kishin ishin të plagosurit u bombardua disa herë nga artileria gjermane, por nuk pati dëme. Ky spital qëndroi aty deri më 15 nëntor (dy-tri ditë pas operacionit). Të plagosurit ishin shumuar. Në këto luftime nga Grupi i Pezës dhe nga forcat e Brigadës III Sulmuese parti rreth 30 të vrarë dhe rreth 130 të plagosur të tjerë (partizanë dhe civilë).
Brenda një kohe të shkurtër prej 5-6 ditësh numri i të plagosurve gati u dyfishua. Ky është një tregues i saktë i ashpërsisë së luftës së këtyre ditëve. Të gjithë këta të plagosur u sistemuan shumë shpejt nëpër çadra dhe rrënoja shtëpish, ndërsa ata që kishin gjendje më të rëndë u nisën ilegalisht në Tiranë nën kujdesin e Qarkorit të PKSH. Të tjerët u mjekuan me kujdes dhe u ndanë në dy spitale partizane: në Pezë dhe në Kryezi.
Qyteti i Peshkopisë dhe ai i Dibrës prej kohësh ishin çliruar nga forcat partizane. Armiku ishte përpjekur dy herë të pushtonte këto qendra, por nuk ia kishte dalë dot. Grupi i partizanëve të Dibrës, me një batalion të Brigadës II Sulmuese, si dhe me vullnetarë nga fshatrat, mbronin Dibrën, Peshkopinë, Zerqanin dhe disa fshatra përreth. Partizanët e plagosur ishin grumbulluar në qendrën shëndetësore të qytetit të Dibrës dhe në spitalin e Peshkopisë, i cili ishte gjysmë i dëmtuar. Shumica e tyre ishin në gjendje të mirë, gati të shëruar. Numri i përgjithshëm mbërrinte në 150-200 vetë. Kishte ndër ta edhe të sëmurë me pleurit, me malarie dhe me tuberkuloz.
Armiku filloi operacionin më 16 nëntor 1943 në drejtimet Librazhd-Peshkopi dhe Strugë-Kërçovë-Dibër-Peshkopi. Komanda partizane e Grupit kishte marrë njoftim një ditë më parë dhe ishte vënë në gatishmëri. Që në ditën e parë të operacionit, shumica e partizanëve të plagosur dhe të sëmurë që e ndjenin veten më mirë, shkuan në repartet e tyre për të luftuar. Popullsia nuk u largua nga qyteti, por ndihmonte partizanët në tërheqjen e të plagosurve dhe përkujdesjen për ta. Qyteti i Peshkopisë ra i pari në dorë të pushtuesve gjermanë, por për të plagosurit tanë qenë marrë masa me kohë. Disa partizanë të plagosur rëndë ishin nisur 4 orë më parë në drejtim të Sllovës, disa të tjerë i shpërndanë nëpër shtëpitë e qytetit, ndërsa 2 të sëmurë rëndë nuk i lëvizën nga spitali, por u maskuan si civilë. Në spitalin e Dibrës së Madhe u mjekuan 12 partizanë të plagosur gjatë luftës për mbrojtjen e qytetit. Në mbrëmje, ata u nxorën jashtë qytetit dhe u vendosën në fshatrat përreth.
Në Zerqan u grumbulluan rreth 10 partizanë të plagosur pas ardhjes së forcave partizane nga Dibra. Të vendosur në zyrën e postkomandës së fshatit, ata u mjekuan nga një grua plakë me ilaçe primitive. Dimri dhe të ftohtit bënin punën e vet. Më 18 nëntor, dy ditë para fillimit të luftimeve, partizanët e plagosur që nuk mund të lëviznin u shpërndanë në shtëpi të besuara jashtë qendrës së qytetit. Të plagosurit e Sllovës ishin në kushte më të mira jetese, por pa mjekime dhe në gjendje shëndetësore të rëndë. Atje u grumbulluan mbi 15 të plagosur, të cilët, nën kujdesin e një skuadre partizane, u zhvendosën disa herë për t’i shpëtuar armikut në malin e mbuluar me borë, në guva dhe në shpella në acarin e dimrit të egër, pa ushqime dhe pa ilaçe. Lëvizja e të plagosurve në një zonë të gjerë, nga Sllova e Dardha e deri në Bulqizë, përfundoi andej nga 10 dhjetori, kur një pjesë e tyre kaluan në krahinën e Gollobordës, në fshatin Klenjë, ku u ndanë në baza të sigurta dhe u gjet një infermier me pak ilaçe për t’i mjekuar.
Operacioni i Dimrit në Zonën e I Operative Vlorë-Gjirokastër u zhvillua në disa faza. Më 17 nëntor 1943 filloi lëvizja e trupave gjermano-balliste në drejtim të Mallakastrës. Në zonën e Mallakastrës, spital partizan ishte vetëm ai i Krahësit të Tepelenës, që mblidhte të plagosurit e këtij pellgu, dhe infermieria e Brigadës I Sulmuese e vendosur në Aranitas. Disa partizanë të plagosur të Grupit III të Mallakastrës ndodheshin në afërsi të fshatit Cakran, të tjerë ishin shpërndanë nëpër baza. Gjithsej në këtë zonë numëroheshin rreth 80-100 të plagosur; nga këta, rreth 40-50 i kishte spitali partizan i Krahësit. Me fillimin e operacionit armik të dimrit, të plagosurit e Cakranit u dërguan menjëherë në Kalivaç të Tepelenës. Me ta ishte një infermier i përgatitur mirë. Ndërsa të plagosurit e Brigadës I Sulmuese i mori me vete brigada, duke i kaluar në Vjosë, në luginën e Shushicës e në Mesaplik.
Problemi i manovrimit të trupave ishte i madh në këtë zonë të vogël dhe thuajse të rrethuar. Për këtë, Brigada I Sulmuese vendosi të kalojë Vjosën me anën e lundrave, kurse forcat e Grupit të III manovronin në Mallakastër. Më 10 nëntor, në Symizë dhe në Kapaj, forcat e Brigadës I Sulmuese, me një praparojë të fuqishme prej 80 vetash nën komandën e Mehmet Shehut, u ngritën një kurth gjermanëve. Kjo kohë shërbeu edhe për manovrimin e të plagosurve. Të plagosurit e Grupit të Mallakastrës u nisën në Maricaj me kafshë dhe prej andej në zonën e Mallakastrës së Sipërme, ku qëndruan deri në mbarim të operacionit, të mbrojtur nga popullsia civile dhe me ndihmë mjekësore e materiale që u jepte ajo.
Të plagosurit e spitalit partizan të Krahësit ishin më shumë. U mendua që spitali të ndahej në dy grupe me nga 20-25 të plagosur secili. Me grupin e parë, që përbëhej nga të plagosur që mund të lëviznin, por me kufizime, dhe nga të plagosurit më rëndë, qëndroi mjeku dhe u vendos të manovrohej në zonën e Mallakastrës së Sipërme. Me grupin e dytë shkuan dy infermierë dhe komisari i spitalit. Ky grup do të çante nëpër fshatra të çliruar për të shkuar në zonën e Zagorisë ose të Përmetit. Këtë plan e miratoi komanda e Grupit të Mallakastrës dhe në mbështetje të të plagosurve vajti edhe një çetë partizane, e cila do të vepronte në Mallakastrën e Sipërme.
Grupi i të plagosurve të rëndë u vendos 2 kilometra në verilindje të Krahësit, në një pyll të shkurtër por të dendur, në një vend të parapërgatitur mirë dhe të maskuar. U nxorën dy mitraloza të lehtë në dy lartësi dominuese dhe nëpërmjet fshatarëve merrej informacion i rregullt çdo 6-8 orë mbi lëvizjen e trupave. Në datën 24 nëntor, ky grup të plagosurish u detyrua të largohej nga ky vend për arsye të ardhjes së forcave gjermano-balliste në afërsi. Manovrimi u bë në mbrëmjen e kësaj date në drejtim verilindor për të mbërritur në kodrat në afërsi të Memaliajt. Bënte shumë ftohtë. Tetë mushka mbanin të plagosurit dhe materialet e spitalit; dy të plagosur transportoheshin me barela. Të tjerët ndihmonin njëri-tjetrin. Pas 4 orësh udhëtimi, u dëgjuan në afërsi krisma pushkësh. Partizanët, megjithëse të plagosur rëndë, zunë pozicione. Dy mitraloza u vunë në krye të kolonës. Nuk u qëllua, por u mor vesh se marshimi më tutje ishte shumë i rrezikshëm. Qëndruan në atë vend deri në agim. U maskuan në një grykë përroi dhe u nisën korrierët për të vëzhguar gjendjen. Nga dreka erdhi një pjesë e çetës, i mori të plagosurit dhe i barti në vendin e parë. Partizanët kishin sjellë me vete ushqime dhe 5 shokë të tjerë të plagosur. Më 28 nëntor, të plagosurit u kthyen në Krahës dhe u vendosën nëpër shtëpitë e fshatarëve derisa u rregullua shkolla. Pas dy ditësh u bashkua me ta edhe grupi i të plagosurve të tjerë që manovronin në Maricaj, si dhe partizanë të tjerë të plagosur gjatë operacionit në atë zonë. Kapaciteti u rrit në rreth 100 të plagosur.
Grupi i dytë i të plagosurve u nis menjëherë në drejtimin Krahës-Martallos-Kashishtë. Por, meqë nuk çau dot në këtë drejtim, u detyrua të merrte rrugën deri në kodrat e Memaliajt ditën e parë. Pasi pushuan rreth 24 orë, nga darka u drejtuan rrëzë malit të Damsit për të dalë në Dragot. Në Qershizë morën vesh se ishte e pamundur të depërtohej në këtë krahinë nga forcat e shumta balliste që ruanin urën e Dragotit dhe që ishin në këto fshatra. Të plagosurit u strehuan në shtëpitë në periferi të Damsit, u ushqyen dhe u ngrohën. Qëndruan aty edhe të nesërmen, por kur në Dams mbërritën ballistët, u ngjitën malit përpjetë dhe kaluan mbi Malas. Dëbora kishte mbuluar malin. Aty u gjend një guvë dhe atje u strehuan. Meqë plagët ishin relativisht të lehta dhe lejonin që të marshohej e të luftohej, kjo pjesë e spitalit ishte njëkohësisht edhe njësit partizan i organizuar. U mendua një herë të sulmohej Malasi, por u hoq dorë sepse në afërsi kishte shumë forca armike.
Më 21 nëntor u mor lajmi se ra ura e Dragotit; u sulmua nga batalioni “Baba Abaz” dhe nga Brigada I Sulmuese. Më datën 25, partizanët e plagosur kaluan në periferi të Beçishtit, në Dragot kapërcyen lumin dhe dolën nga ana jugore e tij, duke vazhduar në drejtim të Peshtanit dhe Brezhdanit. Në këtë reaksion të madh që përshkoi Mallakastrën, manovrimi i të plagosurve u bë i organizuar dhe nuk pati raste që të plagosurit të binin në dorë të armikut. Ndarja më dysh e spitalit partizan të Krahësit dha rezultat. Ajo përputhej me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për mosrëndimin e batalioneve partizane, sepse pengohej shpejtësia e lëvizjes dhe manovrimi i tyre. Vigjilenca e madhe dhe koha në dispozicion për tërheqje ishin faktorë të rëndësishëm për suksesin e kësaj lëvizjeje.
Operacioni armik në pellgun e Mesaplikut dhe në krahinën e Kurveleshit filloi në mesin e dhjetorit 1943. Në këtë pellg, në muajin dhjetor, ndodheshin mbi 300 të plagosur, shumica e të cilëve ishin vendosur në spitalet partizane të Ramicës, Kuçit, Gusmarit, dhe një pjesë tjetër më e vogël ishte në infermieritë në Vermik, Beun, Matogjin, Bashaj dhe Vranisht. Me fillimin e luftimeve nga forcat partizane për të shkatërruar planet e këtij operacioni, numri i të plagosurve dhe i të sëmurëve u shtua edhe më shumë. Këtij numri iu shtuan edhe disa të plagosur të tjerë që erdhën nga Mallakastra. Me ashpërsimin e madh të veprimeve luftarake, u urdhërua që partizanët e plagosur dhe të sëmurë të kalonin pjesërisht në Gjirokastër dhe pjesërisht në zonën e Poliçanit.
Në afërsi të spitalit partizan të Ramicës zhvilloheshin luftime shumë të ashpra, sidomos në Velçë, prandaj të plagosurit e këtij spitali u zhvendosën në Matogjin dhe në Bashaj. Më vonë, shkuan në shpellat e Bodenit në malin e Çepinit. Në Ramicë qëndroi doktori, i cili me infermierët e Brigadës I Sulmuese organizoi një vendmjekim në afërsi të frontit. Pasi ndenjën në malin e Çepinit, pjesa dërrmuese e këtyre të plagosurve mori rrugën malore dhe rrafsh me borë: Çepin - Vermik - Bolenë. Këtu pushuan një natë dhe të nesërmen u nisën për Kallarat e Kuç. Kur mbërritën në Kuç, nuk e gjetën spitalin partizan, sepse ai ishte shpërngulur një ditë më parë bashkë me 10-12 të plagosur të Brigadës I Sulmuese. Ndërkohë, grupe-grupe partizanësh të plagosur dhe të sëmurë kishin kaluar nga Kuçi në Zhur e Kuçe për në drejtim të Kurveleshit të Sipërm.
Pas luftimesh të ashpra, në ditën e dytë partizanët zunë pozicione të reja në vijën Bolenë - Vranisht - Qafa e Shëngjergjit. Ndërkohë, matanë kësaj zone kishin mbetur mbi 50 partizanë të plagosur, të cilët me ndihmën e popullit manovruan në zonën e pushtuar. Nja 10-15 të plagosur u grumbulluan në Bashaj dhe në Vermik, ku u vendos që të kalonin në mal për të dalë në Nivicë të Kurveleshit të Sipërm. Mali ishte plot me dëborë. Partizanët ecnin në një lartësi 1200-1400 metrash. Ecja u vështirësua shumë nga një tufan dëbore. Mushkat e kishin të vështirë peshën që mbanin, por qëndrimi në vend do të thoshte vdekje e sigurt. Udhërrëfyesit, barinj të këtyre anëve, çanin dëborën, ngrinin në krahë partizanët e plagosur, shtynin mushkat përpara dhe në të ngrysur dolën mbi Qafën e Munarjovës. Tufani kishte pushuar. Nuk duhej të pushonin asnjë minutë, sepse rrezikoheshin të ngrinin nga të ftohtët. Pas 3-4 orësh udhë të tjerë, mbërritën në afërsi të Nivicës dhe, pasi u siguruan për gjendjen e këtyre anëve, hynë në spitalin partizan të Nivicës, i cili kishte marrë urdhër për t’u nisur të nesërmen. Disa nga partizanët ishin shumë rëndë. Për vendasit, kalimi në dimër të ashpër i partizanëve të plagosur nga Vermiku në Nivicë ishte i pabesueshëm.
Nga luftimet në Kallarat dhe në Vranisht, si dhe në Çorraj e Fterë më 18 dhjetor — luftime që ishin shumë të ashpra, deri trup me trup — u plagosën rreth 20-25 partizanë, të cilët duke çarë nga Qafa e Skërficës dhe pas sakrificash të panumërta, arritën në Fushëbardhë, Kardhiq, Plesat e në Manastirin e Cepos.
Lëvizja e manovrimi i të plagosurve të Kurveleshit të Sipërm nga spitali partizan i Nivicës dhe i Gusmarit u organizua mirë. Shumica e barnave dhe e instrumenteve u morën me vete. Në mushkat dhe në kuajt e fshatit u sistemuan të plagosurit rëndë, ushqimet dhe disa pajisje. Kolona sigurohej nga një pjesë e çetës territoriale. Të sëmurë me barela nuk kishte. Lëvizja e tyre ishte: Nivicë, Gusmar, Progonat. Në Zhurin e Kuçe morën me vete edhe 5-6 partizanë të tjerë të plagosur. Pastaj vazhduan për në Progonat - Golem - Rehovë - Picar, Humenicë, Urë e Kardhiqit. Kolona përbëhej nga më se 60 partizanë të plagosur e të sëmurë, me mbi 30 kafshë dhe personelin shoqërues. Kolona e përbërë nga personeli mjekësor së bashku me partizanët, njerëzit nga populli dhe të plagosurit e të sëmurët, arrinte në 150-170 vetë. Gryka e Kardhiqit dhe fshatrat e tij pritën ato ditë shumë të plagosur dhe të sëmurë nga operacioni armik i Dimrit në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër. Ata i mbrojtën, i strehuan, i ushqyen me atë pak bukë që u ndodhej, i ngrohën në vatrat e tyre dhe i veshën.
Në kohën e inkursionit të të plagosurve nga pellgu i Mesaplikut e nga Kurveleshi, me urdhër të shtabit u vendos që të plagosurit të vendoseshin në spitalin e Gjirokastrës, ku u krye një vëllim i madh pune nga mjekët partizanë dhe civilë të qytetit. Koha e pakët prej disa ditësh e qëndrimit në Gjirokastër të partizanëve të plagosur ishte shumë e vlefshme, sepse ua përtëriu forcat. Krahas mjekimeve, ata u ushqyen mirë nga familjet gjirokastrite, dhe kjo vlejti për të përballuar fazën tjetër të inkursionit. Por pas disa ditësh, gjermanët e pushtuan Gjirokastrën. Partizanët e plagosur të Zonës I Operative e lanë qytetin dhe u dërguan disa në Poliçan, disa në Zhulat, ku u ngrit një spital i ri partizan. Kurse disa të tjerë, që e ndienin veten mirë, grupe-grupe u nisën për në Kurvelesh dhe Mesaplik.
Në zonat në jug të Vjosës (Pogon - Lunxhëri - Zagori - Përmet), në fund të vitit 1943 dhe në fillim të vitit 1944, vepronin 8 spitale partizane. Ndër ta, më kryesori ishte spitali i Poliçanit. Pas tij vinte ai i Nivanit, i Leshnicës (Sheperi) dhe i Topovës. Në zonën e Përmetit ishin spitali partizan i Leshnicës, i Leusës dhe i vetë qytetit të Përmetit. Vetëm në spitalin e Poliçanit erdhën mbi 100 të plagosur të tjerë gjatë operacionit armik.
Në këtë kohë zhvilloheshin luftime të ashpra në Sopik dhe në Suhë-Stegopull. U dha urdhri për kalimin e forcave dhe të spitaleve në krahinën e Përmetit, nëpërmjet malit të Dhëmbelit, që ishte i vetmi shteg kalimi. Në fillim kaluan me të shpejtë forcat e Brigadës I Sulmuese, të cilat u vunë në mbrojtjen e Përmetit dhe të zonës përreth. Urdhri për nisjen me shpejtësi të spitalit nga ana e Dhëmbelit për në Përmet u mor në orën 9:30 të 15 janarit. Menjëherë u urdhërua grumbullimi i kafshëve. U grumbulluan rreth 27 kafshë. Spitali u bë gati për nisje në orën 13:00. Dëbora kishte mbuluar çdo gjë, lufta dëgjohej shumë afër. Disa të plagosur hipën në kuaj, të tjerët i morën me barela njëri-tjetrin. Me vete morën vetëm medikamente dhe instrumente kirurgjikale; pajisjet e tjera të spitalit i lanë në vend. Nëpër kuaj u vendosën vetëm të plagosurit rëndë, të cilët u mbuluan me velenxa, batanie dhe jorganë. Karavani ishte i gjatë; përpara printe një pararojë e vogël djemsh nga batalioni territorial, të cilët çanin dëborën. Në Sheper u takuan me të sëmurët e spitalit të Nivanit dhe kolona u bë edhe më e gjatë. Pas tyre vinin gra, fëmijë dhe pleq nga populli, që shpërnguleshin për të mos rënë në dorë të pushtuesve dhe të tradhtarëve. Binte borë e madhe, e cila nuk të linte të shikoje dot as pesë metra më larg. Personeli shëndetësor i spitaleve, i ngarkuar me plaçkat e spitalit, ishte ndarë çdo 5-6 metra pranë të sëmurëve rëndë. Ata u qëndronin atyre afër, ndihmonin të tjerët në lëvizje, tërhiqnin mushkat, jepnin ndihmë dhe bartnin barrelat me ndonjë të sëmurë rëndë. Gjurmët nga kishte kaluar Brigada I Sulmuese kishin humbur krejtësisht. Bora duhej çarë rishtas, sidomos në qafë, në lartësinë 1450 metra. Nga plagët dhe nga këmbët e zbathura kullonte gjak. Vështirësitë ishin të mëdha, vuajtjet sa vinin e shtoheshin. Luftë me natyrën e egër, luftë me vetveten për të përballuar vështirësitë; vullnet i çeliktë.
Pas 12 orë marshimi pa pushim në terren shumë të vështirë, karvani i të plagosurve mbërriti në fshatin Leusë të Përmetit. Aty u dha urdhri që të kalonin urën e Përmetit për të shkuar në katundin Bodarë. Ura e Përmetit ishte e ngushtë dhe u kalua me mundime. Personeli shëndetësor bëri të gjitha përpjekjet që të gjithë të sëmurët e të plagosurit të kalonin matanë xhadesë pa rënë drita. Në Bodarë erdhën edhe të plagosurit e spitaleve partizane të Krahësit, të Kardhiqit dhe një pjesë e atyre të Gjirokastrës. Pas arritjes në Bodarë, u marshua në drejtim të Lupckës dhe më vonë, me afrimin e forcave gjermane, lëvizja u bë në drejtim të Frashërit dhe të Dangëllisë. Nuk kishin pushuar as dy orë. Mbi 300 të plagosur dhe të sëmurë ishin në këmbë. Të ftohtët u kishte hyrë në palcë, ishin lagur nga koka tek këmbët. Binte shi i përzier me borë. Në fund të kolonës qëndroi grupi i përbërë nga partizanë dhe shoqërues të armatosur nga populli për çdo të papritur. Shpejt ra nata. Vëmendja e udhëheqësve të kolonës, mjekëve dhe e gjithë personelit shëndetësor ishte e përqendruar në kulm. Kur kalohej në rrugë të vështira, mbi humnerë, qëllohej me pistoletë ose me pushkë për të tërhequr vëmendjen e partizanëve, për t’i zgjuar ata. Në këto vende qëndronin roje, të cilat drejtonin shokët.
Lodhja kishte arritur kulmin, njerëzit ishin të mpirë. Midis marshuesve pati edhe raste të tejlodhjes të shfaqur me gjendje kllapie dhe përfytyrime të rreme, të cilat rrezikonin gjendjen e të plagosurve. Por, megjithatë, në Frashër të Dangëllisë kolona me të plagosurit nga Mesapliku e Kurveleshi, nga Krahësi e Poliçani mbërriti pa asnjë humbje pas 48 orësh marshim shumë të sforcuar, duke kaluar në lartësi mbi borë e lumenj, prita dhe shumë rreziqe të tjera. Frashërllinjtë i morën në gjirin e tyre partizanët e plagosur dhe i rregulluan menjëherë duke dhënë çdo gjë për ta. Ndërkohë, mjekët u përveshën punës për mjekimin e të plagosurve dhe të të sëmurëve.
Në fillim të vitit 1944, në zonën më jugore të Shqipërisë ndodheshin dy spitale të tjera partizane: ai i Leshnicës dhe ai i Zimnecit. Pjesë përbërëse e operacionit armik të Dimrit ishte edhe operacioni Konispol - Vurg dhe Dropull. Para fillimit të operacionit, në këtë zonë ishin rreth 80-100 të plagosur dhe 20-30 të sëmurë. Peshën kryesore të këtyre e mbante spitali i Leshnicës, pas tij vinte ai i Zimnecit, kurse një pjesë e vogël e të plagosurve qenë rregulluar në shtëpi fshatarësh. Me fillimin e operacionit armik, komanda e Grupit urdhëroi manovrimin e spitalit partizan në zona të lira jashtë luftimit. Pas ditës së parë të luftimit, natën u tërhoqën njësitë partizane në drejtim të malit të Stugarës dhe morën me vete edhe spitalin partizan të Leshnicës, por spitali partizan i Zimnecit nuk arriti të tërhiqej. Ai kishte ngelur në rajonin e shkelur nga armiku bashkë me disa skuadra partizane. Rreth spitalit u grumbulluan menjëherë skuadrat partizane dhe partizanë të çetave territoriale. Me shpejtësi filloi shpërngulja e partizanëve të plagosur, të cilët bëheshin nja 30-40 vetë, për në verilindje të fshatit. Nata i zuri të plagosurit në një pyll të dendur, 3-4 orë larg fshatit, bashkë me partizanët dhe një pjesë të popullit që i shoqëronte. Aty u groposën dhe u maskuan shumë materiale për ta bërë spitalin më të lëvizshëm. Nga komanda e spitalit dhe e skuadrave partizane u diskutuan dy mendime: të manovrohej duke kaluar kufirin shqiptaro-grek në juglindje, në drejtim të fshatit Savilos (por gjendja në këto anë nuk dihej), apo të shkohej në drejtim të Konispolit për të dalë në Mërkat, në malin kundruall. Në këtë drejtim pengesat ujore ishin kryesore. U vendos të ndiqej rruga e parë, por edhe ajo u ndryshua. Kolona vazhdoi të marshonte gjithmonë për në verilindje të fshatit duke kaluar disa herë kufirin shqiptaro-grek sipas lëvizjes së armikut dhe më 23-24 prill mori rrugën, tashmë të lirë, për në Zimnecin tashmë të shkatërruar nga gjermanët.
Në këto 8-10 ditë manovrimi të këtij spitali, të plagosurve nuk u mungoi as ushqimi, as mjekimi i herëpashershëm, në sajë të përkrahjes që u dhanë masat fshatare që u ndodhën pranë me çdo gjë. Vullnetarët fshatarë shkrinë tërë energjitë e tyre për luftën, nuk kursyen asgjë për t’u ardhur në ndihmë bijve të tyre. Edhe një herë, të plagosurit e zonës së Mesaplikut u ndodhën përpara vështirësive të operacionit të Dimrit 1943-1944.
Kur u pushtua Gjirokastra nga gjermanët në fillim të Operacionit të Dimrit, disa të plagosur shkuan në Poliçan, disa qëndruan në spitalin partizan të Zhulatit, kurse shumica u ndanë në grupe sipas formacionit ku bënin pjesë ose sipas krahinës dhe u ngjitën prapë në Kurvelesh e në Mesaplik. Këto grupe ishin në të njëjtën kohë edhe formacione luftarake të organizuara që i shmangeshin takimit me armikun, por që mund të mbronin vetveten. Zakonisht, këto merrnin lidhje me njësitin partizan dhe vepronin bashkërisht. Spitali i Kuçit, i informuar për bazën e vendmjekimit të Brigadës V Sulmuese, me të filluar operacioni, manovroi mirë në Pyllin e Kuçit, ku ndenji 3-4 ditë i fshehur e i ruajtur nga populli dhe nga partizanët. Vendmjekim tjetër nuk ka pasur gjatë këtij operacioni në këtë vend.
Partizanët dhe popullsia, të shtrënguar të qëndronin maleve të larta me borë, pësuan dëmtime të ndjeshme. Shumë partizanëve u ngrinë këmbët, të tjerë u ftohen rëndë dhe një numër prej tyre edhe vdiqën nga sëmundjet e rënda. Plagët e të plagosurve vazhdimisht rridhnin gjak e qelb; herë pas here nuk kishin as me se t’i lidhnin. Rastet e gangrenës ishin të shumta dhe osteomieliti (infeksioni i palcës së kockave) shoqëronte çdo plagë. Megjithatë, kishte disa faktorë vendimtarë që ndihmuan në ecurinë e mirë të këtyre plagëve: organizimi ishte i mobilizuar krejtësisht për luftën e drejtë dhe për çdo sakrificë, qartësia e madhe politike, morali i lartë i luftëtarëve dhe bindja për fitoren. Të gjitha këto bënë që të plagosurit t’i përballonin ato vështirësi, të cilat përndryshe nuk do të mund të kapërceheshin, sepse gjithë faktorët e tjerë ishin në dëm të të plagosurve.
Duke u nisur nga sa u tha më sipër, inkursioni i spitaleve partizane të Zonës së Parë Operative ishte nga më të vështirët në historinë e shërbimit shëndetësor të Luftës Nacionalçlirimtare. Në kushtet e luftës partizane, nën vështirësitë e dimrit të egër të viteve 1943-1944 dhe nën kërcënimin e veprimeve të armikut, u bë e mundur të shpëtonte shumica dërrmuese e të plagosurve dhe e të sëmurëve të kësaj zone të madhe operative. Kjo sigurisht ishte meritë e madhe e drejtimit në këtë zonë, e veprimit të zhdërvjellët të njësive partizane dhe e sakrificës së pakufishme të partizanëve të plagosur e të sëmurë, së bashku me personelin e tyre shëndetësor.
Operacioni armik i Dimrit në qarqet Korçë e Berat ishte vazhdim i planeve gjermano-balliste për të shkatërruar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), PKSH-në dhe pushtetin e tyre në vend. LANÇ-i në këto krahina ishte i fuqishëm. Zona e veprimeve ishte e gjerë, prandaj në fillim u ndërmorën nga armiqtë disa operacione për të ngushtuar zonën e veprimit të forcave partizane. E tillë ishte orvatja e dhjetorit për të pushtuar Deshnicën dhe, si rrjedhim, të krijohej mundësia e sulmit mbi Skrapar nga ana e Këlcyrës. Kështu u veprua edhe nga ana e Mokrës, Gorës, Fushës së Korçës, Kolonjës dhe Vërçës.
Në dimrin e viteve 1943-1944, në këto zona kanë qenë rreth 800-1000 të plagosur dhe të sëmurë të shpërndarë në spitalet partizane të Bradvicës, Protopapës, Oparit, Shënmërisë, Kucakës, Shipskës, Nikollarës dhe Grabockës. Të plagosur të tjerë kishte edhe në infermieritë e Brigadës IV Sulmuese në Voskopojë e Dardhë, si dhe në Punëmirë e Potom, Miçan e gjetkë. Luftimet e ashpra në këtë dimër shtuan edhe më shumë numrin e të plagosurve dhe të sëmurëve.
Luftimet në Mokër dhe në Gorë, në 15-ditëshin e parë të muajit dhjetor, e gjetën spitalin partizan të Shënmërisë me rreth 50 të plagosur e të sëmurë, të gatshëm për të lëvizur. Ky spital ditën e parë priti të plagosur nga lufta në Pleshisht, Prenisht dhe nga Guri i Kamjes. Lëvizja e tij u bë me shpejtësi duke u ndarë në dysh: një pjesë u nis në drejtim të Lenies për të dalë në Krushovë, ndërsa një pjesë tjetër, me forcat e batalionit “Reshit Çollaku”, manovroi aty rrotull, në drejtim të Llëngës dhe të fshatrave përreth.
Me fillimin e operacionit armik, spitalet partizane në Nikollarë, Krushovë dhe Grabockë filluan lëvizjen në rrugën Krushovë - Potom - Backë - Helmës. Që andej, spitalet e Krushovës, Miçanit dhe ai i Grabockës u drejtuan për në Frashër të Përmetit, ndërsa ai i Nikollarës, që kishte në këtë kohë më pak të plagosur, manovroi në territorin e tij. Kalimi i Osumit nuk ishte i lehtë për të plagosurit e spitaleve partizane të Grabockës dhe të Krushovës; ai u bë me kafshë dhe me masa të mira sigurimi, por sidoqoftë, kushtet e këqija atmosferike e vështirësuan shumë këtë marshim. Ndihma mjekësore ishte e kufizuar dhe me mungesa. Për të dalë në Frashër duhej kaluar në një lartësi 1500 metra, krejtësisht të mbuluar me borë, nëpër një pyll ahu të dendur, duke iu shmangur kontaktit me forcat armike të cilat ndodheshin në mjaft qendra të banuara. Nata e 11-12 janarit kaloi pikërisht në këtë pyll. U ndezën zjarre të shumta natën, kur të ftohtët kalonte 10 gradë nën zero.
Pas marrjes së informatave mbi gjendjen e krijuar nga reaksioni, marshimi për në Frashër u pezullua. Kryesitë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar ishin vënë në lëvizje për të ndihmuar partizanët e plagosur. Ata i morën të plagosurit dhe i përgatitën për rrugë. Karavani me të plagosur iu drejtua Miçanit, e më vonë Nikollarës dhe Grabockës.
Ushtritë gjermano-balliste, duke përparuar në pesë kolona, e shtrënguan shumë rrethimin në Opar ndaj forcave partizane, të cilat kishin luftuar pa pushim ditë të tëra. Në këtë situatë lypsej vepruar me shpejtësi më të madhe që të dilej nga Opari para se armiqtë të mbyllnin të gjitha rrugët e shtigjet. Pas grumbullimit në një kolonë të vetme të të plagosurve të spitaleve partizane të Kucakës, Lavdarit, Oparit, Protopapës, Bakullit dhe të Marjanit — një kolonë që i kalonte të 400 vetët — filloi marshimi. Krahas tyre erdhën nga e gjithë kjo zonë edhe të plagosur të tjerë, që kishin qenë të shpërndarë nëpër fshatra dhe në infermieritë e njësive partizane. Me ta u bashkuan gjithashtu karavane të tëra mushkash e kuajsh të ngarkuar me materialet e spitaleve të qarkut të Korçës e të Brigadës IV Sulmuese. Veç këtyre, shumë burra, gra e fëmijë nga popullsia, që iknin për t’i shpëtuar terrorit të egër të nazistëve e të tradhtarëve, kishin lënë shtëpitë e tyre ndër fshatra dhe largoheshin nga krahina tok me partizanët. Në këtë mënyrë, numri i njerëzve në kolonën që duhej të marshonte 30-40 kilometra i kalonte të 3000 vetët.
Gjatë gjithë ditës ndihej pushka partizane nga të katër anët. Aeroplanë zbulimi dukeshin mbi kokat e njerëzve. Nata e 12 janarit gjithë atë mori njerëzish i zuri në pyllin e Beçit. Vendimi për të kaluar natën Qafën e Beçit ishte marrë. Në pararojë është një batalion i Brigadës IV Sulmuese, i cili çan borën që në disa vende e kalon metrin. Pas tij vjen një batalion tjetër po i asaj brigade, shtabi dhe të plagosurit me të sëmurët, e pas tyre forca të tjera partizane, si dhe populli e intendenca me mbi 100 kuaj. Më pas vjen batalioni tjetër dhe në fund praparoja. Urdhrat jepeshin gojë më gojë, pa zhurmë, dhe nuk lejohej të shkëputej kolona. Ecej natën nëpër pyllin e mbuluar me borë. Koha ishte shumë e keqe: binte borë dhe frynte erë e tërbuar. Tempi i lëvizjes ishte i lartë; secili me sakrifica mendonte të kalonte Qafën e Beçit, kujdesej për vete, për shokun dhe, si një organizëm i vetëm, përshkohej rruga e vështirë e kapërceheshin vështirësitë. Asgjë nuk e thyente vullnetin e partizanëve dhe të të plagosurve. Pranë tyre qëndronin komunistët dhe kuadrot; ata me fjalë e me vepra u jepnin fuqi të pashtershme, u jepnin shembullin e sakrificës dhe, mbi të gjitha, qartësinë për qëllimin kryesor. Këto ishin burimet nga merrte jetë forca e kësaj kolone të gjatë që përshkonte Qafën e Beçit në dimrin e viteve 1943-1944.
Pas mesit të natës, pararoja e kaloi Qafën e Beçit. Në luginën e lumit të Kapinovës u bë një kontroll në ecje i të plagosurve nga mjeku dhe nga një shok i shtabit. Mëngjesi i janarit e zuri pararojën e kolonës në fshatin Potom të Skraparit të Sipërm. Në këtë fshat u strehuan të sëmurët e të plagosurit që ishin rëndë dhe një pjesë e partizanëve. Kolona vazhdoi tej në Gjergjovë. Nën kujdesin e shokëve të PKSH-së dhe të shtabit, krahas të tjerave, u strehuan të gjithë të plagosurit dhe të sëmurët në fshatrat Gjergjovë e Koprenckë, ndërsa një pjesë shkoi edhe në Grabockë. Për partizanët e plagosur e të sëmurë, ashtu të dërrmuar siç qenë, s’kishte gjë më të vlefshme sesa gjumi në vatrat e ngrohta, të rrethuara nga kujdesi i shokëve dhe i fshatarëve mikpritës.
Për personelin mjekësor, i cili ishte lodhur pa masë, nuk kishte pushim. Jeta e shokëve kërcënohej nga shumë faktorë: plagët, sëmundjet, të ftohtët, uria, etj. Me materialet që kishin me vete, u ndërruan dhe u pastruan të gjithë të plagosurit. Të sëmurët i ndihmuan me ato pak ilaçe që kishin. Ata që duhej të operoheshin u dërguan menjëherë në Nikollarë dhe në Grabockë, ku spitalet kishin filluar punën. Edhe nga ata që marshuan, partizanë e popull, kishte shumë me ngrirje të gjymtyrëve. Me vendim të shtabit u grumbulluan të gjithë të plagosurit e të sëmurët rëndë në Grabockë dhe në Nikollarë. Më të lehtët u inkuadruan në Brigadën IV Sulmuese dhe në batalionet territoriale. Kështu mbaroi marshimi i gjatë dhe i sforcuar i të plagosurve dhe i të sëmurëve të pellgut të Oparit në Operacionin e Dimrit.
Në krahinën e Oparit dhe në malin e Ostrovicës, pas tërheqjes së organizuar të njësive dhe spitaleve partizane, për arsye të ndryshme kishin mbetur shumë skuadra apo grupe të vogla partizane, të cilat ishin shpërndarë gjatë përpjekjeve me armikun. Ato lëviznin andej-këndej për të mos rënë në dorë të tij dhe, ku e lypte situata, edhe luftonin me të. Në këtë gjendje kishin mbetur edhe nja 20-30 partizanë të plagosur dhe të sëmurë, që nuk kishin mbërritur kolonën e spitaleve që marshoi nëpërmjet Qafës së Beçit. Të grumbulluar dhe të shoqëruar nga një skuadër partizane, këta të plagosur manovronin nëpër pyjet e Ostrovicës. Gjithë shtigjet e kalimit ishin të zëna nga gjermanët dhe nga bandat balliste, të cilët ishin vënë në ndjekje të forcave partizane.
Armiku shpejt ra në gjurmët e këtij grupi të vogël partizan. Ai kërkoi disa ditë në pyllin e Ostrovicës, rrethoi grupin e të plagosurve dhe urdhëroi që të dorëzoheshin. Në mes të të plagosurve ishin edhe dy partizanë të shtrirë në vig. Njërit prej tyre i mungonin të dyja këmbët që i ishin prerë. Koha ishte e keqe dhe kudo dëgjoheshin thirrjet e armikut për t’u dorëzuar. Partizanit pa këmbë i kishte lindur një mendim: të çante rrethimin. Ai mori 4-5 granata dore, u zvarrit afër kuajve në qendër, mori një mushkë dhe shkoi deri në buzë të kanalit. U ngrit mbi të dhe, si të ishte stërvitur prej kohësh, hipi në mushkë dhe thirri me sa zë që kishte: “Përpara, partizanë!” Hodhi mbi pozicionin ballor të armikut dy granata dhe çau përpara, pastaj majtas dhe djathtas hodhi dy granata të tjera në kohën kur ndodhej në një vijë me armikun. Granata e pestë i mbeti në dorë.
Ndërkohë, mitralozët armiq kishin qëlluar mbi trupin e tij dhe të mushkës, e cila pasi bëri 3-4 metra, u rrëzua duke e flakur trupin e partizanit në borë. Pas disa çastesh plasi granata e pestë. Shokët e pasuan partizanin, por nuk mundën ta çanin rrethimin. Ata luftuan deri në fishekun e fundit, por rrethimi armik ishte shumë i ngjeshur dhe partizanët, me këto forca të pakta, nuk mund të çanin dot më tej.
Që në shtator të vitit 1943, Komiteti Qarkor i PKSH-së të Korçës kishte ngritur në fshatin Bradvicë një spital partizan, i cili u shërbente partizanëve të pellgut të Devollit. Spitali ishte i vendosur në veri të fshatit, në shkollën e tij, një ndërtesë njëkatëshe me bodrume. Ai qe pajisur mirë, kishte shtretër dhe shtroje të rehatshme; fshati e mbante me bukë e me ushqime të tjera, ndërsa nga Korça vinin furnizime të rregullta me medikamente dhe materiale.
Në dhjetor të vitit 1943, në pragun e Operacionit të Dimrit, armiku ndërmori një seri operacionesh spastrimi për të prishur bazat partizane. Kështu ndodhi që një ditë të këtij muaji, një togë ushtarësh gjermanë, pas informatash të sigurta, nisen natën nga Bilishti në Bradvicë. Pa aguar mirë dita, në befasi të plotë, duke shfrytëzuar natën e keqe dhe kohën e ndërrimit të rojave të fshatit (të lëna nga çeta territoriale për të ruajtur spitalin), pararoja gjermane u duk në afërsi të fshatit, në drejtim të rrugës së Grapshit. Ndërkohë ushtarët e tjerë, duke pasur me vete udhërrëfyes ballistë, ishin hapur në formacion luftimi dhe po rrethonin fshatin.
Alarmi u dha kur gjermanët kishin bllokuar fshatin nga ana e veriut, e lindjes dhe juglindjes. Në spital ishin 10-12 të plagosur rëndë. Infermierja u këshillua me shokët dhe aty për aty u vendos që një pjesë të organizonte mbrojtjen, ndërsa të tjerët të largoheshin. Duke përfituar nga mjegulla e mëngjesit dhe duke pasur edhe ndihmën e menjëhershme të fshatarëve, filloi transportimi i të plagosurve rëndë. Disa nga këta të plagosur, me një grup fshatarësh, mundën të çanin pa u vënë re në drejtimin veriperëndimor të fshatit dhe u fshehën në pyll; disa të tjerë i fshehën duke i maskuar në mënyra të ndryshme vetë banorët e fshatit.
Ndërkohë, fshati u rrethua plotësisht dhe lufta u ndez e ashpër rreth spitalit partizan. Spitali u kthye në një kala të pakapshme. Luftonin infermierja partizane dhe tre partizanë të plagosur. U bëhej thirrje për t’u dorëzuar, por armiqtë merrnin vetëm një përgjigje: krismën e pushkës, bomba dhe plumba. Gjermanët hipën në çatinë e shtëpisë dhe prej aty plagosën sërish për vdekje dy partizanë. Ndërkohë, luftën e vazhdonin nga bodrumi infermierja dhe partizani tjetër. Gjermanët u hodhën në dyshemenë e spitalit dhe filluan ta çanin atë me sopatë. Nga dritaret e bodrumit vazhdonte lufta e pabarabartë.
Partizanët trima të plagosur nuk dorëzoheshin të gjallë; ata e kishin kryer me nder detyrën e tyre, duke u dhënë kohë shokëve për tërheqje. Ata do të luftonin deri në fishekun e fundit. Gjermanët i vunë zjarrin spitalit partizan. Flaka në fillim rrëmbeu çatinë, e cila u dogj si eshkë, pastaj dyshemenë e bodrumit. Ndërkohë, infermierja dhe partizani që kishte mbetur qëllonin pa pushim mbi gjermanët e ballistët, derisa flakët përpinë trupat e tyre. Heroizmi i tyre u rrënjos në zemrat dhe mendjet e fshatarëve të Bradvicës, që ishin dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Ky akt u kthye në një urrejtje të pakufishme ndaj pushtuesve dhe kolaboracionistëve.
Ishte janari i vitit 1944. Operacioni armik i Dimrit ishte në kulmin e zhvillimit të tij. Një togë e batalionit të parë të Brigadës IV Sulmuese ishte caktuar për mbrojtjen e urës së Moglicës, duke ruajtur njëkohësisht tërheqjen e forcave tona dhe kalimin e tyre në zonën e lirë të Skraparit.
Beteja ishte e ashpër. Pesë partizanë, me urdhër të komandës, shkëputen dhe shkojnë në katundin Faqekuq të Skraparit. Fshati ishte pushtuar nga forcat gjermane. Në një luftë të pabarabartë, plagoset njëri prej partizanëve, fillimisht në njërën këmbë e pastaj në tjetrën. Partizanët, së bashku me shokun e plagosur, u tërhoqën në malin e Ostrovicës të mbuluar nga bora, pasi i dhanë ndihmën e parë shokut. Gjatë udhës, duke çarë borën e duke luftuar, improvizuan në çast një barrelë (vig) ku vendosën shokun e plagosur, i cili kishte humbur ndjenjat.
Kur u përmend, i plagosuri e pa veten në mes të borës së skuqur me gjak. Kërkon shokët duke u zvarritur dhe i gjen rreth tij, në pozicion luftimi, të vrarë që të katërt, me municion krejt të mbaruar. Ata ishin bërë kala e pakapërcyeshme për armiqtë dhe kishin flijuar jetën e tyre për të shpëtuar shokun e plagosur. I plagosuri u end shtatë ditë e net zvarrë nëpër borë, pa ushqim, me plagë shumë të rënda, pa gjumë dhe në acarin e dimrit të madh, derisa mbërriti në fshatin Lavdar të Oparit, ku e morën fshatarët për ta mjekuar.
“Në dimrin 1943-1944, Ushtria Nacionalçlirimtare, populli kryengritës dhe PKSH-ja kaluan provën më të madhe e më të rëndë. Në këtë provë dolën fitimtarë dhe kjo fitore vendosi fatet e gjithë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.”* Shërbimin shëndetësor të njësive të UNÇSH-së kjo periudhë e gjeti të organizuar me të gjitha hallkat e tij dhe e vuri përpara një prove të madhe dhe shumë të vështirë.
*Historia e Luftës Nazifashiste Nacionalçlirimtare, Vëll. II, maket, f. 335.
Gjithë toka shqiptare gjëmonte nga lufta e pabarabartë dhe shumë e ashpër. Në gjithë këto luftime “...në kushte jashtëzakonisht të vështira, nga të ftohtët, nga plagët e rënda e nga sëmundjet vdiqën lart nga 1000 partizanë…”* Rreth 4500-4600 u plagosën dhe mbi 3000 të tjerë u sëmurën rëndë nga infeksionet pulmonare, renale dhe artikulare. Shumë të tjerë patën ngrirje të pjesshme. Nga kjo mund të shihet përafërsisht vëllimi i punës që ka pasur shërbimi shëndetësor partizan gjatë Operacionit armik të Dimrit.
Në fillim të dimrit të viteve 1943-1944 numëroheshin rreth 35 spitale partizane, veç infermierive dhe vendmjekimeve të njësive partizane, si dhe bazave të mjekimit në qytet dhe në fshat. Në fund të këtij operacioni, numri i spitaleve partizane u dyfishua. Ato shtuan kapacitetin dhe në disa vende morën karakterin e “fshatit spital”, si në Kosovë të Përmetit, në Grabockë, në Nikollarë të Skraparit e gjetkë. Por nuk ishin vetëm këto spitale që mbajtën peshën e të plagosurve e të sëmurëve partizanë, por gjithë rrjeti shëndetësor dhe, mbi të gjitha, ishin shtëpitë e popullit që u bënë strehë e tyre.
*Historia e Luftës Nazifashiste Nacionalçlirimtare, Vëll. II, maket, f. 336.
Problemi kyç dhe më i vështirë gjatë këtij dimri ishte manovrimi i të plagosurve dhe të sëmurëve në kohë reaksioni. Armiku mësynte në befasi duke mbyllur shtigjet nga mund të kalonin partizanët. Për të plagosurit e për të sëmurët, në kësi rastesh, kishte vetëm dy rrugë shpëtimi: të manovronin brenda Zonës Operative ose të dilnin jashtë kësaj zone. Por manovrimi i spitaleve partizane në këto kushte u bë në mënyrë të organizuar. U përdorën forma e metoda nga më të ndryshmet gjatë lëvizjeve për t’iu shmangur sa më shumë përpjekjeve me forcat naziste e balliste. Shpesh lëvizja e spitaleve partizane u bë në drejtim të mësymjes armike, por me një maskim të mirë, duke kërkuar shtigje të pabllokuara nga forcat armike, me një mbrojtje të manovrueshme dhe me vende të parapërgatitura. Të plagosurit nuk u diktuan nga armiku dhe asnjë prej tyre nuk ra në dorë të tij. Megjithëse në kushte të rënda, aktiviteti i spitaleve nuk pushoi; përkundrazi, u shtua.
Gjatë operacioneve armike u praktikua edhe ndarja pjesë-pjesë e këtyre spitaleve në formacione të vogla. Kjo mënyrë siguronte manovrim më të lartë dhe konspiracion më të madh. Një manovrim tjetër ishte edhe boshatisja e ngutshme e vendmjekimeve dhe e spitaleve para fillimit të luftimeve dhe dërgimi i të sëmurëve në fazë shërimi pranë njësive ose fshatrave. Mjetet e transportit ishin barrelat e thjeshta dhe shpesh krahët e personelit të shërbimit, të fshatarëve dhe të partizanëve të plagosur që ishin në gjendje më të mirë shëndetësore. U praktikua gjithashtu edhe fshehja në vende të sigurta ose groposja e materialeve ndihmëse të spitalit partizan, si dhe shpërndarja e tyre në familjet fshatare. Kjo jepte mundësi që ky material të grumbullohej shpejt pas kalimit të reaksionit armik dhe të reformohej rishtazi spitali partizan.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.