Krijimi i Brigadës V Sulmuese përbënte një moment të rëndësishëm në luftën e popullit të qarkut të Vlorës dhe për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pikërisht në këtë kohë po merrte formë të plotë vënia në jetë e direktivës së 3 nëntorit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe plani i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH që, krahas brigadave I, II, III, të krijoheshin brenda vitit edhe tri brigada të tjera, nga të cilat njëra në qarkun e Vlorës*. Krijimi i tyre do të ishte përgjigja më e mirë për zgjidhjen e problemit ushtarak të kryengritjes në rritje, që po shtrohej me tërë forcën e saj para LANÇ.
* “Enver Hoxha”, Vepra, vëll.1, Tiranë, 1983, f.523.
Në udhëzimet që i jepte qarkorit të Partisë së Vlorës për formimin e brigadës, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste porosiste ndër të tjera: “Formimi i Brigadës duhet të jetë preokupacioni më i madh në çështjen ushtarake…”.* Sipas kësaj porosie, Komiteti Qarkor e studioi me kujdes gjendjen dhe mori masat e nevojshme për zbatimin sa më shpejt të kësaj direktive.
* “Enver Hoxha”, Vepra, vëll.1, Tiranë, 1983, f.113.
Problemi kryesor ishte plotësimi i brigadës me numrin e nevojshëm të partizanëve. Në këtë kohë, në pesë batalionet partizane të qarkut (tre në Vlorë e dy në Mallakastër) kishte mbi 1000 luftëtarë me përvojën e luftës partizane dhe të vendosur për të kryer çdo detyrë që do t’i ngarkonte Shtabi i Përgjithshëm. Krahas forcave të rregullta partizane, në qark kishte edhe mbi 60 çeta fshatrash me 5-6 mijë vullnetarë, shumica të organizuar në batalione vullnetare territoriale të krahinave, edhe ato me përvojë luftarake pasi kishin luftuar përkrah me batalionet partizane në disa aksione e luftime.
Komiteti Qarkor i PKSH për Vlorën vendosi që brigada të formohej mbi bazën e dy batalioneve partizane “Ismail Qemali” e “Halim Xhelo” dhe vullnetarëve të rinj, që kishin dalë e që do të dilnin si pasojë e plotësimit të detyrave që kishin vënë Komiteti Qarkor gjithë organizatave të Partisë, të rinisë, të gruas, këshillave nacionalçlirimtare të fshatrave dhe krahinave, për zbatimin e direktivës së 3 nëntorit të KQ të PKSH. Sipas kësaj direktive duhej që: “Në konferenca të gjera të popullit në qytete e fshatra, në konferenca të gjera të rinisë të shtrohet si pikë kryesore çështja e forcimit të ushtrisë dhe e mobilizimit”.*
* “Enver Hoxha”, Vepra, vëll.2, Tiranë, 1984, f.26.
Kështu, nga qyteti i Vlorës dolën mbi 30 të rinj, ndër të cilët 8 komunistë dhe 20 anëtarë të rinisë komuniste. Pothuajse të gjithë anëtarët e njësive guerile të qytetit u organizuan në brigadë dhe vendet e tyre u plotësuan me të rinj.
Nga Vranishti erdhën në radhët e brigadës 21 vullnetarë, nga Tërbaçi 18 vullnetarë, nga të cilët 5 komunistë, nga Tragjasi 12 vullnetarë të rinj, midis të cilëve 3 komunistë dhe dy vajza, nga fshatrat e Smokthinës 18 të rinj, nga Mavrova 15, nga Sevasteri 13, etj.
Në këtë mënyrë u grumbulluan mbi 200 luftëtarë të rinj, që mjaftonin për krijimin e një batalioni tjetër.
Krahas këtyre, Shtabi i Përgjithshëm caktoi menjëherë edhe shtabin e Brigadës, që u bu në krye të tre batalioneve të saj të parë. Komandant i brigadës u caktua Abaz Shehu; komisar politik u caktua sekretari politik i Komitetit Qarkor Hysni Kapo.
Për sa i përket problemit të armatimit, të veshmbathjes e të ushqimit të efektivit të brigadës, KQ i Vlorës u mbështet në përvojën e vlefshme të grumbulluar me rastin e krijimit të çetave e të batalioneve partizane dhe në porositë që kishte dërguar KQ i PKSH. “Të kujdesemi dhe të kujdesemi seriozisht për gjetje armësh, të cilat mund edhe t’i blejmë… Të mundohemi që, si rezultat konferencave të bëra nëpër fshatra, të rekrutojmë luftëtarë të rinj të armatosur”* udhëzonte KQ i PKSH. Në zbatim të këtyre udhëzimeve partizanët, në shumicën dërrmuese, erdhën të pajisur me armë supi e brezi dhe me gjerdanët plot fishekë për luftimet e para. Rezervat e krijuara nga çarmatimi i ushtrisë italiane, vlejtën për armatimin e vullnetarëve të paarmatosur dhe për pajisjen e reparteve të reja me armët kolektive, siç ishin mitralozat dhe mortajat. Me luftë do t’i merreshin armikut armët të tjera e sidomos municione. Edhe veshmbathjen fillestare vullnetarët e sillnin nga familjet e tyre. Për ushqim, batë do të ishte popullsia civile.
* “PPSH Dokumente Kryesore”, vëll.1, Tiranë, 1971, f.152.
Në raportin që shtabi i brigadës i dërgonte Shtabi të Përgjithshëm me këtë rast e informonte, ndër te tjera se “...qysh me kalimin e shokut Bacë* në këtë qark, gjatë muajit tetor-nëntor na paraqiti se ishte nevoja që në qarkun e Vlorës të formohej Brigada V. Filluam punën për këtë qëllim dhe me datën 27 nëntor u grumbulluan afro 500 veta…, me përjashtim të 250 partizanëve që ishin në batalionin “Halim Xhelo”, që bënte pjesë në grupin e përzier Vlorë-Gjirokastër, forca të cilat do të bënin pjesë në brigadë”.*
* Pseudonimi i Ramadan Çitakut, i deleguar i Shtabit të Përgjithshëm.
** AFP, FOndi41, Dosja 89, Raporti i shtabit të Brigadës V Sulmuese, në shkurt-mars 1944.
Më 27 nëntor në fshatin Gumenicë erdhën të gjitha forcat dhe u organizuan dy batalionet e para të brigadës, kurse ai “Halim Xhelo”, që u quajt batalioni i tretë, do të inkuadrohej në brigadë pas dy javësh. U bë me kujdes gërshetimi i partizanëve të vjetër me ata të porsaardhur nga terreni dhe u shpërndanë në mënyrë të barabartë anëtarët e Partisë Komuniste. Emrat e vjetër të çetave u hoqën dhe nënrepartet u quajtën kompani të dalluara me numra rendorë. Çetat e vjetra “Avni Rustemi”, “Zigur Lelo”, “Rinia” dhe “Hakmarrja” të ish-batalionit “Ismail Qemali” dhe vullnetarët e rinj u ndanë për të formuar dy batalionet e parë dhe të dytë me efektiv prej 220-23- partizanë secili, të ndarë në tri kompani. Në çdo batalion u krijuan edhe toga e mortajave me nga 2 mortaja secila. Çdo kompani u nda në katër skuadra, nga të cilat tri pushkatare, të pajisura me pushkë e mitraloza të rëndë. Kompania kishte komandën e saj të përbërë nga komandanti e komisari dhe zëvendësit e tyre, si dhe një ekonomist. Çdo kompani kishte celulën e saj komuniste dhe aktivin e rinisë, ndërsa për drejtimin e punës së Partisë në batalion u krijuan byrotë e Partisë të batalioneve me intendentët e tyre, grupin e korrierëve, etj, kishin celulën e tyre të Partisë, ashtu sikurse edhe shtabi i brigadës me intendencën, skuadrën e korrier-shoqëruesve, etj.
Në këtë mënyrë Brigada e V Sulmuese nuk qe një bashkim mekanik i formacioneve partizane të krijuara më parë, por një njëri e re e një cilësie më të lartë, që me organizimin e ri dhe nën drejtimin e kuadrove të aftë, do ta tregonte veten në luftimet e ardhshme.
Në letrën që Hysni Kapo i dërgonte Shtabit të Brigadës I Sulmuese shkruante: “Sot, në datën 27; bëmë organizimin e 7 kompanive me nga 60 veta secila, Janë gjithsej 450 vetë. Siç ju shpjegova, elementët janë të mirë por duhet punë dhe besoj se me vullnet do t’ia dalim në krye”.*
* Hysni Kapo, Vepra të Zgjedhura”, vëll.1, Tiranë, 1980, f.45.
Të nesërmen, më 28 nëntor, u bë rreshtimi i të dy batalioneve të pranishëm të brigadës në sheshin para shkollës, në qendër të fshatit. Fjalën e mbajti komandanti i brigadës së re Abaz Shehu.
Komanda gjermane, e alarmuar nga shtimi i forcave në qarku e Vlorës pas krijimit të brigadës, filloi marrjen e një sërë masash për t’u bënë në dijeni mbi gjendjen dhe për ta përballuar atë. Më 24 nëntor, komanda e Korpusit XXI njoftonte se “...një bandë e madhe komuniste ka devijuar mbi Bjosë dhe po përgatitet në pjesën e sipërme të luginës së Shushicës për të përparuar drejt Vlorës.”* Të shqetësuar nga kjo informatë, nazistët filluan përgatitjet për një operacion të ashpër kundër krahinës së Mesaplikut. Për këtë qëllim më 15 tetor kishte shkuar në Vlorës komandanti i porsaemëruar i Korpusit XXI, gjenerali Fen**, dhe më 1 nëntor erdhi edhe shefi i shtabit të tij***, që të njiheshin nga afër me terrenin dhe të hartonin planin e veprimeve luftarake. Të nesërmen, pas konsultave me shefin e shtabit të Korpusit XXII të Janinës, u miratuan përfundimisht plani i operacionit të filluan përgatitjet.
Megjithëse Brigada V Sulmuese qe formuar si njësi e Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare me mbi 750 luftëtarë të ndarë në 3 batalione, ajo nuk ishte plotësuar ende. Procesi i plotësimit të saj s’kishte marrë fund sepse ditën e organizimit nuk qenë grumbulluar dot të gjitha forcat që do ta përbënin atë. Në aktivin e Partisë të 7 dhjetorit u diskutua gjer dhe u vendos që të vazhdohej m e dendur fushata e mobilizimeve për të plotësuar sa më parë brigadën. Gjatë kësaj pune dolën një mori problemesh që kërkonin zgjidhje si ato të mobilizimit të rinisë nga qyteti e nga fshati të kuadrove të reja ushtarake e politike për plotësimin e organikave të brigadës të bazës materiale për pajisjen, armatosjen dhe ushqimin e saj, etj. Por ato më kryesore, më të ngutshmet ishin: mobilizimi i 200-300 vullnetarëve të rinj për plotësimin e dy batalioneve të rinj të brigadës, plotësimi i tyre dhe i gjithë brigadës me armatime e sidomos me municione, për të cilat, pas luftimeve të dhjetorit, ndjehej nevoja më tepër se për çdo gjë tjetër, dhe caktimi i zonës ku do të vepronte një njësi e tillë.
Komiteti Qarkor dhe komitetet e rajoneve zhvilluan një punë të gjithanshme për zgjidhjen e tyre. Celulat e Partisë Komuniste në qytete e në fshatra, këshillat nacionalçlirimtare e komandat e vendit, brenda një kohe të shkurtër organizuan dhjetëra konferenca sqaruese me popullsinë dhe ia arritën të nxjerrin mjaft vullnetarë. Të shumtë qenë ata sidomos nga Tërbaçi, Brataj, qyteti, Velça, Kanina, Smokthina, Shkoza, Mavrova, Gumenica, Tragjasi, Dushkaraku, Sevasteri, Gorrishti, Rromësi, etj. Komunistët dhe të rinjtë e organizuar, dilnin të parët për në radhët e brigadës, duke tërhrqur edhe shumë të tjerë me vete dhe niseshin grupe-grupe, pë përcjellë nga gjithë të afërmit për në Ramicë dhe në qendrat e tjera të komandave partizane.
Nga qyteti dolën vullnetarë të tjerë nga anëtarët e rinj të njësiteve guerile, si dhe nga shumica e anëtarëve të Partisë e të organizatës së rinisë, duke lënë atje për drejtimin e punës vetëm shokët më të domosdoshëm. U mor edhe një kontingjent prej 50-60 vetash nga batalioni “Perlat Rexhepi” i grupit II, si dhe po aq të tjerë nga grupi III i Mallakastrës. Midis vullnetarëve të shumtë kishte plot shokë të aftë për t’u ngarkuan me përgjegjësi ushtarake e politike në nënreparte.
Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, u caktua komandant i brigadës Shefqet Peçi*, kurse zëvendës komisar Dervish Hekali. Ndërkohë Qarkori i Partisë Komuniste dhe shtabi i brigadës morën masa edhe për plotësimin e organikave. Kështu u plotësuan me kuadro pesë batalione dhe u caktuan qendrat e përqendrimit të tyre. Batalioni i parë do të vendosej në Vajzë - Beun - Velçë, i dyti në Gjorm- Gumenicë dhe i treti në Tërbaç - Brataj - Lepenicë. Detyra luftarake e tyre ishte që të siguronin luginën e Mesaplikut nga çdo orvajtje armike. Batalioni i katërt u la në Ramicë dhe i pesti në Vranisht - Tërbaç, derisa të plotësoheshin e të organizoheshin më mirë. Nga këto vende shtabi i brigadës përcillte vullnetarët e rinj që vinin, duke i ndarë ata përpjestimisht, për plotësimin e efektivave të batalioneve të brigadës.
* Komandanti i mëparshëm i brigadës, Abaz Sheshu, ra në luftime me forcat gjermane në 12 dhjetor 1943.
U vendos që përurimi i brigadës të bëhej më 15 janar në fushën e Bramyshjes së Tërbaçit dhe u njoftua Shtabi i Përgjithshëm, por për arsye të vështirësive të ndërlidhjes me të, data u shty për në 20 janar. Në të njëjtën kohë u njoftuan krahinat e Vlorës e të Himarës që të dërgonin nga një delegacion prej çdo fshati. Në raportin që shtabi i brigadës i dërgonte Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH në muajin shkurt, i shkruante ndër të tjera se: “...në inaugurimin e brigadës morën pjesë më tepër se 1000 veta”. Po në atë raport njoftonte se: “...për arsye se mungonte i deleguari i Shtabit të Përgjithshëm, inaugurimi u kryesua prej shtabit të kësaj brigade.”*
* AQP, fondi 181, dosja 18, f.2.
Të pesë batalionet e brigadës, pasi ua kishin lënë mbrojtje, drejtimet e mundshme të ndonjë sulmi armik forcave të Grupit II e atyre territoriale, u grumbulluan në fushën e Bramyshjes, Ceremonia e rastit u hap, si zakonisht me një minutë heshtje për dëshmorët e rënë në luftën e shenjtë për çlirimin e atdheut. Pastaj folën me radhë komandanti, komisari, zëvendës komisari e përgjegjësja e rinisë. Në fund u lexua përshëndetje e Shtabit të Përgjithshëm.
Pas këtyre, komandanti i dorëzoi flamurin luftarak brigadës dhe batalionet parakaluna përpara komandës. Më në fund grupi teatral i brigadës dha një shfaqje të vogël zbavitëse për luftëtarët dhe popullin.
Në mbrëmjen e asaj dite komanda e brigadës urdhëroi batalionet të vendoseshin në vende të përshtatshme për të thyer çdo sulm të mundshëm të armikut në drejtim të zonës së lirë të Mesaplikut. Batalioni 1 u përqendrua në Velçë - Beun, i dyti në Beun - Vajzë, i treti në Tërbaç - Qafë e Shëngjergjit, i katërti në Gjorm - Gumenicë dhe i pesti në Ramicë - Bashaj në rezervë të komandës së brigadës.
Të pesë batalionet e Brigadës V Sulmuese, më 20 janar 1944 kishin një efektiv prej 976 vetash, nga të cilët 950 prezentë dhe 26 të sëmurë e të plagosur. Në këta, batalioni i parë kishte 225 veta, i dyti 218 veta, i treti 150 veta, i katërti 185 veta dhe i pesti 172 veta.* Duke u shtuar këtyre forcave edhe personeli e shtabit prej 14 vetash si dhe 20 veta të personelit ndihmës të tij (14 korrierë-shoqërues të anëtarëve të shtabit dhe 6 infermierë të spitalit), efektivi i gjithë brigadës i kalonte të 1000 vetat.
* AQP. Fondi 41, dosja 8. Raporti i datës 28.I.1944 drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
Batalioni 3, meqënëse ishte i përbërë tërërsisht prej partizanësh të vjetër (nga ish-çeta e Bregut, “Zigur Lelo”, “Hodo Zeqiri”, etj.) iu morën shumë prej tyre për të formuar dy batalione të rinj, së bashku me vullnetarët e porsaardhur, prandaj, edhe mbeti më i vogël në numër, por i përbërë gari tërësisht nga luftëtarë veteranë. Dy batalioneve të tjerë të vjetër, i pari dhe i dyti, megjithëse iu morën nga një numër partizanësh për batalionet e rinj, përsëri mbetën më të mëdhenjtë në numër.
Në përbërjen e batalioneve ishin kompanitë me jo më shumë se 50-70 partizanë. Secili batalion kishte tre kompani, si dhe togën e mortajave me 2 gryka zjarri 81 mm. Çdo kompani ndahej në 4 skuadra pushkatare dhe një e mitralozit të rëndë me nga 8-10 ose 12 partizanë. Pranë saj mbahej një korrier dhe një intendent.
Pranë komandës së batalionit, përveç intendentit e përgjegjësit të rinisë, mbahej borizani, si dhe 3-4 korrierë e 4-5 partizanë me 5-6 kafshë, që ndihmonin intendentit për transportimin e për shërbime të tjera.
Shtabi përveç 4 shokëve të komandës, kishte edhe seksionin politik të përbërë prej 4 vetash dhe intendentin. Si ndihmës të tij kishte personelin e intendencës, agjitacionit dhe shërbimit mjekësor me spitalin përkatës. Po kështu, për sigurimin e shtabit dhe për shërbimet e tij, sidomos për ndërlidhjen me repartet vartëse, u organizuar skuadra e korrier-shoqëruesve me partizanë trima, besnikë e të zgjuar, të aftë për këto shërbime aq delikate e të vështira.
Armatimi i forcave të brigadës ishte i përzier. Gjeje çdo lloj pushke, që nga “martinat” turke e “Lebelët” francezë me 3 fishekë, deri tek ato belge, austriake, greke, jugosllave, italiane, gjermane e angleze. Një pjesë e mirë e kuadrove dhe e skuadërkomandantëve ishin të pajisur me automatikë italianë, gjermanë ose britanikë.
Në përgjithësi brigada ishte e pajisur me armë të lehta. Mungesë ndihej për municionet dhe armët e rënda. Fishekët ishin gjithmonë me pakicë dhe partizanët e ruanin ato me kujdes e i kërkonin gjithandej. Rezerva brigada nuk kishte ose ato ishin fare të pakta. Edhe me mitraloza të rëndë brigada mbeti pa u plotësuar e sidomos 2 batalionet e rinj. Lidhur me këtë, pas pak ditësh, Memo Meto i shkruante Hyni Kapos: “Shefqeti më tha që edhe për mitraloza të rëndë se i mungojnë Brigadës V”, dhe përfundonte: “Dërgoni, pra, një mushkë të fortë t’i dorëzoj 2 copë.”*
* AQU. Fondi i Brigadës V Sulmuese, kutia 2, dosja a.
Disa kompanive që nuk kishin mitraloza të rëndë, iu dha nga një mortajë e lehtë 45 mm ose pushkë austriake, si dhe “Bazuka”. Mirëpo, për të gjitha këto, predhat qenë të numëruara, prandaj u bënë shpejtë të pavlefshme dhe u lanë në baza për t’i marrë kur të gjendej municion.
Me këtë organizim brigada paraqitej si një njësi e rregullt luftarake, mjaft e lehtë dhe e zhdërvjelltë, e përshtatshme për luftimet me taktikën e luftës partizane dhe sidomos, për luftimet në terren të vështirë malor. Brigada kishte artileri, xhenio, nënreparte ndërlidhjeje ose zbulimi. Topa nuk kishte dhe as artilierë që mund t’i përdornin, kurse detyrën e xhenierit, të ndërlidhësit e të zbuluesit e kryenin gjithë partizanët, çdo nënrepart dhe repart i brigadës, të ndihmuar fuqimisht nga popullsia civile.
Organizata e Partisë Komuniste, si truri dhe zemra e brigadës, numëronte 104 anëtarë të ndarënë 22 celula me nga 4-5 komunistë. Celulat shtriheshin në të gjitha kompanitë. Në batalione u organizuan byrotë e Partisë me pjesëmarrjen e komisarit, zëvendëskomisarit, përgjegjësit të rinisë të batalionit dhe zëvendës komisarëve të kompanive.
Pranë shtabit të brigadës u krijua një celulë e vetme së bashku me seksionin politik e të agjitacionit, kurse intendenca dhe spitali partizan kishin celula më vete.
Duke parasysh udhëzimet e KQ të PKSH, si dhe detyrat që shtronte për forcimin e organizatës së Partisë në UNÇSH, menjëherë pas ceremonisë së përurimit, celulat e Partisë bënë mbledhjet e para në të cilat caktuan detyrat më të ngutshme për punën politike e organizative me efektivin dhe ndanë punën për secilin komunist. U vendos që celulat të mblidheshin dy herë në javë, njëherë si mbledhje e rregullt pune dhe një herë tjetër për punë edukuese, ku zhvilloheshin biseda e debate teorike.
Me përfundimin e organizimit filloi puna masive për edukimin e partizanëve duke i ndarë ata nëpër grupet edukative, aktivet e rinisë, etj. Në çdo kompani u organizua nga një deri dy grupe edukative, sipas nivelit politiko-kulturor të pjesëmarrësve. Ata më të përgatiturit bënin pjesë në një grup edukativ me komunistët dhe dukeshin si kandidatë më të mundshëm për anëtarë partie, kurse të tjerët formonin një grup edukativ më vete, që e drejtonte komisari i kompanisë.
Krahas këtyre, u krijuan organizatat e rinisë që vepronin nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe të drejtuara nga përgjegjësit e rinisë në batalione. Rinia në këtë njësi përbënte jo vetëm shumicën dërrmuese të efektivit, mbi 80 për qind të tij, por ajo ishte më dinamikja, më luftarakja, ajo që gjallëronte jetën e reparteve e të nënreparteve dhe që merrte përsipër detyrat më delikate e më të vështira. Kishte në radhët e saj të rinj fshatarë, që përbënin shumicën, por kishte edhe rinj shkollarë e studentë, si dhe të rinj punëtorë e zanatçinj nga qyteti. Midi të rinjve ishin edhe mbi 60 vajza, ndër të cilat një pjesë e mirë vinin nga çetat e vjetra ku ishin kalitur me jetën luftarake partizane. Ato kishin mësuar të shërbenin si infermiere, shërbim që e bënin me kudes e pasion të madh dhe në nënrepartet e brigadës. Të tilla qenë Dhora Premti, Merjeme GJomemo, Myrvete Halimi, Dallandyshe Imeri, Stoli Xhemali, Melpomeni Anastasi, Kanerina Sulo, etj.
Me këtë masë të rinjsh u krijua menjëherë bërthama e rinisë komuniste, si dhe aktivet e rinisë antifashiste në kompanitë, nën drejtimin e komunistit më të ri, si dhe grupet edukative të rinisë.
Seksioni politik, që ndihmonte nga afër zëvendës komisarin në të gjitha punët e Partisë, ishte plotësuar me përgjegjësin e sektorit politik e atë organizativ, të rinisë e të punës kulurore-arsimore, bëri mbledhjen e tij të parë në të cilën mori udhëzimet e duhura dhe filloi menjëherë veprimtaria.
Sektori i agjitacionit dhe propagandës, megjithëse i pa plotësuar mirë, filloi gjithashtu nga puna. U përgatit dhe u dha në shtyp pranë teknikës së Qarkorit, komunikata e parë mbi përurimin e brigadës. Ky qe një fillim i mirë. Këtu u mbajtën parasysh vërejtjet dhe kërkesat e herëpashershme të shokut Memo Meto, i cili shkruante ato ditë: “Dëgjojmë nga gojëthëniet se batalionet e Vlorës, pareshtur po bien në përpjekje me armiqtë dhe kudo dalin me suksese të dukshme, që janë të vërtetuara me veprat heroike. Asnjë komunikatës s’po shohim mbi gjithë ngjarjet e atij qarku. Ndërsa në qarqet e tjera çdo lëvizjet del në trakt për të nxitur të tjerët ndër luftime heroike, për të marrë njoftime edhe qarqet e krahinat e tjera për zhvillimet luftarake.”* Me këtë rast u udhëzua ky sektor që të nxirrte disa lloje komunikatash.
** AQP. Fondi i Brigadës V Sulmuese, dosja 2, letra e datës 27.I.1944.
Punë e mirë filloi të organizohet edhe për ngritjen kulturore-arsimore të partizanëve, 60-70 për qind e të cilëve ishin analfabetë. Mësimi i shkrimit dhe i leximit në masën e luftëtarëve, u quajt si detyrë me rëndësi të madhe, sepse pa atë, partizanët nuk mund të zhvilloheshin e të shkonin përpara, të njiheshin me literaturën, etj. Duhej patjetër që brigada të ishte jo vetëm një njësi luftarake dhe një repart i organizuar politik, por edhe një shkollë e madhe për përhapjen e arsimit e të kulturës në radhët e partizanëve të saj. Prandaj u përcaktuan përgjegjësit e kësaj pune në çdo batalioni dhe “mësuesit e vegjël”, që morën përsipër t’u mësonin sa më parë alfabetin dhe pastaj shkrim-lexim shokëve analfabetë të skuadrave të tyre.
Për këtë qëllim u caktua “ora e mësimit” në çdo kompani e skuadër që zbatohej edhe gjatë qëndrimit në pozicione luftimi ose gjatë shërbimeve të tjera, marshimeve me reparte ose të shkëputur, etj. Intendentët blenë andej-këndej dhe u shpërndanë partizanëve fletore e lapsa dhe, kur ato mungonin u përdorën rrasa të vogla të zeza ose pllaka të thjeshta guri ku mund të shkruhej me copa guri ose me thëngjinj të shuar. Partizanëve u flitej vazhdimisht për rëndësinë e kësaj pune dhe ata, duke kuptuar se kjo ishte në interes të tyre, iu vunë me zell punës, e cila nuk vonoi të japë përfundime të frytshme.
Krahas kësaj, filluan të ngrihen koret e grupet teatrale në batalione, me përgatitjen e të cilave u gjetën dhe u ngarkuan shokë nga më të përshtatshmit. Ata, me shfaqjet e tyre të thjeshta, por të kohës e tërheqëse, argëtonin dhe edukonin jo vetëm partizanët, por edhe popullin e krahinave ku kalonin.
Në të gjitha këto veprimtari rolin kryesor e luante rinia e sidomos ajo shkollore e studentore. Organizatat e Partisë dhe komandat e nënreparteve i udhëhiqnin e i ndihmonin ato me mënyrë nga më të ndryshmet.
Gjatë kohë që batalionet qëndronin nëpër vendet e tyre të caktuara, zhvillonin një punë të dendur sqarimi politik të efektivave. Komisarët mbanin konferenca politike me partizanët, kurse komandantët u flitnin atyre për elementët e taktikës së luftës partizane, si dhe mbi përdorimin e armëve që kishin.
Konferenca u zhvilluan edhe me popullsinë civile. Kështu batalioni i parë bëri disa konferenca të tilla me popullin dhe me këshillat nacionalçlirimtare të fshatrave Treblovë, Kocul, Vëzhdanisht dhe Karbunarë, ku u gjykuan para popullit edhe disa keqbërës.
Seksioni do të plotësohet në vazhdim. Na vizitoni sërish...
Brigada V Sulmuese përgatitet për operacaionin gjerman “Horridoch-3”.
Luftimet në luginën e Mesaplikut.
Veprimet luftarake në sektorin e brigadës.
Luftimetnë krahinën e Kardhiqit.
Luftimet në sektorin e Salarisë.
Përballimi i operacionit gjerman “Und Dennoch” në Mesaplik.
Veprime në prapavijat e armikut.
Veprimet luftarake gjatë kundërgoditjes.
Thyerja e operacionit gjerman të 8 marsit.
Thyerja e operacionit gjerman të 14 marsit.
Goditja në bregdet. Sulmi mbi vijën e fortifikuar armike Mavrovë - Koprisht - Peshkëpi - Penkovë.
Përballimi i operacionit gjerman “Wolfsschlucht”.
Në roje të Kongresit të Përmetit.
Luftimet në luginën e Vjosës.
Sulme të vazhdueshme të partizanëve mbi rrugën Perat - Korçë.
Brigada e V Sulmuese rreshtohet në Divizionin I Sulmues të UNÇSH.
Kundërsulme në qafën e Gjarprit dhe në Qafën e Gurit të Prerë.
Goditje mbi armikun në lumin e Tomoricës.
Beteja të tjera në Shëmbëdhenj e Qafë Dardhë.
Spastrimi i zonave në jug të Shkumbinit.
Forcimi i punës politiko-edukuese.
Kalimi i lumit të Shkumbinit.
Veprimet luftarake për çlirimin e zonës së Elbasanit e Tiranës.
Shpartallimi i forcave të Legalitetit në Shupal të Tiranës dhe përreth tij.
Në veri për çlirimin e Matit.
Fitorja e brigadës në Macukull.
Manovra për të dalë nga rrethimi.
Çlirimi i krahinës së Dibrës.
Çlirimi i Peshkopisë dhe mbrojtja e saj me çdo kusht.
Luftimet për thyerjen e operacionit gjerman “Fuchsjagd”.
Çlirimi i qytetit të Dibrës.
Çlirimi i Kalasë së Dodës dhe sulmi mbi qytetin e Kukësit.
Prita në rrugën Kukës-Prizëren.
Shpartallimi i një bande të rrezikshme.
Luftimet e brigadës për mbrojtjen e krahinës së Lumës.
Veprimet luftarake në operacionin mësymës për çlirimin e Kosovës.
Kalimi në Kosovë dheluftimet në rrethinat e Prizrenit.
Luftimet për çlirimin e krahinës së Hasit rreth Gjakovës.
Sulmi për çlirimin e Gjakovës.
Varg sulmesh rreth Gjakovës, Pejës dhe në rrugën që lidh ato me Prizrenin e Podgoricën.
Sulmi vendimtar për çlirimin e qytetit të Gjakovës.
Luftimet për çlirimin e Prizrenit.
Spatstrimi i Kosovës verilindore.
Luftimet në krahinën e Sanxhakut.
Sulmet përreth qytetit të Priepoljes.
Luftimet e fundit në Sanxhak gjatë janarit 1945.
Rikthimi në Kosovë.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historiku i Brigadës V Sulmuese – Tiranë, 1989. Autorët: Delo Balili, Reis Malile, Ethem Gjinushi, Berdo Asllani, Bejto Isufi, Sofokli Lazri, Dhimitër Mandro, Riza Taushani, Leka Muço, Myslim Canaj, Yzedin Bimo, Maman Saliu, Proletar Hasani.