Në fund të muajit nëntor të vitit 1944 UNÇSH zhvillonte me sukses të plotë operacionet e fundit për të çliruar plotësisht vendin nga pushtuesi gjermane, kurse dy brigadat e saj (III dhe V Sulmuese), në bashkëveprim me forcat nacionalçlirimtare të Kosovës, kishin çliruar Kosovën dhe pasi ishin përqendruar në disa qendra kryesore të saj, punonin për të forcuar pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare dhe për të spastruar mbeturinat e reaksionit.
Komanda e Përgjithshme e UNÇSH, duke pasur parasysh edhe kërkesën e komandës së UNÇJ, që një pjesë e njësive tona të ndiqnin pushtuesit gjermanë në tokat e Jugosllavisë, më 18 nëntor të vitit 1944 me njësitë që vepronin në Kosovë dhe me ato që vepronin në Shqipërinë e veriut urdhëroi krijimin e dy divizioneve, Divizioni V Sulmues, që përbëhej nga Brigadat III, V dhe XXV Sulmuese, dhe Divizioni IV Sulmues, që përbëhej nga Brigadat VI, VII, VIII dhe XXII Sulmuese.
Trupat gjermane, që mundën të tërhiqeshin nga Ballkani, ishin përqendruar në pjesën jugperëndimore të Jugosllavisë, kryesisht në krahinat e Malit të Zi dhe të Bosnjës, ku kishin organizuar mbrojtjen për të siguruar tërheqjen drejt veriut të një mase të madhe të ushtrisë, që arrinte deri në një gjysmë milioni ushtarë. Sigurimin e tërheqjes së këtyre forcave, komanda gjermane ua kishte ngarkuar Divizioneve 297, 181 dhe 22 granatier, të cilët kishin organizuar një brez mbrojtjeje të gjerë, që shtrihej nga Podgorica deri në Priepolje, duke mbyllur të gjitha drejtimet që ndërprisnin tërheqjen e forcave në rrugëkalimin Podgoricë - Kolashin - Bjellopolje - Priepolje - Vishegrad. Për të siguruar tërheqjen e mëtejshme të forcave që do të vinin nga drejtimi i Mali të Zi dhe nga drejtimi i Uzhicës për në Vishegrad, komanda gjermane kishte organizuar edhe një vijë tjetër mbrojtjeje, e cila kalonte rreth 5- 10 km në jug të Vishegradit.
Në takim të drejtpërdrejtë me këto forca qëndronin njësitë e Korpusit II të UNÇJ, të cilat u jepnin atyre goditje të njëpasnjëshme.
Vija e parë e mbrojtjes gjermane shtrihej përgjatë lartësive zotëruese në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Podgoricë - Matashevo - Bjellopolje, si dhe në dy krahët e rrugës Senicë - Priepolje. Armiku i kishte vënë rëndësi mbajtjes së lartësive zotëruese si dhe qendrave të banuara ku kishte organizuar një mbrojtje të fuqishme. Objektet më të rëndësishme të mbrojtjes gjermane ishin Tuzi, Bioçe, Meduni, Brskut, Lieva Reka, Verusha, lartësitë e Jodovnikut, Holinoviç, Pravisheva, etj. Nga të cilat garnizonet e armikut me armët e rënda dhe artilerinë mund të mbulonin me zjarr ndërhapësirat midis tyre. Veç këtyre, komanda gjermane kishte organizuar 2-3 pozicione më në thellësi deri në afërsi të rrugëkalimeve e të qendrave kryesore të banuara. Garnizonet e armikut ishin të pajisura me qendra zjarri të fortifikuara, me strehime nëntokësore, me ngrohje dhe të lidhura me një sistem transhesh dhe hendeklidhjesh. Veprimet luftarake ishin parashikuar për një kohë të gjatë, prandaj dhe forcat ishin të furnizuara mirë me municion, ushqim e veshmbathje. Gjithashtu armiku kishte organizuar mbrojtjen e drejtpërdrejtë të qyteteve si të Podgoricës, Kolashinit, Bjellopoljes, Priepoljes, Priboit, Vishegradit, etj.
Në këto qytete ishin grumbulluar sasi të konsiderueshme artilerie, tanke e mjete transporti në gatishmëri për të vepruar e për të mbështetur veprimet luftarake të forcave të tyre. Gjithashtu forcat gjermane i mbështeste edhe aviacioni, i cili bazohej në Podgoricë e në Vishegrad. Këto kushte e masa të mara lehtësonin tërheqjen, manovrimin dhe furnizimin e rregullt e të shpejtë të forcave.
Njësitë dhe repartet gjermane, të cilat ishin dëmtuar rëndë nga ushtritë partizane ballkanike, e ruanin ndërtimin organizativ dhe aftësinë luftarake, por gjendja moralo-politike e tyre ishte tepër e ulët si rrjedhojë e humbjeve që kishin pësuar.
Komanda e Përgjithshme e UNÇSH urdhëroi Shtabin e Korparmatës III Sulmuese që Div V dhe VI Sulmues të ndiqnin armikun përtej kufijve në tokat e Jugosllavisë e të merrnin takim me forcat partizane jugosllave e ato të ushtrisë së kuqe. Ndjekja e armikut u urdhërua të bëhej në dy drejtime të rëndësishme operative: Senicë - Priepolje - Vishegrad dhe Pogdoricë - Priepolje -Vishegrad.
Vijueshmëria me sukses të veprimeve luftarake e secilit drejtim ndikonte në drejtimin tjetër. Por, drejtimi i mësymjes së Divizionit V Sulmues luante rolin kryesor, sepse dalja e tij në rrugën Priepolje - Priboi do t’i detyronte forcat gjermane tërhiqeshin më me shpejtësi nga rajonet e Malit të Zi, pasi rrezikoheshin të binin në rrethim të plotë.
Shtabi i Korparmatës III, për të zbatuar urdhrin e dhënë nga Komanda e Përgjithshme, e urdhëroi shtabin e Divizionit VI Sulmues që të kalonte kufirin shtetëror, të futej në krahinat e Malit të Zi dhe në bashkëveprim me njësitë e UNÇJ të vijonte luftimet për çlirimin e këtyre krahinave, mandej të ndiqte armikun më tej drejt Bosnjës jugore, kurse Divizionit V Sulmues iu vu detyra të kryente marshimin nga Kosova në drejtim të Snaxhakut (të Serbisë) dhe pasi të merrte takimin me armikun, të vijonte veprimet luftarake për çlirimin e këtyre krahinave.
Veprimet luftarake të divizioneve shqiptare në Jugosllavi u zhvilluan në tre operacione kryesore: në Malin e Zi, në Snaxhak dhe në Bosnjën jugore. Për të krijuar një tablo të plotë të planëzimit dhe zhvillimit të tyre po japim një përshkrim të shkurtër.
(skema 63)
Pas çlirimit të Shkodrës, njësitë e Divizionit VI ishin përqendruar në krahinat e saj dhe vazhdonin veprimet luftarake për të spastruar mbeturinat e reaksionit. Shtabi i divizionit u transmetoi udhrin e Korparmatës III që të lëviznin me shpejtësi drejt veriut dhe të vijonin veprimet luftarake në krahinat e Malit të Zi. Brigadës VI dhe XXII Sulmuese që ndodheshin më afër kufirit shtetëror, iu vu detyrë, që pasi të zbulonin organizimin e mbrojtjes gjermane, të vazhdonin veprimet luftarake mësymëse përkatësisht në drejtimet Medun - Bioçe dhe Deçiç - Podgoricë.
Të dyja njësitë në fillim të dhjetorit kaluan kufirin dhe organizuan zbulimin për njohjen e armikut dhe të terrenit.
Duke organizuar vrojtim të pandërprerë, si dhe me ndihmën e popullsisë vendase, shtabe e të dyja brigadave përcaktuar se vija e parë e mbrojtjes gjermane kalonte në lindje të fshatrave Deçiç, Tuz, Gorni, Dinosha, Medun, Kosor e më në veri. Mbi bazën e këtyre të dhënave, të dyja këto njësi më 4 dhjetor filluan veprimet luftarake. Brigada VI Sulmuese në frontin Kosor - Medun, kurse Brigada XXII Sulmuese në frontin Dinosha - Deçiç. Si rrjedhojë e luftimeve të zhvilluara nga të dyja brigadat, armiku u detyrua të tërhiqej e të lëshonte disa garnizone të veçuara të vijë së parë, por pa e prishur sistemin e mbrojtjes në tërësi. Luftime shumë të ashpra u zhvilluan nga të dyja palët në kalanë e fshatit Medun, ecila siguronte vijimin e mësymjes në të dyja krahët dhe vinte nën vrojtim luginën e Moraçës, ku armiku kishte rrugën e tërheqjes. Megjithëse forcat gjermane kishin organizuar mbrojtje të kujdesshme, kështjella u pushtua prej forcave të Brigadës VI Sulmuese, por nuk u mbajt gjatë për shkak se armiku kundërveproi me tanke, autoblinda dhe aeroplanë. Forcat e kësaj brigade, e përqendruan sulmin në krahun e djahtë dhe, duke vepruar me vendosmëri, përparuan mjaft, zunë fshatin Bioçe dhe vunë nën kontroll rrugën automobilistike Podgoricë - Matashevo. Pozitat e kapura në Bioçe rrezikonin tërheqjen e trupave gjermane nga Podgorica, prandaj armiku kundërsulmoi disa herë, me forca të mëdha, të shoqëruara me tanke dhe mundi t’i rrimerte ato. Ndërkohë edhe forcat e Brigadës XXII Sulmuese zhvilluan luftime të ashpra me armikun dhe pasi kapën disa pozicione të veçanta të tij, dolën para pozicioenve të parapërgatitura në Dinosh, Tuz e Deçiç ku luftimet vijuan disa ditë.
Veprimet luftarake që zhvilluan të dyja brigadat luajtën rol të rëndësishëm për fillimin dhe mbarëvajtjen e operacionit mësymës të divizionit. Armikut iu zbulua e gjithë vija e parë e mbrojtjes dhe pozicionet e tjera më në thellësi, iu shkaktuan dëme në njerëz e armatim, si dhe u mbajt në trysni të vazhdueshme. Shtabi i divizionit, në pritje të ardhjes së dy brigadave të tjera, njohu mirë gjendjen në front dhe planëzoi operacionin e mësymës, të cilin e konkretizoi në urdhrin e 7 dhjetorit dhe e plotësoi me urdhra e udhëzime të tjera. Divizioni do të mësynte me të katra brigadat në vijën e parë, në frontin Verushë - Deçiç. Goditjen kryesore do ta jepte me Brigadën VII Sulmuese dhe një pjesë të Brigadës VIII Sulmuese në drejtimin Cvilin - Bioçe, si dhe do të jepte dy goditje ndihmëse, me një pjesë të forcave të Brigadës VI Sulmuese në drejtimin Deçiç - Podgoricë. Duke ndërprerë rrugën e tërheqjes së armikut në Lieva Reka dhe Bioçe, synohej që të realizoheshin dy rrethime kryesore midi Bioçes dhe Lieva Rekës dhe midis Podgoricës e Bioçes. Për drejtimin e operacionit shtabi i divizionit u vendos në Pikal. Brigadës VI Sulmuese iu vu detyrë që të bashkëvepronte me Brigadën IX jugosllave, e cila do të vepronte në karh të djathtë.
Për furnizimin me ushqim të forcave u urdhëruan intendencat e brigadave, të cilat do të bazoheshin në popullsinë e këtyre zonave, si dhe tek intendenca e divizionit që u vendos në Hanin e Hotit. Dhënia e ndihmës mjekësore për të plagosurit rëndë do të bëhej në spitalin e divizionit në Shkodër, ndërsa për dhënien e ndihmës së parë u organizua një pikë e përparuar në qendër të frontit. Udhëzime të hollësishme u dhanë për krijimin dhe përdorimin e municionit, etj. Çdo brigadë duhet të mbante në rezervë një batalion.
Gjatë natës së 7-8 dhjetorit brigadat lëvizën dhe zunë vijën e sulmit. Br VIS, pasi zëvendësoi Brigadën IX jugosllave, e cila u zhvendos në krahun e djathtë të saj, u përhap nga Verusha në Lieva Reka me qëllim të mbyllte rrugën e tërheqjes së forave gjermane. Br VIIIS në frontin Dolni Kosor, me një pjesë të forcave do të mësynte në krahun e majtë të Br VIS për të asgjësuar armikun në Brskut, ndërsa me një pjesë tjetër kresore në bashkëveprim me Br VIIS, do të vepronte në drejtimin e goditjes kryesore. Br VIIS në frontin Ubli - Pikal, me forcat kryesore në bashkëveprim me dy batalione të Br VIIIS do të asgjësonte armikun përballë e do të dilte në Bioçe, ndërsa me forcat e tjera në Bashkëveprim me Br XIIS do të mësynte drejt Podgoricës; Br XXIIS u përhap në Dinosha e Deçiç, e në bashkëveprim me Br VIIS kishte detyrë të asgjësonte garnizonet gjermane e të çlironte Podgoricën.
Në mëngjesin e 8 dhjetorit njësitë kaluan në mësymje të befasishme në të gjithë frontin. Luftimet u zhvilluan të ashpra gjatë gjithë ditës, por përparimi ishte i ngadalshëm, sepse armiku shfrytëzonte pozicionet e përgatitura dhe epërsinë në teknikën luftarake. Zhvillimi i mëtejshëm i operacionit shtronte domosdoshmërinë e bashkërendimit më të mirë të veprimeve luftarake të njësive dhe një drejtim më të përqendruar, sidomos në krahun e djathtë për të ndërprerë rrugën e tërheqjes së forcave gjermane.
Për këtë u krijua një shtab operativ, me përbërje komisar, komandant dhe një anëtar shtabi nga Brigadat VI dhe VIII Sulmuese. Shtabi duhet të bashkëvepronte me Brigadën IX jugosllave, po kjo nuk u realizua, sepse forcat jugosllave nuk vepruan sipas planit.
Pushtimi i Malit Lieva Reka nga Brigada VI i vinte në rrethim të plotë forcat gjermane. Kjo do të detyronte komandën e tyre që të përqendronte veprimet luftarake për të çarë rrugën e tërheqjes, duke lehtësuar veprimet e forcave partizane shqiptare në drejtimet e tjera. Pikërisht këtu u përqendrua vëmendja e të dyja palëve. Komanda gjermane për mbrojtjen e këtij mali kishte përgatitur disa pozicione. Forcat e Brigadës VI Sulmuese, duke shfrytëzuar terrenin e thyer, mjegullën, tufanin dhe të ftohtit e madh mundën të kapnin me befasi pozicionet e para në Verushë dhe dolën pranë malit Lieva Reka. Për këtë sukses ndikuan heroizmi, sakrificat dhe vendosmëria e luftëtarëve të Batalionit VI. Një kompani e këtij batalioni gjatë natës 10-11 mundi t’i afrohej në befasi pozicioneve të armikut në malin Lieva Reka dhe zuri rob efektivin e një garnizoni. Ndërkohë ajo u fut me shpejtësi në thellësi dhe sulmoi strehimet e gjermanëve me granata dore. Armiku u dëmtua rëndë dhe u tërhoq në panik të plotë. Në kundërsulmin e dhënë armiku angazhoi tanke, autoblinda e forca të shumta, por nuk mundi të ripushtonte pozicionet si rrjedhojë e qëndresës partizane. Vetëm zjarri i dendur i artilerisë së armikut prej disa orësh rreth i detyroi ato të tërhiqeshin.
Në drejtimet e tjera të mësymjes u zhvilluan luftime të ashpra. Forcat që vepronin në drejtimin kryesor mundën të pushtonin disa pozicione të armikut dhe arritën të dilnin në afërsi të Bioçes duke vënë nën kontroll rrugën e tërheqjes së forcave gjermane. Në këtë gjendje shtabi operativ, me qëllim që të shpejtonte rrethimin dhe asgjësimin e armikut, i vuri detyrë Brigadës VI Sulmuese dhe dy batalioneve të Brigadës VIII Sulmuese të zhvillonte luftime në pritë.
Komanda gjermane për të zhbllokuar rrugën ndërmori dy kundërsulme me forcave të mëdha të shoqëruara me tanke dhe autoblinda në drejtimin Kolashin - Kosor dhe Podgoricë - Kosor. Pas disa orësh luftime të rrepta, armiku, duke vënë në përdorim tanket dhe artilerinë, ia arriti qëllimit.
Rezultati i mësymjes në drejtimin e Bioçes dhe të malit Lieva Reka lehtësuan përparimin e Brigadës XXII Sulmuese, e cila arriti të çlironte Tuzin, Deçiçin dhe të dilte në afërsi të Podgoricës. Armiku qëndronte dhe përforcohej në Dinosha, Senica, Bioçe, Zllaticë, në lartësinë e krahut të djathtë të rrugës duke zotëruar edhe malin Lieva reka. Pas luftimeve të suksesshme përreth një javë “shtabi i divizionit me një urdhër tjetër u theksonte brigadave që veprimet luftarake të zhvilloheshin me temp më të lartë, me qëllim që armiku të tërhiqej përgjatë rrugës, të ndërpritej në Lieva Reka, në Zllaticë - Bioçe e të rrethohej midis Tuzit de Podgoricës dhe midis Bioçes e Liev Rekës.”* Forcat e divizionit ripërcaktuan detyrat, vazhduan veprimet mësymëse dhe arritën ta ndërprisnin rrugën e tërheqjes së armikut në Lieva Reka, Verushë e Brskut, ndërsa në krahun e majtë arritën në Podgoricë. Armiku i ndodhur në kushtet e copëtimit e të rrethimit e përqendroi forcën për shpërthimin e rrugë-kalimit dhe, duke pasur epërsi në forca e mjete, mundë të çante e të vijonte tërheqjen. Ndërkohë Brigada XXII çlroi Podgoricën, kurse forcat e tjera goditën armikun në tërheqje deri në jug të Matashevos ku, më 20 dhjetor ai mundi të shkëpuste takimin e të vijonte marshimin drejt Bosnjës. Divizioni VI pas rreth 20 ditësh luftime të përgjakshme mundi të çlironte të gjitha qendrat e banuara të Malit të Zi, që shtriheshin përgjatë dhe në krah të të djathtë të rrugës Hani i Hotit - Podgoricë - Kolashin, duke i shkaktuar armikut mbi 1300 të vrarë**, shumë të plagosur dhe duke i kapur një sasi të madhe armatimi e materiale të tjera ushtarake.
* AQU, “Fondi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 2, dosja 48.
** Nuk është e qartë se nga ka dalë kjo shifër. Ekziston mundësia që të jetë pak e fryrë.
(skema 64)
Ky operacion do të fillonte pasi njësitë e Divizionit V Sulmues të kryenin marshimin nga rajonet e Kosovës në atë të Senicës. Brigada III dhe V Sulmuese do të lëviznin në rrugëkalimin: Arbicë - istok - Raxhaj - Tutin - Senicë, ndërsa Brigada XXV Sulmuese në drejtimin Ferizaj - Lipjan - Dobrevo - Merlicë dhe prej këtaj në rrugëkalimin e Brigadës III dhe V Sulmuese. Më 19 dhjetor të vitit 1944 shtabi i divizionit dhe dy brigadave arritën në rajonin e Senicës dhe u vendosën: shtabi në Senicë, Br IIIS në jug dhe Br VS në verilindje të saj. Njësitë morën masa për ruajtjen, furnizimin, mjekimin e të sëmurëve, ndërsa shtabet për njohjen e gjendjes, duke u takuar me organet e këshillave nacionalçlirimtare dhe me forcat jugosllave.
Divizionit V iu caktua të kalonte në mësymje në të dy krahët e rrugës Senicë - Priepolje ndërmjet Divizioneve XXII dhe XXXVII të UNÇJ. Shtabi i divizionit, pasi vlerësoi gjendjen, përgatiti planin e operacionit. Ai vendosi të kalonte në mësymje në të dyja anët e rrugës në frontin Sopotnica, Shushure, Donje Lopizhe, Pravishevo me dy brigada (IIIS dhe VS) në vijë të parë, ndërsa rezervë mbajti Br XXV Sulmuese, e cila ende nuk kishte arritur. Qëllimi i këtij operacioni ishte rrethimi dhe asgjësimi i armikut që mbrohej në drejtimin Senicë - Priepolje e të clirohej qyteti Priepolje. Mandej, pasi të fute në operacion Brigada XXV, të vijohej mësymja drejt Priboit.
Brigada V mori detyrë të ndërronte forcat e Brigadës XXII të Divizionit XXXVII jugosllav, të mësynte në frontin Pravishevo - Donje Lopizhe, duke krahëmarrë armikun nga e djathta në drejtimin Pravishevo - Priepolje, ta asgjësonte atë dhe të bashkëveprm me Brigadën VII Sulmuese të çlironte Priepoljen. Brigada III Sulmuese do të mësynte në frontin Shushure - Sopotnicë duke krahëmarrë armikun nga e majta në drejtimin Sopotnicë - Priepolje, ta asgjësonte atë dhe, në bashkëveori me Brigadën V Sulmuese, të çlironte Priepoljen. Shtabi i divizioniz, intendenca dhe spitali do të vendoseshin në Senicë, Forcat e të dyja brigadave gjatë lëvizjes nga rajone e përqendrimit në drejtimet e mësymjes thyen me sukses sulmet e forcave çetnike e drazhiste*. Gjatë natës së 20 dhjetorit forcat zunë bazën e nisjes duke bërë edhe ndëriimin e Brigadës XII jugosllave nga Brigada V Sulmuese. Nga veprimet luftarake që u zhvilluan me forcate drazhiste e çetnike nuk a ruajt dot befasia e operacionit. Armiku u vu në gatishmëri dhe në kohën e ndërrimit të forcave, kundërsulmoi në frontin e Brigadës V Sulmuese, por u thye pa vështirësi.
** Çetnikë - njësi luftarake serbe (çeta), të cilat bashkëpunuan me forcat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të ngjashme me Ballin Kombëtar
** Drazha Mihajlloviç - udhëheqësi kolaboracionist i forcave çetnike serbe.
Në mëngjes forcat e divizionit kaluan në mësymje në të gjithë frontin. Luftimet u zhvilluan shumë të ashpra. Armiku mbrohej në pozicione të fortifikuara dhe qëndresa e tij sidomos në fshatrat Karaulla dhe Halinoviç ishte e fortë. Luftimet në këtë gjendje zgjatën disa ditë. Forcat e Brigadës III Sulmuese, duke përqendruar goditjen kryesore në verilindje të rrafshnaltës së Judovnikut, mundën të dilnin më 22 dhjetor në rajonin e Miloshevdolit. Në këtë drejtim armiku u përgatit për një kundërsulm. Por dështoi plotësisht më parë se të hidhej në sulm. Ndërkohë edhe Brigada V Sulmuese vijoi mësymjen dhe mundi të përparonte më tepër në krahun e majtë në drejtimin e Holinoviçit. Gjatë pesë ditësh luftime të ashpra njësitë e divizionit mundën t’i shkaktonin armikut dëme të ndjeshme, kapën disa pozicione të tij dhe zbuluan gjithë sistemin e mbrojtjes. Në këtë gjendje shtabi i divizionit lëshoi urdhrin e dytë të operacionit, në të cilin parashikonte vijimin e mësymjes në krahët e jashtëm të dy brigadave, me qëllim që armikut t’i ndërpritej rruga e tërheqjes Priepolje - Priboi, të rrethohej e të asgjësohej.
Më 27 dhjetor, vijoi mësymja në të gjithë frontin. Luftimet u kryen në terren të thyer malor, në kushte të vështira të motit, me reshje bore e të ftohtë të madh, si dhe kundër mbrojtjes së fortë të armikut. Përparimi bëhej me vështirësi, megjithatë forcat partizane e detyruan armikun të lëshonte disa pozicione dhe të tërhiqje 3-4 km. Për të rritur ritmin e mësymjes, shtabi i divizionit vendosi të fuste në operacion Brigadën XXV Sulmuese në sektorin e mësymjes të Brigadës III Sulmuese, pasi kjo kishte mungesa municioni dhe kishte prekur nga sëmundja e tifos. Ndërrimi i forcave u bë pa ndërprerje të veprimeve luftarake. Me futjen në luftim të Brigadës XXV mësymja u bë më e vrullshme. Njësitë e divizionit pushtuan pozicionet e armikut, thyen me sukses kundërsulmet e tij dhe më 10 janar dolën në rrethinat e Priepoljes. Ato më 11 janar të vitit 1945 çliruan Priepoljen, pas të cilave hyri Brigada IX jugosllave. Duke ndjekur armikun që tani tërhiqej me shpejtësi, njësitë e divizionit më 12 janar çliruan Proboin dhe dolën në kufi të Bosnjës jugore.
Operacioni mësymës i Divizionit V Sulmues në Sanxhak u realizua me sukses. NJësitë e tij e detyruan armikun të tërhiqej me humbje të mëdha. Vetëm në Priepolje armiku parti 175 të vrarë dhe iu kap mjaft material luftarak. Gjatë këtyre luftimeve divizioni u kompaktësua si njësi operative dhe fitoi përvojë për të kryer operacione të tjera. Ndërkaq komanda e Korpusit II jugosllav kërkoi që Divizioni V Sulmues të ndërpriste ndjekjen e armikut dhe të përqendrohej në Senicë, ku të bënte përpunimin shëndetësor kundër epidemisë së tifos.
(skema 65)
Ky operacion ishte vijimi i ndjekjes së armikut në thellësi të tokave të Jugosllavisë. Forcat gjermane që mundën të tërhiqeshin në Mali i Zi për të siguruar rrugën automobilistike Uzhicë - Vishegrad - Rogaticë, organizuan mbrojtjen duke mbyllur drejtimet kryesore Priboi - Dobrun - Vishegrad dhe Rudo - Vishegrad. Komdana gjermane kishte përgatitur vija mbrojtjeje midis këtyre dy drejtimeve 5 - 10 km në jug të Vishegradit.
Forcat e Divizionit VI Sulmues sipas operacionit mësymës në Malin e Zi ishin përqendruan: Brigada VI Sulmuese në Lieva Reka e Verushë, Brigada VII dhe VIII Sulmuese në rrethinat e Kolashinit dhe Brigada XXII në Bioçe. Në këto rajonte njësitë qëndruan disa ditë dhe morën masa për të vijuar ndjekjen e mëtejshme.
Shtabi i Divizionit VI Sulmuese më 3 janar të vitit 1945, urdhëroi njësitë të marshonin në drejtimin e përgjithshëm Kolashin - Bjellopolje, Plevja - Rudo - Vishegrad, me detyrë të merrej takim me armikun dhe të vijohej mësymja kundër tij. Lëvizja u bë sipas kësaj radhe: Br VIIS, Br VIIIS dhe Br XXII, shtabi it divizionit dhe në fund Br VIS. Ky rendim marshimi nuk u ruajt gjatë gjithë kohës, pasi njësitë për të gjetur rrugëkalime të shkurtra dhe për të siguruar furnizimi me ushqim nga fshatrat ku kalonin i shmangeshin rrugës kryesore. Për të drejtuar dhe ndekur marshimin e njësive, shtabi i divizionit lëvizi me ndalesa në rrugën kryesore. Më 10 janar Br VIS, VIIIS dhe ajo XXIIS arritën rajonin e Plevjas, ndërsa Br VIIS ndodhej ende larg. Në rajonin e Plevjes divizioni bëri kompaktësimin e njësive dhe vijoi marshimin për në rajonin e Rudos, ku u ndodh përpara lumit Lim dhe u ndesh me praparojat gjermane. Armiku nën mbulimin e e zjarrit të artilerisë u tërhoq, shkatërroi urën e vetme të lumit Lim dhe zuri pozicione në anën tjetër të lumit Rudo. Brigada VI dhe XXII Sulmuese organizuan kalimin e lumit me luftim. Grupe të zgjedhura sulmi që dinin not, nën mbështetjen e forcave të tjera, kaluan lumin në disa pika dhe sulmuan armikun i cili bëri qëndresë të fortë. Pas dy ditësh riparuan urën dhe të dyja brigadat vijuan marshimin për të marrë takim me armikun.
Marshimi u krye në kushte të vështira. Mungesa të theksuara pati në ushqim dhe në veshje, e cila ishte e papërshtatshme për stinën e dimrit. Pjesa më e madhe e armatimit dhe e materialit u transportua me krahë. Pengesat si urat e shembura, rrugët e pridhura, etj ishin vështirësi të tjera që u kaluan me sukses nga forcat e divizionit, duke përdorur mjete rrethanore. Njësitë në rajonin e Bosnjës jugore arritën në kohën të ndryshme, për rrejdhojë ato nuk u futën në një kohë në luftim. Duke shfrytëzuar terrenin e thyer, natën dhe kushtet e motit të keq, patrullat e zbulimit përcaktuan se vija e mbrojtjes së armikut kalonte: Gorni - Rieka - Turjak, Zagre - Mirolaviçi - Drinsko - Stërmica, ndërsa në thellësi gjatë rrugës: Dobrun - Vishegrad - Magjegja. Armiku kishte organizuar mbrojtje të fortë me pozicione të pajisura me punime fushore, qendra zjarri dhe pengesa të shumta.
Forcat e Divizionit VI Sulmues gjatë natës 17-18 janar zunë bazën e nisjes për mësymje. Brigada VI prej Drinsko në Çaçiç, kurse Brigada XXII Sulmuese prej Shahoviçit në Suhogorë. Të dyja njësitë rendimin e luftimit e ndërtuan në dy vija, duke vendosur nga tre batalione në vijën e parë dhe dy në të dytën. Në veprimet mësymëse të 18 janarit brigadata nuk patën rezultate, pasi armiku ishte më i madh në numër, por edhe mësymja nuk u krye e bashkë renduar midisi njësive.
Duke vijuar mësymjen, Brigada VI Sulmuese mundi të ktape Drinskon dhe Çaçiçin dhe vuri nën kontroll hekurudhën Vishegrad - Magjegja. Ky sukses lehtësoi veprimet e Brigadës XXII Sulmuese dhe vuri në pozita të vështira tërheqjen e forcave gjermane. Armiku, për të shmangur këtë rrezik, më 20 janar u hodh në kundërsulm me forca të shumta. Qëndresa e forcave tona ishte e fortë, me gjithë mungesën në municion. Shtabi i brigadës i furnizoi repartet me municionin e skalioneve të dyta, të cilave u la rezervë të vogël. Armiku, pasi kundërsulmoi përsëri me forca edhe më të mëdha mundi të ripushtonte Drinskon dhe Çaçiçin. Ndërkohë Brigada XXII Sulmuese zhvillonte luftime drejt Suhogorës, kurse drejt Dobrunit u fut në luftim Brigada VII Sulmuese, megjithatë përparimi ishte i paktë, pasi armiku kishte epërsi në numër e në teknikë.
Armiku, duke zbuluar hapsirën midis Br VIS dhe XXIIS, që arrinte 3-4 km, synoi të fuste në drejtimin e Kalicës forcat e një batalioni dhe një kompani zbulimi, për të goditur nga shpina forcat tona. Ai nuk ia arriti qëllimit të tij, sepse u godit prej forcave të Brigadës VI Sulmuese pa u hapur në rendim luftimit. Të tre njësitë e divizionit, megjithëse nuk mundën të kaprnin objekte të rëndësishme, i shkaktuan dëme të mëdha armikut dhe krijuan kushte për operacionin mësymës për çlirimin e Vishegradit. Shtabi i divizionit i vendosur në Rudo, parashikoi të mësynte me tre brigada, duke krahëmarrë armikun nga të dyja anët për ta rrethuar e asgjësuar atë në rajonin e Vishegradit. Brigada VI Sulmuese mori për detyrë të vijonte mësymjen në Miriloviçi, Drinsko, Çaçiç dhe të dilte në perëndim të Vishegradit. Brigada XXII Sulmuese të vijonte mësymjen në qendër, drejt Shahoviçit dhe Suhogorës dhe të dilte në Vishegrad. Brigada VII Sulmuese të mësynte në drejtimin e Dobrunit dhe, duke krahëmarrë nga e djathta, të dilte në veri të Bishegradit, ku ta rrethonte armikun. Brigada VIII u mbajt në rezervë.
Më 24 janar forcat partizane u hodhën në mësymje në të gjithë frontin. Megjithëse luftuan me ngulm, përparaimi ishte i pakët, për arsye se armiku kishte forca të shumta, pozicione të përgatitura dhe terreni ishte tepër i thyer dhe i ngarkuar me borë. Vetëm Brigada VII Sulmuese mundi të merrte Dobrunën. Mësymja vijoi edhe në ditët e tjera, por ajo u zhvillua në bazë reparti dhe ndonjëherë me brigada. Një mënyrë të tillë veprimi e diktuan në radhë të parë kushtet e rënda atmosferike dimërore, veçanërisht temperaturat shumë të ulëta.
Shtabi i divizionit, me qëllim që t’u krijonte mundësi shlodhjeje forcae që luftonin drejtpërdrejtë e të vijonte mësymjen, nxorri nga operacioni Brigadën VI dhe XXII Sulmuese dhe futi në luftim Brigadën VIII Sulmuese. Veprimet mësymëse rifilluan dhe Brigada VIII Sulmuese çliroi Drinskon, Çaçiçin dhe vuri në goditje të vijueshme hekurdhën Vishegrad - Margjegja. Brigada VII Sulmuese, me gjithë luftimet e ashpra që zhvilloi, mundi të përparonte pak, për shkak të forcave të mëdha të armikut. Pas disa ditësh Brigada VI Sulmuese u fut përsëri në luftim në të majtë të Brigadës VIII Sulmuese për të kryer veprime demonstrative. Dy brigadat e tjer morën detyrë të sulmonin armikun drejt Vishegradit, me qëllim që të ndaheshin forcat e tij njëra nga tjetra, të këputej xhadeja nga të dyja anët Dobrun - Vishegrad dhe Vishegrad - Magjegja e duke kryer një “...manovër në formë dare dhe me shpejtësi të rrufeshme të mbyllen në veri të Miroloviçit - Okurugla.”*
* AQU, “FOndi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 4, dosja 46.
Më 5 shkurt, të tre brigadat kaluan përsëri në mësymje dhe gjatë ditës mundën të zinin disa pozicione në jug të Vishegradit e të thyenin kundërsulmet e armikut, duke përforcuar pozitat e zëna. Më pask mësymja vijoi të zhvillohej në bazë batalionesh e kompanish, të cilat duke shfrytëzuar të thyerat e terrenit dhe kushtet e motit, dilnin në krahë e në shpinë të armikut, e goditnin atë në befasi dhe, pasi u shkaktonin humbje, e detyronin të lëshonte pozicionet e të tërhiqej më në thellësi. Përparimi më i shpejtë u bë nga forcat që vepronin në krahun e djathtë. Dalja e tyre në lindje të Vishegradit, si dhe vënia nën kontroll e rrugës së tërheqjes nga perëndimi i këtij qyteti, e vinin armikun në kushte rrethimi. Kjo i detyroi gjermanët t’i lëshonin pozicionet në jug të qytetit e të shpejtonin tërheqjen. Në këtë gjendje të tre brigadat u hodhën në sulm pas luftimesh të ashpra që zhvilluan më 13 shkurt gjatë gjithë ditën dhe natës, mundën të futeshin në qytetin e Vishegradit dhe ta çlironin atë në mëngjesin e datës 14 shkurt të vitit 1945. Operacioni për çlirimin e krahinave në jug të Vishegradit dhe të vetë këtij qyteti u realizua vetëm nga forcat e Divizionit VI Sulmues.
Partizanët shqiptarë përgatiten për t'u kthyer në atdhe pas përfundimit të luftimeve në Jugosllavi
Gjatë zhvillimi të veprimeve luftarake në ndjekje të armikut që tërhiqej me shpejtësi dhe që kishte organizuar vija mbrojtjeje në një largësi të madhe nga njëra-tjetra, forcave partizane për të marrë takimin me të iu desh që kryenin marshime të gjata në një mjedis të panjohur e në kushte tejet të vështira atmosferike. Divizioni V nga Kosova deri në Senicë përshkoi në këmbë rreth 200 km rrugë, ndërsa Divizioni VI nga Mali i Zi në Bosnjën jugore rreth 250 km. Kryerja e marshimit nga efektivat e divizioneve ishte ndër problemet kryesore me të cilin u morën komitetet, byrotë dhe celulat e partisë komuniste, si dhe shtabet e njësive partizane.
Shtabet e divizioneve duke vlerësuar rëndësinë dhe ngutshmërinë e detyrave, morën masa të gjithanshme për përgatitjen e shpejtë të trupave për marshim. U dhanë udhëzimet e nevojshme për organizimin dhe kryerjen e marshimit mer regull e disiplinë. Ndër faktorët që ndikuan në suksesin e marshimit ishim masat që mirën komandat për sigurimin e trupave, drejtimin e pandërprerë, furnizimin me ushqim si dhe kryerja e pushimeve në kohën dhe vendin e duhur duke iu përshtatur terrenit dhe kushteve atmosferike. Brigadat në pararojë vunë nga një batalion, gjithashtu morën masa edhe për ruajtjen e krahëve të kolonave, duke caktuar deri nga një kompani ose togë. Për zbulimin e rrugëkalimeve dhe për të mbledhur të dhëna për armikun dhe forcat kolaboracioniste organizuan patrullat e zbulimit, që lëviznin më përpara se pararoja. Ato me të zbuluar garnizone të armikut ose banda me kolaboracionistë vinin në dijeni komandan e tyre. Si rezultat i këtyre masave forcat tona asnjëherë nuk u goditën në befasi nga armiku. Pushimet në tërësi bëheshin për çdo orë marshimi, por në kohë të keqe me reshje bore e një pamje të kufizuar bëheshin edhe më të shpeshta. Në tërësi njësitë marshonin ditën, kurse natën pushonin duke u vendosur nëpër fshatrat që ndodheshin përgjatë rrugëkalimit. Mesatarisht gjatë një dite marshimi u përshkua rreth 30 km me një shpejtësi mesatare 3 km/orë. Një normë kjo e përparuar për ato kushte aq të vështira të motit, terrenit e furnizimit. Gjatë marshimit u shfrytëzuan rrugët automobilistike, por edhe ato këmbësore, ndërsa për transportin e intendencës së brigadave e të divizioneve u organizuan kolona të veçanta me kafshë e qerre që lëvizën përgjatë rrugëve automobilistike.
Përqendrimi i brigadave pas kryerjes së marshimit u bë në rajone që përfshinin 6-7 fshatra. Drejtimi i brigadave e i batalioneve u realizua gjatë gjithë kohës së marshimit me lajmëtarë brenda brigadës, me radio në divizion dhe me takime personale. Shtabet e divizioneve lëvizën me ndalesa të shkurtra, ku merrnin takim me shtabet e brigadave dhe jepnin udhëzime plotësuese, ndërsa shtabet e brigadave zakonisht lëvizën në krye të rendimit të marshimit.
Gjatë pushimeve në marshim merreshin të gjitha masat për ruajtjen e forcave dhe gatishmërinë luftarake. Divizionet dhe brigadat, si rrjedhojë e këtyre masave që morën, arritën të kryenin marshimin brenda kohës së caktuar, duke ruajtur kompaktësinë e gatishmërinë luftarake të tyre.
Kryerja e veprimeve në një mjedis të panjohur, kundër një armiku që mbrohej nga një vijë në tjetrën dhe në kushte të vështira atmosferike, shtroi përpara shtabeve të divizioneve e të brigadave detyrën e organizimit të zbulimit të vazhdueshëm. Për këtë u kujdesën të gjithë kuadrot e partizanët, duke konsideruar zbulimin detyrë të të gjithëve.
Krahas kësaj, rëndësi të veçantë për zbulimin e armikut me hollësi morën edhe forcat speciale, skuadrat, grupet dhe seksionet e informacionit pranë shtabeve të brigadave e divizioneve. Për realizimin e kësaj detyre u përdorën forma të shumta si zbulimi me vrojtim, me grupe e patrulla zbulimi, etj. Patrullat zakonisht lëviznin përpara rendimeve për të përcaktuar rrugët e lëvizjes dhe për të mbledhur informata, ndërsa grupet e zbulimit dilnin nga rajoni i përqendrimit të trupave në atë të kryerjes së veprimeve luftarake ku përcaktonin armikun me hollësi dhe raportonin. “Sot më datën 31.12.1944, - i raportonte Batalioni II shtabit të Brigadës V Sulmuese, - skuadrat tona zbuluese shkuan pranë pozicioneve të armiku dhe morën informata për forcat dhe pozicionet e tij.”*
* AQU, “Fondi i Brigadës V Sulmuese”, kutia 2, dosja 7.
Detyrat që plotësuan organet e specializuara për zbulimin e armikut nuk u mjaftuan vetëm në vijë të parë të mbrojtjes së tij. Për njohjen e organizimit të mbrojtjes në thellësi e të numrit të forcave të armikut, grupet e zbulimit kalan vijat e frontit dhe depërtuan në prapavijat e tij, ku siguruan të dhëna më të plota për strukturën, sasinë dhe ftësinë luftarake të tij. “Nga Vishegradi në Rogotica, - informonte shefi i informacionit të Brigadës XXII Sulmuese, - janë përqendruar tri regjimente gjermane... këti regjimente kanë nga katër batalione dhe çdo batalion ka nga 200 deri 300 ushtarë…”*
* AQU, “Fondi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 2, dosja 35.
Përveç detyrës së zbulimit të armikut, organet e zbulimit të forcave partizane kishin edhe një detyrë tjetër të rëndësishme, atë të njohjes së mjedisit, ku parashikohej të zhvilloheshin veprimet luftarake të ardhshme. Njohja e mjedisit përfshinte marrjen e të dhënave për qëndrimin e popullsisë ndaj luftës, njohjen topografike, mundësinë e kalimit dhe drejtimet e lëvizjeve. Në informacionin që jepej nga Vishegradi për gjendjen e armikut dhe të mjedisit, për lumin Drina që kalon në pjesën perëndimore të këtij qyteti theksohej: “Lumi kalohet në vaun e katundit Shtitorevo me anë të barkave, kalojnë edhe kafshët me not të lidhura pas barkave tue mos pasë ngarkesë.”*
* AQU, “Fondi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 2, dosja 35.
Duke parë rajonet e veprimeve të grupeve të zbulimit që vepruan në prapavijë, del se grupet që vareshin nga shtabet e divizioneve kanë kaluar në një thellësi deri në 10 km nga vija e frontit, ato të brigadave deri në 5 km dhe ato të batalioneve deri në 3 km.
Me këto forma e metoda të përdorura për zbulimin e armikut u arrit që shtabet e njësive partizane të krijonin një pamje të plotë për mbrojtjen e armikut dhe të planëzonin e të zhvillonin me sukses operacionet mësymëse.
Të tre operacionet mësymëse japin edhe një përvojë të pasur për ndërtimin operativ të divizioneve dhe të rendimeve të luftimit të brigadave. Nisur nga organizimi i mbrojtjes së armikut, terreni dhe kushtet atmosferike, si dhe nga mundësitë e njësive, ndërtimin operativ dhe i rendimeve të luftimit ka qenë i larmishëm.
Kështu Divizioni VI Sulmuese në Malin e Zi, duke mësyrë kundër një mbrojtjeje të armikut që bazohej në garnizone të veçuara, një një front relativisht të gjerë, si dhe thellësi të shkurtër të detyrës, bëri ndërtimin operativ në një vijë. Ndryshe veproi ky divizion në Bosnjën jugore. Armiku këtu kishte organizuar një mbrojtje të fuqishme, me pozicione që ishin vendosur në dy vija mbrojtjeje njëra pas tjetrës në një thellësi që arrinte 10 deri në 15 km, në terren malor e të pyllëzuar dhe në kushte shumë të vështira atmosferike, ku trashësia e dëborës e kalonte 1 metër. Këto kushtëzuan që divizioni ta bënte ndërtimin operativ në dy vija. Në kushte të tilla mësynte edhe Divizioni V Sulmues në Sanxhak, i cili bëri ndërtimin operativ në dy vija duke vendosur dy brigada në vijë të parë dhe një në të dytën.
Për rrjedhojë të kushteve konkrete dhe të ndërtimit operativ, fronti i mësymjes i divizioneve arriti nga rreth 15 km në Bosnjën jugore deri në 30-40 km në Sanxhak e në Mal të Zi. Intendecat e tyre u vendosën 10 deri 15 km, spitalet 30-40 km, ndërsa pikat e përparuara të mjekimit 3-5 km larg nga vija e frontit.
Në varësi të frontit të mësymjes së divizioneve, edhe rendimet e luftimeve të brigadave ishin të ndryshme. Kështu, në operacionet mësymëse në Mal të Zi dhe në Sanxhak ato formacionin e luftimit e bënë në një vijë, duke mbajtur nga një batalion rezervë, kurse në Bosnjën jugore rendimi i luftimit i tyre u bë në dy vija, duke pasur 3-4 batalione në vijë të parë dhe 1-2 në të dytën. Fronti i mësymjes arriti në 5 km në drejtimet kryesore, deri në 15 km në drejtimet e tjera, kurse thellësia e detyrave 3-5 km. Intendencat e brigadave zakonisht u vendosën bashkë me shtabet e tyre dhe rezervat.
Drejtimin e veprimeve luftarake e realizuan shtabet e divizioneve e të brigadave nda vendvendosja e tyre. Në përgjithësi ato u vendosën në afërsi të vijë së frontit rreth 3-5 km dhe në qendër të saj. Kjo normë u ruajt në operacionin mësymës në Snaxhak dhe në Malin e Zi, por nuk u zbatua në Bosnjën jugore. Këtu shtabi i Divizionit VI Sulmues u vendos në Rudo rreth 15 km larg nga vija e frontit. Kjo vështirësoi drejtimin e bashkërendimin e veprimeve luftarake të brigadave. “Megjithatë shtabet e brigadave që vepronin në front (Br VIS, VIIS dhe XXIIS), duke vepruar me nismë dhekrijimtari, i raportonin shtabit të divizionit se për të koordinuar veprimet luftarake mes tyre formuan një shtab të përbashkët operativ.”* Drejtimi i veprimeve luftarake me shtab të përbashkët operativ u realizua edhe në Malin e Zi ku për të bashkërenduar veprimet e Br VIS dhe VIIIS q[ vepronin në krahun e djathtë të ndërtimit të divizionit, të shmangura nga forcat kryesore, me urdhër të shtabit të divizionit u krijua shtabi operativ me kuadro nga të dy shtabet e këtyre brigadave.
* AQU, “Fondi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 2, dosja 46.
Urdhrat dhe udhëzimet e shtabeve të divizioneve u transmetuan me anë të radios dhe me lajmëtarë, kurse ato të brigadave me lajmëtarë. Duhet theksuar se në veprimet e njësive të UNÇSH në Jugosllavi drejtimi u realizua i pandërprerë.
Drejtimi strategjik i këtyre divizioneve u bë i centralizuar nga Komanda e Përgjithshme, e cila më 14 dhjetor 1944 të dy divizionet i shkëputi nga Korparmata III dhe i mori në varësi të drejtpërdrejtë. Për ritransmetimin e urdhrave të saj Komanda e Përgjithshme përdori shtabin e Korparmatës III me qendër në Shkodër.
Në të tre operacionet u synuar të realizohej manovër krahë dhe shpinëmarrëse, me qëllim që armiku të rrethohej e të asgjësohej. Për të asgjësuar forcat e armikut që ishin përqendruar në Vishegrad dhe në rrethinat e tij, në urdhrin e operacionit të shtabit të Divizionit VI Sulmues theksohej “...të ndahen forcat e tij njëra nga tjetra, të këputet xhadeja në të dy anët, Dobrun - Vishegrad dhe Vishegrad - Magjegja dhe duke kryer manovër në formë dare dhe me shpejtësi të rrufeshme të mbyllen në veri Miriloviç - Okrugea.”* Në tërësi këto synime nuk u realizuan pasi njësitë partizane nuk kishin forca e mjete për të shpërthyer një mbrojtje të fuqishme të armikut. Edhe kur njësitë arritën të dilnin në objektet e caktuara, siç ndodhi në operacionin mësymës në Mal të Zi, ku u arrit të ndërpritej rruga e tërheqjes e forcave gjermane në disa pika, ato nuk i mbajtën dot pozicionet e zëna, pasi nuk mundën të thyenin kundërsulmet e forcave të shumta gjermane dhe të mbroheshin nga zjarri i dendur i artilerisë dhe i aviacionit të armikut.
* AQU, “Fondi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 2, dosja 46.
Veprimet luftarak të fivizioneve shqiptare në këto krahina japin përvojë edhe për problemin e furnizimit të njësive e të reparteve me muncion, ushqim e veshmbathje, si dhe për dhënien e ndihmës mjekësore të plagosurve dhe të sëmurëve. Furnizimi me ushqim e veshmbathje u krye nga intendencat e divizioneve e të brigadave nga vendvendosja e tyre. Për këtë ato shfrytëzuan rezervat e krijuara gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake. Për të siguruar ushqimin e trupave u përdorën fondet monetare të njësive, me të cilat u blenë sende ushqimore në krahinat ku vepronin njësitë. Veç kësaj, populli u dha partizanëve edhe ushqime vullnetarisht dhe pa shpërblim. Për dhënien e ndihmës mjekësore për të plagosurit rëndë e të sëmurët divizionet përdorën spitalet e tyre dhe ato të terrenit, kurse për të plagosurit lehtë ndihma mjekësore u dha drejtpërsëdrejti në front me forcat e mjetet e brigadave, vep këtyre në operacionin mësymës në Malin e Zi u organizua edhe një pikë mjekësore e divizionit.
Problemi që mbeti gjithmonë në qendër të vëmendjes së shtabeve ishte furnizimi me municion. Për furnizimin e efektivave me municion u përdorën ato që iu kapën armikut. Rezervat e municionit gjithnjë ishin të pakta aq sa shpesh herë në vijimin e veprimeve luftarake të batalioneve të skalionit të parë u përdorën municionet që u merreshin atyre që qëndronin në skalionin e dytë. Në raste të veçanta, për të siguruar municion, u përgatitën grupe partizanësh që futeshin në befasi në prapavijat e armikut, të cilët sulmonin garnizonet gjermane, u rrëmbenin atyre municionin dhe ktheheshin me shpejtësi në repartet e tyre. “Gjatë luftimeve, - raportonte shtabi i Brigadës VI Sulmuese, - na mbaruan fishekët… krijuam disa grupe të vogla sulmi, të cilat i dërguam në prapavijat e armikut vetëm me detyrë të na siguronin fishekë.”*
* AQU, “Fondi i Divizionit VI Sulmues”, kutia 2, dosja 35.
Gjatë këtyre veprimeve u fitua përvojë edhe për zhvillimin e luftimeve mësymëse në terren malor, në kushte dimri dhe kundër qendrave të fortifikuara të armikut. Sulmi kundër armiku në tërësi u bë në kushte të pamjes së kufizuar e në kushte të vështira atmosferike. Qendrat e zjarrit të armikut u sulmuan me granata dore, në befasi, në afërsi dhe nga drejtime ku terreni ishte i vështirë dhe armiku nuk kishte marrë masa të fuqishme për mbrojtje. Kompanitë dhe skuadrat partizane u afroheshin nga krahët qendrave të zjarrit të armikut dhe, pasi hidhnin mbi to granatat e dorës, sulmonin me shpejtësi.
Mbrojtja gjermane e parapërgatitu, trashësia e borës që arrinte në disa vender deri në 1 m, si dhe temperaturat shumë të ulëta, kushtëzonte që veprimet luftarake të zhvilloheshin për një kohë të gjatë në një vijë fronti. Prandaj komandat e brigadave e të batalioneve u detyruan që t’i ndërronin shpesh herë forcat e frontit me ato që mbanin në rezervë ose gjatë natës t’i tërhiqnin forcat nga fronti duke i përqendruar në fshatrat në afërsi, ndërsa veprimet e armikut i ndiqnin me vrojtimin e parrullave të linin në front.
Nga temperatura e ulët armët automatike e mitralozat nuk funksiononin ose funksiononin me vështirësi. Kjo, krahas mungesës së theksuar të municionit, bëri që sasia e zjarrit të ulej mjaft dhe objektet e fortifikuara të merreshin vetëm pas disa sulmeve të njëpasnjëshme. Të gjitha këto influencuan në uljen e ritmeve të mësymjes, kështu që njësitë e repartet i plotësuan detyrat për një kohë të gjatë.
Forcat partizane i kushtuan kujdes edhe maskimit të veprimeve të tyre. Dalja në vijën e sulmit u bë natën dhe duke shfrytëzuar të thyerat e terrenit. Në raste të veçanta u përdorën edhe veshje të bardha nga ato që iu rrëmbyen armikut gjatë luftimeve.
Në këto operacione humbjet e armikut ishin mjaft të mëdha: më se 4000 të vrarë, afro dyfishin të plagosur, 651 robër; u zunë mjaft materiale luftarake: 96 topa e mortaja, 101 mitraloza, 8000 pushkë e automatikë, 4000 revolverë, 86 makina me municion, etj.”*
* AQU, “Fondit i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH”, kutia 4 dosja 192.
Bashkëveprimi i njësive shqiptare me ato jugosllave gjatë zhvillimit të këtyre operacioneve nuk u organizua, për arsye se komanda a Korpusit II të UNÇJ, si komandë më e lartë që vperonte në këto krahina nuk e kreu këtë detyrë. Ajo u mjaftua vetëm me largimin e forcave të veta nga fronti për t’u futur në luftë brigadat e UNÇSH, duke u caktuar këtyre drejtimet më të forta të mbrojtjes armike. Edhe veprimet luftarake të tyre nuk ndihmuan në ato të divizioneve shqiptare, kështu që këtyre u mbeti pesha më e rëndë e luftës. Po qe se njësitë e divizioneve XXII dhe XXXVII jugosllave do t’u kishin ndërprerë forcave gjermane rrugën e vetme të tërheqjes Priepolje - Priboi dhe Kolashin - Plevje, ato do të ishin rrethuar dhe shpartalluar, duke lehtësuar operacionet e divizioneve shqiptare në Malin e Zi dhe në Snaxhak. Shtabi i Divizionit VI Sulmues i raportonte Komandës së Përgjithshme të UNÇSH se “...krahinat Buzro, Rudo, Dobrun e Vishegrad janë çliruar nga thonjtë e okupatorite e çetnikëve nga forcat e Divizionit VI Sulmues. Forcat jugosllave vinë në këto krahina pas lufte e prapa nesh.”* Nga shtabet e divizioneve dhe të brigadave shqiptare u bënë të gjitha përpekjet për të bashkërenduar veprimet me forcat jugosllave. Ato ishin porositur që me mbërritjen në rajonin e vperimit “...menjëherë të kërkonin kontakt me shtabet e UNÇJ që ndodheshin aty. Veprimet, - u theksohej njësive tona, - do të bëhen të kombinuara dhe planet do të studiohen së bashku.”** Veç kësaj, urdhrat e operacioneve të divizioneve tona i janë dërguar edhe komandës së Korpusit II.
** AQU, “Fondit i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH”, kutia 14/1, dosja 373.
** AQU, “Fondit i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH”, kutia 3.
Me qëllim që të mos popullarizohej lufta e UNÇSH në ndihmë të popujve të Jugosllavisë, njësitë e UNÇJ kur bëhej çlirimi i qytetit nga njësitë shqiptare, futeshin bashkë për të treguar se ishin ato që i kishin çliruar nga pushtuesit. Ata arritën deri atje sa të bëheshin pengesë për përfundimin me sukses të operacioneve të divizioneve shqiptare. Kështu, kur Divizioni VI Sulmues luftonte në rrethinat e Vishegradit, për të çliruar përfundimisht atë, komanda e Korpusit II jugosllav urdhëroi që “Divizioni VI shqiptar të shkëpusë kontaktin me armikun dhe të kalojë në Plavë e Guci për në Shqipërinë e veriut.”*
* AQU, Fonti i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH”, kutia 14/1, dosja 373.
Në vijim të kësaj veprimtarie antishqiptare, pala jugosllave është munduar që të zbogëlojë luftën e divizioneve shqiptare. Duke trajtuar çlirimin e Malit të Zi, të Sanxhakut e të Bonjës në librin “Historia e Jugosllavisë 1918 - 1978” shkruhet “Korpusi II Sulmues i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë në Mal të Zi e çmundësoi tërheqjen e Korpusit XXII malor gjerman… së bashku me njësitë e UNÇJ në truallin e Sanxhakut luftoi edhe Divizioni V i UNÇSH. Pasi pliroi Boko Kotorin, Primorjen, Cetinjën dhe Podgorinsën, njësitë e Korpusit II vijuan ndjekjen e gjermanëve e të çetnikëve që tërhiqeshin nëpërmjet Kolashinit e Priepoljes në drejtim të Vishegradit.”* Në këtë mënyrë kjo histori jo vetëm mohon 2,5 muaj luftë të Divizionit të VI të UNÇSH, i cili e ndoqi armikun nga Mali i Zi deri në Bosnjën jugore, duke çliruar këto krahina, përfshi edhe qytetet Podgoricë e Vishegrad, por bie në kundërshtim edhe me vetëm komunikatat e Shtabit Suprem të UNÇJ, i cili posaçërisht për këtë divizion komunikonte “Në Mal të Zi repartet tona dhe shqiptare vazhdojnë pandërprerë sulmet mbi grupimet gjermane në zonën malore të Tarit… luftimet më të ashpra janë zhvilluar pranë Matashevos…”** dhe më vonë “...luftime të rrepta vazhdojnë në luginën e lumit Lim. Njësitë e UNÇSH janë shquar në mënyrë të veçantë gjatë këtyre luftimeve.”***
* Branko Petranoviç, “Historia e Jugosllavisë 1918 - 1978”, Beograd, 1981, f.364.
** Gazeta “Borba”, 26.12.1944, f.1.
*** Gazeta “Bashkimi”, Tiranë, 6 janar 1954, n.13, f.4.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.