Trupat britanike në Sarandë
Operacioni "Mercerized"* ishte një operacion ushtarak me karakter sulmues i realizuar nga forcat komando britanike në kuadër të operacionit të përgjithshëm të UNÇSH për çlirimin e qytetit të Sarandës në datat 8-10 tetor 1944. Ky operacion u organizua nga komanda aleate e Mesdheut me qendër në Bari të Italisë, në bashkëpunim me agjentët e SOE (Special Operations Executive - Ekzekutivi i operacioneve speciale) të vendosur në Shqipëri dhe forcat partizane të Brigadave XII, XIV, XIX Sulmeuse dhe forcave vullnetare territoriale. Ky ishte operacioni i dytë ushtarak britanik në Shqipëri, i cili u parapri nga operacioni “Healing II”, për asgjësimin e garnizonit të Spillesë në Himarë.
*Mercerizim - trajtim i fibrave me sodë kaustike nën tension për t'u dhënë atyre forcë e rezistencë.
Komandanti i misionit britanik në Shqipëri, Kolonel Lejtnant Alan Palmer i bëri Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH Enver Hoxha, në emër të Komandës Aleate të Mesdheut, kërkesën për pjesëmarrjen në betejën për asgjësimin e garnizonit gjerman të Sarandës. Shtabi i Përgjithshëm e miratoi kërkesën por me kusht që trupat britanike të tërhiqeshin pas realizimi të operacionit. Operacioni doli me sukses dhe forcat britanike dhanë një kontribut të vlefshëm për suksesin e luftimeve.
Hartë taktike e veprimeve luftarake gjatë operacionit
për çlirimin e Sarandës e përpiluar nga britanikët
Qyteza e Sarandës në vitet 40. Shkrepur nga kalaja e Lëkurësit
Ushtarë të njësisë komando duke zbarkuar në një gji të vogël në jug të gjirit të Kakomesë.
Në zonën e veprimeve luftarake përreth qytetit të Sarandës, shokët e shtabeve të Brigadave XII dhe XIV Sulmuese, që ndodheshin ato ditë pranë forcave të batalioni 4 të Brigadës XII Sulmuese dhe të batalionit 1 të Brigadës XIV Sulmuese, së bashku me shtabet e këtyre batalioneve, pas datave 22, 23 e 24 shtator 1944, vazhduan t’i bashkërendonin gjithnjë e më mirë veprimet e tyre dhe të organizonin goditje të pandërprera kundër forcave armike të vendosura përreth qytetit të Sarandës, në pikat më sunduese e më të fortifikuara, duke i mbajtur armiqtë nën presion të vazhdueshëm dhe duke ua ngushtuar gjithnjë e më tepër lakun e rrethimit.
Në fillim goditjet bëheshin në disa drejtime, me skuadra të pajisura me mitraloza të lehtë, automatikë e bomba dore. Duke qenë se luftimet bëheshin në terrene aspak të përshtatshme për forcat partizane, skuadrat mbroheshin nga shpina nga disa skuadra të tjera, e deri kompani të tëra në kodrat dhe malet që ndodheshin në afërsi të fshatrave Nivicë-Bubar dhe Shënvasi.
Artileria gjermane e vendosur në Delvinë, punonte pa pushim kundër forcave partizane nga kodrat në afërsi të Qafësh së Gjashtë deri tek kodrat e malet përreth fshatrave Nivicë-Bubar dhe Shënvasi. Predha ranë edhe brenda në fshat, mbi shtëpitë e fshtarëve. Megjithatë, zjarri i tyre nuk shkaktoi dëme tek forcat partizane, me përjashtim të disave që u plagosën nga predhat e para.
U morën masat që forcat partizane të zinin pozicione të përshtatshme, ndërsa popullsia civile u zhvendos në vende të sigurta. Ndërkohë u organizuan skuadra zbulimi me partizanë që njihnin mirë terrenin, për të zbuluar e saktësuar, disi më mirë, pozicionet e forcave gjermane, për të diktuar, brenda mundësive, zonat e minuara përreth pozicioneve të tyre, si dhe për të marrë ndonjë të dhënë tjetër që mund të shërbente për vlerësimin e fuqisë së kundërshtarit, si p.sh. numri i forcave dhe sasia e armatimeve të tyre, etj. Mirëpo marrja e këtyre të dhënave ishte shumë e zorshme. Forcat gjermane nuk lejonin asnjeri tu afrohej pozicioneve të tyre luftarake. Madje as banorët e fshatrave përreth nuk kishin të drejtë të hynin e të dilnin në qytetin e Sarandës.
Në ditët e fundit të muajit shtator 1943, forcat partizane të batalionit 4 të Brigadës XII Sulmuese dhe ato të batalionit 1 të Brigadës XIV Sulmuese i kishin shtuar shumë goditjet e tyre, duke vepruar tashmë me kompani të plota. Goditjet e njëpasnjëshme kundër pozicioneve armike në të gjithë rajonin futën panik në radhët e forcave naziste dhe shërbyen si përgatitje për organizimin e sulmit përfundimtar në qytetin e Sarandës.
Në të njëjtën kohë forcat e tjera partizane të brigadave XII, XIV dhe një pjesë të Brigadës XIX Sulmuese vazhdonin të goditnin garnizonet naziste dhe bashkëpunëtorët të tyre në qytetin dhe rrethinat e Vlorës, në qytetin dhe rrethinat e Delvinës, në Qafë e Muzinës, në Jorgucat, etj, detyra e të cilave ishte mbajtja hapur e rrugës Sarandë - Delvinë - Qafa e Muzinës - Jorgucat - Janinë. Rrethimi i gjithanshëm i këtyre pozicioneve nga forcat partizane dhe goditjet e tyre të pandërprera ua vështirësonin shumë punën forcave gjermane. Sulmet e vazhdueshme partizane po i gërryenin garnizonet gjermane pak e nga pak.
Pikërisht në këto ditë mbërrin në shtabin e brigadës një radiogram i gjatë i Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxha, me udhëzime e porosi shumë të hollësishme për masat që duhej të merreshin urgjentisht lidhur me zbarkimin që do të bëhej trupave britanike në afërsi të Sarandës. Qëllim i këtij zbarkimi ishte pjesëmarrja në mësymjen e përgjithshme për çlirimin e Sarandës që do të bëhej së shpejti. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, pasi e studioi kërkesën e përsëritur disa herë nga përfaqësuesit e misionit britanik, pranoi që ky aksion të bëhej në bashkëpunim me forcat partizane.
Shtabi i Përgjithshëm udhëzonte parimisht si u duhej përgjigju atyre për çështjet që do të shtronin si dhe si duhet të trajtoheshin problemet që do të diskutoheshin me ta. Hoxha porosiste në mënyrë të posaçme që, në çdo bisedim me britanikët u duhej bërë e qartë dhe në mënyrë të prerë që UNÇSH ishte një ushtri e rregullt dhe e fortë dhe se ishte plotësisht në gjendje për t’i sulmuar dhe asgjësuar vetë, pa ndihmën e kurrkujt, të gjitha forcat e ushtrisë naziste gjermane dhe ato të bashkëpunëtorëve të tyre që ndodheshin brenda të gjithë territorit të Shqipërisë. Ai udhëzonte se duhej bërë një punë e vazhdueshme sqaruese ideopolitike me të gjitha komandat dhe partizanët, me popullin në të gjithë sektorin, sidomos në zonën e Sarandës. Njerëzit duheshin sqaruar për qëndrimin shumë të drejtë të Qeverisë shqiptare kundër “qëndrimeve, veprimeve dhe qëllimeve djallëzore anglo-amerikane ndaj luftës, popullit dhe atdheut tonë.” Ai porosiste që të rritej gjithnjë e më shumë vigjilenca kundër çdo qëndrimi e veprimi “djallëzor” të tyre dhe të mos lejoheshin britanikët që të lëviznin asnjë hap përpara nga ato pika që ishin përcaktuar nga Komanda e Përgjithshme e UNÇSH.
Për të siguruar një informacion me ndërlidhje sa më të shpejtë me Shtabin e Përgjithshëm, shtabi i Brigadës XII Sulmuese në bashkëpunim me Shtabin e Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër dhe me komandën e Qarkut të Gjirokastrës organizuan shtrirjen e linjës telefonike midis 4 batalioneve e brigadës që shtriheshin gjatë bregdetit Sarandë - Vlorë, me shtabin e brigadës të vendosur në Bolenë të Kurveleshit, dhe prej këtu në Kuç, Tepelenë, Këlcyrë dhe direkt në Odriçan ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH.
Menjëherë u informua Shtabi i Përgjithshëm porsa zbarkuan dy kompanitë e komandave britanike në plazhin e Kakomesë, në veriperëndim të Sarandës, si dhe për masat që ishin marrë për të mos i lejuar që të lëviznin asnjë hap më tej nga pikat e caktuara. Gjithashtu, u njoftua edhe për bisedimet e para të zhvilluara me komandën e forcave britanike, nga përfaqësuesit e dy shtabeve të Brigadës XII dhe XIV Sulmuese, bisedime të cilat duhet thënë se ishin shumë të ftohta e të mërzitshme.
Komandantët dhe komisarët e ngarkuar nga vetë Enver Hoxha, i shtruan komandës britanike të gjitha problemet në bazë të porosive e urdhrave që u ishin dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm, dhe u kërkuan britanikëve që sulmi kundër garnizonit gjerman të Sarandës të organizohej sa më shpejt, të çlirohej qyteti dhe forcat britanike të largoheshin. Përfaqësuesit e UNÇSH theksuan qartë dhe prerë se të gjitha qytetet e krahinat e Shqipërisë së Jugut janë çliruar krejtësisht dhe janë nën drejtimin e këshillave nacionalçlirimtare shqiptare. Mirëpo oficerët e komandës britanike duket se nuk ishin të kënaqur nga problemet që ngritën përfaqësuesit e shtabeve partizane.
Britanikët u detyruan t’u kërkonin përfaqësuesve partizanë disa ditë leje që të përgatiteshin, pastaj ta sulmonin garnizonin gjerman. Ata gjithashtu kërkuan që t’i shihnin vetë gjermanët e vrarë në Kakome nga forcat partizane dhe robërit e zënë në këtë luftim, para dy ditësh nga forcat partizane. Kjo kërkesë e tyre u pranua. Kurse kërkesa për ta shtyrë sulmin disa ditë nuk u pranua. Sulmi duhej bërë sa më parë.
Pastaj përfaqësuesit partizanë u treguan përfaqësuesve britanikë se kjo kompani nazistësh u asgjësua e tëra brenda 5-6 orëve nga forcat partizane pas një luftimit të rrufeshëm, dy ditë përpara, megjithëse ajo mbështetej nga bateritë e artilerisë së rëndë gjermane. Kështu shpëtuan nga vdekja e sigurt oficerët dhe ushtarët britanikë, që kishin zbritur më parë në gjirin e Kakomesë pa lejen e Shtabit të Përgjithshëm. Për këtë përfaqësuesit partizanë i dorëzuan komandës britanike një notë proteste me shkrim.* Kështu u mbyllën bisedimet e para.
*Britanikët kishin nisur paraprakisht një njësi zbulimi drejtë Sarandës pa marrë lejen e Shtabit të Përgjithshëm. Kjo njësi ishte diktuar nga forcat gjermane, të cilat i kishin rrethuar në gjirin e Kakomesë. Mirëpo atje ia kishin behur rrufeshëm forcat partizane, të cilat kishin shpartalluar kompaninë gjermane.
Pasi mori radiogramet për këto bisedime, Shtabi i Përgjithshëm porositi që të ngulej këmbë për ta sulmuar garnizonin gjerman në Sarandë sa më parë dhe me t’u çliruar Saranda, komandot britanike të detyroheshin me të gjitha mënyrat që të largoheshin menjëherë nga Shqipëria. Në radiogram Shtabi i Përgjithshëm porosiste edhe për masat që duhej të merreshin për sulmin. Brigada XII Sulmuese mori urdhër që të zinte pozicione nga ana e Manastirit të Butrintit e të Bogazit e të rrinte roje vigjilente e bregdetit ton nga ana jugore e rajonit të Sarandës deri në Konispol dhe të mos lejonte asnjë këmbë britaniku të zbriste në tokën shqiptare.
Në takimin e dytë të përfaqësuesve partizanë me komandën britanikë, debatet u bënë më të ashpra e më të prera, pasi britanikët përsëritën kërkesën e tyre për të shtyrë edhe disa ditë afatin e sulmit mbi garnizonet gjermane të Sarandës. Përfaqësuesit partizanë këmbëngulën sërish që sulmi të bëhej sa më parë. Në fund britanikët u "doërzuan" por kërkuan që sulmi mbi garnizonin gjerman të Sarandës të fillohej të paktën më të gdhirë të datës 9 tetor 1944, kërkesë kjo që u pranua nga pala shqiptare.
Për rezultatin e këtyre bisedimeve, ashtu edhe për bisedimet e tjera, u njoftua me hollësi Shtabi i Përgjithshëm, Gjithashtu ai u njoftua edhe për goditjet e njëpasnjëshme kundër forcave gjermane të vendosur në Qafën e Gjashtës dhe në rrethina, si në kodrat e fshatrave Vremero (Bregas) e Vrion tek Ura e Shijanit (Blerimas) e në disa pika të tjera, nga zona e Kakomesë deri në afërsi të Sarandës, si edhe mbi zhvillimin e luftimeve përreth qytetit të Vlorës dhe mbi përgatitjen e sulmit përfundimtar për çlirimin e qytetit të Vlorës.
Ndërkaq skuadrat e zbulimit, të përbëra nga partizanë të zonës që e njihnin shumë mirë terrenin, të shoqëruar me ish-oficerët italianë të specializuar për minat, që kishin dalë partizanë në brigadat partizane, bënin rikonjicion të përditshëm për zbulimin e zonave të minuara përreth pozicioneve të garnizonit gjerman dhe për të marrë të dhëna mbi numrin e forcave dhe armatimit të armikut, prej nga mund të sulmoheshin më mirë pozicionet e fortifikuara përreth qytetit të Sarandës dhe si mund të bëhej për çminimin e një pjese të territorit përreth këtyre pozicioneve.
Shokët e shtabeve të brigadave së bashku me ata batalioneve të caktuar për sulmin, ua bënë edhe një herë të qartë, me hollësi, çdo kompanie e çdo skuadre orën e nisjes, rrugëkalimin që do të ndiqnin për t’u afruar tek objektivi i sulmit dhe orën kur duhej të fillonte sulmi.
Në bisedimet e fundit, para se të fillonte sulmi i përgjithshëm, përfaqësuesit partizanë i shtruan me këmbëngulje komandës britanike kërkesën për t’i bashkërenduar veprimet luftarake me ndihmën e një komisioni të bashkërendimit të veprimeve luftarake për të gjitha fazat e sulmit. Oficerëve britanikë në fillim nuk u erdhi mirë, por pastaj u detyruan të pranonin që të formohej komisioni i bashkërendimit të veprimeve luftarake. Në këtë komision u caktuan dy deri në tre oficerë për secilën palë. Gjithashtu u saktësuan edhe një herë pikat ku do të qëllonte artileria e tyre, përkatësisht në kodrën e manastirit të 40 shenjtorëve mbi Sarandë dhe në kodrën e Lëkurësit, pasi kalimi i predhave pas këtyre majave do të rrezikonte forcat partizane. Forcat britanike do të qëllonin edhe mbi objektet e armikut brenda qytetit të Sarandës.
Komisioni i bashkërendimit të veprimeve luftarake do të qëndronte në një vend të caktuar. Përfaqësuesit partizanë do të mbanin lidhje me shokët e shtabeve të batalioneve e të brigadave. Një ose dy prej tyre do të qëndronin me radhë në një shtëpi të fshatit Nivicë-Bubar, ku ishte qendra e tyre dhe ndërlidhja telefonike me qendrën e radio-ndërlidhjes. Që këtej ata mund të lidheshin me anën e linjës telefonike me Shtabin e Përgjithshëm.
Ndërlidhja me shtabet e brigadave dhe të batalioneve dhe me shokët e tjerë që ishin në terrenin ku zhvilloheshin luftimet, si dhe me përfaqësuesit tanë të caktuar pranë komisionit të bashkërendimit të veprimeve, bëhej me anë të korrierëve partizanë, të cilëve iu dhanë kafshë për shpejtimin e kryerjes së detyrave.
Në mbrëmjen e datës 8 tetor 1944 kompanitë me shtabet e tyre në krye u nisën për drejtimet e caktuara.
Drejtimi operativ i këtij sulmi për të dy batalionet iu besua komisarit të Brigadës XII Sulmuese Qamil Klosit.
Ushtarët britanikë duke zhvendosur furnizimet në gjirin e Kakomesë.
Në sfond dallohen anijet e zbarkimit.
22 shtator 1944
08:30 - Komandot lanë pas Monopolin me varka LCI (Landin Craft Infantry - Barka për zbarkimin e këmbësorisë) për të vazhduar drejtë plazhit (të Kakomesë) në veri të Gjirit të Sarandës. Udhëtimi qe i ashpër, për shkak se sapo lamë portin, deti filloi të trazohej dhe shumë prej ushtarëve patën të vjella dhe marrje mendsh. Me të mbërritur në destinacion ana e djathtë e LCI goditi një shkëmb, megjithatë dalja në breg u bë e qetë.
23 shtator 1944
00:15 Zbarkuam në plazhin “Sugar”*. U takuam me patrullën e zbulimit dhe zhvilluam një mbledhje në bord (të anijes) për të diskutuar informacionin e marrë. Të premten në mëngjes patrullat gjermane kishin vazhduar drejt luginës dhe pothuajse kishin rrethuar patrullën tonë të zbulimit. Dukej që plazhi ishte bombarduar me top të lehtë artilerie ndërsa pemët aty pranë ishin rrahur nga zjarri i mitralozave Spandau (MG42), por në kthim gjermanët ishin zënë në pritë nga forcat partizane në fillim të luginës. Ata kishin vrarë ose kapur më shumë se gjysmën e patrullës gjermane prej 150 vetësh pa pësuar vetë asnjë humbje. Oficeri në komandë vendosi që të kapej një ngrehinë në qendër të luginës dhe të vendoseshin forca nga të dyja anët e saj. Deri në agim u kapën të gjitha pozicionet. 4 njësi u zhvendosën në lartësinë 586. Ndërkohë aeroplanët gjuajtës Spitfire goditën Sarandën. Pjesën tjetër të ditës e kaluam duke ngritur pozicionet mbrojtëse.
*Emri i koduar i gjirit të Kakomesë
24 shator 1944
Mbërriti shtabi i operacionit Brigada No.2 SS nën komandën e Brigadier T.B.L Çurçillit (Churchil). Ditënata e parë ishte me shi. Pasdreke artileria e Korfuzit qëlloi në drejtim të gjirit (të Kakomesë). Na erdhi një njoftim që partizanët kishin vrarë 5 gjermanë gjatë një sulmi në Sarandë ditën e djeshme. Tre njësi patrulluan rrugën drejt Vermeros*, dy njësi drejt urës në SHIAN** dhe një njësi drejt Sarandës.
*Vremero, fshat minoritar në verilindje të Sarandës, sot Bregasi.
**Shijan, fshat në rrëzë të kodrës së Finiqit, sot Blerimas.
23:00 Skuadra e eksplozivëve nën komandën e Kapitenit Uajthaus (Whitehouse), S.O.R.E., Brigadës No.2 SS, hapi një krater në rrugën Shën Vasil - Sarandë në 315845.
25 shtator 1944
05:00 - Mbërritja e Brigadier Deveit (Davey) Komandant L.F.A. për një vizitë të shkurtë. Artileria e Korfuzit qëlloi sërish në drejtim të gjirit.
11:00 Bombarduesit Ventura hodhën bomba në jugperëndim të Delvinës.
14:50 - Aeroplanët gjuajtës Spitfire bombarduan urën SHIAN pa sukses.
Një natë tjetër me shi. Njësia 4 raportoi aktivitet të shtuar të armikut në zonën e Sarandës, por nuk pati kontakt me forcat armike. Shkëmbim zjarri mes forcave partizane dhe atyre gjermane në M.R.323828 (ndoshta koordinata). Njësia 5 raportoi zjarr të konsiderueshëm artilerie në pozicionet e saj. Njësia 3 raportoi që gjermanët kishin zënë kodrat rreth e rrotull Sarandës. Ndalohej qarkullimi i civilëve në atë zonë. Kjo patrullë i ishte afruar qytetit të Sarandës një një largësi deri në 400 jardë (365m). Aktivitet i konsiderueshëm i patrullave të motorizuara gjermane dhe lëvizje anijesh në Sarandë.
26 shtator 1944
08:30 - Njësia 5 u kthye nga GHASHTE (Qafa e Gjashtës). Njësia 4 raportoi prezencën e gjermanëve në pushtimin e METOG (Metoq) dhe Lëkursit. U raportuan në Sarandë rreth 60 shqiptarët të veshur me uniforma italiane por të paarmatosur. Njësia 5 arriti Kishën Vermero, pastaj vazhdoi në lindje drejt kreshtës Vermero. U përplas me një patrullë të vogël, por ishte e paqartë nëse ishin gjermanë apo partizanë. Arritën Qafën e Gjashtës (GHASHTE), hodhën granata po nuk pati reagim. Njësitë lëvizën drejt pikave 586 dhe 469. Në këtë të fundit u vendos njësia e zbulimit. U vendosën linja telefonike për të lidhur këto pika me Brigadën dhe shtabin e komandove.
11:30 - Brigadieri B.M vizitio shtabin e komandove. U bë një kërkesë tek komanda aletate për bombardimin e Delvinës sa më shpejt që të ishte e mundur. Brigadieri urdhëroi njësinë 3 të lëvizte në drejtim të urës SHIAN, e cila do të pasohej nga dy njësi të tjera dhe shtabi i përparuar i komandove. U rregullua një diversion partizan nga ana e Delvinës.
15:10 - Lugina e komandove u qëllua me artileri nga Delvina. Njësia 4 raportoi që zjarri erdhi nga M.R. 345844. U informua që do të vinte topi 25 paundsh nga BORSI (Borshi) në orën 15:00 më datë 27 shtator.
27 shtator 1944: Përpjekja e njësisë 3 për të shpërthyer urën dështoi. Skuadra eksplozive humbi kontaktin me forcat kryesore dhe nuk arriti të gjente urën. Lejtnanti Ro (Roe) u kthye me skuadrën e eksplozivëve për të raportuar. Njësia 3 dhe detashmenti mjekësor u larguan nga kreshta mbi urë për të mbrojtur lokalitetet në VANE* (Vanë) 337861. Oficeri në komandë shkoi për rikonjicion me qëllim për të kuptuar gjendjen.
11:25 - Nga njësia 5 u raportua se në Korfuz ishte ankoruar një anije 5000 tonshe.
13:00 - Artileria gjerman në pikën 347843 qëlloi luginën e komandove.
13:40 - Regjimenti në Mbështetje të Sulmit u përgjigj me artileri.
15:00 Oficeri në komandë raportoi me radiotransmetues për gjendjen e njësisë 3. Goditja me artileri në rajonin e urës ishte e mirë dhe do të vazhdonte më tej rikonjicionin me njësitë 1 dhe 3.
19:00 - U dha urdhri nga major brigadieri që të dërgohesh patrulla në pikën 802 290883. Për këtë u njoftua seksioni i njësisë 2.
Shi gjatë natës.
28 shtator 1944
Seksionet nga njësia 2 në pikën 802 raportuan se nuk kishte aktivitet armik në këtë rajon.
13:00 - U raportua pozicionimi i topave 25 paund në Shën Vasil.
17:08 - Njësia 5 raportoi se artileria armike në koordinatat 410878 dhe 395880 po qëllonte luginën e komandove.
19:00 - Goditje me artileri në rajonin e gjirit.
Shit gjatë natës.
29 shtator 1944:
09:00 - Oficerit në komandë iu tha që të mos lëvizte nga pozicioni aktual përveç se për të shkuar nga pika 586 në pikën 469.
12:00 - Ka 16 orë që bie shi por të paktën me pushime.
17:00 - Morëm urdhër që të nisen 3 njësi me oficerë më grada më të ulëta për të goditur autokolonat gjermane në rrugën kryesore.
30 shtator 1944
04:30 - Në rrugën kryesore Sarandë - Delvinë u pa të lëvizte një autokolonë gjermane me 20 automjete.
07:30 - Goditje e armikut me artileri e fillimit të luginës së komandove. Njësia 2 pësoi dëme në njerëz.
08:00 - Oficeri në komandë të brigadës mbërriti për të raportuar se një patrullë që kishte arritur zonën e Rd 3483 u godit nga armiku po nuk kishte pësuar dëme në njerëz. Nuk u vërejtën lëvizje të patrullave të motorizuara të armikut. U informuam mbi marrëveshjen për tu mbështetur nga partizanët në sulmin kundër Qafës së Gjashtës* me 1 njësi (ndoshta skuadrës) partizanësh, 2 mitralozë Vickers dhe 1 mortajë 3inç në pikën 469. Marrëveshje për transport në pikën 469.
*Me sa duket autori i raportit nuk e ka shumë të qartë që ky operacion ishte i përbashkët dhe e interpreton bashkëpunimin dhe sulmin kryesor partizan si marrëveshje të çastit.
18:15 - Oficeri në komandë na vizitoi sërish dhe dha urdhër për mbledhje të shtabeve në orën 09:30 të 1 tetorit. Mbledhja u shty për në orën 11:00. U dërgua një patrullë e vogël me mitralozë Browning drejt rajonit të kishës Vermero. Kishte shi dhe pamje të dobët. Dëgjova zhurma tek ura, qëllova. Raketa sinjalizuese në rajonin e kreshtës së Vermeros.
1 tetor 1944
11:00 - Oficeri në komandë mori pjesë në mbledhjen e brigadës.
14:45 - Topat 25 paund të armikut qëlluan sërish fillimin e luginës së komandove. Shiu vazhdon.
2 tetor 1944
09:15 - Oficeri mjekësor i raportoi majorit të brigadës gjendjen e njësive.
10:55 - Oficeri në komandë u takua me komandantin e brigadës.
13:00 - Armiku qëlloi sërish luginën me artileri.
14:10 - U njoftuam që një patrullë armike prej 50-60 vetash kishte dalë në shpinë të pocizioneve të vëzhgimit në pikën 469 dhe e kishte rrethuar. 2 komandantë njësish avancuan me të gjitha trupat që kishin në dispozicion.
15:00 - Lejtnant Benet (Bennet) dhe 9 ushtarë mbërritën në pozicionet e njësisë 2 dhe raportoi se kishte marrë kontakt me një patrullë të fuqishme dhe ishte detyruar të tërhqiej. Nuk pati humbje në njerëz dhe e vetmja gjë që u gjet ishte një telefon gjerman. Pika 469 u rimor nga njësia 2 në mbrëmje. U zëvendësuan nga njësia 3.
3 tetor 1944
1040 - U njoftova për ndryshimin e emërtimeve të plazheve dhe luginës së komandove. Oficeri në komandë dhe Brigadieri u takuan në pikën 469. Njoftimi se një patrullë tjetër u nis nga Saranda rezultoi i rremë.
18:00 - Oficeri në komandë u kthye nga rikonjicioni.
07:00 - Njësia 3 në pikën 469 njofton se u përplas me një njësi të vogël rikonjicioni. Njësia 3 hapi zjarr. Armiku u shpërnda. Lejtnantët Mekmenëmin (McMenamin) dhe Tomas (Thomas) u nisën për të vrojtuar kreshtën Vermero gjatë ditës dhe gjatë natës.
4 tetor 1944
0915 - Lejtnantët Mekmenëmin dhe Tomas u kthyen dhe raportuan për armikun në Kishën Vermero. Pozicionet e armikut gjendeshin në koordinatat 343823 dhe dyshohej një mortajë e armikut ishte vendosur në rrëzën jugore të kreshtës. U raportua asgjësimi i rojës armike. Nuk patëm humbje. Prej sulmit të No.40 Komando në pikën 507 u kapën disa robër gjermanë. Nuk u dërgua asnjë patrullë.
5 tetor 1944
U raportuan zjarre të ndezura në Korfuz nga aeroplanët tanë.
18:00 - Oficeri në komandë vizitoi shtabin e frontit për të diskutuar sulmin mbi pozicionet e armikut në koordinatat 337823 që do të zhvillohej në 6 tetor.
17:00 - Njësia 5 raportoi se gjermani i kapur rob ishte dezertor. U intervistua nga oficeri i kundërzbulimit dhe pastaj u nis për tek Brigadieri. Ishte inxhenier që kishte njohuri për minimin e Sarandës.
6 tetor 1944
10:00 - U vendos që sulm në pikën 337823 të mos bëhej. Erdhën njoftime se në Korfuz kishte pasur flakë me ndërprerje. U mendua se mund të ishte zjarr prej korditit.*
*Lëndë djegëse që përdorej në vend të barutit.
17:00 - Adjutanti pranë frontit njoftoi për aktivitetin e No.40 Komando. U dhanë planet paraprake për sulmin në Sarandë.
7 tetor 1944
06:20 - Njësia 5 raportoi se forcat partizane po lëviznin drejt pikës 586.
09:00 - U mbajtë mbledhja e shtabeve nga Brigadier Çërçill. Filloi lëvizja e njësive drejt pozicioneve të luftës. Njësia 1 dhe 3 në pikën 586 dhe 469 ku ishin vendosur më parë. Njësia 5 lëvizi drejt fillimit të luginës. Njësia 4 dhe anija e shtabit do të lëviznin rreth plazhit Yoke (Jok). Njësisë 2 iu dhe detyra të merreshin me transportimin e furnizimeve, ushqimeve, ujit dhe municioneve në pikën 469.
8 tetor 1944
02:45 - Njësia 4 dhe 5 lëvizën drejt pozicioneve të luftës.
03:20 - U dëgjuan zhurma mortajash dhe mitralozash gjermanë teksa partizanët lëviznin gjatë rrugës në rrëzë të pikës 469.
03:30 - Filloi breshëri artilerie në të gjitha objektivat.
04:00 - Njësitë shkojnë përpara pa hasur në forca të armikut.
04:40 - Njësitë 4 dhe 5 arritën majën e objektivit por u bllokuan përkohësisht nga zjarri i armikut. Njësia 3 kreu një manovër krahëmarrëse nga ana e majtë dhe doli krejt papritur mbi poziocionet e armikut. Zjarr i dendur i mitralozit Spandau dhe granatave. Kapiteni Parsëns (Parsons) u godit. Pozicionin e tij e mori Lejtnant Kojël (Coyle) por edhe ky u plagos në këmbë. Bëri të përparonte por u vra nga një granatë. Pjesa tjetër e njësisë hidhet mbi pozicionet e armikut.
05:00 - Njësia 1, 3, 4 dhe 5 tashmë nën komandën e Majorit Mekallëm lëvizin tëposhtë kodrës. Në agim përparimi i të gjitha njësive ka ndaluar përgjatë rrëzës së ekspozuar të kreshtës, e cila ndodhet nën sundimin e topit 25 pund, snajperave që ndodheshin përballë dhe zjarrit të artilerisë 20mm gjermane nga e majta (prej të cilës u plagos Kapiteni D.R. Pitërs (Peters)) dhe zjarrit të mitralozëve Spandau nga shtëpitë e qytezës së Sarandës në të djathtë.
Komunkimi me radio rezultoi i pakënaqshëm për shkak të lagies së radiotransmetuesve nga uji i shiut, ndërsa njësitë e pararojës humbën lidhjen me pozicionet e vrojtimit, Regjimentin e Mbështetje së Sulmit dhe njësinë e oficerit në komandë. Objektivat u evidentuan saktë megjithatë, pas një bombardimi të lehtë me topa 20mm, njësitë përparuan të udhëhequra nga patrulla të vogla. Gjermanët* lëshuan poizcionin e mitralozit pa qëlluar për t’u dorëzuar. Tre oficerë dhe 25 ushtarë u dorëzuan. 17 ishin kapur që në marrjen e objektivit të parë. Artielia gjermane në Delvinë qëllonte pa pushim.
*Në raport emërtohen “Hunët”
10:15 - U kap pozicionit i mitralozit. Duke se partizanët kanë marrë nën kontroll Qafën e Gjashtës por topi 20mm vazhdon të qëllojë. U sollën mitralozët Browning të Regjimentit Mbështetës së Sulmeve dhe me to u goditën pozicionet armike të zjarrit dhe pozicioni i topit Flak. Oficeri në komandë vendos të përdorë topin 25 paund. Pasi mori lejen e brigadierit qëlloi. Brigadieri Çërçill vizitoi pozicionet e gjithë komandove dhe i përgëzoi të gjithë ushtarët.
10 tetor 1944
Zjarri i topit 25 paund mbi pozicionin e topi Flak rezultoi i suksesshëm. Gjermanët u lëshuan jashtë dhe u kositën nga zjarri i mitralozit Bren. U dorëzuan tek partizanët.
Oficeri në komandë vizitoi Sarandën. Vendosi që mbrëmjen ta kalonte në qytezë. Prifti Banting mori disa ndihmës nga njësia 3 për të varrosur Kapitenin Parsëns, Lejtantin Kojl, mitraljerin Kllark (Clarke) dhe ushtarin Llajëns (Lyons). Pas cermonisë vazhdoi me varrimin e të vdekurve gjermanë në të njëjtin pozicion, por shpërtheu nga një minë. Skuadra e barelave zbuloi se kish vdekur nga plagët. Oficerët mjekësorë e kthyen sërish në Sarandë andej nga mbrëmja. Skuadrat e barelave që lëvizin tëposhtë kodrës hasen me mina. Plagosen rëndë 3 ushtarë. Njerëzit sillen në Sarandë nën shiun si litarë. Dëmet e komandove për dy ditë ishin: 3 oficerë të vrarë, 2 oficerë të plagosur (qëndruan në detyrë), 2 të tjerë të vrarë dhe 17 të tjerë të plagosur.
11 tetor 1944
15:00 Kapiteni H. Xhii (Gee) i njësisë 3 vdiq nga plagët e marra. U zhvillua ceremonia mortore e priftit, kapitenit Xhii dhe një marinari. Shërbimin e kreu oficeri në komandë. Oficerët mbajtën arkivolin e priftit. I dyti në komandë shërbeu si vajtues kryesor. U dëgjua homazhi me trumpetë.
17:30 - U bë spastrimi i qytezës së Sarandës nga ora 16:00 deri në orën 19:00 nga prania e bombave me kohë që dyshoheshin se ishin vendosur nga gjermanët. Bomba shpërtheu në orën 17:00. Erdhi urdhëri për zhvendosjen e trupave komando nga rajoni të enjten në mëngjes.
12 tetor 1944
11:00 - E gjithë forca komando u ngarkua në anijet e transportit në Sarandë, arriti në plazhin “Sugar” (Kakome) në orën 12:00 dhe lëvizi drejt zonës së pushimit në luginën e komandove. U shpërndanë racionet e ushqimit, thasët e gjumit dhe uniformat e luftës. Të gjitha trupat natën fjetën nëpër tenda.
Oficerët britanikë të ndërlidhjes. Në fushëbetejë, përveç radio-transmetuesve përdorim të gjerë gjente edhe transmetimi i mesazhev me pëllumba.
Para se të agonte 9 tetori, në orën e caktuar filloi sulmi i rrufeshëm kundër të gjitha forcave të nazistëve të vendosura në vendet më sunduese e më të fortifikuara në të gjithë zonën: në Qafën së Gjashtës, në kodrën që të çon tek manastiri i 40 shenjtorëve, në kodrat e fshatit Vremero (Bregas), të fshatit Vrion, në urën e Shijanit (Blerimas), në anën e malit të Lëkurësit, nga ana e zonës së Kakomesë drejt qytetit të Sarandës dhe në disa pozicione të tjera, ku ishin strukur forcat gjermane.
Luftimet u bënë shumë të ashpra e të përgjakshme për tre ditë me radhë. Të gjitha pikat e fortifikuara rreth epërqark Sarandës u kapën njëra pas tjetrës qysh pas mesnate, para se të gdhinte data 9 tetor. Si rezultat i sulmeve të befasishme gjermanët patën humbje të mëdha, ndërsa shumë prej tyre iu dorëzuan forcave partizane. Pas disa orë luftimesh, forcat partizane po u afroheshin pozicioneve të fortifikuara mbi qytet, ku përqendrimi u forcave armike ishte më i madh.
Për luftimet e datës 9 tetor 1944, në komunikatën e Shtabit të Brigadës XII Sulmuese, thuhet: “Forca të Brigadës XII dhe XIV Sulmuese sulmojnë me furi përqendrimet gjermane në Sarandë, në kodrën e Manastirit, në Qafën e Gjashtës, Vremero, Vrion dhe ura e Shesuanit."*
*A.Q.P - Brigada XII.S.V. 1944, f.41, D.93. Komunikatë e Shtabit të Brigadës.
Në pasditen e datës 9 tetor, Enver Hoxha mori në telefon personalisht shtabet e brigadave në Nivicë-Bubar dhe pasi u informua për zhvillimin e luftimeve u dha atyre përgëzimet në emër të Shtabit të Përgjithshëm, për suksesin që kishin arritur në ditën e parë të sulmit. Për këtë ngjarje u informuan të gjithë kuadrot e partizanët që merrnin pjesë në luftime.
Sulmi i furishëm u organizua nga mesnata e datës 9 tetor duke gdhirë 10 tetori, për kapjen e pozicioneve mbi qytet ku kishte fortifikime e mjete luftarake më të shumta. Luftimet në datën 10 tetor arritën kulmin e ashpërsisë.
Partizanët sulmuan me këmbëngulje të madhe. Kompania 1 dhe 3 të batalionit 4 të Brigadës XII Sulmuese sulmuan forcat gjermane në Qafën e Gjashtës. Kjo zonë ishte e minuar nga të dyja anët e rrugës automobilistike dhe e rrezikshme për të organizuar krahëmarrjen, prandaj u luftua ballë për ballë pozicioneve të armikut, duke përparuar hap pas hapi, në drejtim të rrugës, për të kapur sa më parë kurrizin e rrugës që zbret për në qytetin e Sarandës. Kompania 3 e batalionit 4 sulmoi forcat germane të vendosura në manastirin e 40 shënjtorëve dhe bëri atje luftime shumë të ashpra. Ky objekt sundues ra në duart e partizanëve*. Disa gjermanë mbetën të vrarë, të tjerë u zunë robër. E gjithë zona rreth manastirit ishte e minuar, por partizanët në fshehtësi mundën të çminonin një shteg sa për të kaluar deri në majë, prej ku organizuan sulmin mbi pozicionet armike.
*Më sipër, tek burimet britanike thuhet se marrja e kodrës së manastirit u asistua nga artileria britanike.
Megjithëse u njoftuan nga kuadrot e brigadave për marrjen e kodrës së manastirit, britanikët vazhduan të qëllonin me artileri mbi kodër dhe në Qafën e Gjashtës duke vënë kështu në rrezik serioz forcat partizane dhe duke penguar përparimin e tyre drejt qytetit të Sarandës. Për këtë veprim përfaqësuesit e shtabeve të brigadave protestuan shumë ashpër pranë komandës së forcave britanike. Ata i kërcënuan oficerët britanikë se do të mbanin përgjegjësi për veprimet e gabuara. Britanikët e quajtën këtë pakujdesi dhe u detyruan të kërkonin të falur.
Rreth orës 9 të datës 10 tetor forcat partizane kapën shumicën e pikave të tjera të fortifikuara të armikut, duke zhvilluar luftime afër qendrës së qytetit.
Në momentin që forcat e batalionit 4 të Brigadës XII Sulmuese arritën mbi kurrizin e rrugës automobilitike që të shpinte në qytet, u ndeshën ballë për ballë me forca të shumta gjermane që po ngjiteshin në formacion luftarak drejt të njëjtit pozicion, me qëllim që të çanin rrethimin partizan, për t’u largua pastaj drejt Delvinës. Mirëpo këtij objektivi nu ia arritën dot, pasi forcat partizane i goditën rëndë nga largësi shumë të afërta. Për pasojë shumë prej forcave të armikut u vranë, ndërsa pjesa tjetër ngritën duart dhe u zunë rob. Shumica e këtyre forcave kishte zbarkuar atë ditë në Sarandë, nga Korfuzi, herë në mëngjesin e datës 10 tetor 1944, me në krye një kolonel gjerman. Të tjerët ishin të mbetur nga garnizoni gjerman i qytetit të Sarandës.
Koloneli gjerman i zënë rob ku u mor në pyetje, deklaroi se ishte komandanti i forcave gjermane të Korfuzit, Sarandës, Muzinës, Jorgucatit dhe disa krahinave të tjera të Greqisë veri-perëndimore.
Pjesa tjetër e gjermanëve të garnizonit të Sarandës, kishte marrë urdhër në të njëjtën kohë, nga koloneli gjerman, të organizonte një sulm të fuqishëm kundër forcave britanike që kishin zbritur në bregun e detit, në veri të qytetit të Sarandës dhe që tashmë ishin bashkuar me ata që kishin zbritur në gjirin e Kakomesë. Nëpërmjet këtij sulmi gjermanët synonin të asgjësonin me çdo kusht britanikët dhe të siguronin pastaj tërheqjen në drejtim të Qafës së Gjashtës duke u bashkuar me forcat që komandoheshin nga koloneli gjerman. Mirëpo këto plane nuk mund të realizoheshin, për shkak se u sulmuan në mënyrë të rrufeshme nga forcat partizane, që vepronin në rajonin e Kakomesë, drejt qytetit të Sarandës, në afërsi të rrëzës së malit, si edhe nga forcat partizane, që sapo kishin zënë Qafën e Hamallajt, në veri-lindje të Sarandës. Luftime u bënë edhe më të ashpra dhe partizanët brenda një kohë shumë të shkurtër mundën të asgjësonin një pjesë të nazistëve gjermanë, ndërsa pjesa tjetër u dorëzua. Kështu mbaroi edhe pjesa e fundit e garnizonit gjerman të Sarandës. Me këtë goditje të fortë e të shpejtë të partizanëve mundën të shpëtonin nga asgjësimi i plotë ushtarët e oficerët britanikë që kishin qenë të rrethuar krejtësisht nga gjermanët dhe nga çasti në çast prisnin fundin e tyre.
Pastaj forcat partizane duke vazhduar luftën drejt çdo pozicioni të mbetur, i kapën ato njëri pas tjetrit dhe hynë në qytet, duke çliruar pëfundimisht qytetin e Sarandës.
Sapo u çlirua qyteti u morën me shpejtësi masat për të zënë pikat sunduese për rreth qytetit dhe disa të tjera brenda Sarandës. Këto masa u ndërmorën me qëllim që të viheshin në jetë udhëzimet dhe urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH për të qenë të gatshëm për të përballuar me sukses çdo tentativë të britanikëve, ose të forcave gjermane që mund të vinin nga Greqia.
Gjatë këtij operacioni, armikut që ndodhej në garnizonin e Sarandës si dhe forcave të tjera që erdhën nga ishulli i Korfuzit, iu vranë 50 ushtarë dhe iu zunë rob 150, midis të cilëve komandanti me gradën kolonel. Gjithashtu ra në duart e partizanëve shumë material luftarak, midis tyre 4 topa fushorë, 3 topa kundërajrorë, 2 autoblinda, 30 motoçikleta, një sasi mitralozash të rëndë e të lehtë, një sasi shumë e madhe pushkësh e automatikësh, municione të shumta, si edhe mjaft materiale të tjera ushqimore, veshmbathje, etj.
Në këto luftime, nga forcat partizane të batalionit 4 të Brigadës XII Sulmuese ranë në fushën e betejës dëshmorët Sinan Bllaci, zv/komisar kompanie, partizanët Kiço Gjoni, komisar kompanie, Nane Kutra, zv/komisar kompanie dhe luftëtarë të tjerë.*
*A.Q.P Fondi 41, dosja 93, viti 1944, Komunikatë e Shtabit të Brigadës XII Sulmuese.
Më pas, në qytet erdhën edhe forcat britanike komando dhe komanda e tyre me anije nga gjiri i Kakomesë.
Në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” Enver Hoxha shkruan: “Pas kësaj thirra Palmerin. Pranojmë të sulmojmë sëbashku garnizonin gjerman në Sarandë, - i thashë, - por ne do të sulmojmë nga toka, ndërsa ju nga deti dhe me të marrë fund veprimi, forcat tuaja të largohen sa më parë nga ajo. Ai tundi kokën, siç duket s’ishte i kënaqur, por sidoqoftë e quante “sukses” që ne pranonim të kryhej ky aksion i përbashkët.
Ashtu u bë. Forcat partizane të Brigadave të XIV, XII dhe XIX Sulmuese të ushtrisë sonë u vërsulën me tërbim mbi armikun. Pas tre ditë luftimesh të ashpra ato i asgjësuan gjermanët dhe Saranda u çlirua. Mbi 150 gjermanë u zunë robër, midis të cilëve edhe komandanti me gradën kolonel. “Triumfatorë” hynë në qytetin e çliruar edhe komandot angleze që kishin “luftuar” vetëm me disa të shtëna artilerie mbi kalanë e Lëkurësit dhe mbi manastirin e Butrintit.
Mirëpo pasi mbaroi operacioni, komanda jonë në Sarandë njoftoi se komanda e trupave angleze kishte kërkuar t’ia dorëzonin asaj kolonelin gjerman për ta dërguar në Itali, sepse kështu gjoja “do t’i bëhej jehonë luftës së Sarandës”, se ushtarët anglezë po silleshin keq, po thyenin xhamat e vitrinave, po vidhnin mallrat e dyqaneve dhe i çonin në anijet e tyre, dhe se kishte rrezik të ndodhnin edhe ndeshje me armë midis britanikëve dhe partizanëve. Komanda angleze kishte kërkuar të vazhdonte “sulmin” në thellësi, në Delvinë e deri në Gjirokastër që atje ushtarët britanikë të parakalonin si çlirimtarë. Por anëtarët e shtabeve u kishin thënë se ato ishin çliruar dhe se kish ardhur koha që britanikët të largoheshin. Pas kësaj komanda britanike i kishte propozuar komandës partizane që të sulmonin së bashku Korfuzin.
Këto ishin çështje shumë serioze e të rrezikshme. Lajmëruam komandën tonë t’i porosiste partizanët të mbanin gjakftohtësi dhe të ruanin qytetin, të forconte pozicionet e Qafës së Gjashtës, të Butrintit, të Bogazit, të mbante në gatishmëri artilerinë në kodrat mbi Sarandë dhe në manastirin e Butrintit, të vigjilonte e të ndiqte me vëmendje çdo lëvizje në det dhe po të shikoheshin anije të tjera angleze, të na lajmëronin menjëherë dhe, në rast se afroheshin drejt bregut, të priste urdhërin tonë ndërkohë që forcat partizane të qëllonin me artileri në erë. Urdhërova që kolonelin gjerman ta shoqëronin për në Berat, forcat angleze të falenderohen për atë që bënë.
Nga ana tjetër thirra urgjentisht Palmerin dhe protestova energjikisht për kërkesat e komandës angleze si edhe për sjellje të papëlqyera të ushtarëve anglezë. I thashë se detyra e përbashkët u krye, Saranda u çliruar dhe, sipas vendimit, forcat angleze duhet të tërhiqeshin sa më parë.
Palmeri bëri gjoja sikur u indinjua për sjelljet jo të mira të ushtarëve britanikë dhe më tha se do të njoftonte që forcat të tërhiqeshin menjëherë.
Pritëm të tërhiqeshin anglezët, po asgjë s’’po bëhej. Ata e shtynin me sot, me nesër largimin. Siç dukej, synimi i tyre ishte të qëndronin atje dhe t’a kishin Sarandën bazë të tyre në bregdetin dhe tokën e Shqipërisë.*
*Pas zbarkimit të komandove angleze në zonën e Sarandës më 28 shtator 1944 Forin Ofisit i raportohej nga Bari midis të tjerave: “Zhvillimi mëtejshëm i operacionit vare nga një numër faktorësh, të cilët tani nuk mund të vlerësohen. Por në qoftë se çdo gjë do të shkojë mirë, ne mund të jemi në gjendje të mbajmë një bazë të përhershme në tokën shqiptare ashtu si edhe në Korfuz. Radiogrami Nr. 772. F.O 371 43572 - 3.584. Pro. Marrë nga fotokopja e origjinalit që gjendet në A.I. Tiranë.
Edhe musolinit i kishte pëlqyer shumë kjo perlë e vendit tonë, aq sa e kishte quajtur Porto-Eda, sipas emrit të vajzës së vet. Por kohët kishin ndryshuar. Perla kishte zot.
Disa herë thirra Palmerin për t’i protestuar dhe ai më siguronte se do të njoftonte qendrën për të urdhëruar tërheqjen. Më në fund kupa u mbush. S’mund të duronim më. I dhashë ultimatum me porosi që t’ia transmetonte menjëherë komandës Aleate të Mesdheut “në rast se komandot angleze nuk tërhiqen nga Saranda në datën e caktuar, atëherë do të shpërthejë lufta në mes partizanëve dhe anglezëve” - komunikova.
Urdhërova forcat tona atje të ishin në gatishmëri e në pritje të një urdhri për t’i goditur anglezët me armë dhe t’u linin të kuptonin atyre se ishim marrë të gjitha masat dhe ishin të vendosur t’i hidhnin në det. Në radhët e tyre hyri paniku.
Ia mbërriti Palmeri, i cili propozoi: “Forcat tona janë gati të tërhiqen, por kërkojnë lejen tuaj që të mos tërhiqen nga deti, por nëpër Delvinë - Muzinë - Dropull e Pogon.
Ishte dukshëm plani djallëzor i britanikëve, ata donin të demonstroheshin si çliruese, të krijonin turbullira në minoritet ,të lidheshin me forcat e Zervës, të sorollateshin në zonat tona të lira.
Në snjë mënyrë nuk lejojmë që brigada juaj të kalojë në këtë rrugë, - i thashë. - Ajo duhet të ikë sa më parë andej nga erdhi, nga deti. Duhet të dini: asnjë tentativë të mos bëni të kaloni nga vendet tona të fortifikuara se do të goditeni. Dhe po ndodhi kjo, ju do të mbani përgjegjësinë. Ne jemi të vendosur të mbrohemi dhe të mbrojmë sovranitetin e vendit tonë. Ne ju kemi konsideruar miq, kështu duam të jemi edhe paskëtaj. Prandaj zbatoni menjëherë vendimin që kemi marrë së bashku.
Anglezët më në fund, hipën nëpër varka dhe…thyen qafën!*
*Enver Hoxha: “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë, faqe 329-333.
Edhe vetë Aleatët qenë të detyruar të pranonin suksesin e plotë të brigadave partizane për çlirimin e qytetit të Sarandës. Fletushka “Mundimi”, që nxirrte shtabi Aleat i Mesdheut në Kajro, lidhur me sulmin për çlirimin e Sarandës shkruante: “Për operacionin e Sarandës, vetëm Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare kishte përqendruar Brigadat 12, 14 dhe 19. Kur të jemi në gjendje tu japim të gjitha hollësitë e luftimeve të këtyre dy javëve, ka për t’u parë se në raste të panumërta sjellja trimërore e trupave shqiptare ka luajtur rol thelbësor në sigurimin e suksesit të operacioneve të përbashkëta “Shqiptaro-Britanik”.* Kurse nga vetë dokumentat gjermane vërtetohet se: “nga data 9 tetor 1944 në mëngjes herët tenton armiku që me anë të një sulmi nga veriu dhe verilindja dhe me përkrahjen nga deti, të këpusë garnizonin e Sarandës."** Në një raport tjetër të tyre shkruhej se: “Formacionet e fundit të tranportuara nga Korfuzi për në zonën e Sarandës (Shtabi dhe kompania e parë e divizionit XVIII/999 si dhe komandati i portit dhe i ishullit) janë rrethuar nga armiku. Luftime të forta. Në fillim dështoi përpjekja prë të avancuar nga Saranda për Delvinë, por tani u përsërit. Akoman s’kemi rezultate."***
*Gazeta “Mundimi”, nr 31, datë 19 tetor 1944, Kajro.
**Dokumente gjermane, T 311, 000516, datë 10/10/1944.
***Dokumente gjermane, T 311, 000482, datë 11/10/1944.
Partizanë të Brigadës XII Sulmuese
*Snajperist
No. Komando e ushtrisë zbarkoi në Sugar Beach (plazhi i Kakomesë) dy ditë përpara për të filluar Operacionin Mercerized. Qëllimi ishte të kapej qyteti portual i Sarandës dhe të pritej rruga e tërhqjes së gjermanëve nga Greqia dhe Shqipëria. Zbulimi kishte raportuar se në Sarandë ndodheshin 200 gjermanë, por No.2 Komando shpejt zbuloi se ishin më shumë se 2000*. Prandaj dhe njësia e Uajzit u thërrit në detyrë.
*Nga të dhënat e të vrarëve dhe të kapurve rob del se në të vërtetë garnizoni gjerman i Sarandës nuk kishte më se 200 e pak gjermanë.
Ishte një luftë për të arritur veçse 6 milje deri tek qyteti, kujton Uajzi. Nuk kishte rrugë që mund t’ju thoje rrugë. Kishte vetëm trase balte. Nuk kishte transport dhe gjithçka duhej mbajtur në krahë. Gjithashtu, përgjatë trasesë prej balte kishte më shumë se 20 pozicione gjermane të artilerisë*, të cilat e vështirësonin përparimin e Komandove. Ai tha se gjermanët ishin përqendruar në ruajtjen e rrugëve dhe hekurudhës. Ata nuk iu ngjitën asnjëherë maleve.*
*Duke që Uajzi nuk ka njohuri të sakta për vendosjen e artilerisë gjermane në Sarandë.
**Nuk merret vesh se për çfarë hekurudhe e ka fjalën Uajzi. Në Shqipëri nuk kishte hekurudhë. Për më tepër, në këtë periudhë gjermanët ishin në tërheqje të përgjithshme dhe nuk kishin forca të mjaftueshme për të organizuar sulme në zonat malore. Megjithatë duke se Uajzi nuk ka dijeni për operacionet gjermane të dimrit dhe të qershorit 1943-1944.
Gjermanët e dinin që nuk kishte rrugë dhe nuk e menduan kurrë se ne do të sillnim top 75mm, thotë Uajzi me buzëqeshje. “Surprizë!”* Iu deshën Uajzit dhe shokëve të tij komando disa javë për të krijuar hartën e mbrojtjes gjermane. Ata shkonin për patrullim dhe ndiznin fishekzjarre, në mënyrë që gjermanët të qëllonin dhe të zbulonin vendndodhjet e tyre, ndërkohë që komandon do t’i vëzhgonin nda distanca.
*Gjermanët kishin më shumë se një vit që operonin në Shqipëri dhe e dinin shumë mirë gjendjen e rrugëve. Ata kishin transportuar dhe kishin vënë në përdorim topa të kalibrave të ndryshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë.
…pas disa javësh patrullimi dhe zbulimi, komandot mblodhën mjaftueshëm informacion për të nisur sulmin e tyre në Sarandë dhe u zhvendosën në thellësi të territorit. Beteja për Sarnandën filloi në orën 4 të mëngjesit të datës 9 tetor 1944 me bombardimin e pozicioneve gjermane. Trupat filluan lëvizjen në orën 4:30 por u përballën me një qëndresë të fortë dhe zjarr të kryqëzuar të mitralozëve Spandau.
Ishte një luftim i vështirë në largësi të vogla, në errësisën e natës, e cila ndriçohej vazhdimisht nga plumbat gjurmues dhe raketat e ndriçimit - shkruan Major Xhef Bidëll (Jeff Beadle) në librin e tij “Litari blu: 50 vjet me No.40 Komando, Marina Mbretërore. Bidëlli shënon se Marina Mbretërore i bëri qëndresë një kundërsulmi të ashpër gjerman që zgjati më shumë se një orë. Marina mbretërore vazhdoi me luftim deri sa më në fund arritën qytetin e Sarandës.
Uajzi kujton që luftimet ishin të përgjakshme, shtëpi më shtëpi. “Luftime shumë të afërta dhe shumë të vështira.” “Pas katër orë luftimesh nëpër rrugë, qëndresa gjermane më në fund u thye dhe garnizoni me 750 ushtarë u dorëzuan”, shkruan Bidëll. Komandot patën sukses gjatë operacionit për marrjen e qytetit. Ata pësuan vetëm 9 të vrarë dhe 48 të plagosur.* “Ushtarët ishin të sprovuar”, kujton Uajzi. “Ata dinin si të vepronin. Nuk kishe nevojë tu tregoje. Prandaj dhe numri i viktimave ishte aq i ulët.”
*Edhe Bidëlli flet për shifra marrmendëse që nuk pasqyrohen në bilancin e fundit të dalë nga shënimet e mbajtura nga të dyja palët.
Herët në mëngjes komandanti i garnizonit të Korfuzit lundroi drejt korfuzit me katër anije plot me ushtarë gjermanë por u kapën menjëherë rob sapo mbërritën në breg.* Ai habit”, kujton Uajzi. “Edhe ne u habitëm. Askush nuk priste që të binin aq lehtë në duart tona.” Uajzi dhe shokët e tij morën flamurin e komandantit në barkë. Më vonë në nëntor, Uajzi dhe shokët e tij do të shkrepnin fotografi me flamurin në Korfuz.
*Ky është i njëjti komandant dhe të njëjtat trupa për të cilat burimet shqiptare tregojnë se u kap rob në tentativë për të kapur me luftë kurrizin e rrugës automobilistike në dalje të Sarandës. Ose Uajzi ngatërron ngjarje, të cilat i ka me të dëgjuar, ose burimet partizane kanë sajuar historinë. Është mëse e qartë që Uajzi ngatërron ngjarjet.
Uajzi those se shumë prej shtëpive në qytet ishin me gracka. Ata kishin marrë urdhër të evakuoheshin, në mënyrë që qendra e qytetit të shpërthehej të nesërmen. Uajzi those se njësia e tij u zhvendos drejt plazhit Sugar (gjiri i Kakomesë) për shkak se Marin Mbretërore besonte se në qytet kishte edhe më shumë eksplozivë të pa shpërthyer. Disa ditë më vonë, një shpërthim tjetër shkatërroi një pjesë të madhe të Sarandës.*
*Edhe këtu Uajzi duke se ngatërron ngjarje pasi në Sarandë nuk ka pasur shpërthime të përmasave të tilla. Gjithashtu, zhvendosja e trupave britanike në Kakome ishte përgatitja për evakuimin e tyre drejt Italisë dhe jo prej rrezikut të shpërthimeve.
Anije britanike duke qëlluar me top
(nga Ardi Kule)
Sipas të dhënave të sakta të të dyja palëve, rezulton që garnizoni gjerman në total nuk kishte më shumë se 200 e pak ushtarë. Nga këta u vranë rreth 50 vetë dhe u zunë rob 150 të tjerë, midis të cilëve komandanti i garnizonit të Korfuzit, Sarandës dhe Delvinës me gradën Kolonel. Në disa burime britanike ka mospërputhje dhe ekzgjerime të numrit të ushtarëve të garnizonit, të vrarëve dhe të kapurve rob. Kështu diku thuhet se garnizoni gjerman kishte 2000 ushtarë, diku tjetër se kishte 750 ushtarë. Ndërsa për numrin e robërve të kapur thuhet se ishin 600 e pastaj 1000 robër. Edhe për numrin e viktimave britanike ka mospërputhje. Diku flitet për 9 të vrarë dhe 48 të plagosur, ndërsa diku tjetër flitet për gjithësej 81 të vrarë e të plagosur.
Në artikullin e Wikipedias për komandot thuhet se të vrarët gjermanë ishin rreth 100, ndërsa humbjet britanike, nga 250 ushtarë u vranë 29 dhe u plagosën 61, shifër kjo që është shumë e lartë për shkallën e operacionit.
Një gjë është më se e sigurt, numri i ushtarëve të garnizonit gjerman nuk mund të ishte as 2000 dhe as 750. Nëse kjo do të kish qenë e vërtetë, atëherë UNÇSH nuk do të kishte hedhur në luftim vetëm forcat e dy batalioneve dhe ato territoriale vullnetare por forcat e 5-10 brigadave dhe ato territoriale vullnetare, siç u bë për operacionin e çlirimit të Tiranës.
Në burimet e të dyja palëve bie në sy injorimi ose mohimi pothuajse i plotë i kontributit të palës tjetër, gjë që e bën shumë të vështirë krijimin e një panorame të plotë të ngjarjeve. Në këtë kontekst më ekstremistë paraqiten britanikët, të cilët lënë të kuptohet sikur barrën kryesore të operacionit e mbajtën ata, ndërsa forcat partizane ishin aty sa për tu bërë këtyre fresk. Edhe pse tonin operacionit ia dhanë forcat partizane, beteja ishte një bashkëpunim i sukseshëm mes dy ushtrive. Nuk rezulton i vërtetë pohimi i burimeve shqiptare se britanikët sulmuan nga deti. Ata vërtetë erdhën nga deti, por sulmin në sektorin e tyre e realizuan nga toka, në drejtimin Kakome - Sarandë. Bashkëpunimi mes dy ushtrive del edhe në faktin që forcat partizane arritën të kapnin kodrat mbi Sarandë edhe falë zjarrit të përpiktë të artilerisë britanike.
Disi të dyshimta janë edhe kujtimet e dy ushtarë britanikë, të cilat janë paraqitur këtu, pasi ata jo vetëm kanë mospërputhje të dukshme, por flasin për ngjarje e ndodhira që nuk mund të vërtetohen diku tjetër. Edhe Wikipedia nuk mbetet prapa për nga niveli i konfuzionit në lidhje me faktet që paraqet.
Pra, e thënë me fjalë të thjeshta, përgjithësimet për rezultatin e betejës duhen nxjerrë si nga të dhënat e parashtruara ashtu edhe nga arsyetimet logjike e njohuria e fituar nga eksperiencat e mëparshme, pasi siç shihet qartazi, palët tregohen të pamëshirshme kur vjen puna për t’ia mohuar vlerat dhe kontributin palës tjetër.
Diçka që bie veçanërisht në sy nga aspekti i ngushtë taktik ushtarak, si në këtë operacion, ashtu edhe në atë të Spillesë, është dallimi mes doktrinave të luftimit të ushtrisë së rregullt britanike dhe asaj guerile shqiptare. Nga analiza e veprimtarisë luftarake të secilës palë vihet re se ushtria partizane ka një rendiment shumë më të lartë për njësi se sa ushtria e rregullt britanike. Kjo nuk vjen prej ndonjë vetie apo talenti të veçantë të shqiptarëve por prej natyrës së funksionimit të ushtrisë guerile. P.sh. ushtria guerile partizane, duke mos pasur në dispozicion as një të njëqindën e armatimit, municioneve dhe logjistikës që kishte ushtria britanike, e bazonte suksesin e saj në taktikën e gërryerjes së armikut pak e nga pak. Njësitë partizane organizonin sulme të vogla të përditshme, të cilat krijonin efekt psikologjik negativ tek armiku dhe ulnin moralin e tij, sidoms kur shkaktonin viktima. Kjo ndihmonte në faktin që kur vinte koha për të zhvilluar sulmin përfundimtar, partizanët ishin përgatitur shpirtërisht e taktikisht për goditjen vdekjeprurëse. Por edhe nëse sulmi rezultonte i pasuksesshëm, forcat partizane ishin plotësisht të përgatitura të bënin një tërheqje të menjëhershem të organizuar pa pësuar humbje në radhët e tyre. Kjo është edhe arsyeja pse forcat partizane kërkonin me ngulm që sulmi të zhvillohej sa më shpejt. Ata ishin më se të përgatitur.
Përkundrazi, njësitë e ushtrisë së rregullt britanike nuk mund ta fitonin këtë lloj eksperience. Për nga vetë natyra dhe misioni ushtarak, ata nuk mund të përqendroheshin për një kohë të zgjatur në një objektiv të vetëm. Për këtë arsye edhe iniciativa individuale e oficerëve të vegjël nuk inkurajohej, përveç se në momentin e betejës, kështu që peshën më të madhe britanikët ia linin armëve të rënda dhe guximit të ushtarëve për të përparuar nën breshërinë e zjarrit armik e për ta “përmbytur” atë me fuqi ushtarake. Kjo është arsyeja pse në të dyja operacionet, njësitë britanike e gjejnë veten të bllokuara në vend nga zjarri i dendur gjerman dhe pësojnë humbje në njerëz, gjë që me njësitë partizane nuk mund të ndodhte kurrë.
Trupat britanike komando në marshim drejt objektivit
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historiku i Brigadës XII Sulmuese të UNÇSH – Tiranë, 2002. Komisioni i hartimit të historikut: Veis Gjebero (kryetar), Qemal Klosi, Luftar Bolena, Vangjelo Sotiriadhi, Burhan Baqari, Xhemal Orhani, Qemal Shehu, Cane Teslimi. (Tiranë, gusht 1987)
Commandoveterans.org – Sarandë - Operation Mercerized. Autor: Ditari luftarak i No.2 Komando.
Surreynowleader.com – Cloverdale resident, and Royal Marine, Reginald Wise revisits Battle for Sarande in WWII. Autor: Malin Jordan.
Royalmarineshistory.com – Operation Mercerised - Attack on Sarandë and Surrender of Corfu.
Coppsurvey.uk – Sarandë reconnaissance.
Wikipedia.org – No. 2 Commando.
Materiali u përgatit nga Ardi Kule