Operacioni i dimrit

Skema e përgjithshme e veprimeve luftarake të të dyja palëve gjatë operacionit të dimrit 1943-1944
Shigjetat e zeza me sipërfaqe të mbushur tregojnë rrethim të plotë. Shigjetat me sipërfaqe me pika tregojnë rrethim të pjesshëm. Shigjetat e kuqe janë sulmet partizane.

Mësymja e përgjithshme gjermane në dimrin e viteve 1943-1944

Andej nga fundviti i 1943-shit, lufta nacionalçlirimtare e popujve të Ballkanit kishte marrë një hov të madh. Përmasat e saj dhe dhe kërcënimi i një zbarkimi anglo-amerikan në Shqipëri rrezikonin zotërimin gjermane në Ballkan. Në këto rrethana Komanda Gjermane e Juglindjes, mbështetur në urdhrin e Hitlerit të 30 tetorit “... për zhvillimin dhe drejtimin e njësuar të luftës kundër komunizmit në Juglindje”, urdhëroi kryerjen e një vargu operacionesh në gjithë brezin bregdetar të Adriatikut, nga Rijeka në Kroaci* e deri në Himarë, të cilat duhej të përfundonin brenda muajit shkurt të vitit 1944. Organizimi e drejtimi i tyre iu ngarkua Armatës II të blinduar. Në kuadrin e këtyre operacioneve u përgatit dhe u zhvilluan në vendin tonë mësymja e parë e përgjithshme e armikut në dimrin e viteve 1943-1944. 

* Shiko skemën e veprimeve luftarake në Jugosllavi

Plani i komandës gjermane

Forcat e Vermahtit kishin për qëllim të asgjësonin Ushtrinë Nacionalçlirimtare, të pushtonin zonat e çliruara dhe të rivendosnin në to pushtetin kolaboracionist shqiptar që të siguronin kështu shpinën dhe rrugët e komunikimit. Sipas planit trupat gjermane do të mbanin vetëm qytetet, rrugët kryesore të komunikacionit dhe brezin bregdetar në një thellësi rreth 15-19km, i cili në drejtimet më të rëndësishme të zbarkimit si në Durrës e në Vlorë duhej të zbrazej plotësisht ose pjesërisht nga popullsia.

Komanda gjermane vlerësonte se nuk kishte forca të mjaftueshme për të ndërmarrë një mësymje të përgjithshme kundër UNÇSH-së. Prandaj, për të përballur me këtë sfidë ajo mori masa që të përforconte njësitë që ndodheshin në Shqipëri me reparte të Divizionit 181, 118 dhe të Divizionit I malor që ndodheshin në Kosovë e Maqedoni. Gjithashtu, komanda gjermane vendosi që operacionin ta organizonte në një varg operacionesh më të vogla, në mënyrë të shkallëzuar. 

Numri i forcave gjermane të përqendruara në Shqipëri arriti në më shumë se 70 mijë veta, nga të cilët në mësymje u hodhën rreth 40 mijë. Së bashku me forcat kolaboracioniste shqiptare, grupimi mësymës arriti rreth 50 mijë veta. Forcat kolaboracioniste, që ishin kryesisht forcat e Ballit Kombëtar, nuk do të përfshiheshin në grupet sulmuese, por do të përdoreshin për detyra ndihmëse, si udhërrëfyes, për shërbime në prapavijë, për të siguruar krahët e kolonave gjermane dhe sidomos për të spastruar zonat e operacionit dhe për t’i mbrojtur ato pas kalimit të trupave gjermane.

Operacionet përshkoheshin nga një ide e vetme. Ato u planëzuan të zhvilloheshin në dy faza në periudhën nëntor 1943 - shkurt I944. Faza e parë përfshinte operacionet që do të kryheshin gjatë muajve nëntor-dhjetor 1943, kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë së Jugut. Faza e dytë përfshinte operacionet që do të kryheshin gjatë muajve janar-shkurt 1944 në Shqipërinë e Jugut. Ndarja e mësymjes në dy faza kishte për qëllim që, pasi të asgjësoheshin forcat e UNÇSH-së në Shqipërinë e Mesme e të përforcoheshin pozitat në veri të lumit Shkumbin, gjermanët t’i përqendronin trupat në Shqipërinë e Jugut për të asgjësuar formacionet e UNÇSH-së atje. Pavarësisht se forcat kryesore do të përqendroheshin në një krahinë, komanda gjermane kishte parashikuar zhvillimin e veprimeve luftarake edhe në krahina të tjera, me qëllim që të pengonte manovrën e forcave të UNÇSH-së nga një krahinë në tjetrën. 

Për zbatimin e planit të operacionit, komanda gjermane i kushtoi rëndësi të madhe përdorimit të metodave të luftës kundër partizane, të cilat kishin në themel të tyre rrethimin e zonës së operacionit, duke i afruar kolonat në perimetrin e rrethimit në mënyrë të befasishme e nga disa drejtime. Mësymja drejtqendrore do të ndërthurej edhe me bllokimin e rrugëve e të shtigjeve, për të mos lejuar hyrjen dhe daljen e forcave partizane. 

Në çdo operacion synohej të sigurohej një epërsi e lartë në forca e mjete, në mënyrë që numri i forcave të çdo kolone të ishte jo më pak se numri i përgjithshëm i formacioneve partizane të zonës. Për sigurimin e befasisë, ajo udhëzonte që lëvizja për mësymje të fillonte natën duke u nisur drejtpërdrejt nga kazermat dhe në mëngjes repartet të zinin pozicionet e nisjes në perimetrin e rrethimit. Gjatë mësymjes, në varësi nga përmasat e zonës së operacionit dhe karakteristikat e terrenit, do të përdoreshin metoda të ndryshme luftimi, si mbytja, copëtimi, fshirja, etj.*

* MBYTJA (loja e gjahtarit) kryhej me afrimin e të gjitha forcave rrethuese drejt qendrës, duke ngushtuar unazën e rrethimit. Ajo përdorej në zona të vogla.

FSHIRJA (ndjekja e thëllëzës). Forcat e një sektori të vijës rrethuese përparojnë duke synuar t'i shtyjnë forcat partizane në drejtim të forcave të tjera, që qëndrojnë në pozicionet e mëpasme. Këto pozicione mund të ishin bregu i një lumi, fillimi i brezave pyjorë etj.

COPETIMI (pykëzimi). Nga vija e rrethimit, një pjesë e forcave qëndrojnë në vend, të tjerat japin goditje drejt qendrës, duke synuar t'i copëtojnë forcat partizane në disa grupe e t‘i asgjësojnë veç e veç.

Objekte të goditjes në këtë plan nuk ishin vetëm formacionet e UNÇSH-së. Ai parashikonte edhe rrugët e mjetet për t’u hequr partizanëve mbështetjen e popullsisë që përbënte edhe faktorin themelor të pathyeshmërisë së tyre. Për këtë qëllim forcat u urdhëruan që në zonat e operacionit të përdornin pa kufizim terrorin. Në qytetet e pushtuara, përveç vendosjes së një shtetrrethimi të rreptë për të prerë çdo lidhje të lëvizjes kryengritëse të atyshme me formacionet e UNÇSH-së, do të ndërmerreshin edhe disa operacione spastrimi për ta asgjësuar lëvizjen kryengritëse në qytet.

Plani i Shtabit të Përgjithshëm

Në këtë plan u parashikua drejt se forcat gjermane nuk do të kufizoheshin me operacionet që ndërmorën gjatë muajve shtator-tetor, por do të kalonin në operacione të një shkalle më të madhe. Prandaj masat e marra gjatë muajve të parë të pushtimit ishin një parapërgatitje e mirë për të përballuar mësymjen e mundshme të ushtrisë gjermane. Operacionet e para të kryera nga gjermanët gjatë muajit nëntor në Pezë e në Dibër ishin hapat e para të fillimit të mësymjes së përgjithshme dhe i dhanë mundësi Shtabit të Përgjithshëm të futej më në brendësi të planeve të armikut, t’i analizonte ato e të parashikonte masat për t’iu kundërvënë.

Shtabi i Përgjithshëm u bëri një vlerësim të drejtë anëve të forta të planit gjerman. Me përqendrimin e një grupimi mësymës prej rreth 50.000 vetash, ushtria gjermane siguronte një raport 2,5 me 1 në dobi të saj. Ndërsa në zona të veçanta operacionesh ky raport rritej 5 - 10 herë. Epërsi të pakrahasueshme kishin në teknikë, në armatime e në municione. Teknika e motorizuar u jepte mundësi forcave gjermane të manovronin me shpejtësi forcat nga një krahinë në tjetrën e të rritnin më tej epërsinë në forca e në mjete në një zonë të caktuar. Ishte hera e parë që UNÇSH-ja dhe mbështetësit e saj ndodheshin përballë një mësymjeje me përpjesëtime të tilla. Zhvillimi i operacioneve në stinën e dimrit, në kushtet kur ushtria gjermane ishte e pajisur shumë më mirë se formacionet e UNÇSH-së me ushqime, me veshmbathje e me materiale të tjera dhe kishte mundësi të furnizohej në mënyrë të vijueshme, ishte një faktor i rëndësishëm në të mirë të armikut.

Shtabi i Përgjithshëm mbante parasysh edhe anët e dobëta në planin e komandës gjermane. Përveç luftës së padrejtë dhe dobësimit të përgjithshëm të gjendjes "morale”, ushtria gjermane nuk mund të zbatonte me sukses taktikën e luftës kundërpartizane. Ata do ta kishin vështirë të siguronin elementin befasi gjatë afrimit në zonën e operacionit, sepse kolonat e tyre do të ishin në vëzhgim të pandërprerë si nga fshatarët, ashtu edhe nga sistem i ruajtjes i forcave partizane. 

Vështirë do ta kishin edhe për sigurimin e të dhënave për forcat e UNÇSH-së. Pengesë serioze për ta paraqiste terreni malor me rrjetin shumë të kufizuar të komunikacionit. Ky terren kufizonte lëvizjen e manovrën në brendësi të bazave partizane. Me mjete të motorizuara armiku mund të bënte vetëm një rrethim të largët të bazave partizane, ndërsa afrimet e mëtejshme ishin të detyruar t'i bënin në këmbë. Terreni shumë i thyer e bënte pothuaj të pamundur mbylljen e plotë të unazave të rrethimit. Në të do të mbeteshin boshllëqe.

Duke analizuar me objektivitet këto rrethana, Shtabi i Përgjithshëm përcaktoi drejt qëllimin strategjik të veprimeve luftarake të UNÇSH-së, i cili ishte të ruheshin e të shtoheshin forcat e UNÇSH-së, të thyhej mësymja nëpërmjet një veprimtarie të lartë luftarake, të mbrohej e të forcohej pushteti i këshillave nacionalçlirimtare, duke krijuar kushte për të kaluar në kundërmësymje. Gjatë dy javëve të para të nëntorit Shtabi i Përgjithshëm u dërgoi komandave partizane urdhra, letra e udhëzime, në të cilat bëheshin vlerësime për operacionet e ardhshme të armiqve dhe viheshin detyra. Nga tërësia e tyre del përmbajtja e planit të Shtabit të Përgjithshëm, ku parashikohej:

Përhapja e forcave. Nëpërmjet saj do të sigurohej një shtrirje sa më e gjerë e veprimeve luftarake në zona të ndryshme të vendit. Kështu, Brigada III Sulmuese ishte urdhëruar të lëvizte nga zona e Pezës në Krahinën e Dibrës; Brigada II Sulmuese do të vepronte në rrethinat e Elbasanit e të Dibrës; Brigada I Sulmuese në fillim do të vepronte në krahinën e Beratit, mandej në varësi nga situata do të manovronte në krahinat e Shqipërisë së Jugut; brigadat që priteshin të krijoheshin (IV, V,VI) në fillim do të vepronin në zonat e tyre, përkatësisht në krahinat Korçës, të Vlorës, të Gjirokastrës.

Rritja e gatishmërisë luftarake duke forcuar zbulimin për qëllimet dhe planet e armikut, Shtabi i Përgjithshëm u dha udhëzime të veçanta shtabeve të brigadave të grupeve e të qarqeve për të organizuar një sistem efektiv të drejtimit dhe për të marrë masa të forta sigurimi.

Mbrojtja e bazave partizane. Kjo do  bëhej nëpërmjet manovrës së gjerë të forcave, kundërsulmeve dhe goditjeve. Goditja e armikut do të fillonte që larg bazave partizane, gjatë rrugëve të afrimit, nëpërmjet pritave, kurtheve, sulmeve natën në krahë e në shpinë, duke shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin, me qëllim që të  dëmtohej, të rraskapitej dhe të detyrohej që të tërhiqej ose të ndryshonte planet.

Mënjanimi i grumbullimeve të mëdha të forcave në qendrat kryesore si në qytetet e çliruara ose në baza të tjera të rëndësishme në zonat e lira. Përqendrime të tilla ishin objekte të  përshtatshme për t’u goditur nga armiqtë dhe rrezikonin t’i jepnin luftës partizane karakter mbrojtës dhe frontal. Për këtë Shtabi i Përgjithshëm kritikoi ashpër rastet e përqendrimit të forcave të shumta në qytetet e çliruara, siç ishte ai i komandës së Grupit Partizan të Beratit dhe porosiste “Forcat duhet t’i ndani në terren dhe ta goditni armikun kurdoherë me taktikën e luftës sonë partizane dhe lini mënjanë planet e mëdha dhe sulmet me 1500-2000 veta.”

*Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, vëll. I, Tiranë, 1976, f. 146

Në plan parashikohej gjithashtu që të dendësoheshin veprimtaritë politike dhe aksionet ushtarake në qytete, të shpejtoheshin ritmet e krijimit dhe të forcimit politiko-organizativ të njësive të reja, të ngrihej më lart niveli i punës propagandistike me masat e gjera të popullit etj. Për të realizuar detyrat që shtronte ky plan, Komiteti Qëndror dhe Shtabi i Përgjithshëm kërkonin nga partizanët të ishin të përgatitur moralisht dhe politikisht për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme.

Faza e parë (nëntor-dhjetor, 1943)

Gjatë fazës së parë në zonat e Shqipërisë së Mesme forcat gjermane zhvilluan tre operacione: “505” në krahinën e Pezës, “Edelweis”* në krahinën e Dibrës dhe “1828” në zonën Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh. Krahas tyre, ata zhvilluan edhe disa operacione ndihmëse në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë së Jugut, përkatësisht operacioni "Roter Man"** në zonën Berat - Këlcyrë - Fier dhe "Bergkessel"*** në zonën e Mesaplikut.

* Lule alpine
**Njeriu i kuq
***Kazani malor

Operacioni "505" në krahinën e Pezës

Në operacionin “505” morën pjesë shtatë batalione dhe katër grupe artilerie të divizioneve 100, 297, 118 dhe të Regjimentit II “Brandenburg” me një efektiv me më shumë se 8000 veta, të cilët kishin për detyrë të zhduknin “kërcënimin serioz për kryeqytetin dhe për rrugët kryesore të komunikacionit në krahinën Tiranë-Elbasan-Kavajë.”* Me këto forca u krijuan katër grupe që do të mësynin në thellësi të zonës së Pezës, nga Peza e Vogël, Ndroqi, Kavaja dhe Peqini. Goditja kryesore jepej me forcat e dy grupeve në drejtimin Pezë e Vogël - Pezë e Madhe - Grecë. Dy batalione u caktuan të bllokonin rrugën nga Petrela në Bradashesh dhe grykën e Erzenit në rajonin e Vaqarit. Gjatë rrugëve të komunikacionit që qarkojnë zonën e Pezës do të lëviznin patrulla tankesh.

* "Dokumente gjermane", f. 314-666, 000247, datë 29.11.1943

Në zonën e Pezës ndodheshin tre batalione të Grupit të Pezës (i katërti vepronte në rajonin e Shijakut) dhe Brigada III Sulmuese, gjithsej afro 1000 luftëtarë. Komanda e përbashkët vendosi të zinte drejtimet e afrimit të armikut, të dobësonte forcën goditëse të tij me zjarr të befasishëm, të manovronte me nënreparte të vogla, duke dhënë sulme të rrufeshme e të befasishme dhe ta detyronte armikun të tërhiqej. Humbja e befasisë së mësymjes nga gjermanët që në fillimin e luftimeve, më 5 nëntor, e dobësoi forcën goditëse fillestare të tyre. Të pozicionuara në pika të përshtatshme, nëpërmjet zjarrit dhe kundërsulmeve të befasishme, gjatë dy-tre ditëve të para, forcat partizane arritën t'i thyejnë sulmet e përsëritura të armikut me epërsi 4-10 herë më të lartë. Pastaj, pasi shkëputën takimin me armikun, me çeta goditën në befasi kolona e grupe të veçuara të armikut. Gjermanët nuk patën sukses në përpjekjet për të angazhuar partizanët në luftime ballore sepse pas sulmeve të befasishme çetat tërhiqeshin për të goditur në drejtim tjetër.

Megjithatë, përqendrimi i Brigadës III Sulmuese në Pezë, brenda një zone të vogël rreth 650 km2, u krijoi forcave të saj shumë vështirësi në manovrim, të cilat shumëfishoheshin edhe nga prania e rreth 1500 ushtarëve italianë, shumica të paarmatosur. Pas 3-4 ditë luftimesh e manovrimesh në terren të vështirë e në kohë me shira dhe nën presionin e vazhduar gjerman, në mëngjesin e 10 nëntorit, pasi braktisën gjithë materialin e rëndë dhe rreth 100 kafshë me furnizime, forcat e brigadës mundën të dilnin nga rrethimi duke kapërcyer xhadenë dhe lumin Erzen midis Bërzhitës e Mushqetasë.

Suksesi i operacionit ishte i pjesshëm. Ai arriti të siguronte përkohësisht qetësinë në krahinën e Pezës por nuk arriti ta nënshtronte plotësisht atë. Nga ana tjetër, edhe pse i shkaktoi dëme materiale Brigadës III Sulmuese, nuk arriti të asgjësonte forcën e gjallë të saj. Komanda gjermane më vonë do të pohonte se “Ka filluar gjallërimi i bandës komuniste që drejtohet nga Myslym Peza në rajonin në jug dhe jugperëndim të Tiranës.”*

* "Dokumente gjermane", f. 314-662, f. 929

Operacioni "Edelweis" në qarkun e Dibrës

Për të pushtuar Dibrën dhe Peshkopinë komanda gjermane ndërmori operacionin “Edelweis”, ku morën pjesë pesë batalione këmbësorie dhe një batalion tankesh të Divizionit 297, 100 e të Regjimentit II “Brandenburg”, 115 të përforcuar me artileri e reparte xheniere, me një efektiv rreth 7000 veta dhe rreth 1000 forca kolaboracioniste të Ballit Kombëtar. Për kryerjen e operacionit u formuan dy grupe luftarake me detyrë të lëviznin nga Librazhdi dhe nga Struga drejt Dibrës dhe Peshkopisë, kurse një batalion nga Kërçova do të lëvizte drejt Dibrës për të marrë pjesë në mësymje mbi qytet. Me një pjesë forcash u morën masa për të mbyllur rrugët Dibër - Burrel, Peshkopi - Burrel dhe Peshkopi - Kukës. Forcave kolaboracioniste, përveç detyrave ndihmëse iu ngarkuan edhe detyra mësymëse mbi Dibër e Peshkopi. 

Në Dibrën e Madhe dhe përqark saj kishte rreth 600 luftëtarë  të Grupit të Dibrës, Batalionit të Çermenikës dhe vullnetarëve të krahinës. Rreth 200 partizanë e vullnetarë të tjerë ndodheshin në Peshkopi e në Zerqan. Armiqtë gjatë mësymjes kishin raportin 10 me 1 në dobi të tyre.

Shtabi i Përgjithshëm, duke vlerësuar fitoret që kishin arritur forcat partizane për mbrojtjen e Dibrës dhe të Peshkopisë, në urdhrin dërguar komandës së grupit të Dibrës për shpartallimin e forcave armike, më nëntor të vitit 1943, tërhiqte vëmendjen për disa mangësi që po shfaqeshin. “Keni grumbulluar të gjitha forcat në qendrat, si Dibër dhe Peshkopi, me qëllim që t’i mbroni nga fuqitë reaksionare, kështu që është transformuar karakteri i luftës sonë nga ofensiva në defensivë.”* Ky veprim, analizonte Shtabi i Përgjithshëm, nga njëra anë u “Ië dorë të lirë reaksionarëve që të veprojnë në krahinë”, nga ana tjetër, i bën forcat partizane “objektiva të vërtetë për armiqtë.”**

*  “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm...”, vëll. I, Tiranë, 1976, f. 157
** “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm...”; vëll. I, Tiranë, 1976, f. 157

Në rrethanat e krijuara, e njoftuar për fillimin e mësymjes armike një ditë më parë, Komanda e Grupit të Dibrës vuri në gatishmëri forcat dhe mori masa për mbrojtjen e qytetit të Dibrës. Qëllimi nuk ishte që të mbrohej qyteti me çdo kusht, por kryesisht t’i shkaktoheshin armikut sa më shumë humbje. Luftimet në Dibër janë ndër rastet e para gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare të mbrojtjes së një qyteti të madh. Mbrojtja e tij u organizua në formë qarkore, duke zënë pikat sunduese brenda e përqark qytetit. 

Për të penguar armikun gjatë afrimit, ishin shkatërruar pjesë rrugësh dhe ishte hedhur në erë ura e Spillesë mbi Drin. Për të përballuar epërsinë e armiqve, u përdor metoda e hapjes së zjarrit nga pozicionet zotëruese për t’i mbajtur ato derisa të binte errësira. Kujdes u bë për të mos rënë në rrethim dhe për të siguruar rrugët e tërheqjes. Një ndihmë të madhe dhanë banorët për furnizimin, ndërlidhjen, zbulimin, shërbimin shëndetësor si dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftime. 

Forcat gjermane kishin epërsi të madhe dhe ushtruan presion të fortë gjatë gjithë ditës. Në pamundësi për të qëndruar më tej, forcat partizane u tërhoqën me urdhër nga mesi i natës. Tërheqja u bë e rregullt dhe pa humbje. 

Komanda e Grupit partizan gjeti zgjidhjen më racionale, ndërthurjen e mbrojtjes në qytet me tërheqjen në kohën e duhur, shpërqendrimin dhe manovrën me njësite të vogla në krahinë. Kjo zgjidhje siguroi ruajtjen e forcave dhe vijueshmërinë në veprime. Pas Dibrës, luftime të ashpra u zhvilluan në Zerqan, në Sllovë, në Vleshë e në Strikçan. Duke vepruar me njësite të vogla, megjithëse në kushte jashtëzakonisht të vështira, forcat partizane vijuan të kryenin detyra të ndryshme politike dhe ushtarake. 

Forcat gjermane arritën të kapin qytet e Dibrës dhe Peshkopisë por nuk arritën ta nënshtrojnë plotësisht krahinën e Dibrës. Një muaj më vonë, në janar të vitit 1944, komanda e Korpusit XXI raportonte se në atë zonë “çeta të vogla janë ende në veprim aktiv”.*

* Dokumente gjermane, raport i zbulimit të Korpusit XII, janar 1944, f. 314-662

Veprimet e Brigadës II Sulmuese gjatë operacionit "1828"

Operacioni "1828" në Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh

Operacioni "1828" u zhvillua mes 19-23 dhjetorit 1943 dhe kishte si objektiv kryesor asgjësimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH e për këtë arsye sulmi u bë veçanërisht i ashpër. Gjermanët hodhën në luftim 6 batalione të këmbësorisë, 3 kompani artilerie të Divizionit 100 gjuetar dhe 297, dhe dy kompani xheniere të regjimentit “Bradenburg”, gjithsej 6500 forca të rregullta ushtarake, si dhe 1500 forca balliste, zogiste e ushtarë kuislingë.

Ndërsa nga UNÇSH ishin organizuar dy brigada dhe dy batalione me një efektiv rreth 2000 partizanë. Brigada II Sulmuese operonte në Shëngjergj, Brigada III Sulmuese vepronte në Gur të Zi, Batalioni i Çermenikës në Zdranjsh dhe Batalioni i Martaneshit në Martanesh. 

Operacioni filloi me zbulim nga ajri dhe u pasua nga marshimet e kolonave në formacion të rregullt luftimi, të udhëhequr nga forcat balliste e kuislinge shqiptare. Plani i komandës gjermane ishte që të sulmonte në këto drejtime: Grupi "A" sulmoi në drejtim Ballie e Vogël - Shëngjergj. Grupi "B" e "D" kaloi në drejtimin e përgjithshëm të Martaneshit. Grupi "E" sulmoi në drejtimin Valikardhë - Klenjë. Batalioni "AA" 100 i zbulimit të divizionit do të spastronte zonën Shëngjergj - Fushë Bizë. Batalioni 83 fushor minoi rrugën Librazhd - Labinot, ndërsa Regjimenti II "Brandenburg" me batalionin "AA" 100 do futeshin në Bizë e Martanesh.

Para se të fillonte operacioni në zonën e Çermenikës, forcat gjermane bën një varg goditjesh me karakter lokal kundër forcave partizane që vepronin në jug të lumit Shkumbin, me qëllim që të forconte edhe më tepër pozitat e veta gjatë rrugës automobilistike  Qafë Thanë - Elbasan - Tiranë. Këto veprime kishin karakter përgatitor, në mënyrë që forcat e Brigadës II Sulmuese dhe Brigadës III Sulmuese, batalionet e Çermenikës e të Martaneshit dhe Shtabi i Përgjithshëm, që ishin përqendruar në ato zona, të mbeteshin krejtësisht të veçuara nga formacionet e tjera të UNÇSH dhe, kështu, të rrethoheshin e të asgjësoheshin. Për këtë qëllim, forcat e komanda gjermane bëri të gjitha përpjekjet e mundshme që të shfrytëzonte vështirësitë e dimrit e të përfundonte sa më parë fazën e parë të operacionit.

Forcat gjermane realizuan pothuajse rrethimin e plotë të zonës dhe dhanë goditje të përqendruara në të gjitha drejtimet duke krijuar kështu vështirësi të mëdha në manovrim si për njësitë partizane që ishin në mbrojtje ashtu edhe për vetë Shtabin i cili për një periudhë të shkurtër e humbi orientimin. Pranë Shtabit të Përgjithshëm ishte edhe misioni britanik SOE (Special Operation Executive) i udhëhequr nga Gjeneral Brigadier Edmund Davis.

Gjatë këtij operacioni forcat gjermane i shkaktuan dëme të mëdha Brigadës III Sulmuese dhe shpartalluan Brigadën II Sulmuese duke e nxjerrë atë përkohësisht jashtë luftimi*. Gjatë goditjeve gjermane pati një numër të lartë partizanësh të vrarë e të plagosur, shumë luftëtarë të shkëputur nga njësitë e tyre e dezertime, sidomos nga Brigada II Sulmuese. Të shumta ishin edhe lëndimet nga ngricat dhe sëmundjet, sidomos ngrirja e gjymtyrëve, për shkak se partizanët duhet të ishin vazhdimisht në lëvizje në kushtet e dimrit të acartë me reshje të shumta dëbore e furtuna. Një sfidë serioze përbënte edhe fakti që një pjesë e mirë e fshatrave të këtyre krahinave ishin mbështetës të Ballit Kombëtar ose armiqësorë ndaj UNÇSH-së.

**Me termin "shpartallim" nënkuptohet kur njësia luftarake humbet kohezionin dhe aftësinë goditëse të saj. Ky term është i ndryshëm nga termi "asgjësim" që nënkupton eliminimin fizik të pjesës më të madhe të luftëtarëve. Brigada II Sulmuese humbi aftësinë goditëse si njësi e bashkuar, por luftëtarët e saj nuk u eliminuan fizikisht, duke i dhënë atyre mundësi që të rigrupoheshin.

Operacioni gjerman arriti një sërë suksesesh të përkohshme, sidomos në uljen e aftësisë luftarake të forcave të UNÇSH në ato krahina, por nuk arriti objektivat e saj kryesore. Nuk u arrit as asgjësimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, i cili edhe pse në rrethim arriti të mbante lidhjet dhe të drejtonte njësitë e ushtrisë dhe shtabet e qarqeve, as forca e gjallë të brigadave, të cilat, pas operacionit u rigrupuan dhe vazhduan aktivitetin politik e luftarak.

Brigada III Sulmuese pësoi dëme të mëdha por i mbijetoi sulmit e plotë. Ndërsa Brigada II Sulmuese mbijetoi vetëm në formën e një bërthame vogël, e cila pa pushuar veprimtarinë luftarake, arriti të çajë rrethimin e të vazhdonte më tej përpjekjet për rimëkëmbje në jug të vendit.

Shtabi i përgjithshëm përpunoi planin e çarjes së rrethimit dhe kalimin në jug, ndërsa komiteti qarkor i Partisë në Elbasan përgatiti një radhë bazash zinxhir të fshehta e të sigurta, me udhërrëfyes besnikë, që nga Shmili i Çermenikës deri në Vërçë. Hartimi me mjeshtëri i planit, vendosmëria për zbatimin e tij, marrja e masave të forta të sigurimit, përkrahja dhe mbrojtja e popullsisë civile, bënë të mundur që edhe pse me vështirësi të mëdha, Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të dilte me sukses nga rrethimi  dhe të vendosej në qarkun e Korçës, ku kishte mundësi më të mira për të drejtuar Luftën dhe UNÇSH-në.

Ky nuk qe fati i Gjeneralit Davis, i cili humbi besimin tek aftësia drejtuese e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe u shkëput prej tij në kulmin e aktivitetit gjerman me qëllim që kalonte në Mat dhe të takohej me misionet e tjera angleze që ndodheshin pranë forcave të Legalitetit. Sipas Gjeneralit Davis lufta ishte e humbur dhe UNÇSH e shpartalluar. Ai i tha Enver Hoxhës se nuk kishte më asnjë kuptim që të vazhdonin luftën. Misioni britanik, i cili shoqërohej nga Baba Faja Martaneshi dhe luftëtarët e tij, ra në përpjekje me forcat balliste të Aziz Biçakut, të shoqëruara nga një kompani gjermane. Gjenerali u plagos, u kap rob nga ballistët (bashkë me dy oficerë të tjerë britanikë) dhe iu dorëzua gjermanëve. Pjesën e mbetur të luftës ai e kaloi si rob. Gjenerali ia kaloi komandën një oficeri tjetër britanik, Kolonelit Nichols, i cili gjithashtu ishte plagosur dhe vdiq më pas nga plagët e rënda.

Operacioni "Rotter Man" në Mallakastër

Aktiviteti i lartë i forcave të UNCSH-së për thyerjen e operacioneve armike, ishte një tipar i rëndësishëm, që shprehej në gërshetimin e luftimeve mbrojtëse me kundërsulme, sulme të befasishme e kundërgoditje të fuqishme. Për të evidentuar këtë tipar po analizojmë shkurtimisht luftimet në zonën Berat-Vlorë-Tepelenë. Operacionet në këtë zonë, gjatë fazës së parë, komanda gjermane i kreu me qëllim që të ngushtonte zonat e operacioneve të ardhshme dhe të zinte baza nisjeje të përshtatshme, sidomos duke u përforcuar në bregun verior të Vjosës dhe duke vënë nën kontroll rrugët Berat-Këlcyrë-Përmet. Rezultatet që arritën në operacionin “Roter Mann”* dhe me veprimet në Mallakastër gjatë muajit nëntor u dhanë mundësi armiqve të pushtonin Beratin dhe hapësirën Berat-Këlcyrë-Fier.

* Njeriu i kuq

Për të ulur efektin e këtyre rezultateve dhe për të dëmtuar e çorganizuar armiqtë, para se të kalonin në operacione më të mëdha, formacionet partizane të UNÇSH-së, që vepronin në Shqipërinë e Jugut, ka-luan në veprime të dendura sulmuese. Një ndër veprimet sulmuese më të goditura është kundërgoditja e Dishnicës (skëma nr. 24) e organizuar me urdhër të Shtabit të Zonës I Operative. Për marrjen e një vendimi të tillë u mbajtën parasysh mjaft faktorë. Në pellgun e Këlcyrës ishin grumbulluar rreth 2500-3000 forca balliste, të vendosura në pika kyçe ti fortifikuara gjatë rrugës Tepelenë - Këlcyrë dhe Përmet-Qafa e Kicokut - Gllavë. Ato kishin marrë detyrë të mbanin të lirë rrugën Berat-Përmet.

Asgjësimi i tyre do të ndihmonte njësitë e UNÇSH-së të mbanin nën kontroll këtë rrugë e cila krijonte kushte që të goditeshin në krahë e në shpinë forcat gjermane e të rriteshin mundësitë e manovrimit të forcave të Zonës I Operative. Ky  do të ndihmonte veçanërisht Grupin III të Mallakastrës, i cili nën trysninë e armikut ishte ngjeshur në rajonin e malit të Shëndëlliut e të Trebeshinës, që të hidhej në mësymje për çlirimin e Mallakastrës.  Rëndësia e detyrave të mësipërme, numri i forcave pjesëmarrëse, shtrirja në sipërfaqe e veprimeve luftarake dhe kohëzgjatja, janë nga treguesit kryesorë që u dhanë veprimeve sulmuese në pellgun e Dishnicës përmasat e një kundërgoditjeje.

Sipas idesë së operacionit, forcat kryesore do asgjësonin armikun në pikëmbështetjet në lindje të rrugës Kuqar-Këlcyrë-Qafa e Kiçokut dhe mandej të zhvillonin mësymjen në drejtimet Këlcyrë-Sukë dhe Qafa e Kicokut. Me forcat e tjera të mbahej nën goditje rruga Këlcyrë-Dragot dhe të  mbylleshin drejtimet e mundshme të tërheqjes së forcave armike nga Bubësi, Arrza e kurrizi i Trebeshinës. Objektet kyçe ishin Këlcyra, Dragoti dhe Qafa e Kiçokut. Me marrjen e këtyre objekteve, mësymja do të zhvillohej drejtqendrore gjatë boshtit Këlcyrë-Qafa e Kiçokut, për asgjësimin e forcave armike në pellgun e Dishnicës.

Për kryerjen e kundërgoditjes u caktuan tri grupe të Zones I (I, IV,V), një batalion i Brigadës 1 Sulmuese, forca të qarkut të Beratit dhe forca territoriale, të cilëve iu vunë këto detyra: Grupi I, IV, V, pasi të zinin fshatrat Pacomit, Semiçan, Bënjë, Topojan, Zhepovë e Vinokash, asvijonin mësymjen në drejtimet: Grupi 1, Pacomit-Kuqar-Këlcyrë; Grupi 4, Topojan-Sukë; Grupi 5, Kajcië-Ballaban-Qafa e Kiçokut- Çeta “Koto Hoxhi» e Grupi 4, në bashkëveprim me forcat vullnetare të Zagorisë dhe të Kardhiqit, do të vendoseshin në lartësitë nga Brezhani e deri në Dragot, për të ndaluar forcat armike që mund të dilnin në atë drejtim. Forcat nga qarku i Beratit do të vepronin në sektorin Toshkëz, Bubës, Anëz, për të mos lejuar daljen nga rrethimi të forcave armike, në bashkëveprim me Grupin 5 të asgjësonin  armikun në pikëmbështetjen në Qafën e Kiçokut dhe, me shpartallimin e saj, të vijohej mësymja në drejtimin Mazhanj - Psar. Batalioni i Brigades 1 në bashkëveprim me forcat e batalionit  “Baba Abaz” të Grupit V dhe të batalionit “Ismail Klosi” të Grupit III pasi të asgjësonin armikun në pikëmbështetjen e fortifikuar te ura e Dragotit, të lëvizte gjatë grykës së Mezhgoranit për në Arrëz dhe duke bashkërenduar veprimet me forcat e qarkut të Beratit, të mos lejonin forcat armike të dilnin nga kurrizi i Trebeshinës."

Mësymja ishte planëzuar të fillonte në një kohë, më 25.11.1943, në të gjitha drejtimet. Por kjo kërkesë, me përjashtim të batalionit të Brigadës I dhe të batalioneve “Baba Abaz” e “Ismail Klosi” nuk u arrit dot,sepse forcat e qarkut të Beratit hynë në veprim disa ditë më vonë, kurse grupet e Zones 1 i zunë pozicionet e nisjes një ditë më vonë.

Urën e Dragotit, që ishte e vetmja pike kalimi në veri të Vjosës, armiqtë e kishin kthyer në një pikëmbështetje të fortifikuar. Një qendër zjarri ë fortifikuar, e vendosur në skajin verior të saj, mbulonte me zjarr të dendur urën në të gjithë gjatësinë. Në dy krahët e qendrës së zjarrit ishin vendosur rreth 50  Ne këto kushte sulmi përballë nuk mundtë kishte sukses, prandaj ura u mor vetëm me veprimin e befasishëm të një grupi sulmi, I cili për afrim shfrytëzoi errësirën e natës dhe kohën

e keqe. Shkatërrimi i pikëmbështetjes në Dragot u dha mundësi forcave partizane që, duke lëvizur me shpejtësi gjate grykës së Mezhgoranit, të realizonin një shpinëmarrje të thellë e ta goditnin armikun në piken e tij me nevralgjike, në Qafën e Kiçokut. Forcat e batalionit të Brigadës I,duke gërshetuar me mjeshtëri sulmin me mashtrimin dhe me kundërsulmet e befasishme, e shpartalluan armikun edhe në Qafën e Kiçokut, të vetmen pikë në të cilën armiqtë mbështetnin tërheqjen e tyre. Ndërkohë kishin zhvilluar me sukses mësymjen edhe forcat e tri grupeve të Zonës I Operative. Pasi lanë pikëmbështetjet e përparuara, ai atë të Prishtës, Topojanit, Bënjës, Semiçanit etj., ballistet kërkuan me ngut ndihmën e gjermanëve, të cilët vunë në mbështetje të tyre dy grupe artilerie dhe një togë tankesh. Por nën trysninë e fuqishme nga shumë drejtime të forcave partizane mbrojtja e tyre u shthur. Armiqtë tërhiqeshin me shpejtësi edhe nga pikëmbështetjet e tjera si nga Kuqari, nga Këlcyra dhe nga Suka drejt Beratit. Zënia e Qafës se Kiçokut nga forcat partizane e shndërroi tërheqjen e tyre ne një pështjellim të plotë.

Të shqetësuar për suksesin që arritën forcat e UNÇSH-së, gjermanët,bashkë me ballistët, pas 3 - 4 ditësh, ndërmorën operacionin e kufizuar “Otto”*, por nuk arritën objektivat e tyre. Pas përfundimit të këtij operacioni, forcat e UNÇSH-së spastruan brenda dy ditësh krahinën e Dishnicës, zhvilluan më tej suksesin në drejtim të rrugës Kiçok - Berat dhe e liruan Mallakastrën.

*Emër i përvetshëm, si p.sh. Otto Von Bismarck.

Kundërgoditja e Dishnicës ishte një grusht i rëndë për gjermanët. Ata humbën kontrollin e rrugës Berat-Këlcyrë dhe bazën e Këlcyrës, qe përbënte një rajon kyç për operacionet e ardhshme. Edhe ballistët morën një goditje të fortë. Ata patën rreth 40-të vrarë, iu zunë më shumë se 200 robër dhe qindra të tjerë braktisen bandat.

Kundërgoditja e Dishnicës tregoi për mundësitë që kishin formacionet e UNÇSH-së për të kryer një operacion me karakter mësymës edhe kur pushtuesi ishte hedhur në mësymje të përgjithshme. Për herë të parë aty u përqendruan, për një operacion mësymës, rreth 1700 luftëtarë, përveç forcave vullnetare territoriale. Forcën kryesore goditëse e përbënin grupet e Zonës I Operative, të cilat me rreth 1500 luftëtarë, u përhapën në një front rreth 22-24 km. Çdo grup mësynte në 7-8 km front. Karakteristike është se rendimi i luftimit ishte me kolona batalionesh, të cilat hapeshin në vijë dhe sipas terrenit, vetëm kur i afroheshin pikëmbështetjes ose përqendrimit armik. Ky rendim lejoi afrimin e shpejte, përqendrimin e forcave në drejtimet më të rëndësishme dhe goditje të befasishme krahë e shpinëmarrëse.

Bashkëveprimi i parashikuar në planin e operacionit edhe për mungesë përvoje pati zbrazëti, sidomos me forcat e qarkut të Beratit. Si rrjedhim rruga e tërheqjes për në Berat nga ana e Bubësit mbeti hapur. 

Operacioni "Bergkessel" në Mesaplik

Veprimtaria e lartë doli në pah sidomos gjatë veprimeve luftarake në krahinën e Mesaplikut për thyerjen e operacionit armik “Bergkessel”*. Forcat e UNÇSH-së, në luginën e Shushicës, nga fundi i nëntorit të vitit 1943 përbeheshin nga pesë batalione të Zonës I Operative dhe tre batalione të Brigadës I Sulmuese me rreth 1500 veta (skema nr. 25). Kundër këtyre forcave komanda gjermane përdori Regjimentin 54 të Divizionit 100, të përforcuar me artileri, me rreth 3500 veta, nga të cilët afro 1500 ballistë.

 * Kazan malor

Armiqtë mësynin në mënyrë drejt qendrore nga tri drejtime: Vajzë--Velçë-Vranisht; Qafa e Dushkut-Gjorm-Brataj-Vranisht; Dukat-Qafa e Shëngjergjit-Tërbaç-Vranisht. Me vonë ata kaluan në mësymje edhe nga drejtimi i Borshit, që mbyllte unazën e goditjeve drejt qendrore. Ideja e armikut ishte që t’i rrethonte forcat partizane në brendësi të Mesaplikut,të qarkuar me male dhe mandej t’i asgjësonte. Goditjen kryesore e jepte nga Vajza në Velçë dhe gjatë rrugës automobilistike.

Komanda operative, e krijuar me përfaqësues nga komanda e Zonës I dhe e Brigadës I Sulmuese, i ndau forcat sipas drejtimeve nga priteshin goditjet e armikut: pesë batalione në sektorin Vajzë, Velçë, Gjorm; dy batalione në Tërbaç, Qafa e Shëngjergjit dhe një batalion: Çorraj, Fterrë. Forcat morën për detyrë që, duke u mbështetur në lartësitë zotëruese,me zjarr dhe kundërsulme, të dëmtonin sa me shumë armikun dhe mandej, me luftime nga vija në vijë, nëpërmjet përdorimit të një taktike të zhdërvjellët, të manovronin në krahë dhe në shpinë të kolonave të tij duke e detyruar atë të largohej.

Luftimet në Mesaplik i pasuruan më tej metodat e veprimeve luftarake për thyerjen e operacioneve mësymëse të armikut. Një mjet tepër frytdhënës për të çorganizuar mësymjen e tij ishin sulmet e befasishme që ndërmorën forcat e UNÇSH-së gjatë ditëve që armiku po afronte repartet e tij për të zënë bazën e nisjes për mësymje, të cilat e shtrënguan komandën gjermane ta shtynte fillimin e operacionit për dy ditë. Tipar dallues i luftimeve u be qëndrueshmëria e lartë, e ndërthurur me kundërsulmet e shpeshta. “Gjatë gjithë ditës 15 dhjetor, - shkruante Shtabi Operativ, - vazhduan sulmet e armikut dhe kundërsulmet tona. Armiku sulmoi me se 15 herë, por gjithë tentativat e tij dështuan.”* Ndërkohë edhe komanda gjermane raportonte se në Qafën e Shëngjergjit dhe në rajonin e Vajzës ka ndeshur në “forca të fuqishme  armike” që “bëjnë rezistencë të fortë.”** Kundërsulmet që fillonin pasi armiqtë ishin çorientuar nga zjarri i dendur e i hapur në largësi të afërta, ishte metoda për t’i marrë kundërshtarit nismën taktike.

*AQP. “Komunikatë e Shtabit Operativ të Z10 dhe të Br1S», 3 janar  1944.
**“Dokumente gjermane” T-318-480, 908, dt.16.12.1943.

Megjithëse u shfrytëzuan plotësisht epërsitë e pozicioneve zotëruese, forcat partizane nuk u angazhuan në një luftë ballore. Kur gjermanët u pykëzuan thellë rrugës automobilistike dhe arritën në Brataj, çka rrezikonte krahëmarrjen dhe rrethimin e forcave tona të vendosura në rajonin Vajzë -Velçë, ato u zhvendosën në pozicione të reja, në gjysmëharkun Bolenë, Vranisht, Qafa e Shëngjergjit. Një manovër të thelle bënë në edhe dy batalionet e Zonës I të vendosura në Qafën e Shëngjergjit, të cilat rrezikoheshin të mbeteshin të shkëputura nga forcat e tjera. Dërgimi i këtyre batalioneve në Çorraj e Fterrë ndikoi për shtimin e forcave që vepronin në atë rajon dhe të mundur të përballoheshin me sukses goditjet e reja që ndërmorën armiqtë nga drejtimi i Borshit e të sigurohej shpina e forcave kryesore. Manovrime të tilla, në hapësira të gjera, të gërshetuara me luftime të ashpra nga pritat, me sulme të befasishme e kundërsulme të rrufeshme, i hutuan e i rraskapitën forcat gjermane, të cilët edhe zjarrin e artilerisë e përdornin tani pa kriter duke qëlluar më tepër në vende pa forca. Armiqtë në Mesaplik pësuan disfatë të plotë. Ata nuk arritën asnjë nga objektivat e tyre dhe u detyruan të tërhiqeshin për në Vlorë të ndjekur nga forcat partizane.

Faza e dytë (janar-shkurt, 1944) 

Gjatë fazës së dytë, komanda gjermane gjykonte se në tërësi ishin krijuar mundësitë për t’u hedhur në operacione vendimtare në Shqipërinë e Jugut, ku ishin përqendruar dhe vepronin forcat më të shumta të UNÇSH-së. Për këtë qellim ajo ndërmori dy operacione të mëdha operacionin “Seydlitz* në zonën Korçë-Berat dhe atë “Horridoh** në zonën Vlorë - Gjirokastër.

* Friedrich Wilhelm Freiherr von Seydlitz ishte një ndër gjeneralët më të famshëm të Prusisë.
** Thirrje për të nxjerrë gjahun nga strofka

Para se të fillonte operacionin “Seydlitz”, komanda gjermane ndërmori një varg veprimesh luftarake për t'i ngjeshur forcat partizane në rajonet e ashpra malore midis lumenjve Devoll e Osum dhe malit të Tomorit. Me këto veprime, nga ana verilindore armiqtë arritën të depërtonin thellë në drejtim të Gramshit e të Vërçës, pushtuan Mokrën dhe Gorën në krahun e djathtë të lumit Devoll. Në anën juglindore pushtuan pjesën më të madhe të Kolonjës. Megjithatë, forcat e Vermahtit nuk e kishin ngushtuar zonën e veprimit të partizanëve në përmasat që dëshironin, dhe nuk arritën të dalin në bregun jugperëndimor të lumit Osum. Zotërimi i Përmetit, i Dangëllisë e i Dishnicës nga repartet e njësitë e UNÇSH-së, siguronte krahët e forcave partizane të qarkut të Korçës e të Beratit dhe u krijonte atyre mundësi manovrimi. Për rrjedhojë komanda gjermane nuk arriti atë çka kishte siguruar me operacionet në Shqipërinë e mesme, rrethimin operativ të zonës.

Skema e veprimeve luftarake gjatë operacionit "Seydlitz".

Operacioni "Seydlitz" në krahinën e Oparit

Në operacionin “Seydlitz” pushtuesit hodhën pesë batalione të Divizionit 100 dhe të Divizionit I malor me një efektiv prej më shumë se 5000 veta. Në të morën pjesë edhe afro 3500 ballistë. Në idenë e komandës gjermane si objekt i goditjeve drejtqëndrore parashikohej Opari. Për rrjedhojë edhe drejtimet e goditjes të grupeve luftarake ishin  Berat - Çorovodë - Potom - Opar;  Gramsh - Luginë e Tomoricës - Opar; Korçë - Vithkuq - Opar; Korçë - Voskopojë - Opar dhe Korçë - Maliq - Lugina e Devollit - Opar. Goditjen kryesore komanda gjermane e jepte nga Korça, ku vepronte me tre grupe luftarake. Forcat balliste morën detyrën të bllokonin hapësirat ndërmjet kolonave gjermane dhe të zinin territoret që përshkonin ato.

Për të arritur befasinë operative dhe për të dalë në rajonin e Oparit, përafërsisht në të njëjtën kohë, grupet luftarake, që u nisën nga Berati dhe Elbasani, e filluan lëvizjen 3 - 4 ditë më shpejt se grupet e drejtimit të Korçës, duke u përpjekur të krijonin përshtypjen se veprimet e tyre kishin karakterin e operacioneve lokale. Po për këtë qëllim trupat e Divizionit 100 u sollën në Korçë vetëm një ditë më parë.

Në zonën e operacionit vepronin tre grupe dhe batalioni “Margarita Tutulani” të qarkut të Beratit, pesë batalione të qarkut të Korçës dhe Brigada IV Sulmuese me një efektiv rreth 2000 luftëtarë

Në gjendjen e krijuar, komanda e Brigadës IV Sulmuese, brenda një dite rigrupoi batalionet nga rajoni i Shëmbërdhenjit në Opar dhe u caktoi detyrën të mbronin drejtimet; Batalioni II, Vithkuq - Shtyllë; Batalioni I e IV, Dërsnik - Gjergjevicë; Batalioni III, Lozhan - Osojë. Batalioni “Skënder Caci”, që ndodhej në krahinën e Oparit, mori detyrën që, në bashkëveprim me Batalionin III, të mbulonte drejtimin Lozhan - Gjinikas. Batalioni “Tomorri”, që ndodhej në Qafën e Dardhës (Tomoricë), mori urdhër të vinte në krahinën e Oparit. Batalioni “Hakmarrja”, që vepronte në krahinën e Kolonjës, mori detyrën t’i pengonte përpjekjet e armiqve për të dalë në Dangëlli e për t’u marrë krahët forcave tona.

Forcat e qarkut të Beratit, të ndodhura përballë goditjes fillestare, u ndeshën me armiqtë në rajonet e tyre të vendosjes, pa pasur kohë të zinin pozita më të përshtatshme. Gjatë 3 - 4 ditëve të para, me gjithë qëndresën e forcave partizane në disa pika, si në Dobrushë, në Qafën e Devrisë, në Gjerbës etj., grupet luftarake të armikut, që mësynin nga Berati dhe Gramshi, mundën të përparonin në thellësi, të pushtonin pjesën më të madhe të Tomoricës dhe të ngushtonin shumë zonën e operacionit, duke i ngjeshur forcat e Grupit I në Mazrekë të Oparit, ndërsa Grupi II manovroi në drejtim të Çorovodës. 

Por armiqtë s’patën sukses në përpjekjet e tyre për të realizuar me një pjesë forcash manovër të thellë krahë e shpinëmarrëse në drejtimin Vokopolë - Vendreshë. Batalioni  “Riza Cerova”, që vepronte në këtë drejtim, në bashkëveprim edhe me një pjesë forcash të Brigadës I dhe VI Sulmuese të Zonës I Operative, jo vetëm e thyen mësymjen, por me kundërsulme të fuqishme e detyruan armikun të tërhiqej me humbje, duke e mbajtur gjithnjë të lirë sektorin nga Gllava në Përmet e tej. 

Veprimet luftarake kishin filluar edhe në qarkun e Korçës. Për tre ditë rresht (9 - 11 janar) u zhvilluan luftime të ashpra në shumë pika, si në Shtyllë, Gjonomadh, Lavdar të Korçës, Shipskë, Krushovë, në malin e Bodesë, në Osojë etj. Duke gërshetuar luftimet mbrojtëse me sulmet e kundërsulmet, forcat e Brigadës IV Sulmuese dhe të qarkut të Korçës kishin mundur të ngadalësonin vrullin e mësymjes armike dhe në disa drejtime, edhe ta thyenin atë. 

Vijimi i mësymjes drejtqendrore i armikut rrezikonte rrethimin taktik të forcave partizane në zonën e Oparit. Për të përballuar gjendjen e krijuar, në bazë të një analize të thellë, përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm, Haxhi Lleshi e Ramadan Çitaku me shtabin e Brigadiës IV dhe atë të qarkut të Korçës, vendosën të nxirrnin me shpejtësi forcat nga rajoni i Oparit në drejtimin Qafa e Beçit - Faqekuq - Potom, para se armiqtë të mbyllnin plotësisht unazën e rrethimit (skema nr. 26). 

Gjatë shqyrtimit të gjendjes, u diskutua ndarja e forcave në grupe të vogla, të cilat të dilnin e të manovronin në rajone të caktuara, derisa të krijoheshin kushtet për t’u bashkuar përsëri, por u vendos që dalja nga rrethimi të bëhej me njësi të plota. 

Për të zënë Qafën e Beçit, që ishte pika kyçe e kalimit të forcave, u caktuan dy batalione: njëri duhej të mbante nën trysni armiqtë dhe t'i mashtronte për qëllimin e tërheqjes së forcave tona, mandej të shkëpuste takimin dhe të futej në kolonën e brigadës, kurse tjetri, në pararojë, të siguronte tërheqjen e plotë. Në plan parashikohej që dalja nga rrethimi të bëhej sa më shpejt. Për këtë, në rajonin e parë të përqendrimit (Tudas - Lavdar) forcat qëndruan për një kohë të shkurtër, sa për të organizuar marshimin. Për çlodhjen dhe furnizimin pas luftimeve disa ditore, u caktua një rajon tjetër përqendrimi në pyllin e Qafës së Beçit. 

Gjatë natës 12-13 janar (brenda 14 orëve) kolona, me rreth 3000 veta (ndër ta edhe civilë), me gjatësi 2,5-3 km, përshkoi për 14 orë, natën, një rrugë prej rreth 30 km, e cila kalonte nëpër lartësi malore të ngarkuara me borë, nga Qafa e Beçit deri në Gjergjovë të Skraparit. Vendosmëria dhe shpirti i sakrificës, drejtimi i shëndoshë, masat e sigurimit, shpejtësia në veprime, rregulli dhe disiplina, ishin ndër faktorët kryesorë që siguruan zbatimin me sukses të planit për nxjerrjen forcave partizane nga rrethimi.

Sipas burimeve shqiptare, gjatë operacionit forcat e Vermahtit lanë rreth 250 të vrarë e të plagosur. Pasi shpartalluan forcat e pakta gjermano-balliste në fshatrat e Skraparit lindor, pak ditë më vonë forcat partizane ti Brigadës IV e të qarkut të Korçës hynë përsëri në Opar kaluan në kundërsulm.

Operacioni "Horridoh" në zonën Gjirokastër-Vlorë

Në qarqet e Gjirokastrës e te Vlorës vepronin grupet e Zonës I Operative me një efektiv rreth 4500 veta dhe tri brigada sulmuese (I, V, VI). Këto forca kishin në zotërim të gjitha krahinat malore të zonës dhe me anë të sulmeve e goditjeve mbanin nën kontroll rrugët me rëndësi strategjike Vlorë - Tepelenë - Përmet - Janinë dhe Vlorë - Himarë - Sarandë - Gumenicë, duke penguar Iidhjen dhe bashkëveprimin ndërmjet Korpuseve XXI dhe XXII të Vermahtit. Për asgjësimin e këtyre forcave komanda gjermane përgatiti planin e operacionit “Horridoh”. Vështirësia që ndiente për të siguruar epërsinë e nevojshme dhe përmasat e mëdha të zonës, e detyruan armikun që operacionin ta planëzonte në tri faza. Faza e pare do të zhvillohej në zonën Tepelenë - Këlcyrë; faza e dytë në zonën Pogon - Lunxhëri - Zagori - Përmet; dhe faza e tretë në zonën Mesaplik - Salari - Kurvelesh - bregdet. Sipas komandës gjermane, ky operacion ishte me i rëndësishmi për shkatërrimin e UNÇSH-së. 

Faza e parë

Gjatë fazës së parë, krahas rigrupimit të forcave, komanda gjermane ndërmori disa veprime luftarake për të përmirësuar pozitat e për të zënë bazën e nisjes për mësymje në rajonin e Këlcyrës. Nga Vlora drejt Vajzës nisi Batalionin III të Regjimentit 54, nga Patosi e Berati drejt Këlcyrës Batalionin II të Regjimentit 227, dhe nga Çorovoda drejt Këlcyrës Batalionin I të Regjimentit 54, që po kthehej nga operacioni “Seydlitz”. Në të tria drejtimet njësitë gjermane ndeshën në qëndresën e forcave partizane. “Trupa të forta të armikut - theksohet në dokumentet gjermane, - bëjnë rezistencë kokëfortë ndaj III/54 të aksionit “Horridoh” në krahinën Vajzë dhe ndaj I/54 në krahinën e Çorovodës.”*

* “Dokumente gjermane” f. 314-662, 000586, dt. 22.1.1944

Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në Tendën e Qypit nga forcat e Grupit të III të Skraparit kundër Batalionit I të Regjimentit 54 gjuajtës, që kthehej nga operacioni “Seydlitz”. Më vonë ecuria e luftimeve u përcaktua nga shpejtësia ndërmjet forcave gjermane dhe Batalionit III të Brigadës I Sulmuese, që arriti në rajonin e veprimeve luftarake. Kapja në të njëjtën kohë nga të dyja palët e lartësisë më të madhe të Tendës së Qypit i hapi rrugë një dyluftimi të rreptë deri trup me trup. Me ardhjen edhe të Batalionit I të Brigadës I Sulmuese gjendja u kthye tërësisht në dobinë e partizanëve. Gjermanët u thyen dhe u tërhoqën për Çorovodë. Në Tendën e Qypit forca goditëse partizane erdhi në rritje nëpërmjet futjes në luftim të forcave të reja, çka tregoi rëndësinë e mbajtjes së rezervës dhe të futjes së saj me shpejtësi në luftim në rrethana vendimtare.

Luftimet e suksesshme të zhvilluara në të tria drejtimet vonuan rigrupimin e forcave gjermane për 5-6 ditë. Kjo lehtësoi organizimin e Brigadës VI Sulmuese, e cila mbulonte drejtimin Këlcyrë - Përmet - Ura e Peratit dhe u hoqi gjermanëve mundësinë për të mbyllur rrethimin e zonës.

Faza e dytë

Në zonën Pogon - Lunxhëri - Zagori - Përmet (skema nr. 27) gjermanët hodhën gjashtë batalione të Divizionit I malor, të Divizionit “Steirer” të Korpusit XXII dhe të Divizionit 100 të Korpusit XXI me rreth 6000 veta dhe rreth 1500 ballistë. Me këto forca u krijuan katër grupe luftimi: “Qendror”, “Perëndimor”, “Verior” e “Lindor”. Armiku parashikonte: me grupet “Verior” e “Lindor” të mësynte nga Këlcyra dhe ura e Peratit drejt Përmetit dhe të bllokonte luginën e Vjosës në vijën Tepelenë - Këlcyrë - Përmet - ura e Peratit; me grupet “Qëndror” e “Perëndimor” të mësynte në drejtimet Stavroskiadi - Sopik - Poliçan dhe Gjirokastër - Gryka e Selckës, t’i ngjishte forcat partizane në luginën e Zagorisë ose në bregun jugor të Vjosës dhe mandej t’i asgjësonte. Komanda gjermane, duke shfrytëzuar karakteristikat e terrenit, zgjodhi “metodën e fshirjes”.

Midis lumenjve Vjosë e Drinos ndodheshin forcat e Brigadës VI, dy batalione (II e V) të Brigadës I Sulmuese dhe Batalioni “Misto Mame” me rreth 1500 veta, si dhe forcat territoriale të krahinës. Në Sheper të Zagorisë ndodheshin edhe spitalet partizane, bazat e furnizimit dhe punëtoritë e Zonës I Operative.

Bazën e vendimit të komandës së Brigadës VI për përballimin e operacionit armik e përbente mbrojtja e përkohshme e Përmetit deri në zhvendosjen e forcave partizane, të spitaleve e të materialeve nga Zagoria në krahinën e Frashërit. Për këtë, komanda e Brigadës, Batalionet I e II i vendosi gjatë pjerrësive verilindore të rrugës Këlcyrë - Përmet, një pjesë forcash të Batalionit III në jug të Kelcyrës, në pjerrtësitë e Brezhdanit. Batalionin IV në vijën Petran - Mali i Bardhë. Gjithashtu, ishin marrë masa për të bllokuar hyrjet në krahinën e Pogonit e të Zagorisë për të dëmtuar e për të vonuar depërtimin e kolonave armike në brendësi të tyre. Drejtimin e Sopikut e mbulonte Batalioni i V i Brigadës I Sulmuese, në drejtim të grykës së Selckës ishte vendosur Batalioni II i Brigadës I Sulmuese dhe forca të batalionit “Misto Mame”, ndërsa për të mbuluar hyrjen në luginën e Zagorisë nga veriu u vendosën në Peshtan forca të Batalionit III të Brigadës VI Sulmuese. Spitalet dhe bazat e furnizimit morën detyrë të lëviznin në drejtimin Qafa e Dhëmbelit - Përmet - Frashër.

Tërheqin vëmendjen veprimet luftarake të zhvilluara në luginën e Përmetit, të cilat e pasuruan më tej përvojën e artit ushtarak për organizimin e mbrojtjes në shkallë brigade, sidomos për mbrojtjen e luginave të ngushta. Tre ditët e para batalionet e Brigadës VI, duke ndërthurur drejt mbrojtjen e pozicioneve me kundërsulmet, thyen sulmet e përsëritura të forcave të shumta armike që mësynin me mjete të blinduara e nën mbështetjen e fuqishme të artilerisë dhe të aviacionit. Mbrojtja e Përmetit u siguroi forcave partizane, që ndodheshin në luginën e Zagorisë, rrugët e lira për te dalë nga kurthi që po përpiqej të përgatiste armiku. “Këto përpjekje mbrojtje - i raportonte komanda e Brigadës VI Sulmuese Shtabit të Përgjithshëm, - u dhanë kohë forcave të Brigadës I Sulmuese dhe atyre të Brigadës VI Sulmuese, artilerisë së Brigadës I Sulmuese dhe spitaleve që të kalonin përtej Vjosës pa pësuar dëme.”*.

* AQU, Fondi i Brigadës VI Sulmuese.

Fillimisht brigada e ndërtoi rendimin e luftimit në një skalion, duke vendosur forcat kryesore (tre batalione) në anën veriore të Përmetit, ndërsa një batalion në anën jugore. Në rrjedhën e luftimeve komanda e Brigadës manovroi Batalionin III dhe e nxori në rezervë. Me ardhjen edhe të dy batalioneve të Brigadës I, gjatë boshtit Këlcyrë - Përmet - Petran, me gjatësi rreth 22 km, në mbrojtje kaluan pesë batalione, të cilët u vendosën në pozicione përgjatë lartësive në verilindje të rrugës. Ky organizim i mbrojtjes e detyroi armikun që të hiqte dorë nga krahëmarrja e të mësynte në një front të ngushtë, kryesisht gjatë rrugës, duke i vënë forcat e tij nën zjarrin anësor të forcave tona dhe dha mundësi për kundërsulme nga lart - poshtë dhe në krahë të formacionit armik. Karakteri aktiv i mbrojtjes, përdorimi i metodave të luftës partizane të gërshetuara edhe me elemente të luftës ballore, nguruan qëndrueshmërinë e lartë të saj deri në daljen e forcave të UNÇSH-së nga zona e operacionit armik. 

Faza e tretë

Për të filluar fazën e tretë të operacionit (skema nr. 28), komanda gjermane bëri rigrupim forcash. Në këtë fazë morën pjesë pesë batalione me rreth 5500 veta dhe më shumë se 1500 ballistë. Armiku kishte planëzuar që, duke mësyrë nga disa drejtime, të mblidhte forcat tona në krahinën malore të Kurveleshit të Sipërm (Nivicë, Gusmar, Progonat) dhe me goditje drejtqendrore t’i rrethonte dhe t’i asgjësonte. Drejtimet e mësymjes ishin nga Mavrova drejt luginës së Shushicës; Salari - Nivicë, Tepelenë - Progonat; ura e Kardhiqit - Golem. Operacioni do të fillonte me spastrimin e zonës së Mesaplikut, për t’i shtyrë forcat partizane në brendësi të Kurveleshit, prandaj edhe mësymja në këtë drejtim nisi pesë ditë më parë.

Në zonën e operacionit vepronin Brigada V Sulmuese, Grupi III dhe batalioni “Perlat Rexhepi” të Zonës I Operative me një efektiv rreth 1500 luftëtarë, si dhe tre batalione vullnetare territoriale. Forcat e Brigadës V Sulmuese ishin ndeshur me armikun që në fazën e dytë. Ky fakt dhe mbajtja nën zbulim e armikut bëri që komanda e Brigadës të vlerësonte drejt qëllimin dhe idenë e tij dhe t’u përcaktonte me kohë detyrat luftarake batalioneve.

Ajo i hapi forcat në disa drejtime. Dy batalione, së bashku me dy batalione territoriale, morën detyrë të mbronin luginën e Shushicës, që përbënte edhe drejtimin e goditjes kryesore të armikut, ndërsa tre batalionet e tjera do të vepronin në drejtimet e Salarisë, të Kardhiqit e të Bregdetit. Në këtë mënyrë Brigada u përhap në sipërfaqe 40 x 40 km, duke i pasur batalionet larg njëri – tjetrit 12 - 18km. Kjo u be me qëllim “... që forcat tona të mos përqendroheshin në krahinën më strategjike, në Mesaplik, për dy arsye, forcat e Brigadës të mos bëheshin objektiv për armikun, dhe armiku të pritej me luftë në çdo pikë që mendonte të na godiste.”*

* HYSNI KAPO, “Vepra të Zgjedhura”, vëll. I, Tiranë, 1980, f. 80

Meqenëse zbatimi i këtij vendimi krijonte edhe disa vështirësi për mbajtjen e drejtimit e të bashkëveprimit, komanda e brigadës, veç udhëzimeve qe u dha komandave batalioneve, dërgoi ne çdo drejtim edhe përfaqësues të vet.

Gjate ditëve të para, duke vepruar me forca të përqendruara, gjermanët përparuan në drejtimin e  fshatit Vajzë rreth 10 km, dhe në drejtimin Gjorm - Brataj - Vranisht rreth 14 km me një ritëm mesatar 2 - 3 km në ditë. Me 8 shkurt, pasi kishin realizuar rrethimin operativ të zonës, armiqtë kaluan në mësymje nga të gjitha hyrjet e shtigjet që të nxirrnin në Kurvelesh, si nga Vërniku, Vranishti, Borshi, Kolonja, Bënça dhe pas luftimesh të përgjakshme në një terren të ashpër malor e në kushte të rënda atmosferike, kolonat armike depërtuan në brendësi të zonës, duke rrezikuar rrethimin taktik të reparteve të veçanta. 

Në rrethanat e krijuara, dalja nga rrethimi mund të realizohej vetëm ne shkallë batalioni e kompanie, të cilët pjesërisht u detyruan të ndahen edhe në njësite të vogla. Komandat e batalioneve zbatuan me nismë udhëzimin e komandës së brigadës, sipas të cilit ata lejoheshin të jepnin urdhër për tërheqje në rast se situata paraqitej kritike. 

Ato i kushtuan kujdes të veçantë mbajtjes lart të moralit e të frymës luftarake në radhët e luftëtareve si kusht i domosdoshëm për të përballuar me sukses vështirësitë e mungesat. Njohja e mire e terrenit u dha mundësi komandave të batalioneve për të përcaktuar drejt drejtimet e daljes nga rrethimi, duke shfrytëzuar ato pak shtigje të fshehta e të vështira qe s’i kishin kapur dot armiqtë. 

Kështu, forcat partizane, edhe pse ne gjendje të rëndë, manovruan me shpejtësi e shkathtësi, gjetën çastin e përshtatshëm për të shkëputur takimin me armikun, lëvizën brenda zonës dhe dhanë ndërkohë edhe kundërsulme të befasishme. Manovrimi me nënreparte e njësitë të vogla natën, nëpër shtigje e vende të maskuara, ishte metoda me frytdhënëse në rrethanat e krijuara, e vetmja mënyrë që forcat nuk u dëmtuan. Në këtë mënyrë armiqtë s’mundën të realizonin objektivin kryesor, asgjësimin e forcave të rrethuara. 

Në përfundim të operacionit, komanda e Korpusit XXI raportonte se: “lugina e sipërme e Shushicës, ashtu sikurse më parë, mbetet një rajon i forte komunist”*. Kjo e detyroi komandën gjermane të ndërmerrte operacionin plotësues “Und dennoch**” ku përsëri nuk mundi t’i shkaktonin brigadës humbje të ndjeshme. Humbjet e saj arrinin rreth 48 të vrarë e të vdekur nga të ftohtit, 15 të plagosur, rreth 15 të shkëputur e të zënë rob dhe një numër shokësh të plagosur e të sëmurë. Në humbjet e mësipërme ndikoi edhe mungesa e përvojës së komandave të batalioneve për të ruajtur vijimësinë e veprimeve luftarake pas daljes nga rrethimi në kushtet kur armiku u hodh menjëherë në një operacion të ri. 

Pavarësisht nga situata e rëndë dhe humbjet, në sajë të përpjekjeve dhe të aftësisë drejtuese të komandës se brigadës, u bë e mundur që edhe në rrethanat e një aktiviteti të kufizuar luftarak, të mos mungojnin sulmet në krahë e në shpinë të kolonave armike. Shpejt brigada e rifitoi plotësisht aftësinë dhe gatishmërinë e saj luftarake, dhe sapo gjermanët u larguan nga Mesapliku, ajo në bashkëveprim me reparte të Zonës I Operative dhe forcat territoriale, u hodh në kundërmësymje e brenda pak ditëve çliroi plotësisht krahinën.

* "Dokumente gjermane", Komanda e Korpusit XXI, raport nr.1419, 5 shkurt 1944, f. 314 - 662.
** Gjermanisht - Dhe më pas.

Operacioni "Pik" (12-20 shkurt 1944)

më 12 shkurt 1944, Komanda Gjermane urdhëroi fillimin e operacioni “Pik”, operacion i ndërmarrë nga nazistët gjermanë kundër forcave partizane që vepronin në Malësinë e Gjakovës, që përfshinte zonën midis Gjakovës, Prizrenit, Kukësit dhe lumit Drin dhe që ishte kthyer në një ndër qendrat më të rëndësishme të rezistencës antifashiste në Shqipërinë e Veriut. 

Në këtë rajon vepronin batalioni “Bajram Curri”, batalioni “Perlat Rexhepi” që kishte ardhur nga rrethi i Shkodrës, duke krijuar një grupim të përbashkët luftarak me rreth 350 partizanë, si dhe dy batalione territoriale “Rinia” dhe ai i Krasniqes. 

Duke qenë një zonë e lirë, aty ishin vendosur Kryesia e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës, Kryesia e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Kosovës si dhe Shtabi i Ushtrisë Nacional Çlirimtare për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Në fund të dhjetorit 1943 dhe fillim të janarit 1944, në atë zonë, në shtëpinë e Bajraktarit të Krasniqes, Sali Mani, ishte mbajtur Konferenca Bujanit. Siç shkruan në librin e tij Fadil Hoxha në veten e parë (botim i v. 2010) “Konferenca e Bujanit i alarmoi fashistët dhe kuislingët në shërbim të tyre. Ata bënë përpjekje të rrepta për të sulmuar partizanët e Gjakovës, Shtabin Kryesor dhe Komitetin Krahinor të PK Kosovës e  të Rrafshin e Dukagjinit”

Në këtë periudhë partizanët kishin kryer disa aksione kundër forcave gjermane dhe bashkëpunëtorëve te tyre. Kështu ata kishin kryer atentat kundër bashkëpunëtorit të zellshëm të nazistëve, nënprefektit të Kosovës; kishin kryer disa aksione për të penguar nxjerrjen e kromit në minierat e Kam-Kepenekut, mineral tepër i rëndësishëm për makinerinë ushtarake gjermane; në bashkëpunim me çetën e Hasit kishin pushtuar Komunën e Bytyçit dhe përgatiteshin për të kryer edhe aksione tjera. 

Duke qenë se kishin krijuar shqetësime serioze në radhët e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duheshin marrë masa serioze për të shuar një herë e mirë lëvizjen e rezistencës në këtë zonë, sigurisht në kuadrin e Operacioni të Dimrit. Sipas raportimeve që i bënin Komandës Gjermane në Tiranë disa nga bashkëpunëtorët e tyre në Gjakovë dhe Malësinë e Gjakovës, “75 për qind e popullsisë së këtyre territoreve përkrahnin partizanët”. Kjo krahinë kishte edhe një rëndësi strategjike për ushtrinë gjermane pasi në këtë zonë kalonte rruga Shkodër-Kukës-Prizren që lidhte Shqipërinë me Kosovën.

Situata e krijuar kishte shqetësuar pushtuesit, gjë që shprehej shumë qartë në shkresën Nr. 12229/44 dt.22.1.1944 që shefi i Korparmatës i dërgonte Komandës së Divizionit 297 të Këmbësorisë, ku ndërmjet tjerave thuhej: “Në Shqipërinë e Veriut  është krijuar një qendër e re komuniste që sa vjen e rritet në rajonin Gjakovicë, me qendër në rrethin e Tropojës-Kolgecaj-Degë, me rreth 400 ushtarë. Masa e popullatës punon së bashku me bandat...”. Ndërsa në një raport të Xhandarmerisë së Kukësit dt.17 janar  thuhej: “Qendra e komunistëve asht shpërnda në Degë, pranë Krasniqes. Veprimi i komunistëve asht shumë i gjallë...atje janë gati disa çeta të armatosuna me një forcë prej tre batalionesh”. Ministri i Brendshëm Xhafer Deva, më dt.7.2.1944 raportonte në mbledhjen e qeverisë se: “Situata në malësinë e Gjakovës është keqësuar ditët e fundit nga veprimi bandave komuniste.....Ka perspektivë që kjo situatë të keqësohet për ditë e më tepër në qoftë se nuk merren masa radikale”.

Si një ushtri e disiplinuar dhe me përvojë të gjatë në luftë, Komanda Gjermane vendosi që para fillimit të operacionit të merrte  një seri masash për të njohur në hollësi terrenin e kësaj krahine, (krahas të tjerave u përdorën edhe avionë zbulimi që kryen disa fluturime mbi gjithë territorin), për vendndodhjen e partizanëve, numrin e tyre, armatimet, bazat e furnizimit  etj. Për këtë përdori dhe disa spiunë vendas.  Më datë 5 shkurt gjithçka ishte bërë gati për të filluar operacionin, por për arsye të kushteve atmosferike u vendos të shtyhej për datën 12 shkurt. Fillimisht kishte mendime që ky operacion të realizohej vetëm me forca shqiptare, të rekrutuara kryesisht në Kosovë, dhe në  Shqipërinë e Veriut, por mbas një analize të hollësishme të situatës Komanda Gjermane vendosi të përfshijë forca të mëdha, që sipas disa botimeve arrinin deri  në rreth 5000 vetë, nga të cilët rreth 2000 prej tyre ishin shqiptarë të rekrutuar kryesisht në Kosovë, por kishte edhe forca mercenare nga Gucia, Plava, Dukagjini, Puka, Kukësi etj. 

Plani i sulmit u përgatit nga strategë ushtarakë me përvojë në luftimet në zona malore. Operacioni u përgatit me aq kujdes e në fshehtësi, sa që forcat partizane u kapën në befasi të plotë. Duket e pabesueshme, por ata nuk morën asnjë të dhënë nga asnjë burim për planet gjermane. Nga analizat që bënin drejtuesit e njësive partizane, ata llogarisnin se kushtet tepër të rënda atmosferike, ku bora në disa vende ishte mbi një metër dhe të ftohtit ishte shumë gradë nën zero, e bënin të pa mundur ndërmarrjen e një operacioni të tillë.

Operacioni filloi më datë 12 shkurt 1944. Sipas planit, forcat gjermane dhe ato kolaboracioniste e rrethuan nga të gjitha anët territorin ku ndodheshin forcat partizane me qëllim që t’i fusnin në rrethim të plotë strategjik. Befasia operative i dha përparësi të jashtëzakonshme nazistëve. Edhe epërsia numerike, që shkonte gati në raportin një me dhjetë, ishte një faktor tjetër tepër i rëndësishëm për ta. Jo më pak i rëndësishëm ishte fakti që ata ishin të pajisur me të gjitha llojet e armëve më të mira të kohës për luftë në zona malore, dhe në kushte të një dimri shumë të egër, ishin të ushqyer mirë e të veshur me rroba të përshtatshme.

Ditën e parë nuk pati asnjë veprim luftarak.  Më datë 13 shkurt, katër kolona gjermane, në përbërje të cilave kishte dhe shqiptarë, filluan sulmet nga katër drejtime të ndryshme. Pavarësisht nga befasia, partizanët arritën të mobilizoheshin, të organizoheshin dhe të ndanin detyrat për të dalë nga rrethimi. Kështu batalioni “Bajram Curri” u ngarkua të përballonte grupimin armik që vinte nga Zogaj dhe të zinte pozicione në Shëngjergj-Rushtë (në anën e djathtë të Drinit), ndërsa batalioni “Perlat Rexhepi” të zinte pozicione në kodrat mbi lumin e Valbonës, për të ndalur përparimin e armikut drejt Tropojës. Ndërkohë u dha alarmi për të mbledhur e organizuar batalionin “Rinia”, që do të vepronte me batalionin”Perlat Rexhepi”.

I pari që u ndeshën me armiqtë më 14 shkurt ishte një pjesë e batalionit “Rinia”, midis Bujanit dhe Grisë, në bregun e djathtë të lumit Valbonë. Duke mos qenë në gjendje të përballonin presionin e madh të armikut, partizanët u tërhoqën në drejtim të Dukagjinit, bashkë me Shtabin Kryesor të Kosovës. Gjatë tërheqjes partizanët patën humbje të konsiderueshme.

Batalioni “Perlat Rexhepi” duke marshuar nga Dega në Gri u ndesh me armiqtë në Qafën e Gashit. Aty u zhvillua përleshje e ashpër ku mbetën të vrarë gjashtë partizanë, por si rezultat i presionit të madh armik batalioni u shpërnda në grupe të vogla dhe u strehuan në familjet patriote të Tropojës.

Ashtu siç kanë shkruar disa nga pjesëmarrësit e kësaj lufte, forcat partizane pësuan humbje të mëdha dhe njësitë luftarake dolën përkohësisht jashtë luftimit. Një pjesë shkoi në Kosovë. Shumë prej partizanëve, në grupe të vogla u strehuan në shtëpitë e malësorëve patriotë që ishin të gatshëm të sakrifikonin veten e familjet e tyre për të strehuar partizanët. Duhet shkruar me germa të arta akti e fisnikëria e tyre, që me gjithë kushtet tepër të vështira e terronin e jashtëzakonshëm, asnjë partizan nuk ju dorëzua armikut.

Ndonëse komanda gjermane mbylli “me sukses” Operacionin “PIK”,  ajo nuk arriti të asgjësonte forcën e gjallë të njësive partizane. Siç ndodhi në gjithë Shqipërinë, me ardhjen e pranverës, partizanët rigrupuan dhe u rreshtuan në batalionet “Bajram Curri”, “Perlat Rexhepi” e “Rinia” që u shtuan në numër, u organizuan dhe luftuan  deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Me përfundimin e operacionit “Pik”, më 20 shkurt 1944 komanda gjermane i dha fund vargut të operacioneve të zhvilluara në kuadrin e mësymjes së parë të përgjithshme të dimrit të viteve 1943-1944, pa arritur asnjë nga objektivat e saj kryesore.

Burime

Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ: 

Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.

Brigadë e lindur në stuhi. Jeta dhe veprimtaria e Brigadës II Sulmuese - Tiranë, 1973. (Shtëpia botuese e librit politik). Autorët: Irakli Bozo, Enver Begeja, Ernest Jakova, Gani Goxhi, Kozma Gjeçi. Skemat: Irakli Bozo, Ymer Preça.

700 ditë. Rrugë e lavdishme luftarake. Historiku i Brigadës III Sulmuese - Tiranë, 2004. Autorët: Shahin Ruka, Sofokli Afezolli, Fiqiri Vogli, Vasil E. Gjylameti, Mahmut Agolli, Thoma Frashëri, Ferit Këlliçi, dhe Zyhdi Rada. Skemat: Avni Hajro.

Në kujtim të  Luftës së Tropojës dhe Dëshmorëve të saj - Tiranë, 2023. Autor: Shaqir Vukaj

Lufta Nacional-Çlirimtare, Atlas - Tiranë, 1969. (NISH Mjete mësimore e sportive "Hamid Shijaku")