Partizanë të Brigadës VIII Sulmuese
Puna për krijimin e Brigadës VIII Sulmuese nisi që në dhjetëditëshin e parë të muajit mars 1944 ose dhe më parë, pasi në një letër pad datë të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dërguar Nako Spirut thuhej: “Kemi në plan të krijojmë Brigadës e VIII-të. …Sot, B. (Baca, pseudonim i Ramadan Çitakut) u nis për të marrë pjesë në inaugurimin e Brigadës VII-të që do të bëhet së shpejti me komandant Gjin Markun, komisar Kadri Hoxhën, zëvendëskomandant Neshat Hysi e zëvendëskomisar Adil Çarçanin…” ndërsa urdhri i Shtabit të Përgjithshëm për të vepruar praktikisht nga shtabi i Zonës I Operative u lëshua më 12 mars 1944. Në atë urdhër midis të tjerave thuhej: “...Për organizimin e Brigadës VIII-të duhet të filloni qysh tani përgatitjet. Mendojmë se vendi më i përshtatshëm është Zagoria. Atje të grumbullohen ushqime dhe bereqet për 15 ditë ushqim. Të caktohen për brigadën forcat më të mira. Mendoni për kuadrot e kësaj brigade dhe propozoni emrat e tyre. Popullarizoni në popull formimin e Brigadës së VIII-të dhe mbani fshehur vendin ku do të bëhet ky organizim…”*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm”, vëll.1. Urdhri nr. 111, datë 12 mars 1944.
Dhe për të saktësuar më tej urdhrin e 12 marsit, më 2 prill shtabi i Zonës I Operative udhëzohej: “Komisari i atij shtabi, shoku Qazim Kondi është caktuar për organizimin e reparteve që do të marrin pjesë në Brigadën e VIII-të. Ai duhet të kujdeset gjithashtu për armatimin e kësaj brigade, të grumbullojë ushqime në një zonë të përshtatshme ku do të bëhet inaugurimi i kësaj brigade.
Për të ndihmuar shokun Qazim Kondi, të thirren shokët Dervish Hekali nënkomandant i Brigadës VI-të, Asaf Dragoti, komisar i batalionit të III-të të Brigadës VI-të dhe Edip Çuçi, ekonom i atij shtabi.
Jemi të mendimit që Brigada e VIII-të të formohet prej këtyre reparteve. Një pjesë të merret nga batalioni “Çamëria”, një batalion të merret nga Vlora duke pasur brenda një pjesë të mirë të batalionit “Perlat Rexhepi”. Të merren dy kompani nga batalioni minoritar “Thanas Ziko”. Të merret krejt batalioni “Koto Hoxhi” dhe pjesa tjetër të plotësohet prej batalioneve që ai shtab ta shohë të arsyeshme. Duhet të kishin parasysh që brigada të ketë 700-800 partizanë.
Në këtë brigadë duhet të marrin pjesë partizanë të provuar në luftë dhe të mos plotësohet me partizanë të porsa rekrutuar. Repartet e brigadës, të jenë mirë të armatosur, të mendohet për kuadrot e tyre dhe posa të jenë bërë gati të gjitha përgatitjet, të lajmërohet Shtabi i Përgjithshëm, mbi propozimet që keni, t’i bëni. Mbi nevojat që mund të ketë për brigadën të na shkruani. Ne na lajmëroni aproksimativisht kohën kur mund të bëhet inaugurimi i brigadës për të dërguar delegatin e Shtabit të Përgjithshëm.”*
* “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm”, vëll.1. f.297.
Vendi i përurimit të brigadës u caktua fshati Sheper i Zagorisë. Në fillim të LANÇ Sheperi u bë bazë e rëndësishme e luftës. Atje pati qendrën shtabi i Zonës I Operative për shumë kohë. Sheperi ishte i mbrojtur mirë nga sulmet e mundshme të befasishme të armikut.
Ditët që pasuan, nga 12 marsi deri më 25 prill 1944, ishin ditët e një pune intensive, të mbushura me veprime e aktivitete, për të siguruar çdo gjë të nevojshme për krijimin e brigadës.
Shtabi i Zonës I Operative u vu në dispozicion dhe punoi për krijimin e brigadës. Një kronikë për ato ditë shkruan: “...Disa ditë përpara formimit të brigadës, në Sheper vihej re një gjallëri e madhe. Gjithëfarëlloj përgatitjesh po bëheshin për ngjarjen e afërt. Një lëvizje jo e zakonshme intendentësh që sillnin nga rajone të ndryshme rezerva në municion e armatim, në miell, dajthë, krip, bagëti, këpucë, opinga, veshje të jashtme e të brendshme për partizanët dhe deri në materiali zbukurimi për tribunën…” Me ato pak mundësi që kishte, intendenca u paraprinte veprimeve të ardhshme të njësisë apo repartit.
Luftëtarët që u caktuan për formimin e brigadës ishin partizanë e partizane të vitit 1943 me një përvojë lufte të gjatë. Ato kishin përballuar me sukses barrën e rëndë të Operacionit Gjerman të Dimrit 1943-1944 dhe kishin dalë fitimtarë. Për plotësimin e efektivit të brigadës u mblodhën 86 luftëtarë nga batalioni “Çamëria”, 110 luftëtarë nga batalioni i Vlorës “Perlat Rexhepi”, 94 luftëtarë nga batalioni minoritar grek “Thanas Ziko”, 110 luftëtarë nga batalioni “Koto Hoxhi”, 150 luftëtarë ose tre kompani nga batalioni “Misto Mame”, 140 luftëtarë nga batlaioni “Hiqmet Dusha” ose siç quhej më parë “Dëshnica”, 75 luftëtarë nga Grupi I i Kurveleshit, 50 luftëtarë nga Grupi II i Mallakastrës, 30 luftëtarë të ndryshëm nga terreni dhe 70 vullnetarë të rinj.
Në këtë përbërje hynin edhe 92 kuadro të ndryshme, 37 vajza, 46 pionerë partizanë 14-15 vjeçarë dhe 107 komunistë që do të militonin në 17 celula partie dhe 12 organizata të rinisë komuniste.
Grumbullimi i efektivit u bë pjesë pjesë, duke u vendosur shumica në fshatrat rreth Sheperit. Menjëherë pas grumbullimit filloi puna për organizimin e brigadës. U caktuan kuadrot drejtues të brigadës, batalioneve e kompanive. Komandant i brigadës u caktua Asaf Dragoti (pas vdekjes së Dervish Hekalit), komisar politik Qazim Kondi, zëvendës komandant Koço Gjeçi, zëvendës komisar Rrahman Përllaku.
Kështu, më datë 24 prill 1944 çdo gjë ishte gati. Në paraditen e 25 prillit, brigada u rreshtua në katër batalione me rreth 220-250 secili. Brigada kishte gjithashtu një togë mortajash 81mm e 40mm. Çdo batalion kishte nga tre kompani dhe çdo kompani kishte katër ose pesë skuadra, si dhe skuadrën e mitralozave të rëndë “Breda”. Mosha mesatare e kuadrove të brigadës ishte 21 vjeç.
Përveç organizimit ushtarak, në brigadë u bë edhe organizimi i shërbimeve të tjera ndihmëse. U krijua shërbimi i intendecës, i cili kishte për detyrë të furnizonte njësinë me të gjitha mjetet materiale si ushqim, veshmbathje, armë dhe municion. U krijua shërbimi shëndetësor, i cili dejtohej nga mjeku Grigor Konomi dhe u zgjerua me 10 infermierë të ndihmës së parë. Në çdo luftim të brigadës u krijuan vend mjekimet dhe vendet e ndihmës së shpejtë (çerdhet). Në çdo batalion kishte nga një infermier që kryente punën e ndihmës mjekut. Kurse në kompani kishte 2-3 sanitarë me të cilët ishin organizuar kurse të shkurtra shëndetësore. U krijua shërbimi informativ, i cili u organizua sipas “Direktivës për Shërbimin Informativ në Ushtrinë Partizane” nga komisarët e të gjitha rangjeve, dhe prej personave të veçantë që u caktuan për këtë detyrë.
Armatimi i brigadës ishte i lehtë e në varësi të rrethanave të luftës partizane. Ai përbëhej prej armë të prodhimeve të ndryshme italian, gjerman, britanik, belg, etj. Armatimi i partizanëve në brigadë përbëhej nga 845 pushkë dhe automatikë të markave të ndryshme, 70 mitraloza të lehtë të prodhimeve të ndryshme, 10 copë mitraloza të rëndë italianë “Breda”, 4 copë mortaja 81 mm, prodhim italian, 2 copë armë kundërtanke dhe 2 copë mortaja të lehta.*
* AQP. “Fondi i Brigadës VIII Sulmuese”. Dosja 7, f.2.
Në përurimin e brigadës ishin të pranishëm përfaqësuesi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe i Shtabit të Përgjithshëm Koçi Xoxe, i cili i solli brigadës përshëndetjet e tyre; përfaqësuesit e Rinisë Komuniste dhe të Gruas Antifashiste, Nexhmije Xhuglini dhe Vito Kondi; përfaqësues të këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut Gjirokastër; përfaqësues të Shtabit të Zonës I Operative, komandanti Islam Radovicka; misioni ushtarak Aleat pranë Shtabit të Zonës I Operative të kryesuar nga nënkoloneli Bill Tilman dhe paraardhësi i tij; përgjegjësi i Seksionit për Shqipërinë në Kajro, majori Filip Lik* (Philip Leak) i ardhur pak ditë më parë prë të vëzhguar në vend punën e misioneve aleate në jug të vendit; përfaqësues të organizatave të masave nga Zagoria, Lunxhëria, Përmeti, Dëshnica, Tepelena, etj. Aty u ndodh edhe një ish-ushtar i ushtrisë së kuqe i kapur rob nga gjermanët por që u arratis dhe kaloi me partizanët.
* Majori Lik u vra më datë 7 qershor në po të njëjtin vend nga mitralimi i një aeroplani gjuajtës gjerman.
Ceremonia filloi nga ora 11:00 dhe u hap me paraqitjen e forcës të deleguarit të Shtabit të Përgjithshëm nga komandanti i brigadës. Pastaj u bë dorëzimi i flamurit të brigadës, i cili u pasua nga betimi ushtarak partizan. U mbajtën fjalimet e rastit nga të gjithë të deleguarit dhe në fund, si rrallë herë, brigadën e përshëndeti nënkoloneli Bill Tilman.
Në emër të efektivit të brigadës fjalën e mori komandanti i brigadës Qazim Kondi. Në mbarim forcat e brigadës parakaluan përpara të deleguarve e të ftuarve dhe popullit të shumtë që kishte ardhur për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Në mbarim për të gjithë pjesë marrësit u shtrua një drekë për të gjithë pjesëmarrësit. Ndërsa grupi teatral i batalionit 1 dha për të pranishmit një koncert. Mes kësaj feste u lexua dhe “Urdhri Direktivë” i Shtabit të Përgjithshëm në të cilin midis të tjerave thuhej: “...Pas formimit dhe inaugurimit, brigada juaj sulmuese duhet të hyjë menjëherë në veprim, duke i treguar armikut dhe tradhtarëve grushtin e saj të ri, por të fuqishëm…”
Seksioni do të plotësohet në vazhdim. Na vizitoni sërish...
Luftimet në luginën e Vjosës (2 - 11 qershor)
Luftimet në Skore.
Luftimte në Zagori e Pogon.
Veprime luftarake në prag të operacionit gjerman të qershorit.
Luftime kundër rajonit të fortifikuar në Sopik.
Goditja në grykën e Këlcyrës.
Luftimet në qafën e Çajupit.
Luftimet në Lunxhëri e Selckë.
Dalja nga rrethimi në Qafën e Dhëmbelit.
Përqendrimi i brigadës tek bredhat e Kaludhit.
Luftimet në qytetin e Gjirokastrës.
Sulmi për çlirimin e Konispolit.
Luftime në rajonin Berat - Kuçovë - Qafa e Sqepurrit.
Luftime në rrethin e Lushnjes.
Brigada në mbrojtje të qytetit të Beratit.
Marshimi i Brigadës nga Lushnja për në Tiranë.
Luftimet në Tiranën e Re
Luftimet në kazermat gjermane “Ali Riza”.
Luftimet në rrugën e Kavajës.
Luftimet në pritën e Bërzhitës dhenë Ibë (beteja e Mushqetasë).
Luftimet në Farkë e Mullet (beteja e Mushqetasë).
Veprimet përfundimtare për çlirimin e TIranës.
Marshimi drejt Shkodrës.
Brigada bëhet pjesë e Divizionit VI Sulmues.
Luftimet në Ublit.
Luftimet në Berskut.
Luftimet në Kërzhanjë.
Luftimet në Momçës.
Luftimet në Dimash.
Luftimet në Strazhbenicë.
Luftimet në Piavecë.
Luftimet në Drinsko.
Luftimet në Uzapinka.
Luftimet në Minitrolovici.
Luftimet përfundimtare për çlirimin e Vishegradit.
Kthimi në Kosovë.
Largimi nga Kosova dhe kthimi në Shqipëri.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historiku i Brigadës 8-të Sulmuese – Tiranë, 2002. Autorët: Naxhi Zhupa