Mjekimi i partizanëve të plagosur u realizua nëpërmjet spitaleve partizane, spitaleve ekzistuese, bazave të mjekimit dhe infermierive. Barrën më të madhe e mbajtën spitalet partizane. Në to u shtruan mbi 70% e partizanëve të plagosur e të sëmurë rëndë. Pas tyre vijnë bazat dhe infermieritë.
Spitalet partizane ishin vendosur në zonat e lira. Ato zakonisht ndodheshin në epiqendrën e zonës operative, gjithmonë nëpër fshatra dhe disa herë në afërsi të tyre. Ato vareshin nga komandat ose nga shtabet e grupeve, të njësiteve të mëdha partizane ose të zonave operative. Kishte edhe spitale që vareshin drejtpërdrejt nga Shtabi i Përgjithshëm. Një pjesë e tyre varej nga komanda e qarqeve.
Spitalet partizane kanë qenë disa llojesh:
Spitale partizane zonale, të vendosura në një rajon të caktuar, që u shërbenin reparteve partizane që ndodheshin ose që kalonin në atë zonë. Këto spitale kanë qenë më të stabilizuara dhe nuk vareshin nga lëvizja e formacioneve luftarake. Të tillë kanë qenë spitali partizan i Gusmarit dhe i Nivicës në Kurveleshin e Sipërm, ai i Kuçakës, i Lavdarit të Oparit, etj.
Spitale partizane të zonave operative, që i përkisnin një krahine më të madhe dhe u shërbenin gjithë reparteve të asaj zone operative. Të tilla kanë qenë spitalet partizane të Ramicës, Kuçit, Nivanit, Poliçanit, Leshnicës, etj.
Spitale partizane të grupeve, që i shërbenin grupit partizan, si spitali partizan i Grupit të Pezës, i Krushovës, Cepanit, Krahësit, etj. Këto spitale ishin më të manovrueshme dhe zakonisht kishin nga një-dy vende rezervë për dislokim.
Spitale partizane të njësive partizane, që ishin spitale të brigadave dhe të divizioneve. Këto spitale ndiqnin kudo repartet e tyre dhe zakonisht mbanin vetëm të plagosurit e të sëmurët e këtyre njësive ose të reparteve që u vinin në ndihmë gjatë luftimeve të ndryshme. I tillë ka qenë spitali partizan i Krrabës, i Korabit, i Zerqanit, etj.
Spitale të grupimeve partizane, që u përkisnin disa formacioneve partizane të grupuara për luftim. Të këtij lloji ishin spitalet partizane të krijuara në luftën për çlirimin e Tiranës, si ai i Tujanit, i Ballhaxhisë, i Kryeziut, i Shëngjergjit, i Nikollarës, etj.
Kurse sipas vendosjes ato ndahen në spitale partizane të vendosura nëpër shtëpi, në grupe shtëpish, spitale partizane të vendosura në një lagje fshati, si dhe spitale fshati.
Në shumë raste spitalet partizane vendoseshin edhe në çadra, shpella, në institucione publike, etj. Kapaciteti i këtyre spitaleve ka ndryshuar sipas situatave. Kështu, spitali partizan i Nivicës dhe ai i Gusmarit në vitin 1943 kanë pasur secili nga 40-60 të shtruar. Në dimrin e vitit 1943-1944 u rrit kapaciteti i tyre në 60-80 dhe në pranverën e vitit 1944 kishin përkatësisht nga 40-50 të shtruar.
Spitali partizan i Kuçit dhe i Ramicës gjatë viteve 1943-1944 kanë pasur nga 50-100 të shtruar secili dhe në kohë operacionesh e kanë kaluar edhe këtë numër. Në vitin 1944 spitali partizan i Katundit dhe ai i Dardhës së Korçës kanë pasur secili nga 50-100 të shtruar. Këtë kapacitet shtrimi kanë pasur edhe spitalet partizane të Pezës, Krahësit, Nivanit, Shipckës, etj.
Spitali partizan i Poliçanit, i Martaneshit, Përmetit, Panaritit, Vlushës, Tropojës, Peshkopisë, etj., kanë pasur nga 100-200 të shtruar. Ndërsa mbi këtë kapacitet kanë qenë spitalet partizane të Nikollarës, Shëngjergjit, Kosovës, Zerqanit, etj. Këtu hyjnë edhe spitalet e divizioneve dhe ato të korparmatave. Kapacitetin më të madh të shtrimit e ka pasur spitali partizan i Shëngjergjit të Tiranës me rreth 600 të shtruar gjatë luftës për çlirimin e Tiranës.
Nga sasia e të shtruarve në spitalet partizane dallojmë këto lloje spitalesh:
Spitale partizane të vogla, me jo më shumë se 50 të shtruar, që kanë qenë më të shumtat dhe më të manovrueshmet. Kishin pak personel dhe mund t’i udhëhiqnin edhe infermierë me përvojë.
Spitale partizane të mesme, me 50-100 të shtruar, që kanë qenë më të plotësuara nga ana mjekësore. Në to kishte më shumë personel mjekësor dhe udhëhiqeshin nga një mjek.
Spitale partizane të mëdha, me kapacitet 100-200 të shtruar. Në to njëri nga mjekët mund të ishte edhe kirurg. Këto spitale ishin më të pajisura nga ana mjekësore.
Spitale partizane shumë të mëdha, me mbi 200 të shtruar. Aty jo vetëm që jepej ndihmë e kualifikuar, por kishte edhe ndarje të veçanta e të rregullta si në çdo spital.
Gjatë LANÇ-it në Shqipëri spitale të ndara sipas profileve ose spitale të specializuara nuk ka pasur. Spitali i Tiranës, që ishte më i madhi, në atë kohë ka qenë spital me shumë profile. Të tilla spitale shumëprofilëshe u bënë edhe spitalet e Korçës, të Shkodrës e të Vlorës.
Spitalet partizane të UNÇSH-së, në mbështetje të urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, pranonin vetëm të plagosurit dhe të sëmurët rëndë. Kurse shumica e të plagosurve dhe e të sëmurëve lehtë, pasi mjekoheshin, ndihmonin përsëri repartet e tyre dhe merrnin pjesë në të gjithë jetën e repartit.
Krijimi i formacioneve të mëdha luftarake, si divizionet dhe korparmatat, si dhe brigadat e shumta, bënë të mundshëm zgjerimin e shtimin e spitaleve partizane në këto reparte të mëdha. U krijuan kështu mundësitë për mjekimin e të plagosurve lehtë në kushte spitali, si edhe të sëmurëve me malarie apo me sëmundje të tjera, të cilët nuk i ndiqnin dot repartet partizane në luftim dhe që kishin nevojë për trajtim mjekësor. “Ju kujtojmë - udhëzonte Mehmet Shehu - se në spital të divizionit duhet të dërgoni vetëm ata të sëmurë rëndë dhe të plagosur… malarikët duhet të mbahen në spitale të brigadavet”*...
*Arkivi Qendror i Ushtrisë, fondi i Brigadës I Sulmuese, Dosja 18, Nr. 2842, gusht 1944.
Në veprimet e Korparmatës I Sulmuese, në muajt tetor-nëntor 1944, në qarqet Elbasan-Tiranë-Mat-Peshkopi dhe në krahinën e Mirditës, për të mbështetur veprimet luftarake të këtij formacioni të madh partizan në një zonë shumë të gjerë, u bë zhvendosja e spitaleve dhe riorganizimi i tyre. “Spitali i divizionit do të transferohet në Peshkopi - urdhëronte Mehmet Shehu - të sëmurët lehtë të mbahen pranë brigadave” *.
*Arkivi Qendror i Ushtrisë, fondi i Shtabit të Përgjithshëm, Dosja 910, f. 113, 3 shtator 1944.
Spitali partizan i Martaneshit, që ishte spitali i Divizionit I Sulmues, u kthye në spital për të plagosurit lehtë dhe për repartet partizane që vepronin në atë krahinë. Po kështu edhe spitali partizan i Labinotit, spitalet partizane të Brigadës I Sulmuese dhe të Brigadës IV Sulmuese që ishin në Peshkopi u zhvendosën dhe krijuan spitalin partizan të korparmatës me qendër në Zerqan. Spitali partizan i Shëngjergjit mbeti spital i grupimit partizan të kësaj zone, duke përfshirë më vonë edhe trupat për çlirimin e Tiranës.
Një muaj para fillimit të veprimeve luftarake në zonën Krujë-Tiranë, spitali i Shëngjergjit kishte 90 të plagosur dhe të sëmurë rëndë, ndërsa vetë spitali i Zerqanit kishte 7-9 të tillë para fillimit të veprimeve luftarake të korparmatës. Ky moment nuk përcaktonte kategorinë e spitaleve apo madhësinë e tyre, por momentin luftarak. Ky është tipar karakteristik i spitaleve partizane që e hasim thuajse në të gjitha.
Me intensifikimin e veprimeve luftarake të korparmatës në zonën Peshkopi-Mirditë, spitali partizan i Zerqanit, i cili nuk ishte vetëm i një divizioni por i gjithë forcave të korparmatës, shtoi kapacitetin e vet 10-20 fish dhe rreth tij u ngritën spitale të brigadave dhe spitali i Shënmërisë, që ishte thjesht spital kirurgjikal me kapacitet të madh, i Lurës, i Sllovës, i Fushë-Lurës, etj.
Në këtë rajonizim repartesh u krijuan spitale të madhësive, llojeve dhe të kategorive të ndryshme. U krijuan spitale për të plagosurit e të sëmurët rëndë, për të plagosurit dhe të sëmurët lehtë dhe spitale vetëm me profil kirurgjikal, spitale të vogla, të mëdha dhe shumë të mëdha, spitale brigadash, divizioni dhe korparmate.
Këtë fenomen e shikojmë edhe në krahinat e tjera të vendit ku luftohej me ashpërsi kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve vendas. Në krahinën e Gorë-Mokrës, në muajt gusht-shtator 1944, veç spitalit partizan të Mokrës dhe të Shënmërisë, Brigada krijoi një spital partizan për të plagosurit lehtë në Strelcë. Spitali partizan i Dardhës në zonën e Fushës së Korçës ka shërbyer për të plagosurit dhe për të sëmurët lehtë krahas spitaleve të tjera të këtij pellgu.
Spitale kirurgjikale kishin pothuaj të gjitha spitalet partizane të vitit 1943. Si shembull mund të merret ai i Katundit në rrethin e Korçës, i Grabockës dhe i Nikollarës, të cilët kishin një ndarje të veçantë kirurgjikale dhe sallë operacioni më vete. Në pellgun e Zagorisë spital kirurgjikal ishte ai i Poliçanit, ndërsa në spitalin e Nivanit më vonë, krahas të plagosurve, izoloheshin edhe të sëmurët me sëmundje ngjitëse dhe të sëmurët tuberkularë të rëndë. Spital infektiv krijoi edhe grupi III i Beratit në Zaloshnjë-Vlushë.
Në përfundim mund të themi se në shkallën më të lartë të organizimit të Ushtrisë sonë partizane, të intensifikimit të luftimeve, të situatave të veçanta luftarake dhe epidemiologjike, u vu re diku profilizimi i spitaleve partizane.
Organizimit të brendshëm në spitalet partizane iu dha rëndësi e veçantë. Ky organizim mbështetej në urdhrat dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm. Personeli i spitaleve partizane ishte i caktuar dhe kishte detyra konkrete. Në krye të spitalit ishte drejtori, që ishte mjek, dhe krahas tij një përgjegjës, që zgjidhej zakonisht një shok i kualifikuar. Intendenti i spitalit kishte edhe një ndihmës të tij, ndërsa kryeinfermieri kishte dy infermierë për 10 deri në 12 të shtruar. Kishte gjithashtu edhe një gjellëbërës, një furxhi dhe një korrier. Zakonisht çdo spital kishte mjekun e vet që ishte edhe drejtor teknik, por nuk kanë qenë të rralla rastet edhe kur, në mungesë të mjekut, këto spitale të drejtoheshin nga infermierë të sprovuar, sidomos në vitin 1943. Rrallë ndodhte që në spitalet partizane të kishte dy ose më shumë mjekë, sepse nevojat për mjekë ishin të mëdha jo vetëm në spitale, por edhe në reparte e kudo ku luftohej; vendin e mjekut si drejtues e zinin edhe studentët e mjekësisë që kishin ndërprerë studimet e ishin hedhur në luftën për liri. Përgjegjësi i spitalit partizan ose komisari, siç quhej ndryshe, caktohej një shok nga shtabi, por shpeshherë me këtë detyrë caktohej një shok me përgjegjësi që ishte i plagosur ose i sëmurë, i cili e kryente këtë detyrë derisa të shërohej. Komisari duhej të ishte organizator i mirë dhe të përgjigjej për mbarëvajtjen e spitalit. Intendenti, ndihmësi i tij dhe kryeinfermieri kujdeseshin si për anën mjekësore, ashtu edhe për furnizimin. Këta, bashkë me drejtorin teknik dhe me përgjegjësin (komisarin), ishin bërthama kryesore dhe e pandryshueshme organike e spitalit partizan, mbi të cilën krijohej ky spital, pavarësisht nga kapaciteti i tij. Në këto detyra shpesh ndihmonin edhe partizanët e përmirësuar. Krahas këtyre shokëve, pranë spitaleve partizane dërgohej edhe një numër shoqesh për të ndihmuar spitalet.
Infermierëve u takonte të rrinin edhe 16 orë në shërbim pa u ndarë nga koka e të sëmurëve dhe të plagosurve që ishin më rëndë. Krahas detyrës së infermieres, ato bënin edhe punën e sanitareve. Ato mjekonin dhe njëkohësisht ushqenin, lanin e ndërronin të plagosurit. Detyrat e mjekut në këto spitale partizane ishin të gjithanshme, por theksi nga ana e Shtabit të Përgjithshëm vihej te përsosja e figurës së mjekut partizan, sidomos në kujdesjen për të plagosurit dhe të sëmurët, të cilët nuk kursenin as jetën për çështjen e atdheut. Shtabi i Përgjithshëm porosiste që mjeku të ishte shumë i kujdesshëm, i ndërgjegjshëm dhe i shpejtë në përcaktimin e diagnozës dhe në zbatimin e terapisë; porosiste që mjeku të ishte i durueshëm me të sëmurët e të ishte i dashur me luftëtarët e plagosur, që shumë herë vuanin nga plagët dhe ishin të lodhur nga rruga e vështirë prej frontit të luftës në spital. Nga mjeku pritej inkurajimi dhe ngritja e moralit të të plagosurve. Mjeku kujdesej për të gjitha çështjet mjekësore të spitalit. Ai herë pas here u bënte të sëmurëve, të plagosurve, popullit dhe partizanëve propagandë sanitare mbi higjienën, profilaksinë dhe sëmundjet ngjitëse. Detyrat e tij shtriheshin deri në kujdesjen për mbajtjen mirë të regjistrit të sëmurëve, të anamnezës, diagnozës etj. Detyrat e përgjegjësit ose komisarit të spitaleve partizane shtriheshin mbi të gjithë aktivitetin e spitalit, duke përfshirë edhe kontrollin mbi cilësinë dhe sasinë e punës mjekësore. Ai, në bashkëpunim me drejtorin, zgjidhte lokalin për spital, ishte përgjegjës për ngritjen politike të personelit dhe të sëmurëve. Organizonte punën në spital, kujdesej për mbarëvajtjen e spitalit, për ushqimin e veshjen dhe udhëhiqte jetën kulturore-artistike, duke hapur kurse kundër analfabetizmit dhe duke ngritur grupe artistike. Ai ishte përgjegjësi kryesor i administrimit të spitalit, mbante lidhje me shtabet dhe komandat vartëse, shtonte ose pakësonte sipas nevojës personelin etj. Bashkë me mjekun, ai përpunonte statistikën mujore dhe ia dërgonte komandës vartëse. Komisari ishte përgjegjësi kryesor për dislokimin e spitalit në rast se paraqitej nevoja.
Intendenti i spitalit kujdesej për sigurimin e ushqimeve të spitalit, si në sasi, ashtu edhe në cilësi. Për këtë, ai gjithnjë konsultohej me mjekun dhe me përgjegjësin. Kjo ishte një detyrë e vështirë dhe e ndërlikuar në kushtet e luftës partizane. Rezerva nuk kishte dhe populli ishte i varfër. Veç kësaj, ushqimi ishte faktor i rëndësishëm për kurimin e të plagosurve dhe të sëmurëve, prandaj sigurimi i tij ishte me përgjegjësi. Kryeinfermier në spitalet partizane zgjidhej dhe caktohej një nga infermierët më të mirë dhe më me përvojë. Ai ishte krahu i djathtë i mjekut dhe merrte pjesë e ndihmonte në të gjitha proceset e punës. Një nga dhomat e shtëpisë që përdorej për spitalet partizane, zakonisht më e madhja, zgjidhej për dhomë shtrimi. Një kënd i saj ishte vendi i punës së infermieres; në një kënd tjetër ose aty pranë grumbullohej armatimi i partizanëve dhe sendet e tyre personale. Një tjetër dhomë ishte ajo e manipulimeve, e cila duhej të ishte më e vogël se ajo e shtrimit dhe të kishte pajisje mjekësore të plota. Aty bëheshin mjekime të mëdha të plagëve, injeksione dhe shpesh kjo dhomë kthehej edhe në sallë operacioni; në këtë dhomë mbaheshin gjithë barnat e spitalit, instrumentet dhe materialet e tjera ndihmëse. Një dhomë tjetër ishte për personelin mjekësor, ndërsa kuzhina, furra e bukës dhe depoja e spitalit vendoseshin më larg, në oborr ose në anekset e shtëpisë fshatare. Me këto ndarje ishin spitalet e vogla partizane me kapacitet deri në 30-50 shtretër, të vendosura në një ndërtesë ose në disa çadra. Spitalet partizane të mesme dhe ato shumë të mëdha, që vendoseshin në tërë fshatin, kishin shtëpi me disa dhoma veç për të plagosurit dhe për të sëmurët. Kishte edhe dhoma të veçanta mjekimi që quheshin infermieri dhe një dhomë tjetër për operacione; kishin edhe një dhomë vizitash ku zakonisht vizitoheshin partizanët dhe populli. Kjo quhej ambulancë. Në mungesë të shtretërve, shtrohej kashtë ose gjethe, fier, dushk, misër etj. Mbi këtë shtresë shtrohej ndonjë batanije, thasë ose çarçafë. Kur spitali kishte mundësi, për çdo të sëmurë shtronte dyshekë të mbushur po me gjethe, lëpushka misri, bar, kashtë etj. Ka pasur spitale partizane që kishin edhe krevate me shtrojë e mbulojë të rregullt, si ai i Katundit të Korçës, i Kuçakës etj. Për mbulesa përdoreshin zakonisht batanije, një ose dy për secilin. Mbi batanije hidheshin kapotat e partizanëve, guna ose bruca. Kjo ishte shtroja dhe mbuloja e varfër për të sëmurët në spitalet partizane të sapoformuara. Populli i hoqi nga shtëpitë e veta dhe u dha partizanëve të plagosur dhe të sëmurë shtrojet, mbulojat, krevatet e gjithçka që u shërbente spitaleve. Kështu që me kalimin e kohës bëhej plotësimi i herëpashershëm i spitaleve partizane me shtresa, mbulesa e me mjete të tjera. Spitalet partizane karakterizoheshin nga rregulli i plotë, organizimi dhe disiplina shëndetësore; në to bëhej inventar i rregullt i materialeve që dispononin, si ato të veshmbathjes e kazermimit, ashtu edhe i barnave dhe i veglave kirurgjikale. Çdo gjë që hynte në spital ose që shpenzohej regjistrohej me saktësi nga intendenti në një fletore, sidomos vlerat monetare, mjetet e kazermimit, të veshmbathjes dhe ushqimet. Çdo spital, thuhet në një qarkore, duhet të ketë një libër ngarkimi të të gjithë materialit që ka në përdorim dhe në rezervë. Libri nënshkruhet prej ekonomatit, i cili e merr në ngarkim, dhe duhet të jetë i vërtetuar prej përgjegjësit të spitalit.*
*Dokumente të Shtabit të Komandës së Përgjithshme, vëllimi 2, numër 301, datë 01.09.1944, f. 142; Arkivi Qendror i Partisë, Fondi 41, Dosja 78, datë 05.10.1944.
Administrimi i vlerave materiale dhe monetare në spitalet partizane bëhej me nikoqirllëk të madh dhe me përgjegjësi; në këtë drejtim nuk kishte asnjë shpërdorim, por kishte disiplinë të madhe të ndërgjegjshme dhe vlerat ruheshin si sytë e ballit. Ushqimit të partizanëve të plagosur dhe të sëmurë i kushtohej një rëndësi e madhe si për sa i takon cilësisë, ashtu edhe për sa i takon sasisë. Personeli dhe të shtruarit e spitaleve partizane punonin aktivisht për një qëllim të vetëm: për shërim sa më të shpejtë. Të gjithë ishin të interesuar të krijonin një atmosferë optimiste dhe të shëndoshë; një lidhje shoqërore e vërtetë në çdo punë e mendim përshkohej nga shpirti i pastër revolucionar partizan. Edhe këtu mund të gjejmë faktorin e rëndësishëm të brendshëm të suksesit në shërimin e të plagosurve dhe të sëmurëve partizanë; vuajtjeve të luftës, të plagës ose të sëmundjes, të plagosurit e të sëmurët u vinin përballë vullnetin e hekurt partizan dhe çdo vështirësi ose dhembje e kalonin me sukses. Në bazë të veprimtarisë së spitaleve partizane qëndronte mjekimi i partizanëve të plagosur dhe të sëmurë sa më shpejt dhe sa më mirë, me qëllim që, siç thuhet në urdhrin për krijimin e këtyre spitaleve, ata të mundin të zënë përsëri vendin në radhët e luftës. Spitalet kryenin funksionet e tyre të rëndësishme në kushtet e luftës partizane, të një lufte të ashpër dhe të pabarabartë, kur nuk kishte zona të gjera të prapavijës dhe kur aksioni ishte i madh; kujdesi i Partisë për këto qendra mjekësore ishte i madh. Dashuria dhe kujdesi i popullit për partizanët trima, të plagosur dhe të sëmurë, nuk kishte kufi. Shtabet, komandat dhe repartet partizane i mbronin nga sulmi armik dhe interesoheshin për nevojat e tyre.
Spitalet partizane bënë një punë të madhe edhe për mjekimin e popullsisë së zonave përreth tyre. Kjo punë shtrihej që nga vizitat e thjeshta mjekësore, mjekimet e këshillimet, deri në operacione për shkak të plagëve të shkaktuara nga armë zjarri ose të sëmundjeve kronike ose akute. Kjo punë ishte në funksion të vetë këtyre spitaleve, përcaktuar edhe në udhëzimet përkatëse, si për shembull në qarkoren mbi përbërjen dhe detyrat e personelit të spitaleve, ku midis të tjerash thuhet: "Pranë çdo spitali duhet të kryhet një shërbim mjekësor i zakonshëm për popullatën civile 2 herë në javë nga një gjysmë dite dhe këto ditë duhet t’i bëhen të ditura këshillit të qarkut". Ndihma që dhanë spitalet për popullin ishte e madhe dhe ky faktor forcoi edhe më shumë lidhjet e ngushta të popullit me ushtrinë e tij. Ndihma mjekësore, si dhe mjekimet e rastit, popullit i jepeshin falas. Mbi veprimtarinë kirurgjikale të spitaleve partizane mund të flitet shumë. Ajo përfshinte gjithë gamën e operacioneve të kohës së luftës që aplikoheshin në vendin tonë, pavarësisht nga mungesat e shumta, qoftë në instrumente, qoftë edhe në cilësinë e saj karakteristike. Fakt ka qenë që kjo veprimtari kryhej nga të gjithë mjekët dhe studentët e mjekësisë, pavarësisht nga specialiteti i tyre. Instrumentet kanë qenë të thjeshta dhe të pakta; shpesh improvizoheshin nga vetë punonjësit e mjekësisë. Kështu, për thika janë përdorur edhe ato të zakonshmet, për sharra ajo e drurëve ose ndonjë sharrë hekuri, pasi pastrohej mirë; po ashtu veprohej për gërshërët, pincat e gjilpërat. Si mjetet e tjera, nuk ishin me bollëk, por të pakta për çdo spital. Qepja zakonisht bëhej me fije mëndafshi ose me fije nga bishti i kalit. Për kohën përdorej gjerësisht eteri dhe kloroformi në formë pikash me maskë të thjeshtë, ose narkotizues të tillë si evipan na-3 intravenoz; këto barna ishin shumë të nevojshme për spitalet partizane dhe herë pas here kërkoheshin në qytete, por kishte raste që nuk gjendeshin. Kështu që kur e lypte nevoja dhe operacioni duhej kryer patjetër për të shpëtuar jetën e partizanit, janë bërë ndërhyrje kirurgjikale edhe pa narkozë. Në këto raste ka ndihmuar shumë qëndresa dhe vullneti i të plagosurve, shpejtësia e veprimeve të mjekut dhe kujdesi i madh i personelit e shokëve. Partizani i plagosur, me vullnet të çeliktë e me besim të plotë, duronte çdo lloj operacioni. Fashot dhe gazrat përdoreshin shumë herë; ato pastroheshin, ziheshin në ujë të valuar për gati një orë dhe thaheshin për t’u rivënë përsëri në plagë. Instrumentet, shiringat dhe gjilpërat ziheshin në ujë për një kohë të gjatë, ndërsa fijet për qepje mbaheshin në enë me solucion sublimati ose oksicianuri, por shpesh për këtë qëllim përdorej edhe alkool ose solucion permanganati.
Spitalet partizane ishin reparte të vërteta dinjitoze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe, si të tilla, ato nuk i kushtonin më pak interes përgatitjes ushtarake. Në këto raste, përgatitja ushtarake nuk ishte e programuar, por në të merrnin pjesë të gjithë të sëmurët e të plagosurit, si dhe personeli shëndetësor. Nga shokë me përvojë — po të kishte të tillë të shtruar në këto spitale, ose edhe nga personeli i spitalit — u mësoheshin llojet e armëve që dispononin forcat tona dhe forcat e armikut; mësoheshin cilësitë luftarake të tyre, mënyra e përdorimit dhe ajo e mirëmbajtjes së armëve.
Mësimi i taktikës së luftës partizane ishte një qëllim tjetër i përgatitjes ushtarake, ku secili partizan tregonte përvojën e vet në betejën ku kishte marrë pjesë. Vetë në këto mësime bëheshin diskutime të zjarrta. Ky mësim konkretizohej me njohjen e vendit ku ishte vendosur spitali: caktoheshin detyrat e secilit dhe organizohej mbrojtja e largët dhe e afërt e spitalit partizan. Caktoheshin rojet dhe sistemi i alarmit; për këtë punë bëheshin edhe stërvitje me personelin dhe me të shtruarit. Që armiku të mos i zinte në befasi, kryesorja për udhëheqësit e spitalit ishte caktimi i një vendi të fshehtë në rast të ndonjë sulmi dhe sigurimi i mbrojtjes së tërheqjes.
Në spitalet partizane zhvillohej një jetë e gjallë kulturore dhe artistike. Ato ishin qendra të luftës kundër analfabetizmit; kursi kundër analfabetizmit organizohej dy-tri herë në javë dhe drejtohej nga një shok (po ashtu i sëmurë ose i plagosur) që dinte shkrim e këndim. Krahas kësaj, punohej edhe individualisht me të shtruarit. Në spital lexoheshin kolektivisht shumë libra ose fashikuj të tyre me përmbajtje revolucionare; lexoheshin artikuj dhe vjersha të shkruara nga vetë partizanët e shtruar ose nga shokët e tyre të luftës. Këto shkrime partizane kalonin gojë më gojë, ndërsa vjershat ktheheshin në këngë të fuqishme nga partizanët. Disa nga këto u bënë marshe të brigadave heroike. Puna politike në spitalet partizane drejtohej nga organizata e partisë së spitalit dhe, në mungesë të saj, nga komunistët. Puna politike fillonte me informacionin nga frontet e luftimit dhe pastaj ndalej në një çështje të caktuar. Partizani i plagosur ose i sëmurë kishte besim të madh te punonjësit e mjekësisë dhe respekt të jashtëzakonshëm për ta.
Disiplina e partizanit të plagosur ose të sëmurë ishte e ndërgjegjshme dhe kishte lindur në zjarrin e luftës. Kjo disiplinë i përgjigjej korrektësisë së madhe të punonjësve të mjekësisë partizane dhe ndihmonte në procesin e shërimit aty. Çdo urdhër ose veprim zbatohej me përpikëri. Mjekimi dhe kurimi kishin rregulla të caktuara. Partizani i plagosur ose i sëmurë ishte i durueshëm dhe kurajoz; kjo kurajë shtohej nga kujdesja e madhe, nga sjellja, fjala e ngrohtë dhe dashuria e pakufishme e punonjësit të mjekësisë për partizanët e plagosur. Punonjësit e mjekësisë partizane ishin trima. Ata luftonin me armikun dhëmb për dhëmb dhe u shkëputnin nga duart vdekjes shokët e tyre të plagosur e të sëmurë. Trimëria dhe vetmohimi gërshetoheshin me thjeshtësinë, urtësinë dhe gjakftohtësinë në situata të vështira. Ata kishin iniciativë dhe shpirt krijues. Detyra e tyre ishte shumë e rëndësishme si ndaj partizanit të plagosur dhe të sëmurë, ashtu edhe ndaj partisë dhe atdheut. Prandaj, ata e mbanin të papërlyer figurën e punonjësit të mjekësisë partizane. Përpiqeshin ta meritonin këtë besim të madh me punë të palodhur, me sakrifica të panumërta dhe me përpjekje të gjithanshme.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.