Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pothuajse të gjitha plagët kanë qenë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa shumë pak kanë qenë nga bajonetat apo thikat. Më shumë se një e treta e plagëve kanë qenë të shkaktuara nga predha plasëse, si bombat, minat, predhat e artilerisë dhe të aviacionit etj. Plagët e shkaktuara nga këto mjete kanë qenë plagë shqyese. Shumica e tyre ishin jo tejshpuese dhe shoqëroheshin gjithmonë me hemorragji, gjë që shkaktonte edhe vdekjen e të plagosurve.
Plagët nga plumbat kanë qenë më të shumtat dhe përbënin dy të tretat e plagëve nga armë zjarri. Ato, në shumicën dërrmuese, ishin tejshpuese dhe, kur nuk preknin enë gjaku të mëdha, kishin rrjedhim të mirë. Shumicën e plagosjeve i gjejmë në anësitë e poshtme të trupit, dhe pas tyre vijnë ato të anësive të sipërme dhe të trungut. Vdekshmëri më të madhe ka pasur nga plagët e kokës, pastaj nga ato të trungut dhe më pas nga ato të anësive.
Trajtimi i plagëve të armëve të zjarrit, pas dhënies së ndihmës së parë, bëhej në spitalet partizane. Plaga pastrohej mirë nga pjesët e dëmtuara, dezinfektohej dhe, sipas rastit, bëhej edhe ndërhyrja kirurgjikale. Në kujtimet e mjekëve pjesëmarrës në luftë, edhe sot janë të freskëta disa plagë me të vërtetë të vështira për t'u trajtuar. Kështu përshkruhet një plagosje që shkoi tejpërtej fundit të barkut, ku pas trajtimit me kujdes, i plagosuri u shërua mirë.
Plagët tejshpuese në gjoks në vende delikate, në afërsi të zemrës, si dhe plagët e tjera të vështira të barkut me dëmtim të zorrëve dhe organeve të tjera, u trajtuan me kujdesin më të madh. Ka pasur raste të trajtuara me shumë plagë plumbi në trup, pjesa më e madhe e të cilave në trung.
Jo në të gjitha spitalet partizane kryheshin operacione të ndërlikuara për trajtimin e plagosjeve. Në të gjitha këto spitale u shtruan kirurgji dhe përpunoheshin plagët, por disa prej tyre kryenin ndërhyrje të mëdha. Të tilla kanë qenë spitali partizan i Katundit, ai i Nikollë Arës, ai i Shipckës, i Krahësit, i Korabit, i Zerqanit, i Shpalit, i Tujanit, i Shën Gjergjit dhe ndonjë tjetër.
Si ndërlikime të rënda të plagëve ishin qelbëzimi i tyre, infektimi i gjakut, gangrena e anësive dhe tetanozi. Lufta e punonjësve të mjekësisë për të parandaluar këto ndërlikime ishte shumë e madhe, pasi ato favorizoheshin nga kushtet, mungesa materiale dhe nganjëherë edhe nga vonesa në mjekim. Për të parandaluar tetanozin, në operacionin e Qershorit u urdhërua përdorimi i serumit antitetanik për çdo të plagosur, por ky sigurohej me vështirësi.
Për të luftuar gangrenën, shpesh herë bëheshin ndërhyrje sa më të gjëra dhe këto plagë mbikëqyreshin vazhdimisht. Më të shumtat e prerjeve të këmbëve u bënë për arsye të kësaj sëmundjeje dhe nga ngrirjet.
Frakturat (thyerjet) nga plagët e armëve të zjarrit përfshinin gati gjysmën e plagosjeve. Trajtimi i frakturave bëhej gjithmonë pas përpunimit të plagës, duke i tërhequr kockat e thyera dhe duke i fiksuar ato në anësi. Fiksimi i anësisë së dëmtuar bëhej me allçi dhe me steka metalike ose prej druri. Disa herë, në mungesë të allçisë, është përdorur edhe mjekimi popullor me jakije.
Plagët me prekje të kockave kishin një rrjedhë kronike dhe shpesh ndërlikoheshin me qelbëzim të kockës. Për këtë arsye, shërimin përfundimtar nga këto plagë shumica e të plagosurve e bënë pas çlirimit.
Në luftën kundër infeksionit të përgjithshëm dhe atij lokal, është përdorur gjerësisht sulfamidi, si dhe strobi dhe toci pluhur. Bashkë me to përdoreshin edhe preparatet e merkurit dhe ato të kininës. Ka të dhëna se për disa raste të kufizuara është përdorur edhe penicilina.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka pasur raste që i njëjti person të jetë plagosur deri në 9 herë në kohë të ndryshme, por ka pasur edhe të plagosur në të njëjtën kohë me shumë plagë, të cilat në pjesën më të madhe i takojnë predhave të artilerisë ose të aviacionit. Me 5 deri në 7 plagë plumbi kanë qenë shumë partizanë.
Në historinë e spitaleve partizane përmendet një rast i plagosjes së një partizani në një betejë me 6 plumba, nga të cilët 3 e kishin kapur në trup dhe 3 të tjerët në anësi, ku i kishin shkaktuar edhe thyerje të kockave. Ky partizan u tërhoq nga vija e parë dhe iu bë vetëm një fashim i shpejtë i plagëve. U transportua për në spital me një kafshë dhe bëri 4 orë udhë në gjendje shumë të rëndë. Me të ardhur në spital, partizanit iu nënshtrua një operacioni të madh për t'i shpëtuar jetën; pas ditës së parë iu bë edhe një operacion tjetër, dhe në ditën e 7-të u operuan edhe ato plagë që nuk shkonin mirë.
Krahas trajtimit të plagëve lokalisht, për të plagosurit bëhej një punë intensive për përtëritjen e organizmit pas plagosjes. Ka pasur raste që u jepeshin edhe solucione me gjilpëra. Në një rast, në spitalin partizan të Shën Gjergjit, u tentua të bëhej një transfuzion gjaku direkt, por pa sukses. Përtëritja e trupit të të plagosurve bëhej kryesisht me ushqim të mirë dhe me sigurimin e kushteve të qetësisë.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.