Në vendin tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka pasur shumë sëmundje ngjitëse, sidomos malaria dhe tuberkulozi. Sëmundje të tjera ngjitëse u përhapën nga përqendrimi dhe nga lëvizja e trupave pushtuese. Megjithatë, përqindja e të sëmurëve nga këto lloj sëmundjesh në radhët e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare nuk ishte e lartë. Kjo ndodhi për disa faktorë, ndër të cilët më kryesori ishte se në qendër të vëmendjes së Partisë, Shtabit të Përgjithshëm, komandave dhe shtabeve të ndryshme kishte qenë ruajtja e shëndetit të partizanëve. Për këtë arsye ishin forcuar masat higjeno-sanitare dhe masat për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
Më shqetësuese për partizanët gjatë luftës kanë qenë reumatizmi dhe nefritet. Format e reumatizmit ishin nga më të ndryshmet, por mbizotëronin ato akute me ënjtje të kyçeve dhe me temperaturë të lartë. Të sëmurë të tillë kishte në të gjitha brigadat dhe në spitalet partizane. Ata përbënin gati një të pestën e të sëmurëve të shtruar. Trajtimi i këtyre të sëmurëve bëhej me aspirinë në sasi të mëdha dhe me preparate të acidit salicilik. Krahas tyre u jepej vaj peshku dhe, kur kishte, edhe vitamina. Në format kronike të reumatizmit artikular përdorej, kur kishte, një lloj pomade në përbërjen e së cilës kishte edhe kamfor; lyerja e trupit ose e vendit të sëmurë me të krijonte nxehtësi dhe përkohësisht hiqte dhimbjen.
Nefritet dhe sëmundje të tjera të veshkëve haseshin gjithashtu shpesh gjatë luftës. Të sëmurë të tillë i gjejmë në spitalet partizane dhe në numër të madh të shtruarish pas çlirimit. Këta të sëmurë trajtoheshin kryesisht me të ngrohta dhe me qumësht. Krahas këtyre, mund të përdorej ndonjë dezinfektant i tipit urotopinë.
Infeksionet pulmonare ishin të shpeshta gjatë luftës. Ato përbënin një të katërtën e të sëmurëve të shtruar nëpër spitalet partizane. Kishte të sëmurë nga pneumonia, bronkopneumonia, pleuriti, e deri nga pneumonia e obsesuar, si dhe të sëmurë nga bronkitet. Këta të fundit (bronkitet etj.) nuk shtroheshin në spitale dhe në bazat e mjekimit, por mjekoheshin pranë reparteve.
Mjekimi i këtyre të sëmurëve kishte si pikësynim të parë forcimin e trupit me anë të ushqimit të mirë dhe uljen e temperaturës me çdo mjet, duke u dhënë aspirinë, kininë e deri sulfamid. Kryesisht këta të sëmurë mjekoheshin me kupa, me sinapizma dhe duke u veshur me ndërresa të leshta, të shoqëruara me fërkime me raki, me kamfor, me alkool ose me tretësirë të dobët jodi. Këta të sëmurë mbaheshin pak nëpër spitale dhe pastaj trajtimi vazhdonte nëpër baza fshati. Shpesh, të sëmurë të tillë dërgoheshin ilegalisht edhe nëpër spitalet e qyteteve nën kujdestarinë e komiteteve qarkore përkatëse. Pas mjekimit, ata ridërgoheshin në repartet partizane.
Infeksionet e lëkurës kanë qenë të pakta në radhët e ushtrisë sonë. Kjo tregon edhe një herë efikasitetin e masave higjeno-sanitare të marra dhe shkallën e pastërtisë në radhët e reparteve partizane.
Malaria, me përhapjen e saj endemike në vendin tonë, përfshinte edhe zonat malore dhe vendet ku vepronte ushtria jonë. Ajo nuk kishte kufij të caktuar; madje të infektuar nga kjo sëmundje ishin edhe mijëra pjesëmarrës të ushtrisë sonë. Të sëmurët nga malarja, në kohën e akseseve malarike, zakonisht shtroheshin në infermieritë e reparteve partizane. Ata mjekoheshin me kininë për 7 deri në 10 ditë. Pastaj ndiqnin repartet e tyre, të pajisur me një sasi ilaçesh me vete për vazhdimin e kurës.
Gjatë viteve 1939–1944 ranë dy herë epidemitë e gripit: e para në vjeshtën e vitit 1941, ndërsa e dyta në qershor 1944. Nga kjo epidemi e fundit u prekën repartet e ushtrisë sonë. Nga dokumentet bëhet e qartë se epidemia e gripit preku shumë reparte partizane në muajin qershor 1944. Të dhëna të tjera flasin për shpërthime të kufizuara të fruthit në Brigadën e 3-të Sulmuese ose në Brigadën e 2-të Sulmuese.
E rëndësishme për t'u përmendur është shpërthimi në vatra të izoluara i tifos abdominale në disa zona ku vepronin forcat partizane, nga të cilat u infektuan edhe partizanë në Novoselë të Ersekës. Më 1941 pati një shpërthim epidemik të tifos abdominale, ku u sëmurën 30 veta në këtë vend. Pas dy vitesh, u përhap përsëri kjo epidemi dhe preku 40 vetë, nga të cilët u infektuan edhe 8 partizanë. Izolimi i shpejtë i këtyre rasteve, marrja e masave urgjente për rastet e dyshimta, përmirësimi i kushteve higjeno-sanitare etj. bënë që kjo vatër epidemike të zhdukej shumë shpejt dhe sëmundja të mos merrte përmasa të mëdha. Në muajt tetor–dhjetor 1944, në repartet partizane pati disa raste të sëmundjes së verdhëzës.
Shqipëria gjatë Luftës Antifashiste, si dhe më parë, nuk ka pasur epidemi apo vatra të tifos ekzantematike. Më 11 prill të vitit 1942, bëhet e ditur përhapja e kësaj sëmundjeje në shtetet kufitare dhe sidomos në krahinën e Kroacisë dhe të Bosnjës. Për qeverinë kukull dhe kryesisht për komandën e trupave pushtuese në vendin tonë u krijua një gjendje alarmi, sepse në Shqipëri ishin dislokuar shumë trupa italiane dhe rënia e epidemisë në to do të shkaktonte humbje shumë të mëdha. Veç kësaj, rrezikohej që kjo sëmundje të përhapej edhe në Itali. Prandaj pushtuesit u detyruan të merrnin disa masa.
Kjo epidemi shpërtheu valë-valë në shtetet kufitare dhe arriti kulmin e saj në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Deri më 17 nëntor të vitit 1944, në ushtrinë tonë nuk kishte asnjë rast tifoje ekzantematike. Me hedhjen e Divizionit të 5-të Sulmues dhe të 6-të Sulmues në tokat e Jugosllavisë për çlirimin e Malit të Zi dhe ndjekjen e gjermanëve në thellësi, efekti i brigadave tona për një kohë të shkurtër u trefishua me vullnetarë të rinj vendas, të cilët jetonin dhe luftonin bashkë me partizanët tanë.
Ky faktor, si dhe lufta në një terren të infektuar nga tifoja e morrit, bënë që kjo sëmundje të përhapej edhe në radhët e ushtrisë sonë. Rastet e para të kësaj sëmundjeje u shfaqën në Brigadën e 25-të Sulmuese dhe në atë të 3-të Sulmuese nga mesi i muajit janar të vitit 1945. Kjo sëmundje u përhap edhe në brigada të tjera të Divizionit të 5-të Sulmues në muajin shkurt të po këtij viti, dhe më pas u përhap edhe në Divizionin e 6-të Sulmues.
Megjithëse kjo sëmundje u përhap shpejt, divizionet tona për asnjë çast nuk i ndërprenë veprimet e tyre luftarake. Në këto kushte, gjendja epidemiologjike sa vinte e keqësohej, prandaj komandave, punonjësve të shëndetësisë dhe reparteve partizane iu desh të merrnin masa sa më energjike dhe shumë urgjente. Të sëmurët u izoluan menjëherë dhe u shtruan në spital, dhe po ashtu u veprua edhe me rastet e dyshimta.
Pastrimi u bë me kompani. Ato, sapo mbaronin luftimin, i nënshtroheshin masave për pastrimin e trupit dhe të teshave, të cilat u dezinfektuan. Fjetja nëpër baza ishte e rrezikshme, sepse popullsia ishte infektuar me morrin e kuq jugosllav. Prandaj repartet tona iu shmangën kësaj. Partizanët çlodheshin dhe pushonin jashtë pranë zjarreve partizane ose në plevica dhe kasolle, me gjithë dimrin e madh.
Spitalet e shtuan kapacitetin e tyre deri në 300–400 të shtruar. Pajisjet mungonin, barna nuk kishte. Ndihma nga komandat e vendit dhe nga ato të ushtrisë jugosllave, megjithëse u kërkua me këmbëngulje, nuk u dha. Situata sa vinte e keqësohej në këto spitale. Haje bukë thekre e përzier me tërshërë; në disa vende haheshin vetëm patate të ziera. Pak kripë nuk gjendej, as qumësht, as çaj me sheqer për të njomur buzët e këtyre të sëmurëve me temperaturë të lartë dhe në gjendje kllapie.
Vetëm në spitalet e Divizionit të 5-të Sulmues në Senicë, Nova Varosh e Gjilan janë shtruar mbi 2.500 partizanë të sëmurë me tifo ekzantematike. Gjatë 4–5 muajve që zgjati kjo epidemi, mund të themi se ajo i kushtoi mjaft këtij divizioni, por ai e vazhdoi rrugën e luftës së tij të lavdishme.
Në fillim, për Divizionin e 6-të Sulmues u krijuan 2 spitale dhe më vonë edhe një i tretë, më i madh. Vdekshmëria ishte e madhe, sepse pas mbarimit të detyrës luftarake për çlirimin e Vishegradit, ky divizion vazhdoi pastrimin e zonave gjatë marshimit të tij për t'u takuar me Divizionin e 5-të Sulmues. Kështu që të sëmurët u detyruan të viheshin në lëvizje pas divizionit.
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, në këtë kohë, urdhëronte që të shtoheshin masat parandaluese në këto reparte dhe u dërgoi atyre me urgjencë medikamente, ushqime dhe veshje. Kujdesi i Partisë, i komandave dhe i shtabeve për të sëmurët me tifo ekzantematike ishte i posaçëm dhe shumë i madh. U bë çmos për shpëtimin e jetës së këtyre të sëmurëve.
Kjo epidemi preku edhe disa reparte kufitare të Korparmatës së 3-të të ushtrisë sonë të vendosur në Shqipërinë e Veriut, si dhe vendas të këtyre krahinave. Kjo sëmundje u ndje më shumë në krahinën e Kukësit, ndërsa raste të veçanta depërtuan edhe në thellësi të vendit tonë. Komisionet e krijuara për këtë qëllim morën masa tepër urgjente dhe epidemia nuk mori përhapje me përmasa të mëdha, por mbeti e izoluar në disa vatra në veri të vendit.
Kjo epidemi në repartet tona që ndodheshin në tokën jugosllave vazhdoi 6 muaj, ndërsa në tokën tonë arriti që për 1 muaj të zhdukej plotësisht.
Në ato vite lufte e mjerimi, Këshilli Nacional Çlirimtar porosiste: "Duhet të kujdesemi për shëndetin e shokëve". Kjo porosi e vyer vuri në qendër të vëmendjes së komandave, shtabeve dhe komiteteve qarkore të PKSH ruajtjen e shëndetit të luftëtarëve të lirisë, kudo që ishin. Të gjithë partizanët dhe punonjësit e mjekësisë partizane morën një sërë masash që ishin po aq të vështira për t'u zbatuar, sa edhe mjekimi dhe mbrojtja e partizanëve, trimave të plagosur dhe të sëmurë.
Kryesorja në këto masa ishte që nga partizanët të kuptohej drejt se sa e domosdoshme ishte jetesa higjienike dhe lufta e përbashkët që duhej bërë për të vënë në jetë masat për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Kështu, për shembull, në një qarkore të korrikut 1944 thuhet: "Mjeku duhet t'u shpjegojë partizanëve, gjithmonë në formë konkurrence, rolin e parë që ka pastërtia në ushtri, dëmet që vijnë nga mungesa e saj, të flasë për shëndetin në përgjithësi, sëmundjet e ndryshme e sidomos ato epidemike të çdo stine, dhe masat që duhen marrë për t'u ruajtur prej tyre."
Një kujdes të veçantë duhet t'i kushtohej pastrimit, përgatitjes së ushqimit dhe mbajtjes së kampit, në raste kur trupat tona mund të përqendroheshin. Në rregulloren e grupeve partizane vullnetare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, referenti i shëndetësisë kishte për detyrë organizimin e këtij shërbimi, pengimin e sëmundjeve ngjitëse në atë territor dhe edukimin e popullit me shpirtin e higjienës.
Referentët sanitarë, kudo që ishin (shefat e shëndetësisë së komandave të qarqeve, i seksionit sanitar të Korparmatës dhe të krahinës ushtarake të saj), krahas detyrave organizative kishin edhe vënien në zbatim të masave për luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Këto urdhra dhe udhëzime, që në atë kohë ishin sanksione ligjore, si dhe bindja e secilit mbi rëndësinë e zbatimit të normave higjienike dhe marrja e masave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, bënë që të mënjanohej sa më shumë shfaqja e epidemive në radhët e ushtrisë sonë.
Mjekët dhe infermierët partizanë, bashkë me sanitarët e tjerë, merrnin masa të përbashkëta higjeno-sanitare dhe antiepidemike. Detyra kryesore e tyre ishte forcimi i rregullave higjienike në repartet partizane dhe i higjienës personale e kolektive. Larja, rruajtja dhe qethja e partizanëve ishin të përditshme. Asnjë partizan nuk ishte me mjekër apo me flokë të gjata.
Në çdo bazë ku strehoheshin partizanët bëhej edhe larja e trupit dhe e teshave. Merreshin masa të përbashkëta për të përmirësuar kushtet higjienike në kohën kur partizanët detyroheshin të qëndronin për një farë kohe në një vend. Ata pastronin ambientin nga papastërtitë, zgjidhnin ujin e pijshëm etj. Të gjitha këto masa dhe të tjera si këto ishin vendosur edhe në urdhra komande dhe zbatoheshin plotësisht nga partizanët për partizanët.
Komanda e Zonës së Parë Operative kishte nxjerrë urdhër për larjen e teshave të trupit me ujë të nxehtë një herë në javë, për qethjen e flokëve dhe për ndërrimin e teshave me tesha të pastra, për fjetjen jashtë kur kishte rrezik se mos ngjizeshin parazitë në trup, për moskalimin apo banimin në shtëpi dhe në zona me sëmundje ngjitëse, për kqyrjen e kujdesshme nga mjeku në rast dyshimi për sëmundje ngjitëse, dhe deri në bërjen e vaksinave kundër sëmundjeve ngjitëse, sapo të disponoheshin.
Masat konkrete higjeno-sanitare që u morën gjatë luftës shoqëroheshin me propagandë të gjerë sanitare. Shtypi partizan i çdo rangu, në çfarëdo forme që të ishte, ngrinte me forcë të madhe marrjen e masave për pastërtinë, për ruajtjen e shëndetit dhe masat për t'u mbrojtur nga sëmundjet ngjitëse dhe nga ato të stinës. "Të mobilizohemi të gjithë", shkruante midis të tjerash një numër i organit të Divizionit të Parë Sulmues, "që të kemi një shëndet të mirë në repartet tona. Në vetvete, ushtari duhet të jetë i pastër."
Krahas shtypit, vend të rëndësishëm zinin bisedat dhe konferencat sanitare për pastërtinë dhe higjienën, bisedat individuale dhe masat e përbashkëta për përmirësimin e jetesës edhe në kushtet e vështira të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Regjimi ditor i reparteve partizane, si kusht i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit, nuk ishte i përcaktuar, por zbatohej sipas kushteve të luftës partizane. Përjashtim bënin repartet e mëdha, ku organizohej pushimi me regjim ditor të përcaktuar.
Marrja e masave higjeno-sanitare dhe antiepidemike ishte shumë e vështirë për t'u realizuar në kushtet e luftës partizane, por në të njëjtën kohë ato ishin të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi ndaj shokëve, Partisë dhe atdheut. Sepse shpërthimi i sëmundjeve ngjitëse në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare ishte i barabartë me asgjësimin e plotë të saj – atë që armiqtë dhe tradhtarët nuk e realizuan vite të tëra me ushtritë e tyre të shumta, me forcën e armëve të shumëllojshme më moderne të kohës.
Pikërisht për këtë, ndiqej me vigjilencë të madhe çdo rast i dyshimtë sëmundjesh. U shpjegohej me durim të gjithë luftëtarëve dhe kuptohej thellë prej tyre. Kështu që të gjithë së bashku – komanda, shtabe, kuadro dhe partizanë, me në krye punonjësit e mjekësisë – kujdeseshin për ruajtjen e shëndetit të partizanëve, për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe për zhdukjen sa më të shpejtë dhe pa dëme të atyre sëmundjeve ngjitëse që shfaqeshin.
Kur shfaqej ndonjë sëmundje ngjitëse në repartet partizane ose në popullatën e zonave ku vepronin këto reparte, lajmërohej me urgjencë Shtabi i Përgjithshëm. Kjo bëhej që të merreshin masa më energjike dhe të përbashkëta për gjithë ushtrinë, sepse në atë kohë në vendin tonë shfaqeshin shumë sëmundje ngjitëse, të cilat ndonjëherë merrnin përhapje krahinore.
Tifoja abdominale ka qenë nga sëmundjet ngjitëse më të përhapura në vendin tonë gjatë viteve të pushtimit nazifashist. Në ushtrinë tonë Nacionalçlirimtare pati dy-tre vatra epidemike të kësaj sëmundjeje, për të cilat u morën masa urgjente nga komandat përkatëse. U kontrolluan mirë të sëmurët në fjalë, u morën masa izolimi për ta gjer sa të verifikohej diagnoza. U lajmëruan të gjithë repartet partizane për rrezikun që paraqiste kjo sëmundje po të kalonte në zonën e epidemisë etj.
Disa partizanë të kësaj zone operative, të cilët kishin pasur kontakt me të sëmurët, u izoluan dhe ju bënë një sasi vaksinash të marra me urgjencë ilegalisht nga Tirana, nga Berati dhe nga Gjirokastra. Vetë partizanët, duke kuptuar mirë rëndësinë që kishte përhapja e kësaj sëmundjeje, morën masa për ta luftuar dhe asgjësuar atë.
Kështu, me interesimin e të gjithëve, u arrit që vatra epidemike e tifos abdominale në këtë zonë të izolohej shpejt. Brenda një kohe shumë të shkurtër u mjekuan të prekurit nga kjo sëmundje dhe u mënjanua shpërthimi i epidemisë. Kështu u veprua edhe në rastet e tjera të shpërthimeve të dizenterisë, tifos dhe sëmundjeve të tjera epidemike.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.