"Plagët," shkruan Edith Durham, e cila vizitoi Shqipërinë para një shekulli, "shqiptarët i trajtojnë në mënyrë shumë të mençur." Ata përdorin një antiseptik tradicional, të përbërë nga dyllë i bardhë, vaj ulliri dhe rrëshirë pishe. Kur plaga është e pezmatuar, duhet mjekuar dy herë në ditë; kur fillon të përmirësohet, një herë në 24 orë. Ky lloj trajtimi i plagëve është shumë i lashtë në vendin tonë. Ai është njohur për katër deri pesë breza, 300–400 vjet përpara, dhe besohet të jetë edhe më i moçëm.
Në mënyrë të tillë u trajtuan plagët nga populli ynë edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Për mjekimin e plagëve, populli ynë përdorte antiseptikun tradicional – rakinë e fortë të rrushit, 22–24 gradëshe.
Së pari, kur dikush plagosej, ai vihej në kushte qetësie dhe plaga izolohej nga ndotja mekanike e jashtme, duke e lidhur shtrëngueshëm me lecka të bardha e të pastra. Pas krijimit të kushteve për mjekimin e saj, transportimin, gjetjes së mjeteve dhe të shëruesit të kualifikuar, plaga zgjidhej dhe pastrohej disa herë me raki, si rreth plagës ashtu edhe në brendësi të saj.
Hiqeshin nga plaga të gjitha copat indore të shkëputura ose të dëmtuara dhe pastrohej nga gjakrat. Në plagët e freskëta nga armët e zjarrit, dy vrimat e plagës mbylleshin me dyllë blete. Plaga vishej me lëkurë dashe të sapothekur, e njomur mirë brenda me raki, dhe pastaj lidhej. Kur plaga ishte e freskët dhe e pandotur, ajo ndërrohej në ditën e dytë; në të kundërt, ndërrohej 2–3 herë në ditë.
Rakia përdorej nga shëruesit popullorë si antiseptik lokal larës, por edhe si tonik euforik – i jepej për të pirë të plagosurit, natyrisht në sasi të caktuara dhe sipas moshës. Dashit të sapothekur i përdorej jo vetëm lëkura, e cila vendosej mbi plagë pasi njomej me raki, por edhe mishi, që i jepej të plagosurit i pjekur ose i zier, si dhe lëngu i tij për t'u ngrënë për disa ditë. Kjo gjë ndihmonte në forcimin e organizmit dhe krijonte kushte më të mira për mjekim.
Në krahinën e Tropojës, plagëve të freskëta, veç dyllit të bletës, u hidhej edhe pluhur hithre të djegur në flakën e kashtës dhe të situr, kur plaga kishte hemorragji, si dhe pluhur i imët i lëvozhgës së vezës së pjekur në zjarr të fortë. Lëvorja e shtogut, e ndarë nga cipa e saj e jashtme dhe e përpunuar në disa mënyra, përdorej si ushqyes në plagët e freskëta dhe të gjera, sidomos në fazën e mbylljes së plagës.
Në disa krahina të vendit tonë është përdorur në plagë rrëshira e pishës, vaji i nxehtë etj., të përpunuara me lëndë të tjera, sidomos kur plaga dyshohej se ishte e ndotur dhe kryesisht për të ndaluar tetanozin, të cilin populli e njeh me emrin "sharrëza".
Për plagë të infektuara ose të vonuara janë përdorur shumë lloj mënyrash mjekimi dhe shumë lloj barnash. Qëllimi kryesor ka qenë kthimi i plagëve të tilla në plagë të pastra dhe pastaj mjekimi përfundimtar i tyre. Për pastrimin e këtyre plagëve është përdorur ujë i zier dhe pastrimi mekanik me pambuk ose me pecetë. Për këtë qëllim përdorej edhe uthulla e fortë e rrushit e përzier me kripë, në trajtë kompresash, dhe pastaj bëhej pastrimi me raki kur plagët ishin të thella.
Pas pastrimit të jashtëm, hiqeshin me kujdes të gjitha indet e vdekura dhe trupat e huaj, pastaj viheshin fitila të gjatë të ngopur me raki dhe me dyll. Këto plagë pastroheshin shpesh dhe fitilat ndërroheshin dy herë në ditë. Uji i lëvores së shtogut, pishës dhe shelgut përdorej për ushqimin e plagës në thellësi të saj. Kompresat me uthull dhe kripë viheshin shpesh herë në sipërfaqe të plagës, pasi ajo mjekohej në thellësi. Uji i drurit të frashërit përdorej për shpëlarje.
Për plagët e thella dhe të cekëta të infektuara janë përdorur edhe shumë pomada të përgatitura nga bimët. Shëruesit popullorë përgatisnin gjithashtu edhe shumë tretësira të koncentruara për mjekimin e plagëve nga bimët dhe mineralet. Nga gjethet dhe rrënjët e arrës, të marra në kohën e lulëzimit pranveror, përgatitej një dezinfektant shumë i mirë, duke i vënë këto në raki rrushi të fortë për 48 orë.
Po kështu fitohej edhe një tretësirë e ngopur me hudhra, e cila preferohej në pastrimin e plagëve me qelb të trashë jeshil. Mjekimi për 2–3 ditë me këtë tretësirë i pastronte shumë mirë këto plagë. Përdorej edhe uji i gëlqeres i kulluar ose cipa që zë ky ujë, duke e përzier me vaj ulliri dhe me pluhurin e imët të gjetheve të manaferrave ose të lulebasanit. Kjo masë përdorej për të pakësuar qelbin e shumtë të plagëve dhe për shërimin e tyre.
Lulebasani, vaj ulliri, e verdha e vezës dhe lëkura e thanës përgatisnin një pomadë tjetër për plagët e infektuara. Hudhra e shtypur me vaj ulliri përdorej për infeksionet që sapo fillonin. Gjithashtu përdoreshin pomada të përgatitura me farë liri, ose merrej qepa e çarë përgjysmë, e cila, pasi njomej pjesa e brendshme, vihej në vaj të nxehtë dhe në sheqer. Po kështu veprohej edhe me domate ose gjithëmëllagën.
Më e vështirë ka qenë trajtimi i plagëve të komplikuara me fraktura, qofshin këto të freskëta apo të vonuara, me ose pa qelb. Me këto plagë zakonisht merreshin shërues popullorë të specializuar për këto punë, njerëz me përvojë të madhe. Së pari, këtyre të dëmtuarve u sigurohej qetësi e plotë e vendit të dëmtuar. Ekstremiteti imobilizohej dhe pastaj mjekohej.
Për imobilizimin e frakturave, populli ynë ka përdorur një metodë origjinale – atë të aplikimit të jakisë, e cila përgatitej me vezë, raki dhe sapun. Kjo ishte një lidhje e fortë, e qëndrueshme dhe shumë komode për të dëmtuarin.
Frakturat e hapura pastroheshin mirë nga copat e kockave, të cilat hiqeshin me mjeshtëri të madhe me ndonjë instrument nga shëruesit popullorë. Hemorragjinë e izolonin me përdredhje të indeve përreth. Kur plaga nuk ishte e pastër, fusnin fitila të lyer me raki dhe me dyllë blete. Këto i nxirrnin në të dy anët e plagës dhe i lëviznin disa herë në kanalin e plagës, duke nxjerrë kështu edhe copëzat më të vogla. Sa herë që fitili dilte nga plaga, njomej me raki të fortë rrushi. Pas pastrimit, me ndihmën e një tjetri tërhiqeshin dy anët e dëmtuara deri në masën që duhej dhe në këtë kohë aplikohej jakia gjysmë e hapur ose ajo me lesh dhie dhe me dritare në vendin e plagës. Pastaj plaga mjekohej periodikisht.
Frakturat e mbyllura imobilizoheshin po me jaki. Është për t'u përmendur mjeshtëria e madhe e shëruesve popullorë në përcaktimin e lezionit dhe në vendosjen e mirë të pjesëve të thyera, pa përdorur mjete ndihmëse, veç prekjes me duar.
Për frakturat e baçinit dhe të kokës nuk përdorej rakia, por vendoseshin dërrasa në formë arkëvoli, duke lënë supet dhe krahët jashtë. Përdredhjet dhe nxjerrjet e artikulacioneve po në këtë mënyrë trajtoheshin.
Ngrirjet e duarve dhe të këmbëve të partizanëve populli i ka trajtuar në forma të ndryshme, por në themel të të gjitha metodave ka qenë ngrohja graduale e pjesëve të ngrira. Kështu, ekstremiteti i ngrirë mbështillej me bimë të ngrohta për një kohë të gjatë, pasi fërkohej butë më parë me një copë leshi. Kur kishte pjesë të tëra të trupit të ngrira, atëherë i dëmtuari futej në pleh bagëtie, duke e lënë sipas rastit disa orë deri në disa ditë.
Shëruesit tanë popullorë, përveç operacioneve të tilla si hernia, litotomia (heqja e gurëve në fshikëz), si dhe katarakti i syrit që kryenin, kanë kuruar edhe raste me gangrenë gazoze ose osteomielit shumë të avancuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, pa dëmtuar tërësinë e ekstremitetit.
Për ndalimin e hemorragjisë nga plagosjet, populli ynë dhe partizanët kanë përdorur duhan të grirë dhe lidhjen shtrënguese të plagës. Por për këtë qëllim përdorej edhe vorreza pufkë – një lloj bime që nxjerr frutin me madhësi sa një kokërr kumbulle, e cila me kalimin e kohës e ndryshon ngjyrën jeshile në kafe. Vorreza përmban një pluhur të grimcuar shumë të imët, dhe pikërisht ky pluhur hidhej mbi plagë. Po ashtu është përdorur me sukses lëvozhga e vezës e nxehur deri në kthimin e saj në një pluhur me ngjyrë kafe të errët, i cili pudrosej mbi plagën që kishte hemorragji.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.