"Pishtari i lirisë" ishte organ i spitalit partizan të Gusmarit, në trajtën e një gazete xhepi me 14–17 faqe të daktilografuara dhe shumëfishuar po me makinë shkrimi. Kjo gazetë xhepi ishte pionierja e shtypit tonë mjekësor.
Ajo doli në vitet e luftës me numrin e saj të parë më 25.08.1944, ndërsa numri i dytë i saj mban datën 10.09.1944. Kjo gazetë xhepi, që nxirrej nga të plagosurit, të sëmurët partizanë dhe personeli mjekësor i atij spitali, kishte karakter politik, artistik dhe mjekësor.
Në kryeartikullin e numrit të parë të "Pishtarit të lirisë" është shkruar për ngjarjen më të rëndësishme të asaj kohe, Kongresin e Përmetit. Në të thuhet: "Ne, të plagosurit, betohemi se detyrën tonë do ta vazhdojmë deri në vdekje. Do të hidhemi më të furishëm kundër armiqve dhe tradhtarëve, për ta mbajtur të pa tundur flamurin e Enverit." Pas këtij kryeartikulli të zjarrtë, redaksia në një artikull të dytë shkruan për rrethanat e daljes së kësaj gazete dhe për qëllimin e saj: "Në mes vuajtjesh, rënkimesh, shprehjesh të të plagosurve po del organi 'Pishtari i lirisë', i cili ka për qëllim të lartësojë moralin dhe flamurin për të cilin ai derdhi gjakun."
Nga ky artikull dhe nga përmbajtja e dy numrave bëhet i qartë qëllimi politik i gazetës. Aty shkruhet për luftën, për heroizmin e njerëzve të thjeshtë, u bëhet jehonë ngjarjeve më të rëndësishme të kohës dhe flitet për të ardhmen e lumtur të popullit tonë. Disa artikuj flasin për jetën në spital, të tjerë bëjnë propagandë sanitare dhe japin këshilla të vlefshme për të sëmurët dhe të plagosurit. Krahas qëllimit politik, artistik, propagandistik etj., kjo gazetë jepte edhe të dhëna mjekësore shkencore. Pikërisht për këto që u thanë, ne e quajmë "Pishtarin e lirisë" pionieren e shtypit tonë mjekësor.
Midis problemeve të shumta që trajtonte shtypi partizan gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, vend të rëndësishëm zinin edhe artikujt mjekësorë, të cilët shtjellonin çështje të propagandës shëndetësore dhe të mjekësisë së luftës. Rrallë të gjesh ndonjë numër të këtyre organeve që të mos ketë diçka për mjekësinë dhe për rëndësinë e problemit mjekësor në kohë lufte.
Tematika ka qenë nga më të larmishmet. Në to shkruhej për dhënien e ndihmës së parë vetjake dhe shokut-shokut, për ndalimin e hemoragjisë, për trajtimin e plagëve, për aksidentet urgjente dhe ndihmën që duhej dhënë, etj. Shkruhej për sëmundjet, sidomos për sëmundjet ngjitëse dhe veçanërisht ato të stinës, si dizanteria, tuberkulozi, malaria, gripi, infeksionet pulmonare dhe deri për plasjen, ngrirjen e të tjera.
Po ashtu, në shtypin partizan shkruhej mbi njohuritë për trupin dhe shëndetin, mbijetesën kolektive dhe njohuritë anatomike e fiziologjike mbi trupin e njeriut. Në rubrikën "Këshilla mjekësore", në mënyrë të përmbledhur jepeshin këshilla dhe udhëzime mjekësore për probleme të veçanta.
Karakteristikë dalluese e shkrimeve mjekësore gjatë luftës ka qenë problematika e larmishme e tyre, komunikimi pa terma të rëndomtë, shkrimi thjesht, me përmbajtje të thellë dhe të kuptueshme për masën.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.