Vendmjekimet
Vendmjekimet
Me organizimin e UNÇSH-së filluan të krijohen edhe pikat e mjekimit për nënrepartet e vogla, të cilat vareshin nga komandat e këtyre nënreparteve dhe përballonin punën mjekësore me forcat e veta. Po në këtë kohë, në shumë beteja u krijuan edhe vendet e grumbullimit të të plagosurve, të cilat kryenin shpesh herë edhe punën e vendit të parë të mjekimit, duke u dhënë ndihmën mjekësore ose duke kontrolluar këtë ndihmë që ishte dhënë në fushën e luftës.
Ndryshimin midis vendit të parë të mjekimit dhe vendeve të grumbullimit të të plagosurve e shohim kryesisht në karakterin e ndihmës mjekësore që jepej. Ndërsa në vendet e grumbullimit të plagosurit ndihmoheshin nga njëri-tjetri ose nga komandanti, në pikat e mjekimit kishte personel shëndetësor (sanitarë ose infermierë), të cilët këtë lloj ndihme e jepnin më mirë.
Vendet e para të mjekimit u praktikuan së pari nga Brigada I Sulmuese. Më vonë filluan t'i praktikojnë edhe brigadat e tjera, sidomos Brigadat IV, V, VI, VII dhe XIX Sulmuese.
Vendet e para të mjekimit përcaktoheshin që në fillim të betejës, por shpesh, me urdhër të komandës, qëllonte që këto vende edhe të ndryshonin. Pikat e mjekimit shërbenin si vende mjekimi gjatë gjithë betejës, por po të mbaruar ajo, pushonin dhe shpërndaheshin. Të plagosurit barteshin atëherë në vende të ndryshme, por zakonisht sa më pranë vendeve të mjekimit.
Organizimi i vendmjekimeve në njësitë partizane gjatë luftimit ishte një domosdoshmëri. Ngritja e tyre u kushtëzua nga nevoja për t'u dhënë sa më parë ndihmën mjekësore partizanëve të plagosur.
Vendmjekimi i parë partizan u ngrit gjatë Luftës së Gjormit (Mesaplik) në dhjetor të vitit 1943, në pyllin e Bratajt. Aty u mjekuan rreth 40-50 partizanë dhe njerëz të tjerë që ishin plagosur. Gjatë zhvillimit të kësaj lufte, mjeku partizan hidhej pozicion më pozicion, nën vërshëllimën e plumbave të armikut, për t'u dhënë ndihmën e parë mjekësore shokëve të plagosur. Pastaj, nën gjëmimin e vazhdueshëm të luftës, ai i grumbullonte të plagosurit prapa ndonjë shembi të madh për t'i mbrojtur nga goditjet e armikut. Me urdhër të shtabit operativ dhe me ndihmën e luftëtarëve të lirisë, mjeku u nis bashkë me të plagosurit për në pyllin e Bratajt.
Në hyrje të këtij pylli ndodhej shtëpia e një patrioti, e cila u kthye në një vend mjekimi të vërtetë. Nën drejtimin e mjekut dhe me ndihmën e pjesëtarëve të familjes e të shoqëruesve të tjerë, u sistemuan të plagosurit dhe u mjekuan. Aty u bënë edhe ndërhyrje kirurgjikale për t'ua hequr copat e predhave që u kishin mbetur në trup.
Në këtë vendmjekim të parë partizan, të plagosurit u mjekuan me mjete rrethmore, popullore dhe të mjekësisë së kultivuar. Në këtë vendmjekim, partizanët e plagosur qëndruan të grumbulluar 5-6 ditë, dhe pastaj, me urdhër të qarkorit të PKSH-së, u shpërndanë në shtëpitë e tyre. Ata që ishin më rëndë u dërguan në Kuç të Kurveleshit.
Në Luftën e Gjormit u fitua një përvojë e mirë mjekësore. Ndihma e parë që iu dha luftëtarëve nëpër pozicione ishte e kualifikuar, ajo u dha nga vetë mjeku kirurg. Të plagosurit u grumbulluan shumë afër vijës së parë, sepse e favorizonte terreni, dhe me ndihmën e popullit u bartën në krahë që nga vija e parë deri në vendmjekim.
Pas ngritjes së vendmjekimit të parë partizan në Brataj, u ngritën një sërë vendmjekimesh të tjera të çetave territoriale dhe batalioneve të ndryshme partizane. Kështu, në Luftën e Çetës Plakë të Mallakastrës dhe të çetave territoriale të kësaj krahine, më 25 qershor të vitit 1943, të plagosurit u grumbulluan pas betejës në kodrat e Beunit të Vlorës.
Edhe në qarkun e Shkodrës, gjatë luftimeve të batalionit partizan të këtij qarku, u krijuan disa vendmjekime, të cilat në disa raste u kthyen në infermieri për mjekimin e partizanëve të plagosur dhe të sëmurë. Më shpesh, vendmjekimet e njësive partizane, pas grumbullimit të të plagosurve, vendoseshin nëpër fshatra nën kujdestarinë e një infermieri ose mjeku.
Vendmjekimet e njësive partizane ishin të domosdoshme në çdo betejë; prandaj ato u bënë pjesë përbërëse e planeve të komandave, u organizuan në më shumë forma, gjithmonë duke pasur pikësynimin që ndihma mjekësore për të plagosurit të jepej sa më shpejt.
Çdo vendmjekim i njësisë, çdo ndihmë e dhënë në çdo betejë, ka karakteristikat e veta. Këto vendmjekime nuk u ndërtuan kudo njëlloj sipas ndonjë skeme të caktuar që më parë. Organizimi i tyre u bë sipas kushteve konkrete të çdo reparti dhe të çdo beteje.
Në organizimin e mirë të vendmjekimeve të njësive partizane, rol të rëndësishëm luanin komanda dhe referenti sanitar i repartit, të cilët caktonin vendmjekimin, paracaktonin mënyrën se si do të veprohej në situata të ndryshme, etj.
"Për t'u ardhur në ndihmë gjithë të plagosurve tanë në vijën e parë kudo që të ndodhen," – thuhet në një qarkore të Shtabit të Përgjithshëm në korrik 1944 – "kur batalionet janë në luftë, atëherë komanda e shtabit të brigadës duhet afër saj të zgjedhë një vend më pak të ekspozuar prej rreziku… ku mjeku do të vendosë vendin e mjekimeve të para. Të gjitha pjesët e ushtrisë duhet ta dinë mirë këtë vend." *
*AQP, Fondi 41, Qarkore gjithë shtabeve, dt. 30/07/1944, Nr. 147.*
Vendosja e vendmjekimeve urdhërohej nga komanda e njësisë partizane dhe kishte si kusht që ky vendmjekim të ishte barabar larg pikave ku ishin shtrirë formacionet luftarake, me qëllim që partizanët e plagosur të mos përshkonin rrugë të largët për të arritur deri në vendmjekim.
Brigadat, dhe disa herë edhe batalionet, krahas vendmjekimeve hapnin edhe infermieri. Këto infermieri ndryshonin nga vendmjekimet, sepse kujdeseshin edhe për të sëmurë, qëndronin për një kohë të gjatë të ngritura dhe kishin kapacitet më të madh shtrimi. Ato ngjanin me vendmjekimet, sepse edhe këto ngriheshin gjatë betejave dhe ishin qendra mjekësore të ndërmjetme midis vijës së parë dhe spitaleve partizane. Me spitalet partizane këto ngjanin më shumë, sepse kishin kapacitet shtrimi të madh, të plagosurit mbaheshin më gjatë dhe, përveç të plagosurve, mjekonin edhe të sëmurë.
Nëpër këto infermieri nuk bëheshin ndërhyrje kirurgjikale; gama e aplikimeve mjekësore ishte më e kufizuar. Ishte e pakët gjithashtu edhe pajisja, dhe kur lëvizte brigada, shpesh të sëmurët përcilleshin nëpër spitalet partizane. Infermieritë e brigadave drejtoheshin nga infermierë të kualifikuar; rrallë mund të kishin edhe ndonjë mjek, sepse ky ndiqte njësitë në luftime. Pajisja materiale e tyre ishte e varfër; rrallë mund të kishin shtretër për të plagosurit. Të plagosurit dhe të sëmurët sistemoheshin si mundnin mbi rrobat e tyre dhe me mbulesa që u jepnin fshatarët.
Batalioni "Fuat Babani", për një kohë të gjatë në veprimet e tij luftarake në krahinën e Devollit dhe përreth saj, ka pasur si infermieri një shtëpi në katundin Dardhë, e cila më vonë iu la Brigadës IV Sulmuese. Kjo infermieri partizane mbante mesatarisht 20-30 të shtruar dhe, veç të plagosurve, mjekonte edhe të sëmurë.
Brigada II Sulmuese, kur kaloi në zonën e veprimeve Pogradec-Përrenjas, e zhvendosi infermierinë e vet në Përrenjas, duke krijuar tashmë një vendmjekim të lëvizshëm, që pati 29 të shtruar. Infermieri të tilla krijoi Brigada I Sulmuese në Kucakë që më 1943, në Skrapar, në Dibër, në Shupal etj. Po ashtu Brigada V dhe VI Sulmuese në zonat Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër dhe në Shqipërinë e Veriut, Brigada VII në rrethin e Beratit, etj.
Gjatë luftimeve të Brigadës IV Sulmuese në krahinën e Matit dhe të Dibrës, në urdhrat e veprimeve luftarake përcaktoheshin mirë vendmjekimet e batalioneve dhe të brigadës. Të gjitha batalionet kishin vendmjekimet e tyre në afërsi të shtabeve të batalioneve, ndërsa shtabi i brigadës kishte vendmjekimin në katundin Gjon. Ky vendmjekim ishte caktuar për të qenë në funksion të të gjithë efektivit të brigadës dhe në përputhje të plotë me situatën e luftës.
Vëllimi i punës nuk ishte i madh. U plagosën 10-15 partizanë në ditët e para të luftimeve dhe u sëmurën 10 të tjerë. Ndihma e kërkuar u dha tërësisht dhe në kohën e duhur.
Gjatë veprimeve të trupave në Mirditë, Shtabi i Përgjithshëm urdhëronte: "Çdo brigadë të parashikojë vendmjekimin; në përfundim, të gjithë të plagosurit të shoqërohen në spitalin e divizionit në Peshkopi."* Spitali i divizionit ishte në një zonë të çliruar në Peshkopi, i pajisur me kuadro dhe me mjete mjekësore të shumta, dhe ndodhej në shpinë të veprimeve luftarake të njësive. Kishte një pikë të avancuar të tij në Lurë dhe më vonë një tjetër pikë të përparuar, të pajisur me një kirurg, në Shpal.
*Arkivi Qendror i Ushtrisë. Fondi i Brigadës IV Sulmuese. Dosja 1/13, dt. 22 gusht 1944, f. 28.*
Vetë komanda e divizionit krijoi për batalionet dhe për brigadat, të cilat ishin në zona pak më të largëta, vendmjekime të veçanta. Këto vendmjekime u vendosën në natyrë, në çadra, ose në shtëpitë e fshatrave të çliruara. Pra, në këtë zonë veprimesh të divizionit ishin krijuar pothuajse për të gjitha njësitë të gjitha hallkat e duhura të zinxhirit mjekësor. Ndihma mjekësore u dha plotësisht dhe e organizuar.
Në këto vendmjekime kanë punuar me vetëmohim kuadro të ulëta mjekësore, infermierë të përgatitur gjatë luftës ose më parë. Figura e tyre si kuadro mjekësorë u ngrit edhe më lart gjatë luftës. Ka ndihmuar shumë këtu shpirti i vetëmohimit dhe i sakrificës, durimi dhe zemërgjerësia e madhe e luftëtarëve të plagosur, të cilët ndihmonin kuadrot, duke mjekuar veten ashtu edhe duke mjekuar shokët. Ata i duronin me shpirt, duke shtrënguar dhëmbët, dhimbjen, duke i dhënë forcë vetes dhe shokut të mjekësisë, që kështu të vazhdonte punën e tij për mjekimin e plagës.
Nuk duhet harruar se ndërhyrjet mjekësore shpeshherë bëheshin pa anestezi e pa mjete mjekësore. Puna e madhe e kuadrove të ulët në këto vendmjekime, bashkëpunimi i ngushtë midis tyre në kryerjen e procedurave të shumta mjekësore, është karakteristikë dalluese e mjekësisë partizane gjatë luftës.
Vendmjekimet e njësive partizane, si dhe infermieritë e tyre, për arsyet që u thanë, nuk kanë qenë të predispozuara të mbanin shumë të sëmurë dhe të plagosur në qendrat e tyre mjekësore. Në këto vendmjekime kanë marrë ndihmë mjekësore të menjëhershme tre deri pesë të plagosur dhe, nga çasti i fillimit deri në fund të betejës ose të rivendosjes së tyre, nuk kanë kuruar më shumë se 20-50 veta mesatarisht.
Kapacitetin më të madh të vendmjekimeve e gjejmë në mesin e vitit 1944, kohë në të cilën edhe betejat kanë qenë më të shumta dhe kanë pasur karakter sulmues. Ky kapacitet nuk i ka kaluar 40-50 të plagosurit rëndë që nuk mund t'i shërbenin vetes, nuk mund të ecnin dhe që kishin nevojë për trajtim të veçantë mjekësor.
Siç është përmendur, nga fundi i luftës shohim që në këto vendmjekime shtroheshin edhe të sëmurë me sëmundje akute dhe ndonjëherë edhe ngjitëse. Më shpesh në këto vendmjekime bëhej përpunimi i parë i plagëve të luftës, ndalimi i hemorragjive, bëhej serumi antitetanik (sepse në luftimet e qershorit të vitit 1944 ishin konstatuar disa raste me tetanos), aplikohej imobilizimi me steka dhe në disa raste me allçi, merreshin një sërë masash reanimatore të thjeshta dhe zgjidheshin e seleksionoheshin të plagosurit: ata që duhej të ndiqnin njësitë dhe ata që duhej të qëndronin në vendmjekim ose në spitalet partizane, duke caktuar edhe mënyrën e transportimit të tyre. Evakuimi gjatë luftës bëhej nga poshtë lart.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.