Lufta në qytete zhvillohej me përleshje të përgjakshme me armikun. Kështu që, edhe numri i të plagosurve ishte më i madh. Për këtë arsye shtabet operuese, që kur hartonin planin operativ të mësymjes së këtyre qendrave, përcaktonin vendet e para të mjekimit, pikat e grumbullimit të të plagosurve, si dhe vendmjekimet e reparteve.
Në luftën për asgjësimin e armiqve në Pogradec dhe për çlirimin e qytetit në prill 1944, ku merrnin pjesë forca të Brigadës I Sulmuese dhe ato të Brigadës IV Sulmuese, shtabi operativ, kur bëri përgatitjen e operacionit, përpunoi edhe planin e shërbimit shëndetësor gjatë këtyre luftimeve. Në sulmin për çlirimin e qytetit funksionuan dy qendra mjekësore në lagjet e jashtme të qytetit dhe një në afërsi të luftimeve kryesore. Veç kësaj, për mjekimin e të plagosurve shërbyen edhe shumë shtëpi të popullit.
Në urdhrin e lëshuar në korrik të vitit 1944 për asgjësimin e garnizonit armik të Gjirokastrës e të tradhtarëve dhe për çlirimin e qytetit, thuhet se të plagosurit, pasi të bëjnë mjekimet e para, do të përcillen në kalanë e Shën Triadhës dhe në Kordhocë. Këto qendra mjekësore të tipit të vendmjekimit të brigadave ishin vendosur njëra pas tjetrës dhe ishin ngritur me qëllim që të mbulonin distancën e madhe të spitaleve partizane nga vendi i betejës. Spitalet në fjalë ishin vendosur në Kurvelesh, në Zagori dhe në zonën e thellë të Theologos.
Forcat e luftimeve për çlirimin e Elbasanit në fillim krijuan një vendmjekim në Labinotin e Poshtëm, të cilin e udhëhiqte mjeku i Brigadës XI Sulmuese. Më 11/11/1944, urdhri për çlirimin e këtij qyteti porosiste komandat e batalioneve që të plagosurit, pasi t’u bëheshin mjekimet e para, të niseshin për në Shmill. Vendmjekimi i ngritur rishtas kishte shtretër dhe një ndihmë efikase mjekësore. Një pjesë e këtyre të plagosurve u ndalën e u mjekuan në shtëpitë e Elbasanit dhe më vonë u mjekuan në spitalin e këtij qyteti.
Një varg vendmjekimesh u ngritën edhe në luftën për çlirimin e qytetit të Korçës, por vendmjekimi më i rëndësishëm ishte ai i fshatit Drenovë, që ishte pasardhësi i spitalit të Dardhës dhe i spitalit të Bradvicës.
Rolin kryesor për mjekimin e partizanëve të plagosur e luajti popullsia civile, që ktheu shtëpitë e veta në vatra të ngrohta mjekësore dhe u siguroi ndihmën e kualifikuar këtyre të plagosurve.
Një shërbim i vërtetë mjekësor u dha në sulmin për çlirimin e Tiranës, në të cilin morën pjesë shumë formacione të mëdha luftarake partizane. Në urdhrin operativ për çlirimin e Tiranës thuhej: “Brigada IV Sulmuese, të plagosurit dhe të sëmurët do t’i dërgojë në spitalin e saj në Ballë-Haxhias; Brigada VIII Sulmuese, të plagosurit dhe të sëmurët rëndë duhet t’i dërgojë në spitalin e Brigadës IV Sulmuese dhe për të sëmurët lehtë të kujdeset që t’i shërojë në infermierinë e saj. Brigada X Sulmuese të mundohet që të sëmurët rëndë t’i dërgojë në spitalin e Kryeziut të Komandës së qarkut të Durrësit dhe të sëmurët lehtë t’i mjekojë në infermierinë e saj”.* Nga ana tjetër, Brigada I Sulmuese, fill pas çlirimit të Krujës, organizoi një vendmjekim të mirë në Mukje dhe më vonë e zhvendosi atë në Tujan, në verilindje të Tiranës.
*Arkivi Qendror i Ushtrisë, Fondi i Shtabit të Përgjithshëm, Dosja 4/16, f. 187.
Më 29 tetor, forcat tona, gjatë sulmit të përgjithshëm për çlirimin e kryeqytetit, shtinë në dorë dy spitalet e Tiranës, bashkë me të gjitha pajisjet mjekësore dhe materialet e tjera. Pas kësaj, luftëtarët e plagosur patën mundësinë të merrnin shpejt ndihmën mjekësore. Të dy spitalet, që edhe në kohën e terrorit më të egër nazi-fashist kishin qenë baza të sigurta të kurimit të kualifikuar mjekësor për partizanët, nuk pushuan asnjë çast të jepnin ndihmën.
Lufta në barrikada diktoi nevojën e dhënies së ndihmës së parë mjekësore në pozicionet e vijës së parë, në çdo kohë e në çdo situatë; prandaj infermierët dhe sanitarët e kompanive dhe të togave, populli i Tiranës, vajza dhe gra, u rreshtuan në vijën e parë të luftës, duke luftuar dhe duke shkuar pozicion më pozicion për t’u dhënë ndihmën e parë mjekësore të plagosurve, sa herë që ajo duhej. Jo shumë larg barrikadave, rreth 100-150 metra, u ngritën dy pika të përparuara të ndihmës mjekësore, të cilat jepnin ndihmën e parë që nga barrikadat e deri në thellësi të frontit.
Çaste nga mjekimi i një partizani të plagosur gjatë betejës për Tiranën
Krahas këtyre pikave të avancuara mjekësore, në afërsi të stadiumit të qytetit, u organizua një vendmjekim i përparuar i Brigadës IV Sulmuese, i cili grumbullonte të plagosurit nga vija e parë në shtëpitë në juglindje të Tiranës, u jepte ndihmën e parë mjekësore dhe i bartte pastaj në kodrat e Saukut, e cila ishte një pikë e ndërmjetme e kontrollit të dhënies së ndihmës mjekësore dhe e plotësimit të saj. Në rast nevoje, të sëmurët dërgoheshin që këtej në Arbanë dhe në Ballë-Haxhias.
Pika të tilla të përparuara, të cilat drejtoheshin nga infermierë dhe dërgonin të plagosurit në Sauk, në Yzberish ose në Arbanë, ishin krijuar edhe në anën juglindore të Tiranës. Prej këtej kishte të plagosur që dërgoheshin në spitalin partizan të Pezës ose në atë të Kryeziut të qarkut të Durrësit.
Në veri të frontit të luftimeve të Tiranës u ngritën pika të tjera të dhënies së ndihmës mjekësore, por më e rëndësishmja ishte ajo e Laprakës, e cila u vendos në strehën vorfnore, jo më shumë se 300 metra larg nga vija e mbrojtjes gjermane.
Gjatë luftimeve, armiku goditi me artileri spitalet e qytetit, por komanda partizane e prapavijës, brenda një kohe shumë të shkurtër, organizoi bartjen e të plagosurve në spitalin partizan të Tufinës dhe prej andej në Shëngjergj të Tiranës. Ky veprim shpëtoi jetën e dhjetëra të plagosurve e të sëmurëve.
Organizimi mjekësor në luftën për çlirimin e Tiranës, i kryer nën kujdesin dhe me urdhrin e drejtpërdrejtë të Mehmet Shehut, nuk përballoi vetëm vëllimin e ndihmës mjekësore të të plagosurve partizanë, por edhe punën e madhe me të plagosurit civilë, të cilët ishin të shumtë. Kjo ishte një provë e madhe e kaluar me sukses nga mjekësia partizane, e cila, në këtë etapë vendimtare, jepte ndihmën në luftërat për çlirimin e qyteteve, provë që nxori në pah aftësinë organizative, manovrueshmërinë dhe vlerën e madhe të efektit të dhënies së ndihmës në kushtet e veçanta të këtij lloj luftimi.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Mjekësia partizane. Autor: Lavdim Gjonça.