Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
UNÇSH prej kohësh i kishte rrëmbyer armikut nismën strategjike duke zhvilluar me sukses disa operacione mësymëse. Njësitë e Divizionit I Sulmues në bashkëveprim me forcat vullnetare territoriale të zonave në veri të Shkumbinit, pas dy muaj e gjysmë veprimesh luftarake (26 qershor - 10 shtator të vitit 1944), zhvilluan me sukses operacione të njëpasnjëshme, si rezultat i të cilave çliruan pjesën më të madhe të Shqipërisë së mesme (me përjashtim të qyteteve) dhe disa krahina të Shqipërisë së Veriut. Më pas këto fitore u rritën dhe u konsoliduan më tej me kalimin e Divizionit II Sulmues në veri të lumit Shkumbin dhe zhvillimin e mësymjes në Shqipërinë e Mesme. Ndërkohë, njësitë e tjera të UNÇSH, së bashku me forcat vullnetare territoriale, zhvilluan me sukses operacione mësymëse në Shqipërinë e Jugut dhe çliruan krahinat dhe disa nga qytetet. Në vjeshtën e vitit 1944 ishin çliruar tri të katërtat e Shqipërisë. Në të gjithë territorin e çliruar ishin ngritur dhe ushtronin veprimtarinë e tyre këshillat nacionalçlirimtare.
Komanda gjermane e forcave të pushtimit në Shqipëri, në zbatim të detyrës së marrë nga Komanda e Lartë Gjermane e Juglindjes, mori masa dhe përgatiti disa vija mbrojtjeje për të mbuluar tërheqjen e forcave të veta. Vija të tilla me garnizone e pikëmbështetje të fortifikuara u ndërtuan përgjatë të gjitha rrugëve të tërheqjes së forcave gjermane në Shqipëri, por më të rëndësishme e më të forta ishin ato për mbrojtjen e Tiranës e të Shkodrës, të cilat u zunë me forca e mjete të shumta dhe duhej të mbaheshin me çdo kusht, deri në tërheqjen e plotë të forcave gjermane nga Shqipëria e Jugut, Greqia e Maqedonia.
Trupat e Korparmatës XXI malore gjermane që filluan tërheqjen nga Shqipëria arrini në 65,000 forca. Ndërkohë tërheqja e forcave gjermane nga Greqia nëpër territorin shqiptar e rriti edhe më shumë këtë numër. Tërheqja e tyre kryhej në rrugët: Perat - Korçë - Zvezdë - Strugë - Elbasan - Shkodër dhe Elbasan - Durrës - Shkodër për të dalë në Dalmaci.
Duke bërë vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes së brendshme e të jashtme në fund të gushtit të vitit 1944 Komanda e Përgjithshme e UNÇSH arriti në përfundimin se ishin krijuar kushtet që forcat e Korparmatës I Sulmuese të përgatiteshin e të zhvillonin një operacion mësymës të shkallës strategjike në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, me qëllim çlirimin e plotë të vendit.
Në udhëzimet që i dërgonte shtabit të Korparmatës I Sulmuese, më 28 gusht të vitit 1944 Shtabi i Përgjithshëm theksonte: “Situata nuk është më ajo që ka qenë përpara. Terrenet që kemi çliruar nuk duhet të zbrazen… Të kontrollohen pozitat tona në Mat, në Dibër, në Çermenikë. Të kontrollohen prej nesh rrethet e Tiranës… Forcat duhet të jenë gati që në urdhrin e parë të sulmojnë qytetet.”*
*”Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëllimi II, bot II, Tiranë, 1976, f.130.
Mbi bazën e këtyre udhëzimeve, Shtabi i Korparmatës I Sulmuese filloi përgatitjet për operacionin mësymës strategjik në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, me qëllim asgjësimin e forcave armike, çlirimi i të gjithë territorit të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, duke përfshirë edhe qytetet, shkatërrimin e ndonjë plani të mundshëm britanik për zbarkim forcash në këto zona e në veçanti në bregdetin e Durrësit, si dhe goditjen e forcave gjermane që të tërhiqeshin në rrugët e komunikacionit, duke u shkaktuar atyre sa më shumë humbje.
Ky operacion parashikohej të realizohej nëpërmjet disa operacioneve mësymëse të njëkohësishme, në mënyrë që forcat armike, si ato që ishin të përqendruara në garnizone e që kishin organizuar mbrojtje, ashtu edhe ato që tërhiqeshin nga rrugët e komunikacionit, të goditeshin e të dëmtoheshin pa pasur mundësi që tu vinin në ndihmë njëra tjetrës. Kjo taktikë do t’ia hiqte mundësinë komandës gjermane që të bënte manovrime të forcave.
Operacioni strategjik në Shqipërinë e Mesem e të Veriut do të realizohej nga Korparmata I Sulmuese fillimisht vetëm njësitë e repartet që kishte në përbërje të saj, e më pas edhe nga njësi të tjera që Komanda e Përgjithshme do të vinte në varësi të saj e do t’i fuste në operacion shkallë-shkallë.
Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Në prag të operacioneve të mëdha operativo-strategjike të Korparmatës I Sulmuese, njësitë e Divizionit II Sulmues (Br. III e VI Sulmuese) gjatë muajve gusht-shtator kryen një varg veprimesh luftarake përgjatë rrugës Librazhd - Elbasan - Tiranë - dhe në rrethinat e në brendi të Tiranës dhe të Elbasanit. Ndër më të shquarat e këtyre veprimeve janë luftimet e Brigadës VI Sulmuese në rajonin e Labitonit dhe ato të Brigadës III Sulmuese në periferi dhe në brendësi në Tiranës.
Në fund të Gushtit, me daljen në bregun verior të Shkumbinit, forcat e Brigadës VI Sulmuese ishin vendosur në këto pozicione: Batalionet 2, 3 dhe 5 në rajonin e Labinotit, ndërsa batalionet 1 dhe 4 afër Tiranës.
Luftimet e Labinotit janë përleshjet më të ashpra që ka zhvilluar Brigada VI Sulmuese në Shqipërinë e Mesme (skema 51). Rruga Librazhd - Elbasan që gjarpëronte mes malesh përgjatë luginës së Shkumbinit krijonte kushte të mira për organizimin e pritave. Këtë rrugë armiku e ruante me garnizonet e Krastës e të Librazhdit si dhe me qendra zjarri të fortifikuara me bunkerë, të vendosura përgjatë rrugës. Përpara se të kalonin autokolonat gjermane, rruga patrullohej me tanke dhe autoblinda. Prita u organizuar në sektorin midisi Labinotit - Fushë dhe Xibrakës, me një gjatësi rreth 8 km. Ky rajon mundësonte si dhënien e sulmeve e të kundërsulmeve nga lartë poshtë e në krahë ashtu dhe tërheqjen e sigurt.
Sapo forcat partizane bllokuan rrugën në sektori i pritës, më 10 shtator nga Elbasani u nis për në Labinot-Fushë batalioni 2 i Regjimentit 524 granatjer. Rreth 1000 forca gjermane sulmuan forcat e brigadës që qëndroni në lartësitë afër rrugës. Ato kishin marrë urdhër që rruga të zhbllokohej me çdo kusht. Artileria e armikut e pozicionuar në Krastë, Labinot-Fushë dhe Xibrakë godiste pandërprerje pozicionet e brigadës në malin e Broshkës dhe në lartësitë sunduese 648, 451, 655, 687, 522, etj. Pasdite gjermanët dolën në befasi në afërsi të Malit të Broshkës dhe në lartësinë 351. Ata mundën të afroheshin si rrjedhojë e vrojtimit jo të mirë dhe të nënvlerësimit të armikut nga një kompani e batalionit 3. Forcat gjermane synonin të kapnin malin e Broshkës, për t’u dalë forcave partizane në krahë dhe në shpinë. Me forcat e tjera që erdhën nga Librazhdi, armiku kaloi në sulm të përgjithshëm në të gjithë sektorin e pritës. Goditjen kryesore me forcat e një batalioni këmbësorie e dha kundër një kompanie partizane në malin e Broshkës. Me pjesë të forcave ai bënte trysni nga Xibraka mbi lartësitë 522, 412, 388. Sulmi për të kapur pozicionet që zotëronin rrugën u bë për të siguruar lëvizjen e forcave të tjera që po afroheshin nga Ohri e Struga dhe futjen e tyre në luftim.
Epërsia dhe sulmet e armikut në të gjithë frontin i detyruan forcat e brigadës të kalonin përkohësisht në mbrojtje dhe sulmi i parë i armikut u thye në të gjitha drejtimet. Në sulmin e dytë ai u organizua dhe u përforcua duke sjellë më se 10 tanke dhe bateri topash me qitje me shënjim të drejtpërdrejtë. Në të gjithë frontin raporti në njerëz arriti 2.3 me 1 në dobi të armikut, kurse në drejtimin e goditjes kryesore 5.3 me 1. Gjermanët mundën të pushtonin vetëm lartësinë 648 dhe kodrën nëpërmjet lartësive 648, 451 dhe në këtë vijë ata hapën llogore. Forcat e brigadës shfrytëzuan me zotësi terrenin, hapën zjarr të saktë dhe u tërhoqën vetëm kur rrezikoheshin të binin në rrethim. Lartësitë që do të shërbenin si vija të hapjes për sulm u mbajtën me këmbëngulje.
Komanda e brigadës nuk e kishte futur ende një pjesë të forcave në luftim. Sulmi i armikut nga krahët mbetej një rrezik i përhershëm. Rezervën, që arrinte 6-7 komani partizane, komanda e brigadës e përdori vetëm në çastin vendimtar. Pas mesnate Brigada kaloi në kundërsulm dhe goditjen kryesore e dha drejtë lartësisë zotëruese mali i Broshkës - Labinot Fushë me dy kompani të batalionit 2, dy kopmani të batalionit 3 dhe një kompani të batalionit 5, së bashku me forcat që ishin në mbrojtje. U zhvilluan luftime trup me trup. Zjarri i armëve automatike dhe i bombave të dorës në largësi të vogla ishte i frytshëm. Nazistët u thyen në të gjithë vijën. Ndjekja e armikut që tërhiqej i shpartalluar grupe-grupe u bë deri afër Labinotit-Fushë. Pas kësaj, me urdhër të kombandës së Brigadës, forcat partizane u vendosën në Labinotin e Sipërm, me qëllim që të dilnin jashtë rrezes goditëse të artilerisë së armikut. Humbjet e armikut ishin mëse 120 të vrarë, 150 të plagosur e disa robër, u shkatërruan 6 tanke e autoblinda, mjaft makina dhe u zunë shumë materiale luftarake. Por edhe humbjet e brigadës nuk ishin të pakta: 10 partizanë të vrarë dhe 21 të palgosur. Gjatë veprimeve luftarake treditore u kalua nga luftimi në pritë, në mbrojtje, pastaj në mësymje dhe, së fundi, në ndjekje të armikut. Luftimet u zhvilluan pandërprerje, ditën dhe natën, në terren malor pjesërisht të pyllëzuar, të bashkërenduara me goditjet demonstrative mbi armikun në qytet. Nisma mbeti në duart e partizanëve. Mbajtja në thellësi të rezervës së fuqishme, jashtë zonës së zjarrit të artilerisë armike, afrimi gjatë natës, futja e saj në çastin e duhur dhe nga lart-poshtë, siguroi jo vetëm befasinë e goditjes, por edhe suksesin e luftimit të brigadës. Rol të rëndësishëm luajti drejtimi nga afër i luftimeve nga komanda e brigadës. Ajo, me vendimet e sakta dhe veprimet energjike, ndërhyri në çastet vendimtare.
Shtabi i Përgjithshëm i ngarkoi detyrë shtabit të Korparmatës I Sulmuese të studionte mundësinë e mësymjes për çlirimin e Tiranës dhe të mbante nën kontroll rrethinat e saj, derisa të vinin forcat e Divizionit I për mësymjen në kryeqytet.
Brigada III, pas një marshimi të shpejtë në kolona batalioni, u vendos në fshatrat në lindje të kryeqytetit, nga Babruja deri në Farkë. Ajo mori detyrë të jepte një varg goditjesh kundër postave dhe përqendrimeve të armikut në rrethina dhe brenda në Tiranë për t’i mbajtur pushtuesit dhe forcat kolaboracioniste në gjendje shqetësimi të përhershëm.
Gjatë verës armiku kishte kryer punime fortifikuese në kodrat, në lagjet e jashtme dhe në qendër të qytetit. Hyrja dhe dalja e qytetarëve nga Tirana kontrollohej rreptësisht nga një rrjet postblloqesh. Forcat gjermane qëndronin në llogore, strehime dhe bodrumet e ndërtesave sepse, siç pohon vetë armiku: “Që në fund të gushtit kryeqyteti ishte bërë fushë e dukshme magentike për të gjitha bandat komuniste.”* Në dhjetëditëshin e parë të shtatorit Brigada III Sulmuese shpartalloi përqendrimet e forcave mercenare në lindje të kryeqytetit. Në këto luftime u bashkëveprua me njësitet guerile dhe me batalion “Dajti”. Afrimi i maskuar natën mundësoi që armiku të goditej në befasi të Varrit të Bamit dhe të Ujësjellësit (te Rrapi i Treshit). Me grupe sulmi u dogjën dhe iu shkaktuan dëme në njerëz postave dhe komandave të xhandarmërisë në rrugën e Shëngjergjit (sot “Ali Demi”), të Dibrës, etj. Duke u vënë në ndjekje të armikut, grupet e sulmit depërtuan deri në qendër të Tiranës.
*”Dokumente gjermane”, T. 501-285, 000619.
Komanda gjermane i vlerësonte tepër të rrezikshme sulmet mbi qytet. Më 6 shtator ajo urdhëronte komandën e Garnizonit të Tiranës “...që të paraqesë një plan mbrojtës për mbrojtjen e anës lindore të Tiranës,”* dhe po atë ditë u nisën grupe sulmi, kryesisht me oficerë për të depërtuar në vijat partizane. Goditjet e Brigadës III Sulmuese në lindje të Tiranës tronditën edhe forcat mercenare, të cilat filluan të linin pozicionet e të dezertonin në masë. Për pasojë komanda gjermane u detyrua të dërgonte forcat e veta për të mbrojtur rrethinat e Tiranës. Në Bathore ato kryen me ngutësi punime xheniere dhe vendosën rreth dy kompani të pajisura me mortaja.
*”Dokumente gjermane”, T. 314-664, 000015 datë 6/9/1944
Me gjithë masat e marra nga armiku, forcat e Brigadës III Sulmuese vijuan goditjet në pikëmbështetjen e fortifikuar të porsakrijuar në Bathore, në Kodrën e Kopilit (varrezat e dëshmorëve), në rrugën e Shëngjergjit, te Kodra e Priftit, te Kazermat e Xhenios, etj. Me këto luftime pothuajse të gjitha postat dhe garnizonet e armikut në lindje të Tiranës u asgjësuan.
Në pesëmbëdhjetëditëshin e dytë të shtatorit vepruan edhe forcat e Brigadës VI Sulmuese që zëvendësuan Brigadën III, pasi kjo e fundit kishte marrë urdhër të nisej për në Kosovë. Për pesë ditë me radhë Brigada VI e goditi armikun në afërsi të Kazermave të Xhenios, në Kazermat “Shkumbini” (sot qyteti studenti), Yzberisht (lagja kombinati), në urën e Farkës, në Kodrat e Shën-Prokopit (kodra e liqenit artificial), në postblloqet e rrugëve Tiranë - Elbasan, etj. Grupet e sulmit me automatikë e bomba dore futeshin në qytet dhe, bashkë me njësitet guerile, sulmonin kazermat dhe vendqëndrimet e gjermanëve e të mercenarëve. Armiku kundërpërgjigjej me artileri, nga që nuk ishte në gjendje të kundërsulmonte me forca nga qendra e qytetit në rrethinë. Ndërkohë Brigada VI Sulmuese pëgatitej për t’u hedhur në sulm kundër pozicioneve të armikut në qytet. Por nga fundi i shtatorit i shkoi urdhri i komandës së Divizionit II për të kaluar në mësymje drejt Mirditës.
Partizanët duke pushuar
Goditjet dhe veprimet sulmuese të forcave të Divizionit II, në bashkëveprim me forcat e tjera të UNÇSH, focat partizane territoriale dhe njësitë guerile, përgatitën kushtet e mësymjes për çlirimin e Tiranës, forcuan pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare, lehtësuan krijimin e brigadave XXII, XIII,etj. Gjatë 50 ditë luftimesh Divizioni II Sulmues i dha armikut më se 25 goditje. Me sulme të rrufeshme, me bazë batalioni, u arrit dëmtimi pjesë-pjesë i armikut, i cili pati mjaft humbje: 308 të vrarë, mbi 500 të plagosur dhe deri 90 robër, u shkatërruan dhe u zunë 8 topa e mortaja, u dëmtuan më se 6 tanke e autoblinda, 30 makina, etj.
Karakteristikë kryesore e këtyre luftimeve ishte realizimi me sukses i mësymjes me taktikën e luftës partizane, të gërshetuar me elemente të taktikës së luftë ballore për rrethimin dhe shpartallimin e forcave gjermane dhe kolaboracioniste në pikëmbështetjet dhe objektet e fortifikuara në afërsi dhe brenda qyteteve Tiranë e Elbasan. Armiku, edhe pse kishte 2,3 herë më shumë forca, u detyrua të strukej në fortifikata dhe në kazerma. Organizimi i pritave gjatë lëvizjes së autokolonave në rrugët Librazhd - Elbasan - Tiranë dhe sulmet e befasishme natën, i hoqën mundësinë armikut që të manovronte lirisht dhe të kundërvepronte në një zonë të caktuar, sidomos në shkallë operative.
Gjatë kësaj periudhe rreth 90 përqind e luftimeve e zënë veprimet luftarake mësymëse në qendrat e fortifikuara dhe në prita. Në mbrojtje u kalua në raste të veçanta për të thyer kundërsulmet e armikut. Dendësia dhe thellësia jo e madhe e forcave dhe e mjeteve të armikut në mbrojtje, në shumë luftime, e përjashtonin shkallëzimin e forcave partizane në mësymje. Brigadave dhe batalioneve u viheshin zakonisht detyra për kapjen e objekteve të rëndësishme taktike.
Arritjet do të kishin qenë më të mëdha, në rast se do të ishte realizuar gjerësisht bashkëveprimi nëpërmjet brigadave, batalioneve dhe forcave partizane territoriale të krahinave e fshatrave të Shqipërisë së Mesme. Artileria e paktë, kryesisht mortajat që kishin brigadat u përdor e shpërndarë në batalione, por në ndonjë rast, siç ishte lufta në Labinot, ajo veproi me bateri. Qitja me gryka zjarri mbi objekte kundër pikëmbështetjeve të fortifikuara për shkatërrimin e tyre shtroi nevojën e përgatitjes së grupeve të sulmit, organizimin e bashkëveprimit nëpërmjet batalioneve dhe forcave partizane territoriale, etj.
Rol të rëndësishëm për arritjen e sukseseve në veprimet luftarake mësymëse të Divizionit II Sulmues luajti edhe zbulimi. Burim i pandërprerë informatash ishte Komiteti Qarkor i Partisë për Tiranën dhe Elbasanin. Informatorët, pjesëtarë të njësive guerile, vinin në dijeni shtabin e Divizionit dhe të njësive për përbërjen e forcave armike, gjendjen morale të tyre, armatimin, mundësitë e manovrimit të forcave në rajonin e veprimeve luftarake, etj. Në disa pikëmbështetje të fortifikuara në rrethinat e Tiranës e të Elbasanit zbulimi u krye nga vetë komanda e batalioneve. Zbulimi i vijueshëm dhe i gjithanshëm siguroi kurdoherë befasinë taktike dhe ndikoi në arritjen e suksesit kundër armikut.
Ndërhapësira e mëdha midis brigadave, manovra e gjerë, vendi i thyer, veprimet luftarake në bazë batalioni, mungesa e mjeteve të ndërlidhjes dhe përvoja e paktë për drejtimin e njësive të mëdha operative, e vështirësonin drejtimin e luftimeve të brigadave në këto zona. Komanda e Divizionit, pasi kaloi Shkumbinin, u vendos në Bizë, me synim për të drejtuar të tria brigadat që vepronin në afërsi të Tiranës, Elbasanit dhe Dibrës.* Por duke qendruar për një kohë të gjatë në Bizë, pa ndjekur nga afër veprimet luftarake të brigadave, nuk ndikoi sa duhet në drejtimin e tyre. Prandaj në zhvillimin me sukses të mësymjes rolin kryesor e luajti nisma e komandave të brigadës dhe të batalioneve.
*Në përbërje të Divizionit II Sulmues ishte edhe Brigada XVIII Sulmuese që vepronte në zonën e Dibrës.
Në sukseset e Divizionit II Sulmues prapavijat e sigurta ishin një faktor i rëndësishëm për arritjen e objektivave të mësymjes. Sulmet në qytet dhe në fshat njësitë i bazuan në ndihmën e gjithanshme të organizatave të PKSH, të këshillave nacionalçlirimtare, dhe në bashkëveprimin me njësitet guerile. Këto të fundit e sulmonin armikun nga brenda, në prapavijën e tij, ndërsa forcat partizane nga jashtë, mbi objekte të rëndësishme të qytetit. Shpesh njësitë guerile bashkëvepruan me sukses edhe me grupet e sulmit gjatë goditjeve që jepnin brenda në qytet. Shpirti i nismës i grupeve të sulmit dhe i njësiteve guerile ishin komunistët dhe të rinjtë komunistë. Guximi, zgjuarsia dhe mjeshtëria në veprimin luftarak ishin baza e suksesit të tyre në çdo aksion.
Për arritjen e objektivave të mësymjes ndikoi mjaft manovra e gjerë e shumëllojshme. Lëvizja e forcave, zakonisht, u krye jashtë rrugëve, nëpër lugina e gryka të ngushta për të dalë në objektet e sulmit ose në prita. Në këto kushte forcat gjermane qëndronin në ankth në pozicione. Ndërtimi i sistemit të mbrojtjes së armikut me pikëmbështetje të fortifikuara të shpërndara pati si pasojë shkoqjen e forcave të tij. Humbja e çdo nisme në veprimet luftarake në zonën Tiranë-Elbasan tregonte se armikut i mungonin forcat. Trupat gjermane po përgatiteshin për tërheqje strategjike. Edhe në rastin kur gjermanët sulmuan dy batalionet të Brigadës III Sulmuese në Funarë të Çermenikës, dështuan. Duke pasur zona të lira, brigadat e Divizionit II Sulmues manovruan sa në afërsi të Tiranës, në ato të Elbasanit dhe e kundërta, pa u penguar nga kundërveprimet e armikut. Edhe në këto luftime u vërtetuan përsëri epërsitë e luftës sipas taktitës partizane, të faktorëve moralë, të njohjes me imtësi të terrenit, etj. Për këto cilësi të forcave partizane Komandanti i Korparmatës XXI malore shkruante: “Nuk qe e mundur t’i shkaktohen armikut humbje të mëdha mbasi, ai vepron në luftim sipas taktikës së sprovar të bandave guerile… Si pasojë vjen disfata në luftim.”*
*”Dokumente gjermane”, T-314-664, datë 21.8.1944, 000573
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.