Situata ndërkombëtare në Nëntor 1944
Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.
Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i shkaktoi humbje të mëdha forcave gjermane dhe vonoi tërheqjen e tyre nga territori Shqiptar. Njësitë e Korparmatës 1 realizuan me sukses detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
URDHËR DREJTUAR SHTABIT TË KORPARMATËS 1 PËR ÇLIRIMIN E TIRANËS
30 Tetor 1944
Shumë urgjent.
Shumë konspirativ.
Duhet me sulmue Tiranën dhe me e marrë me çdo kusht dhe s'duhet me pritë që gjermanët të tërhiqen. Politikisht do të jetë një sukses i madh dhe do të ketë reperkusione të mëdha, si brenda dhe jashtë. Ushtarakisht do të zëmë armë e municion dhe automjete, do të ndalojmë gjermanët të grabitin dhe të djegin. Me këtë sulm partizanët dhe udhëheqësit do të fitojnë besim dhe eksperiencë.
Aksioni mi Tiranën do të bëhet i kombinuar. Janë në lëvizje Brigada VIII dhe X nën komandën e Asaf Dragotit dhe Qazim Kondit, drejtim Pezë. Këto brigada do të afrohen me Divizionin 1 dhe vihen nën komandën e korpusit për këtë aksion.
Janë në lëvizje Brigadat II dhe XX nën komandën e Beqir Ballukut, drejtim rrugës Librazhd-Elbasan, për të goditur armikun në rrugë mundësisht për të bërë presion mbi Elbasan.
Janë në lëvizje Brigadat XII dhe XI nën komandën e I.R, drejtim Peqin-Kavajë, për të goditur rrugët në atë sektor dhe, në rast nevoje, për të ndihmuar forcat që operojnë mbi Tiranë.
Dita që do të veprohet të na njoftohet më parë, që të lajmërojmë të gjitha forcat të bëjnë presion të madh nga të katër anët.
Mbi Elbasan duhet të bëhet diversion ditën e sulmit mbi Tiranë, duke atakuar qytetin me brigadën që ndodhet në atë sektor* dhe, në rast se shihet e mundur marrja e këti qyteti, të sillet me urgjencë një brigadë nga terreni i Dibrës, meqë atje gjendja është e qetë**.
Pa marrë parasysh përgatitjen e këtij plani, i cili duhet të zbatohet me çdo mënyrë dhe shpejt, duhet të bëni presionin mbi Tiranën dhe, po të shihni mundësitë e marrjes, veproni pa humbur kohë. Në asnjë mënyrë gjermanët s’duhet të ikin rehat pa luftë.
Gjeneral Hoxha
Sipas telegramit që gjendej në Arkivin Qendror të Partisë.
Botuar për herë të parë në “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare”, vëllimi 2, Tiranë 1966.
Skema e veprimeve luftarake të zhvilluara në kuadër të operacionit për çlirimin e Tiranës
Planin operativo-strategjik për çlirimin e Tiranës, Komanda e përgjithshme e UNÇSH përpunoi në periudhën shtator-tetor 1944. U dërguan urdhra për zhvendosjen e divizioneve, brigadave dhe njësive të tjera territoriale drejt Tiranës. Objektivat e operacionit ishin çlirimi me çdo kusht i Tiranës dhe qyteteve të tjera rreth saj (Elbasan, Peqin, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës, Shijak, Krujë; asgjësim ose kapje rob të forcave armike (gjermanë, kolaboracionistë) të përqendruara në trekëndëshin Elbasan-Durrës-Krujë; dëmtim të forcave gjermane pa i lënë që të tërhiqen; dhe prishja e planeve anglo-amerikane për ndonjë zbarkim të mundshëm në Durrës.
Për zbatimin e këtij plani u vunë në lëvizje forcat e Korparmatës së I i përbërë prej divizioneve I dhe II sulmues. Në luftime do të angazhoheshin brigadat I, IV, VIII dhe X për goditjen e Tiranës, brigadat II dhe XX për goditjen e autokolonave në rrugën Elbasan-Librazhd, brigadat XI dhe XII për goditjen e rrugës Peqin-Kavajë dhe brigadat V, VII dhe XXIII sulmuese në fazën e dytë. Gjithsej 11 brigada në frontin e jashtëm dhe të brendshëm. Dy brigada dhe më pas tre, me detyrë për të goditur Tiranën. 8 brigada me detyrë dëmtim sa më shumë armikut dhe garnizonet gjatë rrugëve të komunikacionit, çlirimin e qyteteve të zonës.
Taktika e përdorur do të ishte ndërthurje e luftës ballore me luftën guerrilase.
Kullë tanku e groposur në sheshin "Skënderbej". Pas çlirimit të Tiranës.
Në foto, nga e majta në të djathtë: Ferit Radovicka (n/komandant i Br I S), Muhamet Prodani (Komandant i Br I S), Dhori Panariti (i ngarkuar me punët e rinisë së Divizionit I S).
Mbrojtja gjermane e kryeqytetit ishte organizuar në tre vija. Vija e jashtme kishte si qëllim sigurimin e rrugëve për tërheqje dhe mbrojtjen e qyteteve përreth Tiranës. Në to ishin vendosur njësi e garnizone nga togë deri në batalion, me forca të kombinuara të Vermahtit dhe kolaboracionistë shqiptarë. Numri total i forave të armatosura të vijë së jashtme arrinte në rreth 6000 vetë, nga këta 5000 gjermanë dhe 1000 forca shqiptare.
Vija e jashtme përshkonte një linjë me largësi nga kryeqyteti rreth 50km në jug dhe jug-perëndim, 40km në perëndim, 16 km në veri-perëndim dhe ndiqte rrugën automobilistike Elbasan, Peqin, Rrogëzhinë, Kavajë, Durrës, Shijak, Vorë, Fushë-Krujë. Largësia mes garnizoneve nga 8 - 20km. Në këto kushte terreni paraqitej i përshtatshëm për depërtime në prapavijën e armikut, manovrime dhe goditje nga shumë drejtime.
Vija e mesme mbrohej me garnizone nga skuadër deri në kompani dhe përbëhej nga një forcë prej 300 ushtarësh të Vermahtit. Largësia nga kryeqyteti ishte 4 - 8km në jug, 2km në jug-perëndim, 5km në perëndim dhe ndiqte vijë ajrore Petrelë, ura e Erzenit, ura e Farkës, Selitë e vogël, Yzberisht, Kashar.
Vija e brendshme kishte si qëllim mbrojtjen e drejtëpërdrejtë të kryeqytetit me njësi nga togë deri në batalion. Për mbrojtjen e Tiranës ishin angazhuar rreth 4000 forca, nga këta 3000 gjermanë dhe 1000 shqiptarë. Vija e brendshme përshkonte të gjithë periferinë e qytetit dhe periferinë e tij.
Komanda gjermane kishte ngritur baza e garnizone të fortifikuara në të gjitha hyrjet qytetit dhe në pika strategjike të tij. Këto pika ishin kazermat e xhenierëve me spitalin dhe depozitën e karburantit, kazermat e artilerisë pranë burgut të ri, fushën e vjetër të aviacionit (sot park) dhe kazermat e kavalerisë në Laprakë, kazermat e ushtrisë, ndryshe quajtur kazermat "Shkumbini"(tek parku industrial, pranë Spitalit Amerikan 3), kazermat 28 Nëntori (sot Komanda e Përgjithshme), kodrën e kishës së Shën Prokopit (sot kodrat e liqenit të Tiranës), kodrën e Kopilit (sot varrezat e dëshmorëve), pallatin mbretëror (sot Pallati i Brigadave), kodrat e Fuat Beut (sot qyteti Studenti), varret e Bamit dhe kodrën e Priftit.
Pika të fortifikuara kishte edhe në brendësi të qytetit, ndër të cilat radhiten legata Amerikane (sot ambasada Amerikane), Kryeministria tek bulveradi "Dëshmorët e Kombit", Xhamia e E'hem Beut, sheshi "SKënderbej", "Shtëpia e Oficerëve" tek rruga e Kavajës (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit) materniteti Nëna Mbretëreshë, etj. Sistemi i mbrojtjes ishte realizuar me "blloqe mbrojtëse" krysore, pikëmbështetje dytësore në ndërtesa krysore, kryqëzime, sheshe, etj.
Fortifikimet përbëheshin prej qëndrave fushore të zjarrit, të lidhura me sistem pengesash prej teli dhe mina plasëse, nënreparte tankesh e autoblindash që patrullonin pa pushim, kulla tanku të groposura për zjarr rrethor të vendosura në sheshin "Skënderbej" dhe në sheshin tek "Partizani i Panjohur".
Artileria ishte organizuar në dy grupe me nga 12 gryka zjarri, të vendosura një në Tiranën e Re dhe një në oborrin e Pallatit Mbretëror.
Mbrojtja kryesore ishte në sektorin e Tiranës së re sepse ky sektor mbulonte ardhjen e forcave gjermane nga Elbasani dhe prej këtej priste goditjen kryesore prej forcave partizane. Forcat dhe mjetet kryesore ndodheshin në vijën e parë dhe të dytë. Dendësia më e madhe e përqendrimit të forcave ishte në Tiranë.
Shiko hartën interaktive në fund të faqes.
Brigada IV Sulmuese në marshim
Objektivat e fazës së parë të operacionit ishin asgjësimi i shkallëshkallshëm të armikut, fillimisht në rrethinat e Tiranës, krijimi i kushteve të përshtatshme për lidhje e bashkëveprim më të ngushtë ndërmjet forcave partizane me organizatën e Partisë, me njësitet guerile, me popullin dhe me këshillat nacionalçlirimtare të të gjitha shkallëve të kryeqytetit, etj, dhe ajrimi e futja në operacion e forcave të reja, duke i rritur ato shkallë-shkallë
Për arritjen e këtyre objektivave u morën një sërë masash. U bë rigrupimi i forcave që do të merrnin pjesë në operacion, u morën masa për përsosjen e mëtejshme të ndërtimit organizativ, u goditën në mënyrë të pandërprerë autokolant gjermane që lëviznin në rrugët e komunikacionit dhe u organizuan sulme me forca të pakta brenda në Tiranë, u asgjësuan forcat e Legalitetit në rrethinat e Tiranës e të Krujës pasi përbënin rrezik në shpinën e forcave partizane, u afruan dhe u futën në operacion njësi të tjera të UNÇSH-së dhe u mundësua ndërlidhja me informacion të pandërprerë.
Rigrupimi i forcave partizane që do të merrnin pjesë në operacion kërkonte zhvendosjen e një numri të madh njësish e luftëtarësh, pa ndërprerjen e luftimeve, në një sipërfaqe prej 6400km2. U afruan drejt Tiranës forcat e Korparmatës 1-rë dhe njësi të tjera nga jugu i vendit, gjithsej 9 brigada dhe disa batalione. Njëkohësisht u krijuan edhe dy brigada të tjera.
Divizioni I Sulmues lëvizi nga rrethinat e Dibrës e të Matit në ato të Krujës, Tiranës dhe Elbasanit. Brigada I u nis nga rrethinat e Matit dhe pas tre ditësh marshim u vendos në rrethinat e Tiranës. Batalioni "Antonio Gramshi" (me partizanë italianë) u vendos fillimisht në rajonin e Qafë-Kërrabës e më pas në rrugën Tiranë-Vorë. Ndërsa Brigada 4 u nis nga rrethinat e Dibrës dhe pas 8 ditësh marshim u përqendrua në rrethinat e Elbasanit, ku veproi disa ditë dhe në fund të muajit u vendos me katër batalione në jug e jug-perëndim të Tiranës, ndërsa me një batalion në rajonin e Qafë-Kërrabës.
Divizioni II Sulmues lëvizi nga rrethinat e Tiranës e Elbasanit drejt veriut të Shqipërisë. Divizioni IV Sulmues në atë kohë kaloi në varësi të Korparmatës I dhe në fund të muajit shtator lëvizi Brigadën XV, nga rrethinat e Pogradecit drejt Elbasanit, Brigadën XVII, nga rrethinat e Elbasanit në ato të Peshkopisë, Brigadën XVIII nga Mati në Bicaj, etj. Zhvendosja e njësive zgjati rreth një muaj.
Katër batalione të Brigadës I Sulmuese do të vepronin në sektorin prej "Autorepartit" deri te lartësia 276 (sot Instituti i Kamzës). Batalioni "Antonio Gramshi" i Brigadës I Sulmuese do të godiste autokolonat gjermane në rajonin e Qafë-Kërrabës në rrugën Elbasan-Tiranë. Ndërsa një batalion do të qëndronte rezervë në rajonin e Valiasit.
Tre batalione të Brigadës së IV Sulmuese do të vepronin në sektorin prej kodrave të Saukut deri në kazermat "Shkumbini" (zona industriale pranë Spitalit Amerikan 3). Një batalion do të vepronte në rajonin e Qafë-Kërrabës. Ndërsa një batalion tjetër në rrugën Peqin-Kavajë;
Brigada XXIII Sulmuese do të vepronte në rrugën Vorë-Laç, duke goditur autokolonat gjermane, forcat e Legalitetit në rrethinat e Krujës dhe ato gjermane brenda në Krujë, si dhe do të merrte masa për forcimin dhe ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare.
Brigada XV Sulmuese do të vepronte në rrethinat e Elbasanit, me detyrë të godiste garnizonin armik brenda në qytet dhe forcat e tij që lëviznin në rrugën Librazhd-Elbasan, si dhe të merrte masa për forcimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare.
Për ta pasuruar më tej këtë përvojë, batalioneve iu vu detyrë të kryenin një varg sulmesh në brendësi të qytetit. Sulmet u kryen në mënyrë intensive gjatë gjithë fazës përgatitore, me forca të pakta, nga shumë drejtime, në kohë të ndryshme e kryesisht natën. Përveç përvetësimit më të mirë të metodave të luftimit në qytet, këto sulme ndihmuan edhe për njohjen e terrenit e të armikut. Shtabi i Divizionit udhëzonte: "Çdo brigadë duhet të fitojë veprimin organizativ ushtarak sa më parë për krijimin e togave: togat krijohen të paktën me dy skuadra komplet dhe ku ka mundësi me tri skuadra; çdo kompani duhet të ketë të paktën dy toga dhe mundësisht tri toga."
Gjithashtu u krijuan seksionet operative në brigada, skuadrat e disiplinës, të zbulimit dhe ato të informacionit në batalione, elemente këto që përmirësuan më tej ndërtimin organizativ. U përmirësuan më tej edhe rrjeti i informaclonit të Korparmatës, nëpërmjet veprimtarisë së njësiteve guerile. Luftëtarët informatorë u futën edhe në dikasteret e ndryshme të armikut, si në xhandarmëri etj. Këtij qëllimi i shërbeu edhe urdhri i Komandantit të Përgjithshëm dërguar Komitetit Qarkor të Partisë për të futur në Tiranë radion per transmetimin e të dhënave. Prej Komitetit Qarkor të Partisë për Tiranën brenda 8 ditëve u grumbulluan dhe u transmetuan me radio 91 njoftime për armikun. Këto masa bënë të mundur që në shtabin e Korparmatës I të grumbulloheshin shumë të dhëna dhe të njihej mirë gjendja e armikut.
Autokolonat gjermane u goditën në Qafë - Kërrabë, Ibë, Ura e Erzenit, Rrogozhinë, Shijak, Vorë, Ura e Zezë (Fushë - Krujë) etj. Çdo natë forca të pakta nga të dyja brigadat e sulmonin armikun në pikëmbështetje të ndryshme brenda në Tiranë dhe pas veprimit, që nuk zgjaste shumë kohë, tërhiqeshin.
Gjatë fazës përgatitore, armiku ndërmori edhe kundërsulme në fshatrat në lindje të Tiranës, atje ku ishin vendosur forcat e Brigadës I Sulmuese. Mirëpo në saj të kundërveprimit të forcave të brigadës, forcat armike u thyen. Në këto kushte, qeveria kolaboracioniste bashkë me regjencën ndërprenë veprimtarinë dhe u larguan për në Shkodër.
Një detyrë tjetër me rëndësi shumë të madhe politiko-ushtarake gjatë kësaj faze të operacionit ishte edhe asgjësimi i forcave të Legalitetit, të përqendruara në Prezë. Dy batalione të Brigadës I Sulmuese dhe një tjetër i Brigadës XXIII Sulmuese u nisën drejt sektorin e Prezës dhe të Ishmit nga lindja në drejtim të perëndimit dhe dy batalione të Brigadës IV lëvizën në zonën e Shijakut, nga jugu në drejtim të veriut. Në 14-15 tetor forca të të dyja brigadave (fillimisht vetëm forcat e Brigadës IV) zhvilluan veprime luftarake për asgjësimin e forcave të Legalitetit në Prezë. Në mbrëmjen e 15 tetorit forcat e Legalitetit u tërhoqën drejt zonës së Ishmit dhe kalaja e Prezës ra në duart e forcave partizane.
Pjesëmarrja e popullsisë së Tiranës në ndërtimin e barrikadave.
Me shumë gjasa kjo është foto ilustruese e bërë pas luftës.
Shtabi i Divizionit, në zbatim të detyrës së marrë nga shtabi i Korparmatës, më 28 tetor të vitit 1944 dha urdhrin e fillimit të operacionit, në idenë e të cilit parashikohej kalimi në mësymje të njëkohshme në frontin e brendshëm me forcat e dy brigadave, në të gjithë perimetrin e kryeqytetit, duke përparuar drejt qendrës. Goditjen kryesore do ta jepte Brigada I Sulmuese në sektorin e Tiranës së Vjetër. Rendimi operativ të bëhej në një vijë, me rezervë një batalion. Ndërsa me forcat e një brigade do të goditej e do të dëmtohej armiku në frontin e jashtëm.
Brigada I Sulmuese do të mësynte në frontin Shkolla e Dakës (Instituti i Lartë Bujqësor i Kamzës) - lartësia 276, me detyrë të asgjësonte armikun në pikëmbështetjet e tij në Laprakë, Burgu i Ri (Arkivi Qendror i Shtetit), kazermat e Xhenios (Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve «Enver Hoxha»), "Varret e Bamit" (Blloku nr. 29. i Lagjes nr. 10), Kodrat e Fuat Beut (Qyteti Studenti), të çlironte Tiranën e vjetër e të futej thellë në kryeqytet. Një batalion do ta mbante në rezervë, ndërsa Batalioni "Antonio Gramshi" do të godiste autokolonat armike në rrugën Tiranë – Vorë.
Brigada IV Sulmuese do të mësynte në frontin "Pallati Mbretëror" - kazermat “Shkumbini”, me detyrë të asgjësonte pikëmbështetjet e armikut në "Pallatin Mbretëror" (sot Pallati i Brigadave), kishën e Shënprokopit, (kodrat e liqenit artificial), kazermat “Shkumbini”, Tiranën e Re, dhe të përparonte në thellësi. Në pamundësi përparimi, do të bënte trysni e do të angazhonte armikun në këtë drejtim, duke lehtësuar mësymjen e Brigadës I. Me një batalion do të vepronte në zonën e Shijakut, kurse me një tjetër në zonën e Qafë - Kërrabës.
Brigada XXIII Sulmuese do të godiste autokolonat e armikut në rrugën Vorë-Laç, do të asgjësonte mbeturinat e Legalitetit në zonat e Krujës, do të çlironte Krujën.
Artileria e Divizionit me pozicion zjarri në Farkë mori detyrë të bënte zjarr mbi pikëmbështetjet e armikut në rrethinat e qytetit. Shtabi i Divizionit u vendos në bathore. Vendmjekimi i të plagosurve do të ishte në fshatin Shën-Gjergj. Vend furnizimi me municion për Brigadën I Sulmuese do të bëhej në Bizë ndërsa për Brigadat IV e XXIII Sulmuese do të bëhej në Pezë. Furnizimi me ushqim do të bëhej nga populli nëpërmjet intendencave.
Koha e mësymjes - 29 tetor të vitit 1944, në orën 18.00.
Në mbrëmjen e 29 tetorit të vitit 1944, forcat e Brigadës I e asaj të IV Sulmuese kaluan në mësymje të njëkohshme, pa përgatitje me artileri. Ndryshe nga faza përgatitore, kur sulmet ndërmerreshin pas orës 20, me forca të pakta dhe me drejtime të kufizuara, kalimi në mësymje në orën 18, me forca të shumta dhe në të gjithë perimetrin e kryeqytetit, ishte krejt i papritur për armikun dhe siguroi befasinë e mësymjes.
Forcat e Brigadës I Sulmuese kapën pikëmbështetjet në Kazermat e Xhenios, Varret e Bamit, Spitalet, Medresenë, etj. Ato, pas një nate sulmesh të pandërprera, dolën në vijën: Fuat Beu - ura e Lanës - "Postë/Telegraf /Telefon" - Komandatura (ndërtesa në jugperëndim të Poliklinikës Qendrorë) - përgjatë rrugës “Mbretërore” (Rruga e Barrika dave). Në sektorin e mësymjes të Brigadës I Sulmuese qëndresë më të fortë hasën forcat e Batalionit të 3-të, të cilat vepruan në pikëmbështetjen e armikut në Kazermat e Xhenios, ku ai kishte shumë forca e mjete dhe ishte më i fortifikuar.
Brigada IV Sulmuese sulmoi vijën jugperëndimore të Tiranës së Re tek Pallati Mbretëror, në kishën e Shën prokopit dhe kazermat “Shkumbini” (qyteti studenti). Megjithëse ato u përsëritën disa herë, përparim nuk pati, pasi armiku ishte shumë i fortifikuar në këtë sektor. Megjithatë ndihmesa e tyre ishte e madhe, pasi angazhuan forca të mëdha të armikut dhe lehtësuan veprimet e Brigadës I Sulmuese.
Brigada I Sulmuese në mëngjesin e natës së parë të mësymjes u përforcua në vijën e zënë. Ajo përforcoi më shumë objektet më të rëndësishme, sidomos ato që ishin në vijën e parë. Brenda disa orësh në këto objekte u vendosën forca dhe u morën masa mbrojtëse. Vullnetarët ishin kaq të shumtë sa me ta jo vetëm që u rritën efektivat e reparteve partizane, por edhe u krijuan batalionet vullnetare të rinisë, të cilat kryen detyra të shumta e të shumëllojshme, duke luftuar në vijën e parë të frontit.
Ndihma e bashkëveprimi ndërmjet forcave partizane dhe njësiteve guerile e këshillave nacionalçlirimtare ishte shumë frytdhënëse në kryerjen e detyrave luftarake. Luftëtarët bashkë me qytetarët e Tiranës ngritën barrikada, sidomos gjatë rrugës "Mbretërore", çelën frëngji nëpër shtëpitë, dyqanet e avllitë; hapën llogore nëpër rrugë, oborre e kopshte. For cat e brigadës përparuan 3,5 km në thellësi të mbrojtjes armike, duke tejkaluar objektivat e parashikuara.
Në 30 tetor Forcat e Brigadës I Sulmuese thyen me sukses kundërsulmet e armikut të kryera me forca të shumta e të shoqëruara me tanke e autoblinda. Në 2 nëntor - 11 nëntor Batalioni III dhe ai IV thyen nga tri kundërsulme. Luftime të ashpra zhvilluan forcat e Batalionit V në pikëmbështetjen e armikut në ndërtesat e Burgut të Ri dhe përreth tyre. Veprime sulmuese të njëpasnjëshme dhe të vendosura zhvilluan edhe forcat e Batalionit II kundër gjermanëve që mbroheshin në pikëmbështetjen te kodra e Fuat Beut (sot Qyteti Studenti). Për shkak të fortifikimit edhe këto larva nuk mundën ta pushtonin atë, por e mbajtën armikun të rrethuar për disa ditë, me një pjesë të vogël forcash, kurse me forcat kryesore e vijuan mësymjen dhe dolën në afërsi të rrugës së Elbasanit.
Luftime të ashpra u zhvilluan në të gjithë sektorët e veprimeve deri më 11 nëntor, nëpërmjet të cilave forcat e Brigadës I Sulmuese përparuan dhe thyen kundërsulmet e armikut. Tipike qe thyerja e kundërsulmit të një kompanie gjermane në drejtimin e "Pazarit të Vjetër". (Pallati i Kulturës) - Postë/Telegraf/Telefon, të kryer në 7 nëntor. Armiku kishte për qëllim të ndante më dysh dhe t'i dëmtonte forcat e një batalioni të Brigadës I Sulmuese. Në sajë të veprimeve këmbëngulëse të luftëtarëve, shfrytëzimit të objekteve mbrojtëse dhe hapjes së zjarrit të dendur e në largësi të vogla, armiku dështoi.
Në frontin e jashtëm Dy batalionet e Brigadës IV Sulmuese dhe Bataloni “Antonio Gramshi” i Brigadës I Sulmuese dhanë goditje të njëpasnjëshme kundër autokolonave gjermane në Qafë - Kërrabë, rrugën Durrës - Vorë - Tiranë dhe Shijak.
Goditje të pandërprera dhanë edhe forcat e Brigadës XXII Sulmuese kundër autokolonave gjermane në rrugën Vorë - Laç dhe në shpartallimin përfundimtar të forcave të Legalitetit në zonën e Ishmit e të Krujës. Të efektshme dhe rezultative ishin edhe goditjet në vijimësi të Brigadës XV Sulmuese kundër garnizoneve të armikut si në rrethinat e Elbasanit, ashtu edhe brenda në qytet.
Partizan i plagosur gjatë luftimeve në Tiranë duke u mjekuar.
Goditja përfundimtare në frontin e brendshëm do të jepej me tre brigada, Brigada I, IV dhe VIII Sulmuese. Ndërsa në frontin e jashtëm goditja do të vazhdonte me 7 brigada, Brigada XXII, X, XXIV, XI, XII, XV dhe XX.
Brigada I Sulmuese mori detyrë të vijonte mësymjen nga vija e zënë e të asgjësonte armikun në pikëmbështetjet e tij tek "Autoreparti", Burgu i ri, shtypshkronja "Atdheu" (sot ish-ndërtesa e gazetës "Zëri i Popullit", godina e "Radio Tiranës", hotel "Dajti" dhe Bashkia (sheshi para Muzeut Historik Kombëtar.
Brigada IV Sulmuese do të ngushtonte frontin e veprimit dhe do të vijonte mësymjen në vijën nga Pallati Mbretëror deri tek kodra e kishës së Shën Prokopit (rreth 2,5 km front), Tiranë të Re, sheshin e ministrive, ku dhe do/* të merrte takim me forcat e Brigadës I e asaj VIII Sulmuese.
Batalioni i I i Br 4S, që vepronte në rajonin e Qafë Kërrabës, do të godiste armikun që mund të vinte nga Elbasani. Ndërsa një Batalion tjetër në Vishaj, për të ndaluar çdo depërtim të mundshëm të armikut në shpinë të forcave që mësynin brenda në Tiranë.
Brigada VIII Sulmuese, do të lehtësonte punën e Brigadës IV Sulmuese duke marrë përsipër detyrën që të asgjësonte armikun tek kazermat "Shkumbini" dhe në fortifikatat armike deri te kisha e Shën Prokopit. Pastaj do të sulmonte drejt Tiranës së Re, te Banka Kombëtare, ku dhe do të takohej me Brigadën I e atë IV. Goditja do të jepej me dy batalione, ndërsa dy batalione do të mbaheshin rezervë.
Brigada XXIII të vijonte goditjet kundër autokolonave gjermane që lëviznin në aksin rrugor Vorë - Laç.
Brigada X e ajo XXIV Sulmuese do të marshonin shpejt për të arritur sa më parë në rrugën Tiranë - Kashar - Vorë për ta bllokuar atë dhe për të goditur çdo forcë armike që do të qarkullonte në atë rrugë.
Brigada XI dhe ajo XII Sulmuese të goditnin autokolonat gjermane që tërhiqeshin në rrugën Elbasan - Peqin - Kavajë, si dhe garnizonet e tij në Peqin e në Kavajë.
Brigada XV Sulmuese do të vijonte goditjet kundër armikut në Elbasan e në rrugët e lëvizjes në rrethinat e tij.
Brigada XX Sulmuese do të godiste autokolonat gjermane që tërhiqeshin në rrugën Librazhd - Elbasan. Brigada XVII Sulmuese do të qëndronte në rezervë të shtabit të korparmatës, në rajonin e Mulletit.
Bateria e artilerisë e Brigadës I Sulmuese iu dha në përforcim Brigadës IV Sulmuese, me detyrë që të bënte zjarr në pikëmbështetjet e armikut në Pallatin Mbretëror e në kishën e Shënprokopit.
Bateria e artilerisë e Brigadës VIII mori detyrë të bënte zjarr në pikëmbështetjen e armikut në kazermat "Shkumbini".
Veprime përgatitore
Para fillimit të mësymjes u dhanë udhëzime që të viheshin në veprim të gjitha armët e rënda, artileria, mortajat, pushkët kundërtanke dhe mitralozat e rëndë. Sulmi duhet të vijonte pa ndërprerje. Qëndresa që do të paraqiste armiku në objektivat e parë të sulmit nuk duhej të ndalonte përparimin e forcave tona për tu futur në thellësi të tij. Vendet që paraqitnin qëndresë, të mbaheshin të veçuara dhe të kapeshin një nga një më pas.
Gjatë natës së 10 - 11 nëntorit u zhvilluan veprime sulmuese në të gjithë sektorët e mësymjes pa ndryshuar regjimin e mëparshëm të luftimeve. Kjo i hoqi mundësinë armikut që të zbulonte përgatitjet që bëheshin për fazën përfundimtare të operacionit për një mësymje më të gjerë. Më 11 nëntor shtabet e brigadave, veçanërisht ai i Brigadës VIII Sulmuese dhe ato të batalioneve, u njohën me terrenin dhe organizuan luftimin.
Kujdes iu kushtua organizimit të ndërlidhjes, për të cilën u caktuan nga 4 lajmëtarë, që nga kompania e lart, dhe u organizua ndërlidhja me radio ndërmjet shtabit të Divizionit dhe Korparmatës.
Sulmi
10 minuta para se të kalohej në mësymjen e përgjithshme, mbi pikëmbështetjet e para të armikut u hap zjarr i dendur dhe i përqendruar me të gjitha armët e rënda. Me sulme të shpejta e të vijueshme batalionet e Brigadës I Sulmuese arritën të kapin kodrat e Fuat Beut, maternitetin, shtypshkronjën “Atdheu”, Pazarin e Vjetër, Centralin Elektrik, Burgun e vjetër, Radio Tiranën dhe "Shtëpinë e Oficerëve". Godina e maternitetit u kap me dredhi. Ndërsa Hotel “Dajti” ishte një nga pikat më të fortifikuara gjermane dhe nuk kap dot deri në largimin e tyre.
Sukses arritën edhe forcat e Brigadës IV e VIII Sulmuese, të cilat shpërthyen vijën e mbrojtjes së armikut midis kishës së Shën Prokopit dhe kazermave "Shkumbini". Një pjesë e forcave hynë thellë në zonën e Tiranës së Re duke mbërritur te fusha e "Shallvareve" (sot shkolla "Dora D'Istria").
Në këto kushte, për të mos rënë në rrethim në të majtë të kishës e Shën Prokopit, forcat gjermane e lëshuan tërësisht sektorin e Tiranës së Re dhe u grumbulluan në qendër të qytetit tek ndërtesat e ministrive, kulla e Sahatit, hotel "Dajti", Kryeministria, Legata Amerikane, Banka, Bashkia, hotel "Internacional" (pranë "Shtëpisë së Oficerëve") dhe "Shtëpia e Oficerëve"
Ndërsa në sektorë të tjerë armiku qëndronte me këmbëngulje e në kushte rrethimi, te Burgu i Ri, në vijën Pallati Mbretëror - ana e djathtë të kishës së Shën Prokopit, kazermat "Shkumbini" dhe "Autoreparti". Në këto pikëmbështetje forcat gjermane u mbajtën të rrethuara për disa ditë, pa lidhje zjarri e taktike me forcat e tjera në qendër të Tiranës.
Kundërsulmi
E gjetur ngushtë e në rrethim të plotë, komanda gjermane organizoi kundërsulme në disa drejtime, me qëllim që të zgjeronte unazën e rrethimit, të mbante të hapur rrugën e Elbasanit e të rimerrte Radio - Tiranën. Kundërsulmi i datës 12 nëntor nga sheshi "Skënderbej" drejt rrugës së Elbasanit nuk pati sukses, sepse Batalioni III i Brigadës I Sulmuese e goditi atë në të dyja anët e rrugës, nga Sahati e deri te Biblioteka Kombëtare (sot dega e Bibliotekës Kombëtare), dhe e detyroi të hiqte dorë nga qëllimi i tij.
Kundërsulmi i datës 13 nëntor drejt rrugës së "Kavajës" u shoqërua me autoblinda. Me këtë kundërsulm forcat gjermane mundën të rimerrnin godinën e "Radio Tiranës", por e mbajtën atë vetëm për pak orë, pasi forcat e Batalionit të II të Brigadës I Sulmuese e ato të Batalionit të III të Brigadës VIII Sulmuese e kapën atë përfundimisht.
Martin Maller, ushtar gjerman që luftoi në Tiranë shkruan në kujtimet e tij: “Të krijohej përshtypja se Tirana përbëhej vetëm nga partizanë. Në sheshin Skënderbej kishim përgatitur llogore dhe në to kishim vendosur mitralozë. Prej këtu mbanim nën zjarr lagjen e ciganëve, rrugën e Durrësit dhe bulevardin kryesor. Nga malet zbrisnin partizanë që hidhnin granata për t’u ardhur në ndihmë shokëve të tyre që kishin mbushur qytetin. Ditë e natë qëndruam shtrirë në baltë, një dorë te arma dhe me dorën tjetër hanim ose pinim ndonjë cigare.“
Ndërkohë edhe njësitë e tjera të Korparmatës zhvilluan goditje të vijueshme kundër garnizoneve armike dhe autokolonave të tij në lëvizje, në të gjithë zonën e operacionit. Kjo bëri të mundur që të gjitha përpjekjet e autokolonave gjermane për tu futur kryeqytet, sidomos nga drejtimi i rrugës Vorë - Tiranë, të dështonin.
Forcat e Brigadave X e XXIV Sulmuese dhe të Batalionit "Antonio Gramshi", nëpërmjet pritave të organizuara në rrugën Tiranë - Vorë, i goditën rreptë forcat armike, gjë që çoi në dështimin e të gjitha përpjekjeve të autokolonave gjermane për tu futur në kryeqytet.
Forcat e Brigadës XV, pas luftimeve të ashpra, më 11 nëntor çliruan qytetin e Elbasanit.
Partizanë të Batalionit I të Brigadës IV Sulmuese me flamurin e kapur forcave të Vermahtit
pas betejës së Mushqetasë.
Ndërkohë që Tirana mbetej e rrethuar nga forcat partizane, nga Greqia kish mbërritur në Elbasan grupimi i fundit luftarak i praparojës gjermane. Ky grupim kishte një forcë ushtarake prej 7000 vetash dhe një sasi të konsiderueshme të teknikës luftarake si autoblinda, tanke, topa, mortaja, etj. Komanda e grupimit vendosi që marshimi të vazhdonte në dy drejtime, një autokolonë me rreth 4000 forca do të lëvizte në drejtimin Elbasan - Peqin -Kavajë - Durrës - Vorë. Ndërsa autokolona tjetër (grupimi "Steyrer"*) me rreth 3000* veta do lëvizte drejt Tiranës nga Qafa e Kërrabës. Në këtë mënyrë, bashkë me grumbullimin e garnizoneve, forcat gjermane planifikonin që tu dilnin forcave partizane në shpinë, ti godisnin ato në mënyrë të bashkërenduar e të shpartallonin rrethimin.
*Ky ishte mbiemri i Komandantit të grupimit.
**Sipas historianit Marenglen Kasmi, grupimi Steyerer që do të përshkonte vijën Elbasan - Qafë Thanë - Tiranë kishte një efekti prej 5000 ushtarësh.
Në datën 12 nëntor, autokolona "Steyrer" që tërhiqej në drejtim të Qafës së Kërrabës u godit nga aviacioni britanik pa mbërritur ende në Kërrabë, mirëpo shpëtoi pa dëme të mëdha në njerëz e teknikë luftarake. Në datën 13 nëntor po kjo autokolonë u godit ashpër e befasisht në rajonin e Qafë - Kërrabës nga forcat e Batalionit të I-rë të Brigadës IV Sulmuese. Armiku nuk mundi të kalonte sektorin e pritës dhe për shkak se e zuri nata, u detyrua të ndalej në vend.
Nga vlerësimi i gjendjes u arrit në përfundimin se kjo autokolonë, mund të përparonte deri tek ura e Erzenit dhe aty të ndahej në dy pjesë, njëra të lëvizte në grykën e rrjedhës së lumit Erzen, drejt fshatit Picallë, për të dalë në zonën e kazermave "Shkumbini" (në drejtim të "Kombinatit"), ndërsa tjetra të vijonte lëvizjen drejt rrugës automobilistike, drejt qendrës së qytetit. Kështu me forcat e dy autokolonave do të mund të bëhej goditja e forcave partizane në tre drejtime.
Ardhja e forcave gjermane në Tiranë rriste numrin e tyre në mënyrë të konsiderueshme. Për të mos lejuar këtë gjendje, u vendos që me forcat e 10 batalioneve (një batalion i Brigadës I Sulmuese, tre të Brigadës IV Sulmuese, dy të Brigadës VIII Sulmuese dhe katër të Brigadës XVII Sulmuese) autokolona "Steyrer" të goditej e të asgjësohej pa mbërritur në Tiranë.
Batalioni I i Brigadës IV Sulmuese, që vepronte në Qafë - Kërrabë, do të godiste më me ashpërsi autokolonën gjermane. Batalioni II do të lëvizte me shpejtësi dhe do të organizonte pritë në rajonin e katundeve Mushqeta dhe Ibë, në të djathtë të rrugës. Batalioni IV do të vendosej në pritë në rajonin e katundit Vishaj dhe afër urës së Farkës.
Brigada XVII Sulmuese me Batalionet I, II, dhe III do të organizonte pritë në krahun e majtë të rrugës Tiranë - Elbasan, prej Fikasi deri në Ibë.
Batalionet I dhe II të Brigadës VIII Sulmuese do të organizonin pritën në krahun e djathtë të rrugës Tiranë - Elbasan, në rajonin e Bërzhitës.
Batalioni I i Brigadës I Sulmuese do të organizonte pritën në krahun e majtë të rrugës Tiranë - Elbasan, në sektorin ura e Farkës - ura e Erzenit.
Njësitë e tjera të Korparmatës do të vijonin goditjet kundër autokolonave gjermane në sektorin ku ndodheshin, duke u shkaktuar atyre sa më shumë humbje.
Forcat e tjera të Brigadës I, IV, VIII Sulmuese, gjithsej 7 batalione që mbetën brenda në Tiranë, do të vijonin mësymjen në frontin e brendshëm të operacionit për asgjësimin e forcave gjermane të rrethuara në kryeqytet. Batalioni i V i Brigadës IV Sulmuese u mbajt në rezervë.
Prita në rajonin e Mushqetasë u organizua në dy vija. Vija e parë përshkonte sektorin prej Qafë - Kërrabës e deri te ura e Erzenit (e Peshkatarit) dhe përbëhej nga 8 batalione, me rreth 1500 luftëtarë. Vija e dytë përshkonte sektorin prej urës së Erzenit deri te ura e Farkës dhe përbëhej nga 3 batalione, me rreth 700 luftëtarë.
Manovra e forcave u krye me shpejtësi e me fshehtësi dhe zgjati rreth 22 orë. Organizimi i luftimeve në pritë u realizua në kohë shumë të shkurtër, për 1 - 2 orë dhe përfundoi në orën 16;00 të datës 14 nëntor. Forcat u vendosën të maskuara deri 50m larg rrugës. Pasdite kreu i autokolonës gjermane arriti te ura e Erzenit, ndërsa fundin e kishte në rajonin e Qafë - Kërrabës, me një gjatësi rreth 10-11km. Ajo u fut e tëra në kurthin e parë të pritës, pa diktuar asgjë. Në këtë kohë forcat hapën zjarr të befasishëm me të gjitha llojet e armëve. Luftimet morën karakter shumë të ashpër. Ato u zhvilluan në largësi të vogla e shpesh herë me luftim trup me trup. Në mëngjesin e 15 nëntorit forcat gjermane ndodheshin të rrethuara nga të gjitha anët.
Forcat gjermane organizuan kundërsulme të fuqishme, të mbështetura me tanke e autoblinda, por nuk arritën dot të dilnin nga rrethimi. Pas përpjekjeve të shumta, kreu i autokolonës mundi të kalonte kurthin e parë e të futej në të dytin, ku ra përsëri në zjarrin e forcave partizane. Rreth 300 forca gjermane arritën të futeshin në kryeqytet me ndihmën e mjeteve të blinduara, por u ndihmuan edhe nga autoblindat e tanket e ardhura nga Tirana.
Hyrja e trupave Steyrer natën e 15 nëntorit, duke u gdhirë 16 nëntori, në Tiranë u krye nën zjarrin e armëve të rënda të partizanëve të cilat, – siç pohon edhe vetë Steyrer, - ishin vendosur me mjeshtëri në kodrat anash rrugës. Këto goditje shkaktuan humbje të tjera dhe po ashtu e prishën rendin e marshimit të kolonës. Si rrjedhim, trupat gjermane hynë në Tiranë, sidomos njësitë e grupit të qendrës, në mënyrë jo të organizuar. Situatën e vështirë që ishte krijuar për forcat gjermane në Tiranë e raporton edhe vetë Steyrer: “Nga të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit partizanët hapnin një zjarr të rëndë e të vazhdueshëm; nga të gjitha dritaret, ballkonet dhe çatitë shtihej me pushkë, automatikë dhe mitralozë. Blloqet e veçuara të shtëpive ku ndodheshin trupat gjermane ishin nën zjarrin e artilerisë dhe mortajave. Deri në drekë, zjarri armik u shtua nga ora në orë.”
Rrethimi dhe shpartallimi i forcës luftarake të autokolonës "Steyrer" u krye me sukses. Ajo e humbi aftësinë goditëse dhe nuk mundi ti godiste forcat partizane në shpinë. Deri në atë kohë nuk ishte arritur një rezultat aq i madh e me leverdi për UNÇSH. Burimet zyrtare shqiptare* pretendojnë se përveç atyre 300 gjermanëve që çanë rrethimin, pjesa tjetër e grupimit u shpartallua krejt. Kështu burimet shqiptare shënojnë rreth 2000 forca të Vermahtit të vrarë dhe 300 të kapur rob**. Gjithashtu grupimit iu kap i gjithë armatimi, teknika luftarake dhe materiali tjetër.
*Burimet shqiptare janë bazuar në një masë të madhe tek burimet e Vermahtit.
**Sipas historianit Marenglen Kasmi, grupimi Steyerer që do të përshkonte vijën Elbasan - Qafë Thanë - Tiranë kishte një efekti prej 5000 ushtarësh.
Ky sukses u arrit në sajë të marrjes në kohë të të dhënave për lëvizjet e armikut, vlerësimit të shpejtë të gjendjes, marrjes së vendimit të drejtë, vënies në kohë të detyrave luftarake, përqendrimit të një sasie të madhe forcash, manovrës së shpejtë, organizimit të mirë të pritës, shfrytëzimit të terrenit, zhvillimit të luftimeve në largësi të vogla e mbi të gjitha në sajë të moralit të lartë e mjeshtërisë luftarake të luftëtarëve.
Ndërkohë që zhvilloheshin me sukses luftimet në pritën e Mushqetasë autokolona tjetër gjermane, që lëvizte në rrugën Elbasan Rrogozhinë - Durrës - Vorë, u godit dhe u dëmtua rëndë nga forcat e Brigadës XII në Bishqem dhe nga forcat e Brigadës XI në kodrat e Rrogozhinës. Të dyja këto brigada i vazhduan goditjet kundër armikut në tërheqje dhe çliruan qytetet Peqin, Rrogozhinë e Kavajë. Kësaj autokolone dhe forcave të tjera gjermane të garnizonit të Durrësit iu shkaktuan humbje të tjera, nga një pjesë e forcave të Brigadës X, të cilat pas luftimesh të ashpra më 16 nëntor çliruan Durrësin e Shijakun.
Asgjësimi pothuajse tërësisht i autokolonës gjermane në Mushqeta dhe dëmet e shumta që iu shkaktuan autokolonës tjetër armike në rrugën Peqin - Durrës - Vorë, i vunë në gjendje tepër kritike forcat gjermane të rrethuara në Tiranë. Shtabi i Përgjithshëm i Vermahtit, duke vlerësuar gjendjen e këtyre forcave, vinte në dukje se: "zhvendosja e pikës së gravitetit nga veriu vonohet të paktën dy javë, për shkak të aktivitetit intensiv të "bandave*" kundër lëvizjeve të marshimit dhe evakuimit në zonën e Tiranës."
*Komanda e Vermahtit i quante njësitë partizane "banda".
Vendkomanda, 28 nëntor 1944
Data 11.11.44
Rendi i marshimit i kolonës IV ishte: pararoja, forcat e qendrës dhe praparoja. Si pasojë e përvojës së krijuar nga marshimi prej Strugës deri në Elbasan, urdhërova në mënyrë të veçantë me shkrim dhe me gojë që trupat marshuese të lëviznin ngjeshur njëra me tjetrën, pa ruajtur distancat e zakonshme të marshimit. Ndarja e trupave bartte rrezikun që bandat (lexo partizanët – shën. im) të depërtonin në hapësirat e krijuara dhe të lidhnin në luftime të gjata trupat në afrim, duke u shkaktuar atyre humbje të mëdha. Prandaj forcat duhej të lëviznin së bashku dhe të përfitonin nga hapja e rrugës që bënte pararoja e kolonës.
Komandanti i brigadës, majori Schwartz (Shvarc) u këshillua që para fillimit të marshimit të merrte masa për të larguar gjithë trupat me pajisjet e panevojshme të logjistikës dhe t’i dërgonte ata te kolona e marshimit Seifert (Zajfert), e cila do të lëvizte në rrugën jugore të tërheqjes (Elbasan-Rrogozhinë – shën. im). Majori Schwartz besonte me të drejtë se ai nuk mund të hiqte dorë prej tyre. Marrja e tyre me vete e zgjati shumë kolonën e marshimit dhe e pengoi lëvizjen e saj, çka për pak rezultoi katastrofike për të.
Në orën 15.00 kolona u vendos në rendim marshimi. Komandanti me shtabin e tij u vendos te pararoja. Largimi nga Elbasani ishte organizuar deri në detaje. Pavarësisht zjarrit të madh të armikut brenda qytetit, largimi nga Elbasani, madje edhe kalimi i urës (ura e Bradasheshit / Kushës – sqarimi im) u kryen pa humbje të mëdha.
Në orën 19.30 pararoja mbërriti në “Pozicionin e Qafës” (Tauernstellung- gjerm., pranë Petreshit – shën. im) dhe e kaloi atë. Qysh në këtë fazë të parë të marshimit, forcat e qendrës dhe praparoja ishin shkëputur disa kilometra nga pararoja, pavarësisht se ajo lëvizte tepër ngadalë. Si pasojë, u urdhërua edhe njëherë me këmbëngulje që lëvizja duhej të zhvillohej patjetër e grupuar. Në “pozicionin e Qafës” u bë një ndalim i detyruar prej rreth tri orësh:
Për t’ju kundërpërgjigjur zjarrit të fuqishëm të bandave që ishin vendosur 3-4 km në veriperëndim të bazës mbështetëse “Pozicioni i Qafës”
Për të organizuar marrjen dhe futjen e efektivit të kësaj baze në kolonën kryesore të marshimit dhe
Për të pritur afrimin e kolonës kryesore dhe praparojës.
Pas kundërpërgjigjes me zjarr ndaj kundërshtarit, në orën 24.00 vazhdoi përsëri lëvizja. Vazhdimi i marshimit drejt bazës mbështetëse “Maja e Qafës” (Passhöhe – gjerm. diku pranë Kodrës së Shkozës së Keqe – shënimi im) u pengua nga kushtet e vështira atmosferike me reshje dëbore dhe minimi i rrugës. Si pasojë e minave të vendosur në rrugë humbëm mjete të ndryshme me zinxhir, automjete si edhe armatime (një kundërajror 2 cm dhe një top i lehtë 10.5 cm).
Data 12.11.44.
Në orën 05.00 të mëngjesit pararoja arriti në bazën “Maja e Qafës”. Pararoja përparoi më tej, me qëllim që ruajtjen e bazës ta kryente pjesa e parë e kolonës kryesore të marshimit. U përgatit marrja e efektivit të bazës, u ngarkuan aparaturat, municionet, ushqimet dhe u hodhën në erë sistemet mbrojtëse të bazës. Ndërkohë që merreshin këto masa, pararoja duhej të shpërthente pritat e organizuara në të dy anët e rrugës, rreth 3-4 km në veri të Qafës, duke përdorur gjithë armatimin e rëndë dhe artilerinë. Këto luftime e penguan lëvizjen deri në orën 16.30, kur kolona mundi përsëri të lëvizë. Gjatë lëvizjes natën pati goditje sporadike nga lartësitë prej pozicionesh të parapërgatitur ku ishin vendosur mitraloza si edhe armë këmbësorie.
Në orën 19.00 pararoja arriti në kilometrin 20 (sipas hartës 1:50 000) dhe ura që ndodhej aty ishte hedhur në erë. Kjo urë e gurtë, e ndërtuar mbi një greminë të thellë, ishte këputur afërsisht tetë metra. Thellësia e saj ishte rreth 10 metra. Shpërthimi ishte bërë me aq mjeshtëri dhe profesionalizëm, saqë mund të mendohej se ishte bërë prej trupave tona. Pasi u krye rikonjicioni së bashku me komandantin e batalionit xhenier, u arrit në përfundimin se ajo nuk mund të rindërtohej me mjetet dhe forcat që kishim në dispozicion. Për këtë arsye u morën masa për njohjen e terrenit, me qëllim anashkalimin e urës.
Data 13.11.44.
Filloi puna për hapjen e rrugës për të anashkaluar urën. Trupat marshuese morën urdhër të organizonin mbrojtjen në rajone pushimi përgjatë rrugës. I gjithë rajoni i përqendrimit kishte një gjatësi prej rreth dy kilometrash. Gjatë gjithë ditës u zhvilluan luftime të ashpra me kundërshtarin që sulmonte nga të gjitha drejtimet. Ishte e pamundur të vlerësohej numri i saktë i tyre por me siguri ishin 3000-4000 burra. […] Armët e rënda të banditëve ishin vendosur me shumë mjeshtëri dhe i vunë në situatë të vështirë trupat tona.
Në orën 07.40 mbërriti me radio urdhri i komandantit të Div. 297. Sipas këtij urdhri, Batalioni Boeckmann, (Bëkman) i përbërë prej tri kompanish, që deri në këtë kohë ishte ngarkuar me sigurimin e urës, duhej të vazhdonte lëvizjen drejt Tiranës. Batalioni e filloi lëvizjen në orën 11.00 por lëvizja e tij u bllokua si pasojë e zjarrit të madh të banditëve. Ai arriti të depërtojë vetëm tre kilometra drejt Tiranës. Div. 297 ju kërkua me radio të dërgonte një batalion nga Tirana, për të hapur rrugën me luftim nga drejtimi tjetër.
Në orën 16.00 rruga për anashkalimin e urës ishte ndërtuar dhe ndërkohë në të kishin kaluar mjetet e para. U konstatua se ishte e pamundur që aty të kalonin kamionët e tejngarkuar dhe mjetet e rënda. Rruga ishte me shumë kthesa dhe bazamenti i rrugës ishte i paqëndrueshëm dhe i thellë. Po ashtu, ajo kishte malore shumë të pjerrëta.
Kështu që, në natën e datës 13-14.11. mora vendimin që të ndërtohej me çdo kusht ura e hedhur në erë.
Data 14.11.44
[…]Ndërtimi i urës u pengua ndjeshëm nga zjarri i mitralozave të kundërshtarit, të cilët ishte shumë e vështirë t’i asgjësoje. U shtuan edhe sulmet ndaj trupave të tjera. Na u krijua përshtypja se armiku shtohej gjithmonë e më shumë në numër. Po ashtu, u rrit ndjeshëm edhe përdorimi i armëve të rënda. Hera-herës u detyruam të organizonim kundërsulme për të larguar kundërshtarin.
Në orën 17.00 ura ishte gati. Ura qëndroi dhe brenda një gjysmë ore mbi të kaloi gjithë kolona dhe maja e saj arriti te batalioni Boeckmann. Isha i vendosur që marshimi drejt Tiranës duhej të vazhdonte natën. […] Pas bisedës me komandantët e pararojës, kolonës kryesore dhe praparojës u vendos që lëvizja të vazhdonte në orën 19.00. […]
Marshimi i pararojës rezultoi tepër i vështirë. Ajo duhej të lëvizte në një rrugicë zjarri prej 6 km, e cila rrihej me zjarr armësh të rënda nga tri anët e saj. Rruga ishte bllokuar me tri pengesa (pemë të rrëzuara, pengesa kundërtank dhe tel me gjemba). Në to ishin vendosur edhe mina. Trupat tona duhej të pastronin rrugën nga pengesat nën një zjarr tepër të rëndë të mitralozave dhe granatahedhësve të kundërshtarit. Si pasojë, pararoja mundi të përparojë shumë ngadalë, hap pas hapi dhe pati humbje të mëdha. Urat e tjera përgjatë rrugës nuk ishin hedhur në erë.
Data 15.11.44
Në të gdhirë pararoja arriti në bazën nr. 4 te ura e madhe (ura e Erzenit, – shën. im). […] Pararoja u bombardua dhe u mitralua nga ajri nga sulme të aviacionit në lartësi të ulët. Gjatë qëndrimit në rrugë, rreth orës 10.00 u informova se pjesa kryesore e kolonës dhe praparoja ishin shkëputur nga pararoja dhe po kryenin luftime të përgjakshme me kundërshtarin. […] Mesa dukej, ata nuk mund të përparonin më tej dhe duhej të ndihmoheshin nga një batalion i përforcuar, por e kishim shumë të vështirë ta dërgonin atë sepse pararoja ishte e mbërthyer keqas në luftime me kundërshtarin.
U lidha me radio me Div. 297 dhe më dërguan menjëherë tanket e premtuara. Synoja që së bashku me këta tanke të rihapja rrugën deri të kolona kryesore e marshimit. Në orën 11.30 mbërritën katër tanke italianë dhe një kundërajror i motorizuar 2 cm, të cilët komandoheshin nga majori Wegener (Vegener). […]
Pararojën e kolonës kryesore nën drejtimin e majorit Hahnke (Hanke) e takova ndërmjet kilometrit 13 dhe 14. Aty ndodheshin çka kish mbetur nga dy kompanitë, të cilët ishin duke luftuar kundër një armiku më të madh në numër. Rreth një kilometër më pas ndodhej pjesa e dyte e kolonës kryesore, rreth një kompani e gjysmë, nën komandën e togerit Kahlert, e cila po ashtu ishte lidhur në luftime të ashpra me kundërshtarin.
Skema e luftimeve sipas kolonelit gjerman Steyerer
Në gjermanisht: Skica e përparimit nga Elbasani drejt Tiranës.
Rruga, e cila pjesërisht dredhon ndërmjet lartësive mbahej nën zjarr të furishëm nga kundërshtari dhe në mënyrë të vazhdueshme bombardohej dhe mitralohej edhe nga aviacioni (britanik – shën. im). Rruga ishte mbushur me automjete të shkatërruara të gjithë llojeve, me të plagosur, të vrarë, ushtarë që ishin duke dhënë shpirt si edhe me kafshë ngarkese e kuaj të ngordhur. Morali i trupave, përfshirë dhe oficerët ishte i ulët. Komandantët nuk kishin mundur të merrnin vendimin për të hapur rrugën me luftim dhe të afroheshin me pararojën. […]
Te praparoja situata dukej më e pashpresë dhe morali i trupës ishte edhe më i ulët. Pjesa kryesore e praparojës kishte kaluar në pozicion luftimi pranë kilometrit 16 […] dhe kryente luftime mbrojtëse kundër një kundërshtari më të madh në numër që sulmonte nga të gjitha anët. Po u mbaronte edhe municioni. […] Humbjet në njerëz dhe kuaj ishin të mëdha. Edhe këtu urdhërova të bashkoheshin forcat dhe të vazhdohej lëvizja. Të plagosurit u vendosën në automjetet në qendër të kolonës. Përgatitja e lëvizjes u mbulua me zjarr nga tanket dhe dy kundërajrorët. Shkëputja nga kundërshtari u mundësua nga tanket. […]
Pasi arritëm pararojën, në orën 20.00 gjithë kolona vazhdoi lëvizjen. Unë së bashku me tanket isha në pararojë. […] Marshimi i natës drejt Tiranës u krye nën zjarrin e armëve të rënda të banditëve, të cilat ishin pozicionuar me shumë mjeshtëri në lartësitë përgjatë rrugës. Ky zjarr shkaktoi përsëri viktima dhe bëri të mundur që marshimi për fat të keq nuk u krye i grupuar. Forcat, sidomos ato të kolonës së qendrës, u shkëputën përsëri.
Pak para Tiranës nxitova për në vendkomandën e divizionit dhe atje mora urdhrin: “Grupi luftarak do të marshojë nëpër Tiranë në drejtim të Fushës së Aviacionit në hyrjen veriperëndimore të Tiranës dhe do të qëndrojë aty. Udhërrëfyesit që do orientojnë marshimin nëpër Tiranë janë në gatishmëri. Të plagosurit do të lihen gjatë lëvizjes në qytet në spitalin vendor (Ortslazarett) të Tiranës. Vendkomanda e shtabit do të jetë në Hotel Kontinental, ku ndodhet edhe komandanti i mbrojtjes së Tiranës, majori Eckstein. Koloneli Steyrer, më 16.11., ora 09.00, për raportim në shtabin e divizionit.”[…]
Pjesa më e madhe e qytetit ishte në duart e kundërshtarit dhe shtëpi dhe blloqe shtëpish të veçuara mbaheshin nga forcat tona sipas parimit të bazave të mbështetjes. Në kryeqytet nuk kishim forca të fuqishme, vetëm komandën e Divizionit 297, spitalin ushtarak, depot e municionit, depot ushqimore dhe ato të karburantit si edhe autoreparte, të cilat ishin të plotësuara me efektiv dhe ruheshin nga reparte e nënreparte alarmi. Futja e trupave tona natën në qytet u shoqërua me zjarr mitralozash, armësh automatike dhe armësh të tjera që hapej nga shtëpitë e qytetit. Goditja ishte aq e fortë saqë vetëm trupat e motorizuara të pararojës mundën të arrinin deri në aerodrom, ndërkohë që pjesa tjetër u detyrua të strehohej në qytet duke krijuar baza mbrojtëse […]
Data 16.11.44.
Gjatë natës dhe në mëngjes, nga shtabi u konstatua se një pjesë e njësive të grupit luftarak ishte në qytet dhe pjesa tjetër në aerodrom. Njësitë u rigrupuan dhe riformatuan përsëri sipas mundësive. Në zonat ku hasej qëndresë u organizua përsëri mbrojtja sipas parimit të bazës ushtarake. Nga të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit ishim nën zjarr të rëndë e të vazhdueshëm. Shtihej nga të gjitha dritaret, ballkonet dhe çatitë. Blloqet e veçuara të shtëpive ku ndodheshin trupat gjermane ishin nën zjarrin e artilerisë dhe mortajave. Deri në drekë zjarri armik u shtua nga ora në orë.
Shkova së bashku me komandantin e mbrojtjes në mbledhjen e thirrur nga komandanti i Div. 297, ku u dhanë urdhra dhe instruksione konkrete: Mendimi kryesor ishte largimi me të gjitha forcat dhe mjetet gjatë ditës nga qyteti i pushtuar nga kundërshtari. Për këtë gjë ishte e nevojshme hapja me luftim e rrugës së tërheqjes (rruga jugore, nga sheshi Skënderbej deri në aerodrom – sot: rruga e Kavajës- shën. im). Pasi u ktheva nga vendkomanda e divizionit dhashë urdhër për pastrimin e rrugës jugore. […]
Qëndresa e kundërshtarit dhe zjarri i armëve u rrit në atë masë në orët e para të pasdites, saqë kompanitë arritën të kapin pozicionet e gatishmërisë dhe rajonet që duhej të siguronin me shumë vështirësi, duke humbur rendimin e luftimit. Pasi bëra një rikonjicion, arrita në përfundimin se hapja e rrugës gjatë ditës ishte e pamundur, për më tepër që edhe municioni ishte shumë i kufizuar. […] Arrita në përfundimin se tërheqja nëpërmjet rrugës jugore duhej të kryhej në të ngrysur, në orët e para të mbrëmjes. Grupe sulmi duhej t’u vinin zjarrin shtëpive të pushtuara (nga partizanët – shën. im) majtas dhe djathtas rrugës dhe marshimi mund të bëhej pa humbje të mëdha nëse trupat do të lëviznin mes tyre.
Komandanti i divizionit më thirri në orën 15.00 dhe unë i prezantova idenë time, të cilën ai e miratoi dhe dha urdhrat përkatës për zbatimin e saj. Situata ishte e tillë: sulmi i batalionit Stroschke (Stroshke) nëpër rrugën jugore, filluar nga aerodromi, ishte stopuar qysh në fillim të tij. Urdhërova me radio batalionin Schwartz të mbështeste me gjithë forcat sulmin e batalionit Stroschke. Së bashku me një shtab të vogël ndihmës shkova në një shtëpi që ndodhej në fillim të rrugës jugore, e cila mbahej nga forcat tona (kapiteni Heim- Hajm). Aty ngrita vendkomandën time. […]
Kompania e dytë e Batalionit Xhenier 297, e përforcuar nga ushtarë kurajozë të grupimit tim, u pajisën me shishe me benzinë, granata dore e bomba djegëse dhe u ndanë në gjashtë grupe sulmi. Ata kishin për detyrë të kalonin shtëpi më shtëpi dhe t’u vinin flakën atyre. Kompanitë e Batalionit Hahnke duhej të ndiqnin menjëherë nga pas grupet e sulmit dhe të bënin spastrimin e shtëpive (nënkupton vrasjet e banorëve dhe partizanëve, pra çdo gjë që u dilte para – shënimi im). Ky aksion u mbështet nga armët e rënda që ishin pozicionuar në fillim të rrugës jugore.
Në orën 18.00 filloi sulmi. Në fillim grupet e sulmit, e më pas kompanitë e Batalionit Hahnke. Situata paraqitej e tillë: Batalioni Stroschke i nisur nga aerodromi, nuk e kishte kaluar ende një të tretën e rrugës jugore. Sulmi vazhdoi me sukses, falë punës së shkëlqyer të grupeve të sulmit. Vendkomanda ime u zhvendos më në thellësi të rrugës jugore. […]
Rreth orës 20.00 u raportua se spastrimi i rrugës (nënkupton vrasjet – shën. im) kishte ndaluar si pasojë e zjarrit të madh të kundërshtarit. U kërkua mbështetja e tankeve dhe katër tanke të divizionit erdhën në ndihmë. Me ndihmën e tyre u mundësua vazhdimi i sulmit. Kolonat e marshimit u renditën në formacion marshimi gjatë mbrëmjes për të lëvizur nëpërmjet rrugës jugore drejt aerodromit.
Në orën 21.15 rruga e tërheqjes ishte hapur dhe unë munda t’i raportoj komandantit të divizionit, që lëvizja mund të fillonte. Zjarri i kundërshtarit ishte mbytur nga flakët e shtëpive majtas dhe djathtas rrugës dhe nga organizimi i sigurimit të saj. Kështu që kolonat mundën që përgjatë gjithë natës të largohen nga qyteti, pothuajse pa humbje të tjera. […]
Sheshi Skënderbej pas luftës
Forcat e Brigadave që luftonin në kryeqytet i vazhduan pandërprere sulmet e tyre për asgjësimin e armikut të rrethuar dhe në mëngjesin e 16 nëntorit u hodhën në sulmin përfundimtar për çlirimin e Tiranës. Si rrjedhojë e këtij sulmi, forcat e Brigadës I Sulmuese kapën "Shtëpinë e Oficerëve", pikëmbështetjen tek Sahati, Teatrin, etj.
Forcat e Brigadës VIII Sulmuese përparuan në rrugën e Kavajës dhe morën takim me krahun e djathtë të Brigadës I Sulmuese, duke e ngushtuar edhe më shumë unazën e rrethimit të armikut në qendër të kryeqytetit.
Forcat gjermane bënin rezistencë të ashpër në ndërtesat e ministrive, te Banka, te Bashkia dhe tek hotel "London" (ku është ndërtuar Muzeu Historik Kombëtar). Luftimet vijuan shumë të ashpra gjatë gjithë ditës. Natën, duke u gdhirë 17 nëntori, komanda gjermane nuk shikonte asnjë mundësi shpëtimi. Ndërkohë që ishin krijuar të gjitha kushtet për të asgjësuar ose për të kapur rob këto forca, komanda gjermane organizoi një manovër të përgjithshme të të gjitha forcave në kryeqytet për të çarë rrethimin e për të vazhduar rrugën drejt Vorës.
Në mbledhjen e shtabit të Div. 297 të orës 09.00, datë 16 nëntor, mendimi kryesor i rrahur në këtë takim ishte largimi brenda ditës i trupave dhe mjeteve nga qyteti, i cili tashmë thuajse zotërohej nga partizanët. Qëllimi i forcave gjermane ishte të largoheshin nga Tirana duke u tërhequr me luftim e me sa më pak humbje të ishte e mundur, të bashkoheshin me trupat e tjera gjermane në Vorë, për të vazhduar më pas së bashku lëvizjen në drejtim të Shkodrës.
Me organizimin e tërheqjes së trupave gjermane nga Tirana, bazuar në përvojën luftarake që ai krijoi gjatë marshimit nga Struga në Tiranë, u ngarkua koloneli Steyrer. Steyrer vlerësoi situatën dhe arriti në konkluzionin se, largimi i gjermanëve nga Tirana mund të arrihej vetëm nëpërmjet rrugës në jug të sheshit Skënderbej (Bulevardi Musolini, sot Rruga e Kavajës). Fillimisht duhej të hapej me luftim rruga brenda qytetit.
Më pas, (diku pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit) forcat gjermane duhej të ktheheshin djathtas drejt fushës së aviacionit, për t’u bashkuar me forcat e tjera që ndodheshin aty e për të lëvizur së bashku në drejtim të Vorës ku ishte caktuar edhe pikëtakimi me trupat e tjera që ishin afruar nga Elbasani nga drejtimi tjetër i tërheqjes.
Në orën 15.00, Steyrer i parashtroi Komandantit të Div. 297 planin e tërheqjes dhe ky i fundit e miratoi këtë plan.
Dëshmitë për zhvillimin e kësaj manovre janë kontradiktore dhe kanë ngjallur debat. Burimet shqiptare thonë se forcat gjermane shfrytëzuan tanket dhe autoblindat që kishin në dispozicion, ndaj të cilave partizanët nuk vepronin dot, si dhe faktin që në rrethimin partizan kishte hapësira të zbrazëta, për shkak të numrit të madh të forcave të angazhuara në rrethimin e pikëmbështetjeve të ndryshme, veçanërisht kazermat "Shkumbini" dhe kisha e Shën Prokopit. Kështu, duke përfituar nga errësira e natës, forcat gjermane tek "Legata Amerikane, "Pallati mbretëror" dhe Kisha e Shën Prokopit, u tërhoqën drejt kryeministrisë, dhe bashkë me forcat që ishin në qendër manovruan në shpinë të forcave partizane të Brigadës VIII, nga fusha e "Shallvareve" drejt Rrugës së Kavajës, për të vazhduar drejt fushës së aviacionit. Atje morën takim me forcat gjermane që vinin nga kazermat "Shkumbini" dhe pikëmbështetja tek Burgu i Ri (ish stacioni i trenit) për të vazhduar më tej drejt Vorës.
Ndërsa Koloneli Steyrer, komandant i grupit të praparojës e përshkroi kështu daljen nga rrethimi:
"...Në orën 21:15, unë, pasi kontrollova daljen, njoftova komandantin e Divizionit se rruga ishte e hapur (e lirë) për tërheqje, e cila u bë e mundur vetëm në errësirën e natës, duke kaluar nëpër zjarre të ndezur nga djegia e shtëpive në të majtë e në të djathtë të rrugës me shishe me lëndë djegëse... Rruga për tërheqje është "Rruga e Durrësit". Me urdhër të Divizionit 297 vepruan forcat: Prej fushës së aviacionit, batalioni i këmbësorisë, reparti i zbulimit të Regjimentit 297 që komandohej nga majori Strocke. Prej sheshit "Skënderbej" batalionet e shpërndara në qytet 1007 dhe Grupi VIII i Regjimentit 999 të grupit të mesit dhe të prapavijës që ishin në Tiranë... Si kohë e sulmit u caktuar ora 18:00... Batalioni i xhenierëve të Regjimentit 297, kompania e majorit Hanke do të çanin rrugën e daljes me granata, shishe me lëndë djegëse. Për këtë u krijuan 6 grupe sulmi. Në orën 18 u nisën trupat e sulmit të majorit Hanke. U përdorën edhe tanke të Divizionit 297..."
Forcat e fundit gjermane që u tërhoqën nga Tirana por u goditën në rrugën Tiranë - Vorë - Laç.
Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net luftë të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua.
Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; i shkaktoi humbje të mëdha e vonoi tërheqjen e forcave gjermane. Njësitë e Korparmatës I realizuan me sukses detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjitshëm i UNÇSH.
Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH-ja për çlirimin e qyteteve. Operacioni u zhvillua në një hapësirë gjeografike prej 4000 km2 dhe zgjati 2 muaj e 19 pa pushim. Gjatë operacionit ranë 127 partizanë dhe u plagosën 290. Humbjet e forcave të Vermahtit gjithashtu janë temë e debatueshme dhe kontradiktore. Ato numërohen nga burimet shqiptare në 3000 të vrarë, 300 të kapur rob, 25 topa, 4 tanke, 1000 mitraloza, 200 automjete, 250 karro me materiale të ndryshme.
Ndërsa historiani Marenglen Kasmi thotë se sipas raportimeve të Grupit Luftarak të Forcave Tokësore E (për Korparmatën XXI) në periudhën 10 - 20.11.44, jepen “1600 burra të vrarë, të plagosur dhe të humbur. 50% e tyre i përkasin Grupit Luftarak "Steyrer" gjatë luftës në rajonin e Tiranës. Dëmtimi në armë dhe material i ndjeshëm.“
Armiku nuk zbatoi dot planin e tij për shkatërrimin e Tiranës. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e popullit, nga të moshuarit e deri te fëmijët, ishte e madhe, në forma e mënyra të ndryshme.
Për realizimin e drejtimit të operacionit, përdorim të gjerë gjeti ndërlidhja me radio, takimet me shtabet vartëse, me lajmëtarë etj. Nëpërmjet kësaj veprimtarie drejtuese u arrit që të ndihmohen drejtpërdrejt e në kohë shtabet e instancave vartëse, të cilat morën dhe zbatuan masa të efektshme, veçanërisht për njohjen e armikut, organizimin e luftimit, manovrimin e forcave, drejtimin e tyre etj. Në mënyrë krijuese u zbatua parimi i manovrimit dhe i përqendrimit të forcave që erdhi duke u rritur shkallë - shkallë, të cilat në fazën përfundimtare arritën në 11 brigada, çka siguroi vijimësinë e pandërprerë të operacionit deri në fitore. Drejt u përcaktuan sektorët dhe pikat më nevralgjike të sistemit të mbrojtjes armike, nga asgjësimi i të cilave u bë e mundur ecuria dhe suksesi i operacionit.
Centrali elektrik – ndërtesa përballë shkollës “Qemal Stafa” në rrugën e “Durrësit”
Burgu i vjetër – burgu 303 tek rruga “Mine Peza”
Radio Tirana – godina ngjitur Tymin, ku shiten qofte, tek rruga e “Kavajës”
Shtëpia e Oficerave – godina e “Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”
Hotel “Internacional” – tek rrugica pas bankës Reifeisen, sot godina shërben si konvikt për UFO University
Shtypshkronja “Atdheu” – ish godina e gazetës “Zëri i Popullit” përbri Ministrisë së Drejtësisë tek Bulevardi “Zog 1”
Bashkia – godina e Bashkisë ka qenë në krye të Bulevardit “Zog 1” pak para Muzeut Kombëtar.
Pazari i vjetër – gjithë territori që zë Pallati i Kulturës tek sheshi “Skënderbej” dhe lushitja pas tij
Xhamia e vjetër – vendi ku sot ndodhet monumenti i “Partizanit të panjohur”
Hotel Elbasani – përbri Sahatit tek Sheshi “Skënderbej”
Pallati i vjetër i Zogut – godina e Akademisë së Shkencave, ngjitur me godinën e Kuvendit
Spitali Gjerman – ish-Pallati i Pionerëve tek Kinema Milenium
Luogotenenca – godina e shoqatës së të përndjekurve politikë, përbri lulishte “1 Maji”
Legata Amerikane – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Kodrat e Fuat Beut – kodra në të cilën ndodhet “Qytetit Studenti”
Kodra e Kopilit – kodra në të cilën ndodhen Varrezat e Dëshmorëve
Pallati Mbretëror – ish-Pallati i Brigadave, sot ndërtesë qeveritare.
Kisha e Shën Prokopit – kisha e vogël në majë të kodrës pak para se të dalësh tek diga e liqenit artificial
Kazermat “Shkumbini” – tregu dhe territori përballë fabrikës së birrës “Tirana”
Pallatet e nënpunsave – pallatet italiane buzë lanës përbri pallateve tek “Shallvaret”
Autoreparti – tek rrethrotullimi ku kryqëzohet unaza e madhe me rrugët “29 Nëntori” dhe “Dritan Hoxha” pas lagjes “Laprakë”
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.
Shpresë për popullin, tmerr për armikun. Bridaga I Sulmuese – Tiranë, 1971.
Historiku i Brigadës së IV Sulmuese – Tiranë, 1998. Autor: Mihallaq Konda.
Historiku i Brigadës VIII Sulmuese - Tiranë, 2002. Autor: Naxhi Zhupa.
Çlirimi i Tiranës - Operacion i mirëfilltë ushtark i UNÇSH-së. Postim i datës 17 nëntor 2023 në gazetën "Kushtrim Brezash" organ informativ e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ (Nderi i Kombit). Autor: Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi
HISTORI: Arkivat gjermane, botohet i plotë raporti i kolonelit që drejtoi luftimet në Qafë Kërrabë dhe tërheqjen nga Tirana. Postim i datës 20 nëntor 2022 në gazetën Dita, e përditshme, informative. Autor: Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi