Komanda e Përgjithshme e UNÇSH më datë 17 nëntor urdhëronte shtabin e Korparmatës I Sulmuse që: “Me çdo mënyrë të ndalohen dhe të asgjësohen forcat gjermane që janë në Shqipëri.”* Në këtë kuadër Divizioni II Sulmuese mori detyrë të zhvendoste forcat e tij në veri e në verilindje të Shkodrës në mënyrë që të priste lëvizjen e armikut në rrugën Shkodër - Podgoricë dhe në bashkëpunim me forcat e Brigadës XXII e XXIV Sulmuese të çlironte qytetin e Shkodrës. Pas çlirimit të Pukës, të Lezhës dhe të Dukagjinit brigadat e Divizionit II Sulmues dhe njësitë e tjera të kishin dalë në vijën: Bogë - Vau i Dejës - Bushat. Grupimi mësymës (Divzioni II Sulmues, Brigada XXII dhe XXIV Sulmuese, Grupi partizan i Shkodrës) që do të merrte pjesë në çlirimin e Shkodrës (skema 60) përbëhej nga rreth 6200 luftëtarë, me 140 topa e mortaja.
“Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, Tiranë, 1976, vëll II, f. 310.
Mësymja do të kryhej kundër mbrojtjes armike të pregatitur me kohë, ku ishin vendosur më se 3000 gjermanë të Korparmatës XXI malore dhe deri 3000 reaksionarë të përforcuar me rreth 135 gryka zjarri. Vija e mbrojtjes në rrethinat përfshinte: kullat e Boksit - Dragoç - ura e Mesit - Myselim - ura e Vaut të Dejës - Bërdicë. Vija e ndërmjetme kalonte: Shtoj - kodrat e Bardhajve - Guri i Zi - Bahçallëk - Tarabosh. Vija e tretë lidhte pikëmbshtetjet e fuqishme të armikut te kalaja e Shkodrës dhe kodrat e Tepes. Raporti i forcave ishte gati i barabartë. Duke hedhur në erë urat mbi lumin Drin dhe Bunë, komanda gjermane shpresonte të tërhiqte forcat nga Shkodra drejt Malit të Zi pa luftë.
Në fazën përgatitore të mësymjes forcat e grupimit mësymës do të goditnin armikun në rrethinat e qytetit, kodrat e Boksit, ura e Mesit, ura e Vaut të Dejës, kalaj e Bërdicës. Në çastin e goditjes vendimtare ato do të kalonin në mësymje me forca të përqendruara nga disa drejtime. Goditja kryesore do të jepej nga verilindja e qytetit prej nga terreni nga lart-poshtë mundësonte një sulm të shpejtë duke mbyllur rrugën e tërhqjes së armikut.
Forcat e Divizionit II Sulmues morën urdhër të dilnin sa më parë në pozicionet e nisjes për sulm. “Për t’ia bërë armikut të pamundur tërheqjen dhe që të mundim të korrim suksese të tjera si këto të fundit duhet të jemi të shpejtë dhe të rrufeshëm në të gjitha veprimet”* - udhëzonte forcat pjesëmarrëse në këtë operacion komisari i Korparmatës I Sulmuse, Hysni Kapo.
*Hysni Kapo, “Vepra të zgjedhura”, vëll. I, Tiranë 1980, f. 277.
Brigada VIII Sulmuese, pasi të kalonte Drinin, me forcat kryesore do të zinte vijën: Sheldi - Vau i Dejës - Mjedë me detyrë që në bashkëveprim me forcat e Brigadës XXII Sulmues dhe forcat territoriale të fshatit Mjedë dhe Vau i Dejës të asgjësonte armikun në qendrat më të forta, si në urën e Vaut të Dejës, Guri i Zi, Rencë dhe të dilte në vijën e Bardhajve, ura e Kirit. Me një pjesë të forcave, në bashkëveprim me forcat e Brigadës XXII, të sulmonte armikun në kalanë e Shkodrës dhe në kodrat e Tepes, t’i shkëpuste ato nga forcat kryesore që ndodheshin në qytetin e Shkodrës dhe t’i asgjësonte.
Brigada XXII Sulmuese dhe Grupi partizan i Shkodrës u vendosën në vijën: kulla e Boksit - Mes - Myselim - Bardhaj, me detyrë që, në bashkëveprim me forcat e Brigadës VII Sulmuese, të asgjësonte pikëmbështetjet e armikut në kullat e Boksit, te Gështenjat e Shtoit, te ura e Mesit, te kodrat e Bardhajve dhe Guri i Zi. Me një pjesë të forcave të dilte në vijën Dobraç - Golem për të goditur kolonat e armikut që do të përpiqeshin të tërhiqeshin nga qyteti i Shkodrës. Detyra kryesore e kësaj njësie ishte që në bashkëveprim me Brigadën VII Sulmuese, me grupet partizane të futura në qytet dhe njësitet guerile, të asgjësonin armikun dhe të çlironin qytetin e Shkodrës. Brigada VI Sulmuese më 24-25 nëntor u vendos në vijën Hot - Koplik - Lepurosh me detyrë të mbyllte rrethimin e largët të grupimit të forcave armike në Shkodër nëpërmjet bllokimit të rrugës së vetme të kalimit të forcave gjermane Shkodër - Hot - Podgoricë.
Brigada XXIII dhe XXIV Sulmuese dhe batalioni 2 i Brigadës VII Sulmuese zunë vijën: Beltojë - Bërdicë e Poshtme, me detyrë të rrethonin dhe të asgjësonin garnizonin gjerman në kodrat e Tepes. Duke i dalë qytetit nga jugu, në bashkëveprim me forcat kryesore të Brigadës VII Sulmuese dhe të Brigadës XXII Sulmuese, me goditje bashkëqendrore, të ndihmuara nga njësitë guerile, të çlironin përfundimisht qytetin.
Mësymja kundër mbrojtjes së armikut nisi me veprimet luftarake të Brigadës VII dhe XXII Sulmuese për kapjen e pikëbmështetjeve në vijën e parë. Natën e 22-23 nëntorit forcat e Brigadës XXII dhe forcat territoriale të Mjedës e të Vaut të Dejës me veprime luftarake të befasishme e të shpejta goditën forcat në garnizonin gjerman të Vaut të Dejës që u tërhoqën në drejtim të fshtit Guri i Zi. Në gjysmën e dytë të natës forcat e Brigadës XXII Sulmuese kaluan lumin Drin me mjete rrethanore dhe dolën në lindje të fshatit Guri i Zi. Ditën tjetër forcat e saj lëvizën drejt urës së Mesit, me detyrë që, në bashkëveprim me Grupin partizan të Shkodrës, të asgjësonin pikëmbështetjet e armikut në kullat e Boksit e në urën e Mesit. Vendin e Brigadës XXII në Gurin e Zi e zunë forcat e Brigadës VII Sulmuese.
Më 23 nëntor batalioni 2 i Brigadës VII Sulmuese zhvilloi luftime në kalanë e Bërdicës. Të nesërmen në këtë rajon arritën edhe forcat e Brigadës XXII dhe XXIV Sulmuese, të cilat i sulmuan trupat gjermane në vijën Beltojë - Bërdicë - Bregu i Bunës. Marrja e urës në hyrje të Shkodrës rrezikonte përqendrimin e armikut në qytet, prandaj forcat gjermane kundërsulmuan natën, të mbështetura nga artileria dhe pas 4 orë luftimesh të ashpra mundën të ripushtonin kalanë e Bërdicës. Në mbrëmje, forcat partizane, me sulm të fuqishëm, rimorën pozicionet në kalanë e Bërdicës dhe dolën përsëri te ura e Bahçallëkut.
Forcat kryesore të Brigadës VII Sulmuese kryenin veprime luftarake mësymëse drejt Vaut të Dejës që u shtrinë nga 21-26 nëntor. Batalioni 4 u hodh në sulm kundër pikëmbështetjes së armikut në urën e Gjadrit. Një pjesë e forcave doli në shpinë të forcave gjermane, të cilat lanë pozicionet e mbrojtjes, u hodhën në bregun tjetër të lumit Gjadër, ku organizuan një qëndresë të fortë. Epërsitë e armikut në artileri, kundërsulmet e tij dhe pengesat që sillte lumi, forcat e batalionit i kaluan duke kryer veprimet luftarake natën. Me grupe sulmi lëvizën drej urës, e kaluan atë dhe hodhën granatat e dorës mbi llogoret e gjermanëve. Armiku u tërhoq drejt urës së Vaut të Dejës, e shkatërroi atë dhe organizoi mbrojtjen në bregun perëndimor të Drinit.
Pozicionet e nisjes për mësymje nga ura e Vaut të Dejës deri në kodrat e Bardhajt, Brigada VII Sulmuese mund t’i zinte vetëm pasi të kalonte Drinin, aksion që paraqiste vështirësi dhe rreziqe të mëdha. Kalimi i lumit filloi në mbrëmjen e datës 23 nëntor dhe mbaroi në agimin e datës 24. Para se të bëhej kalimi i forcave të batalionit 4, u hodh për zbulim një grup partizanësh që kontrolloi me kudjes në afërsi të rugës automobilistike. Pas kësaj kaloi edhe një nënrepart partizanësh, i cili duke u mbështetur nga artileria e brigadës, do të mbulonte veprimet e forcave gjatë kalimit. Kalimi i lumit u krye me pesë varka të vogla. Në secilën prej tyre mund të hipnin 4 partizanë. Kalimi i lumit vijonte, kompanitë që ishin hedhur përtej, me masa të forta sigurimi dhe në fshehtësi, duke manovruar nga krahu i djathtë iu ngjitën përpjetë kodrave, për të zënë pozicionet e nisjes për mësymje.
Në mbrëmjen e 26 nëntorit tri batalionet e Brigadës XXII u futën në zonën e Postribës dhe dolën në Drisht. Me këtë manovër Divizioni II Sulmues, në bashkëveprim me Brigadat XXIII, XXIV Sulmuese dhe Grupin partizan të Shkodrës, e kishte futur armikun në unazën e rrethimit: kulla e Boksit - ura e Mesit - kodrat e Bardhajve - Guri i Zi - ura e Bahçallëkut.
Karakteristikë kryesore e këtyre veprimeve të fazës përgatitore ishte befasia, sulmet natën, lufimi i afërt, kalimi i pengesave ujore dhe kryerja e luftimeve me forca të përqendruara (me toga e skuadra), por jo në të njëjtën kohë kundër të gjitha pikëmbështetjeve të armikut.
Luftimet kryesore për të asgjësuar forcat gjermane dhe për të çliruar qytetin e Shkodrës u zhvilluan nga 24-28 nëntor 1944.
Forcat e Brigadës VII Sulmuese, në bashkëvperimm me forcat e Brigadës XXII Sulmuese më 24 nëntor sulmuan forcat gjermane në Gur të Zi, Bardhaj dhe dolën në vijën: Rencë - pjerrësitë perëndimore të kodrave të Bardhajve.
Batalioni 4 i Brigadës VII Sulmuese në mëngjesin e 24 nëntorit u vendos në pjesën lindore të kodrave të Sheldije prej nga sulmoi pikëmbështetjet kyçe të sistemit të mbrojtjes së armikut, si në kodrat e Bardhajve dhe në Gurin e Zi. Kjo vuri në rrezik tërë garnizonin armik në Shkodër, pranda komanda gjermane dërgoi me ngutësi forca të tjera, që i hodhi në kundërsulm për të ripushtuar pozicionet e humbura, për t’i shtyrë partizanët drejt fshatit Rragam, t’i ngjeshte ata me shpinë në pengesën e pakalueshme të Drinit dhe pastaj, duke hedhur forca të shumta, t’i rrethonte e t’i asgjësonte. Në drejtimin kryesor të kundërsulmit armik një pjesë e forcave u detyruan të lëshonin pozicionet e tyre, por grupe sulmi automatikse, së bashku me forcat e tjera kundërsulmuan dhe i rimorën pozicionet e humbura pak kohë më parë. Luftimet vijuan të ashpra deri në mbrëmje. Brigada VII Sulmuese, pas thyerjes së forcave gjermane në fshatin Renc, zuri vijën kodrat e Tepes - ura e Kirit.
Forcat e Grupit partizan të Shkodrës dhe të Brigadës XXII Sulmuese me luftime të afërta asgjësuan forcat gjermane në kullat e Boksit, në urën e Mesit, në kodrat e Bardhajve. Pasi thyen qëndresën e forcave gjermane në fushën e Shtoit dhe Bardhaj, u afruan në vijën Golem - Varrezat. Batalioni 1 i Brigadës XXII Sulmuese doli në Dobraç, për të penguar tërheqjen e gjermanëve drejt Koplikut. Brigada VI Sulmuese zhvillonte luftime për asgjësimin në bashkëveprim me forcat e Brigadës VII Sulmuese, pushtuan Bahçallëkun, kaluan Drinin dhe dolën në Ajasëm në Pazarin e Vjetër.
Në mbrëmjen e 28 nëntorit forcat e grupit mësymës zunë pozicionet e nisjes për mësymjen në lagjet e jashtme të qytetit. Grupi partizan i Shkodrës me dy batalione të Brigadës XXII Sulmuese u vendos në Dragoç, përjashtuar urën e Kirit; Brigada VII Sulmuese dolin në vijën e sulmit ura e Kirit - Tepe - kodrat e Tepes; Brigada XXIII dhe XXIV Sulmuese dhe batalioni 2 i Brigadës VII Sulmuese kapën vijën Asajëm - Pazar i Vjetër. Që më 27 nëntor nga Grupi partizan i Shkodrës u futën në qytet njësitë të vogla partizane.
Veprimet luftarake në fazën e sulmit vendimtar filluan natën e 28-29 nëntorit. Goditjet u dhanë të menjëhershme nga të gjitha drejtimet. Të ndihmuara nga grupet partizane, nga njësitë guerile dhe nga popullsia, forcat partizane përparuan me shpejtësi drejt qendrës së qytetit. Por forcat gjermane, duke përfituar nga errësira e natës, mundën të dilnin nga rrethimi e të tërhiqeshin drejt Koplikut. Batalioni 1 i Brigadës XXII Sulmuese sulmoi prapavijën e kolonës gjermane, që u shkëput nga forcat kryesore. Ndërkohë forcat e Brigadës VII dhe XXIII Sulmuese u ngjitën në kalanë e Rozafës dhe asgjësuan armiqtë në këto pozicione. Me Grupin partizan të Shkodrës dhe me njësitë e tjera partizane u bashkuan shumë të rinj shkodranë, të cilët po atë ditë formuan Brigadën XXVII Sulmuese. Qytetarët i ndihmuan forcat partizane të kufizonin vendet e minuara, u tregonin bodrumet ku ishin fshehur forcat reaksionare, etj. Vetëm në qytet u zunë rreth 300 reaksionar e gjermanë, si dhe shumë armë e municione.*
*Për këtë çështje ka pretendime që forcat partizane të kenë bërë ekzekutime pa gjyq. Ka nevojë për sqarime të mëtejshme.
Në mëgjesin e 29 nëntorit qyteti i Shkodrës u çlirua. Kjo fitore shënoi çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Gjatë veprimeve luftarake për çlirimin e Shkodrës dolën në pah disa nga karakteristikat e mësymjes në qytet, si zbulimi dhe njohja me imtësi e gjendjes së armikut dhe e vendit, përqendrimi i forcave për mësymje, manovrimi i shpejtë i forcave dhe sulmi mbi pikëmbështetjet e fortifikatat e armikut, bashkërendimi i veprimeve luftarake ndërmjet njësive dhe reparteve dhe i zjarrit të armëve, mbajtja në dorë e forcave dhe e mjeteve të mjaftueshme për të thyer kundërsulmet e armikut, etj. Gjerësia e rendimeve të luftimit dhe thellësia e detyrave ishte e ndryshme. Kështu, p.sh. Batalioni mësynte afërsisht në një sektor 1200-2000 m e më shumë dhe me thellësi që shkonte rreth 2-3 km; brigada sulmuese mësynte në 5-6 km, me thellësi rreth 4-7 km.
Afrimi i forcave, zënia e pozicioneve të nisjes për mësymje dhe sulmi, në pjesën më të madhe u kryen natën. Si në shkallë taktike dhe në atë operative u përdorën me sukses manovra krahëmarrëse e shpinëmarrëse. Kështu, Brigada VI Sulmuese kreu një shpinëmarrje të thellë nga Nikaj-Mërturi dhe doli në rrugën Shkodër - Podgoricë, Brigada XXII Sulmuese dhe Grupi partizan i Shkodrës krahëmorën armikun dhe zunë bazën e nisjes në verilindje të Shkodrës. Ndërkaq Brigada VII Sulmuese, në bashkëveprim me Brigadat XXIII dhe XXIV Sulmuese, e sulmoi armikun nga lindja dhe nga jugu. Rëndësi iu kushtua marrjes së objekteve zotëruese në rrethinat e qytetit si pikënisje për sulmin në qytet, siç ishin kullat e Boksit, kodrat e Bardhajve, Guri i Zi, kodrat e Bërdicës, etj. Gjithashtu, mbajtja e takimit me armikun, copëtimi dhe asgjësimi i tij pjesë-pjesë, kalimi i lumenjve me mjete rrethanore, bashkërendimi i veprimeve luftarake me njësitë guerile dhe grupet partizane, afrimi dhe sulmi i befasishëm kundër rajoneve të fortifikuara, luftimi i afërt, goditjet bashëqendrore në qytet, etj, treguan se repartet dhe njësitë pjesëmarrëse në këtë operacion kishin tashmë një përvojë të pasur lufte.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.
Epopeja e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - foto album