Klik me të djathtën > Open image in new tab për të parë imazhin me madhësi origjinale
Në fund të shtatorit Shtabi i Përgjithshëm bëri riorganizimin dhe plotësimin e njësive të Divizionit II Sulmues. Në Pezë, më 18 shtator, u formua Brigada XII Sulmuese me katër batalionet e Grupit të Pezës, me afro 300 luftëtarë secili dhe me përvojë luftarake. Brigada, pasi kreu disa veprime luftarake në rrethet e Tiranës e të Durrësit, më 29 shtator kaloi në varësi të Divizionit II Sulmues, në vend të Brigadës III Sulmuese që ishte nisur në Kosovë. Në fillim të tetorit, Divizioni II Sulmues kishte: Brigadën VI, VII dhe XXII Sulmuese. Efektivi i divizionit, së bashku me batalionin “Mati” dhe aradhën “Perlat Rexhepi”, arrinte në rreth 4500 luftëtarë.
Divizioni II Sulmues mori urdhër të shpartallonte forcat gjermane dhe reaksionare në Mirditë, Lezhë dhe Pukë, të goditste autokolonat gjermane në rrugën Kukës-Shkodër dhe të vijonte mësymjen për të çliruar Shkalën e Shoshin dhe qytetin e Shkodrës.
Arritjen e këtyre objektivave Shtabi i Korparmatës I Sulmuese e planëzoi në tri faza: në fazën e parë mësymja do të fillonte në sektorin e Mirditës drejt rrugës Shkodër - Pukë - Kukës. Në krahun e majtë të rreshtimit do të marshonte Brigada VII në drejtimin Ungrej - Kastar, në qendër Brigada VI Sulmuese në drejtimin Shëngjergj - Veren - Pukë dhe në krahun e djathtë Brigada XXII në drejtimin Blinisht - Gjonaj, Perube.
Në fazën e dytë Brigadat VI dhe XII Sulmuese do të sulmonin me forcat kryesore rrugën Shkodër - Pukë - Kukës. Nëdrsa Brigada VII Sulmuese do të forconte pozitat në disa kryeqendra të Mirditës, Shpal (Blinisht), Kastar. Pasi të spastronin zonën e Mirditës, batalionet e saj do të lëviznin drejt kahinave të Lezhës e të Zadrimës.
Në fazën e tretë Brigada VI Sulmuese, pasi të çlironte Pukën, do të vepronte me shpejtësi nga veriu, të kalonte Drinin dhe të çlironte Shalën e Shoshin, duke zotëruar kryeqendrat: Kreu i Fushës, kodra e Shëngjergjit dhe ajo Nik Gjonaj. Brigada XII Sulmuese do të siguronte Pukën dhe Iballën. “Në këtë mënyrë, në fazën e fundit, Divizioni II Sulmues do të rreshtohet në thellësi të Veriut me front në drejtim të Shkodrës, për t’u hedhur në mësymje për çlirimin e saj.”*
*Hysni Kapo, “Vepra të zgjedhura”, vëll I, Tiranë, 1980, f. 220-221.
Divizionit iu dha një zonë veprimi nga Fushë-Lura deri në urën e Milotit, e gjerë rreth 50 km, dhe me thellësi rreth 70 km, nga zona e Mirditës deri në Shalë e Shoshaj.
Në shpinë të Divizionit II Sulmuese vepronte Divizioni I Sulmues, ndërsa në krahun e djathtë, nga Elbasani deri në Lumë vepronte Divizioni IV Sulmues.
Në zonën e veprimit të Divizionit II komanda e Korparmatës XXI malore kishte përgatitur mbrojtje të qëndrueshme. Aty vepronin forcat e Divizionit 181 të këmbësorisë dhe forca të shumta mercenarësh me rreth 6000 veta, 110 topa e mortaja, 30 autoblinda, etj. Pikëmbështetjet ishin zënë nga toga, kompani deri në batalion. Mbrojtja e armikut ishte ndërtuar në terren malor me drejtime përgjatë rrugëve automobilistike, me largesa të mëdha ndërmjet pikëmbështetjeve të fortifikuara. Pozicionet e para të mbrojtjes armike shtriheshin në vijën: Lezhë, Perlat, Guri i Kuq (m. i Shejtit). Në thellësi, në formë gjysmëharku, ato ishin vendosur nga ura e Milotit, ura e Fanit, Shpal deri në Gjegjan të Pukës. Me një varg garnizonesh armiku siguronte rrugën Shkodër - Pukë - Kukës. Me këtë sistem mbrojtjeje armiqtë synonin të siguronin kalimin e lirë në rrugën Prizren - Shkodër - Podgoricë. Raporti i forcave ishte 1,3:1 dhe në artileri 1,4:1 në të mirë të armikut.
Për drejtimin e brigadave komanda e Divizioni II Sulmues u vendos në mes të forcave në sektorin e Brigadës XXII.
Plani i operacionit të Korparmatës I Sulmuese për mësymjen e Divizionit II Sulmues në krahinën e Mirditës parashikonte kalimi e njësive në veri të Matit pa u marrë me luftime të gjata me armikun, depërtimin e zbrazëtitë e pikëmbështetjeve të mbrojtjes së armikut, për të krahëmarrë e shpinëmarrë forcat gjermane dhe ato reaksionare. Pas kësaj do të kalohej në mësymje vendimtare, për ta asgjësuar armikun në vatrat kryesore të qëndresës.
Terreni në zonën e Mirditës ishte tepër malor dhe i pyllëzuar. Mësymja në një vend të tillë vështirësonte lidhjen taktike e operative të forcave të divizionit. Në këto kushte ishte e domosdoshme nisma me luftim, organizimi dhe mbajtja e bashkëveprimit nga komandat e brigadave dhe sidomos ato të batalioneve. Lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i Vogël, si dhe shumë përrenj malorë, me rrjedhjen e tyre të vrullshme në periudhën e shirave të vjeshtës ishin pengesa natyrore serioze. Rrrugët automobilistike që përshkonin këto zona e krahina, lejonin manovrën e forcave gjermane për të dhënë kundërsulme e kundërgoditje. Ndërkohë organizimi i pritave në vende të përshtatshme mbi këto rrugë u jepte mundësi forcave partizane t’u shkaktonin humbje rezervave të armikut pa mbërritur në vijat e hapjes për luftim.
Vështirësi në realizimin e operacionit mësymës të divizionit paraqiste lufta kundër grupeve të vogla mercenare, të cilat, duke u bazuar nënjohjen e vendit, zinin prita në qafa, në gryka, në lartësi zotëruese, lëviznin me shpejtësi dhe siguronin befasinë e goditjeve të tyre. “Nuk duam me ba front lufte, - u ishte drejtuar mercenarëve të tij Gjon Marka Gjoni, por me anë çetash t’i shpartallojmë. Në çdo katund që do të jenë komunistët ne duhet t’i vrasim msheftazi. Këtë luftë do ta zgjasim deri sa anglezët të zbarkojnë në Shqipëri.”* Në disa raste u pushkatuan familjarë të partizanëve ose u dogjën shtëpitë atyre që kanë strehuar partizanë. Në këto kushte brigadat e Divizionit II Sulmues, krahas veprimeve luftarake, duhej t’i kushtonin vëmendje të veçantë edhe plotësimit të detyrave politike dhe atyre organizative.
*AQP, Fondi 202, 12/1.
Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit Brigadat VI, VII, XXII Sulmuese marshuan për të zënë pozicionet e mësymjes.
Brigada VI kaloi në zonat e Tiranës - Qafë Shtamë - Burrel - Perlat - Malaj. Brigada përshkoi 90 - 100 km në vend malor tepër të thyer me një shpejtësi mesatare 22- 25 km në 24 orë. Pastaj forcat u nndanë në dy kolona: e para në drejtimin Kthellë e Epërme - Ndërshen e Fan, kurse e dyta Malaj - Orosh.
Brigada VII filloi të marshojë në rrugëkalimin Tujan - Qafë Shtamë - Burrel - Rrëshen ku u nda në dy kolona: e para në drejtimin Gëziq - Ndërfushas, e dyta në Bukmirë - Simon - Kushnen - Gjegjan. Për 5 ditë brigada përshkoi 100-110 km rrugë, me shpejtësi 20-22 km për 24 orë.
Brigada XXII kreu një marshim të gjatë e të lodhshëm për pesë ditë e net, nën një shi të rrëmbyeshëm në drejtimin Valia - Qafë Shtamë - Burrel - Qafë Murrë - Lunar - Stanet e Lukanit - Lurë. Marshimi prej 110- 120 km u përshkua me ritën mesatar 22-24 km për 24 orë.
Ritmet relativisht të ulëta të marshimit kushtëzoheshin nga veprime luftarake dhe puna propagandistike me popullsinë civile. Lëvizja e forcave në drejtim të sektorëve të luftimit u bë kryesisht në kolona batalionesh. Hapësirat e pazëna në mbrojtjen e armikut u krijuan partizanëve mundësi për të dalë në befasi në afërsi të pikëmbështetjeve dhe rajoneve të fortifikuara të armikut.
Në dhjetëditëshin e parë të tetorit të tria brigadat manovruan brenda zonës së mësymjes për t’u rreshtuar me pozicionet gjatë rrugës nga ura e Fanit deri në Gojan. Në Mirditë nazistët dërguan përforcime të tjera dhe ndërtuan qendra të fortifikuara te ura e Fanit, në Gëziq, në Shpal e në Gjegjan. Forcat rekasionare lëviznin sa në drejtim të Oroshit sa në atë të Fanit.
Shtabi i Divizionit II Sulmues dhe shtabet e brigadave synuan që forcat partizane të mësynin dhe të çlironin të gjitha fshatrat e Mirditës në mënyrë të shkallëzuar dhe në drejtime të veçanta. Kjo bëri të mundur rrethimin e Shpalit dhe asgjësimin pjesë-pjesë të armikut. Forcat gjermane dhe reaksionare u detyruan të qëndronin ditë e natë në pritje në fortifikatat e tyre, të veçuara nga forcat e tjera. Duke depërtuar nëpër fshatrat e Mirditës, partizanët e të tria brigadave arritën të njihnin vendin, bënë përgatitjen politike të popullit për betejën vendimtare dhe organizuan e ndihmuan për vendosjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare.
Për të arritur në pozicionet e nisjes së mësymjes në Shpal, forcave të Divizionit II Sulmues më parë iu desh të zhvillonin luftime për zhbllokimin e qafave e shtigjeve të zëna nga forcat mercenare. Duke spastruar fshatrat nga forcat reaksionare, duke zhvilluar luftime nga një objekt në tjetrin dhe duke bllokuar forcat gjermane me prita në rrugët e qarkullimit, forcat kryesore të Brigadës VI Sulmuese më 19 tetor arritën pa u diktuar në pozicionet përballë Shpalit, në gatishmëri për të sulmuar armikun. Lumi Fan i Vogël ishte largësia që i ndante pozicionet e të dyja palëve. Në brigjet e lumit, natën dhe ditën, u bë zbulimi me luftim në disa sektorë të mbrojtjes së armikut. Forcat e Brigadës VII Sulmuese, pas disa veprimeve luftarake të suksesshme në shkallë batalioni u vendosën në katundet Gëqiz, Kushnen e Gjegjan. Më 18 tetor në vijën e sulmit arritën forcat e Brigadës XXII Sulmuese, të cilat gjatë kalimit në Selitë dhe Kthellë nuk ndeshën me forca armike. Ato u përqendruan në Bukël, Kullaxhi, Letaj, Kamec e Orosh.
Në këtë mënyrë komanda e Divizionit II Sulmues kishte arritur dy objektiva kryesorë: së pari, depërtoi në zemër të Mirditës me pak luftime; së dyti, organizoi rrethimin e plotë taktik të forcave kryesore të armikut në Shpal duke prerë rrugët automobilistike. Kështu forcat e divizionit krijuan një unazë rrethimi mbi pikmbështetjen më të fortë gjermane dhe mercenare në Mirditë.
Në Shpal, qendër e nënprefekturës së Mirditës, ishin përqendruar rreth 200 ushtarë nazistë dhe më se 500 mercenarë e xhandarë shqiptarë. Aty ishte vendosur edhe shtabi i reaksionit. Komanda gjermane krijoi pikëbmështetje prëforcuese te ura e Fanit, në Pukë, në Fushë-Arrëz, etj. Me forcat e përqendruara në Shkodër, Pukë dhe Kukës armiku parashikonte që me kundërgoditje nga dy drejtime: ura e Fanit - Shpal dhe Pukë - Gojan - Shpal, të godiste pas shpine dhe në krahë forcat partizane, të zhbllokonte forcat gjermane dhe mercenare të rrethuara në Shpal, të ndalonte përparimin e mëtejshëm të forcave të Divizionit II Sulmues dhe të siguronte rrugën automobilistike Kukës - Pukë - Shkodër.
Shpali që gjendet në kodra të larta, i rrethuar nga të dyja anët prej lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël, i jepte armikut epërsi absolute në organizimin e mbrojtjes së qendrueshme rrethore dhe krijonte mundësinë për të dhënë kundërsulme nga lart-poshtë në të gjitha drejtimet. Llogoret dhe qendrat e zjarrit të rrethuara me tela me gjemba e mina e të pajisura me mitraloza, mortaja e topa e vështirësonin edhe më shumë marrjen e Shpalit. Këto pozicione armiku i quante “të pathyeshme”. Ndërsa forcat partizane ishin të detyruara të sulmonin nga poshtë-lart, në terren tepër të thyer, me pyje e shkurre të dendura dhe me përrenj të thellë. Në disa drejtime mund të sigurohej afrimi i maskuar i forcave deri në 100-150 m duke shfrytëzuar këndet e vdekura. Vetëm po të merrej lartësia e fortifikuar 733.9 mund të siguroheshin pozicione nisjeje të pështatshme për të sulmuar nga lart-poshtë.
Mbi Shpal do të sulmonin katër batalione “Dy batalione të Brigadës VI - thuhej në urdhrin e operacionit - do të sulmojnë nga veriu, verilindja dhe veriperëndimi, sektorin që përfshihet ndërmjet lumenjve, Fani të Madh dhe Fanit të Vogël. Batalioni i Brigadës VII do të sulmojë nga jugperëndimi në drejtim të rrugës automobilistike Gëziq - Shpal, Batalioni i 3 i Brigadës XII do të veprojë nga juglindja, duke pasur forca të rreshtuara në të majtë të lumit Fan i Vogël, në goditje frontale kundrejt objektivit.”* Në krah të majtë të batalioinit 3 të Brigadës XXII u fut në luftim një batalion i Brigadës VI Sulmuese. Tri batalione të Brigadës VII Sulmuese, tri batalione të Brigadës XXII Sulmuese bllokuan rrugën automobilistike në të dyja drejtimet. Forcat e batalionit 4 të Brigadës XXII Sulmuese, në bashkëveprim me batalionin 1 të Brigadës VII Sulmuese, do të goditnin përqendrimin e armikut te ura e Fanit që të mos lejonin kalimin e forcave përforcuese gjermane drejt Gëziqit e Shpalit. Batalioni 3 i Brigadës IV Sulmuse u përqendrua në Spaç si rezervë, me detyrë që të mbështeste forcat që mësynin mbi Shpal. Për bashkërendimin e veprimeve luftarake ndërmjet brigadave u krijua shtabi operativ. Në sulmin mbi Shpal forcat partizane krijuan epërsi mbi armikun në njerëz mbi 2:1 (1000-1200 partizanë kundër 450-500 të armikut), në artileri 4:1 (40 topa e morataja partizane kundër 10 të armikut) (skema 52).
*AQP, Fondi 203, Dosja 9, datë 14/10/1944.
Pasi u mor udhri për sulm, celulat e PKSH e të kompanive bënë mbledhjet për rëndësinë politike ushtarake të detyrës dhe diskutuan me hollësi masat për zbatimin e saj. Anëtarët e PKSH bënë sqarime të nevojshme politike në mbledhjet e efektivit. Partizanët dhanë mendime të vlefshme për bashkëveprimin, për shpejtësinë dhe për befasinë e goditjes.
Në agim batalionet zunë vijën e sulmit: Qafa e Lepurit, Shkurret, Kullagji, Qafa e Mirë. Bateria e divizionit, me pozicione zjarri në kodrat e Kthellës dhe bateritë e Brigadës VI dhe XXIII Sulmuese nga kodrat e Buklit e të Kullaxhinjve qëlluan për 10 minuta kazermat dhe pozicionet e armikut. Pas 2 orë e 30 minutash luftime të rrepta, një pjesë e forcave të armikut u asgjësuan kurse pjesa tjetër u shpartallua dhe u shpërnda pyjeve dhe përrenjve.
Armiku vendosi të ripushtonte Shpalin nga ana e urës së Fanit dhe Pukës me forcat e një regjimenti gjerman me artileri, tanke e autoblinda por megjithëse krijoi epërsi në forca 1,7:1 e në artileri 2:1 në të mirën e vet, ndeshi në muret e pakalueshme të pritave të zëna prej forcave partizane.
Në krahun verior, mbi rrugën Shpal - Pukë, afër Gojanit, batalioni 4 i Brigadës VI Sulmuse shkatërroi në pritë një batalion gjerman bashkë me forcat mercenare që i shoqëronin. Forcat që shpëtuan u tërhoqën drejt Pukës.
Në krahun jugor të luftimeve partizanët e Brigadës XXII Sulmuese sulmuan në befasi kazermat gjermane te ura e Fanit. Pas dy orësh luftë, nazistës lanë pozicionet. Por tërheqja nga ura e Fanit i humbi komandës gjermane çdo shpresë për ripushtimin e Shpalit dhe për zhbllokimin e rrugës së tërheqjes përmes Mirditës, prandaj që atë natë sulmuan me forca të shumta dhe rimorën urën. Forcat e Brigadës XXII Sulmuese zunë pozicione më në thellësi, për ta goditur përsëri armikun në bashkëveprim edhe me forcat e Brigadës VII Sulmuese.
Gjashtë ditë me radhë u zhvilluan luftime të përgjakshme në fshatin Gëziq. Forca të shumta gjermane sulmonin me ngulm që të çanin mbrojtjen e Gëziqit dhe të rrimernin Shpalin. Më 21 tetor, rreth orës 15, artileria gjermane qëlloi nga ura e Fanit shtabin e batalionit pranë qelës së Gëziqit. Pastaj forcat të shumta gjermane, me mjete të blinduara kaluan në sulm. Forcat e batalionit zunë me shpejtësi pozicionet e mbrojtjes, gjatë brezit pyjor dhe në të dyja anët e rrugës. Për rrejdhojë sulmi i armikut u ndal. Kompanisë së 2 iu dha detyrë të mashtronte armikun. Ajo u hodh në kundërsulm, por pas një përleshjeje të shkurtër u “tërhoq e thyer” drejt kishës së Gëziqit. Dhe kur armiku priste suksesin, kjo kompani, së bashku me kompaninë 1, që ishte maskuar në bregoren afër kishës, u hodh në kundërsulm të befasishëm. Kompania 1, që kishte mbetur si pykë, hapi zjarr në krahë dhe në shpinë atë armikut. Gjendja e forcave gjermane u bë kritike. Ushtarët nazistë u tërhoqën të shpartalluar e me humbje drejt urës së Fanit. Forcat partizane, duke mbajtur në duart e tyre nismën, spastruan rajonin e veprimeve luftarake nga grupet e vogla të armikut të fshehura në pyje midis dy lumenjve.
Më 23-24 tetor forcat gjermane, së bashku me një numër mercenarësh, u hodhën në sërish në mësymje për të ripushtuar Shpalin me çdo kusht. Gëziqi u bë përsëri fortesë e pakalueshme për armiqtë. Luftëtatët e Brigadës VII Sulmuese i thyen të gjitha sulmet e armikut. Vendimtare në suksesin e luftimeve ishte afrimi dhe futja në luftim e rezervave: me 25 dhe 26 tetor kundësulmuan në një front rreth 2-3 km një kompani e batalionit 1, batalioni 2 i Brigadës VII Sulmuese dhe batalioni 4 i Brigadës XXII Sulmuse. Duke shfrytëzuar mirë të thyerat e terrenit, afrimi nga thellësia në front u bë pa u diktuar armiku. Artileria gjermane në pozicione zjarri në perëndim të urës së Fanit, duke qenë larg vijës së luftimeve, nuk goditit dot me saktësi në çastin kur forcat tona u hodhën në kundërsulm. Trupat gjermane u përpoqën të çanin kryesisht gjatë rrugës automobilistike me mjete të blinduara. Kur nuk mundën të çanin në qendër, manovruan nga krahu i djathtë për të dalë në Shpal, kurse një pjesë e forcave u përpoq të rrethonte forcat tona në Gëziq. Shkoqja e forcave gjermane nga ura e Fanit deri në kodrat e Gëziqit u dha dorë forcave tona t’i asgjësonin ato pjesë-pjesë.
Luftimet me të rëndësishme për çlirimin e Mirditës u kryen me të gjithë efektivin e forcave të Divizionit II Sulmues. Suksesi u sigurua nga goditjet me forca të përqendruara, në krahë dhe në shpinë të armiqëve që mbroheshin në pikëmbështetjet e fortifikuara. Kjo duket edhe nga humbjet e armiqve në zonën e Mirditës, të cilat ishin mbi 600 të vrarë, të plagosur dhe robër.
Mësymja në Mirditë u zhvillua me qëllim rrethimin dhe asgjësimin e forcës së gjallë të armikut dhe jo për shtyrjen prapa të tij. Në fillim Divizioni sulmoi objekte kyçe në rrugët e komunikacionit dhe bllokoi disa prej tyre. Komanda përqendroi forcat duke krijuar epërsi në këto rajone. Armiku u vlerësua si në objektin e mësymjes, ashtu edhe jashtë tij. U morën masa sigurimi për të mos lejuar ardhjen në ndihmë të forcave të rrethuara. Kështu, gjatë sulmit mbi Shpal u vendosën në prita dhe u mbajtën në rezervë gati dy të tretat e forcave. Por në zënien e drejtimeve të mundshme të daljes së armikut pati edhe ndonjë mangësi. Bllokimi i luginave me postroje e armë zjarri do të kishte siguruar mbylljen e plotë të unazës së rrethimit dhe asgjësimin e plotë të armikut.
Mësymja e Divizionit II Sulmues në Mirditë karakterizohet nga kapja e njëra pas tjetrës e pikëmbështetjeve të fortifikuara të armikut. Marrja e krahëve e paaftësoi fuqinë e mbrojtjes së tij.
Manovra e forcave partizane mundësoi që armiku të humbiste edhe ato epërsi që kishte në sajë të fortifikatave. Forcat e divizionit lëvizën në largësitë zotëruese mbi rrugët automobilistike. Kapja e lartësisë 733.9 e detyroi armikun të braktiste pozicionet në Shpal. Sulmi vendimtar për çlirimin Shpalit u krye me luftë ballore të gërshetuar me elemente të taktikës partizane.
Në disa raste nga mungesa e masave të sigurimit, skuadrat e prapavijës ranë nën goditjet e befasishme të forcave reaksionare, të cilat e njihni mirë vendin. Kjo i detyroi forcat partizane të vepronin me shpejtësi për daljen nga zona e zjarrit të armikut. Shpesh shkoqjen e forcave e kushtëzonte edhe terreni i pyllëzuar me rrugë të pakta. Ndërmjet batalioneve e kompanive krijoheshin zbrazëti të mëdha, gjë që në luftimet në Shpal i dha mundësi një pjese të forcave të armikut të dilnin nga rrethimi.
Luftimet mësymëse u gërshetuan me pritat, mbrojtjen e pozicioneve dhe me kundërsulmet. Në luftimet për mbrojtjen e pozicioneve veçanti ishte vendosja e armëve më të shumta në vijën e parë. Gjerësia e madhe e rajonit të mbrojtjes së batalionit, 3-4 km dhe efektivi i pakët 200-250 veta, ndikonte në dendësinë e ulët të zjarrit, e cila rritej sidomos gjatë dhënies së kundërsulmeve me futjen e rezervave në luftim. Kundërsulmet kundër armikut, në të shumtën e herëve, u dhanë nga lart-poshtë e në të dy krahët brenda rendimit të mbrojtjes partizane. Karakteristikë ishte pjesëmarrja në kundërsulme edhe e forcave që ishin në luftë e sipër me armikun, e cila e rriti fuqinë goditëse. Epërsia në forca dhe në mjete e armikut u zhvlerësua nga shfrytëzimi i mirë i terrenit, manovra e zhdërvjellët dhe befasia e goditjeve.
Në organizimin e pritave mbi rrugën ura e Fanit - Shpal - Pukë u mbajt parasysh që e gjithë kolona armike të futej në sektorin e pritës, të shfrytëzohej terreni për ta futur armikun në xhepa zjarri dhe në luginë. Në sektorin e pritës në malin e Gojanit forcat e batalionit 4 të Brigadës VI Sulmuese zunë pozicione në përrenjtë e lartësive zotëruese në formë gjysmërrethi, kryesisht në rajon të pyllëzuar dhe buzë rrugës automobilistike. Kjo dha mundësi të goditej armiku në një gjatësi 3 deri 4 km me zjarr dhe me sulm të befasishëm nga largësia 25 deri 50 m dhe nga lart-poshtë. Për dy ditë dhe dy netë, në kushte të vështira atmosferike, u thyen katër sulme të forcave gjermane.
Në mësymjen për çlirimin e Mirditës pati ndryshime në rendimin e luftimit në krahasim me veprimet mësymëse në Shqipërinë e Mesme. Në sulmin mbi Shpal morën pjesë pesë batalione, kurse në sektorët përreth tetë batalione. Kompanitë mbajtën një deri në dy skuadra si mbështetje, batalionet një deri dy kompani, brigadat dhe divizioni nga një deri dy batalione rezervë. Ato u përdorën për të siguruar suksesin e mësymjes, për të thyer kundërsulmet dhe për të mbyllur zbrazëtitë e krijuara.
Terreni malor i thyer e i veshur me pyje dhe veprimet luftarake natën vështirësuan drejtimin e luftimit nga komandat e batalioneve e të brigadave, të shtabit operativ dhe të shtabit të divizionit. Prandaj nisma e komandave dhe e partizanëve ishte një faktor që ndikoi drejtpërdrejt në tejkalimin e gjendjeve të ndërlikuara. Gjatë afrimit për në vijën e sulmit, batalioneve 1, 2 dhe 4 të Brigadës VI Sulmuese dhe të batalionit 2 të Brigadës XXII Sulmuese iu desh të kapërcenin ujërat e rrëmbyeshëm të Fanit, të fryra nga shirat e tetorit, duke përdorur mjetet rrethanore dhe vaet. Kalimin e lumit për një pjesë të forcave e zgjidhi me nismë një partizan i moshuar. Ai futi në lumë disa mushka të lidhura me litar dhe pas tyre kaluan gjithë partizanët. Forca të tjera kaluan në vaet dhe urat e thjeshta ekzistuese.
Sukseset që arriti Divizioni II Sulmues në Mirditë ishin rrejdhojë e lidhjes së ngushtë me popullsinë vendase. Për të furnizuar partizanët, në shumë fshatra u ngritën komisionet e bukës. Nga rrethi i Mirditës në formacionet partizane u rreshtuan luftëtarë vendas. Forcat e Divizionit II Sulmues u ndihmuan edhe nga çeta partizane e Pukë -Mirditës, e cila deri në atë kohë kishte vepruar në ilegalitet të fortë.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.