Në qershor të vitit 1943 vendi ndodhej në momentin e kalimit në kryengritjen e përgjithshme. Në këtë këtë gjendje, Komiteti Qendror i PKSH u vuri detyrë komiteteve të Partisë të qarqeve të Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës të organizonin një operacion kundër fashistëve italianë në zonën e Përmetit (skema nr.10) Ky operacion kishte rëndësi politike e ushtarake, sepse kryhej një veprim me përmasa të mëdha në prag të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, si dhe synonte që të krijonte një zonë e lirë strategjike, që shtrihej në disa qarqe. Çasti ishte gjetur, sepse armiku i kishte shpërndarë forcat në dy operacione dhe disfatat e pësuara kishin ndikuar në thyerjen e moralit të trupave të tij.
Komitetet e Partisë të qarqeve e vlerësuan detyrën dhe morën masat që operacioni të kryhej me sukses. Për drejtimin e veprimeve luftarake u krijua shtabi operativ me dy përfaqësues për çdo qark.
Forcat e armikut, të vendosura në Kuqar, ishin rreth një batalion këmbësorie i përforcuar i divizionit “Parma”. Garnizoni ruante nyjën e rëndësishme të rrugëve që lidhnin Shqipërinë e jugut me brendësinë e vendit, si dhe Greqinë veriore. Duke vlerësuar rëndësinë e tij, forcat italiane, përveç fortifikimeve të mëparshme, vijonin të kryenin punime të reja. Kësisoj Kuqari ishte kthyer në një rajon të fortifikuar. Ai përbëhej nga qendra zjarri betonarme, që lidheshin me njëra tjetrën me transhe e hendeklidhje. Disa metra përpara qendrave të zjarrit ishin vendosur pengesa xheniere dhe vendi ishte pastruar nga shkurret. Garnizoni i Kuqarit me një sipërfaqe 3 km2 kufizohej në anën lindore e perëndimore nga dy përrenj. Në qytetin e Përmetit ishte vendosur një batalion tjetër dhe një grup mortajash 81mm. Të dy këta reparte kishin rreth 50 gryka zjarri.
Ideja e shtabit operativ ishte: goditja kryesore të jepej kundër garnizonit të Kuqarit, ndërkohë me një pjesë forcash të mbahej i rrethuar Përmeti e të bëhej trysni mbi garnizonin e tij. Me forca të tjera partizane e vullnetare të organizoheshin prita të fuqishme gjatë rrugëve Tepelenë-Përmet, Berat-Përmet, Ersekë-Përmet, me qëllim që të pengoheshin përforcimet e armikut në drejtim të Kuqarit dhe të Përmetit.
Në drejtim të goditjes kryesore, në Kuqar, forcat u vendosën:
në krahun e djathtë batalionet “Ali Kelmendi”, “Themistokli Gërmenji”, “Hakmarrja”, dhe një pjesë e batalionit “Riza Cerova”, gjithsej 225 luftëtarë;
në krahun e majtë, në Argovë, dy çeta, një e krahinës së Përmetit dhe një e Oparit, si dhe çeta vullnetare territoriale.
Përqendrimi i forcave kryesore në krahun e djathtë ishte i përshtatshëm, sepse këtu gjendej pika më e dobët e mbrojtjes, pasi qendrat kryesore të zjarrit armiku i kishte të përqendruara në anën lindore dhe jugore, për të kontrolluar rrugën e luginën dhe vijat e nisjes për sulm ishin më tepër nga lart-poshtë. Garnizoni i Përmetit do të goditej nga verilindja me forcat e batalionit “Fuat Babani”, dhe nga ana jugperëndimore, në zonën e Leusës, me një pjesë të forcave të batalionit “Riza Cerova”. Në pritën e grykës së Këlcyrës në afërsi të Mezhgoranit, në të djathtë të lumit të Vjosës u vendosën çeta “Koto Hoxhi”, dhe në të majtë çeta “Musa Fratari”. Pritën e qafës së Kiçokut e zunë forcat kryesore të batalionit “Riza Cerova” dhe një pjesë e çetës “Musa Frashëri”. Në pritë, tek ura e Peratit, u vendos çeta e Leskovikut, ndërsa çeta “Tomorri” në pritën e urës së Barmashit.
Shtabi operativ u vendor në drejtim të goditjes kryesore te Rrapi i Pacomitit, 2-3 km në lindje të Kuqarit. Ky vendqëndrim siguronte drejtimin nga afër të forcave partizane. Me forcat e drejtimit të goditjes kryesore do të mbante lidhje të drejtpërdrejtë, ndërsa me forcat e grykës së Këlcyrës dhe ato të krahut të majtë të Përmetit u caktua një pikë e ndërmjetme në Argovë. Për herë të parë u vu në funksion ndërlidhja teknike telefonike me forcat partizane në Barmash dhe ato të urës së Peratit. Këshillat nacionalçlirimtare siguruan disa kafshë për të transportuar materiale nga thellësia në afërsi të rajoneve të luftimeve.
Sipas drejtimeve të luftimit u caktuan dy vend mjekime për të plagosurit rëndë, një në Pagri, për krahun e djathtë, dhe një në Badëlonjë, për krahun e majtë. Kjo u kushtëzua nga shtrirja e veprimeve luftarake në një sipërfaqe të gjerë dhe nga pengesa që krijonte lumi i Vjosës. Në vijim të masave përgatitore u shkatërruan disa ura, ndërsa në pjesë rrugësh u bënë edhe minime kundër këmbësorisë dhe kundër tankeve. Gjithashtu u shkatërrua tubacioni i ujit të pijshëm në Përmet.
Forcat partizane dy ditë përpara kishin dalë në afërsi të pozicioneve të nisjes për sulm. Shtabi operativ vërejti se gjithë gjatë ditës në Kuqar armiku kryente punime xheniere jashtë garnizonit, pa masa të forta sigurimi. Në këtë gjendje, sulmi ditën mund të siguronte befasinë e plotë e të ishte i frytshëm. Por shtabi operativ nuk e ndryshoi kohën e sulmit dhe befasia taktike kishte humbur si rrjedhojë e ndeshjes në pritë, gjatë ditës, të një autokolone armike që lëvizte në rrugën Këlcyrë-Tepelenë. Sulmi filloi në orën 20 të datës 1 korrik. Forcat tona ngushtuan shumë rrethimin e garnizonit. Ndërkohë çetat territoriale të fshatrave filluan të shtoheshin si forca rezervë. Brenda dy ditëve ato arritën 550 luftëtarë. Futja në lutim e forcave të reja e rriti frymën sulmuese të të gjithë forcave partizane. Në gjendjen e krijuar shtabi operativ njoftonte “...po përgatitemi për sulme të reja dhe vendimtare kundër Kuqarit dhe Përmetit.”*
* AQP, Fondi 20, Dosja 10. Komunikatë e parë e shtabit të operacionit dërguar komiteteve qarkore të Korçës, Gjirokastrës dhe Beratit, korrik 1943.
Karakteristikat e luftimeve ishin sulmet e përsëritura natën, ndërsa ditën forcat partizane mbanin pozicionet e zëna.
Luftimet në prita kundër autokolonave të armikut u zhvilluan pothuajse në një kohë me sulmin në Kuqar e në Përmet duke i zgjeruar veprimet në një sipërfaqe rreth 300 km 2. Pritat u ngritën në kohë e në vende mjaft të përshtatshme. Prita e Mezhgoranit ishte 15 km larg Kuqarit, e qafës së Kiçokut 28 km, dhe urës së Peratit 45 km larg. Zënia e pritave në largësi të tilla, ku u përqendrua më se 1-3 e forcave pjesëmarrëse në operacion, kishte qëllim të bllokonte armikun për aq kohë sa forcat që sulmonin Kuqarin të arrinin suksesin ose në pamundësi të manovronin për të mos rënë në rrethim.
Në Mezhgoran, në pasditen e 2 korrikut, u zhvillua përpjekje e përgjakshme me një batalion këmbësorie të përforcuar me artileri dhe me autoblinda. Një pjesë e forcave të armikut u ngjit malit të Mezhgoranit për t’u dalë në shpinë forcave partizane, por u sulmua nga forcat e çetës “Hajredin Tremishti”, që sapo u fut në luftim.
Luftime edhe më të suksesshme zhvilluan forcat partizane në pritën e Qafës së Kiçokut kundër një autokolone prej dy batalionesh që vinin nga Berati. Forcat partizane të batalionit “Riza Cerova”, në bashkëveprim me çetat vullnetare territoriale të fshatrave Arëz e Kajcë, zhvilluan luftime gjatë gjithë natës, duke organizuar sulme të shpejta nga të dy krahët, që përfunduan me luftim trup me trup. Në mëngjesin e 3 korrikut autokolona e armikut u tërhoq. Forcat e pritës, bashkë me forcat e tjera partizane vullnetare që kishin ardhur nga Skrapari, duke manovruar nëpër rrugët më të shkurtra malore, e futën autokolonën në rrethim të plot në Lajthizë. Në mbrëmje erdhi në ndihmë një autokolonë tjetër. Të dyja autokolonat, që kishin rreth 2000 forca, u bashkuan në lajthizë. Gjendja e forcave partizane u vështirësua si rrjedhojë e epërsisë së madhe të armikut. Megjithatë ato minuan rrugën, dogjën automjetet që i kishin zënë armikut dhe u tërhoqën.
Luftimet në të dyja pritat, në Mezhgoran dhe në Kiçok, shënuan rritje në organizimin dhe frytshmërinë e tyre. Karakteristikë e luftimit ishte bashkërendimi i zjarrit në prita me sulmet e vijueshme deri në luftimin trup me trup. Sulmet u dhanë nga lart-poshtë, çka ndikoi në rritjen e shpejtësisë e të vrullit. Me sulm u thyen edhe përpjekjet e armikut në Mezhgoran për të dalë në krah të forcave të pritës. Prita në qafën e Kiçokut ishte e organizuar mirë dhe më e fuqishme. Nga sulmet në pritë u kalua në ndjekje të armikut, duke futur edhe forca territoriale. Kjo tregoi për rritjen e mundësive luftarake të forcave tona dhe për vendosmërinë për të thelluar suksesin në fushën e luftimit. Në prita u përdorën minimet e ndryshme kundër këmbësorisë e autoblindave.
Dukuri e re ishte krijimi i shtabit operativ, i cili planëzoi, organizoi dhe drejtori gjithë veprimtarinë luftarake të forcave pjesëmarrëse në operacion. Shtabi u përpoq të ndiqte nga afër zhvillimin e luftimeve në Kuqar, në Përmet dhe në Mezhgoran. Ai nxirrte çdo ditë komunikatën e luftimit. Në veprimtarinë e shtabit pati mangësi që erdhën nga përvoja e pakët por edhe ndonjë koncepti jo i drejtë i disa anëtarëve të tij për karakterin e taktikës së luftës partizane.
Në Kuqar, në Përmet, në Kiçok dhe në Mezhgoran u caktuan komanda të veçanta të cilat u vendosën në drejtimin më të rëndësishëm të rendimit luftarak. Shtabet e batalioneve drejtuan me aftësi luftime dhe vepruan me nismë Shtabi operativ dhe komandat mundën të siguronin vijimësinë e furnizimit me municione dhe me ushqime. Në Kuqar furnizimi dhe thellësia e zonës së lirë deri në afërsi të Pacomitit u bë me kafshë. Pranë vijave të luftimit furnizimi u bë me krahë nga skuadra të veçanta.
Veprimet sulmuese në zonën e Përmetit treguan për rritjen e zhvillimit të artit ushtarak të kryengritjes së armatosur dhe të pjesëve të tij përbërëse si të artit taktik dhe të lindjes e zhvillimit të artit operativ. Zhvillimi i luftimeve të ashpra për një javë resht, në një teatër të gjerë, ku veprimet luftarake u kryen me dendësi të madhe nga disa batalione partizane, sipas një ideje të vetme e të drejtuar nga një shtab operativ, bëri të mundur të lindin elementet e para të planifikimit operativ. “Ditën e 1 korrikut në territorin e Divizionit “Parma”, - pohonin autoritetet italiane, - u dhanë njëkohësisht katër goditje nga kryengritësit me një këmbëngulje dhe me një shtjellim forcash të papara deri më sot. Veprimet luftarake gjatë boshtit Berat-Këlcyrë-Përmet dëshmojnë për një ide të gjerë, për një përgatitje të kujdesshme, për një drejtim këmbëngulës, për një bashkërendim të qartë të aksionit.”*
* AQSH, Fondi 260, dosja 53, fleta 20, korrik 1943.
Në varësi nga natyra e veprimeve luftarake, u caktuan forca për sulm, për bllokim e për mbështetje. Sulmi për marrjen e rajonit të fortifikuar të Kuqarit tregoi për mundësinë e grupeve të sulmit, të cilët të mbështetur nga zjarri i mitralozave të rëndë, edhe në kushtet kur befasia kishte humbur, mundën të futeshin në brendësi të garnizonit të armiku. Veprimet luftarake treguan domosdoshmërinë e pajisjes me armatim më të mirë të grupeve të sulmit, si bomba dore, me lëndë plasëse, etj. Vijimësia e luftimit nga disa orë në disa ditë kërkoi futjen e forvcave rezervë në luftim. Ato u krijuan me mobilizimin e çetave territoriale, por edhe me sjelljen e forcave të reja partizane që nuk ishin parashikuar në urdhrin e operacionit. Çeta “Hajredin Tremishtri” u përdor si rezervë në pritën e Mezhgoranit në çastin kritik për të thyer kundërsulmin e forcave italiane. Ndëra forcat partizane, që erdhën nga Skrapari në qafën e Kiçokut, u përdorën për ndjekjen dhe rrethimin e autokolonës armike në Lajthizë. Në Përmet forcat territoriale u përdorën për rrethimin e plotë të armikut nga ana e qytetit. Gjatë organizimit dhe zhvillimit të veprimeve luftarake pati edhe ndonjë mangësi. Në luftimet e Kuqarit me gjithë forcat e përqendruara, nuk u sigurua raporti i nevojshëm që u bë edhe më i ndjeshëm me humbjen e befasisë. Në këtë rast kërkohej që shtabi operativ të ishte i më i zhdërvjellët për vlerësimin e gjendjes dhe marrjen e vendimit.
Në 6 korrik forcat partizane të betejës së Përmetit u përplasën për herë të parë me forcat gjermane në Barmash të Kolonjës. Sipas urdhrit të Shtatmadhorisë së Vermahtit, këtë ditët skalioni i parë i Divizionit I malor gjerman, me 5000 ushtarë, 300 makina e autoblinda lëvizte në rrugëkalimin Manastir-Follorinë-Korçë-Ersekë-Janinë. Divizioni do të përqendrohej në Janinë ne detyrë të mbronte bregdetin e detit Jon nga një zbarkim i mundshëm anglo-amerikan.
Forcat partizane të batalionit “Tomorri”, në bashkëveprim me forcat partizane vullnetare, gjithsej 300 luftëtarë, sipas detyrës luftarake të ngarkuar nga shtabi operativ që drejtonte betejën e Përmetit, kishte zënë pritë në të dyja anët e rrugës automobilistike, mbi kodrat në jugperëndim të Barmashit.
Raporti i forcave ishte krejtësisht i pabarabartë: sa automjete kishte armiku (300), aq partizanë ishin në prita. Vendimi i komandës së pritës ishte që të goditej kreu i kolonës. Detyra që iu vu forcave në pritë ishte ta dëmtonin autokolonën dhe ta pengonin për të arritur në kohë objektivin.
Asnjëherë forcat partizane nuk ishin ndeshur në prita me një forcë kaq të madhe ushtarake dhe me një përvojë më të madhe luftarake.
Goditja e autokolonës filloi në orën 13:00. Gjermanët të gjendur në befasi, kundërvepruan menjëherë. Zunë pozicione në të dyja anët e rrugës dhe hapën zjarr me të gjitha llojet e armëve, madje edhe me topa e mortaja. Mirëpo, partizanët i kishin pozicionet shumë afër rrugës, prandaj zjarri i topave dhe i mortajave qe i paefektshëm. Dy herë provuan gjermanët të kundërvepronin e t’u dilnin në shpinë forcave partizane, por dështuan. Pas 7 orësh luftime nga më të ashprat, forcat partizane u tërhoqën me rregull të plotë nga prita duke i shkaktuar armikut më se 100 të vrarë e të plagosur. Nga partizanët u plagosën rëndë 7 luftëtarë.
Forcat gjermane kryen hakmarrje duke pushkatuar 107 civilë nga fshati Borovë. I gjithë fshati u kthye në gërmadhë. Më tej nazistët dogjën edhe 10 fshatra të tjera buzë rrugës automobilistike Ersekë-Leskovik.
Luftëtarët të batalionit partizan "Tomorri" që mori pjesë në betejën e Përmetit.
Lista e burimeve që janë shfrytëzuar për materialin e shkruar dhe ilustrativ:
Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar – Tiranë, 1989. (Ministria e Mbrojtjes Popullore, Akademia Ushtarake). Autorët: Avni Hajro, Kadri Cenolli, Maksim Ilirjani, Mustafa Novi, Proletar Hasani, Refik Kucaj, Shahin Leka, Vangjel Kasapi.
Epopeja e Lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare - foto album